Dashnor Kaloçi
Pjesa e nëntë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vullneti”, lidhur bisedat që ai kishte bërë me Liri Gegën
Tiranë, më 29.12.1955 Dhënë nga B.p. “Vullneti”
Marrë nga P.Op. Halim Xhelo
I N F O R M A C I O N
Kuptova një gjë, se ‘Xhafer Vokshi, duhet t’i ketë folur pasi kishte lexuar fjalimin e Titos, ose artikuj të shtypit jugosllav, pasi disa herë më përmendi se këto gjëra i ka lexuar në shtypin tonë’, pastaj kaloi muhabeti rreth Xhafer Vokshit. Pasi e lavdëroi mirë këtë si “patriot të ndershëm”, tha: “Daliut i erdhi keq se në fillim e shava Xhaferin, e bëra leckë, për qëndrimet e tij të dobëta. Por Xhaferit, aspak s’i erdhi keq, përkundrazi, më lavdëroi duke më thënë se; aq drejt, kurrkush nuk mund t’i fliste”!
Kur i thashë se; ti Xhafer bën mirë të shkosh dhe atje në vend t’ja lësh Partisë Komuniste Jugosllave dhe jo të sillesh këtu, nga njëra anë bëhesh kandidat partie dhe nga ana tjetër ushqen këto sentimente për këta, ai m’u përgjigj: “Liri, unë këtë gjë e kam menduar vetë, pa ma kujtuar kurrkush, veçse pres që të dalin nga burgu të gjithë ata persona, të cilët për shkakun tim, gjenden brenda. Kam marrë vesh se një pjesë prej tyre janë liruar. Sa të marr vesh se do të dalin dhe të tjerët, menjëherë do të kërkoj të shkoj dhe të marr dënimin e merituar”.
Xhafer Vokshi u kish treguar të gjitha raportet e tij që ka patur me pushtetin tonë, mbi çështje sekrete shtetërore. Se qysh ishte ftohur me ne, për shkak të qëndrimit të tij për disa kuadro emigrantësh (kolonelë, të cilët i futën në burg). “S’kisha me kë të këshillohesha, – kish thënë Xhaferi – të vija tek ju, mendoja se nuk donit për shkak të kompromentimit”.
“E ke patur kot’ – ish përgjigjur Lirija – ‘mund të kishe ardhur kurdoherë të këshilloheshe me ne. Pastaj kishin rënë dakord se akulli duhet thyer. E vërteta rreth Jugosllavisë, duhet thënë gjithkund. Nuk duhet pasur frikë, se sa më shumë t’u frikësohesh, aq më shumë ta vënë këmbën në zverk”. Prandaj Xhaferi ka filluar të vizitojë të gjithë miqtë e tij dhe t’ju flasë lirisht. Paska qenë te Hulusi Spahiu, etj., ky (?) i paska thënë; pse rin me Petro Bullatin, Xhaferi i qenka përgjigjur: “Rri me të, se ai ka qenë që më ka hapur birucën në burg”.
Kishin biseduar me Lirinë, se është një gabim që lejojnë të afrohen në Legatë njerëz të dënuar, posaçërisht si: Dashnor Mamaqi me të shoqen, Dhora Leka, etj. Duhet të afrohemi neve. Lirija me tha se; ajo s’ka ç’ti bëjë Daliut, se të jetë për të, e thyen akullin menjëherë. E pyeta Lirinë, nëse Xhafer Vokshi, bisedoj kështu në prezencë të Daliut? “Pse’ – m’u përgjigj Lirija, – ‘mos do të ndahet Daliu veç”?!
Pastaj Lirija më tregoi se bashkë me Dalinë, kishin qenë për Pashkë tek Ollga Frashëri, atje kishin takuar me të shoqen e një koloneli, i cili është në burg në Jugosllavi, ajo fliste me admirim për Jugosllavinë, fliste sa mirë e prisnin në Legatë. Daliu kishte qenë dakord që ajo t’i thosh Rexhepit, për një korse për dhjamin e Lirisë, por Lirija kishte thënë; të presim njëherë, se mund të ma çoj vëllai i një shoqeje”.
Një nxënëse e Shkollës Pedagogjike e quajtur Zora, i kish thënë se; Rexhepi e njeh dhe e lavdëron shumë Liri Gegën etj…”!
Ajo e kishte pyetur se çmendon për Petro Markon, Lirija e kishte cilësuar “aventurier politik”.
Lirija është e mendimit se; Shyqëri Bulica është spiun i Sigurimit. Kish biseduar këtë gjë edhe me Xhafer Vokshin. Për këta persona që u afrohen jugosllavëve me qëllim, duhet të shokohem.
“Për të njohur karakterin e njerëzve – shton Lirija, – shihu qëndrimin që kanë pasur në Luftë. Shyqëri Bulica qe gati të përjashtohej nga Partia, për kompromisin me Xhafer Devën, edhe tani hidhet në poshtërsi, por nuk i shkon se fillon demaskimi në opinion”.
Nga fundi, përsëri Lirija u hodh tek Tuk Jakova. “Të paktën, ai e bëri publikisht, u morr vesh, kurse neve, na luftuan me fjalë nën dhe. Mua më larguan nga kuadri se e dinin influencën që unë ushtroja mbi të, pastaj më larguan nga Partija, pasi anëtarët e Partisë, kishin besim tek unë, më në fund më larguan dhe nga influenca mbi rininë, na paralizuan. Ku ta kishim thënë dhe ne mendimin tonë hapur, pastaj le të merrni çfarë masash të donin kundra nesh!
Por megjithatë, s’duhet heshtur. Mendimi rreth së vërtetës, ka filluar të piqet. Në këtë bindje, kam arritur tani që kam pasur rast të bisedoj me nja katër kuadro të shëndoshë të Luftës”. Kur i thashë se; të gjitha këto për Mehmetin bëheshin, ajo m’u përgjigj: “Për Mehmetin dhe për Liri Belishovën, se këta të dy u ngritën mbi trockizmin”.
Patsaj Lirija më tregoi “poshtërsinë” që kish treguar Liri Belishova, kur e kish marrë në pyetje Mitën e Tuk Jakovës, herën e parë, mbi qëndrimin e dobët të Mitës, që u gënjye nga fjalët e bukura herën e parë dhe mbi qëndrimin e mirë që mbajti herën e dytë, por pa dobi.
Liri Gega, duke folur për luftën e klasave në vendin tonë, u shpreh kështu: “E kanë armiqësuar fshatarësinë e mesme, duke e luftuar si kulak. Kur vijnë fshatarët nga Dibra, tan ne, tallemi duke thënë; ‘tek ne kulakët janë ata, të cilët i ka inat sekretari i Partisë. Kurse në Jugosllavi, fshatarësia e mesme përkrah pushtetin, pasi fshatarësia e mesme përkrahu edhe Luftën Nacionalçlirimtare’.
Këtë imitojnë Bashkimin Sovjetik duke harruar se qëndrimi armiqësor i pushteti sovjetik ndaj fshatarësisë së mesme, i ka rrënjët në intervencionin dhe luftën civile. Atje fshatarësia e mesme u bashkua me reaksionin.
Këto janë gabime të këtyre që saktësojnë armiqësinë ndaj pushtetit”.
Tiranë, më 29.12.1955
“Vullnetari”
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Miti Gjeçi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Alberti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës e takimin me Bedri Spahiun në shtëpinë e tij në Elbasan
Marrë nga P.Op. Miti Gjeçi
Dhënë nga B.p. “Alberti”
R A P O R T
Më datën 20.1.1956. në shtëpinë e Bedri Spahiut në orën 17.00, erdhi Tuk Jakova dhe qëndroi për darkë e fjeti tek Bedriu. Në bisedime, këta qëndruan edhe mbas orës 24’00 që u shuan dritat. Sot në mëngjes u largua.
21/1/1956 “Alberti”
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Qamil Sheme, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Hekuri i bardhë”, lidhur me takimin e Tuk Jakovës me Bedri Spahiun në Elbasan
Marrë nga P.Op. Qamil Sheme
Dhënë nga B.p. “Hekuri i bardhë”
R A P O R T
Burimi njofton se më 21.1.1956, rreth orës 13 e 30, të drekës erdhi në Zyrën e Planit të N.Sh.G. Elbasan, siç më tha ai, Tuk Jakova, për t’u takuar me Bedri Spahiun. Tuku kishte dhe një person tjetër me vete. Ndenja e Tukut në zyrë, nuk qe më tepër se 10 minuta.
U largua nga ndërmarrja të cilin e përcolli Bedri Spahiu dhe u kthye pas 5 minutash. Veç kësaj, Tuk Jakova paska ardhur me datën 20.1.1956 dhe ka fjetur tek Bedri Spahiu në shtëpinë e tij.
22.1.1956 “Hekuri i bardhë”
Raport-informacion i bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Skënderi”, lidhur me ndjekjen e survejimin që ai i kishte bërë Tuk Jakovës, kur ai kishte shkuar me shërbim në Elbasan, ku ishte takuar edhe me Bedri Spahiun
R A P O R T
Më datën 21.1.1956, rreth orës 10 paradite, ishte në drejtorinë e Kombinatit, Tuk Jakova, i cili kish ardhur në Elbasan qysh me datën 20.1.1956 mbas dite, me një kamion. Në drejtorinë e Kombinatit, ndodheshin drejtori Andrea Adhami, kryeinxhinieri i drejtorisë së Material Ndërtimit i Ministrisë së Industrisë, Vahit Sulku, nëndrejtori i Kombinatit. Tuku kish ardhur në Elbasan, për të marrë kompesato.
Gjatë kohës që ndenjti në drejtori, bisedoi probleme të ndryshme rreth prodhimit duke folur mbi kategorizimin, u shpreh kundër uljes së kategorive, duke thënë; se kategoritë u ulën, por kjo do të jetë në dëm të kualitetit, sepse punëtorët synojnë në realizimin e normës që të marrin lek më tepër. Tashti me uljen e kategorive, do të jetë edhe më keq, sepse punëtorët do të marrin lek më pak dhe do të prodhojnë në dëm të kualitetit, duke tejkaluar normën.
Një anomali tjetër e madhe – vazhdoi Tuku – është fakti i pagimit të përgjegjësve të reparteve, më pak se punëtorët, ja unë vetë p.sh., nuk punoj dot me 4.500 lekë që më jepen, sepse kam kalamaj për të mbajtur, deri tashti kam bërë si kam bërë, se kam pas ca rezerva nga e kaluara, po nuk m’u rregullua çështja e pagës, do të kërkoj të kaloj punëtor, se kam kategorinë e VII-të dhe marr më shumë. Ai i tha atij, mirë që ke zanatin, ndërsa Tuku, ju përgjigj: “Mirë thua, shyqyr që e pata, shoku Bedri i shkreti është keq, se në zyrë nuk i duket puna”
Duke folur mbi kualitetin e lëndës së drurit, lidhur me damkimin që jepet nga Ministria e Bujqësisë, Tuku tha: se kishte qenë gjithmonë i mendimit se gjysma e nëpunësave të Ministrisë së Bujqësisë, duheshin pushuar, se hanin bukën kot. Ndërsa në Komisionin e Planit ku dalin planizimet, ka burokraci të madhe dhe puna kështu nuk mund të eci.
E pyeti ai: se ku kish fjetur të premten mbrëma, për të marrë vesh se mos kish shkuar te i vëllai në Gramsh, ai ju përgjigj se: kish fjetur në Elbasan. Kisha qejf – tha Tuku – me shkue te Franoja, me e pa si jeton, por është larg. Tuku dukej sikur fliste nga pozitat e një njeriu që është në rregull dhe që nuk i ka ndodhur gjë, veçse një ndërrim sektori!
Elbasan, më 22.1.1956 “Skënderi”
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Nazif Latifi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenca”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës në qytetin e Tiranës, ku ai kishte shkuar me lejen e zakonshme
Tepër sekret Marr P.Op. Nazif Latifi
Prej burimit “Vigjilenca”
Raport date 7.1.1956
Burimi “Vigjilenca” njofton se prej datës 28 deri 5 Janar 1956, Tuk Jakova ishte me lejen e zakonshme në Tiranë. Porsa u kthye Tuku, në zdrukthëtari flitej sikur ai (Tuku), do t’u transferonte në Tiranë, si Drejtor i Zdrukthëtarisë Misto Mame. Kur ai e pyet Tukun, si është kjo fjalë që qarkullon, Tuku i thotë se; unë në Tiranë nuk shkoj, o më çojnë në vendin që kam pasur d.m.th., si N/Krye-Ministër, ose gjetkë nuk e pranoj, prandaj do të vdes këtu , punëtor i thjeshtë. Unë thotë Tuku jam goditur fare pa të drejtë mbasi nuk kam bërë ndonjë gabim.
Kur u shtrua në mbledhjen e Komisionit Teknik të ndërmarrjes, shkurtimi i fuqisë punëtore dhe ngritja e normave, Tuku thoshte se; neve nuk duhet të ngremë normat, pasi po të ngrihen normat, shkurtohet fuqia punëtore dhe neve nuk kemi ku i çojmë punëtorët. Kjo pikëpamje ju godit në mbledhje nga ai dhe të tjerë, kështu që Tuku me një herë u tërhoq e ndërroi mendim. Tuku shoqërohet e bisedon më tepër me Sherif Lekun, Jorgo Zahon.
“Vigjilenca”
Detyrë:
Qëndroi afër dhe bisedo nga hera me Tukun. – Po kështu, duhet të bisedosh me Sherif Lekun dhe Jorgo Zahon, me qëllim për të mësuar prej tyre, çfarë flet Tuku me këta.
Masat operative: Raporti të daktilografohet në një kopje dhe t’i kalohet Sektorit Tretë.
Berat më 7.1.1956 P.Op. Toger (Nazif Latifaj)
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Thoma Pashko, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Nuredini”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Marr nga P.Op. Kapit. I-rë Th. Pashko
Dhënë nga B.P. “NUREDINI”
R A P O R T
Me datën 26/II/1956, Jorgo Zaho u takua me Vangjel Dushnikun të dy me punë në N.I.L.P. të Ndryshme, gjatë bisedimeve, Jorgoja e pyeti Vangjelin se nga do të vinte, Vangjeli ju përgjigj se; do të vete të bëjë një vizitë te Tuk Jakova.
Kur ka dalë Vangjeli nga shtëpia e Tukut, është takuar përsëri me Jorgo Zahon, në bisedime të ndryshme Vangjeli ka thënë se; Tuku është burrë shumë i mire, po ashtu tha dhe për të shoqen e Tukut, se ajo është grua shumë e mirë, më pritën duke më qerasur me verë dhe arra.
Me datën 28/II/1956, Tuku vete tek ai ku punonte dhe mbasi e pyeti si vente me punën, i thotë; në se e bëri atë bazamentin, kur ai i thotë se nuk ka leverdi, Tuku i thotë; punë e madhe se do të shpenzohet 4-5 kv. çimento, neve ta bëjmë, po në mos dhënçin rezultat, le të mbetet si bazament.
“Nuredini”
Berat më 28/II/1956
Detyrat:
- Me anën e Vangjelit të bisedohet vazhdimisht për frekuentimin e tij në shtëpinë e Tukut, nga bisedimet të dalë se çfarë bisedon Tuku.
- Me Tukun të bisedoj në lidhje me punën e repartit duke shikuar:
- Organizimin si shef reparti
- Trajtimin e punëtorëve.
Masat Operative:
Informata të shtypet në 3 kopje dhe të vendoset përkatësisht nëpër vendet përkatëse. Memorie.al
Berat më 28/II/1956 Puntori Operativ Kapit. i I-rë
Takimi më 13/III/1956 Thoma Pashko
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016