Dashnor Kaloçi
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite, ku ndodhet një dosje me materiale sekrete e dokumente, që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu, në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982, në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtarinë armiqësore” të tij për periudhën gati 30 vjeçare, kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. Dosja me dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të, gjatë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij, që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.
Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Tepër sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982
KADRI HAZBIU: T’i përgjigjem, shoku Enver. I kërkoj shoqes Naunka të më falë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, fale.
KADRI HAZBIU: Unë nuk kam bërë konsiderime të mbledhjes së byrosë së Komitetit të Partisë të rrethit të Fierit dhe nuk kam qenë i autorizuar për këtë. Juve, shoqja Naunka, më keni thënë që keni analizuar punën e Degës së Punëve të Brendshme dhe shkarkuat kryetarin e saj. Mirë, të thashë. Po pse? Më thatë që ka këto e këto gjëra. Në rregull, ju thashë. Kaq kemi biseduar bashkë.
SHOQJA NAUNKA BOZO: S’është e vërtetë.
KADRI HAZBIU: Avash, avash. Ai në darkë ka ardhur tek unë në shtëpi. Çfarë ke? – e pyeta. Më shkarkuan, – tha. Po mirë, – i thashë, shko zbato vendimin.
SHOKU PALI MISKA: Ku e mori atë guxim ai të vijë në shtëpinë ku ishe ti? Atë e kishte shkarkuar byroja e Komitetit të Partisë të rrethit dhe të vinte ai te ty në shtëpi?!
KADRI HAZBIU: Po pse?
SHOKU PALI MISKA: Ose më mirë, pse e thirre ti që të vinte?
KADRI HAZBIU: Unë nuk e kam thirrur.
SHOKU PALI MISKA: Atëherë pse erdhi ai?
KADRI HAZBIU: Po pse ta ndaloja unë?
SHOKU PALI MISKA: Të mos e pranoje.
KADRI HAZBIU: Si ore të mos e pranoj unë anëtarin e Partisë?
SHOKU PALI MISKA: Të tha sekretarja e parë e Komitetit të Partisë të rrethit që atë e kemi shkarkuar?
KADRI HAZBIU: Po mirë, shoku Pali, unë jam anëtar i Byrosë Politike, s’paskam të drejtë ta dëgjoj një anëtar partie kur të më zërë atje e të më thotë: shoku Kadri, kështu e kështu?
SHOKU PALI MISKA: Varet nga qëndrimi që mban ti, atë thuaj.
SHOQJA NAUNKA BOZO: Organizatat e Partisë, – i thashë Kadriut, kanë bërë kritika për ata që kanë qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, po ata vazhdojnë të jenë atje edhe tani. Kadri Hazbiu më tha: “kam qenë unë ministër i Punëve të Brendshme”. Po mirë në ke qenë, – i thashë, organizatat e Partisë kanë dhënë këto e këto fakte, për këtë person dhe për këtë person, dhe këta janë të tillë. Ky filloi të m’i kujtonte disa analiza të mëparshme që ishin bërë në byronë e Komitetit të Partisë të rrethit të Fierit dhe “shiko ato atje, – më tha”.
KADRI HAZBIU: Po, këtë po, më kujtohet që ta kam thënë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Domethënë kjo nuk ishte detyra e saj?
KADRI HAZBIU: Këtë po, i’a kam thënë që shikojeni.
SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Shoku Enver, më falni.
KADRI HAZBIU: Po ta mbaroj unë se është ajo pyetja.
SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Jo, jo, lidhur me këtë është dhe kjo që do them: Një muaj përpara kam qenë në konferencën e BRPSH-së të rrethit të Fierit. Shoqja Naunka Bozo, pa ditur fare se do të vinte një ditë që do të diskutonim në këtë mbledhje për Kadriun, më është ankuar dhe më ka thënë pikërisht kështu: “jam shumë e tronditur nga një qëndrim i Kadri Hazbiut, që më tha dhe çilimi, më tha: keni bërë një analizë të gabuar”.
KADRI HAZBIU: Unë të kam thënë çilimi? Domethënë ti ia paske thënë shokut Harilla?
SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Ma ka thënë shoqja Naunka kur isha në konferencën e Rinisë.
SHOQJA NAUNKA BOZO: Po, po.
SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Ma ka thënë pa e ditur fare për mbledhjen që do bënim sot.
KADRI HAZBIU: “Çilimi”?!
SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Po.
KADRI HAZBIU: Unë i kam thënë shoqes Naunka, ia kam thënë pastaj dhe shokut Hekuran që në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Fierit ka tradita të një pune pas shpine.
SHOQJA NAUNKA BOZO: Nuk është e vërtetë që më ke thënë kështu.
KADRI HAZBIU: Të kam thënë që është vrarë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme pas shpine? Të kam thënë që janë shkarkuar kështu me shpifje e njërën e tjetrën. Këtë e kam thënë që ju ta gjykonit në kompleks. Këtë ia kam thënë dhe shokut Hekuran.
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, jo, nuk më ke thënë kështu, po më ke thënë që Riza Kuçi është kuadër i mirë, këtë më ke thënë.
KADRI HAZBIU: Të kam thënë që nuk e njoh për njeri të keq.
SHOKU HEKURAN ISAI: Po njësoj është ajo. Domethënë e njeh për njeri të mirë?!
KADRI HAZBIU: Këtë po, e kam thënë, po jo pas shkarkimit, të kam thënë më përpara.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Këtë e njeh për të mirë, tjetrin po ashtu, lind pyetja: Çfarë njeh ti atëherë?
KADRI HAZBIU: Urdhëro?
SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë këta që janë njerëz të këqij ti i njeh për të mirë, atëherë, çfarë njeh ti?
KADRI HAZBIU: Cilët janë të këqij?
SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë këta elementë që i ka dënuar Partia ti i njeh për të mirë, kështu i njeh ti njerëzit? Njërin nuk e njeh për njeri të keq, tjetrin po ashtu, atëherë çfarë njeh ti?
KADRI HAZBIU: Unë kur kam biseduar me shokun Hekuran për Riza Kuçin, ai ishte kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Fierit dhe e kam quajtur ashtu si thashë, se unë vetë nuk di që ai të ketë gjëra të këqija.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Jo, ta dish dhe këtë: ti ke marrë në Ministrinë e Punëve të Brendshme kuadrot më të liq që kanë qenë poshtë në bazë dhe këtë e di mirë ti, prandaj, përgjigju këtu!
KADRI HAZBIU: Mirë.
SHOQJA NAUNKA BOZO: Dhe një gjë tjetër: Kur Byroja Politike e dërgoi Kadri Hazbiun në Ballsh, ku do të punohej letra e Komitetit Qendror të Partisë mbi veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu nxirrte se cilët ishin djemtë e lavdishëm të Mallakastrës, Idriz Seitin, Hajdar Aranitasin e të tjerë e të tjerë.
KADRI HAZBIU: Ë? Unë?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kur i ka nxjerrë, në ç’kohë ka qenë, mbas vetëvrasjes së Mehmet Shehut?
SHOQJA NAUNKA BOZO: Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, edhe në festën e Poçemit, – tha dhe i nxori të gjithë atje.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Idriz Seiti na doli që mbante atë dokumentin e shkruar nga Mehmet Shehu.
SHOKU ENVER HOXHA: Shoqja Naunka. Tani ç’t’i përgjigjem Kadriut unë?! Para se të vinte në Fier e t’i thoshte gjithë ato gjëra, i thashë të shkonte në Mallakastër, të mblidhte popullin dhe t’i fliste kundër Mehmet Shehut; t’i thoshte atij, që më vonë e arrestuam, Hekuran Qazimit: “do të rrish urtë, se do të të zëmë nga zverku dhe do të fusim brenda!” Kurse ky ka bërë këto gjëra! Këto janë gjëra të çuditshme! Mirë, – thotë shoqja Lenka, që ai ndihmon të tërë njerëzit e këqij.
SHOQJA NAUNKA BOZO: Kam të drejtë të mburrem, – thoshte, se kam qenë gjithë jetën besnik i Enver Hoxhës.
SHOKU ENVER HOXHA: E, e (me ironi).
SHOQJA NAUNKA BOZO: Ja ky ka qenë “besniku”!!
SHOKU ENVER HOXHA: Besnikërinë e tij tani e kemi shpjeguar ne.
KADRI HAZBIU: Shoqja Naunka, tani unë le të mbaj mbi shpinë çdo gjë, po e vërteta është kështu: edhe në Mallakastër kur kemi qenë, unë kam thënë që luftën nuk e ka bërë Mehmet Shehu, po e ka bërë Partia.
(Reagim nga të gjithë shokët. Shumica thonë: po ç’do të thoshe ti?).
SHOKU ENVER HOXHA: Nejse, s’dimë ne ç’ke thënë ti?!
KADRI HAZBIU: Një minutë, një minutë. Po tani Naunka është Naunka!! (me ironi). Unë kam ndërgjegjen time për këtë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Naunka është sekretare e parë e Komitetit të Partisë të rrethit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, Naunka është sekretare e parë e Komitetit të Partisë të rrethit dhe s’ka gabuar asnjëherë, kurse ti ke gabuar deri në grykë.
KADRI HAZBIU: Mirë, deri në grykë le të kem gabuar, shoku Enver, do të përgjigjem.
SHOKU ENVER HOXHA: Si, “mirë”?! Si “mirë”?!
KADRI HAZBIU: Po ama, jo dhe (e ndërpret shokun Enver).
SHOKU ENVER HOXHA: Epo atëherë ta mbyllim, shokë. Në qoftë se nuk përgjigjesh, ne e mbyllim diskutimin.
KADRI HAZBIU: Po jo të shtrembërohen gjërat, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Edhe unë propozoj që të të arrestojnë.
KADRI HAZBIU: Po mirë, dakord (shokët shprehen dakord).
SHOKU ENVER HOXHA: Po sigurisht, posi.
KADRI HAZBIU: Dakord, posi. Partia ime më arreston.
SHOKU ENVER HOXHA: Partia “jote” të arreston se ke bërë faj. Atëherë përgjigju!
KADRI HAZBIU: Në qoftë se unë jam i tillë për t’u arrestuar, le të arrestohem, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, edhe do të të arrestojmë, patjetër do të të arrestojmë, se kemi dokumente.
KADRI HAZBIU: Po jo me shtrembërime.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mos u fol në këtë mënyrë shokëve.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në agresivitet.
KADRI HAZBIU: Më falni, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Si nuk të vjen turp kur thua: “Ti je Naunka”, po ti ç’je?
KADRI HAZBIU: Naunka është Naunka që ka fjalën e saj, unë kam timen. Këtu e kisha fjalën.
SHOKU ENVER HOXHA: Ti ke tënden, po s’na thua gjë.
KADRI HAZBIU: Po ç’të them unë? Të them ashtu siç thotë Naunka? Po unë i kam thënë Naunkës dhe për muzeun e Ballshit që shikojeni se nuk e keni mirë. I kam thënë dhe shokut Ramiz që dërgoni njeri të shikohet muzeu i Ballshit.
SHOKU MUHO ASLLANI: Ti je mendjemadh dhe nuk pyet as për Naunkën, as për ndonjë tjetër nga mendjemadhësia dhe kapadaillëku yt. Po atje ku të intereson, ata i merr gjithnjë afër dhe në rrethe po ashtu, i afron njerëzit e tu.
KADRI HAZBIU: Çfarë kam marrë, mor, çfarë kam marrë?
SHOKU MUHO ASLLANI: Çfarë ke marrë? Dhe në Shkodër, dhe në Durrës që ke ardhur, njerëz pijanecë ke afruar.
SHOKU ENVER HOXHA: Deri tani, ti Kadri, nuk na ke thënë hiçgjë.
KADRI HAZBIU: Pijanec unë nuk kam qenë ndonjëherë, shoku Muho.
SHOKU MUHO ASLLANI: Urdhëro?
KADRI HAZBIU: Pijanec nuk kam qenë ndonjëherë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016