Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Zade Muka e Pertefe Mulleti
(1896 – 1965) (1915 – 2000)
Kur qe 60 vjeçe, mbesa e saj me gazin e rinisë së parë, e pat pyet: “Pse nëndaje edhe e plakun, faqet i ke të kuqe dhe je prapë e bukur”?! ajo i qe përgjigj duke qeshë: “- Jam vajzë Ulqini, e rritur me vaj ulliri.” Lindi në Ulqin para një shekulli dhe u martua në Shkodër me Ramazan Mukën. Lindi 18 fëmijë, nga të cilët 6 i jetuan (një djalë e pesë vajza). Ishte grua shtatnaltë, me fytyrë të rrumbullakët. Flokët ngjyrë kafe, i rrethonin si kurorë atë. Familja e saj ishte e mbushur nga gazi i fëmijëve, gaz që u pre me ardhjen e sllavo-komunistëve. Qyteti, në gjendje shtetrrethimi, u mbush nga burgjet, kurse gratë u veshën me të zeza. Në bazë të listave të hartueme me zell, skuadrat partizane ushtronin kontrolle të njëpasnjëshme. Ma mirë me thanë e krehën disa herë qytetin e zymtë.
Në këto kushte, Nana Zade strehoi në shtëpinë e saj nipin e shtëpisë, Sheuqet Mukën dhe dhëndrin e kësaj shtëpie Sali Vuçiternin, që të dy nacionalistë të njohur, veprim ky shumë i rrezikshëm për kohën.
Sa herë trokiste dera e oborrit, të dy burrat i fusnin në strehimin e përgatitur me shumë kujdes, që s’ishte gjë tjetër veç një zgavër në mes të qemerit të shtëpisë (harkut me gurë të derës së poshtme të ahurit dhe dyshemesë së dhomës së pritjes). Mbas këtij veprimi, njëra nga vajzat dilte të hapte derën, ndërsa Nana Zade e vajzat e tjera qëndronin drejt, si të ngurosura, thuajse gatitu, se e dinin që do të hynin policët.
Ishin mësua me këto kontrolle. S’duhej t’u lëvizte asnjë muskul i fytyrës, s’duhej të jepnin asnjë shenjë dobësie; rojet s’duhej të kuptonin gjë, pra. (Të mos harrojmë se qenë vajza shtëpie me moshë nga 20 vjeç e poshtë). Zemra e tyre e dinte se sa rrihte, derisa kontrolli përfundonte. Sa herë net pa gjumë kaluan ato duke bë roje? Sa herë fshehën sendet komprometuese, për dy vjet, (dhjetor 1944-tetor 1946). “Na dridhej zemra, edhe kur lëvizte gjethi i plepit”, – tregonte njëra nga ato. “Kur u vranë Jup Kazazi e Seit Kazazi, të strehuar afër nesh- vazhdon një tjetër- ne u tmerruam, se e dinim që edhe tek ne, do të ndodhte po ashtu”. Në këto momente kritike, Nana Zade e të bijat kishin edhe dhimbjen e djalit të shtëpisë, Zijasë, të cilin komunistët shqiptarë ia dorëzuan atyre jugosllavë. Gjyqi qe bë në Prishtinë dhe e kishte dënua me 7 vjet burg, që i vuajti në burgun e Nishit. Asnjë mundësi me e ndihmua. Asnjë lajm prej tij.
Çdo gjë në shtëpi u grabit. Familjes i mbeti peng sekuestrimi i librave me vlerë e ndër ta koleksioni i “Flamurit” të Arbërit të Jeronim De Radës. E kur, ma në fund, djali do të vinte i lirur, nana e lumnueme, i tha: “Të gjitha gjanat tuaja m’i morën policët, por amanetin tënd, fletoren me vjersha të atij djali kosovar, nana t’i ka ruajt në gjoksin e saj. Vetëm këto, komunistët s’mundën me m’i marrë”. S’e dinte Nana Zade, se ai djalosh, Haki Tahja, qe pushkatue nga serbët, sepse kishte vra Miladin Popoviqin.
Nana Zade, në rininë e saj kishte përjetue vdekjen e tre vëllezërve të saj, si dhe të një motre, por u plagos ma shumë nga vdekja e parakohshme e së mbesës së saj, Sabahet (Donika) Mulletit. Ajo, e ardhur nga Kavaja, ku s’kishte shkollë të mesme, ndiqte Pedagogjiken në Shkodër. Sa herë erdhi ajo në shtëpi me lot në sy se keqtrajtohej nga drejtoria apo të rinjtë komunistë: i kërkonin të mohonte se ishte mbesa e Qazim Mulletit, por ajo pat qëndrua: “Kam qenë, jam e do të jem gjithmonë mbesa e tij”. Nga vuajtjet, u sëmur. Ilaçe për të nuk gjendeshin dhe sapo kishte hyrë në maturë, vdiq. Ishte koha kur kishte fillue me u këndue kënga “Luleborë”. E ajo ishte e tillë.
Vitet kalonin dhe nana e vajzat veç punonin, për të mbajt, tashti në Shqipni, djalin që ishte prapë në burg. Nana Zade kishte dashuri sidomos për nipat e mbesat e shumtë. Mori pranë vetes edhe Bardhën, motrën e Sabahetit.
Dhe ajo nuk kishte mundësi të ndiqte të mesmen në Kavajë, kështu që e kreu pranë gjyshesh së saj. Asaj dhe tezeve, ajo edhe sot i’u asht shumë mirënjohëse për këtë gjest të madh humanitar. Tek priste me padurim lirimin e djalit, më 1965-ën ajo vdiq, me sytë e ngulur në mur, ku varej portreti i tij.
Në sa vajzave që jetonin në Shkodër, fati iu doli vonë (njëra s’u martua), në Tiranë, vajza e madhe e Nanë Zades, Përtefi, ishte martuar në vitin 1932 me Haki Reshit Mulletin, familje e vjetër dhe atdhetare.
Ajo pat 4 vajza dhe një djalë, Tartushin, të sapolindur, kur iu arrestua i shoqi. Në kujtesë e këtyre vajzave ende ka mbet dhe nuk do të shuhet një moment i jetës së tyre. Sigurimi i Shtetit kishte thirr në hetuesi nanën e tyre. Fëmija i vogël 3 muajsh qe lanë në shtëpi. Pse u thoshte gruaja e shkretë: “Më lëshoni, se djali ka kohën për t’u ushqye”, kriminelët e kuq s’kishin gajle. Kur vajzat u kthyen nga shkolla (ma e madhja 12 vjeçe), gjetën vëllanë e tyre duke qa me dënesë. Pranë djepit ishte ngulë qeni i shtëpisë (Luli) që bënte roje. Me të lehurat e tij, ai i udhëhoqi vajzat e mjera, që mbanin foshnjën në krahë, drejt hetuesisë. S’ka penë të përshkruajë skenën që u zhvillue aty; nana në birucë dhe matanë rrugës pesë fëmijë që e prisnin me padurim.
Ndoshta asht e tepërt të kujtojmë grabitjen që iu bë familjes nga procesi i konfiskimit të pasurisë. Përtefit i ra barra e rëndë të mbante familjen. Sa zor që ishte. Çdo herë që shkonte ta takonte burrin në burg do të merrte edhe fëmijët. Mendoni vogëlushin disa muajsh, që përshkonte hekurat e burgut për të përqafuar babën e vet, ose e thanë ndryshe, dy duar që zgjaten nga brenda hekurave dhe tërheqin një foshnje që shikon i habitur një njeri që ende s’e njeh. Dhuratat që i ati u jepte (unaza të punueme me bërthamat e pjeshkave) fëmijët i ruanin si gjanë ma të çmueshme. Pas burgut u internuan në Kavajë. Dy prind të lodhur e të sëmurë, që bënin punë shumë të rënda për të mbajt pesë fëmijët.
Pesë fëmijë, nxënës shkolle që përjetuan skena rrëqethëse, që ua vranë gjumin: u mësuan të shohin atje njerëz të varun në degët e manave, ashtu, me gjuhën e dalë, tek lëkundeshin nga era. Çarçafi i bardhë që i mbulonte dhe pllaka me fjalët e shkrueme shtrembët “armik”. Ose, të pushkatuar, që ua ekspozonin në oborrin e shkollës. Ishte në këmbë terrori i kuq. U rritën dalëngadalë fëmijët. Para se të flinin, nën drejtimin e të atit, do të luteshin: “Zot, na e ruaj vedin nga armiqtë e kombit… na e ruaj nanën e babën, vëllau e motrat, të afërmit e gjithë fisin”.
Vuajtjet e hallet s’kishin të mbaruam. Njëra vajzë (Donika, ose Sabaheti) vdes në Shkodër. Baba thirret disa herë në Degën e Punëve të Brendshme për t’u bë spiun, e meqë ai refuzon, gjendet mënyra (injeksion) në spitalin e Tiranës, për ta eliminuar. Shkruhet, si për të dashtë me groposë një familje, komedia “Prefekti” e njerëzit, jo të gjithë, zgjasin gishtin drejt tyre. Sa në një barakë, në tjetrën. Herë me bukë e herë pa të. Halle pa mbarim. Ma së fundi familja u vendos në Shkodër dhe u rrit në mes të dashurisë e ngrohtësisë të familjes Muka, ku veçohej Nanë Zadja.
Hava Repishti
(1898 – 1980)
Ishte fatkeqësi për të që në moshën 45 vjeçe të mbetej e vejë. Ashtu edhe për 6 fëmijët që mbetën pa babën e tyre, Ibrahim Repishtin, njërin nga promotorët e Lëvizjes Demokratike në periudhën e Pavarësisë. Çfarë do të ndodhte ma vonë?
Tragjedia, në aktin e parë do të kishte arrestimin dhe torturimin çnjerëzor të djalit të madh, Samiut. Këtë nuk do ta “harronin” edhe ta groposnin për së gjalli, për ta detyruar që t’i nënshtrohej diktaturës. Nuk mjaftuan rrobat e gjakosura, që do t’i lante me lot, por edhe do të shqelmohej nga rojet e burgut sa herë edhe ajo vetë. Në fund do të ishte e pranishme në gjyq. Djalin 22 vjeçar do t’ia dënonin me 15 vjet burg. Dëgjoi aty edhe thirrjet histerike të disave që përmendnin litarin. Me zemër të copëtueme, me fëmijët rreth vetes, do të zvarritej në shtëpi. Vuajtja do ta pasonte vuajtjen.
Do të arratisej edhe djali tjetër, Fahriu. Për pjesën e familjes që mbeti, tashmë qe përcaktue internimi që u vuajt për tre vjet në kalanë e Beratit dhe në kampin e Tepelenës. Me sytë e saj, ajo pa se sa jetë njerëzish u këputën si gonxhet e sapoçelura. Përjetoi ngjarje tragjike, që nuk mund të imagjinohen. Sa zane të rinj u mbytën, sa shpirta fisnikë s’jetuen ma. Në Tepelenë, në një kapanon “jetonin” 200 vetë. “Isha e privilegjuar, -do të kujtonte ajo, – se kisha një llambë me vajguri. Kishte nana mirditore, që ma kërkonin atë natën, për të pa nëse i kishin foshnjat e tyre gjallë..! Një nuseje malësore, e bukur si drita, aty i vdiqën të tre fëmijët e saj e ajo mbeti vetëm, qyqe e vetme.”
Më 1953 kthehet në Shkodër dhe “sistemohet” bodrumeve, mbasi çdo gjë tjetër ia kishin konfiskue. Tashti duhej të punonte që të mbijetonte, si dhe të ndihmonte sadopak të birin e burgosur. Me thesin në shpinë, diti ajo se si arriti në dyert e burgut në Urën Vajgurore, ku qe ai. Atë natë dhjetori 1953, ajo s’do ta harronte kurrë, sikurse nuk harron edhe sot i biri, … ndoshta edhe ai roja xhahil, nëse asht gjallë, e që kryente shërbimin atë natë. U la mbas dere për 24 orë rresht. Shiu që binte, natën u kthye në borë. Të nesërmen, të pranishmit, panë se si ishte krijua një shtatore prej akulli: ishte ajo që kishte “përqafuar” thesin me ushqime e plaçka. E kujtuan të vdekur. I thanë djalit: “Nana të asht ngurosë nga të ftohtit”. Mirëpo ajo, mbase nga zemra e saj e ngrohtë, shpëtoi. Arriti ta takojë djalin. Lot mallëngjimi, fjalë shprese, lot, kurajo… Nuk e harroi derisa vdiq.
Pas daljes nga burgu, ai u arratis. E dinte se këtu do të asgjësohej. Pesha e përndjekjes asaj nuk iu nda ma. Sa herë zemra e saj u drithërua nga këto vuajtje, nga mjerimi, nga fukarallëku, por të gjithë, e dinë gjithashtu, se sa dinjitoze ishte e sa krenare për fëmijët që kishte rritë. Shpresoi se një ditë do t’ i takonte. “Edhe fytyrat ua kam harru”, thoshte nganjëherë. Komunizmi zgjati shumë në Shqipni e ajo vdiq me zemrën e plasur pa e realizuar këtë dëshirë të fundit.
Luçije Kurti
(1896 – 1976)
Lindi në Shkup dhe ishte vajza e vetme e Kolë Gjinit prej Shkodre. Martohet në atë qytet me Zef Palokë Kurtin, që ishte djali i drejtuesit të bandës së parë muzikore të Shkodrës e që shërbente si mësues i Gjuhës Shqipe. Kjo ndodhi më 1915. Mbas dy vjetësh, për aktivitetin e tij atdhetar, ky i fundit internohet në Austri, tue lanë vetëm gruan e djalin e parë, Ninon. Pas kthimit të tij, ajo u bë edhe nana e Biçes, Kolës, e Palokës.
Kishte fillu Lufta II-të Botërore. Një nga nacionalistët më të shquar të asaj kohe, ishte kunati i saj, Lec Kurti, që drejtonte organizatën e ‘Ballit Kombëtar’ në Shkodër. Të kësaj rryme qenë edhe djemtë e Luçijes, të cilët edhe ndihmuan në arratisjen e Mithat Frashërit. Këtu fillojnë edhe telashet për Luçijen; i biri, Kola, për pak i vdes nga tifoja e morrit më 1945 dhe qe kujdesi i saj që e shpëtoi. Një vit ma vonë i arrestojnë djalin e madh, Ninon, të cilin ia dënojnë me 30 vjet (dënim që i ulet në 15 vjet), për t’i vuajt në burgun e Burrelit. Po atë vit, mbas Lëvizjes së Postribës (1946) ia arrestojnë edhe Kolën, i cili pas dënimit prej 10 vjetësh, që e kreu duke punue në Beden, Lekaj e Çengelaj, u dënua edhe me 7 vjet internim në Çervin, Levan e Shtyllas. Ndërkohë, djalin e vogël, Palokën, ia dërguan ushtar në repartet e punës, që u përngjisnin shumë burgjeve a kampeve të punës. Për Sigurimin e Shtetit shqiptar kjo nuk mjaftonte. Më 1951-in i arrestojnë edhe Biçen, sepse ajo, në votimet e kryeme, kishte hedhur kokrrën në kutinë bosh (d.m.th. në atë antikomuniste). Mbas 6 muajsh hetuesi, u dënua me 2 vjet me kusht, kurse të shoqin me 12 vjet burg. Një familje e tanë në burg. 48 vjet për njerëz të nderuar, të kulturuar e mbi të gjitha, të pafajshëm. “Faji” i tyre i vetëm ishte se menduan në kokën e tyre e jo me klishenë e ofruar nga komunistët.
Kush do të kujdesej për ta përveçse prindit? Në kushtet kur i shoqi qe i sëmurë me zemër, e gjithë barra ra mbi Nanë Luçijen. Ku të shpërndahej ma parë? Në shtëpi, për t’i shërbye burrit të sëmurë, apo fëmijëve që qenë shpërnda në burgjet e zeza? Ma shumë rrugësh se në shtëpi. Sa te njëri djalë, te tjetri. Më 1952, kur i vdiq burri, ajo nuk u ndodh në shtëpi dhe arriti vetëm në momentin e varrimit. Si për të gjitha ato gra që u ra barra e rëndë e kujdesjes për njerëzit e zemrës, që përpëliteshin nëpër burgje, edhe ajo sakrifikoi gjithçka në dobi të tyre. Shiti çdo gjë, u lodh e u këput, por bijve të vet, përveç ushqimeve, për të cilat ata kishin nevojë, u çoi atë ç’ka ata kishin ma shumë nevojë, dashurinë e saj pakufi.
Nuk qe e thanë se me lirimin e djemve, të binte në qetësi. Nipi i saj, Ndoka, që në popull për të flitej veç mirë, pasi pushohet nga puna, kuptohet për shkaqe të biografisë, vdes në moshë të re. Vdiq mandej shpejt edhe vetë. Edhe kur diktatura ishte në grahmat e fundit, për pjesëmarrje në demonstratën e 14 janarit 1991, keqtrajtohen nga sigurimsat edhe nusja e të birit e mbesa. Fatmirësisht, ajo vetë nuk i përjetoi këto çaste, këto vuajtje të fundit të filizave të trungut të saj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016