Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin marsit të vitit 1973, ku nodhet një raport-informacioni i përpiluar nga instruktori i aparatit të Komitetin Qendror të PPSH-së, Todi Kokoneshi, dërguar ndihmësit të Ramiz Alisë, instruktorit, Hamit Beqja, lidhur me diskutimet e bëra në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë dhe asaj të kolektivit të Teatrit Popullor, ku kanë qenë të deleguar edhe ministri i Arsimit e Kulturës, Thoma Deljana, si dhe Fadil Paçrami, sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën. Informacioni i plotë i Todi Kokoneshit për eprorët e tij në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me problemet që e shqetësonin atë institucion nga më të rëndësishmit e artit e kulturës, si dhe diskutimet e disa prej aktorëve më të njohur të skenës dhe ekranit, si; Pirro Mani, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Lazër Filipi, Esma Agolli etj., me kritika, autokritika, akuza dhe denoncime, jo vetëm ndaj kolegëve të tyre, si; Pirro Mani, Mihallaq Luarasi dhe Ali Oseku, por edhe për drejtorin e Teatrit, Bardhyl Kosova dhe sekretarin e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fadil Paçrami, etj.
Pas fjalës së Enver Hoxhës të mbajtur më datën 9 janar të vitit 1973, në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor ku ai për herë të parë kritikoi Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, gjë e cila i parapriu diskutimit të tij në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e mbajtur më 15 dhe 16 mars të atij viti me temë: “Lufta kundër shfaqjeve dhe ndikimeve të huaja dhe liberale në art, kulturë dhe letërsi”, në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të kryeqytetit dhe në mbarë vendin, me porosi të Komitetit Qendror të PPSH-së, filluan mbledhjet dhe analizat e organizatave bazë të partisë dhe Bashkimeve Profesionale.
Ashtu siç do të shohim edhe në mjaft kapituj pasardhës të këtij libri, një nga institucionet kulturore artistike ku u zhvilluan më shumë mbledhje dhe analiza pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Pleniumin e III-të të Komitetit Qendror të PPSH-së në fillimin e vitit 1973, ishte Teatri Popullor, gjë e cila nënkuptonte rëndësinë e madhe që i jepte udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe propaganda zyrtare atij institucioni që po ashtu ishte dhe nga më të frekuentuarit edhe nga “masat punonjëse”, duke gjallëruar jetën kulturore e artistike në kryeqytet dhe mbarë vendin. Në këtë kontekst, edhe vëmendja e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, ishte përqendruar aty edhe për vetë impaktin dhe popullaritetin që kishin dhe gëzonin aktorët e skenës dhe ekranit në mbarë vendin. Madje një popullaritet edhe shumë më tepër se një pjesë e udhëheqjes së lartë, gjë e cila vinte edhe për vetë kontaktet e shpeshta që aktorët dhe artistët kishin me publikun nga skena e teatrit apo dhe ekrani i kinemasë e televizionit.
Nga sa më sipër, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga fakti që në mbledhjet e organizatës bazë të partisë së Teatrit Popullor, udhëheqja e lartë e PPSH-së, ka dërguar si të deleguar dy nga personazhet kryesorë që mbulonin artin e kulturën (si në rrugë partie ashtu dhe në në rrugë shtetërore), siç ishin Ministri i Arsim Kulturës, Thoma Deljana dhe Fadil Paçrami, sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, dramaturg i njohur që mbulonte artin e kulturën dhe një nga anëtarët më me popullaritet të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Po kështu përveç dy funksionarëve të lartë, në mbledhjen e organizatës bazë të Teatrit Popullor, e cila u zhvillua në ditët e para të marsit 1973, ka asistuar dhe Todi Kokoneshi (instruktor në K.Q. të PPSH-së për artin dhe kulturën), i cili ka hartuar dhe raport-informacionin për eprorët e tij në Komitetin Qendror. Por ndryshe nga pjesa më e madhe e të gjitha dokumenteve të kësaj natyre të publikuara në këtë libër dhe jo vetëm, ky informacion nuk është parë dhe sigluar as nga Enver Hoxha, dhe as nga Ramiz Alia e ndonjë nga sekretarët e tjerë të Komitetit Qendror, siç dhe funksiononte praktika normale mes tyre.
Por raport-informacioni në fjalë, është deleguar për te Hamit Beqja, (ndihmësi i Ramiz Alisë), gjë e cila duket se ka ndodhur për shkak furisë së madhe të letrave në adresë të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alinë, pasi bëhet fjalë vetëm pak ditë pasi “kishte plasur” çështja e Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion. Ashtu siç do të shohim edhe në dokumentin në fjalë, (gjithnjë sipas instruktorit, Kokoneshi), gjendja në Teatrin Popullor si gjatë vitit 1972 dhe në vijim deri në atë ditë që është mbajtur ajo mbledhje, paraqitej mjaft e zymtë, madje tejet alarmante, gjë e cila kishte bërë që: nga katër premiera që kishte plani për atë vit, të realizohej vetëm një dhe nga 51 aktorë që kishte Teatri Popullor, më shumë se gjysma rrinin pa punë dhe nuk aktivizoheshin fare.
Kjo gjë si për shkak të ç’thurjes që mbizotëronte aty, ashtu dhe për faj të frymës liberale që mbizotëronte si tek drejtuesit e Teatrit, ashtu dhe kolektivit të atij institucioni. Nisur nga të gjitha këto, instruktori Kokoneshi ka pasqyruar në raport-informacionin e tij edhe diskutimet e disa prej aktorëve më të njohur, si: Pirro Mani, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Lazër Filipi, Esma Agolli etj., të cilët nxirrnin në pah kontraditat midis tyre.
Po kështu në atë mbledhje duket që nuk kanë munguar as denoncimet, si p.sh., për piktorin Ali Oseku, ndaj të cilat janë ngritur probleme që nuk kishin të bënin me punën e tij si piktor dhe mjeshtër dekori, por për mënyrën e jetesës dhe ndjekjen e modës prej tij, pasi në raport thuhet se: “Ai është i pari në Tiranë ndër burrat që qep një pallto maksi e ngjashme me atë të Napolon Bonapartit. Ky piktor ka gjetur përkrahje nga Bardhyl Kosova dhe Mihallaq Luarasi”.
Kritika, akuza dhe denoncime, do të kishte dhe për Fadil Paçramin e drejtorin e Teatrit, Bardhyl Kosova, të cilat duket se po ngrinin siparin dhe po para përgatisnin një furtunë të madhe ndaj tyre në ditët dhe muajit në vijim, gjë e cila si rezultat solli edhe dënimin e tyre në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuara në këtë libër, edhe ky jepet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.
Raport-informacion i instruktorit të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Todi Kokoneshi, lidhur me problemet në Teatrin Popullor
I N F O R M A C I O N
MBI MBLEDHJEN E ORGANIZATES BAZE PER DHENIE LLOGARI DHE ZGJEDHJE NE TEATRIN POPULLOR
Asistova në mbledhjen e organizatës bazë për dhënie llogari dhe zgjedhje në Teatrin Popullor, si dhe mbledhjet e kolektivit të këtij teatri, kur u punua fjala e shokut Enver në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe në Pleniumin e III-të të Komitetit Qendror. Në mbledhjen e organizatës asistonte si i deleguar shoku Thoma Deljana. Mori pjesë dhe shoku Fadil Paçrami.
Raporti që u dha në mbledhjen e organizatës bazë ishte i përhapur në shumë çështje, pa analizë dhe i mungonte fryma e kritikës dhe autokritikës. Por ajo që nuk u bë nga raporti u plotësua mirë nga diskutimet e gjalla që u bënë nga pjesa dërmuese e komunistëve. Ata e analizuan punën e tyre dhe të organizatës me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, kritikuan për ndrojtje dhe dobësit e mëdha që ekzistojnë në institucionin e tyre dhe disa ç’faqje të huaja që janë manifestuar atje.
Nga diskutimet që u bënë në mbledhjen e organizatës bazë për dhënie llogari e zgjedhje dhe në mbledhjen e kolektivit duallën këto çështje:
- U theksua nga të gjithë se në Teatrin Popullor ka mungesa të theksuara në organizimin e punës, ka ç’thurje dhe liberalizëm. Të gjithë aktorët dhe aktoret që diskutuan theksuan me forcë se nuk ngarkohen me punë, kemi rënë, thanë ata, në një batak plogshtije, për të cilën kemi ngritur shpesh zërin por nuk po dëgjohemi.
Në Teatrin Popullor punojnë 51 aktorë, por zakonisht aktivizohen gjysma e tyren dhe gjysma tjetër rri gati pa punë. Nuk organizohet puna që të punohet paralelisht për përgatitjen e dy pjesëve dhe dhënies së tyre në të njëjtën kohë, p.sh., një pjesë mund të jepnin shfaqje në Tiranë dhe pjesa tjetër në fshat ose në rrethe të tjera të vendit. Disa nga aktorët e vjetër që janë plakur dhe nuk japin dot më, si dhe disa të rinj të patalentuar rrinë thuajse krejt pa punë. Për këto u shfaq mendimi unanim se duhen marrë masa për t’i sistemuar gjetkë.
Shumë pjesë të repertorit të përgatitur vite më parë, rrinë të vdekura, nuk merret asnjë masë për t’i rinovuar dhe për t’i rishfaqur për publikun. Me gjithëse është vendosur se në të gjitha pjesët rolet kryesore të dublohen, nuk bëhet asnjë punë e organizuar në këtë drejtim. Si rrjedhim shumë pjesë ku kanë debutuar artistët që sot janë të sëmurë ose larguar, janë hequr fare nga repertori. Dhe këtë mungesë organizimi mundohen ta justifikojnë duke teorizuar në rrugë të shtrembër se gjoja disa nga këto role nuk mund të dublohen, sepse nuk mund të arrihen nga aktorë të tjerë, duke ushqyer në këtë mënyrë edhe sedrën e sëmurë të disa artistëve.
Ndërsa jeta u ka vërtetuar të kundërtën. Kur u morr masa organizative, dy role që për një vit diskutohej se nuk mund të dubloheshin nga aktorë të tjerë, u përgatitën mirë brenda dy ditëve. Për këtë u theksua se duhet të ketë më shumë organizim nga vetë drejtoria, por dhe më shumë luftë nga vetë aktorët. Komunisti Lazër Filipi vuri në dukje se kish propozuar regjisorit Pirro Mani dëshirën për të dubluar rolin e Viktor Gjokës te “Fytyra e dytë”, me qëllim që kjo dramë e bukur të rri hynte në repertorin e Teatrit. Por Pirro Mani nuk kish pranuar duke i thënë se ay nuk mund ta realizonte atë rol. Por aktori Lazër Filipi me të drejtë nguli këmbë dhe e përgatiti vetë atë në mënyrë krejt të pavarur aq sa bindi kolektivin dhe regjisorin se mund ta interpretonte me dinjitet.
Teatri Popullor është shumë keq me repertorin, atij aktualisht i kanë mbetur vetëm tre pjesë dhe këto të konsumuara. Në mbledhje dolli se janë të gjitha mundësitë që brenda një kohe të shkurtër, të rivihen disa nga pjesët më dinjitoze të repertorit të vjetër të Teatrit Popullor, si: “Familja e peshkatarit”, “Toka jonë”, “Mbi gërmadhat”, “Shtatë shaljanët”, “Orët e Kremlinit” etj.
I tërë preokupimi i drejtorisë u tha në organizatë është që të korrigjohet plani se gjoja është i madh, në një kohë që nuk merret asnjë masë organizative për të angazhuar të gjithë trupën në punë. Planin e kemi diskutuar dhe aprovuar thonë ata, aq është i realizueshëm, por mungon lufta për ta realizuar atë. Si rrjedhim i këtyre dobësive për vitin 1972 nuk u realizuan 113 shfaqje, dhe për dy muajt e parë të këtij vitin kanë një defiçit prej 22 shfaqjesh. Pra dhe fillimi i këtij viti është i keq.
Si në organizatë dhe në kolektiv u kritikua rëndë fakti që për gjithë vitin 1972 u përgatit vetëm një premier, nga katër që ishte plani dhe nga pesë që u përgatitën për vitin 1971. Për përgatitjen e pjesës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u deshën 6 muaj, po kështu dhe për dramën “Orfeu zbret në ferr”, kur kanë qenë të gjitha mundësitë që të përgatiteshin për jo më shumë se 2-3 muaj secila. Ky është një lluks i madh tha komunisti Tefi Pali, që nuk e ka asnjë teatër tjetër në botë. Për përgatitjen e pjesëve dhe për punën në përgjithësi u tha të caktohet norma dhe jo të mbetemi në pushtetin e regjisorëve. Shqetësimi më i madh u shfaq se dhe për vitin 1973, nuk po bëhet asnjë punë e organizuar për përgatitjen e pjesëve të reja. Akoma nuk është saktësuar repertori.
Shumë diskutantë ngritën se në teatër mungon kontrolli dhe disiplina në punë. Më parë ka qenë rregull që në çdo shfaqje duhet të asistone regjisori ose një asistent. Tani kanë hequr dorë nga ky rregull dhe kanë ndodhur gjëra fare të papëlqyera. Disa herë në skenë janë shkaktuar qeshje. Ditët e fundit në dramën “Një dimër i shkurtër”, në pjesën e saj më kulminante një nga aktorët duke deformuar tekstin, përdori fjalë të tilla banale të cilat çedukojnë dhe shkaktoi qeshjen nga të gjithë aktorët e tjerë. Dhe e keqja është se këto nuk bëhen problem dhe se kalohen lehtë.
2. Si në organizatë dhe në kolektiv, u theksua se duke luftuar me sukses kundër shfaqjeve të konservatorizmit, nuk është mbajtur parasysh porosia e Partisë për të luftuar të dy krahët, si kundër konservatorizmit, ashtu dhe kundër liberalizmit.
Edhe në Teatër u përpunua një opinion i tërë se nuk duhet të mbetemi prapa botës, duhet të ecim me kohën etj., dhe me këtë u justifikuan imitimet nga të tjerët. Synohej për ta denigruar Teatrin tonë, eksperiencën e tij shumë vjeçare dhe të fetishizoheshin sukseset e arritura dy tre vjetët e fundit. U kritikua shoku Fadil Paçrami, se e ka quajtur Teatrin Popullor, teatër “Bogdani”.
Komunistët Naim Frashëri dhe Esma Agolli, duke zhvilluar këtë ide theksuan se edhe aktorët më të patalentuar nga të rinjtë, e ndjenin veten më të ngrohtë dhe më të sigurt se se sa aktorët më të talentuar nga të vjetrit. Aktorët e vjetër filluan të denigrohen thanë ata, të quhen si limona të shtrydhur. Me marifet u hoqën të gjithë nga puna si pedagogë në Institutin e Lartë të Arteve, nën pretekstin fallco se nuk i lejon drejtoria e Teatrit Popullor. Aktorët e vjetër u vunë në fakt nën karantinë theksuan disa nga diskutantët.
Epiteti që i vihej si konservator ndaj atyre që ngrinin zërin ishte si një mjet për t’ju mbyllur gojën. Por për t’u paraqitur dhe ne si të rinj dhe të kohës, tha aktori Sulejman Pitarka, filluam të lëmë dhe favorite, megjithëse ishim të bindur se nuk na shkonin.
Në organizatë dhe në kolektiv u ngrit se duke luftuar me të drejtë kundër deklamacionit në interpretimin aktoresk, u kalua në ekstremin tjetër në thjeshtësim. Tendenca ishte për ta paraqitur aktorin si të akullt, nordik, pa ndjenja, pa temperament, duke mos patur këto asgjë të përbashkët me karakterin shqiptar.
Shfaqjet e huaja janë dukur edhe në përpjekje për të patur më shumë efekte regjisoriale të cilat bëheshin si qëllim në vet vete, në dëm të ideve të pjesës. Kështu p.sh., ka qenë përdorimi me vend dhe pa vend i pistoletave, përdorimi i dritave të errëta e të zbeta, dreka kthehet në darkë, aktori vihet në errësirë, nuk i jepet mundësia që ai të komunikojë direkt me spektatorët jo vetëm nëpërmjet fjalës por edhe me mimikën dhe temperamentin e vet.
Më të theksuara kanë qenë influencat e huaja në dekor i cili në disa pjesë si në: “Ngjarjet e vitit 1961”, “Një copë rrugë”, “Orfeu zbret në ferr”, etj., nuk vihet fare në funksion të pjesës, por ndërtohet si qëllim në vetë vete. Eshtë përhapur mania e podiumo manisë dhe shkallo manisë, për të cilat bëhen shpenzime të madha dhe nuk shërbejnë për asgjë. Në dekorin e pjesës “Ngjarjet e vitit 1961”, u tha në organizatë, nuk ka asnjë element shqiptar. Përkundrazi ka një dekor ekstravagant. Në skenë vihet një tavolinë që qëndron me tre këmbë, gazetarët janë veshur kauboj si karnavale etj. Shpesh herë dekori bëhet i rëndë dhe i pa mundur për të lojtur në skenat e tjera të vendit tonë.
Në përhapjen e këtij dekori ekstravagant u tha se ka ndikuar shumë një piktor i Teatrit të Operas dhe Baletit, Ali Oseku, që është përdorur disa herë nga Teatri Popullor, rreth të cilit është krijuar një aureolë si njeri shumë i talentuar. Ai është i pari në Tiranë ndër burrat që qep një maksi pallto e ngjashme me atë të Napolon Bonapartit. Ky piktor ka gjetur përkrahje nga Bardhyl Kosova dhe Mihallaq Luarasi.
Në organizatë dhe në kolektiv u theksua se për këto gjëra ka patur edhe mjaft vërejtje nga komunistë dhe aktorë pa parti, por këto nuk merreshin aspak në konsideratë se gjoja bëheshin nga njerëz pa kulturë. Në këtë institucion ishte kultivuar mendimi se për problemet e Teatrit, mund të ndihmojnë vetëm 3-4 veta, kurse nga të tjerët nuk mund të pritet gjë. Ata që vendosnin për çdo gjë, ishin: Mihallaq Luarasi, Bardhyl Kosova, Pirro Mani dhe Ali Oseku. Duke u nisur nga koncepte të tilla shpesh herë repertori, dekori etj., nuk diskutohet fare në këshillin artistik, me gjithse një rregull i tillë ka qenë vendosur me kohë.
3. Si në organizatën bazë ashtu dhe në kolektiv, u shfaqën shumë shqetësime për repertorin. Të gjithë ishin të mendimit që proçedenca t’i jepet pjesëve të dramaturgjisë kombëtare. U kritikuan tendenca e disa regjisorëve dhe aktorëve që pjesëve të huaja u kushtojnë një punë më të madhe, kurse atyre kombëtare më pak. Në këtë aspekt u kritikua dhe politika jo e drejtë e çmimeve. Të gjithë aktorët janë lauruar në pjesët e huaja dhe pothuajse asnjë në pjesët kombëtare. Kritikë u bë edhe ndaj autorëve për të shkuar me një nivel më të lartë artistik se deri tani, ato në përgjithësi qëndrojnë nën nivelin e Teatrit.
Nga disa diskutantë shqetësimi u shfaq për të mos kaluar përsëri në ekstremin tjetër e heqjes së të gjithave pjesëve të huaja. Duke diskutuar për këtë çështje, komunisti Lazër Filipi tha se: orientimet e Komitetit Qendror dhe shokut Enver, janë shumë të qarta, por nuk kuptoj përse ngatërrohen në instancat e mesit dhe të bazës. Duke zhvilluar po këtë ide, Kadri Rroshi theksoj se burokratizimi tek ne, qëndron në maninë për të qenë brenda, por kjo është frenuese.
U kritikua Komiteti i Partisë së rrethit se problemet duhet t’i përballojë më mirë. Për premierën “Orfeu zbret në ferr”, këshilli artistik mbasi e diskutoj, ishte i mendimit që ajo të shfaqej për publikun. Kurse Komiteti i Partisë, (shoku Fadil), kishte thirrur drejtorin dhe i kish thënë se tani nuk është opurtune që të jepet kjo shfaqje. U tha se kjo përgjigje nuk është aspak e drejtë. Në qoftë se pjesa ka të meta që nuk të vlen të jepet, ahere të argumentohet në këshillin artistik me qëllim që të nxirren mësime nga këto gabime.
Komunisti Bardhyl Kosova u kritikua mjaft si në organizatë ashtu dhe në kolektiv. Ai u kritikua si njeri i plogët, inaktiv, indiferent, shkollaresk dhe që i ka përkrahur të ashtuquajturat “novatorizma”. Sidomos ai u kritikua për mungesa të mëdha në drejtimin e punës. Diskutimi i shokut Bardhyl ishte nga më të dobëtit dhe aspak autokritik. Mund të jem i nxituar, por m’u krijua përshtypja se ai nuk i ka aftësitë e duhura (sidomos ato organizative), për ta udhëhequr atë institucion të rëndësishëm. Mendoj se aty ka nevojë për një kuadër të përgatitur dhe me temperament.
4. Në organizatën bazë të Teatrit ka marrëdhënie jo të mira midis disa komunistëve dhe shfaqje të mungesës së unitetit. Shfaqje të tilla ka pas e nxuarrën kokën në organizatën bazë të partisë midis drejtorit Bardhyl Kosova dhe sekretarit të organizatës bazë, Naim Frashërit, po kështu dhe mes disa komunistëve të tjerë. Megjithëse këto janë diskutuar dhe është pretenduar se janë sheshuar, por në fakt ato ekzistojnë. Shpesh herë problemet nuk përballohen në organizatë, por diskutohet më shumë jashtë saj.
Një masë e rëndësishme për ta përballuar këtë gjendje do të ishte pranimi i elementëve të rinj në Parti. Elementë të tillë ka por deri tani nuk është bërë asgjë. Mosha e komunistëve është mbi 42 vjeç.
Në fund diskutoj edhe shoku Fadil. Ai i tha organizatës se kishte ardhur për të bërë autokritikë, për disa kritika që janë bërë në adresë të tij. Mund të jem subjektiv por m’u krijua përshtypja se autokritika e shokut Fadil qe skematike dhe e cekët, nuk kishte analizë për të shpjeguar shkaqet e këtyre gabimeve. /Memorie.al
Tiranë, më 8.III.1973
Todi Kokoneshi
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016