Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e njëzet e dy
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
GJARPËRUSHJA DREDHON DREJT VERIUT
Ky vend ka pasur shumë kryeqytete. Kryeqyteti i Shqipërisë së re quhet Tirana, por më përpara kanë mundur të mburren të dyja, si Durrësi dhe Vlora, me nderin dhe dinjitetin e kryeqytetit. Gjatë katërqind vjetëve të sundimit turk, ishte Shkodra si qendër administrative dhe guvernatorët me anë të kërcënimeve të tmerrshme dhe premtimeve të bukura, përpiqeshin t’i mbanin të ndrydhur, liridashësit shqiptarë.
Gjatë viteve 1400, ishte Kruja, qyteti i famshëm i Skënderbeut, qendra e vendit. Krujë, do të thotë burim në shqip. Është një emër shumë i denjë, sepse pikërisht në Krujë, ku damari i madh i dashurisë për liri, shpërtheu hapur.
Këtu u priu luftëtari me helmetën e cjapit, grupeve të vogla por ngadhënjyese dhe përpunonte manifestet e flakta të tij. Veç më 1478-ën, ra qyteti në duar të Sulltanit dhe atëherë u kishte kushtuar turqve, gati po aq vuajtje dhe gjak sa të gjitha pushtimet evropiane së bashku. Guvernatori i parë turk, që hyri në Krujën e mundur, shfrytëzoi rastin me i ndërru emrin qytetit. Ai e quajti Ak Hissar, i cili do të thotë “fortesa e bardhë”. Kruja, burimi i dashurisë për liri, do të zhdukej dhe të vdiste.
Ekzakt tani, kur neve nga prozhmi kadife i gjelbër i ullinjve, ngjisim automobilin përpjetë, në drejtim të qytetit të Skënderbeut, mua më bie ndërmend emri Ak Hissar. Kjo është aq rrenë, sa e vërtetë njëherësh. Qyteti është i bardhë, që është kapur pranë rrugës malore, atje shumë lart. Është gri i ndytë. Po Hissar, fortesë, është. Me tarraca me shtëpi të ulëta, ruina kështjellash dhe mure fortesash, varen rreth anës malit.
Ai është i ashpër dhe refuzues. Skënderbeu e zgjodhi rezidencën e tij me kujdes. Unë i kuptoj shumë mirë vështirësitë e Sulltanëve turq: se me mjetet luftarake primitive të mesjetës, të kërkosh të pushtosh një qytet si ky, duhet të ketë qenë një ndërmarrje e kot. Nuk pati asnjë mundësi tjetër, kundrejt këtyre mbrojtësve mbi trima, përveç se të vdesin urie dhe kjo siç duket, ka qenë rruga, që fitorja më në fund u arrit.
Por tani Turqia pothuaj se është tërheq prapa, në atë pjesë të botës, atje ku i takon dhe Ak Hissar, quhet prapë Krujë. Në Shqipërinë moderne, Kruja luan kryesisht rolin e arkës së relikës. Kruja është qyteti i shenjt i kujtimeve të mëdha dhe nuk përbën ndonjë funksion në ekonominë kombëtare. 5.000 banorë mundohen sa munden, të bëjnë tregti me popullin e malësisë përreth, por të ardhurat, janë të vogla dhe popullata është e varfër.
Prefekti, që na pret ne me kafe dhe me “t’u ngjat jeta” në zyrën e tij, në ruinën e kështjellës së Skënderbeut, më jep përshtypjen më shumë si një intendent muzeumi, se sa një prefekt. Në fakt ai është edhe përgjegjës muzeu. Qeveria e konsideron qytetin, si një tempull kombëtar dhe ka ndaluar çdo far ndërtimi të ri, që nuk i përshtatet stilit të vjetër.
Sa po ta lejojë ekonomia, synohet të ngrihet një muzeum veshjesh, ku shumë veshje popullore, fort të ndryshme prej njëra tjetrës, do të gjendeshin të ekspozuara, po të ngjante se kapelat republike dhe xhaketa, do të hynin dhe të përbënin një marsh, jo të mirëpritur nëpër vend.
Unë them jo të mirëpritur, sepse për dinjitet të qeverisë duhet theksuar, se ajo propagandon për mbajtjen kombëtare të pastër, në atë gradë sa munden, përsa u përket kostumeve dhe veprave artistike në përgjithësi. Me gjithë propagandën, prapë se prapë, rreziku është i madh. Muzeu i kostumeve në Krujë, shumë shpejt mund të përmbushë një funksion të rëndësishëm.
Prefekti është me të vërtetë një zotëri i këndshëm, i cili me shumë entuziazëm, demonstron se çka ka mbetur nga Pallati i vjetër i Skënderbeut. Nuk është shumë: disa mure të vjetra me një trashësi impresionuese, tunele, puse, dyer të vjetra hekuri. Akoma në fillim të viteve 1800, mësohet se pjesë të mëdha të kalasë, kanë qenë jashtëzakonisht të mirëmbajtura, por Rashid Pasha, në vitin 1832, dha urdhër për një prishje të madhe.
Prefekti rezident, në ish-banesën e guvernatorit, e cila është një shtëpi madhështore, me tavane të bukura dhe piktura në mure, me bojëra të qarta dhe të mirë ruajtura. Nga ato më të mirë ruajturat, janë edhe muret mbrojtës të zonës së kështjellës, brenda të cilëve, kishte vend për tetëdhjetë shtëpi dhe për afërsisht pesëqind banor. Vetëkuptohet ishin vetëm për ata banorët më të pasur dhe të parët e Krujës, që lejoheshin të banonin, brenda atyre mureve të larta mbrojtës.
Pjesa më e varfër e banorëve të qytetit, detyroheshin të ndërtonin jashtë dhe kjo natyrisht, mund të ishte mjaft rrezik, kur patrullat turke, të zbulimit vinin tinëz malit përpjetë. Por nëse burrat e Skënderbeut, kapnin një patrullë të tillë, kështu shumë shpejt ushtarët e Sulltani, ribashkoheshin me ushtrinë kryesore, por nën forma më pak pëlqyese. Ata i hidhnin përjashta nga ndonjë dritare e kështjellës.
Kjo ishte një lartësi mjaft e madhe: 604 metra, për të qenë i saktë. Mali i Krujës, Sari Salltik, është 1.005 metra dhe ka një prerje rrafshnalte, në 604 metra lart, nga e cila pjesa tjetër e malit, ngrihet pingul përpjetë si një mur. Në atë pllajë shtrihet qyteti i Krujës, i pa depërtueshëm, i izoluar dhe krenar.
Prefekti është siç thash, një burrë shumë i komunikueshëm. Ai tregon gjerësisht mbi qytetin e tij dhe mbi vlerat e veçanta dhe na gjenë një ciceron të besueshëm, me dijeni të mira. Ai gjithashtu do me gjithë qejf, të dijë diçka për Suedinë, suedezët dhe kryeqytetin suedez, Kopenhagën, me arinjtë polar dhe dimrin e përhershëm.
Ndonjë ari akullnajash, neve në Shqipëri nuk kemi, por përkundrazi kemi arinj të zakonshëm, por ka kohë të gjatë, që unë kam dëgjuar të flitet për ndonjë ekzemplar, thekson ai. Por a e dini ju, se çfarë kemi ne, që unë do besoja se ne jemi të vetmit në Europë: pelikanë të egër! Ata janë me shumicë të madhe, veçanërisht në zonën e Shkodrës.
-Tani ndoshta do të nisim një shëtitje të vogël, nëpër rrugët e qytetit, shton ai dhe i bën një gjest ciceronit tonë, por ndal nga një zë i papritur.
Tashmë kaq herët në këtë mëngjesin e vrenjtur, fillova të trembem për shiun. Tani ka filluar. Ai kërcet kërcënues, mbi xhamat e dritares dhe me urdhër të prefektit, ikën një ushtar në qytet, për të marrë çadra për vizitorët e huaj.
***
Gjatë rrugës poshtë prej kështjellës, shiu bëhet edhe më i vrullshëm. Rruga e pjerrët e pazarit, është kthye në një përrua të rrëmbyeshëm, si një vërtitje rinore, vallëzon përpara midis radhëve të shtëpive dhe futet me pahir, mbi pragjet e dyqaneve. Tregtarët rrinë në bisht, rreth stufave të këqija qymyri dhe me shumë kujdes, merren me xhezvet me bisht të gjatë të kafes. Macet të lagura, lëpihen. Çatia e strehës së këpucarit, është fry nën peshën e ujit të shiut.
Qielli është blu i errët.
Ne shpëtojmë në një farmaci, një dyqan i vogël i ndryshëm ilaçesh, ku ëmbëlsirat, janë ngjesh midis shisheve të ilaçeve dhe aty mund të marrësh pluhur, kundër dhimbjes së kokës, në një kaush letre dhe argumenton me farmacistin, mbi çdo gjë dhe asgjë. Pasi patëm provuar kafen e farmacistit, turremi prapë jashtë në stuhi. Dhe këtë herë arrimë deri në kafen e vetme të Krujës, që tërheq myshteritë e saj me një tabelë:
“Kursal”.
Djalli e marrtë këtë emër! Nuk është e mjaftueshme që kryeqyteti origjinal dhe tërheqës, i ka ngjit kafes më të mirë, këtë etiketë banale. As edhe këtu në Krujë, në këtë qytet, që me një krenari të tillë dhe nën drejtimin e kësaj lloj vendosmërie, të quhet për “Nurenbergu i Shqipërisë”, kanë mund me i përballuar. “Kafe Skënderbeu”, nuk do të kishte qenë aq mirë, pranohet. Por “Kursal”-i më shumë se një flakërimë. Kjo është një goditje për vdekje. Ndoshta të ftojnë si në Tiranë edhe për “Cocktey Mondein”?
Pra, kaq keq falë zotit nuk është tani. Me të vërtetë të duket si një çok, kur kamerieri i sjellshëm, na përshëndet me një anglishte të rrjedhshme dhe me atë ndaloi edhe momenti irritues kvasieuropjan. Ky burri i mrekullueshëm, është një nga ata shumë emigrantë, të cilët pas themelimit të Monarkisë, u kthye nga SH.B.A.-ës në malet e egra, të prindërve. Ai s´të fton për “cocktey” por për raki dhe kos, që tjerr fije të bardha, të ndyta midis gojës dhe sahanit. Ai është shumë i këndshëm. Në Krujë, vjen mesatarisht një i huaj çdo dy vjet.
Ndërsa uji i pijshëm e shndërron rakinë, në qumësht të bardhë, unë nxjerr një libër të vogël, të cilën një nga miqtë e mi të Tiranës, ma futi në xhep, para se të niseshim për në Krujë. ‘Lexoje gjatë rrugës’! m’u lut ai, por kush mund të lexojë libër, në automobilin që hidhet lart e poshtë, kur humnerat dhe kthesat gjarpëruese, të vijnë dhe të errësojnë sytë dhe të thithin në bark. Ne nuk jemi të gjithë shqiptar. Në kthesat e rrugës së Krujës, rruga e Elbasanit, më duket autostradë e drejtë.
Ato kapakët e meshinit të librit, kërcasin nga shpërdorimi, kur paraqitet fleta me titullin:
Le Grand CASTRIOTTO Surnomme´ LE SKANDERBEG
Roi d´Albanie&grand-duc d´Epire Histoire
Stefan Zanoviç, quhet shkrimtari dhe vepra e tij, është shtypur në Paris më 1779. Kush ishte autori, nuk e dinte miku im. Stefan Zanoviçi, nuk është kurrë ndonjë emër i njohur, as në zbulimet historike, as në letërsinë artistike. Siç duket është ndonjë dashamirës i vjetër i legjendave dhe heroizmave, që gjatë studimeve të zellshme në bibliotekë, është magjepsur nga trimëritë e Skënderbeut.
Prifti i famshëm i Shkodrës, Marin Barleti dhe aristokrati francez, amatori i historisë, Jak de Lavardin, e ka ndihmuar, Zinoviçin me material, i cili ka mund me përpunu, një vepër që ai duket se e ka përdor me respekt dhe kujdes. Është një libër i vogël, shumë magjepsës me një ton shpirtëror, intelektual francez.
Nën moton krenare “Georgius Castriotto, secula vincet” e përshkruan pra Stefan Zanoviçi, përrallën heroike në peripeci të bukura dhe në forma të përsosura. Me zjarr dhe ndjenja, ai tregon mbi luftërat në malet e larta, mbi humbjet e turqve dhe fitoret e shqiptarëve, vepra trimërie dhe fjalime të zjarrta. Në qendër të ngjarjeve, qëndron Skënderbeu, si një shkëmb graniti; trim fisnik, i mençur, inspirator.
Ai është një luftëtar i atij tipi, që mban shpatën me vete në krevat, kur ai shkon për të pushuar, në kalanë e Krujës dhe që u përgjigjet, urimeve për fitoret me fjalët kuptimplota: Mos më uroni mua. Unë duhet të fitoj. Zoti është gjenerali i ushtrisë time dhe unë jam adjutanti i tij! Ai pret ambasadorët me dinjitetin e një Mbreti dhe popullin si një babë.
Mbreti i Hungarisë dhe Duka i Bourgonjës, nisin për rrugën e largët për në malet e Krujës, përfaqësuesit e tyre për ta përshëndet atë, si Aleksandër të ri. Papa i akordon atij, urdhrin e lartë të Kishës Katolike, Venediku, dërgon karvanë të ngarkuara me flori! Skënderbeu është pikërisht, shpresa dhe shpëtimtari i Evropës kristiane, kundër shkatërrimeve të ushtrive islame.
Luftëtari me helmetën e çuditshme të cjapit, i siguron ambasadorët, se ai e di detyrën e tij dhe i betohet Kishës, për bindjen e pathyeshme. Por kur në një rast i ofrojnë një Kurorë Mbretërore, si një shenjë e jashtme për dinjitetin e lartë, ai refuzon ta pranojë atë. Vetëm pas lutjeve këmbëngulëse të banorëve të Krujës, ai pranon një kompromis: ai venë Kurorën Mbretërore, përmbi helmetën e cjapit. Me atë helmetën groteske, ai ka luftuar, fituar dhe helmetën donë që ta mbajë.
Kur Zinoviçi vjen në këtë pikë të tregimit të tij, atëherë luftëtari i vjetër, është gati të vejë kokën të pushojë, pas katër dekadash pune të mendueshme për Shqipërinë dhe çështjen e kristianizmit, përralla e heroit, bën një apel të vërtetë. Ai i shton diçka, që mund të quhet testamenti i lirisë shqiptare: një fjalim lamtumire, që luftëtari tue vdek, i mbanë djalit tij dhjetëvjeçar Gjon. Është një predikim prekës, një program jetësor Mbretëror, që arrin lartësi klasike.
“Unë ndodhem në prag të varrit dhe të besojë ty një Mbretëri”, thotë Skënderbeu. “Nëse nuk mundesh ti me ruajt lirinë e kësaj Mbretërie, atëherë ke mallkimin tim. Por ti duhet të mundesh ta ruash, sepse kushtet janë”.
Dhe ndërsa çuni i vogël, qëndron pranë shtratit të babait, para vdekjes, i tmerruar mbi peshën e kësaj barre, që i vihen mbi shpatullat të riut, i jep një mësim mbi abc-n e qeverisjes.
“Djali im, ti duhet të kujdesesh për lulen e zakonit, sepse zakonet janë themeli i fronit. Zakonet s´janë një iluzion, me gjithë që, ti me siguri do ti ndeshësh ata, të cilët do të mundohen të nxisin për atë mendim. Mbaje mend, se ai, që interpreton mendime të tilla, është një tradhtar, një i pabesë, i cili për të rrëzuar ty, përpiqet të bëjë që të besosh në ide fallco dhe shpejt a vonë, do të shkaktojë rrëzimin tënd”.
“Ai sundimtarë, i cili gjithnjë banon në Oborrin e tij dhe midis lajkatarëve të tij, trajtohet si një armik dhe tiran, nga nënshtetasit e tjerë. Mallko alkimistë dhe astrologë, nga rrethi jot. Dhe përsa u takon atyre poetëve, të cilët të dedikojnë vjersha dhe këngë të larta lavdërimi, për të bindur ty, se ti je ai më i madhi, më bujari dhe më trimi, midis Mbretërve, kështu që jepu atyre si shpërblim, një copë letër dhe një kalem, me urdhrin që t´a dëshmojnë të vërtetën, në shkrimet e tyre. Po nuk mundën dhe vazhdojnë me shkrimet e tyre të rrezikshme, ti duhet t´ua bësh me dije, se ata do të mbyten si helmues, së të vërtetës dhe nga ti vetë, ti je mbrojtësi i të vërtetës”.
“Unë të mallkoj ty, nëse ti mbanë një të burgosur në burg, më shumë se njëzet e katër orë, pa e marrë në hetuesi dhe nëse ti s´sheh, që gjyqi kundër vejushave dhe fëmijëve, nuk u jepet akt gjykimi, brenda tetë ditësh. Mos harro që të varësh tabela të bardha mermeri, mbi të gjitha dyert e burgjeve të vendit tënd. Në tavllat do të skalisësh me shkronja të zeza: I mallkuar qoftë ai guvernator, i cili fsheh një të pafajshëm, për të mos e pa Mbreti i vet, ose për arsye egërsie, ose kryeneçësie i zgjat vuajtjet atij, të pafajshmit”!
Në këtë mënyrë tingëllojnë fjalët e urta, të luftëtarit para vdekjes, që i drejtohen djalit dhe miqve prezent, që i japin kurajë morale. Gjoni i vogël e merr me mend, që tash se cilat obligime, e presin atë dhe gjatë gjithë kohës së rritjes, fjalët e lamtumirës së të atit, i rrinë si shpata e Demokleut, e cila qëndron pezull, mbi kokën e tijë. E ëma i ngulit dituritë e shkëlqyeshme fjalë për fjalë, rrokje për rrokje. Edhe mësuesi i tij, bën çka është e mundur, që ta mbajë testamentin të gjallë.
Gjoni, ndihet fatkeq dhe i shqetësuar, nën peshën e përgjegjësisë dhe këshillat e urta, bëjnë tjetër efekt nga ato që pritej. Djali i Skënderbeut, nuk mundi kurrë të tregonte veten, por zhduket në historinë e errët. Asnjë nga ata të shumtë që kanë shkruar për luftën, për liri të shqiptarëve, kanë treguar diçka për Gjon Kastriotin dhe fatin e jetës tijë. Gjon Kastrioti, zhduket nga tragjedia e përjetshme e të qenurit djali i një burri të madh.
Por Monsieur Zanoviç, prapë edhe njëherë do t´a marrë fjalën.
Skënderbeu është pra i vdekur dhe varroset në Lezhë, afër Krujës, ku turqit e hapin varrin dhe shpërndajnë kockat e të vdekurit, si hajmali. Papa dëshiron ta shpallë të shenjt atë, por plani dështon, për mosdashjen e fisi të paguanin ato 100.000 ècus, të cilat Shenjtëria e Tij, në cilësinë e kontrolluesit të përgjithshëm të parajsës, mendon se ka të drejtë të kërkojë si pagesë hyrje. Rreth e qark Evropës, lajmi i vdekjes u prit me lemeri dhe dëshpërim. Por një që s´mban zi, është sunduesi i turqve, Sulltani Muhamed:
“Lajmi se ai Heroi i Kristianizmit kishte vdek, i përgatiti Sulltan Muhamedit një kënaqësi absurde. Ai u hodh nga divani, theu çibukun, rrëzoi poshtë filxhanët e kafes, përqafoi dhe puthi shërbëtorët e tij. Ai bëri njëmijë gjëra të çuditshme dhe u sul tue uluri, nëpër sallat: Allah! Allah! Kastrioti vdiq…unë s´kam kujt tí trembem më”!
Dhe pastaj sunduesi i gjithë turqve, shton me një psherëtimë nga zhgënjimi:
“Po të mos kishte qenë Gjergj Kastrioti, unë do t´ia kisha vu Papës çallmën në kokë dhe gjysmë hënën në kupolën e kishës së Shën Pjetrit!”
Me këtë mbarova së ç´fletuari në librin për Skënderbeun, të shkrimtarit francez. Por në çastin kur unë po mblidhja faqet e vjetra të grisura të librit, më shkojnë sytë në një rresht të nënvizuar. Është një fragment i vogël, nga 20 faqëshja e fjalimit të heroit të Krujës, për djalin e tij dhe është nënvizuar me penë blu. Penë me ngjyrë të kaltër, në një vëllim të bukur prej 1779!
Po kur shikoj me vëmendje në radhën e shënuar, jam i gatshëm ta fal mikun tim prej Tirane. Janë disa fjalë shumë interesante, i cili ka dash për të më tërhequr vëmendjen. Është një deklaratë, e cila ngrenë një urë shkëlqyese aktuale, midis mesjetës dhe të sotshmes, një urë, në të cilën unë prej Shqipërisë së Skënderbeut, përsëri bredh brenda në Monarkinë e Mbretit Zog.
Ku qëndron:
“Djali im, politika e errët e Romës, shpesh ka qenë fatale…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016