Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Vitore Kalaj
(1926 – 2007)
Se si i shkoi jeta Vitore Kalajt, vetëm një Zot e din. Të gjitha vuajtjet në shkallë sipërore. Për pjesën ma të madhe të jetës së saj. Ato, d.m.th. vuajtjet, i filluan kur duke qenë tri javëshe, i vrasin babën shovinistët malazezë (ajo jetonte në Grudë, nën sundimin e huaj)…!
E ëma me të (kur ajo ishte veç tri javëshe) dhe i vëllai, veç tre vjeç marrin rrugën e shpëtimit, drejt Shkodrës: “Amanet po ta la që fëmijët m’i ço në Shkodër ”, – i kishte thanë i shoqi para vdekjes. Ndonëse të vegjël, ata morën me vete jehonën e qëndresës anti-osmane, para 1912-ës, anti-malazeze, pas saj. Nandor 1944. Një nanë e sëmurë tashmë me dy fëmijë që ishin rritun.
Djalin, për bindjet politike që kishte, komunistët ia dënojnë përjetësisht. Ma vonë, gati përjetësisht – 30 vjet burg. “O Zot, – do të kujtojë Vitorja, – sa s’plasa, një vëlla i vetëm në burg, një nanë të sëmurë në shtëpi”.
Motër shkreta e vajzë shkreta, vetëm do të punonte për t’i mbajt ata. Ç’fat i pamerituar! Vetëm punë të rënda, ku të ishin ma të rëndat. E ku t’i gjente të tjerat? Ashtu, e re, në vend që ta gëzonte jetën që një herë i jepet, e ajo kishte ardhë, Vitorja do ta ndiqte kudo vëllanë e vet të vetëm, shtyllën e shtëpisë, në segmentet e ferrit komunist. Si qindra, si mijëra vajza e gra të tjera, që familjen e kishin të shenjtë: ma shumë në këmbë se në karroceritë e kamionëve, e ngarkuar me strajca të mbushura me ushqime e veshmbathje të siguruar me thonjtë e duarve, me një dëshirë të ligjshme: të takonte e t’ia lehtësonte jetën vëllait, gjakut të saj. Ta ndihmonte me sa fuqi që të kishte. Eh, sa gra e vajza si ajo drejtoheshin për në ato vende..!
Si skllavet e lashtësisë…! Si në mësimin e historisë…! Për të ajo do të jepte edhe jetën e vet. Pa dashtë të kujtohet motra e Gjergj Elez Alisë…! Kështu, në Beden (edhe sa herë do të detyrohemi ta përmendim këtë emër?), në Urën Vajgurore, në Maliq, në Rinas, vende të njohura për ata që lanë atje edhe pjesën më të bukur të jetës së tyre.
Epika e bukur shqiptare njeh binomin Gjergj Elez Alia dhe e motra e vetëmohimin e tyre, që gjithsesi zgjati veç 9 vjet. Vitorja “do t’ia lante varret” vëllait, jo nandë, por disa herë ma shumë. “Në të katër anët e Shqipërisë të jesh, unë do të vij”, – do t’i përgjigjej ajo të vëllait, kur ai një herë i tha: “S’kam mendu se vjen me më pa kush mua kaq larg”! Për Vitoren s’kishte trinom tjetër veçse: vëllai, nana, puna. Me punë, pra të ushqente vëllain në burg dhe nënën e sëmurë në shtrat. A mund të ketë sakrificë tjetër? E cilat qenë këto punë? Në zhugë, në praninë e lagështisë, të sodës kaustike, të ftohtit e të nxehtit ekstrem. (Duro, zemër, duro).
Punë, vetëm punë. Bile punë me cilësi shpikje, racionalizime. Se njeriu trurin e ka për të lehtësuar mundin. Asnjë shpërblim. Asnjë vlerësim. Punën e saj do ta gllabëronin të tjerët. Gjithmonë me sëmundje profesionale: “S’e harroj kurrë, – do të kujtonte – ma vonë ajo,- se si vëllai m’i pa në një rast duart e këmbët e lidhura me fasho. E kuptoi se kisha punuar si burrë, në kositje bari…”! Ai e din se çfarë ndjeu.
Nga puna e rëndë u sëmur. Në këtë gjendje e gjeti i vëllai kur ma në fund u lirua nga burgu. Ai u martua, por nuk shkoi gjatë e vdiq, duke lanë dy jetimë.
Vetë e pamartuara, e pagëzueme, e ja tashti edhe jetimët e vëllait. Halle… halle… halle… “! A je penduar që të ka kaluar jeta kështu”? – e pyetën një herë. E ajo, pa mëdyshje u përgjigj: “Sikur të më ndodhë prapë; do të vazhdoja njashtu për njerëzit e mi, mos me i lanë me vdekë në rrugë… “! Kjo asht Vitore Kalaj.
Katerina Benusi
(1906 – 1988)
Edhe për Katerina Benusin, burimi i të gjithë vuajtjeve familjare qe me ardhjen në fron të Enver Hoxhës me klikën e tij. Nuk qenë vetëm kundërshtarët e tij politikë, që ai eliminoi. Të tillë cilësoi gjithë shtresën e intelektualëve, që shpejt e shpejt mbushën burgjet e Shqipërisë. Nuk shpëtoi as burri i saj, avokati i ndigjuar nga të gjithë, Baltazar Benusi. Ishte viti 1946. Pas një viti në tortura, i shndërruar në invalid të përjetshëm, dënohet si antikomunist me 15 vjet, të cilat i kaloi në Tiranë e Burrel. Ç’pësoi familja me burgimin e tij?
Mbasi u konfiskuan pasurinë e tundshme e të patundshme, i dëbuan nga Tirana. Për të siguruar triskat e ushqimeve dhe të bukës, në moshën 40 vjeçare, u detyrua të provojë punët e rënda sezonale në bujqësi. Nuk arriti me nxjerrë pensionin, sepse gjendja shëndetësore nuk e lejoi që të punonte gjatë. Ma e lodhshme për të ishte kur merrte rrugën e Burrelit (1947- 1954). Dihet se çfarë sakrificash duhej të bënte që t’i çonte ushqime e ilaçe. E sa zor ishte në atë kohë t’i siguroje, por ma të rënda erdhën vitet e tjera (1954-1958), kur të shoqin, direkt nga burgu, ia internuan fshatrave të Lushnjes e të Kurveleshit. Iu desh shumë herë që të bënte edhe nga 8 orë në këmbë, ashtu e ngarkuar, derisa mbërrinte në vend.
S’patën fat ma të mirë as djemtë. Të shkëlqyeshëm në mësime, por pa të drejtë studimi, edhe ata iu nënshtruan punëve të rënda larg shtëpisë: herë në kantieret e hidrocentraleve e herë në tharjen e kënetave. Vazhdimisht të treguar me gisht. “Ç’kishin të tjerët ma shumë se fëmijët e saj”? Këtë pyetje ia bënte vazhdimisht vetes, të cilës i jepte vetë përgjigjen. Kishte plan për burgosje, kishte plan edhe për të drejta studimi. Disa të nënës e disa të njerkës. Ishte lufta e klasave. E kuptonte shumë mirë ajo kohën e tmerrshme që po kalonte vendi. Nuk e përbuzi kurrë punën. Përkundrazi ishte këshilltarja ma e mirë e djemve të saj: të ishin të ndershëm dhe punëtorë të mirë. Ashtu, me mendimin që fëmijët u rritën të tillë, u plak e lumtur. E sëmurë rëndë për shumë vite, vdiq më 1988.
Sofije Baja
( 1900-1979)
Sofije Baja vjen nga ajo pjesë e Bushatllinjve, që u ballafaqua menjëherë me regjimin komunist. Nuk ishte pak, bile ishte tepër që vëllain t’ia pushkatonin e dy të tjerë t’ia dënonin me nga 30 vjet burg. (Ishte njëlloj sikur t’i vrisnin edhe ata). Kështu, shpejt e shpejt, komunistët do t’ia pjesëtonin me dy familjen… Nuk ishte shaka. Për bindje nacionaliste, dënoheshe ma shumë se në kohën e fashizmit..!
Ajo qe e martuar, por pasojat i ndjeu menjëherë. Zhveshja nga pasuria ishte vetëm njëra e keqe (shtetëzimi, taksa, tatime pa fund). Djali i saj mësues në Kelmend, duke mos durua ma gjatë, arratiset.
Pasojat? Kuptohet, se si fillim ishte internimi: i ati me 3 vjet dhe vëllai me një vit: që të dy në Tepelenë. Kështu, Sofija e mbetur vetëm dhe në rrugë të madhe në kuptimin e plotë të fjalës, duhej të mendonte për ta, mandej për vete. Ishte 50 vjeçe. Jo pak për një grua me telashe…!
Punët që do të bënte? Edhe kjo kuptohet: punë për të “deklasuara”. Ajo pati “fatin” që të prodhonte tulla e tjegulla: herë të përgatiste baltën me këmbë, herë në të ashtuquajturin transport i thatë, e herë-herë në të nxehtin përvëlues të grykës së furrës. Nga mëngjesi deri në mbrëmje. Gjithë ditën në këmbë, me barkun gjysëm bosh. E meqë fitimet nuk mjaftonin, natën, kuptohet tinëz, se puna private qe tabu, do të qepte jorganë për nuset që do të nisnin jetën e re: u uronte çifteve një jetë të lumtur, sa herë që në gjylpanë përshkonte atllasin e ri, e nga ana tjetër ofshante për fatin e saj të zi, gjithnjë duke pasë mendjen tek djali që nuk dinte ku e kishte. Ishte gjallë apo jo, që nuk i kishte shkruar, apo Sigurimi ia bllokonte letrat, kush e din. Mandej me mendjen te burri e djali tjetër në internim. Si i kishin hallet vallë? Mos ishin të sëmurë? Se herën tjetër ashtu e kishte gjetur e ashtu i kishte lanë? Mos ishin të uritur? Edhe sa kohë do të qëndronin atje? Kështu natë për natë, duke punua me gjylpanë e pe. Kështu edhe puna bëhej, edhe koha i kalonte ma shpejt.
Por nuk ishte vetëm. Kishte vëllazën, kishte miq, kishte komshi, që nuk ia mungonin ngrohtësinë, nderimin, kujdesin. Edhe ajo po ashtu. Se njihej nga të gjithë për virtytet që kishte. Zemra e saj nuk ishte ngushtua. Ajo qe lodhur, por jo tkurrë. Ishte gjithmonë e madhe dhe e hapur për njerëzit e mirë që e rrethonin. Pavarësisht nga hallet e mëdha.
Burri e djali, pas kthimit nga internimi, iu bashkuan në punët e rënda: i shoqi përkrah saj, kurse i biri në ndërtim. Që të tre në luftë me të vështirën, të rëndën. Me mendje përtej kufirit. Ishin bë 40 vjet që ai kishte ikë e asnjë lajm s’kishte mbërri. Çdo natë Nanë Sofija, me zë të ulët e me gjithë zemër do t’i uronte: “Bafsh natën e mirë, bir, kudo qofsh”.
Vdiq me zemër të plasur për të, por edhe me gëzimin që i dhanë nipat e mbesat, që i mbushën shtëpinë…
Lenë Pjetri
(1936)
Për Lenë Pjetrin, nata e 22 marsit 1964 ishte ma e gjatë se të tjerat, kurse mesi i saj, shënoi kufirin e dy jetëve dhe fillimin e një vuajtjeje te gjatë e të dhimbshme. Ishin breshëritë e automatikëve të ushtarëve të kufirit që e shënuan këtë. Ngjarja u zhville poshtë fshatit Jubicë (Buzë e Ujit), rranxë Liqenit të Shkodrës. Lenë Pjetri, i shoqi e gjashtë fëmijë (ma i vogli 2 javësh) tentuan të arratiseshin, por ndeshën në njësitin e kufitarëve, të cilët harxhojnë gjithë fishekët mbi të shoqin, i cili, megjithatë, arriti t’u ikë. Të inatosur, me bajoneta të mbërthyeme, ata kërcënuan për vdekje Lenën e terrorizuan fëmijët që po lebetiteshin. Fill erdhën hetimet në postën e kufirit, që asaj iu duk se zgjatën një shekull. Kur u muar vesh se ajo me fëmijë do të internoheshin, i shoqi u dorëzua në Degën e Punëve të Brendshme. Gjyqi e dënoi me 10 vjet burg, të cilat i vuajti në Spaç.
Nëse nata e 22 marsit për Lenën ishte e gjatë dhe e dhimbshme, të tjerat që erdhën mbrapa ishin pambarimisht të tilla. Disa mijëra net. Ma të vështira ishin ata, kur fëmijët mblidheshin rrotull e i kërkonin bukë e ajo nuk kishte. Përrallat që u tregonte kurrsesi nuk e zëvendësonin bukën. Përrallat veç i habisnin, por kurrsesi nuk e shuanin urinë vocërrakëve. Fitimet në kooperativë ishin të papërfillshme. Si t’i rrisnin fëmijët? Si t’i ndihmonte burrit? Duhej të përballonte ende presionet psikologjike të pushtetarëve të vegjël komunistë.
Me gjithë ato halle, ajo e ndoqi burrin në burg, duke i dërguar ushqime të siguruar me sakrifica të patregueshme. Kur nisej ishte e detyrueshme me marrë leje nga brigadieri, e ai diku tjetër. Kur kthehej duhej të jepte llogari në organizatën e partisë. Një herë, kur kishin kaluar 5 vjet, komunistët nuk ngurruan t’i thonë, se, pasi i shoqi do të delte nga burgu, atje do të futej ajo, pasi edhe ajo ishte e dënueshme, por nuk ia kishin komunikuar ende.
Tepër ngadalë kaluan vitet. Përmes një fukarallëku të tejskajshëm iu rritën fëmijët me mendjen te baba. Ma në fund ai iu bashkua familjes, por hallet nuk iu ndanë. Tashmë ajo ishte familje e deklasuara e duhej të ballafaqohej me përndjekjen, që edhe ajo nuk iu nda, deri sa diktatura u rrëzua.
Fatbardha Haki Mulleti
Ka lindur me 08/11/1939 në Tiranë. Nga i ati, Haki Mulleti, nëpunës i ndershëm dhe atdhetar trashëgoi dhe u ushqye me ndjenja fisnike. Që në moshën 5 vjeçare provoi persekutimin sllavo-komunist. Babai i burgoset në vitin 1945, ndërsa familja internohet në Kavajë, ku dhe kreu shkollën 7-vjeçare në vitin 1952. Mbaron gjimnazin “28 Nëntori” në vitin 1957 në Shkodër. Më pas punon si arsimtare në fshatrat e Lezhës: Kallmet, Manati, Blinisht dhe në Dajç të Zadrimës. Vazhdoi studimet e larta pa shkëputje nga puna dhe mbaron Institutin Pedagogjik (2-vjeçar) në Tiranë, dega Biologji-Gjeografi-Kimi më 1963-in. Ndërsa më 1970-ën mbaron Universitetin e Tiranës në degën Kimi-Biologji. Në vitin 1975 e largojnë nga arsimi për shkak të “biografisë” dhe sepse nuk pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit. Më vonë punoi si punëtore në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Jeta e shkurtër bashkëshortore (mbasi i shoqi, Kolë Saraçi, vdes në vitin 1990, mbas 8 vjet martese) i dhuroi një djalë, Peterin. Sot është inkuadruar në jetën politike shqiptare si kryetare e Forumit të Gruas së ‘Ballit Kombëtar’, pjesëmarrëse e shoqatës të ish-të Dënuarve dhe të Persekutuarve Politikë si dhe anëtare e Lidhjes Antikomuniste të Gruas Shqiptare (LAGSH). Ka punuar e publikuar në shtypin e kohës artikuj në mbrojtje të bashkëvuajtësve, të nënave e motrave shqiptare dhe do e vazhdojë misionin e saj deri sa t’i punojë mendja dhe dora. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016