Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e pestë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Nafije Stërmasi
(1920 – 1983 )
Si shumë gra të tjera që u rritën dhe u edukuan me frymën e atdhedashurisë, edhe Nafije Stërmasi, me jetën e saj sfidoi komunizmin.
E lindur në Shkodër, u martue në Tiranë në një familje që kishte kontribue në shpalljen e pavarësisë së Shqipnisë. Mbështetun në këtë truall, i shoqi kishte mbarue Akademinë Ushtarake dhe shërbeu në Ushtrinë shqiptare deri më 1939. Pas pushtimit fashist të vendit, shtëpia e tyre u bë bazë e rëndësishme nacionaliste (nga aty ‘Balli Kombëtar’ lidhej me të gjitha qytetet). Ai vetë drejtonte rininë e kësaj organizate të kryeqytetit.
Gjatë Luftës, komunistët i bënë tri herë atentat. Kuptohet se mbas saj u kërkua me qiri. “Nuk do të iki jashtë, se s’kam bë gjë”, – tha, kur i sugjeruan mërgimin. Ishte kjo grua 24 vjeçare, që fshehu babën e tre fëmijëve të vegjël. Përballoi vetë torturat e presionet psikologjike, që iu banë nga organet e diktaturës. Fëmijën e vogël e kishte 6 muajsh. Ajo kërkonte që të shkonte në shtëpi që ta ushqente. “Ju keni qumësht armiku”, – i thosh hetuesi dhe s’e lejonte. Mund të konceptohet kjo? Pas dy muajsh, me të tre fëmijët e internojnë në Berat, ku mbijetesa ishte e vështirë, pale jeta. Gjatë kësaj kohe, i shoqi kapet dhe pushkatohet. E shkreta grua! Mundi të marrë disa ditë leje dhe me ndihmën e një fshatari, mori vesh se ku ishte varri i të shoqit. Gërmoi. Kufomën e gjeti përmbys. E ktheu për së mbari, preu një tufë flokësh (që edhe sot ruhet nga fëmijët si kujtimi ma i shtrenjtë) dhe e rivarrosi. Mbi një gur gërvisht emrin e tij, të cilin e maskoi. Mandej u betue: “Do ta mbaj besën që të kam dhanë, si i ka hije familjes tënde e familjes teme. Fëmijët do të t’i rris!”
Mbasi kthehet nga internimi, çdo gjë ishte konfiskue. Si grua e fortë e kurajoze, punoi aty ku gjeti: punëtore llaçi në Ndërmarrjen e Ndërtimit, në hapje gropash, në mbjellje pemësh, ne hapje toke të re, ani se ishte punë për burra. Madje me pikësynimin që të bënte një normë e gjysëm në ditë: duhej të siguronte triskat e ushqimit, kishte tre fëmijë dhe vjehrrën. Burrë përmbi burrat, derisa doli në pension. Atëherë ishte 55 vjeçe; ishte ‘hëngër’ me punën ‘dhëmb për dhëmb’, për 30 vjet. Jo pak.
Ngjarja që i mbeti në kujtesë asaj dhe familjes ishte një natë marsi e vitit 1963. Fshatari, i cili më 1946 i kishte tregue vend-varrimin e të shoqit, i tregoi se aty do të punonte traktori. Atë natë, me djemtë, të cilëve u tregoi rrugës, shkoi në vend, zbuloi varrin dhe mblodhi eshtrat e të shoqit. Mandej, mbasi erdhën në shtëpi, i varrosën në oborr. “Mos diskutoni me kënd’, – i porositi djemtë, – ‘se e paguani me kokë”. Porosia e saj e fundit ishte: “Kur të vdes, të na varrosni bashkë”.
Kaluan vitet. Më 1983 ajo vdiq. Djemtë ia plotësuan amanetin. Në arkivol, krahas trupit të saj, fshehurazi, vendosën edhe eshtrat e të shoqit. Në varrin e tyre skalitën: Nafije e Reshat STËRMASI, sfiduan vigjilencën revolucionare të diktaturës.
Luçie Saraçi
(1908-1995)
Asht e vështirë me përshkrue vuajtjet e përndjekjet e gjithfarshme që pësoi Luçije Saraçi e dy fëmijët saj: në fillim dy kunetër të pushkatuem, dy të afërm të burgosur. Nuk vonoi shumë dhe i burgosin edhe burrin, Ludovikun, por për mungesë provash lirohet, por duke qenë vazhdimisht i survejuem. Në këto rrethana, ai ilegalizohet në Bjeshkët e Kaçinarit (Mirditë). Atëherë provon ajo arrestimin, tue lanë në shtëpi, në mëshirë të fatit, dy djemtë e saj (njeni 9 vjeç e tjetri veç 1). Pas një viti lirohet, por pa kalue java (27 dhjetor 1946), një kamion, që kishte grumbullue edhe të tjerë, merr me vete edhe këtë familje fatkeqe, duke e dërgue në internim. Në fillim në Berat. Prapë ishte fillimi. Arrestohet atje: nëpërmjet torturash kërkonin prej saj të mohonte të shoqin, që vazhdonte qëndresën antikomuniste në malet e Mirditës, por ajo nuk thyhet. Vazhdon internimi në Kuçovë: punë e rëndë e pa shpërblim, ushqim i keq me erë vajguri. Edhe uji atë shije kishte, ndonëse kishte ujë të pijshëm, por që s’ishte për të internuarit.
Faza e tretë e internimit është Shijaku. Prapë, krahas të tjerëve, bani punën e rëndë edhe për burrat, atë të shtrimit me çakull të rrugës Shijak-Durrës. Edhe këtu pa pagesë. Mandej në Valias të Tiranës, kësaj radhe në sektorin e bujqësisë, me fëmijët nëpër këmbë, që filluan të rritin shtatin në ato kondita, ashtu me barkun bosh e nën vështrimin e egër të rojeve e nën atë keq ardhës të të përndjekurve të tjerë. “Ç’i rrit çilimitë”?- pyeste poeti para një gjysëm shekulli. “Dashuri e nënës e përkëdhelitë”,- ishte prapë përgjigjja e tij. E kishte të drejtë. Ashtu u rritën ata.
Kështu deri më 1948, kur i shoqi vritet në përpjekje me Sigurimin e Shtetit. U duk se hallet mbaruan. Por jo. Edhe pse u lirua, shtëpia e saj në Shkodër, që e kishte lanë të mobilueme, nuk ishte ma e saja: çdo gjë ishte grabitë. Persekutimi vazhdoi në çdo hap. Për të ushqye fëmijët provoi disa punë (herë në rrobaqepësi, herë në Spital, e herë në Ndërmarrjen e Farnave). Vazhdimisht qe në krye të listës për t’u pushue nga puna. Ma në fund zuri vend në Ndërmarrjen e Fidanishtes pyjore, punë e rëndë që bëhej në natyrë, në kushte atmosferike të të katër stinëve të vitit, ku edhe doli në pension.
Asgjë nuk ishin për të të gjitha llojet e punëve sfilitëse që provoi. Ajo vuante më shumë, kur shihte se si fëmijët fare të njomë, u përballën me punën, në vend që të ndiqnin shkollën. Ajo e dinte këtë gja, prandaj që herët u kultivoi dëshirën për studim, ashtu në mënyrë autodidakte: pse pak njerëz ishin ba të mëdhenj duke studiue vetë? E fëmijët nuk e zhgënjyen: ata u banë mjeshtra në punën e tyre. Tradita e vjetër intelektuale e familjes dhe e rrethit familjar nuk u ça.
Luçije Saraçi jetoi gjatë. Gjithnjë me dinjitet. Provoi ma në fund edhe demokracinë për të cilën edhe kishte luftue. Ditën që po kujtonte plot 49 vjetorin e internimit të saj të parë (27 dhjetor 1949), mbylli sytë përgjithmonë, duke lanë mbrapa jehonën e veprës së një gruaje heroike.
Adile e Qeuthere Meta
(1897-1954), (1911-1995)
Viti 1960. Rojës së varrezës po i bënte përshtypje një njeri që sillej mes varreve. I afrohet dhe e pyet:
– Çfarë kërkoni natën në këtë vend?
– Po përpiqem me gjetë varrin e nanës, – qe përgjigjja.
Roja i çuditun e pyet prapë:
– Djali burrë e mos me e ditë se ku asht varri i i nanës?
Vetëm kur vizitori e sqaroi se po vinte nga Burgu u Burrelit, ku kishte ndejnë 15 vjet, e se sapo kishte marrë vesh për vdekjen e nanës, vetëm atëherë roja u kujtue për atë nanë, që komunizmi e kishte lanë pa të tre djemtë e vet.
Ky kishte qenë fundi tragjik i Nanë Adiles: kishte vdekë e djemve, shokët e burgut, për të mos i mërzitë, nuk u kishin tregue.
Tre djem kishte lindë, rritë e edukue kjo nanë. Që të tre u bane nacionalistë të vendosun: edhe antifashistë, edhe antikomunistë; vetëm shqiptarë në shërbim të çështjes kombëtare. Për këtë, edhe ranë në duar të Sigurimit, i cili mbasi i torturoi dhe u dha dënime nga ma të rëndat, i degdisi në kampet e shfarosjes.
Nana mbeti vetëm. I morën edhe shtëpinë e pasurinë. I lanë në “pronësi” një copë ahur gjithë lagështinë dy metër të gjatë e një metër e gjysmë të gjanë, një rrëgostë, një shilte, një jorgan e vetëm një enë për gatim. Kaq. Asgjë ma shumë. Si mund të jetohej? Me se? Të mendonte për vete, apo për djemtë? Të qante hallin e saj apo të tyre? Po pse njerëzit u rralluan? Pyetje pa mbarim. Vetëm pyetje, që po e zhbironin trunin e stërlodhun. E shkreta ajo!
Ajo nuk mori vesh se një djalë i kishte vdekë nga uria dhe ia kishin varrosë buzë kanalit ku punonte. Nuk dinte gjithashtu se dy të tjerët po dergjeshin burgjeve te tmerrshëm, duke pritë çdo ditë vdekjen, pa e ditë ata vetë, se nana e tyre po mbyllte sytë përgjithmonë pa pasë asnjeri prej loçkave të zemrës pranë…! Vdiq me mendjen tek ata, duke u urue nga thellësia e shpirtit jetë të gjatë.
Ndërkohë tragjedia vazhdonte të luhej tek kunata e saj, Qeutherja. Edhe asaj, regjimi komunist, i kishte burgosë dy djem. Mandej e kishte shpronësue, duke i lanë si mundësi jete punën në bujqësi. Ajo e pranoi sfidën. Punoi me mendimin që të siguronte sa ma shumë të ardhura, në mënyrë që të mbante djemtë burgjeve. Me pagën qesharake duhej të mbante edhe fëmijët e tjerë. Punoi derisa doli në pension. Të gjitha detyrat amtare i kreu me sa mundi. Në këtë mënyrë, ajo sfidoi diktaturën. Ajo pati fatin që t’i shihte djemtë e saj jashtë burgut. Pati fatin që s’e pat Adilja. Ajo iu gëzua ardhjes së demokracisë e kështu vdiq e lehtësueme.
Feride Domnori
(1903 – 1987)
Për Feride Domnorin lotët filluan herët. Njeri mbas tjetrit i vdiqën tre djem. Në një farë mënyre plaga iu mbyll, kur pa se djali i katërt po rritej i shëndetshëm. (“Zot, na ruaj dritën e syrit”). Djali u rrit, ai qe i sjellshëm dhe i respektuem nga të gjithë. Si i ati, edhe ai formoi qe herët bindje nacionaliste. Mirëpo komunizmi u vendos në Shqipni. Në Has të Krumës, ku qe mësues, jetoi me hallet e popullit.
Arratiset, por Sigurimi e shtie në dorë. U dënua me 20 vjet burg. “Drita e vetme e syve” të tyre, iu bashkua mijëra të tjerëve në gulagët shqiptarë. Në punë të rënda, të vështira e me rrezik jete: në Kënetën e Thumanës, në veshjen e brendshme të oxhaqeve dhjetëra metra të naltë të uzinave, në Laç e Elbasan, në galeritë e minierave (Rubik), në ndërtim, etj.
Nana e mjerë dhe motra e pafat gjithkund mbas tij. Sa në një burg, në tjetrin. Gjithmonë të ngarkueme: strajcat të mbushura me ushqime, me dashuri, me dhimbje. Shkonin me shpresë se do ta gjenin mirë me shëndet. Secila në mendimet e veta. Tepër të përqendrueme. Mendime… mendime… mendime… gjithfarë pyetjesh… gjithfarë dëshirash. (“A thua do të jetë ma mirë se herën tjetër”? “A thua do të përfitojë nga ndonjë amnisti”? “Kujt i ka bë keq ky djalë që vuan kështu”? “Kujt i ka bë keq ky vëlla”? “Pse t’i shkojë jeta burgjeve”?). Sa herë që do të tundeshin majë kamionëve, veç këto mendime. Deri sa arrinin tek portat e hekurta, që hapeshin me atë zhurmën e lemerishme, që nuk do t’i hiqej nga mendja për një kohë të gjatë kur ktheheshin.
Një herë nuk e gjetën. Puna e rëndë, natyra e ndjeshme dhe presionet psikologjike pa mbarim e sëmurën rëndë. Në fillim e kishin përplasë në infermieri. Mandej presioni i të burgosurve të tjerë kishte detyrue autoritetet e burgut ta shtronin në spitalin e Tiranës. Me një frymë e gjetën atje. Si ishte bë i shkreti i nanës… sa ishte dobësue…! Mezi e njohën. I shkopsit pullat e këmishës, futë kokën në krahnorin e tij, i merr erë, e puth, e shtrëngon me ato fuqi që i kanë shterrue edhe asaj.
E shtrëngon motra, i lëmon duart, e përkëdhelin si një fëmijë. Lot nuk kishte: ata kishin ngri (“A thua po na del gjallë prej këtu”?) Ishte pyetja-çekiç, që nuk iu nda gjatë gjithë kohës. Derisa i shkëputi nga këto mendime të zeza veç ndërhyrja e policit. (Si paskan hy këto këtu?) Me zemra të vrame, largohen ngadalë-ngadalë. Dyke kthye kokën herë mbas here. Ashtu derisa ndërtesa e spitalit u zhduk. Prapë të heshtura. Të dyja me të njëjtin mendim të zi, por që nuk ja thanë njena-tjetrës.
E lajmi që pritnin i gjeti të ngrime, të shtanguna. S’u mbeti veç të ngushëllonin njena-tjetrën. Sikur nuk kishin ma forca për kurrgjë. Mandej u zhgrehën në lot. Ku ta qanin? Varri nuk dihej. Mandej u ndigjue vetëm një e qame. Kishte vdekun edhe nana Feride. Mbas shumë përpjekjesh, motra Nexhi, i gjeti varrin vëllaut të vet. Tashti ka ku të shfrejë. E sa herë kthehet prej atje, përmes ofshamash do të thotë: “Mos e provoftë kush këtë që provuam ne”.
Vitore Ashta e Marije Kurti
(1916 – 1994) (1915 – 1998)
Dy motra. “Dy qershia lidhë n’nji rrfanë”, veç jo në lajtmotivin e poetit të madh, që gdhendi këtë varg. Janë dy motra, që provuan gati si kërkush kalvarin komunist. Të dyja së bashku, gjithë kohën, në luftë me jetën, duke punue për të lehtësue vuajtjet e vëllait, burrit, djalit, nipit, që treteshin burgjeve. Ato patën një vëlla, Zef Cin Ashtën, që edhe pse qe antifashist, edhe pse qe përlesh me ta, u dënue tri herë nga komunistët, derisa vdiq në burg më 1979.
Edhe pse Shqipnisë i duheshin shumë mësuesit, Vitorja, e diplomueme në këtë fushë, pushohet nga puna, sepse i vëllai qe cilësua armik. Për të jetua, punoi në punët më të rënda të kohës: në prodhimin e rrgostave, në praninë e lagështinës dhe në përpunimin e duhanit, në praninë e helmeve. Ku të shkonte tjetër? Domosdo që nuk mund të gjente punë tjetër, as Marija: në malin e Kakarriqit për të mbledhë sherbelë, e në Kodrat e Tepes për hapjen e gropave!
Ç’randësi kishte se ajo kishte fëmijë të vegjël? Ç’randësi kishte që sa herë kishte shkurtime në forcën punëtore, ajo ishte në krye të listës? O ironi e fatit…!
Të dyja këto, të dënueme padrejtësisht, e ndoqën kudo të vëllain, në skëterrën komuniste. Në zemrën e saj: sa në Maliq e në Orman-Pojan të Korçës, sa në Beden të Kavajës, sa në burg të Burrelit, e së fundit edhe në Spaç të Mirditës. Në vende ku njeriu hynte, e vështirë të dilte. Edhe nëse dilte, nuk do të ishte ai që kishte qenë. E ai nuk doli…!
Një herë në muaj, aq sa lejonte rregullorja e burgjeve, aq sa lejonte ligji, të dyja, të ngarkueme me strajca, të mbushura me halle, ma shumë në këmbë se në makina, sepse shoferët, nga frika, nuk i merrnin në mjetet që drejtonin, drejtoheshin drejt këtyre rrathëve të ferrit, për të pa të dashtunit e tyre, për t’ia lehtësue sadopak vuajtjet. Nuk mjaftoi kjo. Burrin e Marijes, si kunat i një “armiku”, ia vrasin pa gjyq. “Alibia” qe gjetë: ishte rrëzue e kishte gjetë vdekjen. Por ma vonë ishin gjetë eshtrat, kafka kishte vrima që i bënin vetëm plumbat.
As kjo nuk mjaftoi. Djali i saj i madh bën 19 vjet burg (nga të cilat 8 i shtohen gjatë kryemjes së dënimit). “Një djalë me një babë kriminel e me dajën armik, s’ka se si të jetë i mirë”- kishte thanë prokurori në gjyq. Aty ku një vit ma pare (1979) daja kishte dalë i vdekur, në Spaç, pra, do të hynte i nipi.
Nanë Marija do të shkonte prapë. Tashti për të birin. Shpesh me vajzën e vogël 10 vjeçe, Lindën, që kërkonte të shihte të vëllain.
Kështu, deri më 1990, kur vetëm proceset demokratike që sapo kishin nisë, e nxorën nga ai vend.
Fetije Vuçiterni
(1910 – 1999)
Një moment i jetës së saj, ndoshta asht ma tragjiku, se i shumë grave e vajzave, që përshkruhen në këtë libër. U lind në Shkodër në fillim të shekullit tonë dhe u martue me Sali Vuçiternin, i cili gjatë sundimit të Mbretit Zogu I-rë, mori pjesë në kabinetin e krijuam prej tij. Ishin lidhë kështu dy familje me bindje nacionaliste zogiste.
Sigurisht, si erdhën kohët në vitet ‘40, qetësia e kësaj familjeje do të prishej; Sali Vuçiterni u dënua nga komunistët me burgim të përjetshëm. (Për komunistët shqiptarë, Kosova nuk i takonte Shqipnisë.) Pasojat e tjera erdhën rradhë-rradhë. Pasoja klishe: konfiskim i pasurisë, punë të rënda, mungesa e të drejtave ma elementare, përbuzje, diskreditim publik. Gjithfarë pasojash. Kush arrin t’i rreshtojë të gjitha?
Nga Tirana erdhi e u vendos në Shkodër. Me ato halle që dihen. Muaj për muaj, e ngarkueme drejt Burrelit. Për të pa burrin. Për të pa vëllaun, Sheuqetin, në shtëpinë e të cilit jetonte. I duhej të flinte shpesh herë jashtë. Edhe në një rast kur i hapi derën një familje, të nesërmen, i zoti i shtëpisë u thirr në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit, ku i thanë…! Dihet tashmë. “Dita ma e vështirë e jetës teme – tregon ajo – asht kur në vjetin 1949, mora një letër nga djali i vetëm, Nazimi, i cili na njoftonte se kishte mbarue shkëlqyeshëm Universitetin e Romës.
Me një frymë shkova në Burrel dhe i tregova burrit. Ai u gëzua shumë dhe hyni brenda t’u tregonte shokëve dhe t’i qeraste ata me karamele. Prita jashtë, s’vonoi e më njoftuen se burri kishte vdekë. Ishte lajmi ma i gëzuem në jetën e tij. Zemra i qe dobësue aq shumë sa nuk i përballoi emocionet e natyrshme. Ma nxorën të vdekunin mbas murit të burgut dhe e hodhën.
Asht rasti i vetëm në historinë e burgjeve të Shqipnisë, që një kufomë i dorëzohej familjes. Mbeta e vetme me një të vdekun përpara. Erdhi Dije Boriçi, e cila kishte edhe ajo burrin në burg, e më ndihmoi. E mbështollëm, e lidhëm dhe me mundime e vendosëm në karrocerinë e një makine të ngarkueme me gëlqere. Zemra më copëtohej, kur mendoja se ai meritonte një vdekje e një vorrim të nderuem. Por vuejtjet e mija vazhduen edhe ma vonë. Deri më 1965 u kujdesa për vëllaun që vazhdonte të mbetej në burg. U mësova rrugën për atje edhe fëmijëve të tij, të cilët, gjithmonë shkuen me dëshirë, pa pritesë e me dashuni për me pa babën e tyne.”
Sot ajo asht 86 vjeçe. Kujtesa e saj fenomenale, asht burim i pashtershëm për të pasqyrue ferrin komunist të pesë dekadave të fundit.
Ajo jeton me një shpresë të vetme: të shohë djalin e saj të vetëm, të cilin ka 52 vite pa e pa. A asht gjallë? Ajo s’e din, sepse nga letra e vitit 1949, që shkaktoi vdekjen e të shoqit, ajo nuk mori ma asnjë lajm. Pret…!
Ndoshta kjo shpresë e mban ende gjallë…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016