Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Familja Pervizi
Një nga familjet që ka provuar internime e burgje që nga viti 1945 deri më 1991, është edhe familja e Gjeneral Prenk Pervizit, që kishte qenë gjeneral në Ushtrinë Kombëtare. I internuan familjarisht.
Mrika Pervizi
– (Bulger 1860-Tepelenë 1949)
Ajo lindi në vitin 1860 në Bulger, në një familje patriotike, që kishte kontribuar në Lidhjen e Prizrenit dhe kullat e familjes i ishin djegur nga taborret e Dervish Pashës më 1881.
Ajo u martua me Frrok Preng Pervizin, me të cilin pati një djalë, Prenk Pervizin, që 9 vjeç mbeti jetim. Djali i saj vazhdoi shkollën tek “Konvikti i Maleve” në Shkodër.
Kjo grua e nderuar jo vetëm ishte përjetësuese e lëvizjes së Kurbinit, por edhe një pjesëmarrëse në të. Në këto rrethana përjetoi djegien e kullave të Previzajve që quheshin të Gjin Pjetrit, udhëheqësi që ngriti flamurin, po ditën e 28 Nëntorit 1912.
Grua e urtë, por dhe kurajoze, e mençur, ishte një thesar i vërtetë informatash për ngjarje të ndryshme, historike dhe të jetës shoqërore. Djali i saj mbaroi shkollën e luftës në Itali, në Torino e Firence dhe punoi atje si inspektor i studentëve shqiptarë. Kudo nëna Mrikë shoqëroi të birin. Në shtetin shqiptar djali i saj u bë gjeneral i Ushtrisë Shqiptare.
Me marrjen e pushtetit nga ana e komunistëve, u internua bashkë me gruan e të birit, zonjën Prena, në maj 1945 në Lezhë, Berat e Tepelenë, ku vdiq më 1949 nga vuajtjet dhe sëmundjet, në moshën 90 vjeçare. Trupi dhe eshtrat e saj u varrosën e u rivarrosën tri herë, varri i saj nuk dihet se ku gjendet.
Të gjithë bashkëvuajtësit që e njohën, flisnin për të si një grua e urtë, besimtare dhe plot kurajo: “E bë Zoti mire”! -thoshte gjithmonë në ato kondita të vështira internimi. Udhëtova drejt Lushnjës dhe u nisa për në Savër, për vizitë tek kushëriri im. Ishte një takim plot mall. Në një dhomë të vogël, dy shtretër të improvizuar me dërrasë, të vendosura në dy anët e dhomës, në mes tyre një komodinë, pak orendi dhe një pastërti shembullore. Këtu banonin dy familje: nëna Hajrie me të birin, Reshit Mulletin dhe nëna Prena, me të birin Genc Pervizin.
U njoha me zonjën Prena, që ishte një grua me trup të drejtë, e veshur me të zeza, të jepte përshtypjen e një gruaje të fortë dhe që me zor mund të lexoje emocionet e saj. Në qoshen e murit, në një bazament të vogël dërrase, në formë trekëndëshi, nëna Prena kishte vendosur një llullë. Kurioziteti i një vajze gjimnaziste, më shtyu ta pyes:- “Kush e ka punuar atë llullë?”
Zonja e nderuar ma dha llullën me e pa dhe me një zë të ëmbël më tha:
– “Ma ka dërgue djali im Leka, e ka punue ai me duart e tija, e kam në kampin e Vlonës, ndërsa djalin e madh, Valentinin e kam në burg…”! Sapo e preka llullën, e pashë, vrojtova që në pjesën e përparme ishte gdhendur Prometeu dhe Shqiponja, duke i ngrënë mushkëritë. Ishte një vepër arti.
Ato dy net qëndrova n’atë dhomë të vogël, u njoha me histori të internuarve, vuajtjet që kishin provuar në kampet e internimit, në veçanti në atë të Tepelenës, ndërsa unë i tregova për Shkodrën, për gjimnazin, për studimet, për librat, për këngët. U largova duke marrë me vete një mal me dhimbje, histori plot vuajtje dhe kudo më ndoqën tregimet e Gencit, të Reshitit të dashur, të nënave, ato jetuan në zemrën dhe mendjen time. Rruga e kthimit për në Shkodër u shoqërua me shumë lot, lotët e mi të dhembjes!
Prena Pervizi
(1900-1977)
Zonja Prena Pervizi, gruaja e gjeneral Prenk Pervizit, lindi më 1 Janar 1900 në Rrëshen, në familjen e bajraktarëve të Kthellës. U martua me Prenk Pervizin, më 1918 me të cilin pati tre djem: Valentinin, Gencin dhe Lekën. Familja jetoi në Krujë e në Tiranë, ku Prenka ishte me detyrë si rrethkomandant. Nga viti 1929-‘34 e ndoqi të shoqin jashtë shteti në Paris, në Itali (Torino e Firence), ku z. Prenk mbaroi shkollën e Shtatmadhorisë në Torino dhe ishte inspektor i studentëve Shqiptarë në Itali.
Ishte një grua që punoi për emancipimin e gruas shqiptare. Me ardhjen e komunizmit në fuqi, familja pësoi persekutimet, që në nëntor 1944, iu dogjën shtëpitë në Laç e në Skuraj, si dhe konfiskimin e gjithë pasurive e pronave, bashkë me vilën e Tiranës.
Në maj 1945, internohet bashkë me vjehrrën në Lezhë, Berat e Tepelenë, ku nëna e nderuar, vdes më 1949. E mbyllin në kalanë e Porto-Palermos 1949-1950 dhe nga 1951-‘54 në Tepelenë, ku bashkohet me djemtë, Valentin e Lekë. Transferohen në Lushnje, në fshatin e internimit Plug. Me 1955 e ndajnë nga djemtë, që ia izolojnë në kampin e Radostinës (Fier) dhe në Kuç të Vlorës (1955-58).
Me 1957 bashkohet me djalin tjetër, Gencin, pasi kishte bërë 10 vjet burg dhe vendosen në Savër e Gradisht. Një kujtim: Një ditë në kalanë e Porto-Palermos vijnë disa oficerë të Ministrisë Brendshme e kur gjenden para saj, i drejtohen:
– “Sa afër është deti! Ndoshta shpreson mos vjen gjenerali me nëndetëse për të të shpëtuar, kushedi si do të vrapoje për të hipur në anije”! Por përgjigja që morën ishte tepër befasuese. Ajo iu përgjigj:
– “Sikur të gjithë të ikin, apo të më detyroni, unë nuk luaj vendit, zotërinj oficerë! Po ç’ka kujtoni, se unë do të braktis fëmijët e mi e t’i lë në duart tuaja? Këtë unë se bëj kurrë”!
Oficerët mbetën të habitur; e kuptuan se kishin të bënin me një grua e nënë tepër fisnike e të lartë, që gjënë më të shtrenjtë, kishte tre djemtë e saj. Ajo me gjithë vuajtjet pati fatin të bëhej gjyshe, djemtë e saj formuan familje, vazhdon përjetësia. Vdes me 15 prill 1977 në Plug, pas një operacioni të rëndë. Ajo duhej të ishte dërguar më herët në spital, por as spitali nuk e dërgoi ambulancën e urgjencës, as sektori nuk e çoi me makinën që kishte në dispozicion. Në çastet e fundit, mezi e ngarkuan në një rimorkio traktori.
Sipas kirurgut Qiriako Nezho, po ta kishin sjellë më herët, disa orë e jo më disa ditë, do të kishte shpëtuar. U evidentua ky rast, për të treguar se si trajtoheshin të internuarit. Si i shkoi jeta e tre djemve të zonjës Prena Pervizi?
Valentini mbaroi studimet në Itali, në Akademinë Ushtarake, doli oficer në vitin 1941, ishte një djalë i kulturuar, atdhetar. Ishte dashuruar me një italiane të bukur, Gorician, me të cilën u martua, por fatkeqësisht i ndau jeta socialiste në Shqipëri. Valentinit i’u desh të duronte 47 vjet, burgje dhe internime, nga burgu i Shkodrës, në kampet e Beratit, kalasë së Porto-Palermos, Tepelenës, Çorovodës, Fabrikës së Tullave në Tiranë, Kuç i Vlorës, sektorët Plug e Gradishtë të Lushnjes. Italiania e mirë Goricia, e ruante dashurinë e saj në zemër dhe jetonte me shpresën e takimit, por ajo u arrit vetëm në pragun e vitit të ri 1992.
Ndaloi treni, zbriti i moshuari shtatlartë, por i hollë, i thinjur, qëndroi në stacionin e Bolonjës, derisa iku dhe udhëtari i fundit, por ja, atje kishte qëndruar një zonjë e moshuar, ajo plot mall po shihte atë njeri, të vetmuar. Ç’fat, u takuan pas 47 vitesh ndarjeje, jetuan pak vite të pleqërisë deri më 14 maj 1999, kur Valentini i mbylli sytë përgjithmonë.
Genci kreu studimet nga fillorja deri në përfundimin e shkollës së Aviacionit në Forli (Itali) 1943. Jeta e tij në Shqipëri kaloi në burg, 10 vjet dhe 33 vjet internim. Formon familje, martohet me një vajzë të internuar, Albina Llesh Marashi, që ishte e internuar në moshën 10 vjeçare. Genci vdiq nga një sëmundje e rëndë në prill 1989 dhe u varros në fshatin Sopot. La pas gruan me gjashtë fëmijë, që lindën e u rritën në internim. Sot jetojnë në SHBA-ës.
Lek Pervizi, më i riu i vëllezërve, studioi tetë vjet në Itali, me profil artistik-letrar. U kthye në Shqipëri në vitin 1944. Që në moshë të re, provoi kampet e internimit si: në Porto-Palermo, Tepelenë, Fier, Kuç të Vlorës dhe Plug të Lushnjës. U martua me një të internuar, Gjyljana, vajzë e të arratisurit, Nikollë Prek Malaj, që ishte e internuar bashkë me të ëmën Zorka Malaj, që në moshë të njomë, foshnje katër muajshe, në 1948, në Kuçovë, Berat, Turan, Tepelenë e Lushnje, ku u rrit. Ndër fëmijët (bebet) e pakët, që i shpëtuan sëmundjeve dhe vuajtjeve të kampit të Tepelenës, mori emrin “Beba”, me të cilën e thërrisnin të gjithë të internuarit.
Nga kjo martesë kanë tre djem. Jetojnë në Bruksel (Belgjikë). Leka i ruan lidhjet me atdheun, drejton revistën “Kuq e Zi”, boton libra, bën përkthime, etj.
Ja si e tregon jetën në internim, Lekë Pervizi: Internimet e para u bënë për familjet që u shpallën “reaksionare”, në maj 1945, në Tiranë i izoluan në burgun e ri e të vjetër. Filluan internimet masive, streha e parë ishte qyteti i Beratit, që u bë qendra e të gjithë familjeve reaksionare, kryesisht të veriut të Shqipërisë, ndërsa qyteti i Krujës u bë streha e familjeve të jugut të Shqipërisë.
Të gjitha familjeve u ishin konfiskuar pasuritë, të tundshme dhe të pa tundshme dhe i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, vetëm me rrobat e trupit dhe shumë familjeve, u kishin djegur shtëpitë, si Gjon Markajt (në Mirditë), Marashët (Shkodër), Dinet e Demët (Dibër), Kolat (Mat) etj. Në Berat i vendosën në lagjen “Kala”, më vonë edhe në “Mangalem”, “Murat Çelepias”.
Familjeve fillimisht u jepej 500 gr. bukë misri, në ditë dhe ishin të detyruara të paguanin qiranë e shtëpisë edhe pse shumë prej tyre banonin në baraka ose kasolle. Tre herë në ditë i bëhej apeli pranë Degës së Brendshme. Që nga maj i 1945, regjimi komunist u mundua t’i poshtërojë, duke përdorur të gjitha mënyrat, si i futën në hapjen e kanaleve të ujërave të zeza të qytetit. Të internuarit i dërguan të punojnë në bujqësi dhe sidomos në luftën kundër karkalecit, në arat e mbjella.
Shumë familje detyroheshin të shkonin në mal, për të bërë dru, që të mund të siguronin ndonjë lek, për bukën e gojës. Përveç vuajtjeve fizike dhe urisë, në atë kohë, shumë familje të internuara, provuan mbi kurrizin e tyre edhe strese të shumta nga epshet e oficerëve të Sigurimit, që kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja. Asnjë prej vajzave nuk i’u dorëzua sigurimsave, të cilët shumë, nga të rejat i burgosën.
Ndonëse propaganda komuniste në atë kohë përdorte të gjitha mënyrat për t’i poshtëruar familjet e internuara, populli i Beratit u tregua shumë fisnik dhe brenda mundësive, na ka ndihmuar sidomos me ushqime dhe veshmbathje. Në atë periudhë vuajtjeje, ndërmjet familjeve të internuara kishte solidaritet të madh. Nga fundi i vitit 1947, nga Berati shumë familje u dërguan në Kuçovë, ku filloi ndërtimi i fushës së aviacionit. Familjet u vendosën në kazermat e italianëve dhe për ngrënie u jepej vetëm bukë thatë. Pas Kuçovës, shumë familje u dërguan në Valias të Tiranës, për të punuar në bujqësi si: Gjonmarkaj, Demët etj.
Regjimi i Enver Hoxhës filloi t’i dërgonte të internuarit edhe në qytete të tjera. Aty nga fundi i vitit 1948 e fillim viti 1949, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë, në veriun e vendit, filluan arratisjet masive. Për ta frenuar atë fluks arratisjesh, regjimi komunist filloi internime, të të gjithë pjesëtarëve të familjeve që jetonin në atdhe. Nuk u kursyen pleqtë, gratë dhe në veçanti fëmijët të çdo moshe. Shteti komunist hapi dy kampe të tjera, në Turhan dhe Memaliaj të Tepelenës. Ato dy kampe u mbushën me familjet e internuara të veriut të Shqipërisë. Kushtet e banimit ishin në kufijtë e mizerjes dhe të internuarit, jetonin në kondita primitive. Atyre u jepej vetëm 500 gr. bukë misri, asgjë tjetër.
Në kohën që u vra Bardhok Biba (pushtetar komunist), numri i të internuarve, në të dy kampet e Tepelenës, arriti në 6000 vetë. Nga mungesa e madhe e higjienës, aty plasën epidemitë e sëmundjeve të ndryshme dhe njerëzit vdisnin në masë. Mesatarja e vdekjeve, nga ato epidemi ishte shtatë vetë në ditë. Katastrofa më e madhe ndodhi në gushtin 1949, kur në kampin e Turhanit vdiqën 33 fëmijë, brenda një nate. Fëmijët vdiqën nga sëmundja e dizenterisë, s’kishte asnjë ndihmë mjekësore dhe buka e misrit ishte e mykur. Tmerrit të vdekjeve të asaj nate, iu shtua edhe më shumë ankthi, sepse nuk premtonte koha për të hapur varre, për të gjithë foshnjat.
Një gruaje nga Vermoshi i Dukagjinit që quhej Cukalina, i vdiqën të dy fëmijët binjakë, njëri në mëngjes dhe tjetri në darkë. Ata ishin meshkujt e vetëm të fisit, nëna e tyre të nesërmen vrau veten, po ashtu veproi edhe e kunata e saj. Kjo tragjedi shkaktoi bujë të madhe tek mjekët e Gjirokastrës dhe Tepelenës, të cilët patën kurajën dhe e bënë problem në Tiranë. Qeveria komuniste e Enver Hoxhës, u detyrua dhe dërgoi aty, një grup oficerësh për të parë gjendjen dhe pas atij inspektimi, u vendos mbyllja e kampit të Turhanit dhe atij të Memaliajt. Të gjithë të internuarit e atyre dy kampeve u dërguan në kampin e Tepelenës, ku u vendosën në kazermat e italianëve, ku kishte ujë për të pirë. Por edhe në kampin e Tepelenës, të internuarve u jepej vetëm 650 gr. bukë gruri, me pak supë me krimba që kishte vetëm ujë. Vazhduan përsëri vdekjet.
Edhe aty të internuarit, s’i shpëtuan dot të ftohtit dhe urisë. Ata dërgoheshin të punonin në pyll për dru, pleh dhe për të mbajtur e transportuar shtylla për ndërtim. Nga fundi i vitit 1949, shumë të internuar u dërguan në kampin e Porto- Palermos, që ishte përdorur si vend torturash, që në kohën e romakëve. Të internuarit i vendosën në Kala dhe shumë prej të internuarve, u verbuan nga errësira. Familjet e internuara në kampin e Tepelenës, qëndruan aty, deri në fund të vitit 1953, shumë prej tyre u dërguan në rrethe të ndryshme, për ndërtimin e godinave të Degës së Brendshme.
Në vitin 1954, kampi i Tepelenës u mbyll dhe të gjithë familjet që ishin aty, i dërguan në disa kampe, që u hapën në Myzeqe si sektorët: Grabian, Çermë, Gradisht, Dushk, Plug, Savër, Xhazë etj. Po në vitin 1954 një pjesë e të internuarve u dërguan në kampin Kuç të Kurveleshit, që sapo u hap në atë kohë.
Ndër 100 të internuar që u dërguan aty, 60 prej tyre kishin mbaruar universitetet e Perëndimit si: Dom Mikel Koliqi, Ali Erebara, Ibrahim Sokoli, Nedim Kokona, Sami Kokolari e të tjerë. Në vitin 1958, ky kamp u mbyll dhe të internuarit u dërguan në kampet e Myzeqesë.
Në ato kampe bashkë me dhjetëra familje, si: Dostët, Gjomarkajt, Çelët, Hoxhat, Bajraktarët, Dinet, Demët, Ndretë e të tjerë, ne qëndruam deri në vitin 1990, por për hir të vërtetës, dua të them se në ato kampe ka akoma disa nga familjet e internuara, që nuk kanë se ku të gjejnë strehë tjetër.
Ky ishte fati tragjik i shumë familjeve fisnike, që regjimi komunist i shpalli “reaksionarë” dhe i degdisi për 45 vjet, në kampet e internimit, që ishim hapur anë e kënd Shqipërisë socialiste. Në familjen e artistit Lekë Pervizi, në Plug të Lushnjës, lindi Leonardi (viti 1966), me damkën “Armik i popullit”, nipi i gjeneralit. Në moshën 6 vjeçare, babai i Leonardit, vë re tek i biri, prirjet për pikturë dhe ai tregon: – “Fillova të punoj me tim bir, mbi një program që e hartova vetë. Gjëja e parë që i bëra Leonardit, ishte një kasolle me baltë, me sipërfaqe 4 m2. për vite me radhë, ajo do të ishte studioja e tij. Duke punuar sistematikisht me të, ndonëse në kushte të papërshtatshme, Leonardi, arrin që 16 vjeç të afirmohet teknikisht. Ai u pengua të vazhdonte shkollën, arsyeja do të përkufizohej “Për kritere klasore”.
Vetëm në vitin 1989, iu dha e drejta e studimit, por Komiteti Ekzekutiv i Lushnjes ia komunikoi atë shumë vonë, pasi kishte mbaruar konkurrimi në Akademi. Gjatë periudhës së internimit, ishte praktikuar në grafikë, me bojë tush. Piktura me ngjyra ka më shumë mundësi interpretimi dhe për ta evituar atë, Leonardi zgjodhi grafikën – tregon babai, Lekë.
Pse? – Sepse komunistët, dinin me të dënuar politikisht edhe me një pikturë, ashtu siç kishin dënuar edhe për një poezi të pashkruar, si rasti i poetit Visar Zhiti. Leonardi u largua nga Shqipëria në vitin 1990, familjarisht. Djaloshi shqiptarë u pranua në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura, dega pikturë, në Bruksel. Pas katër vjetësh diplomohet në këtë degë, fiton dhe çmimin e parë, si studenti më i mirë i diplomuar i atij viti akademik. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016