Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU ENVER HOXHA: Dëgjo, Mehmet, kjo punë nuk ka të bëjë me armikun.
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, jo, unë nuk kam thënë kështu, unë kam thënë: shikoni se mos se mos ka këtu gjë që na kontrollon, pse të më prishen telefonat?!
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse nuk e kanë thënë këtë edhe shokët e tjerë? Këtu prapë mund të nxjerrim megalomaninë tënde, që armiku nuk i ka vetëm te ty, vetëm telefonat e tua prishen, domethënë vetëm ti je shënjestra e vetme e armikut! Pse ta vësh çështjen kështu? Po në qoftë se prishet telefoni yt, prishet edhe ai i Adilit, prishet i tjetrit, e kështu me radhë.
SHOKU MEHMET SHEHU: Në fakt i kanë gjetur të prishura.
SHOKU KADRI HAZBIU: Fakt, fakt, po na është prishur edhe neve shoku Mehmet. Shpesh herë juve nuk ju është prishur hiç telefoni, se po mbajmë Byronë Politike këtu me këtë çështje, po kini vënë dorezën keq.
Mua më ka ardhur e më ka thënë specialist, shiko se dorezën e telefonit nuk e ke vendosur drejt. Ja pra kështu duhet t’i shikojmë këto gjëra. Çështja është këtu, të mendosh drejt se gjërat kanë lidhje, nuk ka rëndësi ajo si më tha mua e çfarë toni përdore, rëndësi ka përmbajtja e çështjes.
Në qoftë se është fjala që kjo ndihmë ju ka munguar në rastet e tjera, e kam gjithnjë fjalën te ndihma që ngrini në autokritikë, çështja, shoku Mehmet, duhet gjykuar kryesisht në dy aspekte, më duket mua.
Së pari, përgjegjësinë e plotë e mban vetë ai që bën gabimin, sepse ideologjia, vija, normat e Partisë janë një, atëhere ti pse t’i shkelësh? Prandaj s’ka ortakëri, këtu se duhej të më kishin ndihmuar edhe shokët.
Së dyti, ndihma për njëri-tjetrin në punë për zbatimin e vijës së Partisë është një kusht që ne e kemi plotësuar dhe vazhdimisht e plotësojmë reciprokisht, pavarësisht, nga të metat. Por e mira nuk ka fund, e prandaj na duhet ta shohim me sy kritik qëndrimin në këtë çështje, kurse është e drejtë të thuhet se, ka rëndësi vendimtare këtu, se është predispozicioni për ta njohur këtë ndihmë dhe për të përfituar prej saj. Në këtë vështrim, ndihma e parë konkrete jepet dhe nga ne është dhënë, shoku Mehmet, me qëndrimin tonë relativisht korrekt, që nuk është i njëjtë me atë tuajin për mjaft gjëra. Pse nuk përfitoni nga kjo?
Marr një shembull. Cilin nga fëmijët tanë keni parë ju me motoskaf në dispozicion, shoku Mehmet? Cilin keni parë nga ne, anëtarët e Byrosë Politike, në plazh që të lundrojnë me motoskaf, kur fëmijët e nuset e fëmijëve tuaj, bridhnin me të tilla mjete?! Kam të drejtë ta shtroj kështu problemin? Të gjykojmë drejt, t’i vëmë drejt problemet?
Kë kini parë nga fëmijët tanë që të ndërrojnë itenerarët si t’u dojë qefi kur kanë dalë jashtë shtetit, që edhe ju vetë ndoshta ua kini hartuar këtë itinerar dhe ua keni miratuar? Prandaj të jemi më të vëmendshëm dhe kur të pretendojmë ndaj shembullit pozitiv, ndaj ndihmës e mendimit që jep shoku.
Veç kësaj, qëndrimi unik i Partisë në zbatimin e vijës dhe të normave, është ndihma më e madh kolosale në vazhdimësi, për ne komunistët. E dini këtë ju? Po lind pyetje: A e bëni të rregullt jetën e Partisë ju, shoku Mehmet? Shikoni dhe reflektoni vetë. Edhe organizata-bazë ku bën pjesë shoku Mehmet, duhet të mendojë e ta shikojë me kujdes këtë çështje.
E në fund për sa di unë nga shoku Enver dhe shokët të tjerë, ju është dhënë kjo ndihmë herëpashershme, por, me sa duket, përfitimi prej saj nga ana juaj, nuk ka qenë ajo që duhet, prandaj duhet tjetër kuptim e tjetër qëndrim edhe në këtë çështje nga ana juaj, shoku Mehmet.
Me gjithë këto edhe ne vlen të reflektojmë për ta bërë këtë punë më mirë në të ardhmen edhe ndaj vetë shokut Mehmet, edhe ndaj njëri – tjetrit në mbrojtje dhe në interes të vijës së Partisë.
Duke gjykuar në tërësi gabimin e shokut Mehmet, nga ky këndvështrim që thashë, mendoj se përgjegjësia e tij është e rëndë dhe detyra e madhe, këtej e mbrapa. Përsa i përket së pares, mendoj se shoku Mehmet, të ndëshkohet me vërejtje sipas Statusit të Partisë, me shënim në Kartën e Regjistrimit, po më duket se nuk ka vërejtje të rëndë.
Në rast se ka në Statut vërejtje të rëndë, ashtu të bëhet. Kurse për të dytën mendoj se kjo ndihmë e Byrosë Politike, dhe ndihma që do t’i jepet më vonë nga Partia, duhet t’i vlejë shokut Mehmet, për të bërë kthesë si në kuptimin e çështjeve, edhe në jetën e veprimtarinë e tij si komunist. Këtë punë që po bëjmë ne, e bëjmë në pozita partishmërie.
Nga këto pozita, duhet ta merrni edhe ju se kam përshtypjen, më falni se po zgjatem, se nuk po e merrni kështu, shoku Mehmet. Fakti që këtu në Byronë Politike ju, po bëni replika, jo është kështu, jo është ashtu, dëshmon se ju keni marrë një këndvështrim të caktuar dhe mesa duket këto, janë rikosheta ndaj vërejtjeve, preokupimeve, dhe mendimeve, të shokëve të Byrosë Politike.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Edhe unë, e lexova autokritikën e shokut Mehmet, lidhur me gabimin e rëndë politik që ka bërë, e që ka të bëjë me shkeljen e vijës së Partisë për luftën e klasave. Edhe për mendimin tim, autokritika e tij nuk është aspak e plotë, nuk është e thellë, dhe më la përshtypjen sikur bëri më tepër një kronologji të ngjarjes, sesa një reflektim të thellë mbi shkaqet e vërteta që e shtynë shokun Mehmet, të bënte këtë gabim politik të rëndë.
Për cilindo komunist, sado i thjeshtë që të jetë, po aq më tepër dhe për ne, është e qartë se me këtë gabim të rëndë të tij ai, ka dëmtuar rëndë vijën e Partisë, duke vepruar në kundërshtim me normat e saj, të cilat për të gjithë jo vetëm janë të qarta, por në jetë kanë vërtetuar drejtësinë e tyre të madhe, ai ka dhënë shembull shumë të keq në zhvillimin e luftës së klasave.
Duke lexuar autokritikën e tij, del më shumë sikur ky gabim ishte më tepër një rastësi, të cilën ai nuk mundi ta kapte. Dhe që e ndreqi kur ndërhyri Partia, kur e thirri shoku Enver dhe i tha që kjo nuk duhet bërë. Pra me të drejtë, dhe për të mbrojtur vijën e Partisë, e detyroi që të mos bëhej një krushqi e tillë.
Kjo nuk ishte një rastësi, nuk ishte as produkt i sentimentalizmit, siç na paraqitet, por vetëm një veprim oportunist, liberal, dhe i bërë me dije, në kundërshtim të plotë me vijën e Partisë, për luftën e klasave. Vetë shoku Mehmet, thotë që unë u shtanga, u ndodha në një rrugë pa krye, pashë që ishte diçka që s’duhej bërë, dhe kështu është gjithçka e kuptueshme ndryshe shtangia. S’kishte se pse të vinte, po të ishte veprim që s’duhej bërë.
Edhe mua autokritika e tij, më la përshtypjen që i’u la dhe shokëve të tjerë, që shoku Mehmet merr në mbrojtje djalin, sidomos Fiqretin. Shoqja Fiqret, ka një përgjegjësi shumë të rëndë si anëtare e Byrosë Politike, dhe e Komitetit Qendror, madje neve në kurset që zhvillojmë atje, na ka dhënë leksione për këto çështje.
Gabimi i shokut Mehmet, e ka dëmtuar Partinë sepse opinioni e mori vesh atë, diskutoi me të drejtë, dhe foli jo mirë për këtë akt. Qëndrimet tona kudo, në punë e në jetë, në zyrë e në familje, duhen kurdoherë që të jenë qëndrime të partishme. Jashtë këtyre, çdo qëndrim tjetër në kundërshtim me të, bie në kundërshtim të hapët me vijën e Partisë.
Pikërisht për këtë ai, nuk duhet ta kishte fejuar djalin, me një vajzë të tilla ku nga familja e së cilës ka 4 vetë të arratisur, me qëndrim e prejardhje të keqe politike. Direktivat e Partisë, për këto çështje, kanë qenë dhe janë të qarta dhe vetëm ata që ecin kundra tyre, mund t’i lejonin vetes një aprovim apo miratim të tillë.
Në këtë autokritikë shoku Mehmet, rreshton disa shkaqe dhe arsye që nuk janë të thelluara, jo bindëse, siç thanë shokët. Ai gabimin e tij e lidh me sentimentalizmin borgjez, si dhe me mendjemadhësinë. Por edhe sentimentalizmin Partia, e ka shpjeguar drejt, si duhet kuptuar e si duhet zbatuar. Asnjëherë Partia nuk ka thënë që sentimentalizmi, të vihet mbi interesat e saj. Ndërsa shoku Mehmet vuri sentimentalizmin e tij të sëmurë mbi interesat e Partisë.
Madje e vuri, edhe pasi u kritikua nga Partia për këtë çështje, sepse në vend që ta kthente djalin menjëherë, e la që të vazhdonte studimet jashtë shtetit. Mua më tha, që mbasi më thirri shoku Enver, e më kritikoi për rastin që do ta shpjegoj, e që menjëherë më tha të jap urdhër, e unë dhashë urdhër, që të kthehet djali. Shumë mirë bëtë për këtë çështje, por ka një muaj e ca kjo bisedë, d.m.th., edhe këto dy muaj po vazhdon sentimentalizmi me të. Po ta kishte zbatuar që në fillim këtë masë, kjo do të tregonte një kuptim një thellë të çështjes nga ana e tij.
Kështu është çështja dhe përsa i përket mendjemadhësisë. Është e vërtetë që mendjemadhësia e shokut Mehmet, është shkaku i vërtetë i gabimit të tij. Por ai, nuk analizon se ku i ka rrënjët mendjemadhësia. Në radhë të pare, për shkak të mitit të pagabueshmërisë që është krijuar tek shoku Mehmet, ajo lind për shkak të mbivlerësimit të vetë vetes dhe mos vlerësimit të të tjerëve.
Lind gjithashtu dhe për shkak të mosdëgjimit të mendimit të të tjerëve, edhe këtë e ka pasur dhe e ka shoku Mehmet. Ajo e ka bazën dhe tek mbivlerësimi i sukseseve dhe atribuimi i tyre rreth vetes, në radhë të parë. Sigurisht që ne, do ti vlerësojmë sukseset, por mbivlerësimi i tyre dhe sidomos përvetësimi tek vetja, krijon dhe nxit më tepër, mendjemadhësinë.
Jo vetëm për rastin konkret të fejesës së djalit të tij, me një vajzë me përbërje të keqe politike, tregon mendjemadhësi, sepse shoku Mehmet nuk pyeti njeri, megjithëse siç thotë u gjend në mes të rrugës, por edhe në punën e tij ai ka shfaqur fodullëk. Unë jam dakord me vërejtjet e shokëve, dhe do të flas më poshtë për përgjegjësinë time. Shoku Mehmet, është shumë i rrëmbyer tek vetja, dhe hiqet sikur i di mirë të gjitha çështjet.
Që ka aftësi shoku Mehmet, kjo nuk diskutohet, dhe që i njeh shumë mirë çështjet, Partia ja ka njohur ato. Por të hiqesh sikur i di të gjitha çështjet deri në hollësira, nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse një mendjemadhësi dhe vlerësim i vetë vetes.
Unë jam dakord që shpeshherë ndërhyn në bisedimet dhe diskutimet e ndryshme mes shokëve, dhe që ju jep mundësi kuadrove për shkëmbim të lirë mendimi, në një atmosferë të ngrohtë. Është e drejtë ajo që tha shoku Manush, që edhe ne kemi përgjegjësinë tonë, në radhë të parë unë. Shpeshherë dhe me ne kur bisedojmë lirisht, nuk është se na e pret fjalën, por sa fillojmë ne që të flasim, ai na e merr fjalën dhe vazhdon duke folur, pa na lënë mundësinë që të na e dëgjojë mendimin.
Sigurisht dhe ai, do të flasë se do të japë mendime, por ti dëgjojë dhe të tjerët me gjakftohtësi dhe më me kujdes, që njëkohësisht edhe të marrë se ne, nuk jemi vetëm për të dhënë siç na mëson Partia. Kuadrot ka thënë Stalini, duhet të japin sigurisht por edhe të marrin. Këtë të metë e ka të theksuar shoku Mehmet. Disa herë shfaqje të tilla ai i ka manifestuar në Këshillin e Ministrave apo në Kryesi, ndonjëherë edhe në formë të rëndë, deri dhe në ofeza.
Në disa raste, mbasi ka parë që ka bërë gabim, në ndonjë rast dhe me ndonjë mendim apo ndërhyrje o sinjalizim tonin, në moment ose përjashta, është kthyer dhe ka bërë autokritikë. Por e keqja nuk është këtu. Mirë ja që bëri autokritikë, kjo tregon se s’është më fjala për raste të veçuara, por për rrugë, për vijë tek ai, kjo hyn në metodën e përditshme të punës së tij. Autokritika ka rëndësi kur nuk përsëritet. Recidiviteti nuk është asnjëherë i mirë, përkundrazi është i dëmshëm, bile i rrezikshëm.
Jo vetëm kaq, por për autoritetin e tij si anëtar i Byrosë Politike, për funksionin që ka në Kryesinë e Këshillit të Ministrave dhe në mbledhjet e Qeverisë, t’i thuash në një moment atij tjetrit: antiparti, vepron në rrugë antiparti etj., dhe pastaj pas një minute, t’i thuash atij “më fal se bëra gabim”, nuk bie mirë në sy dhe në fakt në rastin konkret, përshtypjen nuk e lënë hiç të mirë.
Unë me këtë rast ndjej dhe përgjegjësinë time më të madhe se të shokëve të tjerë, sepse shumë nga këto gabime e qëndrime jo të drejta, duhet t’ia kisha thënë hapur, për ta ndihmuar. Këtë nuk e kam bërë sa duhet. Disa vërejtje ia kam bërë. Në një rast që edhe mua më ka kritikuar shumë rëndë, është sjellë jo korrekt. Çështja ka qenë lidhur me marrëdhëniet tona tregtare me Çekosllovakinë, me saldo. Unë i thosha se është kështu, ai ngulte këmbë se është ashtu, sa më ka folur me arrogancë. Unë ia kam bërë këtë vërejtje dhe më në fund, ka pranuar dhe ka kërkuar të falur “se u tregova i nxituar, u tregova i ashpër”, e njërën dhe tjetrën.
Po s’është puna atje, çështja është se u bë gabim, domethënë e keqja u tha. Sidoqoftë unë s’e kam kryer plotësisht detyrën që t’a kritikoja shumë nga këto raste edhe në mbledhjen e Qeverisë. E kam çështjen për përgjegjësinë time në këtë rast, po dhe veçanërisht, se unë i kam pasur kontakte më të shpeshta me të dhe duhet t’ia kisha vënë në dukje, ta kisha ndihmuar. Kjo për mua është një mësim, një autokritikë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016