Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.
Gjatë periudhës që Panajot Plaku qëndroi në Jugosllavi,i akomoduar në një Hotel në qendër të Beogradit si azilant politik, ai shkroi kujtimet e jetës së tij dhe ato që dinte e kishte dëgjuar për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat në vitin 1965, i përmblodhi në një libër të titulluar “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”. Ai libër u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit, si dhe u botua në gjuhën shqipe në vitin 1985 nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës. Përveç dëshmive të familjes së Panajot Plakut (të dhëna ekskluzivisht për autorin e këtij shkrimi), pjesa e kujtimeve që po botojmë në vijim në këtë cikël shkrimesh, janë marrë nga ai libër që vazhdon të mbetet i panjohur për lexuesin shqiptar!
Letra e ministrit pa portofol, gjeneral-major Panajot Plaku, dërguar nga Beogradi në 1957-ën, udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov
Prej këtyre gjërave që u thanë shihet qartazi se unë, familja ime dhe tërë farefisi im, kemi qenë të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe, për këtë arsye, ikja ime nga Shqipëria, mund të duket e pakuptueshme! Unë kam qenë i detyruar të iki, ta braktis atdheun, popullin, Partinë, familjen, për të cilët kam qenë i gatshëm në të kaluarën, e jam i gatshëm edhe tashti ta flijoj jetën time.
Kam qenë i detyruar të iki për shkak se isha i informuar se udhëheqja e Partisë së Punës të Shqipërisë, kishte vendosur të më likuidojë, me ndihmën e organeve të Sigurimit të Shtetit. Unë nuk i di me saktësi shkaqet, që e kanë detyruar udhëheqjen që të marrë një vendim të tillë, për shkak se asnjë nuk më ka folur për këtë, por kuptova se vendimi i tillë, ishte marrë në bazë të ndryshimit të qëndrimit ndaj meje, të cilin e vërejta te udhëheqësit kryesorë të Partisë sonë dhe në bazë të fjalëve të tyre. Por, mendoj se ekziston një shkak, të cilin do ta shpjegojë në vazhdim.
Para një viti, organet e Sigurimit të Shtetit, e helmuan vëllanë tim, Kalo Plakun. Për këtë morën vendim, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe, ndoshta, edhe ndonjë tjetër nga udhëheqja. Vëllai im, ishte drejtor i Fermës Bujqësore në Sukth. Ka qenë anëtar i Partisë prej vitit 1943, luftëtar dhe punëtor i mirë dhe ndoshta për këtë arsye, nuk di me saktësi pse e kanë helmuar! Ndoshta e kanë helmuar si spiun, në bazë të denoncimeve të rrejshme! Unë jam i bindur plotësisht se vëllanë tim e kanë helmuar organet e sigurimit shtetëror. Ky likuidim dinak i një komunisti të ndershëm, ishte organizuar aq keq, sa që krimi u zbulua me autopsi të kufomës.
Për këtë kisha dyshim jo vetëm unë, por edhe farefisi im dhe shumë anëtarë të Ndërmarrjes Bujqësore Shtetëror në Sukth. Mjekët, të cilët bënë autopsi të kufomës së vëllait tim, më thanë në fillim se: Kalo Plaku ishte helmuar. Më vonë, pasi u përzien përfaqësuesit e Sigurimit të Shtetit, mjekët thanë se: shkaku i vdekjes është i panjohur!
Vdekja e papritur e vëllait tim dhe fjalët që m’i thanë mjekët, më bënë që të mendoj se vëllain tim, do ta kenë helmuar, por kurrë nuk ka mundur të më shkojë mendja se e kanë helmuar organet e Sigurimit të Shtetit. Mirëpo, meqenëse nuk u ndërmorën kurrfarë masa hetimi për zbulimin e shkakut të vdekjes së vëllait tim dhe për shkak se bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, nuk më lejonin as mua që ta analizoj personalisht këtë çështje, edhe për shkak të një vargu rrethanash të tjera, unë u binda plotësisht se vëllain tim, e kanë helmuar organet e Sigurimit dhe se këtë vendim e kishte marrë udhëheqja e Partisë.
Për fatin tim të keq, edhe Sigurimi i Shtetit u informua se unë isha i informuar për krimin e tyre të poshtër. Për t’a ruajtur autoritetin e udhëheqjes së Partisë dhe të Sigurimit të Shtetit, meqenëse unë mund ta paraqisja këtë çështje edhe në Komitetin Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e të tjerë vendosën, me propozim të Sigurimit të Shtetit, të më likuidojnë edhe mua, e pastaj të thonë edhe për mua, sikurse edhe për vëllain tim, se: “Kanë vdekur me nder në krye të detyrës”.
Nuk di me saktësi kur u mor një vendim i tillë, por mendoj se kjo ndodhi në ditët e para të muajit maj 1957. Për këtë vendim, u informua Byroja Politike në periudhën ndërmjet datave 7 e 10 majit, por unë jam i bindur se: Byrosë Politike nuk i është prezantuar shkaku i vërtetë. Ndoshta atje është thënë se: unë jam “armik i Partisë dhe spiun”, por për këtë nuk kanë ekzistuar, as nuk kanë mundur të ekzistojnë kurrfarë dokumentesh dhe për këtë arsye Enver Hoxha, pa dyshim do të ketë trilluar njëfarë përralle të rrejshme dhe do ta kenë bindur Byronë Politike, që ta verifikojë vendimin për likuidimin tim.
Përveç kësaj, është për të besuar se në Byronë Politike, do të më kenë bërë fajtor edhe për veprimtari antisovjetike. Në përgatitjen e një karakteristike të tillë për mua, ka luajtur rol mjaft të madh edhe krye shefi i TUES (KGB-së) në Tiranë, Grigorjevi, për ç’arsye kam pasur me të këto shpjegime:
- Para se të emërtohesha unë si kryetar i Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë (GGK), ishte bërë një regjistër i ekspertëve sovjetikë për vitin 1951, të cilin e kishte verifikuar qeveria e Shqipërisë. Unë e shikova atë regjistër dhe fitova përshtypje se aty kishte shumë ekspertë të panevojshëm.
I pyeta shokët e udhëheqës nga GGK-ja, pse kanë bërë regjistër të tillë! M’u përgjigjën se regjistrin e kishte bërë këshilltari, bashkë me shokët nga TUES (KGB-ja) dhe me ekspertët sovjetikë, që punonin në ekspedita dhe se ata nuk i kanë përfillur vërejtjet tona. Meqenëse në atë kohë këshilltari gjendej në Moskë, unë me atë rast nuk ndërmora kurrfarë masash.
Pas një kohe të shkurtër më ftuan në Kryesi të Këshillit të Ministrave, ku m’u dha një udhëzim që ta pakësoj maksimalisht numrin e të gjithë ekspertëve të jashtëm, meqenëse ata po na kushtojnë tejet shtrenjtë. Pas kësaj, unë i ftova shokët udhëheqës nga GGK-ja dhe këshilltarin sovjetik për topografi, kështu që bashkë me ta, vendosëm t’i shlyejmë nga regjistri ata ekspertë sovjetikë, të cilët mund të zëvendësoheshin me ekspertë shqiptarë.
Unë i’a paraqita Këshillit të Ministrave një regjistër të reduktuar të ekspertëve sovjetikë dhe ky regjistër u verifikua. Mirëpo, kur isha në Çekosllovaki dhe në Republikën Demokratike Gjermane, propozimi im ishte ndërruar për shkak se Grigorjevi, nuk ishte pajtuar me pakësimit që i kishim bërë ne. Posaçërisht kishte insistuar me këmbëngulje për regjistrin e vjetër, udhëheqësi teknik kryesor i “Naft-gaz-bitum”-it, Kosorotovi. Kur u ktheva nga Republika Demokratike Gjermane, Grigorjevi më telefonoi dhe më pyeti me zë të hidhëruar, pse nuk jam konsultuar me të me rastin e propozimit të pakësimit të numrit të ekspertëve sovjetikë?!
Unë i thashë Grigorjevit se shoku Lankin, këshilltar për topografi, kishte marrë pjesë në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe se unë kam menduar se ai do ta informojë për këtë.
- Unë e kam udhëhequr këshillimin, kushtuar analizës së punës në vitin 1956, në drejtorinë e “Naft-gaz-bitum”-it në Vlorë…!
Vijon numrin e ardhshëm
Josif Plaku, refuzoi postin e ministrit të Drejtësisë në qeverinë e Nolit!
Lidhur me ato që ka shkruar Panajot Plaku në letrën e tij dërguar udhëheqësit kryesor të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në vitin 1957, kryesisht për eliminimin e vëllait të tij, Kalo Plaku nga ana e Sigurimit të Shtetit, si dhe arsyet që e detyruan atë të arratisej nga Shqipëria, pasi udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, kishin vendosur edhe eliminimin e tij, e konfirmojnë edhe familjarët e tij (në dëshmitë e tyre të dhenë ekskluzivisht për autorin e këtij shkrimi), por përpara se t’i publikojmë ato, po japim disa të dhëna rreth origjinë së familjes Plaku, si dhe eliminimin e Jorgo Plakut, vëllait të Panajotit, që në vitin 1944, kur ai ishte në radhët partizane në qarkun e Korçës.Panajot Plaku u lind në vitin 1919 në fshatin Hoçisht të rrethit të Korçës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babai i tij, Josifi, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme në Greqi, kishte emigruar në SHBA-ës ku edhe u diplomua për Drejtësi. Gjatë asaj kohe që ai qëndroi në SHBA-ës, ai kishte miqësi të ngushtë me Fan Nolin, i cili në vitin 1924, kur morri postin e kryeministrit, e ftoi Josif Plakun për t’i dhënë portofolin e Ministrit të Drejtësisë, por ai nuk pranoi që të përzihej në punët e politikës dhe punoi si mësues e avokat. Josif Plaku ndërroi jetë në vitin 1949 dhe ai la gjashtë fëmijë: Panajotin, Jorgon, Kalon, Koçon, Theodhorën dhe Merin. Gjatë periudhës së viteve të Luftës, familja Plaku u bë një nga bazat më të fuqishme të Lëvizjes Antifashiste në të gjithë qarkun e Korçës dhe Panajoti bashkë me tre vëllezërit e tjerë, dolën në mal duke marrë pjesë me armë në dorë në formacione të ndryshme partizane duke u inkuadruar në formacionet luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, duke u titulluar si oficerë dhe kuadro ende pa mbaruar lufta.
Misteri i vrasjes së Jorgo Plakut në ’44-ën!
Vëllai i dytë i familjes Plaku, Jorgo, (i cili gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut kishte mbaruar shkollën Teknike amerikane të Harry Fultz-it, në Tiranë), gjatë periudhës së Luftës Antifashiste kur ishte në radhët partizane, shërbeu si përkthyes me misionet anglo-amerikane që asokohe ishin të atashuara pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në vitin 1944, kur Jorgo Plaku vazhdonte të shërbente pranë misioneve anglo-amerikane, ai mbeti i vrarë në rrethana krejt të panjohura dhe pas vitit 1944, ai u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Por pas arratisjes së Panajot Plakut në vitin 1957, gjatë një mbledhje të Byrosë Politike kur ishte duke u diskutuar çështja e arratisjes së tij, vetë Enver Hoxha e pranoi se ai personalisht, kishte dhënë urdhër për ekzekutimin e Jorgo Plakut në vitin 1944, pasi kishte pasur dyshime se ai ishte tradhtar dhe agjent i anglo-amerikanëve. Mirëpo fatin e keq të Jorgo Plakut, i cili u vra pas shpine nga shokët e tij të idealit, vite më pas do ta pësonin edhe tre vëllezërit e tij: Kalo, Panajoti e Koço Plaku, ndonëse të tre ata, edhe falë të kaluarës së tyre si partizanë, kishin mundur të shkolloheshin jashtë shtetit dhe të punonin e jetonin me ndershmëri, si shumë komunistë të tjerë idealistë të asaj kohe!
Eliminimi i Kalo Plakut nga Sigurimi i Shtetit!
Kalo Plaku i cili ishte i dyti i vëllezërve Plaku, kishte marrë pjesë në Luftë si partizan dhe pas vitit 1944, ai shërbeu si oficer në ushtri me gradën e kapitenit. Më pas ai doli në lirim dhe për disa vjet punoi si drejtor i disa ndërmarrjeve bujqësore në disa rrethe të ndryshme të vendit dhe në mesin e viteve ’50-të, u emërua si Drejtor i Ndërmarrjes Bujqësore të Sukthit, e cila ishte një nga më të mëdhatë e asaj kohe. Në atë detyrë Kalo Plaku shërbeu deri në vitin 1956, kur vdiq në rrethana të panjohura dhe të dyshimta. Njoftimi zyrtar për vdekjen e Kalo Plakut, u dha sikur ai kishte ndërruar jetë nga që kishte ngrënë disa bimë arash, kur kishte shkuar për kontroll në parcelat e Fermës së Sukthit, ku ai ishte drejtor. Lidhur me këtë, familjarët e Panajot Plakut në dëshmitë e tyre ekskluzive për autorin e këtij shkrimi, janë shprehur: “Panajoti ishte tepër i indinjuar nga vdekja e vëllait të tij, Kalos, pasi që përpara se të vdiste, ai ndiqej e survejohej rregullisht nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe atë gjë ai i’a kishte treguar bashkëshortes së tij, Pandorës, duke i thënë: Me këta njerëzit e Partisë unë e kam mirë, por këta të Sigurimit, më ndjekin hap pas hapi’. Një nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, e provokoi Kalon, duke i vjedhur dokumentin (teserën) e partisë dhe ai u bë problem për t’u përjashtuar nga partia, por mundi të shpëtonte, pasi e mori në mbrojtje organizata bazë ku militonte ai. Po kështu një nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, në pije e sipër në shtëpinë e Kalos, i tregoi atij se atë e kishin futur eprorët e tij për ta helmuar Kalon. Më pas ky njeri e thirri Kalon në një nga arat e Fermës së Sukthit dhe i dha për të pirë një gotë me dhallë, ku pas pirjes së saj, Kalo vdiq menjëherë. Në varrimin e Kalos morën pjesë shumë njerëz dhe Sigurimi i Shtetit bëri çmos për t’i larguar ata që të mos shkonin në varreza, duke u thënë: ‘Shkoni në punë’. Nga funksionarët e lartë partiakë dhe shtetëror aty morën pjesë ministri i Mbrojtjes Popullore, gjeneral-leitnant Beqir Balluku, gjeneral-major Tahir Kadareja e ndonjë tjetër, të cilët ishin miqtë e ngushtë të Panajotit. Mbas disa kohësh në shtëpinë e Panajotit në Tiranë, shkoi edhe vetë Enver Hoxha, për t’a ngushëlluar atë për vdekjen e Kalos. Gjatë asaj vizite, Enveri i tha Panajotit: “Kalo duhet të jetonte më shumë, por nuk e la zëmra”. Pas këtyre fjalëve, Panajoti iu përgjigj: “Zëmra i’u shkaktua nga faktorë të jashtëm” dhe me kaq biseda ndërmjet tyre u mbyll…”! Kështu kanë dëshmuar familjarët e Panajot Plakut, në lidhje me vdekjen e vëllait të tij, Kalos, duke shtuar se në atë kohë, të vërtetën e vdekjes së Kalo Plakut e mori vesh i gjithë populli…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016