Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Dokumenti i Sigurimit të Shtetit me planin e masave agjenturiale-operative ndaj të dënuarit Xhavit Qesja, i aprovuar nga Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Ismail Musta
APROVOHET SEKRET
ZV/KRYETARI DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplarë i vetëm
ISMAIL MUSTA Burrel më 3/10/1973
PLAN MASASH
“AGJENTURALO – OPERATIVE, NË DREJTIM TË ELEMENTIT ANTI-PARTI XHAVIT QESJA!”
Meqenëse i dënuari anti-parti, Xhavit Qesja u muar nga kontrolli operativ 2/B, në përpunim aktiv 2/A, për arsye se zhvillon aktivitet armiqësor kundër Partisë dhe pushtetit popullor dhe me qëllim për të zbuluar, dokumentuar dhe goditur veprimtarinë armiqësore si element anti-parti, do të merren këto masa agjenturale-operative:
- Meqenëse agjenti “Beni”, ka fituar besimin e këtij objekti, të drejtohet tek objekti në fjalë me një vijë sjellje të studiuar, kur këto do të punojnë së bashku si përkthyes.
Kryen P.Op. E. Lata, kur të fillojnë punën.
- Të bëhet dëgjimi me T.O. në zbatim të vijës së sjelljes që do t’i jepet.
Kryen P.Op. E. Lata, kur do t’i jepet vija e sjelljes.
3. Të shkohet në Drejtorinë e Tiranës për të biseduar me ata lidhur me lidhjet që Xhaviti ka krijuar gjatë kohës që ka qenë i shtruar në spital, me qëllim për të siguruar ndonjë proces kallëzim.
Kryen P. Op. Esat Lata, bashkë me hetuesin M. Ostreni, tetor 1973, kjo pas përgjigjes që do të na kthejë Drejtoria e Tiranës me të cilën është korresponduar.
Të mbahet nën kontroll e gjithë korrespondenca e tij.
Kryen P. Op. E. Lata, çdo muaj.
Po qe se do ti vij njëri për takim nga lidhjet e tija, të dëgjohet me T.O.
Detyrë e vazhdueshme, kryen P. Op. E. Lata.
4. Të synohet për të tërhequr një kandidat të përshtatshëm për t’a drejtuar në drejtim të tijë.
Kryen P. Op. E. Lata në bashkëpunim me Kryetarin e Degës, brenda nëntorit 1973.
5. Sipas problemeve që do të dalin do të hartohen detyra plotësuese për të përpunuar më tej këtë përpunim.
Detyrë e vazhdueshme, kryen P. Op. Esat Lata.
6. Të sigurohet dorëshkrimi i tij, për arsye se ky i dënuar e shkruan shumë herë letra udhëheqjes së Partisë dhe nuk përjashtohet rasti, që të shkruaj edhe letra anonime me përmbajtje armiqësore.
7. Kryen P. Op. E. Lata, deri në dhjetor 1973.
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT
ESAT LATA RAMIZ HOXHA
Dokumenti i hartuar nga Punëtori Operativ i burgut të Burrelit, Esat Lata, me ekstraktin e përgjimeve, të bëra me Teknikë Operative ndaj të dënuarit Xhavit Qesja
E K S T R A K T
PËR XHAVIT QESEN NXJERR NGA INFORMACIONI I T.O. dt.6/10/1973
Xhavit Qesja – Duke fol me Zija Dibrën për problemin e dy Gjermanive tha: “Po, dy Gjermanitë u pranuan në O.K.B. ashtu edhe kriza e dollarit, thonë se është shumë keq, kurse për ato revizionistët sovjetik, thonë se shkuan e mbytën një agjensi në Berlinin Perëndimor.
Xhavit Qesja – Jo jo, tani ato revizionistët filluan të bëjnë një çik zhurmë kundër monopoleve e diktaturës brenda vendit, po nuk u caktua se imperializmi amerikan e ka organizuar këtë. Filluan ato të bëjnë një çik zhurmë mashtruese si republikë, por nuk e kanë me gjithë mend.
Xhavit Qesja – Në se ajo, qeveria demokratike u bë e demokracisë një herë, kapitaliste fund e krye.
Xhavit Qesja – Po e kemi origjinal, prit tani Gjermaninë Federale, kur të bëjë marrëdhënie me të gjithë. Po realiteti i jetës mori fund, po na dëmtojnë njëri tjetrin, kurse kështu lehtësojmë një tjetër.
Xhavit Qesja – Po dërguan vëzhgues more, po lëre se ç’del në gazetë. Dy Gjermani, tre Vietnam, dy Kamboxhia, e bukur do të ishte, të qenë edhe dy Shqipëri, një e Jugut dhe një e Veriut, që këpusim marrëdhëniet me këtë dhe të njohin atë.
PUNËTORI OPERATIV
ESAT LATA
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja në atë burg
DHËNË AGJENTIT “BENI”
Marrë P.Op. Esat Lata
Burrel, më 19/XII/1973
Nr. 186
R A P O R T
Ai raporton se duke komentuar artikujt e Sotir Manushit në revistën “Rruga e Partisë”, Nr.12 dhe artikullin e gjatë të “Zërit i Popullit” mbi kursimet, në një bisedë me atë, Xhavit Qesja u shpreh se: “Në artikull jepet alarmi për apatinë e masave të popullit. Këto e kanë vrarë popullin shpirtërisht, niveli i jetesës është mjaftë i ulët, prandaj populli nuk ka pse t’ju besoi”.
Xhaviti shpreh keqardhjen që udhëheqësi i qeverisë mundi të ndikoi tek udhëheqësi i Partisë, që ky i fundit të pranonte të bënte kthesën e Plenumit të IV dhe të pranonte nxitjen artificiale të luftës së klasave dhe kthimin në të kaluarën. “Apatia në popull’ thotë Xhaviti ‘do të vij duke u rritur. Gjithnjë populli dhe sidomos rinia, do t’i kthejnë krahët propagandës që zhvillohet kundër liberalizmit”.
“BENI”
Vlerësimi i të dhënës:
Kjo e dhënë ka vlerë për arsye se Xhavit Qesja mohon rritjen e mirëqenies së popullit, se Partia e ka vrarë popullin e tjerë.
Detyrë:
Bisedoni me Xhavitin dhe i thoni se vërtetë ne themi që populli ka apati për këto, por po të dëgjosh në radio dhe në shtyp, del se këtu ka entuziazëm, gatishmëri, mobilizim, si po ja arrijnë këta, që populli thërret për këto, flasin për rritje të madhe të nivelit të jetës, duke thënë: jo kemi bërë këtë, jo kemi bërë atë, megjithëse ne nuk dimë gjë, se ka kaq vjet në burg.
MASAT OPERATIVE
Pjesa ku bën fjalë për Xhavit Qesen, u shtyp në një kopje dhe u vendos në dosjen formulare të tij.
PUNËTORI OPERATIV
ESAT LATA
Shënime të Kryetarit Degës: Për çështjen që ngre ndaj Kadri Hoxhës, të shfrytëzohet ankesa e Xhavit Qeses, e të veprohet sipas shënimit që është vënë në letrën e tij, B. p. të mos dalë në skemë.
Kryetari i Degës
Dt.25/XII/1973 F. Sinoimeri
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja në atë burg
DHËNË Agjenti “BENI”
Marrë P.Op. ESAT LATA
Burrel më 4/I/1974
Nr.187
R A P O R T
Ai raporton se i dënuari Xhavit Qesja, duke dëgjuar këngët e Festivalit të XII-të u shpreh se: “Shumë mirë që u bë kështu. Me këtë festival, kompozitorët i thonë udhëheqjes, kështu e doni ju, na festivalin, por nuk do t’ua dëgjojë njeri, le me që ti këndoj këngët. Kjo vetëm do të shpejtojë largimin e rinisë nga udhëheqja e sotme. Këto janë frytet e fitores së vijës së udhëheqësit të Qeverisë. Udhëheqësi i Partisë, do të shikoi dëmin që i sjell udhëheqësi i Qeverisë, por siç duket, pak më vonesë.
Bota dhe bashkë me të edhe rinia, ecin përpara dhe jo prapa, le që ajo sot ka në dorë mjete të tilla, që nuk i nënshtrohen kontrollit dhe mbi të gjithë Radion e Televizionin. Rinia e ka shumë të lehtë. Një të ndërruar kanalin e televizorit, apo valën e radios dhe lidhet me botën.
Më parë edhe dëgjonte ndonjë këngë apo e ndiqte festivalin, kurse tani, nuk don t’i dëgjojë fare. Të ngresh folklorin në piedestalin, është absurditeti më i madh i kohës. Këtë mund ta bëjë vetëm udhëheqësi i qeverisë dhe ai i Ministrisë P. Brendshme. Asnjë nuk e përqafon një politikë të tillë.
“Beni”
Vlerësimi i të dhënës: E dhëna ka vlerë për faktin se i dënuari Xhavit Qesja, si armik i betuar i Partisë, shprehet se midis udhëheqjes së këtyre, ka divergjenca dhe se këto bëjnë që edhe rinia të largohet prej tyre, se të gjithë shkojnë përpara, ndërsa këta shkojnë prapa.
Detyrë: Të bisedoni me Xhavitin meqenëse edhe qëndroni vazhdimisht bashkë dhe duke komentuar artikuj të ndryshëm që mund të ketë shtypi ynë dhe mos u merrni me gjëra të çastit, problemet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, politik dhe ushtarak të vendit tonë.
Mos u merrni vetëm me punë përkthimesh, për të shtuar të ardhurat tuaja dhe të leni në një anë detyrën kryesore që të është ngarkuar, për sa i përket asaj që këngëtarët për çështjen e Festivalit të XII-të, nuk mund të flasim, se ndryshe i pret fat i Todit dhe i Fadilit.
E dhëna shtypet në një kopje për dosjen e Xhavitit.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Shënim: U pa, Kryetari i Degës së P. të Brendshme
Dt.8.1.1974 F. Sinojmeri
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja në atë burg
Dhënë Agjenti “Beni”
Marrë P.Op. Esat Lata
Burrel. Më 20.1.1974
Nr. 188
R A P O R T
Ai raporton së më 19.1.1974, kur erdhi gazeta, ai ja lexoi Xhavit Qeses, lajmin mbi marrëveshjen ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit. Xhaviti u gëzua pa masë dhe tha: “Vetëm me bisedime do të zgjidhet Lindja e Mesme, le të vazhdojë qoftë dhe një vit, mjafton që të mos vriten njerëz në luftë” dhe për këtë i tha atij se do ta qeras me një kafe.
Më datën 20.1.1974, në ajrimin e mëngjesit, duke ju kthyer këtij problemi, Xhaviti i tha atij: “Këta tanët (udhëheqja), bënë fjalë kot për luftë dhe luftë të armatosur, se këtyre u duhet vetëm paqe, përndryshe mbarojnë”.
Vlerësimi i të dhënave: E dhëna ka vlerë, pasi i dënuari Xhavit flet me urrejtje për udhëheqjen e Partisë dhe se problem i Lindjes së Mesme, duhet të zgjidhet me bisedime.
Detyrë: Të porositet agjenti që të kapi një problem dhe ta diskutojë deri në fund dhe të japë gjëra të konkretizuara dhe jo gjëra të pa sqaruara.
Masat Operative: E dhëna të shtypet në një kopje, aty ku bëhet fjalë për Xhavit Qesen dhe të vendoset në dosjen e tij.
Të porositet agjenti që të tregojë më shumë kujdes për punën që i është ngarkuar dhe mos e lërë pas dore, duke u nisur më shumë nga interesi personal.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja në atë burg
Dhënë Agjenti “Beni”
Marrë P. Op. Esat Lata
Burrel, më 9.2.1974
Nr. 189
R A P O R T
Ai raporton se lidhur me punën e Liri Belishovës, Xhavit Qesja u indinjua pa masë. “Merren me një copë grua, të paktën t’ja kishin kthyer në dëbim”, u shpreh Xhaviti, ‘pas kësaj, nuk ka asnjë garanci që mund ta dënojnë përsëdyti edhe Bedriun”.
Ndaj kundërshtarëve të tyre, këta kanë dy qëndrime: ose i thyejnë dhe i bëjnë spiunë, ose ato që nuk nënshtrohen, i zhdukin fizikisht, sigurisht, po t’i duhet udhëheqësit kryesor të Partisë”. Më 25 janar, pasi kishte lexuar revistën “Nëntori” nr. 12, ku ishte botuar artikulli ku hidhej poshtë drama e fundit e Petro Markos, e cila një numër përpara në “Nëntori” dhe në gazetën “Rinia”, ishte lavdëruar dhe bile, thuhej se do të vihej në skenë nga Teatri Popullor, Xhaviti shkoi gjithë gaz në zyrën e përkthimeve dhe i tha atij: “Ja hodhën poshtë dramën Petro Markos, e kanë quajtur dështim të plotë, anakronik, dhe se shkrimtari nuk i ka kuptuar mësimet e udhëheqësit të Partisë.
Ai (udhëheqësi), nuk pranon të spekulohet me fjalimet e tija, vagabond të tillë si Petro Marko, që vetëm se s’ka se ç’bën se atë nuk e kënaq as Amerika dhe jo më revolucionarizimi. Ai është rrufjan, artikulli është bërë me urdhër të vetë udhëheqësit, pasi kritikohet edhe redaksia që e botoi më 6 shkurt”.
Pa ashtu në një bisedë që zhvilloi Maqo për Greqinë, Xhaviti mbajti anën e Maqos, duke thënë se këtyre nuk u pëlqen vendosja e një demokracie në Greqi, se duan vetëm t’i nxijnë të tjerët. Pastaj kur grekërit flasin për fqinjët, nuk kanë parasysh Shqipërinë, por Ballkanin tjetër.
Ai i tha Xhavitit se grekëve u intereson që këtu të mos jenë sovjetikët, prandaj edhe i lidh marrëdhëniet e Papadhopullos me ne. Këtë politikë, aq më tepër do ta ndjekin edhe qeveritarët e tanishëm grek.
“Beni”
Vlerësimi i të dhënave: E dhëna ka vlerë pasi Xhavit Qesja me urrejtje të madhe shprehet për internimin e Lirisë, për ligjet tona, për marrëdhëniet shpirtërore greke, duke i quajtur si marrëdhënie interesi në favor të grekëve.
Detyrë: Me Xhavitin bisedoni problem të rëndësishme politike të politikës së brendshme dhe të jashtme dhe i shtjelloni gjerë e gjatë ato. Pikëpamjet e tija për Partinë tonë, forcën e saj, kjo edhe në marrëdhëniet me shtetet e tjera.
Masat Operative: E dhëna kur flitet për Xhavitin, të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e tij formulare.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Zv/Kryetari e ka parë të dhënën, por nuk ka vënë ndonjë shënim për Xhavitin. /Memorie.al
9.2.1974
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016