Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Fondi i ish – Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila i përket datës 9 prill të vitit 1973, ku i deleguari i Komiteti i Partisë së Tiranës Xhafer Spahiu, me anë të një relacioni dërguar Enver Hoxhës, e informon atë me detaje e hollësira lidhur me mbledhjen e komunistëve të Radio-Televizionit Shqiptarë, ku u bënë diskutime të shumta dhe u morr në analizë Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion. Sipas relacionit të Xhafer Spahiut, i cili e ka hartuar atë relacion në bashkëpunim me një grup pune i përbërë nga disa funksionarë të tjerë të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, si Sadik Bocaj, Hasan Selenica, Pipi Mitrojorgji dhe Vita Adhami, që kanë qenë prezent në atë mbledhje, ku janë kritikuar dhe akuzuar ashpër drejtuesit kryesorë të Radio-Televizionit, Todi Lubonja dhe Nefo Myftiu, si dhe ekipi drejtues i Festivalit të 11-të, me në krye Mihallaq Luarasin si regjisor, dhe Nikolla Zoraqin si udhëheqës artistik. Në relacionin e Xhafer Spahiut për Enver Hoxhën, përmenden edhe një sërë emrash të tjerë, nga punonjës të thjeshtë të Radio Televizionit Shqiptar, si gazetarë, redaktorë e përgjegjës redaksish, e deri tek ata me poste drejtuese, si: Thanas Nano, Klimi Misja, Hasan Pinci, Kiço Pandeli, Skënder Nenaj, Endri Keko, Kristaq Dhamo, Alfred Xhufka, etj. Gjithashtu në relacionin në fjalë i deleguari i Komitetit të Partisë së Tiranës, Xhafer Spahiu ka raportuar edhe për një sërë kritikash dhe akuzash që i ishin bërë Todi Lubonjë para asaj mbledhje dhe që iu përsëritën përsëri, lidhur me sjelljet dhe qëndrimet e tij, si ndaj vartësve në Radio-Televizion, ashtu dhe ndaj kritikave që i ishin bërë atij që në vitin 1972 nga Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, lidhur me daljen në ekranin e televizionit të njerëzve me flokët të gjata etj., etj. Po kështu në relacionin në fjalë janë raportuar edhe kritikat që iu bënë drejtores së Radios së Brendshme, Nefo Myftiu, për shfaqjet e saj liberale dhe me pikëpamje të njëjta me Todi Lubonjën për të cilat u propozua shkarkimi i tyre nga postet përkatëse drejtuese në Radio-Televizion dhe masa të tjera.
R E L A C I O N
MBI ZHVILLIMIN E MBLEDHJES SË PËRGJITHSHME TË KOMUNISTËVE TË RADIO-TELEVIZIONIT
Ç. Nga dhjetori 1972 u kritikua për shkeljen e normave të Partisë dhe për subjektivizëm në çështjen e transferimit të shokut Klimi Misja. Në relacionin që u paraqit mbi çështjen e Klimi Misjes, shoku Enver bëri këtë shënim: “Të mos transferohet shoku Klimi Misja; vendimi i organizatës bazë është i drejtë, diskutimet e komunistëve dhe punonjësve pa parti, në naltësinë ideologjike-partie. Të hiqet çdo “frikë” nga këta se mund të bëhen transferime pa vend dhe pa arsye të shëndosha. Çdo lëvizje duhet të ketë vulën e normave të drejta të Partisë për këto probleme, organizata bazë dhe kolektivi janë garant kryesor për këtë, dhe jo anët subjektive të një ose dy shokëve me pozitë zyrtare”
- Së fundi në janar e shkurt 1973, në fjalimet e shokut Enver u kritikua ashpër Radio-Televizioni për ndikimet e huaja të karakterit liberal-modernist.
Me ardhjen në Radio-Televizion u manifestuan përsëri devijimet e tij liberal-moderniste nga vija e Partisë në disa fusha njëkohësisht.
– Në fushën e muzikës dhe në organizimin e Festivalit të 11-të në Radio-Televizion, për të cilat folëm hollësisht më lart e që dëshmojnë për prirjet e tij drejt një muzike, arti dhe kulture dekadente, në kundërshtim me vijën e Partisë në art e kulturë.
Në fushën e riorganizimit të Radio-Televizionit.
Siç theksuam edhe më sipër në atë projekt u shfaqën përsëri pikëpamjet liberale, prirjet për kopjime e imitime të radio-televizioneve perëndimore, jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje, duke e larguar Radio-Televizion tonë nga orientimet e Komitetit Qendror të Partisë.
– Në fushën e politikës së kuadrit, duke ndjekur një politikë subjektive, personale në kundërshtim me politikën e Partisë dhe me orientimet e shokut Enver. Orientimet e drejta të Partisë për qarkullimin, i përdori për të larguar kuadrot që nuk pajtoheshin me pikëpamjet e tij moderniste, që e kritikonin dhe që mbronin vijën dhe normat e Partisë. Mendjemadhësia e fudullëku, nënvleftësimi i të tjerëve, qëndrimi ironik e përbuzës ndaj atyre që nuk i simpatizonte, ishin shumë të theksuara tek ai.
– Në fushën organizative, duke nënvleftësuar rolin udhëheqës të organizatës së partisë. Gjatë kohës në Radio_televizion jo vetëm që nuk ka ngritur problem, para saj, por ka ndikuar për të keq, duke e spostuar atë, duke spekuluar me autoritetin e anëtarit të Komitetit Qendror të partisë.
– Në fushën e disiplinës së punës. Orientimi i tij se rëndësi ka puna krijuese dhe jo disiplina zyrtare, i dha shkas shthurjeve serioze në punë. Njerëzit hynin e dilnin kur të donin, kundërshtonin urdhrat e përgjegjësve të tyre me pretekst se ishin krijues, se kishin punë me bashkëpunëtorët etj. Kjo shthurje çoi në pretendime pa baza për shtimin e organikave, sepse gjoja nuk përballohen volume e punës, etj. Vetë Todi ka dhënë shembuj të keq në punë. Ai nuk qëndronte në krye të detyrës, dhe është karakterizuar nga drejtimi shumë në përgjithësi i punëve të Radio-Televizionit.
– Në jetën personale gjithashtu ka manifestuar gjithashtu mjaft shfaqje liberale e shije moderniste, si dhe tendenca të interesit personal. Djali i tij është një nga ata që dallohesh në Tiranë për flokët e gjata deri në sup. Në kundërshtim me dispozitat ka pranuar në mënyrë të heshtur bursë për djalin e tij student në universitet. Shpesh Todi ka shfaqur adhurimin e tij për veshje “elegante” të vajzave e grave të vendeve perëndimore. Mbledhja i vuri në dukje se ndaj shokëve të punës mban shpesh qëndrime mospërfillëse e në disa raste përbuzëse dhe ironike.
Mbledhja i vuri në dukej faktin që Todi jo vetëm nuk reagoi drejt ndaj kritikave të shokut Enver për festivalin në fjalë e mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, por përkundrazi, me qëndrimin e tij të “rezervuar” ndikoi në mbytjen e kritikës dhe autokritikës. Si shembull u soll një mbledhje e thirrur prej tij më 2 shkurt të vitit 1973 në prag të Plenumit të III_të të Komitetit Qendror të Partisë, ku merrnin pjesë kolegjiumet e tre drejtorive të Radio-Televizionit. Në këtë mbledhje që ishte takimi i tij i parë me kuadrot drejtuese, foli në mënyrë të përgjithshme për rëndësinë e fjalës së shokut Enver, për kritikat që bëheshin në drejtim të Radio-Televizionit dhe pastaj e vuri theksin në rrezikun e konservatorizmit, rutinës, të mos kalimit në ekstremin tjetër me kritikat dhe e përfundoi duke thënë që të mos bëheshin thashetheme e të mos lejohen më njerëz me flokë të gjata në televizion. Pas kësaj e mbylli mbledhjen pa lejuar asnjë diskutim. Edhe këtë fakt ai e minimizoi.
Qysh në maj 1972 shoku Mehmet Shehu si dhe shoku Ramiz Alia i kanë tërhequr vëmendjen Todit, se po dilnin në ekranin e televizionit tonë njerëz me leshra të gjata dhe të merrte masa. Ai nuk ka zbatuar këto porosi dhe as e ka bërë problem. Por shfaqjet e huaja në muzikë pra festivalit, shokut Todi i janë bërë disa vërejtje nga udhëheqja e Partis edhe nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë. Por ai nuk i ka vlerësuar ato duke thënë: “Ju bie në sy, se ne paguajmë haraçin e së kaluarës”.
Në diskutimin që bëri në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve, pranoi në vija shumë të përgjithshme kritikat që shoku Enver i bëri Radio-Televizionit për devijimet në Festivalin e 11–të (ndërsa në analizën në byro, as këto nuk i vuri në dukej), pranoi se ka dëmtuar vijën e Partisë, se ka devijuar e ndikuar nga presioni i ideologjisë së huaj nga jashtë dhe nga brenda, se i ka munguar vigjilenca politike dhe ideologjike, se ka mbivlerësuar forcat e tij nga mendjemadhësia, se nuk e orientoi punën e festivalit në përputhje me situatën ndërkombëtare të sotme duke ngjallur ndjenjën e qetësisë dhe të argëtimit në rini, se këto shfaqje të huaja në muzikë, krijuan terren të favorshëm për punën e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm të vendit tonë. Por nga ana tjetër ai jo vetëm nuk i zbërtheu shkaqet, burimet dhe përgjegjësit e tij, por hodhi poshtë me fodullëk shumë kritika të drejta që iu bënë, duke i quajtur disa shpifje, dhe duke i mohuar, shtrembëruar e minimizuar disa të tjera. Kritikat për veprimet e padrejta në politikën e kuadrit, u mundua t’i justifikojë ose minimizoi, ose t’i shkarkoi tek shokët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, duke thënë se i ka biseduar me këtë, ose me atë shok, ose t’i quante ato si gjëra të rastit, pa qëllim dhe pa lidhje me pikëpamjet e tij liberale.
Mbledhja e përgjithshme arriti në konkluzionin se shoku Todi Lubonja nuk bëri autokritikë të hapur, nuk zbuloi burimet e këtyre fajeve, ku konsistonin pikëpamjet e tij liberal-moderniste dhe kur ato kanë filluar tek ai, dhe si ai ka devijuar nga vija e Partisë në drejtim të liberalizmit, oportunizmit të djathtë duke e dëmtuar rëndë vijën e Partisë.
Diskutantët qenë të një mendimi se sikur Partia të pranonte pikëpamjet e shokut Todi Lubonja do t’i hapej rruga degjenerimit borgjez dhe revizionist të vendit tonë.
Para mbylljes së mbledhjes, atij iu bë thirrje t’i flas hapur Partisë, të zbërthejë shkaqet, burimet e përgjegjësitë konkrete të tij. Por Todi me qëndrim mendjemadhe e mospërfillës, tha vetëm kaq: “Unë nuk do të flas. Ruaj ato mendime që kam thënë. S’kam asgjë për t’i shtuar autokritikës time. Mbetem në ato që kam thënë”.
Për të gjitha devijimet e tij nga vija e Partisë, për gabimet e rënda dhe fajet që ka bërë, mbledhja e përgjithshme doli me propozimin që shoku Todi Lubonja të shkarkohet nga drejtor i Radio-Televizionit dhe të shikohet qenia e tij në Komitetin Qendror të Partisë. Pat edhe dy veta që propozuan të shikohet edhe më tej deri në qenien e tij ose jo në parti.
Mbi autoritetin e shoqes Nefo Myftiu
Mbledhja e përgjithshme e komunistëve ishte e një mendimi se shoqja Nefo mban një përgjegjësi të madhe për shfaqjet e liberalizmit në Radio, dhe se kanë dëmtuar vijën e Partisë me shtrembërimet në fushën e muzikës. Shijet dhe pikëpamjet e saj liberale, pajtoheshin me ato të Todit. Tek ky ajo shikonte një drejtor me të cilin “merreshin vesh”. Todi e nxirrte përpara Nefon për zbatimin e pikëpamjeve të tij liberale. Por nga njëra mbledhje tek tjetra, autokritika e saj shkoj duke u thelluar, u vu re një ndjenjë preukupacioni për të gjetur shkaqet dhe për të përcaktuar përgjegjësinë personale. Në autokritikën para mbledhjes së përgjithshme, u mundua të analizonte rrënjët ideologjike të gabimeve të saj dhe kritikoi edhe Todin, kurse në mbledhjen e Byrosë, nuk e kritikoi fare. Ajo u këshillua që të thellohet edhe më tej në analizën e gabimeve të veta sepse gjatë zhvillimit të mbledhjes shfaqi disa raste paqëndrueshmërie në drejtim të autokritikës, ajo u kritikua nga shumë shokë në drejtim të marrëdhënieve me kuadrit dhe punonjësit, për të qenë më e thjeshtë dhe për t’i pritur me kujdes vërejtjet dhe kritikat e tyre.
Komunistët propozuan “me përjashtim të dy vetave”, që shoqja Nefo Myftiu të shkarkohet nga drejtore e Radios të Brendshme.
- Pasi u këshilluam bashkërisht edhe me shokët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë që ishin në këtë mbledhje, në fjalën e mbylljes vlerësova analizën e shëndoshë, me partishmëri të lartë, e frymë kritike dhe autokritike që komunistët i bënë gjendjes në Radio-Televizion, nën dritën e fjalimeve të shokut Enver, fola mbi shkaqet e devijimeve në vijën e Partisë në Radio-Televizion, përgjegjësitë kolektive dhe ato individuale të secilit e sidomos të shokut Todi Lubonja si përgjegjës kryesor, si dhe shoqes Nefo Myftiu etj., dhe theksova detyrat e masat që duhen marrë për të ardhmen në të gjitha drejtimet e posaçërisht:
– Në drejtim të forcimit të gjithanshëm të rolit udhëheqës të organizatave bazë të partisë e të byrosë, të rritjes së përgjegjësisë së komunistëve për zbatimin e vijës të Partisë në luftën kundër liberalizmit e indiferentizmit, për forcimin e unitetit të mendimit e të veprimit, për krijimin e marrëdhënieve komuniste, të sinqerta, të çiltëra, gjithmonë parimore, midis komunistëve, për respektimin me rreptësi të normave të Partisë në lidhje me trajtimin, qarkullimin ose lëvizjen e kuadrit.
-Në drejtim të forcimit të gjithanshëm të punës ideo-politike nëpërmjet studimit sistematik dhe të thelluar të dokumenteve të Partisë dhe të fjalimeve të shokut Enver.
-Në drejtim të vendosjes së menjëhershme të një disipline të shëndoshë proletare në punë.
-Në drejtim të funksionimit të rregullave të organeve drejtuese, (Drejtorisë së Përgjithshme, kolegjiumeve, redaksive etj), për forcimin e kolegjialitetit dhe përgjegjësisë personale.
-Në drejtim të funksionimit e rritjes së rolit edukues e mobilizues në vijën e Partisë, të organizatave të Rinisë e të Bashkimeve Profesionale.
-Në drejtim të ngritjes në një nivel më të lartë të të gjithë programeve të Radio-Televizionit, për thellimin e vazhdueshëm të përmbajtjes së tyre ideo-politike si në emisionet e karakterit politik e ideologjik, ashtu dhe në ato të karakterit kultural e artistik. Sidomos Televizioni të rrisë përpjekjet për zbatimin sa më mirë të platformës që i ka përcaktuar sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë, të rrisë cilësinë e emisioneve, të pasurojë programacionin dhe të krijojë fizionominë e tij kombëtare, socialiste, revolucionare.
Mendimi ynë është:
- Të zëvendësohet mundësisht sa më shpejt shoku Todi Lubonja me qëllim që të forcohet puna drejtues në Radio-Televizion. Gjithashtu të zëvendësohet edhe shoqja Nefo Myftiu.
- Të shikohet me kujdes problem i kuadrit dhe të forcohet Radio-Televizioni edhe me ndonjë kuadro tjetër.
- Të bëhet një punë e veçantë edukimi. Të dërgohen disa lektorë të kualifikuar për probleme të rëndësishme të edukimit ideo-estetik, etj.
- Të shikohet nga aparati i Komitetit Qendror struktura e Radio-Televizionit e të paraqitet për aprovim, sepse është ngjitur një drejtori eksperimentale informacioni që është e papërcaktuar.
- Të merren masat për sigurimin e disa pajisjeve për televizionin në bazë të fondeve në valutë të lirë që aprovoi Këshilli i Ministrave ditët e fundit.
I DELEGUARI I K.P. TE RRETHIT TE TIRANES
(XHAFER SPAHIU)
Tiranë, më 9. 4. 1973
Shënim: Ky material informative u pa bashkërisht me shokun Sadik Bocaj, Hasan Selenica, Pipi Mitrojorgji e Vita Adhami që asistuan në mbledhje. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016