Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e shtatë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Dokumenti sekret i Ministrisë së Punëve të Brendshme me informacionin për bisedat e zhvilluara nga të dënuarit e burgut të Burrelit, Xhavit Qesja, Muhamet Prodani, Todi Lubonja dhe Andon Sheti, të cilat janë marrë me Teknikë Operative (përgjues) dhe janë zbardhur nga incizimet e tyre
Republika Popullore Soc. E Shqipërisë “SEKRET”
Ministria Punëve të Brendshme Ekzemplari Nr.2
Dega Punëve të Brendshme Grupi II-të
(Ana Sigurimit) Burrel me 29.1.1984
Nr.___
Ndalohet Riprodhimi!
LEGJENDA:
T – Todi Lubonja
A – Andon Sheti
M – Muhamet Prodani
Xh – Xhavit Qesja
(————-) Sqarimet e Punëtorit Operativ T. Operative.
INFORMACION
Mbi dëgjimin me Teknikë Operative Stacionare, të dënuarit anti- parti Todi Lubonja, Andon Sheti, Muhamet Prodani dhe Xhavit Qesja. Dhoma Nr.2 date 26.1.1984.
T – O, o, o, ti je?
A – Po
T – Po si e kalon?
A – Po mire.
T – Po burrë i fortë me shëndet mirë? …(tha, etj., pa rëndësi operative). Po hë si je ore Andon, po ti qenke mirë shumë me shëndet… (fillon edhe qeshën me ironi të madhe)
A – Po ja ore derëzi nga zemra kam qenë i sëmur dhe me një herë më lidhën, po vuaj nga zemra dhe ato më merrnin e më lidhnin … (qeshin). Po nga zemra vuaj, e tensionin e kam të lartë.
M – Po nga fëmijët ke marrë letër a po të kanë parë?
A – E po nga fëmijët kam marrë dhe mirë janë të gjithë, mora një letër dhe kishte ikur ai djali i vogël ushtarë… (etj., etj., pa rëndësi operative). Po ti Todi si i ke?
T – Po mirë ore mirë, para tre ditë më erdhën në takim këtu, gruaja dhe ai djali i vogël.
A – Po mirë të erdhën në takim, po tani ato janë në Fishtë?
T – Në Fishtë…( etj., etj., pa rëndësi). Po me Fatosin (Lubonjën) nuk pate ndenjtë fare?
A – Po Fatosi pati ikur në Spaç.
T – Atje është akoma.
A – Po ai qe mirë kur qe në Zejmen. Po ti Xhavit e ke nënën?
Xh – Po.
A – Po të vjen nëna?
Xh – Jo, e ka ndalue që vjet, po ajo është 89 vjeçe… (etj., pa rëndësi).
M – Po kështu ti, nëpër dhomat e tjera si shkoje?
A – Po ku?
M – Këtu, kur ishe pa ardhur tek neve.
A – Po tani si të thuash… një shoqëri shumë heterogjene edhe nga mosha edhe nga të gjitha gjërat, por më than të drejtën, aty kisha nja tre katër që i njihsha dhe bile edhe u mundonin që të më ndihmonin, por unë nuk desha, pastaj mbasi unë u ambientova dhe gjeta qetësi.
T – Po tani si të sollën këtu?
A – Tani sikur gjeta karar atje dëgjon.
T – E, e, e, e…
A – Tani gjeta qetësi dhe më lëvizjen.
T – E, ë, ë, ë, tani ke gjetur qetësi dhe ke shfaqur kënaqësinë atje dhe prandaj të suallën këtu… (qesh me ironi të madhe) ej dreq o punë!
M – Edhe thonë kështu befasi.
A – Eee befasi ë…(qeshin)
T – Po Fatosi (Lubonja) si vente ë?
A – Po mirë, mirë.
T – Mbahet mirë ëëë?
A – Po nga të gjitha pikëpamjet mbahesh mirë.
T – Ashtu ëëë?
A – O, o, o, po për ndër po.
T – Ë, ë, ë.
A – I fortë ishte nga të gjitha
T – Ashtu ëëë!
A – Po i fortë nga të gjitha edhe i sjellshëm e me të gjitha ishte mirë ka ç’ti shikosh, po kishte ca kohë, bërë ca kohë fushë pamje aty, diku luanim aty.
T – Luanit aty ëëë?
A – Po ja luanim… (qeshin)
T – Ej dreq o punë.
A – Po mirë ore mirë, mirë, po kishte ardhë ajo…
T – Po, ajo Zana e shoqja.
A – Po aty varet, se si kalon dy tre vjet a po ma shumë.
T – E po merre merre është… (qeshin me ironi të madhe)… ej more dreq, po nga shtëpia si i ke, mirë të gjithë?
A – E po mirë duhet thënë ore derëzi, se ato vuajnë moralisht e fizikisht, po të gjithë po vuajnë ore, vuajnë shumë.
M – E po për këtë mos e pyet, po atë djalin ushtarë e murrën ëë?
A – E morën po, atje nga Patosi duket se bëri qendrën e instruksionit…(etj., pa rëndësi me u zgjat)
T – Po sa fëmijë ke ore Andon?
A – Po kam dy djem dhe një vajzë.
T – A, a, a, të rrojnë …(etj., etj.)
M – Po ti pata parë fëmijët, por kurë erdha unë ty të patën arrestuar.
T – Po që kur të kanë arrestuar ore Andon?
A – Në prill të 76-ës
T – Në prill të 76-ës, mos more.
A – Po mirë ti kur vajte atje tek ai pallati i ri që po bëhej?
M – Po në atë pallat…(etj., për këto)
T – Po si ——— çfarë u bë?
A – Po —– e kthyen prap atje në Zejmen.
T – Po në Zejmen ë ë? Po çfarë kishte ky apo ishte i sëmurë, apo vuante nga zemra?
A – Po e din të tjerët ore derëbardhë, si gjithë të tjerët.
T – E, e, e, si gjithë të tjerët.
M – Po ku ishte i sëmurë si ore, po ai ishte si derr, po si ishte si derr, po e poqa në kaush unë atë, në kaush.
A – Ë, ë, ë, ë. Po qe i fortë ore i fortë dhe ndeji në Zejmen.
M – Po, po, e poqa në kaush…( etj., etj., pa rëndësi me u zgjat)
T – Një dreq, po me Dalipin ishte ai atje ë? (e ka për kuzhinierin)
A – Po me Dalipin po ( e ka për krahun e treshit, për Dalip Gabën).
P – Po Dalipin e kemi pasur kuzhinier në këtë krah këndej.
A – Po i mirë ai dhe muhabet kështu edhe një çik ndihmë me një çikë kështu shkonim mirë, atëhere pastaj ishin dhe të rinj nga këto të fundit.
T – Merre, mere, turli.
A – Pastaj ishin nga këto të Bulqizës
T – O, bo, bo, bo…! (hapet dera për të bërë ajrimin dhe vinë me radhë për ta takue në afërsi të derës) … A. a, a, a, qenke arrestu herët, që në 76-ën ore ti Andon, po me çfarë neni je arrestuar?
A – Po me nenin… për agjitacion e propagandës dhe shfrytëzim i postit zyrtarë, kupton ti… marrë edhe me atë literaturën, gjoja në dijeni je dhe botuar ke dhe i ke shumëzuar dhe i ke shpërndarë dhe i ke shfrytëzuar. (etj., etj., pa rëndësi me u zgjat).
T – Po me këta nuk të lidhën ty, me këta Beqir Ballukun e këta, jo aq?
A – Po ndonjë fjalë se janë takuar e janë kështu, ore derëbardhë akuza.
T – A ,a, a, a, a, ato akuza kishte dhe Vaska thuaj.
A – Aktakuza kishin vurë … (etj., etj., ato të hetuesisë pa rëndësi).
T – Po mua ma çuan atë Fatosin tim atje në atë kodër-Spaç ore, ja u qi… zotin.
A – Po të shkruaj ore të kërkojë dhe të iki fare andej.
T – Jo ore, shkroi dhe shkroi dhe hiç fare ….(etj., etj.,) po ne na gënjejnë ore ai zv/drejtori i kampeve e burgjeve si M. Bare, tha se atje në Zejmen, ka të sëmurë e të vjetër në 50 vjeç e përpjetë.
A – Jo ore ka dhe të rinj.
T – Po mesa duket nuk punon atje në Spaç… (etj., etj.,) pyet dhe për dënimin e Todi Lubonjës dhe Todi i jep përgjigjen). Po ishim njëherë atje me shokun Dhon.( nuk i kuptohet emri) atje në Dhërmi edhe tha ai më than të drejtën tha, këtu është mirë të vijmë dhe të kalojmë pensionin më tha. Po të kalojmë ore të kalojmë, dakord i thashë unë… (qeshën më të madhe dhe me ironi).
A – Po me kalue po … (qeshin dhe i përzien bisedat me ironi të madhe).
T – Po kam shkue mirë me të.
M – Po gruaja të punon akoma?
A – Posi ore … (etj., etj,. pa rëndësi me u zgjat).
T – Ej more shejtan ore shejtan. (pauz e gjatë) Po Dashnorit (Mamaqi) atje në Zejmen ishte?
A – Po
T – Po për agjitacion e propagandë ishte? Tani për këtë rri gati se do të pyesi Fadili (Paçrami) Fadili e ka qef dhe do të pyes për punën ——– (qeshin me ironi).
A – Po mirë more le të pyes … (qeshin)
T – Fadili ka qëndru me të, po zagarë është dhe si …
M – Po qen bir qenit. (qeshin) Po ai është i keq shumë…
T – Po Vasili me ju ishte?
A – Të dy ishin bërë, po Vasili ndiente kënaqësi … por të dy kanë mbaruar fare…
T – Kanë mbaruar ëëë?!
M – … po ne nuk e muarëm vesh se u bë gjyqi në Fier.
A – Jo, jo, jo hiç, nuk e kemi marrë vesh (nuk dihet se për cilin pyet) Po se është arrestu u muar vesh.
M – Po se u arrestua e morëm vesh ne se kishte qenë në dhomë me ne Ganiun (Kodra) drejtori dhe e kishin vënë me një birucë, atë takova unë në kaush, edhe …… Qemal Pashaj.
A – E atje ishte dhe ai.
T – Po ai djali im atje kur u dënua për së dyti, thanë se nuk pranoi që të firmosi asnjë proçes dhe nuk kanë barë asnjë proçes, kupton ti a po jo, gjatë gjithë hetuesisë.
A – Po, po e drejtë, këtë më tha dhe mua. Po i matur shumë dhe e donin shumë
T – Mirë po tani, M. Shehu poli-agjent, ka punuar për t’i bërë të kapin agjentë të CIA-së.
A – Po.
T – Po tani nxjerri.
A – Po patë dalë një artikull, por nuk di se në cilin…?
T – Po në një artikull more, në rrugën e Partisë.
A – Në rrugën e Partisë, duket se e kam parë unë.
T – Kadri Hazbiu e Feçor Shehu thotë, u përpoqën thotë të bëjnë arrestime në plan të pare, në një kohë kur është thënë që arrestimi duhet të jetë fisheku i fundit…!
M – Po ja ore ja udhëheqja e Partisë në organet e Ministrisë Brendshme…!
T – Po tani mund të zgjidheshin në formë të tjera këto punë, por është tjetër thënia, e tjetër vendimi i gjyqit.
A – Po të lëshojnë njerëzit, pa ta s’pat faj.
T – Jo për drejtësinë ka rëndësi i madhi, ka rëndësi.
A – Rëndësi imediate, është të vesh në shtëpi tek fëmijët, tani mirë të bëhet shkallë, shkallë.
T – More për të arrit atë, se nuk ka luajtur nga mëndët.
A – E pra mirë atë, por mos pritni … (përzien bisedat dhe grinden).
T – Po unë nuk nisem nga ajo xhanëm që lëshon, por unë nisem nga ajo tjetra, që për vetë Partinë dhe Pushtetin ka rëndësi, kupton ti, çështja që atje ku është shkelur ligjshmëria, meqenëse.
A – Po pra.
T – Ka dalur një grup i rrezikshëm dhe ato si të jenë le të jenë, po atje ku është për të ndreq le ta ndreqin.
A – Mirë ore mire, po tani është në rrezik shteti, po ….
T – Po atje ku është shkelur po them unë, se ka njerëz që janë futur në burgje.
A – Po mirë ore mirë, ka dhe nga ato, ka dhe maskarenj, ka që kanë hyrë dhe nga dy herë e nga tri herë, por jo për të njëjtin faj, për të njëjtat akuza.
T – Ë, ëëë!
A – Po tani i ka futur brenda…
T – E hë.
A – Po i ke marrur njeriut ore, i ke marrun gjënë më të shtrenjtë.
T – Po i thashë unë atij M. Bares, që atje ku keni çuar djalin tim, atje ka dëshmitarët. Po ata nuk janë bër, fët kështu …(qeshën me ironi), po nuk desha që ta zgjasja muhabetin, se po ti flisja, do më thoshte po ti nga i ke marrë vesh gjithë këto gjëra, apo jo, por gjysmën e kanë bërë pelde dhe i kanë rrahur në kaush.
A – E eee!
T – Me dru, me të rrahur dhe gjysmat i kanë lëshuar andej e këndej, i kanë shpërndarë e i kanë futur edhe këta dëshmitarë. Po tani dëshmitari është dëshmitar dhe në qoftë se ky ka thënë një të vërtetë, ti do ta mbrosh, kupton ti dhe jo ta lësh në dorë të atij që ta zhdepi.
A – Po sa u ngritën atje në Ballsh, që bënë letra.
T – Bën letra ëëë?!
A – Po, bën letra nga këta dëshmitarët.
T – Ashtu ëë?
A – Po po…
T – Po pra u bëjnë presion.
A – Po kanë dalë njëherë e dy herë dhe tri herë dhe u shkruan…
T – Ë, ë, ë, ë u shkruan vetë ata, se na kanë detyruar me gënjeshtra.
A – Vetë, vetë u krijuan vetë.
T – Po tani derti, ku të punon një çik ndërgjegjja, sidoqoftë… (etj., etj., dhe fillon Andoni të shfletojë gazetat për të gjetë ndonjë artikull).
A – Po ky Gjin Marku qenka aman aman, po ato fëmijët i ka shumë të edukuar dhe sidomos vajzat.
T – Po dhe vajzat ashtu janë, por tani i kanë heqë nga Fieri dhe i kanë çuar në fshat, në Hoxharë.
M – Po i kanë hequr dhe në shtëpinë e tij kanë vënë atë zv/ministrin Ushtrisë.
T – Atë Berberin?
A – Po në ato të ushtarakëve.
M – Po ai si është i njohur, Nazari është i njohur që është ne Fier, ndërsa Vebiun e kanë çuar në Cërrik, këta janë të njohur, se Arifi e paska pasur, djalin e Arifit, paska qenë fejuar———-
A – E he
M ——————————————————————————————————————————
T – Po kishte shumë që u liruan nga kampi i Ballshit, ore ti Andon?
A – Po nja 300 e ca veta, por këto ishin ashtu të kategorive ashtu…!
T – Gja pa rëndësi. Po nga ato u liruan shumë?
A – Po u liruan por ato që ishin pa rëndësi, një pjesë nga ato 60 vjeçar, një pjesë që u kishte mbetur më pak se një vit…( etj., etj., pa rëndësi)
U shtyp në dy kopje
Kopjet kaluan sek. Operativ për të implikuar. Memorie.al
Punëtori Operativ T. Operative
Ndue Sulejmani
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016