Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e pesë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti arkivor ‘Tepër sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të datës 18 dhjetor të vitit 1981, e cila u zhvillua pa praninë e kryeministrit Mehmet Shehu, pasi disa orë më parë, ai ishte gjetur i vdekur në dhomën e tij të gjumit!
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI QENDROR
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
SEANCA E PESTË
SHOKU ENVER HOXHA: Ne, në familjen tonë, për Qazim Turdiun nuk dinim gjë tjetër përveç asaj që ai ishte profesor matematike, kurse rrethin familjar, qoftë të tij, ashtu edhe të së shoqes, s’e njihnim fare. Shkuam tok me Nexhmijen te Mehmeti, më shumë t’a uronim për shtëpinë e re. Aty gjetëm fëmijët dhe të fejuarën e Skënderit (që Mehmeti vetë e kishte njohur një ditë më parë), i uruam, bëmë edhe fotografi. Mehmeti me Fiqretin ishin shumë të gëzuar dhe kjo ishte e drejta e tyre.
Po si nuk u shqetësuan pak në ndërgjegjen e tyre, që po përzienin e po futnin në këtë valle të ndyrë edhe shokun Enver? Ata menduan se me këtë prezantim u vulos kjo punë, u mor aprovimi i shokut Enver. Fotografitë që u bënë me mua, shkuan te Qazim Turdiu, ato shkuan deri edhe në Athinë, me skuadrën e vajzës dhe, që andej, përse të mos i shkonin edhe Arshi Pipës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të shikonte kështu se me kë i’u fejua mbesa dhe, për këtë fakt, i dërgohej edhe vërtetimi me fotografi?
Që të nesërmen filluan të më vinin lajme nga 2-3 drejtime për rrethin e keq familjar të së fejuarës së djalit të Mehmetit, bashkë me shprehjen e shqetësimit “Si është e mundur”? “Si e bëri Mehmeti këtë”? “A e di shoku Mehmet rrethin familjar të babait e të nënës së vajzës”?!
Në jetën time të Partisë rrallë herë e kam ndjerë veten kaq në vështirësi, pse me këtë veprim të papritur Mehmeti, një nga udhëheqësit kryesor të Partisë, po bënte me vetëdije gabim kaq të madhe në vijë, gabim që mund të ishte me pasoja të rënda për Partinë.
Kurdoherë kisha parasysh se mund të ndodhte edhe e keqja, duke njohur karakterin impulsive dhe të pakontrolluar të Mehmetit. Ai mund të pranonte këshillat e mia, që ta likuidonte këtë aleancë të qelbur, por mund edhe të mos pranonte, sikundër që nuk mori mundimin të pyeste Partinë kur e konceptoi dhe e realizoi këtë aleancë.
Isha para një të panjohure të rrezikshme.
Më duhej të shmangia medoemos përçarjen që mund të ndodhte në Parti.
U konsultova menjëherë me disa nga shokët e Byrosë Politike që ndodheshin në atë kohë në Tiranë. (Mehmeti dhe disa të tjerë kishin shkuar në rrethe për të marrë pjesë në konferencat e Partisë). Njëzëri e dënuan këtë veprim të Mehmetit. Veprova me kujdes, por me vendosmëri, që gabimi politik të korrigjohej menjëherë. E thërrita Mehmetin nga Korça, ku kish shkuar për konferencën e Partisë.
Pyetjen time për rrethin familjar të vajzës ai e priti me sinqeritetin më të plotë dhe pohoi se kish dijeni për dy xhaxhallarët e arratisur të vajzës. Në autokritikën e tij Mehmeti thotë se këtë gabim e realizoi vetëm kur më pyeti shoku Enver “Ç’po bën kështu”?! Atëherë unë e mblodha dhe thashë se gabimi i bërë do të ndreqet me çdo kusht.
Jo, nuk është tamam kështu. Mehmeti, në takimin e tretë që po bënin, më erdhi me një listë, që insistoi të më lexonte. Unë i thosha se nuk kam nevojë për atë listë, kurse ai ngulte këmbë dhe vazhdoi duke më thënë: “të lutem më dëgjo”. Në të ishin radhitur shënimet “pozitive” të rrethit familjar të vajzës. Kjo bëhej për të më bindur se Turdiu, kishte dhe anë “pozitive” dhe qenë këto që e bënë të gabonte.
E ç’më duheshin mua ato?
Mehmeti me Fiqretin bënë sikur kishin dijeni vetëm për dy xhaxhallarët e arratisur të vajzës. Megjithatë mjaftonin edhe vetëm këta të dy për të mos e lidhur këtë krushqi, pa le që ata dinin edhe për gjithë të tjerët, siç ka pohuar edhe Feçori. Mehmeti e di prej kohësh kush janë Myzafer Pipa dhe Arshi Pipa, se ka qenë vetë ministër i Brendshëm.
Gjithashtu ai u përpoq të më impresiononte mua me atë, që djali mund të vriste veten, prandaj i thashë tekstualisht: “Shiko, Mehmet, të siguroj unë, se djali nuk është nga ata që vrasin veten. Ai ka bërë shumë poshtërsi me gra, prandaj mos ki frikë nga kjo anë për të”, kurse Fiqreti, nga ana e vet, më përralliste, duke u përpjekur të justifikonte veten e djalin dhe arriti të më thotë: “Neli është parimor” (!) Dhe këtë ma thosh mua, në një kohë kur djali bënte një fejesë të tillë, kur kish bërë skandale edhe në publik, duke u shoqëruar me një grua imorale, me të cilën kish lidhje.
Sidoqoftë, për interesat e Partisë dhe të vetë Mehmetit, e këshillova këtë të reflektonte thellë për të zbuluar shkaqet e gabimit që bëri. Sa munda, e ndihmova, për të ndihmuar, në radhë të parë, Partinë nga një rrezik që i turrej (nga përçarja), jo se këtë Partia nuk do ta kapërcente dot edhe në rastin më të keq. Dhe ja, kjo që ndodhi është rasti më i keq, ky armik vrau veten për të shpëtuar veten dhe për të dëmtuar Partinë.
Sidoqoftë, Partia dhe populli një traumë do ta kalonin. Dhe kur? Pikërisht para Kongresit të 8-të të Partisë. Armiqësia e tij nuk e shmangi këtë traumë. Armiqtë tanë, të brendshëm e të jashtëm, mund të përfitonin nga kjo ngjarje. Kjo u evitua, por ishte një alarm vigjilence për Partinë.
Në autokritikën e tij si shkak kryesor Mehmeti vë “sentimentalizmin” dhe “njëanshmërinë” në gjykimin e çështjes, pastaj si gjëra të shkëputura radhit disa element negativë të karakterit të tij, siç janë impulsiviteti, rrëmbimi, mungesa e taktit e disa anë të tjera. Dëshiroj t’ju them, se unë jam plotësisht dakord me të gjitha diskutimet tuaja, si edhe me cilësimet që i bëtë karakterit dhe punës së Mehmetit, prandaj mendimet që kam për këtë armik, të cilat po jua lexoj, janë njësoj si tuajat.
Por edhe ato që ka thënë, ai i ka veshur me shumë teorizime e justifikime, me rrethana e faktorë, element që shfaqen “në raste të veçanta”, se gabimi që bëra “nuk është karakteristikë e përgjithshme tek unë…, është vetëm një rast”, etj. Këto janë të tëra thëniet e Mehmetit. Në autokritikë, Mehmeti teorizon, vërtitet rreth disa dukurive negative të karakterit të tij, premton se do të bëjë kthesë rrënjësore, por pse-të e vërteta nga rrodhi ky gabim, ose nuk përmenden fare, ose u shkohet atyre përciptazi, ose shtrohen shtrembër.
Arsye kryesore Mehmeti sjell “sentimentalizmin” dhe vetëm për këtë djalë, kurse, po të ishte fjala për dy djemtë e tjerë (që tashmë janë të martuar), si ashtu edhe për djemtë e vëllezërve (që fundi s’janë djemtë e Mehmet Shehut, kuadër me përgjegjësi të lartë partie e shtetërore), ose për dikë tjetër, ai deklaron se do të kishte refuzuar.
Nga sa e njohim të gjithë ne, Mehmeti nuk ka qenë sentimental në asnjë rast të jetës së tij. E kundërta është karakteristikë për të. Ai kurdoherë ka qenë dhe është i ashpër, me vend dhe pa vend, bile më shumë pa vend. Kjo karakteristikë nuk mund të puqet me butësinë, po të gjykohet nga ana formale. Por, po të flasim me gjuhën “filozofike”, siç na flet Mehmeti në autokritikë, këto puqen, gjë që të nxjerr në atë që ai nuk është i ekuilibruar në vijën e Partisë.
Asgjë pra nuk e shpjegon sentimentalizmin që pretendon Mehmeti, derisa, sikurse e pohon vetë, djali i tha se nuk prishej ndonjë punë edhe po të mos bëhej kjo fejesë. Është interesant të vihet në dukje se, kur djali i tij vajti t’i kërkonte të jatit vajzën për grua, ai i vuri pyetjen: “E di ti, djalë, biografinë tone”? Elementi armik pra e njeh vijën e Partisë sonë, kurse pjesëtarët e familjes së Mehmetit dhe ky vetë e harruan në këtë rast.
Ti, Mehmet dhe Fiqreti jashtë jeni të ashpër, por në familje jeni sentimental. Kështu nuk edukohen mirë fëmijët. Prandaj ata, dhe veçanërisht Skënderi me Bashkimin, po bëjnë gabime, politike dhe morale, që i dënon Partia. Siç duket, në familje ju u keni fërkuar krahët. Në vend që t’i përpunoni ju, ju përpunojnë ata. Fakt është gabimi politik që bëtë.
Edhe pasi u bë gabimi, Mehmeti me Fiqretin vazhduan ta trajtojnë djalin me një “sentimentalizëm” të çuditshëm. Për të mos e bërë çështje në publikun tonë dhe në rrethin ku studionte, ne nuk ndërhymë që ta ndalonin Skënderin të shkonte në Suedi (në vend që, si anëtar partie që ishte, të lante gabimin duke e dërguar diku në prodhim, për të vënë mend, siç bëjmë zakonisht me gjithë të tjerët). Po ç’ishte nevoja që Mehmeti t’i jepte djalit shoqëruesin e tij kryesor të Sigurimit për ta mbajtur me “gajret”, për ta “kselhasur”, siç themi në Gjirokastër?
Tani marrim vesh që për këtë “specialist”, që është duke u përgatitur jashtë, po bëhen shpenzime jashtë rregullave shtetërore. Jo vetëm merret e paguhen për të shtëpi më vete, i jepet shoqërues nga Sigurimi me gjithë gruan e tij, i vihet në dispozicion makinë me shofer, por ai, me paratë e shtetit, shteti jo vetëm brenda për brenda vendit, ku është dërguar të studiojë, por shkon për qejf nga Stokholmi në Paris, ose nga Stokholmi në Berlinin Perëndimor për të parë një ndeshje futbolli.
Nuk ka dijeni shoku Mehmet, për gjithë këto lëvizje dhe shpenzime që po i bën i biri? Këtë verë, Fiqreti dha urdhër t’i zihej me qira një shtëpi më vete nga shoqëruesi i tij. Si duket do t’i dërgonin atje edhe të fejuarën. Tani u morën masa nga ne, por disa shokë që merren me këto punë, nuk duhet të lëshojnë dorën, jo vetëm për fëmijët tanë, por as për ne. Asgjë të mos jepet jashtë ligjeve, rregullave e vendimeve që kemi marrë.
Kur mendon për këto lëshime, lind pyetja: Si është e mundur që Mehmeti, i cili flet aq shumë për kursime, që “mbante flamurin” kundër “qefleshve”, kundër “mustaqeve” në të rinjtë, kundër pantallonave, fustaneve e veshjeve të pahijshme të jetë kaq sentimental e të bëjë kaq shumë lëshime ndaj fëmijëve të tij?
Diku në autokritikë Mehmeti thotë se, “po ta zinte njeri nga cepi i palltos dhe t’i thosh: ku po shkon kështu, ai s’do ta bënte gabimin”. Kjo që thotë, nuk është as e drejtë, as përputhet me realitetin.
Së pari, se ai nuk vuri njeri në dijeni, çdo gjë u bë në vazo të mbyllur, në familje dhe shokët e muarrën vesh, kur çështja ishte bërë skandal në popull. Prandaj, Mehmet, nga ne asnjë s’mund të bësh fajtor.
Së dyti, se edhe kur të kanë ardhur shokë dhe të kanë vënë në dijeni për veprime të papëlqyera të kryera nga pjesëtarë të familjes tënde, ti i ke pritur me difidencë dhe me indiferencë, duke u thënë se: “nuk duhen ekzagjeruar gjërat”. Por unë mund të them se, ato që të kanë treguar shokët, jo vetëm që nuk ishin të ekzagjeruara, por, në të kundërtën, ata të kanë thënë pak. Pse ngjiste kjo me ty? Edhe këto me sentimentalizmin shpjegohen?
Në autokritikë Mehmeti shpreh një mendim të pakontrolluar, sipas të cilit “më vonë do të isha vetë në gjendje të shihja se kisha gabuar dhe gjithashtu vetë do ta ndreqja gabimin, edhe pa më sinjalizuar ndokush”. Ky mendim tregon gjithashtu se ai mbivlerëson veten, bile edhe kur bën gabime. Ai harron se një gabim politik ka shumë rrjedhime. Dhe kush i paguan poçet e thyera? Pa dyshim Partia.
Mehmetit unë i kam bërë shumë vërejtje për disa anë jo të mira të karakterit të vet, siç janë rrëmbimi, ashpërsia në marrëdhëniet me shokët dhe disa dobësi të tjera, që ai i përmend në autokritikë dhe ju i’a vutë në dukje në diskutimet tuaja. Edhe për gabimin e fundit i kam folur gjerë e gjatë e pa dorashka, por ky gabim e ka bërë krejt të domosdoshëm të vihen mirë pikat mbi “i”.
Mehmeti në autokritikë thotë se nuk e ka në natyrën e tij që një kuadri, që nuk e kryen punën mirë, t’i bëjë një kritikë të lehtë. “Ata që kam për t’ia thënë atij që kritikohet, i’a them të plotë”, vë në dukje ai. Kjo është e mirë. Dhe pikërisht edhe ne po i’a bëjmë sot këtu kritikat të plota dhe jo për një mungesë e dobësi në punë, por për një gabim të rëndë politik e ideologjik, që ai e sheh si diçka të rastit. Në parantezë dëshiroj të vë në dukje se të tjerët ai kërkon të kritikohet, kurse vetë vret veten, se nuk i duron dot kritikat e drejta të shokëve.
Megjithatë, për këtë që bëri, përsëri ne po veprojmë ndaj tij me takt, duke e shtruar këtë çështje vetëm në Byronë Politike e jo në Plenumin e Komitetit Qendror dhe në Parti, se nuk duam të lëkundim besimin e udhëheqjes e të Partisë te Mehmeti. Ai vrau veten, se do t’i kishte dëgjuar këto fjalë të miat, nuk pati trimërinë t’i dëgjonte, megjithëse hiqesh trim.
Akti që bëri nuk flet për trimëri tek ai. Por ne shkonim edhe me shpresë që ky medoemos duhet të bënte kthesë rrënjësore në mjaft anë të karakterit të tij, në disa anë të metodës së punës dhe sidomos në marrëdhëniet me shokët, qofshin këto kuadro të udhëheqjes, ose të niveleve të tjera, në Parti dhe në shtet.
Një nga burimet më kryesore të këtij gabimi dhe gabimeve të tjera të tij, që e kanë penguar të korrigjojë karakterin e vet, është mendjemadhësia, që Mehmeti e ka vënë në fund të listës dhe e ka paraqitur me kontorno teorike e me justifikime, duke na kujtuar Leninin për atë që ai ka quajtur: “mendjemadhësia komuniste”. Dhe “kjo lloj mendjemadhësie, thotë Mehmeti, shfaqet në raste të caktuara, sikurse u shfaq në fejesën e djalit”.
Prap, “rastësisht”, prap “vetëm”, për fejesën e djalit. Në qoftë se do të vishte kështu, atëhere ai fare mirë mund të thoshte: “Pse po e bëni kaq të madhe këtë gjë”?!
Jo, Mehmet, shfaqjet e mendjemadhësisë tek ti nuk janë raste të shkëputura, as vetëm “ndërhyrjet”, e shpeshta në mbledhjet e qeverisë, siç thua në autokritikë (shokët diskutuan këtu se si bëhen këto ndërhyrje fare pa takt nga ana jote, gjë që tek të tjerët, krijon frikë për të folur dhe për të parashtruar mendimet). Mospërfillja e mosrespektimi i shokëve, prepotenca dhe arrogance, janë tipare të një mendjemadhësie të tepruar.
Mehmeti vazhdimisht është nervoz, i acaruar, i shqetësuar. Kurdoherë bëj pyetje: pse? Si nuk e korrigjoi dot ai këtë natyrë të tij? Mos vallë janë hallet e punës që e bëjnë të tillë? Por për këto halle shqetësohemi të gjithë ne dhe jo më pak, në mos bile ca më shumë se ai. Këtë gjendje shpirtërore vetëm ai mund ta shpjegojë, por nuk bën përpjekje as të shpjegojë dhe as të korrigjojë!
“Temperament i rrëmbyer” dhe “subjektivizmi” tek ty nuk janë të rastit, siç thua, por janë shumë më të thellë, që duhet t’i analizosh drejt në jetën dhe në punën tënde, që të mund t’i zhdukësh, pse një udhëheqësi në një rast, nuk i lejohet të shkel vijën e Partisë.
Në autokritikën e tij, Mehmeti thotë: “…veti e karakterit tim është shpejtësia në marrjen e vendimit” dhe na bën historikun për gjatë Luftës dhe teorinë e rëndësisë që ka kjo. Kjo është e drejtë. Por rëndësi të madhe më shumë ka ekuilibri në marrjen e vendimeve, veçanërisht, politike, ideologjike, organizative, ekonomike, ushtarake, etj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016