Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetepesë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Proces-verbal
Në Tiranë, 23 janar 1958. Ne hetuesit e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe Kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti, morëm në pyetje të pandehurin Tuk Jakova.
Pyetja filloi në ora 8 e 45
Pyetja mbaroi në ora 14.00
Pyetje: Cilat janë bisedat e tjera armiqësore që janë zhvilluar midis teje dhe Dhora Lekës, etj?
Përgjigje: Për shokun Enver kam thënë para Dhora Lekës dhe Viktor Stratobërdhës, se nuk do të bëja autokritikë për gabimet që si mbas mendimit tem, kishte në Partinë tonë, se Enveri është mësuar me i hedh këto situata, pa marrë përgjegjësira personale dhe kam përmendur rastet, që Enveri me Nakon kanë pas marrëdhënie intime, bile Nakoja, bukë hante tek Enveri dhe kur Nakoja u akuzua nga udhëheqja jugosllave, se ai lot një rol të çuditshëm në marrëdhëniet me Jugosllavinë, Enveri këtu e braktisi Nakon dhe u ngjit pas Koçit.
Kur më vonë doli çështja se udhëheqja jugosllave është në rrugë të gabuar dhe gradualisht erdhi që udhëheqja jugosllave u akuzua në agjenturë e imperializmit, Enveri u tërhoq nga intimiteti me Koçi Xoxen dhe kështu, ne ia ngarkuam gjithë fajin në kurriz të Koçi Xoxes.
Mbas përjashtimit të Dhora Lekës dhe që unë kisha luajtur nga pozita e fundit, se jugosllavët nuk kishin hyrë në Shqipëri, d.m.th., pas vizitës së Titos në Moskë. Kur për mua s’mbeti bazë për ndërhyrjen jugosllave në vendin tonë, kam thënë se; Enveri nuk don të bëjë autokritikë, sepse ka frikë nga përgjegjësia, se nuk ka tashti kujt t’ja ngarkoj fajet.
Se Enveri e ka përkrahur Pilo Peristerin për ta sjellë në udhëheqje. Unë i kam thënë se Piloja si komunist i vjetër mund të jetë në Komitetin Qendror dhe unë ja kam dhënë votën për t’u zgjedhur, por ai nuk ka kapacitetet për të qenë në udhëheqje. Një mendim të tillë unë e kam thënë edhe në Plenumin e I-rë që u zgjodh nga Kongresi i II-të, por ky mendim nuk u quajt i drejtë dhe jam tërhequr.
Në lidhje me Mehmetin, unë i kam thënë Dhorës se; kam pasur fërkime gjatë Luftës, kur kam qenë në Brigadë. Përshtypja e jeme, se ai ka një natyrë me u shkue gjërave në ekstrem dhe pikërisht këtu ka qenë arsyeja e fërkimeve që kemi pasur. Për këtë unë e kam kritikuar Mehmetin në organizatën bazë të shtabit dhe ai ishte dëshpëruar nga kjo kritikë, siç më tha e shoqja, Fiqretja. Megjithatë, unë e kam çmuar Mehmetin si një luftëtar me talent në udhëheqjen e formacioneve luftarake, kaq është e vërtetë kjo, kur në plenumin e VIII-të ku u godit Nakoja, bashkë me të edhe Mehmeti, i cili atëhere ishte në Shtatmadhori.
Unë i kam shfaq mendimin tim Enverit dhe Kocit, megjithëse, Mehmeti ka këto gabime, që neve quanim atëhere, neve nuk duhej ta shkarkonim nga detyra e Shefit të Shtatmadhorisë, sepse si ushtarak, ai është i zoti. Ndërsa unë, kam pasur të tilla pikëpamje për Mehmetin dhe nuk kisha mbajtur ndonjë mëri nga ato që kemi pasur gjatë Luftës, ai nga ana e tij, kam pas përshtypje se ka mbajtur një farë mërie kundrejt meje dhe këtë e shpjegoja me faktin e formës së goditjes së parë kur u hoqa nga detyra si sekretar.
Mehmeti po e shihte se unë po bëja gabime, herë pas here, dhe nuk më tha ndonjëherë si shok, mbi gabimet dhe të metat e mija. Por këto gjëra i grumbullonte deri në kohën që shtruam në Byro kritikën dhe autokritikën e punës sonë. Aty më kritikoi Mehmeti për të gjitha rastet që unë kisha gabuar. Kritika ka qenë e drejtë dhe unë kam pranuar. Por ajo mënyra e kritikës, duke mos m’i thënë rast për rast, m’u pat duk jo në frymën shoqërore komuniste. Pastaj përveç këtyre, kam thënë; se është arrogant dhe i pëlqen të duket dhe që i mbivlerësonin aftësitë e tija.
Meqenëse Mehmeti ka qenë anti jugosllav i flakët, edhe ky nuk do të bëj autokritikë dhe kështu dola me konkluzionin se është një mbështetje e Enverit, për të mos përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë, duke pasur frikë nga përgjegjësia dhe të mos humb pozitën. Unë me Dhorën, Viktorin, me Mitën dhe Franon, kam biseduar se Mehmeti, kur u bë kryeministër, ka bërë disa gjëra të tepruara luksi, kur vajti në shtëpinë e re, që më parë ishte Shtëpia e Byrosë Politike.
Dhorës, Mitës, Franos dhe Viktorit, u kam thënë se gjesti i Liri Belishovës për përjashtimin e Mitës nga partia, është një gjest bejlerësh. Për sa i përket Spiro Kolekës, megjithëse shumë i ndërgjegjshëm në punë, por ishte shumë burokrat, por për burokracinë e punës së tij, unë kam folur me Dhorën, Mitën, edhe në qoftë se ja kam thënë Viktorit, këtu nuk më kujtohet.
Pyetje: Çfarë keni folur kundër shokut Enver?
Përgjigje: Unë, Tuku, kam folur me Viktor Stratobërdhën, Dhorën dhe Franon, se; Enveri është demagog dhe dinak. Këto unë i kam thënë sepse, unë kisha arritur se ai nuk don të bëjë autokritikë, se interesat personale don t’i vejë mbi interesat e përgjithshme. U kam thënë personave të mësipërm, se përjashtimi nga partia i njerëzve që shfaqën pikëpamje anti-parti, që unë në atë kohë i quaja të drejta, se është një krim, që po bëhet, lidhur me masat që u morën, sepse unë nuk dija që aty paska luajtur mbrapa skena.
Edhe Kici Dodës, i kam thënë se; këto masa që u morën karshi disa elementëve në Konferencën e Tiranës, është krim. Dhora Lekës i kam thënë se kur do të rregullohen marrëdhëniet për të cilat kisha besim, sepse do të ndërhynte edhe Bashkimi Sovjetik për këtë, krahas me përmirësimin do të shikohej edhe çështja ime, kam shfaqur dëshirën të vete për pushime me familjen dhe fëmijët në Slloveni, në Bleta, meqenëse kam qenë njëherë në vitin 1947, dhe të pushoja.
Gjithashtu kur kam qenë në Tiranë, në janarin e 1956-ës, Cvetoja, e kish pyetur Dhorën edhe ç’mendim kam unë për Titon, unë i kam thënë njëherë e kam dasht, pasandaj e kam urrejt dhe tashti në këtë dritë, s’mbetet tjetër që do ta dua.
Pyetje: Keni shfaqur ndonjëherë dëshirën për t’u takuar me funksionarin jugosllav, Cveto?
Përgjigje: Nuk kam pas ndonjëherë dëshirë që të takohesha me Cveton.
Pyetje: Hetuesia ka të dhëna se ju keni shfaqur dëshirën për t’u takuar me Cveton. Është e vërtetë?
Përgjigje: Nuk është e vërtet, sepse pot ë kisha një dëshirë të tillë, do të gjeja një farë mënyre për t’u takuar me Cveton.
Pyetje: E dënuara Dhora Leka, në procesin e datës 22 janar 1958, deponon, kështu: “Tuku në Berat më ka thënë se i kishte mbetur merak që nuk u takua me Cveton”! Është i vërtetë deponimi i mësipërm?
Përgjigje: Nuk është i vërtetë deponimi i Dhorës, që mua të më kishte mbetur merak për t’u takuar me Cveton, mbasi unë nuk isha penduar për refuzimin që i kisha barë për t’u takuar me të.
Pyetje: Cili ka qenë qëndrimi juaj karshi vendimit që morri Partia dhe Qeveria për shkëputen e Klerit Katolik nga Papa?
Përgjigje: Në fillim, unë duke mos ditur se si është zgjidh kjo çështje në vendet e tjera socialiste, kam pas përshtypjen se mos po bëjmë ndonjë gabim politik, pasi Kleri Katolik këtu e konsideronte lidhjen me Papën, si çështje dogmash, por kur ata kanë pranuar vendimin e qeverisë, jam bind se çështja mund të zgjidhesh edhe kështu, d.m.th., pa lidhjet me Papën dhe unë atë doja, që çështja të zgjidhej në interes të qeverisë sonë.
Këtë çështje e kam biseduar me Dhorën, të cilës i kam treguar se si mendoja unë atëhere kur diskutohej kjo çështje, por nuk i kam shfaq mendime të kundërta, ose të kem qenë në opozitë me këtë vendim.
Pyetje: Cili ka qenë qëndrimi jot karshi këshilltarëve sovjetik në vendin tonë?
Përgjigje: Qëndrimi im karshi këshilltarëve sovjetik ka qenë i favorshëm. Unë e kam quajtur si të dobishme, ndihmën që ata na kanë dhënë dhe na japin, por për një rast, siç është çështja e Çuvakinit, i cili ma pat kërkue mua një raport, mbi çështjet organizative që unë përgatitja për Byronë, raportin unë ja kam dhënë me lejen e Enver Hoxhës.
Por ky gjest, nuk m’u duk mua korrekt, sepse neve kishim dhe kemi nevojë për të këmbyer mendime, për çështje të ndryshme dhe me marrë eksperiencë nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, por me dhanë raporte, siç ishte ky rast, m’u ka duk si një gjë jo normale dhe që ka karakter ndërhyrjeje. Këtë çështje e kam biseduar me Dhorën, si ka ardhur rasti nuk më kujtohet…!
Pyetje: Çfarë sekretesh shtetërore dhe partie keni biseduar me personat e rrethit tuaj?
Përgjigje: Konkretisht më kujtohet një rast i tillë, të cilën ja kam treguar Mitës, si dhe në Elbasan e kam biseduar me Bedri Spahiun. Fjala është për një letër që një komunist prej Moske i kish drejtuar Komitetit Qendror tonit, lidhur me shokun Mehmet Shehu.
Mua, nuk më kujtohet që ta kemi bisedue me Dhorën, sepse më kujtohet kur ja thashë Mitës, i thashë që të mos ja tregoj Dhorës. Ndërsa Bedriu në Elbasan, më tha se Enver Hoxha me këtë rast, mundi t’ja ulë hundën Mehmet Shehut, i cili e kishte ngritur shumë. Memorie.al
I pandehuri Hetuesit
Tuk Jakova Irfan Shaqiri dhe Kapiten i I-rë Ferhat Matohiti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016