Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982
Tepër sekret
MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, jo, po them këtë, shoku Enver, që nuk ka rëndësi që është apo nuk është drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes Sh. M., këtu e kam çështjen te vetja. Unë vetë duhet t’i merrja një për një këta njerëz, të shikoja se çfarë të bëja me njërin e çfarë të bëja me tjetrin, kurse me këtë punë unë nuk jam marrë.
Pasi i nxuarëm këto, me sa di unë, ne i kemi dhënë listat në Komitetin Qendror, këto janë studiuar këtu dhe na është dhënë porosi se si duheshin trajtuar këta njerëz. Ka mundësi të jenë thirrur nga Partia dhe disa prej tyre janë thirrur nga kuadro drejtuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u është thënë të mos kishin merak për këto probleme, se ata kishin zbatuar porositë që u ishin dhënë, nuk mbanin ndonjë përgjegjësi.
SHOKU ENVER HOXHA: Po Mehmet Shehu i dinte këto çështje?
SHOKU KADRI HAZBIU: Që t’i kem dhënë vetë ndonjë listë Mehmet Shehut, këtë nuk e them dot. Ai tradhtar është, po këtë s’ma ka kërkuar. Listat unë i kam dhënë këtu, në Komitetin Qendror, shokët i kanë parë dhe më kanë dhënë porositë që thashë. Unë e di që ka qenë një listë më e plotë me ndonjë 180 a 200 emra, ekzakt sa ka qenë, këtë nuk e di.
SHOKU ENVER HOXHA: Shiko, Kadri, këto janë dy fakte që po të ngremë ne sot ty këtu. Ti vetë duhet të dish edhe ju shokë të tjerë duhet të dini, që në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka një jetë të tërë, atje duhet të ketë dokumenta të tjera që neve na bie detyrë të kemi durim e gjakftohtësi deri sa t’i gjejmë e t’i shohim. Po tani për tani këto dy fakte kemi.
Në letër ti i shkruan shokut Hysni dhe e njofton se i ke asgjësuar dokumentet e këtyre njerëzve.
SHOKU KADRI HAZBIU: Si bashkëpunëtor.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e di çfarë ishin këta, po dua të të pyes: pse i dogje dokumentet e tyre?
SHOKU KADRI HAZBIU: Është një rregull te ne, shoku Enver, nuk e di në se duhet ta shikojmë, po nga sa pamë ne, këta nuk vlenin më si bashkëpunëtorë, ata duhet të kenë kartelën në kartotekë, kurse dosja e tyre duhet të jetë djegur si bashkëpunëtorë pa vlerë. Këto rregulla kemi pasur ne, prandaj kemi vepruar siç janë rregullat. Po të jetë bërë ndonjë gjë në kundërshtim me to, atëherë është ndryshe.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ja ne kështu i kënduam këto materiale, që ti na thua se i keni asgjësuar. Domethënë të gjitha dokumentet e këtyre bashkëpunëtorëve, ju i asgjësuar.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, po, i asgjësuam.
SHOKU ENVER HOXHA: I asgjësuat dhe këta nuk mbaheshin më në lidhje nga ju? Është kështu?
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, nuk mbaheshin.
SHOKU ENVER HOXHA: Po këto dokumenta çfarë përmbanin?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ato ishin dokumentet e tyre personale, si të them unë, shoku Enver, kishin jo biografinë, jo pseudonimin si bashkëpunëtor, jo kërkesa të tjera që na nevojiteshin për ta. Për të tërë këta njerëz atje duhet të jenë kartelat, pse, në qoftë se digjet dokumenti, kartela me të cilën vërtetohet që ky ose ai person ka qenë bashkëpunëtor në këtë kohë mbetet që të dihet se kush e ka mbajtur në lidhje, etj. Kartela i ka të gjitha këto të dhëna që nevojiten.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, mirë, pop se të digjeshin ato? Këta ishin funksionarë të shtetit tonë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po për arsye se si bashkëpunëtorët të Sigurimit të Shtetit nuk ishin më, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Këta kanë qenë të ngarkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme si bashkëpunëtor në Bashkimin Sovjetik, janë njerëz të ndershëm, atëherë përse të digjeshin dokumentet e tyre?
SHOKU KADRI HAZBIU: Duhet të jenë djegur më vonë, shoku Enver, kur të gjithë këta janë kthyer nga Bashkimi Sovjetik.
SHOKU ENVER HOXHA: Po unë bazohem në këtë që ke thënë vetë ti, që dokumentet e këtyre njerëzve ju i keni djegur në vitin 1975. Ti mundet i ke djegur edhe më parë, këtë nuk e di unë, po i kemi djegur thua ti.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, unë nuk e di atë. Kjo çështje le të verifikohet, shoku Enver.
SHOKU RAMIZ ALIA: A ka pasur gjë tjetër përveç dosjes së tyre personale? Mos ka pasur gjë brenda këtyre dosjeve edhe raporte me shkrim që kanë bërë këta për njërin dhe për tjetrin?
SHOKU ENVER HOXHA: Bënin raporte ata apo nuk bënin?
SHOKU KADRI HAZBIU: Raporte këta këtu nuk bënin, shoku Enver, po atyre në Bashkimin Sovjetik u bënin edhe raporte.
SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë këta njerëz ne i kishim vënë plotësisht në shërbim të sovjetikëve.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po këta kështu ishin vënë, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po si ishte kështu? Si ishte e mundur të veprohej kështu? Kjo nuk lejohet. Le të supozojmë se ne do të dërgonim një rezidenturë, një agjenturë, që të lidhej me sovjetikët. Përse ta bënim këtë? Vallë për të ruajtur, siç thoni ju, pastërtinë e njerëzve tanë e për të parë veprimet e kuadrove tanë?
Kjo do të thotë se këta duhet të na bënin neve raporte, se për ne duhet të punonin këta, pavarësisht se për një moment pranojmë që këta ua jepnin raporte edhe sovjetikëve, por raportet këta duhet të na i bënin ne. Janë këto raporte apo nuk janë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Sipas rregullit, ato janë raporte dhe quhen dosje pune. Këto ruhen për një kohë, shoku Enver, pastaj si rregull, asgjësohen. Kështu veprohet edhe për gjithë të tjerët. Sa kanë mbajtur dhe si i kanë mbajtur ata këto, nuk jam në gjendje të them gjë tani.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirëpo këtu është çështja e përgjegjësisë tënde, Kadri, se duke qenë i rrethuar me gjithë këta element armiq, do të thotë se ti ke fjetur atje midis tyre.
SHOKU KADRI HAZBIU: Për mua le të merret çfarëdo mase për këtë që është bërë, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Masa, Kadri, do të merret e do të gjykohet me gjakftohtësi nga Byroja Politike, ne nuk diskutojmë këtu për masën që mund të merret për këtë çështje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ne nuk të kemi vënë ty përpara përgjegjësisë këtu.
SHOKU KADRI HAZBIU: Një minutë, një minutë, unë e kisha fjalën këtu, shoku Ramiz, kur them le të merret çfarëdo mase, këtë e them për ato çështje që më kanë shpëtuar mua, vetëm për këtë e kam fjalën.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po të kanë shpëtuar ty gjëra?
SHOKU KADRI HAZBIU: Shiko, gjatë kohës që ne kemi qenë në marrëdhënie me rusët, të them të drejtën, nuk më kujtohet ekzakt, se kur kemi pasur në dorë kombinacionin e Teme Sejkos, shoku Enver më ka thirrur këtu dhe më ka porositur tua mbyllim rubinetin rusëve trak. Këtë porosi unë e mbaj mend mirë dhe që nga ajo kohë atyre nuk i kemi dhënë gjë.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë nuk e mbaj mënd atë që thua ti.
SHOKU KADRI HAZBIU: E mbaj mend unë, shoku Enver dhe këtë e mbaja mend mirë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ti mund ta mbash.
SHOKU KADRI HAZBIU: Sepse, kur ne kishim në dorë tërë kombinacionin e Teme Sejkos, rusët vinin interesoheshin për këtë çështje.
SHOUK HEKURAN ISAI: Teme Sejkoja në çfarë viti doli?
SHOKU KADRI HAZBIU: Nga viti 1959 e 1960. Kështu më ka thënë shoku Enver, që rusëve absolutisht asgjë mos u thoni për këtë gjë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mundet për Teme Sejkon, sepse ata dyshuan për të, se Teme Sejkoja duhet të ishte një lojë e komplikuar, dhe ju nuk e keni lidhur këtë të Teme Sejkos. Edhe unë nuk e kuptoj çështjen se ai bëri organizimin në port, po për kë, për cilat fuqi të huaja e bëri?
SHOKU KADRI HAZBIU: Siç na doli neve atëhere, ai e bënte atë lojë për llogari të amerikanëve.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, po tjetër?
SHOKU KADRI HAZBIU: Tjetër edhe të rusëve, po për këta, çështja mbeti me pikëpyetje?
SHOKU ENVER HOXHA: Po si mbeti me pikëpyetje?
SHOKU KADRI HAZBIU: Na mbeti me pikëpyetje drejtimi i rusëve dhe kjo çështje u lidh me Panajot Plakun, me sa më kujtohet mua. Panajot Plaku, siç më kujtohet, ilegalisht ka ardhur atëhere në Vlorë dhe u hap fjala që ishte takuar atje me një admiral rus. Këtë informatë e jepte Teme Sejko në proçes.
Deri në atë kohë, Temen ne e kishim për agjent të amerikanëve. Kur doli që ky kishte marrë në lidhje me Panajot Plakun, që me sa më kujtohet, dilte agjent edhe i anglezëve, po më tepër dilte i rusëve, atëhere u vu pikëpyetja që Teme Sejko duhet të jetë agjent edhe i amerikanëve, edhe i rusëve, po gjithë proçesi i tij, është zhvilluar kryesisht në drejtim të amerikanëve.
SHOKU ENVER HOXHA: Në kongres ne nuk mund të thoshim gjëra të paverifikuara, thamë vetëm që u zbulua komploti i Teme Sejkos, i organizuar nga Flota e 6-të amerikane, nga grekët dhe nga Bashkimi Sovjetik. Këtë tani kush e drejtonte?
SHOKU KADRI HAZBIU: Kë?
SHOKU ENVER HOXHA: Këtë komplot atje poshtë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Neve na doli që e drejtonte Teme Sejkoja.
SHOKU ENVER HOXHA: Po kush e drejtonte Teme Sejkon këtu?
SHOKU KADRI HAZBIU: Amerikanët e drejtonin.
SHOKU ENVER HOXHA: Amerikanët, nëpërmjet kujt?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ekzakt tani nuk më kujtohet, shoku Enver, se me kë kishte lidhje, po duke i’u referuar dosjes së tij, qendra e amerikanëve ka qenë në Athinë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mos ka qenë në Kajro qendra e amerikanëve, apo ka qenë në Athinë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Nëpërmjet Haki Rushitit.
SHOKU ENVER HOXHA: A, i dimë ne ato gjëra, po pse të mos drejtoheshin nëpërmjet Mehmet Shehut, që e kishim këtu?
SHOKU KADRI HAZBIU: Kjo nuk na doli në atë kohë, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po se nuk na doli, pa sikur të na kishte dalë, ne do t’i kishim prerë kokën që në atë kohë atij, po flasim për tani.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë di një gjë që për Teme Sejkon kam kërkuar autorizim atëhere që, edhe përpara ekzekutimit, ta torturonim. Për këtë qëllim e kanë marrë Mihallaq Ziçishti dhe Xhep Kolli dhe i kanë bërë presion. Megjithatë, Temja nuk i tha gjë. Në këto rrethana, shoku Enver, çfarë të them unë tani, nga do që të vërtitesha unë…
SHOKU HEKURAN ISAI: Teme Sejkon këta nuk e vranë në bazë të vendimit, po e mbytën.
SHOKU KADRI HAZBIU: Njësoj është kjo, nuk ka rëndësi. Atë nuk e mbytën, po e ekzekutuan në vendin e caktuar.
SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk e kanë ekzekutuar, po e kanë mbytur, e kanë mbytur, shoku Enver.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, mundet, ndofta ata edhe e kanë mbytur, po ne kishim urdhër që t’i bënim presion edhe në kohën përpara ekzekutimit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse ta mbysnit? Ta nxirrnit në gjyq!
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, në bazë të vendimit të gjyqit ai u dënua me pushkatim.
SHOKU KADRI HAZBIU: Pas gjyqit dhe përpara se të ekzekutohej unë kam kërkuar atëhere autorizim që t’i bënim akoma presion Teme Sejkos, për të parë se ç’mund të na nxirrte gjë tjetër dhe këtë ua kam besuar këtyre të dyve, Xhep Kollit dhe Mihallaq Ziçishtit.
Të dy këta e shpunë Teme Sejkon në vendin e ekzekutimit, i kanë bërë presion a s’i kanë bërë, këtë nuk e di, po më në fund e kanë mbytur. Ai në këtë drejtim nuk tregoi asgjë më tepër nga ato që kishte thënë në proçesin gjyqësor.
SHOKU ENVER HOXHA: Edhe Beqir Balluku, edhe Petrit Dumja po ashtu kanë vepruar, të gjithë këta pranuan vetëm ato që u thamë ne në Komitetin Qendror dhe asgjë tjetër më tepër.
SHOKU KADRI HAZBIU: PO, mund të kenë treguar ndonjë gjë fare të vogël.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, gjëra të vogla dhe asgjë tjetër. Atëhere çfarë konkluzione nxjerr ti nga gjithë kjo punë e organeve të Sigurimit që drejtoje, Kadri?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë kam nxjerrë këtë konkluzion që puna e bërë nga ana e Sigurimit të Shtetit nuk arriti ta thellonte dot më shumë çështje, kurse mendimi im ka qenë, në qoftë se është kështu, që Feçor Shehu, flas për puçistët, ishte tradhtar, ndryshe llafoset me mua këtu, ndryshe vepronte në krahun tjetër. Unë jua kam thënë juve këtë. Me porosinë tuaj, unë e kam thirrur vetë Beqir Ballukun dhe e kam pyetur drejtpërdrejt: je apo nuk je agjent i jugosllavëve?
Ai ka ndenjur disa minuta si i heshtur, shoku Enver, rrinte dhe vetëm më shikonte në sy, por asgjë nuk më tha. Edhe më prapa kam menduar këtë që, Mehmet Shehu, si nuk më thirri një herë të më pyeste: more ti, shoku Kadri, si ministër i Punëve të Brendshme, nuk na thua një çikë, çfarë po bëhet me këtë proçes? Hiç fare nuk është interesuar ai. Ju më thërrisnit, shoku Hysni gjithashtu dhe ju kam raportuar, po nga ai asnjë fjalë nuk m’u tha, prandaj në këto kushte, mendoja që ndoshta ai i merr të dhënat nga ju, kujtoja se i thoshit gjë ju. Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016