Skifter Këlliçi
Pjesa e katërt
-Copëza ngjarjesh nga një mbledhje historike, me pjesëmarrjen e diktatorit-
11 korrik i vitit 1961, pra 61 vjet më parë…!
Enver Hoxha, megjithëse nuk ishte njoftuar se do të merrte pjesë, erdhi befas në një takim me inteligjencien e Tiranës, ku u diskutuan edhe probleme shqetësuese që kishin lindur në krijimtarinë poetike shqiptare. Jo vetëm kaq, por, nga dëgjues i vëmendshëm i diskutimeve të poetëve të afirmuar komunistë që kritikonin ashpër poetët e rinj, të cilët kërkonin shtigje dhe mjete të reja shprehëse në krijimtarinë poetike, si dhe dëgjues po kaq i vëmendshëm i përgjigjeve të këtyre të fundit, çuditërisht u bë “gjyqtar” për të vendosur paqe midis tyre. Dhe kjo për arsye që do të dalin në pah në këtë shkrim dossier në disa numra.
Prolog
Të njëjtin qëndrim mban ai edhe ndaj poezisë së Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit. Duke e vlerësuar Agollin si “ndër poetët ma të talentuara”, qysh në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola”, Gurakuqi, papritur vëren se “edhe ai ka fillue të kapet pas kërkimit të figurës”. Dhe si shembull për këtë merr vargjet:
“Çitjanet mjegulla i ngriti e bredh/
ashtu si plakë/
kur lumin hedh”.
Dhe më poshtë:
“Dhe fletët e trishta i hodhi zabeli/
si fjalë idili/
si fjalë gazeli…”.
Të gjitha këto gjetje edhe sot të goditura, Mark Gurakuqi i quan si figura “të kërkueme të paperceptueshme e alogjike, sepse “ç’punë ka mjegulla me çitjanet e plakës”, (po aty).
Më poshtë në artikullin e tij, ai nuk kursen as Fatos Arapin, i cili duhet thënë se deri në atë kohë ende nuk kishte botuar vëllimin e e tij të parë poetik, por kishte tërhequr vëmendjen e kritikës dhe lexuesit me poezitë e goditura në shtypin letrar.
Mark Gurakuqi e cilëson Arapin poet “që nuk parakuptohet e nuk shijohet shumë”, për shkak se në të hasen “gjurmë të një perceptimi të mjegullt poetik, ku figura nuk asht në funksion të idesë”. (Po aty).
Është për të ardhur keq, por duhet thënë se në këtë artikull të gjatë studimor shprehej një farë zilie, siç më thoshte më pas një miku im që u bë edhe përgjegjës i redaksisë së poezisë ne Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë. Gurakuqi, sipas tij, dhe të tjerë poetë të vjetër, i kishin zili poetët e rinj, jo sepse përdornin figura, që shpinin në “shfaqje manierizmi”, por sepse ata vetë nuk ishin më gjendje të krijonin poezi me të tilla figura.
Natyrisht, siç thekson Agim Vinca – “audatur et altera pars”, (shprehje latine: “Të dëgjohet edhe pala tjetër.”)
Pjesa e fundit
Dhe pala tjetër nuk vonon të përgjigjet!
Agolli kundër Gurakuqit
Ishte Dritëro Agolli ai që iu përgjigj Mark Gurakuqit në një artikull me titull shumë kuptimplotë: ”Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, botuar në gazetën “Drita”, më 27 gusht 1961.
Ky ishte i pari artikull serioz kritik që botonte poeti ynë i ri, aso kohe gazetar i “Zërit të Popullit”. Dhe, ç’është më interesante, në këtë artikull ai më shumë se sa mbron poetët e rinj, duke përfshirë edhe veten, kritikon krijimtarinë e poetëve të vjetër, duke shpallur kështu hapur luftën kundër konservatorizmit dhe dogmatizmit që kishte mbërthyer deri atëherë poezinë shqipe.
Në këtë artikull Agolli nënvizon se poezia e deriatëhershme e poetëve të vjetër, vuante nga skematizmi, nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja, trajtimi i zbehtë i dukurive jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet tek tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njëjta vepër”, (po aty).
Këto gjykime ai i përcillte me shembuj nga poezitë e vetë Mark Gurakuqit dhe poetëve të tjerë konservatorë, Luan Qafëzezit, Kolë Jakovës, Aleksandër Banushit, Llazar Siliqit, të cilët, veç të tjerash, kishin një konceptim jorealist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur me epitete stereotipe që i kemi përmendur dhe në pjesën e parë të këtij cikli, si kreshnikë, syshqiponjë, trima me fletë, zemërshkëmb, etj., kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideo emocionale, të kujtojnë heronjtë e baladave të shekullit XV”. (“Traditë , natyrisht, por jo shtampë’, “Drita”, 27 gusht 1961).
Dritëro Agolli theksonte më tej se, të kënaqur me krijime të nivelit mesatar, nën pretekstin e ruajtjes së traditës, që s’është veçse një iluzion i bukur, e frenojnë procesin e rinovimit të poezisë , ngushtojnë përmbajtjen e tematikës…varfërojnë teknikën e mjetet shprehëse dhe, për pasojë, e ftohin lexuesin prej poezisë.” (po aty).
Ky artikull shkruar me profesionalizëm dhe zgjuarsi, ishte vazhdimi jo vetëm i diskutimeve të Ismail Kadaresë dhe Fatos Arapit në takimi e 11 korrikut, ku ai kishte munguar, por dhe vazhdimi një artikulli tjetër të rëndësishëm të poetit dhe kritikut, Drago Siliqi, i cili do të humbiste jetën tragjikisht në një katastrofë ajrore më 1963, me titull “Në kërkim të së resë”, që ishte botuar po në gazetën “Drita’, më 18, 25 qershor dhe 2 korrik, te vitit 1961, artikull cituar në pjesën e parë të këtij cikli.
Siç thekson Agim Vinca, Drago Siliqi në këtë artikull “…merret me shpjegimin dhe interpretimin e e këtij fenomeni, duke e shikuar atë në lidhje të ngushtë me procesin letrar të kohës, në kohën kur, kërkimi i së resë, ishte bërë “çështje dite”. (“Alternativa letrare…”faqe 68).
Epilog
Ngadhënjimi i së resë dhe haraçi i saj
Në këtë betejë të gjatë poetët e rinj fituan. Natyrisht, në radhë të parë nga mbështetja që u dha vetë Enver Hoxha për arsyet që kemi përmendur më lart. Si çdo diktator, ai do t’i shfrytëzonte poetët e rinj, që t’i thurnin himne partisë dhe, doemos, dhe udhëheqësit të saj “gjenial”, pra, vetë atij, detyrë prej skllavi që poetët e rinj, siç e kemi vënë në dukje, ishin të detyruar ta zbatonin. Ja sepse redaktorët, “për të qenë brenda”, ishin, edhe ata, të detyruar t’u kërkonin poetëve që vëllimet e tyre të nisnin pa tjetër me poezi kushtuar Partisë dhe shokut Enver.
Po jap një shembull tipik që ma ka treguar miku im, kritiku i njohur letrar, Adriatik Kallulli:
“Kur Bilal Xhaferi, – kujton ai,- më solli vëllimin e tij poetik, “Lirishtja e kuqe”, vura re se nuk kishte përfshirë në të as edhe një poezi për Partinë. E këshillova që të shkruante një të tillë. Dhe pas disa ditësh ai më solli një poezi që fillonte me këto vargje:
“Parti,
emrin tënd të gdhendur e kam/
në pëllëmbën e dorës sime”.
Thikë me dy presa. Pra: “E dua kaq shumë Partinë, sa e kam me vete kudo në dorë”, por edhe: ”Dua, s’dua, partia nuk më ndahet, përderisa shkronjat e saj më janë ngulur në dorë”.
Megjithatë, poetët tanë më të mirë vazhduan rrugën e tyre drejt krijimit të një poezie që shtronte kërkesa të reja duke kapërcyer madje edhe kufijtë që kishte shpallur vetë diktatori.
Dhe e paguan rëndë. Më 1965-ën në gazetën “Drita”, botohej poema “Baballarët” e Dritëro Agollit. “Pati pëshpëritje dhe pakënaqësi për një farë “patriarkalizmi” në poemë,- vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”, (faqe 150). Dhe vazhdon: “Para një gote konjaku, Agolli pinte i vetëm. Ishte i dëshpëruar. Shkova drejt tij…! Në çast Dritëroi tha: Kështu i duan këta? Unë i bëj më të mira”. (po aty).
Më pas, me sa dihet, ai e ripunoi poemën, që më 1969-ën fitoi madje edhe çmimin e parë në konkursin letrar me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit.
Vëllimi poetik “Më jepni një emër”, i Fatos Arapit, jo vetëm nuk do të qarkullonte për gabime të rënda ideore, por ai vetë, nga pedagog i Letërsisë në Universitetin e Tiranës, do të përfundonte mësues në një shkolle mbrëmjeje. Kjo ndodhte pas Plenumit të 4-t të vitit 1973.
Ismail Kadareja, pasi ishte kritikuar rëndë më 1969-ën për botimin në faqet e “Nëntorit “ të novelës “Përbindëshi”, që do të hiqej edhe ajo nga qarkullimi, më 1973-in, për gabime ideologjike në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, që u detyrua ta ripunonte dhe ta ribotonte disa vjet më vonë, më 1975-ën, siç e pamë dhe më lart, do të kritikohej ashpër nga vetë tirani në ditarin e tij vetjak të datës 20 tetor 1975, për poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, të cilësuar prej tij si vepër armiqësore dhe vetë Kadareja si ‘poet korbash”.
Siç shprehet në faqet e këtij ditari, veç të tjerash, atë e tmerruan vargje të tilla të kësaj poeme si:
“Burokratët janë tjetër gjë/
Jo me bojë pelikan përjargur/
Si tuafë të këndshëm, ho, ho, ho/
Por të kobshëm/
Me duar të përgjakura/
Gjer në bërryle unë i shoh”.
Ndaj në ditarin e tij për këto vargje diktatori shkruante tërë mllef: “Për këtë poet reaksionar, rendi ynë socialist është rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”. Të gjithë këta përbindësh të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata…etj.,”, kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe e çojnë trupin e revolucionit në varr”. (Ditari vetjak 20 tetor 1975).
Dhe më poshtë ky i ashtuquajtur vazhdues i veprës së Markit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, duke përdorur një fjalor banal dhe të pështirë të denjë për një rrugaç, e urdhëron kështu lakeun e tij, Ramiz Alia: “…Përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë”.
Nuk mjaftohet me kaq, por pastaj i sulet dhe Ramiz Alisë, që e kishte dhe ideologun e tij dhe e asgjëson me fjalët përçmuese:
“Nuk të lejohet të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga figurat dhe pseudo mburrjet që i bën Enver Hoxhës. Kjo, i them, Ramizit, tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë…! Duhet të kesh forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti”. (Ditar vetjak, 20 tetor 1975).
(Sigurisht me fjalët “pikëpamje liberale”, diktatori e ka pasur fjalën për Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, (22-26 dhjetor 1972) dhe dukuri të tjera në fushën e letërsisë dhe arteve, që janë trajtuar në pjesët e para të këtij dossieri, për të cilat i pari kishte pasur përgjegjësi Ramiz Alia, ndaj të cilave kishte marrë masa, deri në burgime dhe internime, kurse ndaj tij vetëm disa kritika, pikërisht për këto pikëpamje liberale që po nxirrnin kokë përsëri tek ai).
Sikur këtë poemë ta kishte shkruar ndonjë poet tjetër, pa më të voglin dyshim do të kishte përfunduar prapa hekurave. Por, siç dukej, me gjithë urrejtjen, por edhe zilinë ndaj Kadaresë që po përkthehej jashtë vendit nga “shtëpi botuese borgjeze”, siç i quan ai në ditarin e tij, kurse të ashtuquajtura vepra të tij, përfundonin në bodrumet e ambasadave, ose në koshat e plehrave, të hedhura nga ata të cilëve u ishin dhuruar, Enver Hoxha nuk e mori këtë masë të skajshme kundër Kadaresë.
Dhe kjo, sepse e merrte me mend se personalitete të mëdha të kulturës dhe letërsisë botërore, do të ngriheshin dhe do të kërkonin lirimin e menjëhershëm të të këtij shkrimtari që kishte tashmë popullaritet në shumë vende të botës dhe do ta demaskonin atë si diktator fanatik stalinist. Dhe nuk do të gabonin as edhe një grimë.
Po të kthehemi të problemet që po trajtojmë.
Vini re: Janë pikërisht ata poetë që u kritikuan më 1961 nga poetët e vjetër për “izmat” e tyre dhe u morën në mbrojtja nga Enver Hoxha…! Por tani e kishin kapërcyer kufirin e caktuar nga ai…!
Do ta pësonin edhe shumë poetë të rinj për të cilët Kadareja, Agolli e Arapi, ishin shembujt më të mirë se si mund të shkruhej poezi me frymë bashkëkohore. Të tillë ishin Bilal Xhaferri, vëllimi poetik i të cilit, “Lirishtja e kuqe” dhe romani “Krasta Kraus”, u ndaluan dhe ai u detyrua të arratisej në Greqi e që andej në SHBA, ku u gjend i vdekur në një spital të Çikagos në rrethana misterioze. (Hamendësohet të ketë pasur dorë Sigurimi i Shtetit).
Halil Qendro, redaktori i vëllimit me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” të Agollit dhe poet me talent, u internua për vite e vite në fshatrat e Progonatit, Faslli Haliti, u degdis në humbëtirat e Lushnjës, Xhevahir Spahiu, dy herë i kritikuar nga vetë Enver Hoxha, për “poezi surrealiste”, shpëtoi çuditërisht pa u dënuar. Hamdi Meçe u dërgua me dënim në Vlorë, Moikom Zeqo u hoq nga gazeta “Drita”. Të dy “për dukuri hermetike” në poezitë e tyre, kurse një tjetër, Frederik Reshpja, poet i talentuar, përfundoi madje në burg dhe pas tij edhe poetët: Jorgo Bllaci, Zydi Morava. Pano Taçi…!
Në përpjekje për t’u arratisur më 1963-in, fat tragjik pësoi poeti ushtarak, Trifon Xhagjika, i cili u dënua me pushkatim. Këtë fat pësuan edhe poetët e rinj Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, që u pushkatuan mizorisht më 1978-ën nga diktatura.
”Afirmohuni me vargun tuaj dhe, në rast se ju do populli, ai varg është i mirë,” u bënte thirrje Enver Hoxha poetëve të rinj në takimin e 11 korrikut të vitit 1961.
Mashtronte. Populli i kishte afirmuar poetët e rinj. Por jo ky diktator. Ja sepse, herë pas here, siç e pamë, kur shihte edhe shkarjen më të vogël nga “kanunet e tij”, vringëllonte pa mëshirë, kosoren mbi kokat e tyre.
Sidoqoftë, poetët, atëherë të rinj, Kadare, Arapi, Agolli, e pas tyre të tjerë që u frymëzuan nga krijimtaria e tyre, ngadhënjyen. Këtë e dëshmon edhe veprat që krijuan në atë periudhë të plumbtë, e cila, me gjithë censurën e fortë, tingëllon e freskët, e gjallë, kumbuese edhe në ditët tona. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016