Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N. Biçaku
Pjesa e njëzet e tetë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Dervishi më i besuar i Babait, qëndron në derë të Teqesë dhe na pret: një zotëri sy vëngërosh, i cili flet një frëngjishte çalamane dhe çallma e të cilit qëndron, si një tortë e madhe akulloreje, mbi ata flokët e zi. Ndryshe, rrobat e tij janë të trasha, çorapë të bardhë leshi pa këpucë, një fanelle të trashë të bardhë lesh deleje dhe po ashtu, një fund të bardhë. Rreth barkut ai ka lidhur një brez të bukur, aty ka vu kristalin e bektashiut dhe sende të tjera të shenjta, të pa kuptueshme. Ky dervishi besnik, është shumë i sjellshëm. Ai na çon neve në bahçen e Teqesë, na prezanton me dervishët e tjerë, të moshuar dhe të rinj, në çdo dy dhe na dëften me një gjest dinjitoz, rrugën lart për tek Baba Selimi, i cili banon në katin e dytë të ndërtesës.
Neve hyjmë lart në një paradhomë të vogël, pa dekoracione në ato muret e quajtura të bardha. Nga një shenjë e Delvino Beut, neve heqim këpucët dhe kur qëndrojmë aty të gjithë së bashku në këmbë me çorape, ciceroni ynë troket tri herë në derën prej lisi, shumë mirë të mbyllur të Shenjtërisë së Tij. Atëherë hapet dera ngadalë dhe neve hymë brenda. Dhoma e Shenjtërisë së Tij, është e gjatë dhe e madhe, gati si një sallë. Përgjatë mureve, shtrihen dyshekë uljeje të gjatë, me bojëra të verdha dhe të kuqe. Asnjë karrige. E vetmja gjë që më kujton Evropën, është një sahat i nderuar qyqeje, që lëshon tiktaket e tij monotone prej njërit nga muret.
Në pjesën e matanshme të dhomës, ndodhet Shenjtëria e Tij, vetë.
Ah, sa vështirë është të gjesh fjalë adekuate, për atë përshtypje, që bënë shef dervishi! Është si impresionuese ashtu edhe magjepsëse. Ndoshta do të ishte më e drejtë të thoshe, se ai duket mbretëror, si një Mbret i përrallave të orientit. Ai ka një trup të drejtë dhe një hedhje krenare, adhuruese të kokës. Ajo mjekra e bardhë e argjend, është aq e gjatë, sa derdhet mbi brez. Ajo çallma e lartë e bardhë, është mbështjellur me një shirit jeshil. Mbi shpatullat bart një pelerinë ngjyrë myshku jeshil, ‘a´lla Napoleon’.
Shenjtëria e Tij ngre dorën, si një shenjë urate, që ne të vijmë më afër. Me zonjën time përpara, ecim ngadalë në një radhë të gjatë nëpër dhomën.
Kur i vjen shumë afër këtij burri të shenjtë, përshtypja mbretërore thyhet, në atë piktoreske. Sytë e zi të mëdhenj, të japin përshtypjen e një çuni kureshtar. Unë kam një ndjenjë se në fakt s´jemi ne, që kemi ardhë të shohim këtë eremitin e çuditshëm, por është ai, që mendon të kalojë një çast të gëzuar, në kurriz të këtyre perëndimorëve kureshtar. Ai zgjat dorën për të përshëndet. (që unë nuk mundem ta puth edhe pse unë e di që e përmban etiketa).
Unë kurrë nuk do ta harrojë këtë dorë!
Ky Babai i devotshëm, nuk ka dalë ndonjëherë direkt në diell, për dyzet e pesë vjet dhe kjo gjendje zbulohet saktësisht, si në fytyrën e tij ashtu edhe në duart. Faqet i ka të njoma dhe qumësht të bardha, duart kanë po të njëjtën ngjyrë. Kjo s´është dora e një gjashtëdhjetë vjeçari, që unë mbaj në timen. Kjo është e një vajze dymbëdhjetë vjeçare: e hollë, e butë, dorë shkumës e bardhë, e cila shkakton një çudi dhe jo vetëm një ndjenjë sensacioni dhe kënaqësie. Kontrasti ndërmjet valëve të mjekrës së argjend dhe dorës së vajzës kadife të butë, është mahnitëse.
Neve ulemi në shiltet dhe Delvino Beu, shërben si përkthyes gjatë bashkëbisedimit. Me zë të qetë dhe të qartë, i zoti i shtëpisë kërkon informacion, mbi përshtypjet tona nga Shqipëria dhe ndërsa ne murmurisim diçka për këtë, se në të vërtetë është një vend i habitshëm, në të cilin Shenjtëria e Tij jeton, ai i pëshpërit ca fjalën në vesh, adjutantit të vet vëngërosh. Ai del menjëherë nga dhoma, mbrapsht, se ashtu është etika dhe vjen pas një çasti, me një buqetë lulesh të porsa këputura, të cilat i’a dorëzon zonjës sime, ndërkohë Shenjtëria e Tij, përpiqet me çdo kusht që të kapë paraqitjen e fytyrës së saj, për të parë se çfarë përshtypje do ti bëjë ky kompliment, kësaj gruas nordike. Disa fjalë dashamirësie për falënderim, do të shkojnë valë valë, në mjekrën e gjatë, nga kënaqësia.
Pasi shijuam disa copa llokumi, ëmbëlsira prodhim shtëpie, jemi gati për drekën. Po ta kishim ditur ekzakt, në këtë moment se çfarë do të ndodhte, atëherë me kohë do të kishim marrë disa masa mbrojtëse. Akoma gjithë kohën, zgjohem gjatë netëve dhe me ballin e njomur me djersë të ftohta, nga mendimi për gostinë e dervishëve të Teqesë, në Gjirokastër. Por tani një herë e përgjithmonë është rregulluar këtu në botë, që njeriu s´di asgjë se çfarë e pret. Pra qenë shikime me plot padurim, që ne ndiqnim përgatitjet për festën.
Një pllakë tunxhi e madhe, e rrumbullakët, vihet mbi një këmbalec të vogël prej druri, në një lartësi prej dy decimetrash mbi dysheme. Kjo është tavolina e bukës. Shenjtëria e Tij, ulet këmbë kryq, pranë sofrës së pllakës prej tunxhit dhe ne të tjerët ndjekim shembullin, deri sa ulemi, në një rreth dhe shikojmë njëri tjetrin. Gjatë një kujdesie shumë të madhe, adjutanti merr një këllëf të vogël meshini nga muri dhe kur e hap, përmban edhe një këllëf tjetër dhe më pas edhe një.
Në këllëfin e fundit fare, ndodhet një shuk lecke dhe në të, një lugë briri, që me një përkulje të thellë, i’a dorëzon Babait. Përpara zonjës sime dhe meje vihen lugë hekuri, si një akt respekti dhe si nderimi, për uljen pranë tryezës, të dy barbarëve të vendit perëndimor, dy pjata metalike, krejt natyrale, të cilat më kujtuan ata legenët larës, gjatë piknikut të beharit në Stokholm. Përveç saj, unë besoj se ato ishin legenë larje.
Kështu hapet dera atje përtej dhe një dervish, ecën përpara t’ue mbajt ekuilibrin, për te sofra dhe lart mbi kokë, bart gjellën e parë. Me një buzëqeshje inkurajuese e venë kusinë, në mesin e rrethit tonë. Ndoshta duhet një grim inkurajimi. Gjella e parë, është fshehur në një kusi të madhe dhe prej thellësisë së errët, ngrihen avujt më të çuditshëm. Një shenjë të përzemërt me kokë prej Babait dhe katër lugë hekuri dhe një prej briri, zhyten brenda në gjellën në kusi dhe çohen me nxitim, në pesë goja.
Ne hezitojmë një moment, zonja ime dhe unë, por veç një moment, pastaj i zhysim edhe neve lugët tona, në zierjen magjistare dhe mundohemi me forcë, të ndalojmë një palë shpërthime kolle, të vrullshme. Shenjtëria e Tij, bënë një pyetje dashamirëse, nëse çorba është e nxehtë. Ah, sikur ajo të ishte veçse shumë e nxehtë!
E ngrëna vazhdon.
Pas çorbës, vjen gjella e parë e mishit: qengj i tërë i zier ‘ál ´Albanie’. Ai është ngritur si kapuç, në një tepsi dhe aty s´mungon, asgjë. Poshtë, ai kuzhinieri me përvojë, ka vën këmbët dhe thundrat, si një far mbështetje për të tjerat. Mbi këmbët, ngrihet një piramidë makabër, prej copa mishi rrëmujë. Në majë të piramidës, është koka e qengjit, nga i cili, ata sytë e plasur, shikojnë me një melankoli nga ne, që tejkalohen vetëm nga sytë tonë.
I zoti i gostisë shkëlqen nga kënaqësia dhe nuk tërheq asnjë far vëmendje, në ato fije të gjëra supe, që kanë bërë rrugë në dredhat e mjekrës, ngjyrë argjendi. Ai e ve poshtë lugën e bririt dhe kap me dorë mishin e qengjit. Për çfarë duhen edhe shpikjet mekanike, kur Allahu i ka dhënë njeriut, instrumente të natyrshme kapjeje?
Ne ndjekim shembullin e lartë dhe shkyjmë, tërheqim në copat e mishit, për t’i copëtuar në dimensione të përshtatshme, për gojën. Kjo është një garë tërheqjeje e tensionuar. Por megjithëse neve përdorim të gjithë forcën e mundshëm të muskujve, Shenjtëria e Tij, nuk duket plotësisht i kënaqur, me rendimentet tona, të paktën, jo me të zonjës sime. Me duart me yndyrë, ai shkëput një copë lapër mishi dhe e venë në legenin e sajë. Baba Selimi, vlerëson shumë, që miqtë e tij të ndihen të kënaqur! Përkthen Delvino Beu, me një buzëqeshje ndjese.
Pas qengjit vjen edhe një gjellë mishi e dyshimtë dhe më pas edhe tri gjellë, prap me mish. Tani kemi ardh tek desertet: sektori i parë, përbëhet prej gjashtë varianteve të ndryshme, të një farë kremi, unë ndiej ende shijen në gojë dhe ai tjetri, përmblidhte katër pluhur gri, pelte, që të duken se vuajnë, nga dridhje nervore të pa kontrolluara. Kur ne kemi arrit kaq gjatë, kam djersë në ballë dhe pothuaj s´guxoj, të hedh një sy nga zonja ime, e cila e zbehtë dhe gati për të qarë, prek me çudi në legenin e sajë. E lemë këtë, se vëmendja ime tërhiqet nga një anë tjetër: kërcet dera dhe një fytyrë e këndshme si e plakut të Vitit Ri, shikon brenda prej siparit të derës. Është kuzhinieri i Teqesë, që do të kënaqet nga triumfi i artit të të gatuarit të tij.
Por edhe provat më të vështira, kanë një mbarim dhe dalë nga dalë, kemi mbaruar me pesëmbëdhjetë finesat e kuzhinës shqiptare. Një dervish nxiton përpara me një gjym uji dhe një legen dhe u shpërlanë duart miqve me radhë dhe rregull. Grupi ngrihet prej sofrës bukës, të gjithë përveç zonjës sime dhe unë. Ne nuk mundëm me u ngrit. Të rrish ulur në mënyrë orientale, me këmbët të kthyera nën trup, është një art, i cili mund të përvetësohet nëpërmjet stërvitjeje të gjatë disa vjeçare. Këmbët tona të shkreta, dhëmbin sikur të ishin prekur befas nga një reumatizëm i keq.
Natyrisht është e vështirë, të përmbash dinjitetin, nën kësi rrethanash dhe neve pothuaj s´kemi ndonjë arsye, për t’u çuditur mbi këtë atmosferën e gëzueshme, që përhapet në dhomë: Shenjtëria e Tij, buzëqesh, zotërinjtë e Gjirokastrës buzëqeshin, kuzhinieri i tyrbes buzëqesh. Por unë do dëshiroja të shoh Shenjtërinë e Tij, që të provojë të ulet në shpikjen e Perëndimit e cila quhet, karrige! Ka të ngjarë se ai do të rrëzohej në dysheme dhe do goditej për vdekje.
Pra, kur shërbehet kafja, mërzitjet janë harruar. Kafen më të mirë e pi në Shqipëri dhe kafen më të mirë të Shqipërisë, e ke kur të fton, Baba Selimi. Ajo është aq e rafinuar në aromën e saj, ka shumë mirë proporcione të matura, midis sheqerit dhe kafes, që unë jam gati t’i fal katërmbëdhjetë, nga ato pesëmbëdhjetë gjellët. Po Zoti e di, nëse unë do të falja edhe kokën e qengjit, me atë vështrimin pikëllues! Kuzhinieri i Teqesë, ka fituar një copë të mirë, nga prestigji i tij plotësisht i humbur.
Shenjtëria e Tij, është kthyer prapë në qoshen e vet dhe adjutanti me dorë të stërvitur, i rregullon pelerinën mbi shpatulla. Tani, kur ai është i porsa larë dhe zbukuruar, i kanë krehur mjekrën, lëshon prapë një përshtypje madhështore. Bashkëbiseda jonë fillon rishtas.
-Shenjtëria e Tij, ka dëshirë të dëgjojë diçka për pozitën e religjionit muhamedan, në vendet nordike, përkthen Delvino Beu, me një buzëqeshje zbavitëse.
-Fatkeqësisht, Shenjtëri e Juaj, përgjigjem unë, kështu unë detyrohem të lajmëroj, që ushtria e besimtarëve të vërtetë nordik, gati s´kanë mund të rekrutojnë ndonjë muhamedan gjatë këtyre vjetëve të fundit. Të paktën, në Suedi jo, shtoj unë që fjalët e mia, të mos duken aq shumë brutale.
Atëherë ngjan diçka mjaft e çuditshme. Baba Selimi, shpërthen në një qeshje të çlirrtë dhe i thotë Delvino Beut, disa fjalë me nxitim, i cili merr një pamje fytyre shqetësuese.
-Hëm, kruan zërin Delvino Beu. Shenjtëria e Tij, shpreh çudinë mbi atë që a ka në përgjithësi, ndonjë muhamedan në Suedi. Ai deri tani ka besuar, që Sarajeva në Jugosllavi, ishte posta e fundit e Evropës, më në veri e Muhamedit, me përjashtimin e rrallë të ndonjë xhamie, në qytetet e mëdha të botës.
Çfarë mundesh me u përgjigj për këtë? Të dy si unë dhe Delvino Beu, duket se sigurisht e kemi nënvleftësuar nivelin arsimorë, të këtij eremitit të vjetër. Një heshtje sikleti përhapet në dhomë.
Baba Selimi, është me të vërtetë një burrë shumë i kujdesshëm, i cili shpejton të heqë atë pështjellimin e atmosferës. Ai i lutet adjutantit të tij, të sjellë disa libra dhe pas disa minutash ç´fletojë në disa dorëshkrime të mrekullueshme, të lidhur në pergamenë në gjuhën arabishte. Ato janë të bëra jashtëzakonisht me shumë kujdes. Është një dorë e sigurt dhe e dashur, që i ka shtypur këto faqe të shkruara kaq dendur dhe është një talent artistik, i cili pasqyrohet në cepat e letrës dhe kuptohet nga shiritat e bukura të luleve.
-Këto janë veprat e mia, sqaron Shenjtëria e Tij. Unë vetë i kam shkruar mendimet e mia. Ai volum, që ju keni në dorë, përmban poezi. Ai tjetri merret kryesisht me probleme astronomike.
-Shenjtëria e Juaj, pyes unë, si mundet njeriu të jetë astronom, pa studiuar qiellin yjor?
-Një astronom modern, pothuajse s´ka nevojë të shohë yje. Ai vetëm llogarit. Pra, aq larg ende nuk kam arritur. Por mbrëmjeve mundem të shoh një copë qiell yjesh, nëpërmjet dritares sime.
Pastaj marrim lamtumirë nga burri i shenjtë i Gjirokastrës. Ne përkulemi thellë, kalojmë ceremoninë e puthjes së dorës dhe largohemi mbrapsht drejt derës, duke menduar se Baba Selimi, sidoqoftë është dikush shumë më i rëndësishëm, se sa një eksponent i religjionit fanatik të orientit. Një personalitet, burri me mantelin e jeshilët, atje matanë. Kur unë lëshojë sytë për herë të fundit, në atë figurën e drejtë, me çallmën e lartë dervishi, i përshpëris Delvino Beut: -Ju duhet të më falni kureshtjen time perëndimore.
Po s´doni ju t´i drejtoni edhe një pyetje, Shenjtërisë së Tij? Pyete atë se çfarë motivi ka, që e mbanë atë të burgosur, këtu brenda, dekadë pas dekade, pse s´del kurrë jashtë, për të parë popullin e tij dhe vendin e tij? Ndoshta s´është ndonjë pyetje kushedi se çfarë, por…!
-Unë do të flas me të, më thotë shkurt Delvino Beu. Ai shkon përsëri përballë tek Selim Baba, ndërkohë neve të tjerët, mbathim këpucët në paradhomë dhe zbresim poshtë në oborr. Dervishët janë mbledhur për të na thënë udhë e mbarë. Bëhen fotografi dhe shtrëngim duarsh dhe fjalë të përzemërta largimi, nga të cilat neve s´kuptojmë asgjë. Kur jemi ulur përsëri në automobil, vjen Delvino Beu me vrap.
-Po, çfarë përgjigje dha ai?
-Unë i drejtova atij të njëjtat fjalë, sikur ju vetë përdorët. Unë përfundova duke i thënë direkt pa ndrojtje: Pse nuk dilni kurrë jashtë? E dini ju si u përgjigj ai: Unë tashmë kam qenë jashtë një herë! Kjo qe ç’ka tha ai.
-E shihni, shton Delvino Beu pas një çasti, ai nuk donte të hynte më thellë në atë çështje. Ai e largoi atë me një shaka. Filozofia e tij e jetës, është fort e rëndësishme, që ai ta diskutonte atë me të huajë.
Kështu ne shpejtojmë për Gjirokastër dhe kur dallojmë atë qytetin e vogël, në shpatin e rrethuar me dëborë, më jep Delvino Beu një informatë, e cila qe e fundit që dëgjova për Baba Selimin:
-E patë ju atë shkopin gjysmë metro, me atë patericën e gjerë, që ndodhej afër në të majtë të derës? Kur ai fle, rri ulur ekzakt, sikurse ju tani e patë ulur, përveç se me një ndryshim, që ai mbështet krahët dhe kokën mbi patericën. Edhe shkopi është një pjesë e filozofisë së tij. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016