Nga Bashkim Trenova
Pjesa e nëntë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
Armiqtë e popullit
Studentët nga Kosova në kursin tonë në Fakultetin Filologjik
Në kursin tonë kishim edhe shtatë apo tetë studentë të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës. Ata ishin larguar nga Kosova sepse si shqiptarë ndiqeshin e persekutoheshin, denigroheshin e shtypeshin. Thjesht të qenurit shqiptarë i radhiste ata në anën e kundërshtarëve të regjimit të Beogradit, në “të prekur” apo me biografi të keqe. Shqipëria ishte ëndrra e tyre. Realiteti ishte krejt ndryshe. Ata ikën nga Jugosllavia për t’u shpëtuar ndjekjeve, për të mos u detyruar të denonconin tek autoritetet policore familjarët, shokët e miqtë. Në Shqipëri, për njërën apo tjetrën arsye, ndonjë prej tyre dëshmoi në sallën e gjyqit kundër «armikut», që nuk ishte tjetër veçse një mik apo shok i tyre i vuajtjeve.
Midis studentëve kosovarë në kursin tonë, ishin edhe Ibrahim Ferizaj, Laho Gashi, Rrahman Berhani, Sabri Zeqiraj, etj. Të gjithë këta, përveç Sabri Zeqirajt, u diplomuan. Sabriu vdiq, në mos gaboj, në vitin e dytë të studimeve. Ai nuk rezistoi deri në fund. Shëndeti i tij ishte rrënuar. Ai kishte kaluar kalvarin e ishullit të Goli Otok-ut, njëlloj ‘gulaku jugosllav’, ku regjimi i Beogradit burgoste dhe izolonte kundërshtarët e tij më të rrezikshëm. Trajtimi i tyre në Goli Otok, sikurse na tregonte edhe Sabriu, të kujton atë të kampeve të përqendrimit, që ngritën nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave, që u referohen Vladimir Dedijerit, biografit të udhëheqësit të Jugosllavisë së asaj kohe, Titos, në Goli Otok kanë lënë eshtrat 3.800 persona. Të burgosurit e këtij kampi i janë nënshtruar torturës fizike dhe psikike. Krahas vrasjeve dhe vetëvrasjeve, është zbatuar edhe uria e planifikuar, ka pasur epidemi të kohëpaskohshme të dizenterisë dhe hepatitit. Në ishull askund nuk ka varreza të atyre që kanë humbur jetën aty. Eshtrat e tyre ose janë fshehur nën gurët e bardhë ose kanë përfunduar si ushqim për peshqit.
Sabriu vdiq në Spitalin e Tiranës, në mos gaboj, nga hepatiti. Edhe pse ai nuk arriti të japë provimet e diplomës, fotoja e tij është krahas të tjerëve në multi foton e kursit tonë të bërë në përfundim të studimeve. Ne vendosëm që ajo të jetë krahas nesh. Nuk deshëm të jemi “aleatë” me vdekjen, që i preu ëndrrën në mes Sabriut, që nuk e lejoi të jetë bashkë me ne në emocionet e provimeve të fundit. Pavarësisht dëshirës sonë, fotoja e Sabri Zeqirajt, megjithatë, ndryshon nga të tjerat. Ajo është e rrethuar me një shirit të zi, ashtu siç u rrethua edhe jeta e tij e zënë në pusi.
Agim Gjakova, Sulejman Krasniqi dhe Myrteza Bajraktari, studentë në Tiranë
Në Fakultetin Histori-Filologji, gjatë viteve 1962-1966, kishte studentë kosovarë, që ndiqnin edhe degë të tjera, përpos asaj të Histori-Gjeografisë. Disa prej tyre ndoqën studimet për Gjuhë-Letërsi Shqipe, të tjerë vazhduan për anglisht, etj. Midis tyre ishte edhe Agim Gjakova, që shumë shpejt u bë i njohur përmes botimit të vëllimeve të tij poetike. Dukej krenar dhe mospërfillës. Për Gjuhë-Letërsi shqipe ndiqnin studimet edhe Sulejman Krasniqi si edhe Myrteza Bajraktari.
Sulejmani ishte ndryshe nga Agimi, më robust, tepër energjik dhe i kudondodhur me bisedat e tij gurgulluese. Ai tepër i ri, kishte provuar qelinë e burgut në Kosovë dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe pasi u arratis nga Kosova, pasi kaloi 13 ditë në burgun e Tiranës, provoi shijen e hidhur të internimit, kampet e punës në Seman dhe më pas në fshatin “Shtyllas” në Levan të Fierit. Sulejmani u bë edhe ai mjaft i njohur me botimin e disa romaneve historike, të cilët merituan vëmendjen dhe vlerësimin e lexuesit dhe u nderuan me çmime të larta letrare.
Nëpërmjet shtypit kam mësuar se Agimi është kthyer në Kosovë. Po kështu kam mësuar se Sulejmani, “buldozeri” i aksioneve që kemi bërë së bashku si studentë, ishte mbërthyer nga një paralizë e pjesshme. Në këtë gjendje, tepër i ndjeshëm, pothuajse i harruar edhe nga shokët e miqtë, “buldozeri”, shkruante çdo ditë. Thoshte se kishte ende shumë projekte letrare. Ndërsa shtypi, më në fund, u kujtua të flasë për Sulejmanin, madje e cilësoi atë si “Balzaku shqiptar”, zyrtarët e lartë, si gjithnjë, pritën që ai të vdesë trishtueshëm për të lartësuar figurën e tij. “Shpirti i shkrimtarit të madh do të prehet gjithmonë në panteonin e dijes së kombit shqiptar”, deklaroi ndër të tjera kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ditën e varrosjes së shkrimtarit. Është e çuditshme! Përse shpesh pritet vdekja për t’u thënë një fjalë mirënjohje njerëzve që e meritojnë? Të vdekurit nuk dëgjojnë. Atëherë për kë i themi këto fjalë gjithnjë të vonuara? Përse shqetësohemi të jemi në kohë?
Myrteza Bajraktari, fqinji im, student në Fakultetin Histori-Filologji
Myrtezain, edhe pse kemi qenë njëkohësisht në Fakultetin Histori-Filologji, nuk kam patur rastin ta njoh si student. Atë e kam njohur si fqinj. Kemi banuar vetëm disa metra larg njëri-tjetrit. Ai ishte qiraxhi tek Shimi, një grua tiranase, që jetonte me vjehrrën e saj të moshuar dhe tre apo katër vajzat e saja. I shoqi i saj ishte i burgosur politik, megjithëse tërë jetën nuk ishte marrë ndonjëherë me politikë! Për të përballuar disi jetën, Shimi, që punonte si pastruese në një shkollë tetë vjeçare, kishte lëshuar me qira një pjesë të shtëpisë.
Edhe më tepër u njoha me Myrteza Bajraktarin kur fati na hodhi të dyve në Bruksel. Të dyja bashkëshortet tona, njiheshin midis tyre. Gruaja e Myrtezait, Kimetja, kishte qenë më parë mësuese e violinës në Shkollën e Muzikës “Kongresi i Permetit” në Tiranë. Në këtë shkollë ishte mësuese e solfezhit edhe bashkëshortja ime, Desi. Unë, në të vërtetë, njihesha edhe më parë me Kimeten. Kur do të filloja punën si gazetar në Radio Tirana, Kimetja ishte violiniste në orkestrën simfonike të këtij institucioni, pra kemi punuar në të njëjtin institucion.
Në Shqipëri të gjithë shqiptarët, që vinin nga Jugosllavia, i quanin «kosovarë». Në fakt Myrtezai nuk ishte nga Kosova. Ai erdhi në Shqipëri nga trevat shqiptare të Maqedonisë, në mos gaboj, nga Gostivari. Në Maqedoni ai kishte kaluar 7 vite në burgjet e vendit, sepse nuk ishte pajtuar kurrë me shtypjen dhe diskriminimin e egër, që u bëhej shqiptarëve në këtë republikë si edhe në tërë Jugosllavinë. Ai u akuzua si “shqiptaro-madh” dhe si agjent i Sigurimit shqiptar! Pasi u arratis nga Maqedonia, Myrtezai erdhi në Shqipëri, duke qenë i bindur se vuajtjet dhe ferri ishin përtej kufirit, atje ku shqiptarët në tokat dhe shtëpitë e tyre ishin të huaj, qytetarë të kategorisë së fundit, pa asnjë të drejtë, pa asnjë mbrojtje, negrit e kolonisë së fundit në Evropën e shekullit XX-të. Shumë shpejt u zhgënjye. Porsa kaloi kufirin dhe hyri në Shqipëri, atë e dërguan në kampin e përqendrimit në Seman të Fierit.
Në këtë kamp vuanin një dënim administrativ absurd më shumë së dyqind e njëzet kosovarë. Ata ishin të detyruar nga regjimi komunist, si edhe Myrtezai, të vuanin me vite të tëra, të bëheshin «heronj» të kanaleve kulluese, thjesht sepse kishin guxuar të kalonin “kufirin” e të vinin në atdheun e tyre të dashur, Shqipërinë. Ata ishin dënuar administrativisht, ashtu siç u dënua edhe Myrtezai, për shkelje të paligjshme të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë! Në të vërtetë regjimi paranojak i Enver Hoxhës, i izolonte ata kështu për vite të tëra nga pjesa tjetër e popullsisë së vendit, e cila urdhërohej, ndërkohë, të kishte kujdes nga emigracioni kosovar, i cili në mos tërësisht, pothuajse tërësisht trajtohej si një kontingjent i mirë i agjenturës jugosllave, UDB-së!
Vetëm pas dhjetë vjetësh pasi kishte arritur në Shqipëri, Myrtezait i’u dha e drejta e studimit në Universitetin e Tiranës ku edhe u diplomua në Degën Gjuhë-Letërsi shqipe. Vetë Myrtezai, e kujton ditën e parë të fillimit të studimeve me njëlloj humori të trishtuar. Ai ishte relativisht i moshuar në ato vite, rininë e kishte kaluar burgjeve dhe kampeve të përqendrimit. Kur hyri në auditor, studentët e tjerë, që ndodheshin aty para tij, u ngritën në këmbë në shenjë respekti. Ata kishin menduar se në sallë kishte hyrë, jo një student i vonuar, por profesori i tyre! Pas përfundimit të studimeve, Myrtezai nisi punë në Institutin e Gjuhësisë, por nuk qe e thënë që jeta e tij të rridhte normalisht, qoftë edhe për aq sa mund të quhet e tillë jeta e përditshme e qytetarëve të një vendi autoritarist, diktatorial.
Myrtezai i shkroi letër Enver Hoxhës për keqtrajtimin që i’u bëhej kosovarëve
Në një bisedë që kam patur këtu në Bruksel me Myrtezain, më ka treguar se ai, duke parë padrejtësitë dhe keqtrajtimin, që u bëhej në Shqipëri kosovarëve si edhe të gjithë shqiptarëve të ardhur nga Maqedonia, Mali i Zi e Presheva, kishte menduar t’i bënte një letër Enver Hoxhës. Kishte takuar një ditë edhe Selman Rizën, një atdhetar dhe gjuhëtar i shquar me origjinë nga Kosova dhe i’a kishte shprehur mendimin e tij. Myrtezai, duke më treguar, qeshte me naivitetin e tij. Ai mendonte atëherë se Enver Hoxha nuk ishte në dijeni, nuk e njihte të vërtetën rreth pritjes armiqësore dhe keqtrajtimit ekstrem, që u bëhej qindra kosovarëve në Shqipëri. Selman Riza e njihte Enver Hoxhën. Ata kishin punuar së bashku në Liceun francez të Korçës para Luftës së Dytë Botërore. Ai e këshilloi Myrtezain të mos e shkruante letrën e tij, sepse ishte vetë Enver Hoxha ai, që kishte urdhëruar të veprohej kështu me emigracionin kosovar në Shqipëri, se Enver Hoxha ishte një karrierist i pashembullt, i gatshëm të vrasë gjithkënd e të shesë gjithçka.
Selman Riza i tregoi Myrtezait se Enver Hoxha e kishte ftuar atë të hynte në Partinë Komuniste, duke i thënë se tani «është koha për të bërë karrierë». Profesor Riza e ka dëbuar atë me fjalët «ik more mut»! Këto fjalë, sidomos pasi erdhi në pushtet, Enver Hoxha nuk do t’ia harronte kurrë atij, ashtu siç nuk do t’ia harronte edhe gjithçka kishte bërë ai për Kosovën. Duke folur për jetën e Selman Rizës, studiuesi Behar Gjoka, ka thënë: «Mund të jetë rast unik në botë, në Lindje dhe në Perëndim, dhe krejt i hidhur, që brenda një harku kohor 15 vjeçar, të ketë provuar burgime dhe internime nga fashistët, komunistët e Tiranës pas vitit 1944, si edhe nga jugosllavët, miq të ngushtë ideologjikë të pushtetit diktatorial, që vendoset po në këtë vit në Shqipëri».
Unë e kam njohur shumë pak profesor Rizën gjatë viteve kur isha student. Më kujtohet se ishte tepër “rebel” për kohën. Më kujtohet një përgjigje e tij dhënë fletë-rrufeve të disa kolegëve, që me urdhër-porosi nga lart, kërkonin ta kryqëzonin atë. Në të vërtetë edhe nga kjo përgjigje nuk mbaj mend shumëçka, por më kujtohet mirë fundi i saj, që mbyllej me një “Uf!”.
Arrestimi i Myrtezait pas letrës që i dërgoi Enverit!
Myrtezai nuk e dëgjoi këshillën e profesor Rizës, e shkroi letrën e tij për Enver Hoxhën. Këtë letër ai nuk ia nisi diktatorit me postën e zakonshme. Ai ia dha atë një kushëririt të gruas së diktatorit, Nexhmije Hoxhës, një shoku të tij nga Dibra me të cilin kishte qenë bashkëvuajtës në burgjet e Jugosllavisë. Ky i’a përcolli dorazi letrën e Myrtezait, vetë diktatorit. Profesor Riza e paralajmëroi Myrtezain se po ta shkruante këtë letër, ai do të arrestohej dhe kështu ndodhi.
Enver Hoxha ishte shumë i interesuar pas letrave anonime ose të sajuara si anonime. Ai i përdorte këto letra kur i interesonte të godiste sa majtas ashtu edhe djathtas, pa mëshirë, gjithçka që e shihte si pengesë në sundimin e tij. Diktatori Hoxha nuk ishte aspak i interesuar për letra të hapura, të sinqerta të shkruara nga njerëz të ndershëm, atdhetarë apo edhe komunistë të thjeshtë. Këto letra atë e vinin në një pozitë jo komode. Ai luante me kartën e mosnjohjes së një realiteti apo problemi. Letrat, si ajo e Myrtezait, i’a digjnin këtë kartë atij. Duke qenë paranojak, ai dyshonte gjithashtu se, nëpërmjet këtyre letrave, atë e provokonin. Diktatori nuk mund të lejonte të ishte i provokuar. Ja përse ai, duke sajuar akuza nga më absurdet, i ka dënuar tepër rëndë disa nga autorët e tyre. Të padënuarit duhet të konsideroheshin si fatlumë e të mendonin se letra e tyre nuk kishte arritur kurrë në duart e Enver Hoxhës, se atë i’a kishin fshehur atij. Në të kundërt edhe ata i priste karvani i pafund i të dënuarve të diktaturës.
Vetë Myrtezai thotë se nuk ka bërë asgjë, nuk ka folur asnjë fjalë kundër regjimit apo diktatorit, mundet që është këshilluar me dikënd tjetër për letrën që mendonte t’ia niste atij, por vetëm kaq. Vetëm kaq do të mjaftonte që dikush të bënte denoncimin e radhës dhe Myrtezai të arrestohej e të vuante, si në Jugosllavi, edhe disa vite të tjera burg. Në mos gaboj, në Maqedoni ai u burgos si agjent i shërbimit sekret shqiptar, në Shqipëri, Sigurimi shqiptar u kujdes që të përhapte në opinion versionin se ai ishte agjent i shërbimit sekret jugosllav, UDB-së. U veprua, pak a shumë, si edhe me profesor Selman Rizën. Regjimi komunist i Tiranës ia dorëzoi aleatëve dhe miqve të tij jugosllavë profesor Rizën, që kërkohej prej tyre si “irredentist” shqiptaro madh. Profesor Riza përfundoi burgjeve të Jugosllavisë. Më pas do të ishte Tirana zyrtare ajo që do ta etiketonte këtë atdhetar të madh si agjent të jugosllavëve!
Sigurimi Shtetit detyroi një kosovar të dëshmonte kundër Myrtezait
Myrtezait i nxorën në gjyq dëshmitarë të rremë, shokë të tij, që kishin pohuar nën tortura. Njërit prej tyre, një poeti të ri me origjinë kosovare, mjaft i talentuar, Sigurimi Shqiptar i kishte përgatitur gjashtë faqe të daktilografuara, të cilat ai duhet t’i lexonte ne sallën e e gjyqit. Ai filloi të lexojë, por lotët nuk e lejuan të vazhdonte deri në fund. Atë e nxorën me shpejtësi jashtë sallës së gjyqit. Dëshmia e tij u bë komprometuese për ata që e kishin komanduar atë. Ai ishte një i ri fatkeq, pa punë, pa shtëpi, që kishte tentuar t’i jepte fund jetës. Në këtë gjendje ai u bë një pre komode për Sigurimin e Shtetit. Në këmbim të dëshmisë për Myrtezain, atij i ishte siguruar edhe puna edhe shtëpia.
Kur filloi përmbysja e komunizmit në Shqipëri, Myrtezai gjeti mundësinë të largohet me familjen, bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, dhe kërkoi strehim politik në Zvicër. Me fitoren e demokracisë, ai emërohet në punë në Ambasadën e Shqipërisë në Zvicër. Nuk qëndroi gjatë në këtë post. Ai më ka thënë se një ditë të bukur, i kishin kërkuar nga Tirana që të spiunonte kolegët e tij. Ishte e njëjta kërkesë, që i ishte bërë edhe në regjimet komuniste në Jugosllavi e në Shqipëri. Atëherë ky lloj «shërbimi» i kërkohej në emër të komunizmit, tani në emër të demokracisë. Sistemi politik ndryshoi në Shqipëri, por Myrtezai mbeti ai që ishte. Ai nuk e tradhtoi kurrë veten, sakrificat dhe mundimet e pafund, vitet e burgjeve e të internimeve. Ai nuk pranoi të flasë pas krahëve për kolegët e tij. Gjithë jetën kishte qenë i pastër dhe nuk mund të shkelmonte këtë jetë për asnjë çmim, për asnjë post apo komoditet. Pasojat nuk vonuan. Atë e hodhën në rrugë. Duke qenë punonjës i Ambasadës Shqiptare, ai kishte humbur statusin e azilantit politik në Zvicër, pra edhe të drejtën për të qëndruar në këtë vend. Myrtezai u kthye në Shqipëri për të qenë i papunë, pa asnjë mjet jetese.
Tani Myrtezai është një koleksion i gjallë sëmundjesh, shtretërit e spitalit janë po aq «familjarë» me të sa edhe shtrati i apartamentit të vogël ku jeton këtu, pranë stacionit të metrosë Ijzer të Brukselit. Nuk duket se ka ndonjë peng, ndonjë ankesë apo mallkim për jetën e tij dhe as për ata, që i’a gjymtuan atë. Herë pas here e kam parë në tubimet e shqiptarëve. I thinjur krejtësisht, ai flet si president nderi i kësaj apo asaj shoqate, duke lexuar një letër, që e shtrëngon fort me duart, që i dridhen. Pimë ndonjëherë rrallë edhe ndonjë kafe bashkë në «Metropol», në qendër të Brukselit. Sërish janë duart, që e tradhtojnë qetësinë e tij olimpike. Ato me zor i binden, me zor e zotërojnë filxhanin e kafesë. Myrtezai nuk mërzitet. Ai, gjithnjë fisnik, qesh si i zënë në faj pa dashur të fajësojë fajtorët e vërtetë, ata që duke qenë vetë armiqtë e vërtetë e më të egjër të popullit dhe të Shqipërisë, e trajtuan atë si armik.
Në radhën e “armiqve të popullit”, edhe shoku ynë i kursit, Haxhi Tuçi
Përpos Myrtezait, disa vite pas mbarimit të studimeve, kaloi në radhët e “armiqve” edhe një nga shokët tanë të kursit, Haxhi Tuçi.
Haxhiu ishte një nga shtatë fëmijët e çiftit Sabri dhe Maria Tuçi. Sabriu kishte mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura “Fidias” të Romës. Në Itali ai ishte njohur dhe dashuruar me Marien, të cilën kam patur rastin ta takoj një herë kur disa shokë të kursit, i bëmë një vizitë në shtëpi Haxhiut. Atëhere ajo më la përshtypjen e një gruaje të hijshme dhe dinjitoze, disi e heshtur. Sabriun nuk kam patur rastin ta takoj. E njihja atë si një nga skulptorët më në zë shqiptarë të kohës, e njihja nëpërmjet veprave, që kishte ekspozuar në Galerinë e Arteve në Tiranë apo gjetkë.
Në fundin e viteve ‘60-të të shekullit të kaluar, diktatura arrestoi xhaxhanë e Haxhiut dhe nënën e tij Marien, e cila u akuzua “për agjitacion e propagandë” kundër pushtetit dhe si agjente e imperializmit italian! Këtu nis edhe tragjedia e familjes Tuçi. Sabriu nuk e ngre më kokën deri në ditën që vdiq nga dhimbja.
Haxhiu ishte i pari ndër djemtë e kursit që u martua. Djalë simpatik me trup sportiv, i çiltër deri në naivitet, mjaft shoqëror, ai u bë shumë shpejt baba, i pari baba i kursit. Familja e tij u godit pas arrestimit të Maries. Jam ndodhur njëherë rastësisht pranë tij në rrugë në Plazhin e Durrësit, gjatë atyre viteve. Ai kaloi pranë dhe bëri sikur nuk më pa, vazhdoi të largohet me shpejtësi. Kështu silleshin gjatë viteve të diktaturës të gjithë miqtë, dashamirësit e shokët, që nuk donin të rrezikonin të tjerët qoftë edhe me një përshëndetje, me një “si je?”.
Në verën e vitit 2010, takova në Tiranë Shyqyri Vlashin, një ish-student i kursit tonë të Histori-Gjeografisë. Shyqyriu ishte me origjinë nga një qytezë pranë Durrësit, ku banonte Haxhiu. Kishte vite që nuk ishim parë. Mendimi është ndonjëherë kapricioz. Nuk e di se si, porsa e pashë Shyqyriun, m’u kujtua se si në vitin e parë apo të dytë të studimeve, Haxhiu i shkruante atij letrat e dashurisë. Mu kujtua se sa telashe u nxorën atyre të dyve këto letra. E pyeta Shyqyriun nëse dinte diçka për Haxhi Tuçin, si ishte, si i kishte kaluar jeta, ç’bënte? “Haxhiu ka vdekur”, më tha ai prerë. Ndoshta ishte i pari nga shokët e kursit që u nda nga jeta! Ai ishte tepër i brishtë, tepër i ndjeshëm. Trupi i tij, zemra e tij nuk mundën të mbajnë gjatë peshën e dhimbjes.
Në një intervistë që ka dhënë motra e tij e madhe Vojsava në shtypin shqiptar në vitin 2009, thotë : “Ne fëmijët, pas vdekjes së babait tonë të dashur, pas ardhjes së demokracisë, shkuam drejt Italisë, pranë Mamës, e cila kishte vuajtur pa shkak dhe dëshironte të vdiste në vendin e saj të lindjes.” Ku ndodhet varri i Haxhiut, pranë babait të tij, Sabriut, në Durrës, në Shqipëri apo pranë varrit të nënës së tij Maries, në Itali? Nuk e di.
Gjatë viteve studentore, kam mbajtur njëlloj ditari. E shfletova atë për të parë se mos “gjendet” aty edhe Haxhiu. Bëra një takim retrospektiv me të. Më 22 gusht 1964, në ditar kam shkruajtur: “Mbas një stërvitje disa orësh natën, kthehesh të hash darkë, i lodhur dhe mjaft i uritur. Të vejnë përpara një pjatë me «supë»…! Disa nga ne edhe mundën të hanin nja dy lugë nga ajo lloj gjelle. Dikush nga ne qiti një qepë dhe e ndau në gjashtë pjesë, do të thoja të barabarta. Në të vërtetë një copëz ishte prerë paksa më e madhe se të tjerat. Haxhiu ndërhyn dhe bën që të më jepet mua ajo cope, meqë unë nuk e preka fare atë lloj “gjelle”. Ndryshe do të më duhej të haja bukën thatë, ndërsa tani…”! Këto shënime i përkasin kohës kur ne, si studentë, bënim stërvitjen ushtarake 45 ditore në Korçë, për tu përgatitur si oficerë rezervistë.
Nga Haxhiu kam gjithashtu në arshivën time të vogël dy kartolina, njëra e vitit 1966 ku ai më uron Vitin e Ri dhe “fillim të mbarë të detyrës së re” dhe tjetra e vitit 1968, nëpërmjet së cilës ai më uron sërish Vitin e Ri duke shtuar: “Gjithashtu t’uroj që të mësosh shkrim e këndim në mënyrë që të lidhim korrespondencë. Të puth-Haxhiu”. Ne nuk patëm mundësi të korrespondonim në vitet e mëpastajme. Haxhiu heshti përgjithnjë para vdekjes së tij! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016