Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Aleksandër Delia
Aleksandri tregon për familjen e tij, të cilën e internuan, sepse djali i tyre Lin Delia, u largua nga Shqipëria. Ishte viti 1948. Lin Delia në fëmini dhe rini u edukua në Kolegjin Françeskan, në qytetin e lindjes, në Shkodër. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, u vendos sistemi diktatorial komunist, i cili u mohoi çdo të drejtë komuniteteve fetare dhe vendosi mbylljen e të gjithë institucioneve të tyre. Nën këtë trysni politike, Lin Delia, vendosi të arratiset bashkë me shokun e tij të ngushtë, Zef Martini (që më vonë do të quhet Dom Ambroz Martini në Kroaci). E kaluan kufirin shtetëror në fshatin Theth. Pas përpjekjeve në vendet fqinje, ai përfundimisht, në vitin 1950, vendoset në tokën italiane, ku studioi disa akademi dhe më së fundi u vendos në qytetin, që e deshi aq shumë, në Antrodoko.
Në këtë qytet ruhen dhe ekspozohen me dashuri dhe inteligjencë, 150 veprat e mjeshtrit shqiptar dhe çdo centimetër e pikturës së tij, të kujton lëkurën dhe aromën e Shqipërisë, vendlindjes së tij.
Ai pikturoi njeriun e përditshëm të qytetit ku jetoi, ai ka vendosur dhe figurën e popullit nga vinte dhe shpesh here, ai i shihte këta njerëz si figura të shenjtëve biblikë.
Ai është bërë një vlerë e padiskutueshme e artit në Itali. Puna e piktorit Lin Delia, ka thellësinë e vështrimit tek portretet e tij, aftësia për të kapur çdo imtësi dhe të qenurit përjetësisht shqiptar, me gjithë vitet e gjata të qëndrimit jashtë atdheut. Ai nuk e pat të drejtën me ardhë në vendlindje me takue prindërit, motrat e vëllezërit.
Ja si e tregon jetën e familjes Delia, djali Aleksandër, që kur e internuan ishte 13 vjeç. “Erdhi në shtëpi polici i lagjes Gjon Prendushi dhe kryetari i lagjes Pistol Saja, na lajmëruan që të merrnim teshat (rrobat), shtrojat, se ishim të internuar. Ne jetonim pranë kishës së Shën Kollit. Mbas pak orësh erdhi kamioni dhe na morën të gjithë familjen: Mark Delia (babai), Luçije Delia (nëna 45 vjeç) dhe fëmijët: Ndoka (16 vjeç), Aleksandri (13 vjeç), Angjelina (7 vjeç). Na internuan, se vëllai i jem Lin, u largua nga Shqipëria komuniste, për në botën e lirë dhe atje u bë piktor i zoti. Na internuan në Kuçovë. Aty ishim me familje, si të Caje Dërguti me djemtë, Lajde Shllaku me fëmijët, Margerita e Rroku. Aty na mbajtën disa muaj. Flinim në tokë.
Mandej na dërguan në Turan të Tepelenës, komandant ishte toger Bexheti dhe kapter Syrjai. Ishim në internim me familjen e Ali Kacelit (nga Tirana), motra Vjollca, se i kishte ikur djali jashtë shtetit. Gjatë udhëtimit për në Tepelenë u rrëzua kamioni, vdiqën burrë e grua dhe një foshnje e familjes Petrela.
Në Turan ishin kazerma të mëdha, aty flinim të gjithë në tokë, të gjithë të internuarit gra, pleq, vajza, fëmijë. Në gushtin vitit 1949, vinin kamionët të mbushur me mirditorë (mbas vrasjes së Bardhok Bibës, udhëheqësit komunist). Ushqimi bëhej me kazanë, na jepej pak supë dhe një copë bukë. Mirditorët e pësuan shumë keq, ata zverdheshin dhe mbas tre ditësh vdisnin. I kam pa me sytë e mi. I varrosnin ditën, ndërsa në mbrëmje i zhvarrosnin, që t’mos diheshin ku janë varret, me një fjalë zhduknin çdo provë të vdekjeve masive të mirditorëve.
Ngjarja që më ka lanë shumë mbresa ishte një lojë futbolli. Në lojë mori pjesë dhe një djalë i ri, 16 vjeçar, që quhej Muharrem Kaloshi; ishte i gjatë dhe i bëshëm. Gjatë lojës djali i ri u ngatërrua me kapterin dhe ky i ra djalit me shputë, por edhe i riu 16 vjeçar, ia ktheu përgjigjen po me shputë. E morën djalin e ri 16 vjeçar, e dërguan në Gjirokastër, ku e torturuan aq shumë, sa ai mbaroi. E prunë (sollën) të vdekur. Nuk i dihet varri as sot”.
“Po tregoj një episod, – vazhdon Z. Aleksandër (sot 70 vjeçar): – “Në vitin 1949 isha nxënës në klasën e shtatë. Gjuaja zogj (me llastiqe), në fshatin Dukaj, takova një moshatarin tem, më mori në shtëpinë e tij. Në harkun e derës prej guri, ishte gdhendur: “Urdhëroni mysafir në shtëpinë e Abdurrahman Selimit”. Më dhanë me hëngër, zonja e shtëpisë gatoi për mua byrek. Ishin njerëz të mirë.
Vajzat e internuara nuk dëgjuan me punua, se mbajtja e druve, ngarkesa e madhe dhe rruga në mal ishte shumë e lodhshme për to. Ishin Elizabeta Marku, Hedije Repishti, Suzana Topalli e tjera. I dënuan vajzat, i izoluan tek zyrat, i lanë pa ushqim. Unë, – vazhdon tregimin z. Aleksandër – isha shumë i shkathët (rojet më quanin “kuqaloshi i egër ”), tinëz (fshehtas) rojeve hyra dhe u futa bukën, në vendin ku vajzat mbaheshin të izoluar.
Më ndoqi roja, arrita të fshihem, kam qëndruar tre ditë mbi traun e kapanonit, derisa më kapi kapiten Syrjai dhe më dënoi. Një ngjarje e dhimbshme, që e kujtoj përherë ishte: – Na lanë tre ditë pa ushqim, ditën e katërt na sollën groshë. Hëngra aq shumë, se isha tej mase i uritur, sa nuk dija me përcaktue masën, nuk dija ku isha… ma vonë më gjetën të shtrimë në borë.
Ne ishim shumë familje të internueme, si: familja Topalli, nëna Marije, Suzana (18 vjeçare) dhe djemtë 10 dhe 8 vjeçar, familja e Kolë Shylit (se i kishte ikur i vëllai), me gruan Dydë Shyti dhe fëmijët: Zefi (13 vjeç), Leka (16 vjeç), Neta (14 vjeçe), Lajde Shllaku me fëmijët Margerita e Rroku, familja Luka.
Mbas 20 vjetësh jam taku në Shkodër me shokun e klasës së gjashtë të Tepelenës, me Sabaudin Shehun, ishte agronom i lartë…! U përqafuam, ishte njohje nga internimi. Lufta e klasës na ndoqi edhe mbas internimit. Kaluan, vitet, unë u bana berber, motra e ime Zina u martua me Rrok Gjuraj dhe kishte një djalë- Bepin Gjuraj, i cili ishte talent në pikturë, i kishte ngjarë dajës, Lin Delia, që ishte piktor i njohur në Itali.
Djali konkurroi në vitin 1980 për të vazhduar studimet në Institutin e Arteve, por nuk iu dha e drejta e studimit, se ishte nipi i Lin Delisë. Punoi në Ndërmarrjen Artistike dhe punimet e tij ishin të mrekullueshme. E morën ushtar, por jeta e tij u këput që në rini, dora e një roje ferme, e gjuajti me armë dhe e vrau artistin. Djali i ri vdiq në vend. Roja e vrau kot, iu bë autopsia dhe në stomakun e piktorit të ri, nuk u gjet asnjë kokërr rrush, e jo ma një vil rrush, siç pretendonte roja. Roja e vrau kot dhe ma qesharakja, Gjykata Popullore e qytetit të Shkodrës, e dënoi kriminelin, vetëm me tre vjet heqje lirie (sepse ishte i afërt i kastës së kuqe), ndërsa djali i ri ishte i deklasuar”.
Në atdheun tonë vazhdonte diktatura, ndërsa piktori Lin Delia, afirmohej për ditë e më shumë si piktor i talentuar. Antrodoko, ishte vendi që i ngjante më së shumti vendlindjes së piktorit, në muzeun e qytetit “Lin Delija- Carlo Cessi” është rikthimi i Shqipërisë, në pikturën e tij. Kjo e bën atë diplomat të lartë të Shqipërisë dhe anasjelltas, Shqipërinë një vend të njohur.
Sabri Dërguti
Është historia e një djaloshi të ri, të familjes së nderuar Dërguti, që i shkoi rinia në internim. Z. Bush (Sabri) Dërguti, i lindur në Shkodër, në vitin 1930. Babai i tij Hafiz Dërguti (klerik mysliman) u arrestua në 1947, se gjoja ka marrë pjesë në Lëvizjen e Postribës. Pa e dënua, donin vdekjen e tij, tregon Z. Bush. -Në kinema verore u bë gjyqi i tij. Ai nuk pranoi asnjë nga akuzat. E dënuan 101 vjet. I zbriti dënimi në 10 (dhjetë) vjet,të cilat i vuajti në burgun e madh. Asht lutur në burg edhe pse rojet e ndalonin, e poshtëronin, e dënonin me izolim në birucë, dy muaj pa takim, pa ushqim.
E dërguan në burgun e Burrelit. Nuk pranonte intrigat komuniste, që donin t’i ngatërronin me Klerin Katolik. Në vitin 1948, dy djemtë e familjes Dërguti, Hamit e Fejzi (24 e 26 vjeç), nuk trajtoheshin mirë nga komunistët, i dërgonin në punët më të vështira, duke parë që jeta e tyre nuk kishte të ardhur në atdheun e tyre, u larguan, kapërcyen me shumë vështirësi kufirin. Për këtë arsye, kasta e kuqe komuniste, internoi nënën e djemve dhe djalin e vogël të familjes.
Z.Bush, sot një burrë i moshuar, me një kujtesë të shkëlqyer, që vazhdon të punojë, është gjithë kohën në lëvizje, tregon për jetën e tij: “Isha 14 vjeç, kur erdhën komunistët në pushtet, na trajtonin shumë keq, se familja e ime ishte familje fetare dhe babai im, ishte antikomunist. Na internuan në vitin 1948, mua dhe nënën Caje, familjen Marije Topalli me vajzën e saj Suzi dhe fëmijët Ferdi dhe Koleci (10 e 8 vjeçar) dhe Z. Nush Topalli, sepse i iku djali Hil Topalli. Ishim pesë familje bashkë”.
Ai tregon shtegtimet e tija, nëpër kampet e ndryshme të internimit, vuajtjet, lodhjet, torturat… Internimi i parë, – tregon z. Bush – ishte në Berat, aty na mbajtën gjashtë muaj, mandej na dërguan në Turan të Tepelenës, jetonim në çadra, ishim të detyruar të transportonim shtyllat, me i dërgua deri tek lumi i Bençës. Më dërguan në Gramsh, ndërsa nënën Caje, ma lanë në kampin e Tepelenës, mandej në Lozhan të Korçës, çelnim rrugë, ishim bashkë me çamërit. Na ruanin me ushtarë. Toger kishim Lela Godon, i cili i rrihte shumë të internuarit, në veçanti çamërit. Natën na venin me punue, me shkarkue makinat me shtylla hekuri, që i donin për ndërtim ure. Një ushtar ruante një të internuem.
Më dërguan në Porto-Palermo, në mes të Himarës e Sarandës. Kalaja ishte e ndërtueme në kohën e Romakëve, ishte plot biruca, ishte vend torturash (si i tillë ishte përdorun në të gjitha kohërat). Na jepnin vetëm 200 gr. bukë dhe marmelatë, që ishte si tullë, margarinë të prishun (5-6 vjeçare). Aty në Porto-Palermo, kemi qenë 400 (katërqind) të internuem, ku me 5 kg. fasule (groshë) gatuanim në 2-3 kazanë, për të gjithë të internuarit…, një tas lëng me pak kokrra groshë.
Aty ku rrinim, kullonte uji nga tavani prej betoni, uji binte pika-pika dhe jorganët, rrobat, veshjet ishin të laguna. Uji ishte i njelmët. Në Porto – Palermo u verbuan shumë pleq, prej ujit të krypun. Kapteri vazhdimisht na thonte: “Do ju bëjmë të vdisni brenda”. Një ditë, isha i ri, por shumë i mërzitur, i thashë togerit: “Ju hani revani, e ne hamë tulla”! Kapteri më dënoi pse fola, më futi në kishë, që e kishin kthyer në stallë për derra dhe ishte e gjitha me llucë, aty më la 48 orë.
Dërguan për inspektim një ekip oficerësh të Sigurimit të Ushtrisë, që e kryesonte kapiten Emin Bekteshi. I dola përpara (se ai ishte shkodran), unë qava por edhe ai lotoi nga dhimbja.
– Po ti? – m’u drejtua kapiten Bekteshi.
– Më kanë internue se më kanë ikur vëllezërit. Na bëni derman, o na vritni, o na çoni në ndonjë kamp tjetër!
Ky kapiten me ekipin e tij, realizuan largimin e të internuarve nga Porto-Palermo. Këtu komandant ishte Paskal Antoni, ai i tha Bardha Markagjonit: – “Mos mendo se vjen kungull nga deti me të marrë”. Ajo i’u përgjigj: – “Jo, jo e di”. E gjithë jeta e jonë ishte e izolueme. Birucat e kalasë kishin vende si dritare, me hekura. Ne ruheshim me dy motoskafë dhe me shumë roje. Një natë erdhi një barkë italiane me dërrasa, erdhi Sigurimi i rrethit. Në mëngjes nuk u panë as dërrasat, as italianët. Nuk u panë ku i dërguan?!! Na dërguan në Himarë, për me mbledh ullinj. Në vitin 1952-‘53 më dërguan në Tepelenë, ku gjeta nënën e dashur Caje, të lodhun; e kishin trajtue shumë keq, të moshuemen (ishte afër 70 vjetëve), e kishin vu me pasture WC.
Në Tepelenë të gjithë të internuemit nga Dukagjini, shaljanët, mirditorët, i kishin caktua me pre dru, ne të tjerët transportonim nga mali, i zbritnim poshtë, i banim stiva. Na mbikëqyrnin policët me në krye kapterin Selfo. Çdo njeni nga të internuemit (burra e gra) ishin të detyruar me u ngarku me 30-40 dru, për njeri me i dërgu tek zyrtarët, për ngrohjen e qytetit të Tepelenës. Më dërguan në Tiranë, në Laprakë me bë tulla, na kërkonin dy norma në ditë (me i bë natë e ditë pa ndërprerje). Më pas, përsëri në Tepelenë, ishim pesëmbëdhjetë djem, me bë dru për popullin. Ne të gjithë punonim pa pagesë dhe na jepnin vetëm 600 gr. bukë.
Më ka ndodhur që të futesha në WC të shtunën dhe të dielën, për të mos dalun në punë, se nuk isha në gjendje të punoja.
Drejtori Xhaferr Pogaçi e kapter Syrjai, na çuan në Bënçë për dru, aty jetonim vetëm në kasolle (stan), në majë të malit dhe vetëm një herë në javë, kishim të drejtë me zbrit në Tepelenë për t’u pastrue. Të gjithë ishim të mbushur me morra.
Përroin e kishim 500 m larg, ku transportoheshin stivat e druve. Gjatë transportit një shtyllë që peshonte 1 kv. një trup…, u bënte pesëfish nga uji…, duhej t’i pritnim. Vetëm pse bërtita duke lajmëruar Bardh Kupin (që ishte i internuar) se po të vjen shtylla, rrezik se do i binte e do e ziente nën të, roja (kapteri) më rrahu, pse mbrojta shokun. Duke më rrahë, m’u drejtua duke më thanë: – Pse e mbrojte??
Tu pa veten të pamundur me punuar, dëmtova këmbën me kulpër, gjethet e saja i vendosa mbi këmbë, një orë dhe e bana vendin plagë, këmba m’u ënjt (fry). Më morën me mushkë, më dërguan në Tepelenë, nuk më mjekuan as kishin infermier, as një lloj ndihme.
Grupin e të rinjve e dërguan në Çorovodë, Skrapar. Unë, Ferid Daca, Dom Nikollë Mazrrekun, Gjovalin Vasia dhe shumë fshatarë nga Veriu dhe Jugu. Kryetar Dege i Skraparit (Çorovodë) ishte Tomorr Beqari, na vinte hakut, na torturonte në punë. Na kërkonin nga dy norma. Kemi ba ndërtimin e godinës të Punëve të Brendshme dhe Komitetin e Partisë.
Përsëri në Tepelenë, mandej na dërguan në Plug, Savër të Lushnjes, ku ishin të internuemit, të dëbuarit dhe të shpërngulurit. Punë në fermë, kishim kapiten Hysenin. Nuk kishim të drejtë me kalu urën, nuk ishim të pajisur me pasaportë.
Mbas 7 vitesh internim më liruan, atëherë isha bë 25 vjeç. Erdha në Shkodër, zbrita në Parrucë, nuk kam ditë me shkua në shtëpi. E gjeta familjen në mjerim, na ishte shtetëzua çdo gjë, shtëpia, makina, dyqani, tokat, delet…, në një dhomë jetonim shtatë vetë…, shtëpia ishte e zanun me policë.
Në vitin 1979, shtëpia u shemb nga tërmeti. Kemi qëndrua 6 muaj pa shtëpi, si çati ishte qielli. Shtëpisë i ra plani, e nxorëm nënën Caje, tashmë 90 vjeçare, në rrugë të madhe. Nuk na lejohej të mbanim asgjë, gjithmonë na shanin, në veçanti na shanin babën. Kam punuar lloj-lloj punësh. Jeta jonë në komunizëm ka qenë vetëm torturë. Kështu e përfundon tregimin e shtegtimeve të jetës së tij në internim, e pas tij zoti Bush Dërguti. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016