Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzet e pesë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Goditja e Vangjush Gambetës, si kunat i Koço Theodhosit !
Hamdiu u emërua në postin e zv/kryeredaktorit pasi, në vitin 1975, nga gazeta u dëbua Vangjush Gambeta, zv/kryeredaktori i deriatëhershëm i saj. Gambeta kishte 20 vjet punë në gazetë. Fillimisht ishte shef i Sektorit të Ekonomisë. Ai ishte një nga mendjet më të qarta të shkencës së ekonomisë dhe një gazetar i talentuar. Analizat e tij ekonomike i kishte mburrur edhe vetë diktatori. Kështu atë edhe e emëruan si zv/kryeredaktor. Një ditë gjithçka u shemb sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Me porosi nga lart u mblodh organizata bazë e Partisë së gazetës për të dënuar si “armik të popullit” Vangjush Gambetën! Në kujtimet e tij, duke shkruajtur për këtë mbledhje, Gambeta transmeton ftohtë e korrekt atmosferën e saj. Ai e dinte se do t’i drejtoheshin me fjalët: “Folë, Vangjush, hapju Partisë, tregohu i sinqertë, Partia është zemërgjerë, do të të ndihmojë, në qoftë se edhe ti do ta ndihmosh Partinë”.
Vangjush Gambeta ishte kunati i Koço Theodhosit, anëtar i Byrosë Politike dhe zv/kryeministër. Enver Hoxha, pasi kishte goditur disa të ashtuquajtura grupe armiqësore, pasi kishte burgosur dhe ekzekutuar shumë personalitete të regjimit si pjesëmarrës në këto grupe, vendosi të ideonte edhe eliminimin e të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i ekonomisë”. Në krye të këtij grupi ai vendosi dy figura me karrierë të pasur profesionale dhe shtetërore, dy zv/kryeministra të kohës, shokë lufte dhe aleatë, që i kishin qëndruar pranë, Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin. Ata u ekzekutuan si tradhtar, eshtrat e tyre u zhdukën për të mos u lënë rast të afërmve të vendosin qoftë edhe një trëndafil mbi varret e tyre.
Në mbledhjen e kurdisur në “Zëri i popullit”, për të dënuar Vangjush Gambetën, u tha se ky e paska ndihmuar Koço Theodhosin të përgatisë autokritikën, që ai do të bënte para Enver Hoxhës, në ditën e gjykimit të tij si armik e tradhtar. Kjo akuzë nuk kish nevojë të provohej dhe as mund të provohej. Vendimi ishte marrë për të. Vangjush Gambetën e dërguan fillimisht në Xibër, pastaj në Derian të Matit, në Malësitë e Veriut të Shqipërisë. Në këto krahina të thella, por me njerëz të mirë, ai kaloi 15 vjet i ndarë nga gruaja e tij Violeta dhe djali i vetëm 9 ose 10 vjeçar, Artani. Atje e vunë të pastronte ferrat. Ai jetoi në një dhomë të zhveshur, pa ngrohje, pa shtrat për të çlodhur kockat, duke kaluar netët e Vitit të Ri i vetmuar me një copë bukë dhe pak djathë. Kështu shkruan vetë Gambeta në kujtimet e tij, ku nuk harron të shtojë se si, në një mbrëmje të tillë, natën, vonë troket dera dhe ai tmerrohet se mos kishin shkuar për ta arrestuar.
Në të vërtetë, kur hapi derën, pa para tij një malësor. Ai i la me shpejtësi në dorë diçka të mbështjellë me letër dhe iku, ashtu siç erdhi, me shpejtësi. Malësori, që nuk mund të ftonte Gambetën për të kaluar së bashku natën e Vitit të Ri, i kishte sjellë atij një copë mish dhe disa pjesë nga byreku, që i kishte përgatitur e shoqja. Një ish student i tij, që e ka parë në ato vite Gambetën në thellësinë e maleve të Xibrit, ka shkruajtur se e mban mend “mes një turme endacakësh të racës me ngjyrë, ai rrinte me ta, flinte me ta, aty jetoi me ditë të tëra në mjerim”. Nuk qe më e lehtë jeta e tij edhe në Derian të Matit, ku Gambeta shtatvogël, “këmbëzbathur, pinte kafe i vetmuar”! Kështu kanë shkruajtur ata, që e kanë njohur atë në ato vite.
Vangjush Gambeta nuk kishte bërë asnjë artikull, që të mos ishte pëlqyer apo, të themi, të ishte kritikuar si i gabuar, si i dëmshëm për regjimin dhe socializmin. Ai nuk kishte pëshpëritur me asnjë ndonjë fjalë apo gjysëm fjale kundër asaj që trumbetohej si jetë e lumtur e shqiptarëve të udhëhequr nga Partia dhe kryetari i saj i madh, shoku Enver. Ai ishte një autoritet shkencor, i nderuar dhe respektuar, korrekt në jetën publike dhe private. Atë nuk kishe se si ta quaje “armik”, por ai, megjithëkëtë, u dënua si armik. Atë e detyruan të bëjë jetën e gulagut. Ai me siguri, po të mos kishin ndodhur ndryshimet demokratike, do të kishte vdekur dikund andej thellë në malësitë e veriut, i harruar, i denigruar. Diktatura nuk do ta kishte lejuar të shohë edhe një herë të vetme të shoqen dhe të birin, t’u kërkonte falje për një faj që nuk e kishte kryer, por që edhe atyre ua gjymtoi jetën. Ata ishin radhitur midis atyre, që as u duhej thënë një “mirëdita” për së gjalli dhe as u duhej thënë “pushofshi në paqe”, pas vdekjes.
Me fillimin e Lëvizjes Demokratike, Gambeta zbriti nga mali, u bë një nga bashkëthemeluesit e Partisë Republikane, një nga partitë e para opozitare ndaj diktaturës. Ai u bë gjithashtu kryeredaktori i parë i gazetës së kësaj Partie. Shumë shpejt, në vitin 1993, ai tërhiqet nga jeta politike dhe u kushtohet kujtimeve të tij. Siç duket u zhgënjye nga politika edhe në demokraci. Para vdekjes la një amanet të fundit, të varrosej në një varr me të shoqen, Violetën, mësuesen time të dashur të muzikës në shkollën “Kongresi i Lushnjes”. Aty nuk kishte se kush t’i ndante më, do të ishin bashkë përgjithnjë. Vangjush Gambetën nuk kam patur mundësi ta njoh personalisht kur punonte në “Zëri i popullit”. Atë e njoha në takimet e rastit, që patëm si punonjës të dy gazetave opozitare, “Rilindja Demokratike” dhe “Republika”.
Dëbimi nga Tirana i zv/kryeredaktorit të “Zëri i popullit”!
Unë nuk pata mundësi të njoh mirë në “Zëri i popullit” as pasuesin e Gambetës, Hamdi Sollakun. Jo shumë kohë pas Gambetës, sikurse kam përmendur pak më lart, u dëbua edhe Hamdiu nga Tirana, nga gazeta dhe nga posti i zv/kryeredaktorit. Ai, megjithëkëtë, u trajtua më ndryshe. Në vitin 1976 Hamdi Sollaku u emërua kryeredaktor i gazetës “Adriatiku” të qytetit të Durrësit. Edhe largimi i tij, sikurse ai i Paskalit, lidhej me “zbulimin” në vitin 1975 të “grupit të sabotatorëve dhe të armiqve”, në sektorin e naftës! Një vëlla i Hamdiut, Xhavit quhej, u arrestua me të tjerë si pjesëtar i këtij grupi imagjinar. Atë, sikurse u tha zyrtarisht, e pushkatuan. Interesant është të dihet se gjendet një vendim për dënimin e tij me vdekje, por jo një akt-ekzekutimi i këtij vendimi. Nisur edhe nga ky fakt, është folur shumë për fundin e Xhavitit, jo si pasojë e një vendimi gjyqësor, qoftë edhe formal, por si pasojë e masakrimit të tij në Degën e Brendshme të Fierit, d.m.th., në filialin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë qytet. Vendimi gjyqësor, mendohet të jetë përpiluar më pas. Për të thonë se ishte një enciklopedi e vërtetë dhe një njeri që të ngjallte respekt.
Me Hamdiun nuk kisha lidhje pune të drejtpërdrejta. Ruaj disa përshtypje për aq pak kohë sa vazhduam të punonim së bashku në “Zëri i popullit”. Ai ishte mjaft punëtor dhe njerëzor. Ai nuk merrte poza për t’u imponuar, dinte të respektonte të tjerët, ishte shumë i sjellshëm me gazetarët, përgjithësisht të rinj. Hamdiu edukoi një brez të tërë gazetarësh, që bënë emër në “Zëri i popullit”. Edhe kur bënte ndonjë vërejtje për artikujt, përdorte një gjuhë dhe një takt aq fin, saqë dukej sikur shkelte mbi vesë. Edhe timbri i zërit të tij dukej sikur ndruhej, sikur rezervohej. Pa dyshuar për mirësjelljen e tij jo të shtirur, ndonjëherë tek shihje pozicionimet e tij, të krijohej mendimi se ai ishte thellësisht i trembur, se ai priste një dënim që ende nuk ishte shpallur, që s’dihej se kur do të shpallej, por që do të arrinte një ditë. Mos kishte ndonjë lloj paranoje tek ai? Më tepër do të mendoja se vetë posti, që kishte pasur para ardhjes në “Zëri i popullit”, sekretar i Enver Hoxhës, e kishte bërë atë të njihej mirë me mekanizmin e asaj që quhej “luftë e klasave”, me skenat dhe prapaskenat e saj. Ndoshta, duke njohur mirë këtë realitet, duke i shërbyer me besnikëri një paranojaku, ai ishte detyruar të “këshillohej” edhe me frikën, të ishte më se i kujdesshëm.
Para se të vinte në “Zëri i popullit”, Hamdi Sollaku ishte pra nga më të besuarit jo vetëm të regjimit, por edhe të vetë diktatorit. Atë e larguan nga posti i sekretarit të diktatorit sepse dy vëllezërit e tij, Nuri dhe Abdulla Sollaku, u arrestuan në prillin e vitit 1965. Ata u akuzuan për tentativë arratisje nga brigjet e Liqenit të Ohrit, në kufirin shqiptaro-jugosllav. Tentativa për arratisje cilësohej si tradhti ndaj atdheut dhe nëse nuk mbetej i vrarë nga ushtari i kufirit shqiptar, tentuesi dënohej. Sipas Kodit Penal, të kopjuar nga ai i Stalinit, dënimi shkonte nga 10 vjet burg, deri me vdekje. Abdullahu u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Nuriu me 16 vjet. Të dy, gjatë burgimit, u dënuan sërish me akuzën “për agjitacion e propagandë”. Absurdi është se në burg, të burgosurit kundërshtarë të regjimit, duhet të ishin të kënaqur me të, të kënaqur me burgimin, në të kundërtën dënimi u shtohej në pambarim, deri në fundin e jetës së tyre. Vëllezërit e Hamdiut vuajtën secili rreth 25 vjet burg. Ata u liruan pas shembjes së Murit të Berlinit, në prag të përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, pra kur ingranazhet e “luftës së klasave” ishin ndryshkur përfundimisht nga gjaku që kishin derdhur.
Pas daljes nga burgu, Abdullai dhe Nuriu u larguan nga Shqipëria. Abdullai shkoi në Gjermani ku u mor me përkthimin në shqip të disa botimeve, që bënin fjalë mbi krimet e komunizmit dhe të stalinizmit. Nuriu shkoi në Pragë. Atje ai kishte njohur dashurinë e tij të parë dhe të vetme. Atje, duke qenë student, ai ishte njohur me Vllastën, një studente çeke, ishin fejuar dhe prisnin të martoheshin. Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në fillimin e viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, dënoi këtë dashuri si edhe të gjitha lidhjet e tjera midis burrave shqiptarë dhe grave të vendeve të ish bllokut sovjetik. Nuriu nuk donte t’i nënshtrohej fatit, që i diktoi politika. Kjo është edhe arsyeja përse ai tentoi të arratiset. Ai tentoi thjesht të mos braktiste atë me të cilën ishin betuar të lidheshin për jetë, të ndjekë arsyen e zemrës dhe jo të diktaturës.
Me sa e kam njohur Hamdiun, ai ishte dhe mbeti komunist deri në ditët e fundit të tij. Ai, adoleshent, e përqafoi me një besim të verbër komunizmin, pa e njohur fare atë dhe vdiq në verbëri të plotë, pa nxjerr asnjë mësim nga realiteti vrastar komunist. Ai e përjetoi me dhimbje përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, por nuk ishte njeri pa karakter, nuk ishte arrivist, kriminel. Një shoku im i vjetër, më ka treguar se pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë, Hamdi Sollaku u ngarkua nga aparati i Komitetit Qendror, për të kontrolluar materialet e transmetuara nga Redaksia e Informacionit e Radio Tiranës, gjatë kohës kur drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit kishte qenë Todi Lubonja. Sikurse dihet, pas këtij Plenumi famëkeq, Partia ishte e uritur për të ngrënë “koka armiqsh”, që duheshin zbuluar e demaskuar pa mëshirë! Hamdiu duhet të zbulonte kështu “veprimtarinë armiqësore” të Todi Lubonjës edhe në Redaksinë e Informacionit. Ai, po të ishte maskara, do t’i gjente “armiqtë” edhe në këtë Redaksi dhe do të falenderohej për vigjilencën e tij, për shërbimin e kryer ndaj revolucionit dhe atdheut socialist! Ai nuk e bëri këtë gjë sepse nuk donte që të tjerë të futeshin në burgjet e diktaturës.
Pas përmbysjes së diktaturës janë botuar disa artikuj denigrues për Hamdiun në shtypin e djathtë. Mendoj se autorët e tyre janë nisur vetëm nga motive politike pragmatiste. Këta artikuj janë botuar vetëm sepse Hamdiu, pas përmbysjes së diktaturës, nuk pushoi veprimtarinë si gazetar dhe botoi disa shkrime kritikë për aktualitetin. Ai nuk pushoi së shkruajturi, sidomos, për vitet dhe heronjtë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Nuk di të ketë shkruajtur apo thënë ndonjë fjalë për vëllezërit e tij, nëse ndjeu ndonjëherë dhimbje për fatin e tyre, nëse mallkoi ndonjëherë fatin ndërsa nuk mund të mallkonte regjimin, nëse i bëri përgjegjës ata për jetën e tyre dhe të tijën. Heshtjen e mori me vete deri në heshtjen e tij të fundit!
Ndërsa Abdullahu është shprehur për Hamdiun, nuk di të ketë thënë diçka për të edhe Nuriu. Më duket se edhe ky ka zgjedhur heshtjen, nuk ka dashur t’i rikthehet së kaluarës, të kujtojë tragjedinë e tij dhe të tërë familjes së tij. Ai edhe në Pragë nuk e gjeti të kaluarën, thjesht sepse e kaluara nuk ekziston, thjesht sepse ajo vjen si një kujtim, si një dhimbje, si një dëshpërim, thjesht sepse e kaluara e ka jetuar jetën e saj dhe jeta nuk rikthehet edhe në pastë qenë e lavdishme, një ëndërr, edhe nëse janë tallur me të, apo e kanë vënë në gijotinë, nëse e kanë dënuar të lidhur me tela me gjemba.
Familja Sollaku ishte e lidhur me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Pjesëtarë të saj luftuan me armë për dëbimin e pushtuesve nazi-fashistë dhe për vendosjen e pushtetit, të quajtur popullor, pas çlirimit të vendit. Ata nuk u ngritën as me armë dhe as me fjalë kundër tij, e quajtën atë si pushtetin e tyre, por ky pushtet i vrau, i masakroi, i cilësoi “tradhtarë e armiq”, pa të drejtë, ashtu si edhe mijëra e mijëra familje të tjera shqiptare. Ky pushtet faraonik, që nuk dinte të prodhonte lumturi, mirëqenie, harmoni, prodhonte vazhdimisht kob, mjerim dhe vaj, dëshirën për tu dashuruar me vdekjen si mundësia e vetme për të shpëtuar prej tij. Kam lexuar dikund se si një nënë, ajo e Don Lazër Shantojës, nuk mund ta shihte të birin në hetuesi të lidhur në një karrige, me këmbë të këputura apo të hedhur për tokë në qeli në mes ndyrësive. E mbështetur në derën me hekura, ajo u ka thënë xhelatëve të të birit: “Ma vritni, ju lutem ma vritni, më bëni këtë mirësi…Ju lutem mos ma lini djalin kështu”!
Qako Dango dhe gazetarët e “Zëri i popullit”, që gjeta në redaksi!
Kur nisa punën si gazetar në Sektorin e Jashtëm të “Zërit të popullit”, përveç Ajet Simixhiut, shefit të Sektorit dhe njëkohësisht zv/kryeredaktorit të gazetës, aty punonin në atë kohë edhe Qako Dango, Taqo Zoto, Fatmir Kumbaro dhe Vladimir Prela. Qako ishte më i moshuari. Ai ishte rreth 55 vjeç dhe kërkonte të dilte në pension të parakohshëm. “Nuk mund ta mbaj më lapsin në dorë”, më thoshte. Ai ishte veterani i “Zërit të popullit”. Kishte një humor të veçantë. Kur donte të tregonte diçka për të qeshur, fillimisht fërkonte duart. Ne e dinim se ky ishte sinjali dhe prisnim. Në fund, pasi mbaronte tregimin, ne duhet të përsëritnim refrenin: “Lipsu të thonë!”. Ai e përsëriste këtë pas nesh duke e theksuar më me forcë. Siç bënte shaka, edhe e pranonte shakanë. Më kujtohet fotografi i gazetës, Pandi Cici. Ai vinte shpesh në Sektorin e Jashtëm. I pëlqente të kruhej me Qakon. Një herë solli me vehte edhe një qese me groshë dhe e vari atë në shpinën e kolltukut ku ulej Qako. Pandi tha se Qako çdo ditë ishte gati të vdiste nga frika dhe që ta ndihmonte atë të çlirohej nga kjo frikë e përditshme, kishte futur në qese aq kokrra groshë, sa ditë i kishin mbetur atij për të jetuar. Sipas tij, Qako duhej çdo ditë të hidhte nga dritarja në rrugë një kokërr groshë. Kështu, kur të arrinte në kokrrën e fundit, do ta dinte se ajo ishte dita e tij e fundit. Pandi e çlironte kështu Qakon nga frika e ditëve të tjera! “Mos e harxho kot, merre se kalon një drekë me groshën që ke në qese”, i tha Qako duke shtuar: “Lipsu të thonë!”
Qako ishte i kujdesshëm kur donte të thoshte diçka, që mund ta vinte atë në rrezik. Ai me ka folur, p.sh., për kryeredaktorin, Xhelil Gjonin, duke më thënë se si gazetar, ai ka qenë dembel dhe nuk e realizonte planin e artikujve, që duhej të dorëzonte në Redaksi, por se u ngrit në detyrë sepse ishte martuar me Lumton, motrën e Hysni Kapos, një nga tre udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë së pasluftës. Ai ironizonte Sofokli Lazrin, këshilltari kryesor i diktatorit për politikën e jashtme. Ky mburrej se artikujt redaksionalë, që silleshin për botim në gazetë nga Komiteti Qendror i Partisë, ishin shkruajtur prej tij. Qako gjente mënyrën për t’i thënë atij se këto artikuj do t’i shohim pas disa vitesh të botuar në veprat e Enver Hoxhës. Ai i thoshte kështu Sofos, se këto artikuj ose janë shkruar nga Enver Hoxha, ose se ai ishte thjesht një shkruajtës anonim në shërbim të diktatorit. Nuk kursente Qako as Komitetin Qendror. Nëse më shihte të shqetësuar sepse duheshin materializuar në artikuj porositë, që vinin prej andej, Qako më thoshte: “Mos u shqetëso. Po të shohësh blloqet e mia, ato janë të mbushura me të njëjtat porosi, me të njëjtat fjalë që prej dhjetëvjeçarësh. Ata, që i japin këto porosi, janë të parët që i harrojnë”!
Kur më fliste për gjëra të tilla, pasi kishte mbaruar së treguari, ai nuk harronte të më porosiste: “Unë nuk të kam thënë gjë. Nëse ti do t’i bësh objekt bisede këto me dikënd tjetër, unë do të them se ti shpif, se ti je intrigant, etj”. Pas këtyre fjalëve qeshte me të madhe dhe nuk harronte të fërkonte duart. I kishin thënë një herë Qakos që të fliste hapur, të thoshte atë që mendonte për punën dhe drejtuesit e gazetës, të vinte një fletë-rrufe, d.m.th., një dacibao shqiptare. Qako, duke qeshur, me zgjuarsi kishte thënë: “Po pse, i lënur jam unë? A kini parë ju ndonjëherë të bjerë rrufeja nga poshtë lart”? I kishin thënë në një mbledhje të organizatës së Partisë, që të kritikonte shokët. “E përse t’i kritikoj’, kishte thënë Qako. ‘Ja, unë e kam kritikuar Javer Malon për dembelizëm dhe ai do të shkojë ambasador në Francë. Përse t’i kritikojmë dembelët, për t’i emëruar pastaj ambasadorë”?!
Nga Qako kam në arkivin time personale dy letra. Te dyja përshkohen nga shqetësimi i tij për punën si edhe nga humori i tij karakteristik. Në njërën nga letrat, midis të tjerave ai shkruan: “Pata dëshirë dhe bëra shumë përpjekje që të plotësoja faqen e katërt, por nuk munda pasi shokët e ATSH-së, (Agjencisë Telegrafike të Lajmeve), nuk m’i dhanë lajmet e buletinit të pas ditës, prandaj planin e dërgova në shtypshkronjë me mungesa. Duhen akoma jo më shumë se 50 rreshta…! Po të le mbi tavolinë edhe artikullin tënd, të cilin e ka parë kryeredaktori dhe unë i plotësova dje dy gjëra të vogla. Më tha dje që ta botonim për nesër, por unë i thashë se deri sa kemi fjalimin e kryeministrit, nuk është mirë të kemi edhe një artikull (kur bien topat s’dëgjohen dyfekët). Po e lemë artikullin për pasnesër. Lipsu!” Në letrën, që mban datën 19 korrik 1979, Qako më shkruan: “Shefat e kanë fajin vetë, sepse pa ta nuk bëhet, prandaj nuk po të lemë rehat as në plazh. Kryeredaktori pyeti: “Vetë e ka bërë Bashkimi artikullin”?! Dhe e vure në bela, sepse don të dijë se ku e ke marrë citatin e Leninit, në të cilin thuhet: “Këto dallime do të ekzistojnë akoma për shumë kohë, bile edhe pas vendosjes së diktaturës së proletariatit në shkallë botërore”. Shoku Agim, dyshon se mos këtë e ka thënë Stalini dhe jo Lenini, prandaj kërkoi me insistim të dijë se nga është marrë citati! Po përpiqemi që të përfitojmë nga rezervat e ndihmave dhe ta mbajmë lart faqen. Të fala ty dhe familjes. Për kolektivin: Qako Dango”.
Qako Dango punoi tërë jetën si gazetar, korrekt në punë dhe në marrëdhëniet shoqërore. Ai është ndoshta i vetmi, që filloi punën në “Zëri i popullit” si gazetar dhe doli në pension si i tillë. Nga Sektori i Jashtëm, p.sh., u ngritën në detyrë njëri pas tjetrit Taqo Zoto, Fatmir Kumbaro dhe Vladimir Prela. Taqo u bë drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. E thërriti një ditë në Komitetin Qendror të Partisë, ai që do të pasonte diktatorin në fronin e pushtetit, Ramiz Alia. Ky i komunikoi emërimin në postin e ri. Taqo ishte një burrë i thjeshtë, mjaft i sjellshëm dhe pa ambicie karrieriste. Si rrallëkush në raste të ngjashme, ai i tha Ramiz Alisë se ishte i paaftë për një detyrë të tillë. Ramizi i tha se Partia donte njerëz besnikë dhe se ai ishte i tillë, kaq mjaftonte. Taqo ishte martuar me vajzën e një kushërirës së diktatorit. Ai asnjëherë nuk e përdori vetë këtë “kartë”, por të tjerët, servilë të diktatorit, nuk mund ta linin që ajo të digjej. Kështu u largua Taqo nga “Zëri i popullit”. Në vendin e tij erdhi Ilir Boçka, i cili punonte si redaktor në Sektorin e Jashtëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Iliri punoi shumë pak në “Zëri i popullit”. Ai kaloi në Ministrinë e Jashtme ku nisi një karrierë të pasur diplomatike.
Pasi mbaroi stazhin e kandidatit të Partisë u largua nga “Zëri i popullit” edhe Fatmir Kumbaro. Ai filloi punën në Institutin e Studimeve marksiste-leniniste, që drejtohej nga Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit Enver Hoxha, e cila siç duket, për të zezat që i kishte bërë popullit të saj, thërritej nën zë me nofkën “pantera e zezë”. Pas përmbysjes së diktaturës, Fatmiri ndenji për pak kohë në kryesinë e Partisë Socialiste, që ishte vazhdim i Partisë së Punës. Siç e mendoj unë, për aq sa e njoh Fatmirin, ai e kuptoi shpejt se politika nuk ishte fusha e tij. Fatmiri ishte njeri kurajoz, i drejtë dhe i hapur. Në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, kur u kritikua nëndrejtori, Ndreçi Plasari, ishte i vetmi që doli në mbështetje të tij, ishte i vetmi që vazhdoi të shoqërohet me të, të bënte vrapin me të në kodrat e kryeqytetit, pranë Liqenit Artificial. Po kështu, kur gjatë periudhës së tranzicionit demokratik erdhi në pushtet Partia Socialiste dhe u bë kryeministër Fatos Nano, shok i tij në Institutin e Nexhmije Hoxhës, ai i tha hapur Fatosit, që të linte postin e kryeministrit, se ky post nuk ishte për të, dhe të mbante vetëm postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Në vend që të largohej Fatosi nga posti, u largua Fatmiri nga kryesia e Partisë Socialiste. Ai u emërua ambasador në Sofie.
Edhe Vladimir Prela, pasi mbaroi stazhin e kandidatit të Partisë, u largua nga gazeta. Ai u emërua nëndrejtor i Institutit të Studimeve të Marrëdhënieve me Botën e Jashtme, që drejtohej nga Sofokli Lazri. Ky Institut ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mendoj se Vladimiri apo Ladi, siç i thërrisnim shoqërisht, gjeti veten në punën e re. Ai ishte diplomat edhe pa qenë zyrtarisht diplomat. Ndoshta kishte trashëguar njëlloj edukate diplomatike nga i ati, Rakip Hoxha, i cili, përveç të tjerave, ka qenë konsull në Stamboll. Pas ndryshimeve politike si pasojë e të cilave Shqipëria hyri në rrugën e zhvillimit demokratik, Vladimiri ka ushtruar disa funksione të larta shtetërore, si Drejtori i Kabinetit të Kryeministrit, këshilltar i Presidentit të Republikës, i Ngarkuar me punë në Kosovë dhe së fundmi, që nga viti 2003, atë të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë. Ladi vdiq papritur, ndërsa priste të emërohej në një detyrë të re diplomatike. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016