Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet e tre
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti ‘Tepër sekret’ me korrespodencën ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në datat 19 dhe 28 tetor të vitit 1981, pas autokritikës së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me fejesën e djalit të tij, Skënderit, me “një vajzë me përbërje shumë të keqe politike”.
Tepër sekret
“Projekt-autokritikë” (“Autokritika e parë”) që Mehmet Shehu i ka dërguar shokut Enver Hoxha dhe “Autokritika” (Variant i dytë) drejtuar shokut Enver Hoxha dhe shokëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror si dhe proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, datë 17 – 18 dhjetor 1981: Për analizën e gabimit të rëndë të kryer nga ish-anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Dokumenti arkivor me letrën e Enver Hoxhës që mban në datën 13 nëntor 1981, ku ai përgjigjet dhe reagon ndaj variantit të dytë të autokritikës së Mehmet Shehut, lidhur me “gabimin e tij, për fejesën e djalit të dytë, Skënderit, me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike”.
PAS LEXIMIT TË AUTOKRITIKËS SË MEHMETIT
(Varianti i dytë)
Kjo është një autokritikë jo në frymë marksiste. Çdo gjë në të flet mbi përpjekjet që bën Mehmeti për të zvogëluar gabimin e tij të rëndë, politiko-ideologjik.
Ai, gjatë 39 faqeve të daktilografuara, bën përpjekje demagogjike të na bindë ne, po edhe të ekzistojë në dosjen e vet në Komitetin Qendror, një dokument i atillë, nëpërmjet përmbajtjes së të cilit, të arrihet në konkluzionin se: “kot bëhet çështje nga udhëheqja, për një gabim kaq të vogël dhe sidomos të rastit nga një udhëheqës me një të kaluar kaq të shkëlqyer dhe në një moment dëshpërimi, impulsivi teti dhe sidomos sentimentalizmi mikroborgjez”.
Për të minimizuar arsyet e veta të gabimit, Mehmeti, përpiqet të na i teorizojë dhe arsyetojë me një “njohuri aq të thellë teorike”, rrezikshmërinë e të metave të karakterit të tij dhe pikërisht të botëkuptimeve të tij për këto çështje, të cilat, janë aq të rrezikshme për Partinë, në qoftë se lihen të trashen dhe që tek ai janë sporadike, sa që vihet pyetja e natyrshme: “Kur rrezikshmërinë e tyre e ke njohur aq mirë, deri dhe në karakterin ‘metafizik’ të tyre, pse e bëre këtë gabim, dhe jo vetëm këtë, por edhe të tjerë, të cilët i minimizon ose i zhduk fare nga kujtesa”?!
Duke dashur të stërhollojë “me ngjyrë filozofike’, ato që i ka dhe që e kanë shtyrë të bëjë gabime në vijë, ai arrin t’i vërtetojë të kundërtën dhe pikërisht në këtë qëndron demagogjia në “autokritikën”, që na ka dërguar.
Ç’arsye mbeten për gabimin e bërë? Asgjë përveç “sentimentalizmit”, dhe vetëm për njërin nga djemtë, pse për këdo tjetër, ai s’është sentimental?!
Mehmeti nuk ka qenë sentimental në asnjë rast të jetës së tij. E kundërta, është karakteristikë për të. Ai kurdoherë ka qenë dhe është i ashpër me vend dhe pa vend, bile më shumë pa vend. Kjo karakteristikë nuk mund të puqet me butësinë, po të gjykohet nga ana formale, por po të flasim me gjuhën filozofike, siç na flet Mehmeti në autokritikë, këto puqen, gjë që të nxjerre në atë që: ai nuk është i ekuilibruar në vijën e Partisë.
Këtu nuk kemi të bëjmë me mungesë takti nga ana e tij. Ky takt nuk blihet në pazar, por kemi të bëjmë me kuptimin e drejtë të vijës së Partisë në çdo kohë dhe për çdo gjë, janë interesat jetike të saj, që t’i gjykosh problemet, veprimet dhe njerëzit me urtësi, me gjakftohtësi dhe të kuptosh kurdoherë sa më mirë natyrën e evenimenteve, momentet në të cilat ngjasin, të gjykosh me pjekuri veprimet e njerëzve në momentet e caktuara dhe në vazhdimësi.
Po si është e mundur, që Mehmeti, që “mbante flamurin” kundër “qafëleshët”, “kundër mustaqeve”, në rini etj., të jetë kaq sentimental për jetën e ç’thurur e amoral të djalit të tij në fjalë, që bënte skandale në popull, thërritej nga partia, i tërhiqej veshi dhe kur venin shokët ja vinin në dijeni, për fat të keq ai nuk i priste këto me qejf, bile me difidencë?
Si mund të jetë Mehmeti kaq sentimental, për para akteve morale të djalit të vet dhe të mos tregoj një fije sentimentalizmi për Partinë, që po diskreditohet nëpërmjet akteve të këtij djali dhe qëndrimeve të Mehmetit karshi kësaj gjendjeje? Ky “sentimentalizëm”, duhet të ketë burime më të thella nga ata që shpjegon Mehmeti.
Asgjë nuk e shpjegon këtë sentimentalizëm që pretendon ai.
Atëhere, përse shkoi ai nga shiu në breshër, nga jeta e shthurur, në përgatitjen dhe realizimin e një krushqie me një familje shumë reaksionare dhe me qëndrime të njohura armiqësore?!
Mehmeti, këto situata nuk i analizon drejt, siç tregohet i pajisur me teori. Në botë ka që e mësojnë shumë teorinë tonë, dhe bile e dinë mirë, po jo vetëm që janë kundër saj, por edhe e luftojnë.
Mehmeti, përqendrohet në të vetmin gabim që ka bërë në lidhje me fejesën e djalit, por harron se gjatë jetës së tij, ka bërë edhe gabime të tjera. Qëndrimet e tij me shokët në punë, i quan sporadike, bile “i kupton dhe i ndreq, saqë i del edhe gjumi”. Por, për çudi, këto gabime i harron shpejt dhe i përsërit. Këto nga ana e tij janë bërë një vijë kundër vijës dhe normave morale dhe politiko ideologjike të Partisë.
Nuk është e vërtetë se shokët dhe jo vetëm unë, nuk ja kemi vënë në dukje gabimet kur i ka bërë, bile shumë herë këto ja kemi kritikuar me ashpërsi. Por këto gabime, këto qëndrime, këto veprime të tij, kanë rrjedhime të rënda dhe bëhen shumë të rrezikshme, kur je në një detyrë me kaq rëndësi, me të cilën është ngarkuar Mehmeti.
Këto çështje Mehmeti i filozofon, por i nxjerr si gjëra të parëndësishme, gati të zakonshme, deri sa nuk arrin të thotë që shokët s’duhet të më vënë re, pse jam impulsive, etj., etj., se puna dhe lufta ime, janë “aq kolosale”, saqë këto, janë meskinëri nga ana e shokëve, që sulmohen publikisht, që cilësohen antiparti dhe trockistë, kur s’janë të tillë?!
Këto çështje flasin për botëkuptime të huaja nga ana e tij për Partinë. Ky është një arsenal borgjez, mikroborgjez, ku e kanë burimin shumë vese jo komuniste të Mehmetit, siç janë te ai: mendjemadhësia, arrogance, prepotenca dhe keqpërdorimi i pozitave të tij, në Parti dhe në pushtet.
Mehmeti, nuk mungon të vërë vetë në dukje vlerën e luftës së tij, të cilën askush s’ja mohon dhe askush s’duhet t’ja mohojë. Por lufta e Mehmetit ka pasur dhe anë të dobëta dhe gabime.
Cilat janë këto? Shkurtimisht na bie detyrë me këtë rast t’ja ri përmendim.
Mehmeti, nuk e kishte pasur kuptuar si duhet vijën e masave dhe atë të Luftës Nacionalçlirimtare. Për problemin e “zabitëve” që udhëhiqnin repartet, ekzistojnë letra dhe dokumente në Komitetin Qendror të shkruara nga Mehmeti. Në këtë çështje, nuk qëndron ajo se ka ose s’ka të drejtë komunisti të bëje një vërejtje, rëndësi ka orientimi politik i Partisë dhe interesi i Luftës Nacionalçlirimtare në shfrytëzimin e kapaciteteve dhe të influencës së këtyre njerëzve, që nuk ishin në atë kohë dhe për atë kohë, as nulitete, as kundër vijës së Partisë.
Gjatë kohës së Luftës së Mehmetit, janë shfaqur mendime dhe janë kryer veprime të dënueshme, anarkiste dhe terroriste, që e dëmtonin Luftën dhe nuk e ndihmonin. Te Mehmeti, majtizmi, në mendime dhe në veprime, në çdo kohë, është konsideruar si vija e vërtetë marksiste-leniniste e Partisë. Çdo gjë jashtë këtyre pikëpamjeve të tij, konsiderohej haptazi ose në heshtje, si liberale, oportuniste. Kjo është një e metë e madhe, një mungesë objektiviteti në vijën e Mehmetit, si në kohën e Luftës, ashtu dhe në periudhën e pas Luftës. Kjo të çon në egocentrizëm në besim të madh te vetja dhe në mosbesim tek të tjerët. Këto janë shkaqet që mund të sjellin tronditje në unitetin e Partisë, në vijë dhe në drejtim.
Kjo e ka çuar Mehmetin në një gabim të rëndë në vijën e Partisë, të cilën udhëheqja e di dhe e ka analizuar në mënyrë revolucionare në kohën e vet. Për këtë gabim të rëndë, ekziston autokritika e tij në dosjen personale që ruhet në Komitetin Qendror.
Ky gabim i kryer nga ana e tij s’kishte asnjë bazë, asnjë arsye, se gjoja unë, kur u likuidua Beria, kisha humbur besimin te Mehmeti, i cili pa kërkuar prej meje as më të voglin shpjegim, pse nuk ekzistonte asnjë bazë, shkoi drejt e fishek të ambasadori sovjetik, Leviçkin, ju qa atij, për mua dhe njëkohësisht për t’i shprehur se ishte dakord me vijën e re të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Pra, Mehmeti, që hiqesh dhe hiqet se i di mirë teorinë, në vend që të vinte t’a sqaronte këtë çështje në Parti, shkoi te Leviçkini.
Gabimi i tij i fundit, ngjet me të parin. Edhe në të parin, ai nuk erdhi në Parti, edhe në të dytin, e harroi Partinë t’a pyeste! Për gabimin e tij të parë, erdhi më vuri në korrent Leviçkini, se e dinte rrezikshmërinë, po të mos ma denonconte Mehmetin. Gabimin e fundit të Mehmetit, e mësova nga rruga.
Sidoqoftë, edhe atëhere, edhe tani, Mehmeti, duhet të dijë se Hrushovianët, i dinë këto ndodhi dhe vetëm udhëheqja e drejtë e Partisë, i pengon revizionistët sovjetikë t’i përdorin për të na përçarë.
Prandaj, përsëritja e gabimeve të rënda politike nga ana e Mehmetit, me dashje ose pa dashje, i japin armë armikut, të shfrytëzojë rrethanat, në dëmin e socializmit dhe të udhëheqjes, Partisë së Punës së Shqipërisë.
Partia ka kaluar nga shumë rreziqe. Rreziqe të tjera do t’i turren asaj në rrugë. Prandaj duhet të shtrëngojmë radhët, të tregohemi të vendosur në vijë dhe ta kuptojmë drejt këtë vijë, se me betime dhe me premtime, ‘grand elokuente’, Partia, socializmi dhe atdheu, nuk mbrohen./Memorie.al
13 nëntor 1951
Enver
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016