Memorie.al/Pakkujt nga pashallarët turq të Perandorisë Osmane, për të mos thënë askujt, do t’i kishte rënë ndërmend, që pas afro 400 viteve nga vdekja e Skënderbeut, do ndeshej me një stërnip të tij, i cili bashkoi ‘Nëntë Malet’ e Dibrës, në një betejë të përgjakshme, që pa e tepruar do të thonim, në përmasa të atyre të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo ka qenë beteja e njohur në historiografinë tonë, si Lufta e Drinit të Zi më 1844, ku organizatori, udhëheqësi dhe heroi i vërtetë i saj, ishte Sheh Mustafë Zerqani.
Jeta dhe shkollimi
Sheh Mustafë Zerqani, u lind në Teqenë e Zerqanit më 1799. Ishte djali më i madh i Hysenit. U rrit në një familje të madhe me shumë hyrje e dalje, në një mjedis plot tradita fetare e atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje në mejtepin turk, të cilin e filloi më 1808 dhe e mbaroi më 1812. Në moshën 13 vjeçare i ati e dërgoi në Teqenë e Haxhi Osmanit në Peshkopi, ku vijoi mësimet fetare. Aty ai u shqua për vullnet e këmbëngulje ku u dallua jo vetëm si nxënës i shkëlqyer në mësime, por spikat edhe si një fëmijë me prirje të rralla dhe tejet inteligjent për moshën që kishte. Për këtë drejtuesi i mësimit në Teqenë e Haxhi Osmanit, njoftoi prindërit se djali i tyre jashtë çdo parashikimi kishte përfunduar shkëlqyeshëm mësimet dhe veç kësaj ishte paisur edhe me cilësi mistike të sektit mysliman, Kadri. Në vitin 1815, Mustafai shkoi në Dibër të Madhe, për të vijuar më tej mësimet në turqisht dhe arabisht. Atje pati rastin që të bjerë në kontakt dhe të njihet me një grup shokësh të zgjuar dhe atdhetarë.
Në vitin 1818, kur dhe ishte jo më shumë se 19 vjeç, Mustafai shkoi për studime të larta për Teologji në Stamboll, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Dhe si një rast i veçantë më 1820-1829, bëhet myhib në Teqenë Kadrie të Stambollit, për t’u veshur “Sheh” në 1830, duke marrë kështu rrugën e vërtetë islamike aleviane, për të spikatur në fuqinë e tij mistike fetare. Sipas trashëgimisë gojore ndër breza, në Teqenë e Zerqanit, konfirmohet se fuqia mistike fetare e Sheh Mustafës, ka qenë unikale në lloin e saj, nga më të veçantat, që mbahet mend, jo vetëm në Grykën e Madhe, por edhe më tej në gjithë trevën e Dibrës. Ishte pikërisht kjo fuqi mistike fetare dhe inteligjenca e nivelit të lartë, që e bënin Sheh Mustafën, një personalitet të veçantë, të nderuar e respektuar, jo vetëm në krye të Malit të Grykës së Madhe Zerqanit, por edhe në të gjithë trevën e Dibrës dhe më gjerë.
Kthimi në Atdhe
I veshur me rrobën fetare, Sheh Mustafë Zerqani, kthehet në vendlindjen e tij Zerqanin që aq shumë e donte, në vitin 1831. Kthimi në vendlindje përkoi me përpjekjet e Portës së Lartë për tu hequr malësorëve liritë dhe të drejtat që gëzonin prej kohësh në kuadër ë autonomisë lokale. Ky veprim i Portës së Lartë e preku thellësisht zemrën djaloshare të tij. Ndaj krahas veprimtarive fetare, Sheh Mustafa, u vu në mbështetje të bashkëfshatarëve të tij të Zerqanit, Grykës së Madhe dhe gjithë Dibrës. Teqeja Kadrie e Zerqanit, nën drejtimin e Sheh Mustafës, padyshim që u kthye në një vend pelegrinazhi, jo vetëm për besimtarët helvetie, por edhe për gjithë patriotët e Grykës së Madhe dhe trevave përreth. I pajisur me një kulturë të gjerë dhe ndjenja të fuqishme atdhetare, ai shumë shpejt fitoi respektin, dashurinë dhe autoritetin e padiskutueshëm jo vetëm në zonën e Grykës së Madhe, por edhe më gjerë gjithë trevën e Dibrës. Madje i shtriu lidhjet deri në krahinën e Matit, Martaneshit, Shëngjergjit, Elbasanit, Strugës, Dibër e Poshtme e më tej.
Objektivi i tij ishte dhe mbeti tejet i qartë; të krijonte një rezistencë të hekurt kundër zbatimit të Reformës së Tanzimatit, e cila synonte shtypjen e drejtpërdrejtë dhe të egër të shqiptarëve nga ana e sundimtarëve osmanë, si dhe sigurimin e pagesës së taksave dhe mbledhjen e rekrutëve nga të gjitha krahinat. Ishte koha kur Porta e Lartë, kishte hasur vështirësi në zbatimin e Reformës së Tanzimatit, sidomos në rajonin e Dibrës. Koha kishte sjellë si domosdoshmëri organizimin e krahinave në kryengritje të armatosur, për të mos i dhënë taksa e nizamë serasqerëve osmanllinj. Me shkollimin dhe intelektin e nivelit të lartë që zotëronte, këtë moment historik, më mirë se kushdo në krahinën e Dibrës, e rroku Sheh Mustafë Zerqani, i cili u vu në krye të Nëntë Maleve të Dibrës, për bashkimin e tyre në luftën e Drinit të Zi kundër Hajredin Pashës më 1844.
Lufta e Drinit të Zi më 1844-ën
Pas vrasjes së Rexhep Pashës, Divani i Lartë e kuptoi mirëfilli se për të bërë “zap” Dibrën, duheshin forca të mëdha. Për ndërmarrjen e këtij misioni, u tregua i gatshëm Hajredin Pasha, vëllai i Rexhep Pashës. Kjo edhe për faktin se atij i kishte mbetur “daltë në zemër”, vrasja e të vëllait në trevën e Dibrës, në përpjekje për të mbledhur taksa e nizamë. Pasi mori aprovimin e Portës së Lartë, Hajredin Pasha, në pranverën e vitit 1844, erdhi nëpër Grykë të Radikës me shtatë taborre (shtatë mijë nizamë), gjë të cilën e thotë edhe kënga; – “Hajredin Pasha po vjen Radikës…”. Duke ditur historinë e Dibrës, ku i vëllai kishte lënë kokën, në përpjekje për ta nënshtruar, ai kërkoi forca ushtarake shtesë. Kështu brenda pak ditëve, erdhën në Dibër nga Manastiri edhe pesë taborre shtesë, në ndihmë të tij. Gjithë fusha e Sheherit (Dibrës së Madhe) u nxi nga çadrat.
Sipas burimeve bibliografike “Dibra në vitet 1840-1845, dorëshkrim shkruar nga studiuesi Munir Shehu, faqe 20, mësohet se krerët e Nëntë Maleve të Dibrës; – Reçi, Dardha, Çidhna, Muhurri, Luznia, në Dibër të Poshtme dhe Gryka e Vogël, Gryka e Madhe, Bulqiza, Selishta në Dibër të Epërme, sapo kishin marrë lajmin se Hajredin Pasha në krye të një ushtrie të madhe po përgatitej për të sulmuar Dibrën, nën drejtimin e Sheh Mustafë Zerqanit, u mblodhën në kuvend tek “Guri i Shpuar”, në fushën e Dibrës së Madhe. Kuvendi veç të tjerave vendosi që të dërgoheshin delegacione edhe në të gjitha krahinat e tjera të vendit, për të kërkuar ndihmë për të përballuar taborret e madha me ushtarë që Hajredin Pasha kishte nisur drejt Dibrës. Fjala e Sheh Mustafës e mbajtur në këtë kuvend, me krerët e 9- Maleve të Dibrës, si dhe në të gjithë kuvendet e tjera, ishte thirrje që bëhej për ti bërë ballë pushtuesit, nën moton: -“O burra t’i biem dushmanit”.
Fjala e tij ishte një zë që mobilizonte, të rrëqethte, që të jepte fuqi për të sulmuar e fituar mbi pushtuesin edhe pse ai ishte shumë herë më i madh në numër e pajisje luftarake. Nën udhëheqjen e Sheh Mustafë Zerqanit, i cili me kryengritësit e Grykës së Madhe dhe Grykës së Vogël ishte vendosur në anën e majtë të Drinit të Zi, nisën luftime të ashpra me forcat osmane të Hajredin Pashës të vendosura në të djathtë të Drinit, të cilat në mësymje për të kaluar lumin për të sulmuar kryengritësit dibranë pësuan humbje të mëdha, ku mjaft ushtarë u mbytën në lumë. Hajredin Pasha duke parë qëndresën e kryengritësve që nën drejtimin e Sheh Mustafës e Cen Lekës po përballonin burrërisht ushtrinë e madhe të tij, vendos për një sulm të shpejtë drejt Gjoricës, që të mos u linte kohë për tu grumbulluar kryengritësve dibranë të nisur për të ardhur në Gjoricë në ndihmë të Sheh Mustafës. Pashai turkoshak i trembej luftës me kryengritësit dibranë dhe për këtë gjë ai vuri në funksion për mposhtjen e tyre të gjitha llojet e dredhive, që siç dihet osmanlinjtë i zotëronin mjaft mirë ata. (Shih Dibra në vitet 1840-1845, Munir Shehu dorëshkrim faqe 24). Kështu për përçarjen e krerëve të Dibrës, ai vuri në përdorim edhe blerjen e tyre me anë të të hollave, që i dërgonte Stambolli.
Pas qëndresës heroike disamujore, gushti i 1844, qe muaj mjaft i rëndë por dhe i zymtë për dibranët e veçanërisht për banorët e Grykës së Madhe dhe Grykës së Vogël. Kjo pasi Lufta e Drinit të Zi, nëpërmjet terrorit dhe blerjes me florinj, nga Hajredin Pasha, të ndonjërit prej krerëve udhëheqës të kryengritësve, si dhe ardhja e ndihmave të tjera në ushtarë për serasqerin turk nga Veziri i Shkodrës dhe Haxhi Pasha i Matit, e vështirësuan shumë dhe e vunë në pikëpyetje fitimin e kësaj lufte. Sheh Mustafa, i vendosur në mbrojtje të vendit, edhe pse i vënë në vështirësi, nga zgjatja tej çdo parashikimi të këtyre luftimeve, diti me zgjuarsi, trimëri dhe mençuri ta zgjidhte situatën. Ai kishte besim të plotë tek mbështetja e popullit, i cili ishte aleati i përhershëm dhe më besnik i tij. Të gjithë banorët e fshatrave pranë bregut të Drinit, përfshirë edhe gra dhe fëmijë ishin armatosur, me qëllim se në rast se turqit do të hynin në ndonjë fshat për të plaçkitur, djegur e vrarë, ata tu venin pushkën.
Kështu sapo një nga krerët udhëheqës të krahinave, nën efektin e “verdhushkave” të dushmanit dorëzohej tek Sulltani, shumë të tjerë ngriheshin në mbështetje të kryengritësve të kësaj beteje. Mjaft prekëse dhe emocionuese janë fjalët e udhëheqësit trim dhe të besës të Grykës së Vogël, Cen Leka, të përjetësuar në këngë; – Hajredin Pasha tej mor hajvan/ Se s’shjetet Cena, pash mor me alltan,/ se s’e thej besën çi kom dhanë/. (Për këto rreshta shih edhe tek “Fyelli i Dibrës” të Haki Stërmillit, faqe 74-75). Duke e parë veten në vështirësi, Hajredin Pasha, kishte vendosur për një sulm të shpejtë në Gjoricë, në mënyrë që të mos u jepte kohë forcave kryengritëse të grumbullohen. Por kryengritësit morën masa për ta mbrojtur Gjoricën. Në qendër të kësaj mbrojtje në Çerenec përballë Kojnarës, aty ku dhe ishin përqendruar forcat turke, ishte vendosur Sheh Mustafë Zerqani me kryengritësit e Grykës së Madhe dhe Grykës së Vogël. Në këtë përplasje me osmanllinjtë, shkëlqeu qëndresa dhe heroizmi i pashoq i kryengritësve, ku për disa prej tyre është përjetësuar edhe në këngë: – Kush janë n’ato gropa ?/ Can Bajrami e Ahmet Loka./ Or Ahmet, ku e ke Canë?/ Fejtafejt me ni nizamë!/ Kush asht ai n’ato llogore?/ Rizvan Alla me sakorre/ I ka ba nizet e katër vorre/ Kush ia shpoi fesin pashës?/ Fasli Malja qaku (plaku) i Krajkës/.
Mustafa Shehu, ishte në këtë luftë, kreu i parë, udhëheqësi kryesorë i të gjithë kryengritësve dibranë, organizatori i sprovuar i tyre, jo vetëm në këtë betejë, por në të gjitha kryengritjet e dibranëve pas vitit 1831. (shih “Dibra në vitet 1840-1845” dorëshkrim nga Munir Shehu dhe “Histori e Shqipërisë” vëllimi i dytë, f. 59, Tiranë1965). Këta tituj edhe pse të padeklaruar dhe të pathënë, Sheh Mustafë Zerqani i meritonte plotësisht, pasi treva e Dibrës dhe më gjerë kështu e njohu atë. Ai nuk jepte urdhra, por atë pyetnin të gjithë, për të gjitha çështjet dhe nevojat kryesore të luftës, deri te shpërndarja e arkave të pakta me fishekë e tek furnizimet me ushqime. – Fol or Sheh, ku e kemi vendin ne për të luftuar, or Sheh? etj. Dhe fjalës së tij i bindeshin të gjithë, sepse ai ishte më i respektuari. Ndaj në Luftën e Drinit të Zi 1844, Sheh Mustafë Zerqani, kishte ngarkesën dhe detyrat e një komandanti të përgjithshëm, për të cilën ka nevojë të domosdoshme lufta, e megjithatë, ai në asnjë rast nuk i bënte dallim vetes nga luftëtarët e tjerë. Por njësoj si ata futej dhe luftonte në vendet më të vështira e të rrezikshme duke u bërë kështu shembull e burim frymëzimi për kryengritësit, gjë që është përjetësuar edhe në këngë:
“Sheh Mustafa me atin e zi/ Shembi Malet e i lëshoi në Dri/ Nënqind vorret kush i bani/ Dibër e Male e Sheh Zerqani”/.
-Të dy vëllezërit, Mustafë e Mehmet Shehu, luftonin përkrah njëri-tjetrit në këtë betejë. Pas luftimeve të përgjakshme, kur dhe u mbaruan fishekët, të dy vëllezërit nxorën shpatat duke i vringëlluar majtas e djathtas, ku “kositën” turq sa mundën. Duke luftuar heroikisht aty në ballë të luftës, në arat e Çerenecit, karshi Dibrës së Madhe, ata pikasën Hajredin Pashën, i cili përpiqej të fuste në luftë disa ushtarë të tij që kishin frikë nga vdekja. Përnjëherë të dy vëllezërit morën yrysh drejt tij, por u dualën përpara mbi tridhjetë turq dhe i rrethuan. Kështu ata ranë rob në duar të tyre. Hajredin Pasha dha urdhër që të mos vriten, porsa e mori vesh se kush ishin. Ai menjëherë përgatiti kalorësit përcjellës për të dërguar në Stamboll, komandantin e kryengritësve dibranë të Luftës së Drinit të Zi. Pavarësisht se në Çerenec dhe Gjoricë, asqerët e Hajredin Pashës ishin përgjysmuar, ai mendonte se Porta e Lartë do të gëzohet me zënien rob të Sheh Mustafës, gjë që atij do t’i shtonte rëndësinë pranë Divanit të Lartë, për të justifikuar këtë “fitore ” të hidhur, që gjithsesi i kushtoi shtrenjtë me humbjen e jetës, me varje në litar.
Në vend të mbylljes
Sulltani dëshironte ta bënte vetë gjyqin e Sheh Mustafës, i cili kishte luftuar gjithmonë kundër turqve, duke u bërë shkak që tu vriteshin gjithë ata ushtarë, gjë për të cilën thuhet se u bë shkak edhe për dënimin me varje të Hajredin Pashës nga Sulltani. Dibranët dhe shqiptarët e tjerë që banonin në Stamboll, shkonin shpesh për ta parë Sheh Mustafën, në shenjë respekti për çfarë ai kishte bërë që Shqipëria dhe shqiptarët të çliroheshin nga turqit. Kur e morën vesh se ai do të dalë në gjyq para Sulltanit, i dërguan në burgun Podrum-Kalasë një kostum të ri fetar, një çallmë dhe tespi, me shpresë se kjo lloj paraqitje do sillte mëshirë në dënimin e tij me vdekje. –Si ?!- qenke fetar?! – qenke sheh ?! –Por atëherë pse dole kundër fesë së islamit ?! –S’pate turp për kijafetin (çallmën) e Pejgamerit që mban mbi kokë ?! – Pse luftove kundër halifit të tij ?! – Mustafë Shehu (Zerqani), iu përgjigj arabisht me një verset të nxjerrë nga Kurani:
– “In-nel vatane, min-nel iman ( nuk ka fe pa atdhe)”. Sulltani u kap mat, me këtë shprehje dhe e nxori menjëherë jashtë me zemërim, duke e dërguar në burg. Më pas e internuan në Konje dhe Brusë ku dhe vdiq më 1849, pas një helmi që i hodhën në gjellë! Ky ishte Sheh Mustafa i Zerqanit, që me veprën dhe bëmat e tij, kundër pushtuesve osmanë, mbeti krenaria e Zerqanit, Grykës së Madhe, Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. Por edhe pse një figure, më plot kuptimin e fjalës, me përmasa kombëtare, ai është lënë me të padrejtë në hije, pasi Lufta e Drinit të Zi më 1844, që ai e udhëhoqi me aq trimëri e zgjuarsi, duke shpalosur vlerat e një strategu të vërtetë ushtarak, fare pak është trajtuar nga historiografia jonë.
Një paragraf kushtuar kësaj lufte në librin “Histori e Shqipërisë”, volumi i dytë f. 59, Tiranë 1965 dhe një nderim nga ish Kuvendi Popullor me “Urdhrin e Klasit të Parë”, janë fare pak për këtë figurë komplekse atdhetare të shumë përmendur, por pak të njohur, që më shumë se një misionar i fesë mbeti një Shqipëri dashës i madh. Një rast mjaft i favorshëm, për të vlerësuar, siç dhe e meriton, klerikun dhe atdhetarin e flaktë, ishte me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Por edhe në këtë përvjetor, një gjë e tillë nuk ndodhi. Gjithsesi, meqenëse siç thuhet, shpresa vdes e fundit, le të shërbejnë si apelim për historianët dhe institucionet vendore drejtuese, të Dibrës, këto pak radhë, të këtij shkrimi, për ngritjen në panteonin e lirisë edhe të kësaj figure ashtu siç dhe e meriton./Memorie.al
Referencat:
- ‘Fadil Shehu nipi i Sheh Mustafës’, dorëshkrime me gojëdhëna të familjarëve.
- Dibra në vitet 1840-1845, dorëshkrim i studiuesit Munir Shehu
- Haki Stërmilli: “Fyelli i Dibrës”.
- Historia e Shqipërisë, (vëllimi i dytë, Tiranë 1956).
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016