Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e tetë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, për bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe disa të dënuar të tjerë në burgun e Burrelit
Marrë nga Punëtori Operativ
Vehap Kuka
Dhënë nga B.p. “Butrini”
Burrel më 9.12.1981
Raport i datës 9.12.1981
- Mbi të gjitha këta i bashkon urrejtja për Partinë e marksizëm – leninizmin. Në këtë pikë dhe kjo është kryesorja të vjetër e të rinj, si ata që janë dënuar 25 vjet më parë – Maqo Çomo, Gjin Marku, Xhavit Qesja edhe ata që janë dënuar më pas, nga Todi Lubonja, Fadil Paçrami, deri te Gjergj Titani, mallkojnë Partinë. “E dashura mëmë na dënoi”, thotë me tallje Todi Lubonja: “Ajo na ka siguruar kushtet optimale…, kujdeset për shëndetin tonë – tamam si mëmë”.
Përjashtu udhëheqësin e Partisë…, të cilin gjoja kanë “dezinformuar”, “sa e kanë futur në qorrsokak, në një rrugë pa krye”, (Fadil Paçrami), e për të cilin janë më të përmbajtur, në shenjë e me “përgjegjësi historike” kanë veçanërisht:
- Kryeministrin,…
- Ish-sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë, që vdiq. “Një kallepxhi” sipas Todi Lubonjës, “Njeri që besonte në të dhënat e Sigurimit e këta i kishte bazë” (Fadil Paçrami):
- Sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë për propagandën – veçanërisht F. Paçrami,
- Anëtarin e Byrosë Politike, tani M.M.P.
Nuk lenë në harresë edhe udhëheqës të Partisë e të shtetit anëtarë të Byrosë Politike, kuadro e organet e Punëve të Brendshme e Gjykatës.
Doemos, më pak flasin për udhëheqësit e rinj, por s’lënë pa bërë vlerësime e cilësime të tilla: “Krijesa të rritur e zgjedhur prej tyre. Por të rinj, të pa sprovuar. Dhe a do ta garantojnë vazhdimin e këtij kursi? Pyet në mënyrë dyshonjëse Gjin Marku deri Hazbi Lamçe.
- “Bashkimi” shprehet edhe në formën e solidaritetit, të keqardhjes, ndihmës morale, ekonomike e financiare që i japin njëri tjetrit “Fatkeq” thotë Gjin Marku. “Të vjen keq kur e sheh në këtë gjendje” thotë Rr. Përllaku për Vaskë Gjinon. Kujtoj çfarë bën Fadil Paçrami për Gjergj Titanin kur ishte në birucë e tani, “dashamirësia” me të cilën i përgjigjet Fadilit, Gjergji Titani.
Pra, nga sa sipër del se fijet që i bashkojnë midis tyre janë të shumta. Dhe këto janë të dukshme dhe të padukshme – të fshehta. Këta nuk i bashkon vetëm ideologjia, urrejtja që kanë për Partinë, ‘Diktaturën e proletariatit’, për udhëheqës të Partisë e shtetit. Këta i bashkon edhe nevoja që kanë si armiq që janë për të përkrahur e ndihmuar njëri tjetrin. Dhe dihet, se disa, p.sh., Vaskë Gjino, e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur të jetojnë. Kështu edhe nevoja i shtyn të pranojnë e kërkojnë mbështetje, lidhje, mënyra e mjete, me qëllim që të sigurojnë bashkërendimin e veprimtarisë armiqësore.
Por në bazë të mbështetjes e përkrahjes qëndron ideologjia, koncepte e pikëpamjet e përbashkëta. Kështu shpjegohet p.sh., interesimi i Fadil Paçramit për Gjergj Titanin ose e kundërta; kujdesi i veçantë i çiftit Maqo Çomo e B. Belishova për Vaskë Gjinon; i Xhavit Qeses për Abdul Banushin etj. Sepse këtu kemi patur e kemi raste që këmbës t’i biesh, e një lugë ujë nuk të japin., jo më ndihmë…”! Kurrë nuk ndodh që kjo të bëhet pa interes.
Ai e ka provuar në kurriz që tepricën e bukës apo të gjellës, ta hidhnin në vrimë të nevojtores e kurrkush nuk i dha e Ai s’pranoj. Por me që ra fjala, ndihma në këtë drejtim, nga disa, si p.sh., nga Gjin Marku e Xhavit Qesja, jepet edhe kur kanë “bindjen” se ky apo ai është bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit. Kështu p.sh., Gjin Marku ka ndihmuar gjithnjë Hazbi Lamçen, tani edhe Xhavit Qesja, sepse nisen nga qëllime komprometuese, që ky të ndikohet e të raportojë “me objektivitet”.
Burimet që ushqejnë qëndresën armiqësore dhe shpresat e tyre.
Këto janë të njohura. Dy janë burimet kryesore: Mirëpo edhe në këtë çështje me sa duket, nuk ka një mendim unik. Ka midis tyre nga ata që shpresën e kanë në faktorin e jashtëm, të tjerë që e lidhin me faktorin e brendshëm.
Për grupimin: Maqo Çomo, Vaskë Gjino, Gjin Marku etj., si pro Sovjetik, kokën e shpresat i mbajnë vetëm në një ndërhyrje e përmbysje të situatës me veprime ushtarake. Këtë e shikojnë jo vetëm të mundshme, por si një ngjarje që nuk mund të mënjanohet. Këta rivalitetin e acarimin e kontradiktave midis Bashkimit Sovjetik e SHBA-së në Europë dhe në Ballkan, i shikojnë të favorshëm. “Janë mahisur,… do të shpërthej” (thotë Vaskë Gjino) dhe “kjo nuk do të zgjasë”. Këta, siç dihet vënë në dyshim qëndresën e Luftës Popullore dhe me atë forcë goditëse që ka Bashkimi Sovjetik, me atë temp mesmeje, është në gjendje që operacionin ushtarak ta kryejë në befasi, pa arrirë të kundërveprosh, e mos të të lejojë të marrësh frymë.
- Ndryshe mendon ose të paktën shprehet Xhavit Qesja. “Këta presin parashutistët e Kulikovëve dhe “Zim”-at që të vijnë e t’i marrin” – thotë në adresë të grupimit pro-sovjetik.
Në këtë rast unë do t’lutesha të më jepnin një pushkë, do luftoja kundër pushtuesve e kuislingëve. Në se mbetem i gjallë, do vija përsëri në portën e burgut e të vuaja dënimin”.
Pa u bërë gjynahqar i “patriotizmit” të Xhavitit, lind pyetja ku e mban kokën, si e shikon rrugëdaljen?! Xhavidi, njihet si njeri i mbyllur. Sovjetikët e grupin e tyre i urren. E atëhere në çfarë shpreson? Sepse – thotë – se kështu do të vepronte “ndaj çdo ndërhyrje të jashtme”. Përsëri nuk do dyshojmë, megjithëse flet me dashamirësi e me simpati për qëndrimet e Partive Komuniste (ish) të Europës, p.sh., atë italiane, mbas Kongresit të XX-të, dënon e bashkohet me ta kundër ndërhyrjes e pushtimit të Hungarisë, Çekosllovakisë e Afganistanit. Afron me pikëpamjet e euro-komunistëve.
Po ky Xhavit Qesja, nuk ka humbur çdo shpresë. Po të analizojmë disa shprehje të tija, ky na del se shpresën e ka në faktorin e brendshëm. “Të ardhmen e shikoj në përparimin e vendit, në Universitetin, në Akademinë, në shkencën e teknikën. Përvetësimi i dijeve shkencore nga Rinia, kjo është ëndrra time, këtu i kam shpresat. Vetëm kjo e atëhere do të bëjë revolucionin! Qofsha i gabuar, por ky shpreson se Rinia do të bëjë edhe përmbysjen, “do të shikoje e gjykoj me objektivitet edhe gjithë ngjarjet historike”.
- Të tjerët, sidomos Fadil Paçrami, Gjergj Titani e Todi Lubonja, në këtë çështje janë disi të rezervuar, por të bindur që “përmbysje do të ketë”. (Todi Lubonja) “Se historia do ta thotë fjalën e saja, pavarësisht nëse do të jemi gjallë apo jo”, “Se tek neve është e domosdoshme dhe do të ndodhin ndryshime strukturale – Këto janë të nevojshme e të domosdoshme…”. (Fadil Paçrami).
Kjo treshe, sidomos Todi (Lubonja) nuk ka shpresa, nuk i beson ëndrrave të Maqo Çomos, por lidhet me të përmes shumë fijeve, urrejtjes që kanë për Partinë, vijën e saj etj…!
Todi Lubonja nuk don, nga sa duket e nga ndonjë shprehje nuk do të bashkohet me asnjë grupim. Sepse në sajë të zgjuarsisë, sa do që i pëlqejnë ato ç’ka shpresojnë të tjerët, ky nuk beson. Dhe qëllimi i afërt i tij është t’i shpëtojë ndonjë goditje tjetër, së cilës i trembet dhe e parandien. Ky është edhe kuptimi i shprehjeve “Dua vetë izolim”. Është dinak. Nuk i beson kurrkujt.
- Burim i përhershëm ushqim i këtyre, i veprimtarisë armiqësore, mbetet edhe tërësia e mbeturinave, të vjetra. Këta janë bartës me doza të tilla mikroborgjeze që nuk ka ilaç që t’i shpëtojë.
Në qoftë se, siç u tha, nuk kanë arrirë një bashkim e organizim në këtë anë, një rol negativ (për ta) kanë dhe mbeturina. Janë të tilla sa që edhe vetë këta i dëgjon të pohojnë se: “Nuk bëhet stan me lepuj”, s’mund të gjendet fjala më “kurva” dhe me “kodoshë”. (Përkatësisht Maqo Çomo e V. Gjino). Sepse, në mënyrë të pavarur nga mosmarrëveshjet, që të gjithë janë revizionistë, kanë një bazë ideologjike, kanë po atë urrejtje për marksizëm-leninizmin dhe për Partinë.
E sa do që Maqua “i shkreti”, bën të pamundurën për t’i afruar “për të harruar çfarë i ndan, por të shikojmë të ardhmen”, prap se prap mundimi po i shkon kot.
Këtu në sjelljen e qëndrimin e këtyre, ndoshta më qartë se kudo bie në sy, morali e karakteri i oportunistëve të djathtë.
Krekosen e kapardisen njëri më shumë se tjetri s’ja lëshojnë radhën e vendin kërr kujt! Shpesh flasin për personalitete të veçanta që ka secili dhe s’ka dyshim që dallohen e kanë të veçanta. Mbi të gjithë shquhet Gjergj Titani, për mospërfillje, grindje, arrogancë, prepotencë e ‘dituri” të gjithanshme.
Ky i fyen me radhë Maqo Çomon, Fadil Paçramin e Todi Lubonjën, me një fjalor rrugaçësh. Pa të keq, me zë të lartë grinden me Todin, i thonë njëri tjetrit: “Mos më çaj …………………. “Ti je pa kulturë e pa edukatë”, ia pret tjetri.
Kush i dëgjon për të parën here, do kujtoj se do të bëhet hataja, do të çuditej si është e mundur që këta njerëz me “kulturë” e gjithë atë përgjegjësi, të arrijnë në këtë grade! Dhe mbase çudia do të rritej, kur pas 1 orë inati t’i shikoje kokë më kokë, të hanë me një lugë, e të puthen me njëri tjetrin.
Lëshimet reciproke, bile pa kufi ndaj njëri tjetrit, janë shndërruar në norma të moralitetit të tyre.
Si të tillë këta nuk i besojnë njëri tjetrit. I shoqëron mosbesimi, dyshimi, shpifjet e thashethemet. Në 90 % të rasteve, këtu po qe se u bënë dy veta bashkë, me siguri shajnë një të tretë…!
Pa turp e pranojnë e nga një herë dëgjon të thuhet: “shoqëri me gisht në b……”, “për të zhvatur nga njëri tjetri”.
Pikërisht sepse janë të tillë, “bashkimi” i tyre mund të çahet, të gjurmohet e të njihet. Mosbesimi në përgjithësi dhe veçmas ndaj atyre që dyshojnë, është një pengesë, por pengesë jo e pakapërcyeshme.
Këtu kërkohet takt e ruajtja e konspiracionit, ç’ka edhe Ai nuk e ka arrirë gjithmonë. Nga pësimi janë nxjerrë mësime, e Ai do ketë para sysh udhëzimet e tuaja.
Nga mënyrat efektive të luftës kundër tyre, ka qenë e mbetet vënia e ballafaqimi midis tyre. Po këtu ka kohë që debate i hapet mbi çështjen politike është zëvendësuar nga bisedat vesh më vesh. Në mensë është kërkuar e arrirë, që në emër të moskrijimit të tensioneve e shqetësimeve, të mos bisedohet. Iniciator ka qenë Xhavit Qesja, e kjo është pranuar. Rrallë herë ka ndonjë debat.
Bisedat bëhen kryesisht gjatë kohës gatimit dhe në ajrim. Nga forma e përmbajtja kanë si duket karakter disi të fshehtë. Po, megjithëkëtë përmbajtja e tyre, s’mbetet fare e panjohur. Sepse ka midis tyre që flasin, si Gjergj Titani që ka majasëll në majë të gjuhës. Lëshon shprehje, që po t’i ndjekësh s’mbeten të pazbërthyera.
Në këtë drejtim janë shfrytëzuar inatet, grindjet e zëniet midis tyre. Mund të shfrytëzohen dhe në të ardhmen tjetër burim, veç atij personalisht, Ai ka pasur të dhënat ndaj Lipe Nashit, Kiço Ngjelës e Rrahman Përllakut, por vërtetësinë është përpjekur të provojë e krahasojë.
Theksoj se në përgjithësi, këtu në mos ka një mospërfillje dhe neveri për “Dëshmitarin”. Rolin e tija e cilësojnë si atë të B.p. të organeve të Sigurimit. Kështu duan të kultivojnë mendimin se është një qëndrim i poshtër, të mbrojnë veten dhe t’i vinë në mbështetje tezës, se gjyqet tona bëhen pa prova. Është tamam për këto arsye që ai mendon se dëshmitari duhet kërkuar e gjetur midis radhëve të tyre. Sigurisht nuk është e lehtë, por as e pamundur.
Kështu, në mënyrë paraprake mendoj se si dëshmitar mund të shfrytëzohej………… në adresë të disave. Ky në një rast thotë se “Unë mund të pranoja, mund të zbuloja veprimtarin e këtyre, të cilën e njoh fare mirë, prej vitesh, por në rrugë Partie…”, “S’dua të më ndodhë si me Beqir Alinë…” (U ndërpre për të vazhduar në një rast tjetër), ose Vaskë Gjino mund të shfrytëzohet si në drejtim të Todi Lubonjës edhe të Gjergj Titanit. Po, si të tillë, nuk përjashtohet as…….e as…….., ndërsa Lipia (Nashi) është i gatshëm ndaj kujdo qoftë. Është e tepërt të shënojë se në këtë çështje, dëshmitari mbase duhet përpunuar në forma e në mënyra të ndryshme.
- “Gjallërimi: – nëse kështu mund ta cilësojmë – i shfaqur në forma të ndryshme kohët e fundit, ka qenë objekt gjurmimi i veçantë dhe është në vazhdim.
Këto janë disa të dhëna, që marrin shkas nga gjendja ekzistuese. Goditjet e dhëna i kanë çoroditur e befasuar. Si do të k/veprojnë do e ndjekim çdo ditë. Memorie.al
Me respekt
“BUTRINTI”
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016