Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historitë e disa prej “vdekjeve aksidentale” më të bujshme dhe më të përfolura të Shqipërisë komuniste, ku në rrethana të paqarta humbën jetën pesë personalitete dhe funksionarë të lartë të atij regjimi. Dëshmitë e familjarëve dhe të afërmve me të gjitha detajet e ngjarjeve misterioze, ku u vranë apo u vetëvranë: ministri i Komunikacioneve kolonel Njazi Islami, zv/ministri i Brendshëm kolonel Sali Ormeni, kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës gjeneral-major Hilmi Seiti, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit Zenel Islami, dhe Heroi i Popullit Myslym Keta.
Zhdukja misterioze e Sali Ormenit!?
Sipas dëshmisë së shoferit të tij, Luto H. (i cili ka banuar deri vonë në Fier) të dhënë për Xhemal Imerin, (nipin e Saliut) midis të tjerash thuhet: “Me 3 marsi 1950, në orët e para të mëngjesit, unë mora makinën dhe shkova te vila e tij, Saliu dëgjoi zhurmë dhe doli me pizhame në shkallë e kur më pa mua më tha: Hë Luto, erdhe për të më marrë? Unë i thashë se nuk kisha shkuar për të marrë atë, por këshilltarin sovjetik, gjeneralin Ivanonv, (i cili banonte në të njëjtën vilë me Saliun), duke i shpjeguar se meqë në se makina e këshilltarit ishte e prishur dhe Saliun e dinin të shtruar në spital, më kishin dërguar mua për të marrë gjeneralin sovjetik. Pas kësaj ai më tha ta prisja sa të vishej dhe sapo hipi në makinë më urdhëroi të shkonim në drejtim të Pallatit të Brigadave. Diku nga Sauku ai më tha të ndaloja dhe teksa zbriti, unë pashë makinën “Tatroplan” të Drejtorisë Politike që na kaloi dhe brenda saj ishte Beqir Ndou, gjenerali sovjetik dhe një toger. Saliu nuk i pa ata dhe kur i thashë unë, ai më urdhëroi që t’i ndiqnim pas, por meqenëse makina jonë ishte një çeke e vjetër, nuk i arritëm dot. Kur shkuam në Elbasan, pyetëm në Degën Ushtarake ku na thanë se: Beqir Ndou me këshilltarin sovjetik ndodhej në Brigadën Ushtarake të Krastës. Pas kësaj, Saliu shkoi atje dhe u takua me Beqirin duke biseduar rreth pesë orë me njeri tjetrin”.
Zv/ ministri Beqir Ndou: Si u ndava me Saliun!
Lidhur me atë takim ka dëshmuar edhe Beqir Ndou, shoku e miku më i ngushtë i Sali Ormenit, me të cilin ai është takuar i fundit. Në dëshminë e tij Ndou është shprehur: “Në Brigadën e Krastës unë dhe Saliu nuk kemi qëndruar më shumë se 20 minuta duke biseduar me njëri tjetrin dhe nuk është aspak e vërtetë se aty kemi qëndruar rreth 5 orë, siç ka thënë Enver Hoxha në raportin e tij në Kongresin e II-të të PPSH-së. Unë sapo u takova me Saliun, e pyeta se pse qëndronte i mërzitur dhe a mos i kishte mbetur qejfi se pse unë nuk kisha shkuar dot për ta parë në spital. Saliu më tha: Jo a derëbardhë se nuk me mbetet qejfi me ty, por kam disa halle dhe jam ca pa qejf nga reumatizma. Pasi këmbyem disa fjalë aty dhe me këshilltarin sovjetik, gjeneralin Ivanov, u nisëm në drejtim të Elbasanit, ku Saliu na tha ta ndalnim makinën pasi ai do shkonte për disa ditë në Llixha për të pushuar. Unë i propozova të shkonim në Tiranë të hanim një drekë në shtëpinë time, por ai nuk pranoi dhe aty u ndamë së bashku për herë të fundit, pasi unë vazhdova rrugën për në Tiranë”, përfundon dëshmia e Beqir Ndout, i cili po atë ditë pasi u kthye në Tiranë, u arrestua në një nga zyrat e titullarëve kryesorë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas u dërgua në burgun e Tiranës. Ai pyetej çdo ditë për lidhjet me Sali Ormenin. Pasi u mbajt gjashtë muaj i izoluar në burgun e Tiranës, Beqir Ndou, i lidhur me pranga, u dërgua para një Pleniumi të ngushtë të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku vetë Enver Hoxha filloi t’i bënte presion, duke i thënë midis të tjerash: “Beqir Ndou, fol dhe tregoi Komitetit Qendror, çfarë sekretesh të ka marrë ty Sali Ormeni, trego dhe lehtësoje veten”.
Versioni i Enverit për Ormenin në Kongresin e Dytë
Në raportin që Enver Hoxha mbajti në Kongresin e II-të, midis të tjerash ai foli edhe për ngjarjen e vrasjes së Sali Ormenit dhe burgosjen e shokut të tij të ngushtë, Beqir Ndout. Enveri tha se, gjatë një tentative arratisjeje, Sali Ormeni kishte vrarë veten në pyjet e Paprrit, ku dhe ishte gjetur nga forcat e ndjekjes të nesërmen e asaj dite. Në mbyllje të fjalës së tij, Enver Hoxha tha se nuk kishte asnjë dyshim se Ormeni ishte një armik i fshehur i popullit dhe partisë.
Dëshmia e shoqëruesit të Mehmet Shehut
Një nga personat që ka pasur dijeni dhe ka dëshmuar për eliminimin misterioz të Sali Ormenit, është dhe S. Axhemi, i cili në atë kohë, ka shërbyer si shoqërues i Mehmet Shehut. Lidhur me këtë, Axhemi është shprehur: “Duke u gdhirë ajo ditë që është vrarë Sali Ormëni, më datën 4 mars 1951, me urdhër të Mehmet Shehut, përgatita dy automjete tip “Gaz 69” dhe nga një makinë tjetër me ushtarë të Batalionit të Ndjekjes, kemi shkuar menjëherë në vendngjarje. Aty pranë një trupi të vrarë, u afruan Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, kurse unë qëndrova larg pasi nuk mundja ta shikoja në atë gjendje ish komandantin tim, Sali Ormenin. Dëgjova një të kërcitur sholle këpuce dhe fjalët e Mehmet Shehut që tha: ‘Ç’pate Sali Ormeni, Partia nga një hamall, të bëri kuadro të lartë dhe t’i ja shpërbleve kështu. Më pas Mehmet Shehu urdhëroi: merreni”.
Sipas familjarëve dhe të afërmve të Sali Ormenit, kjo dëshmi hedh hije dyshimi dhe e mbulon akoma dhe më shumë misterin e zhdukjes së tij, duke ngritur mjaft pikëpyetje; nëse ajo ishte vërtetë kufoma e Sali Ormenit, apo ishte thjesht një truk i Sigurimit të Shtetit, për të përligjur vetëvrasjen e tij?! Ndonëse ka kaluar shume kohë nga ajo ngjarje, familja dhe të afërmit e Sali Ormenit nuk kanë dijeni se ku ndodhet varri i tij. Një dokument arkivor që iu ka rënë në dorë vitet e fundit, konfirmon se Sali Ormeni nuk është vetëvrarë, por është pushkatuar…?!
Misteri i vrasjes së Zenel Islamit
Një nga ngjarjet e tjera më të përfolura gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, është dhe ajo e ndodhur në mëngjesin e 9 korrikut 1961, ku në rrethana krejt të paqarta, diku, pranë një kroi të fshatit Labinot të Elbasanit, ndërroi jetë Zenel Islami, i cili prej dy vitesh shërbente si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi. Po atë ditë, me anë të një komunikate zyrtare, Radio-Tirana njoftoi vdekjen e tij, duke thënë se ai kishte bërë vetëvrasje. Po cila ishte e kaluara e Zenel Islamit dhe në ç’rrethana ndodhi vdekja e tij?
Zenel Islami u lind në një fshat të vogël malorë të rrethit të Pukës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Në mesin e viteve ’30-të, Zenel Islami ndoqi mësimet në qytezën e Pukës dhe ai do të kishte fatin të ishte nxënës i Migjenit të famshëm, i cili i kushtoi edhe dy tregimet tashmë të njohura: “Zeneli” dhe “Luli i vocërr”. Gjatë “Luftës Antifashiste”, Zeneli u inkuadrua në brigadat partizane dhe në përfundim të saj ai u emërua sekretar i Rinisë Komuniste të atij rrethi. Pas mbarimit të Luftës, Zeneli u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, pas përfundimit ai u kthye në atdhe dhe shërbeu si sekretar i parë dhe kryetar i Komiteteve Ekzekutive në Lezhë, Pukë dhe Elbasan, ku dhe “mbylli” përgjithmonë karrierën e tij më 9 korrik të vitit 1961.
Bashkëshortja: Ju tregoj misterin e vdekjes së Zenelit
Lidhur me misterin e vdekjes së Zenel Islamit, bashkëshortja e tij, Drita Islami (Gjylbegu), në mes të tjerash ka dëshmuar:“Nuk e harroj kurrë atë ditë. Ka qenë data 8 korrik 1961. Zeneli hëngri pak bukë, pasi ishte kohë dreke dhe tha se do të shkonte në punë në takim me popullin, ku e prisnin 79 vetë që kishin regjistruar emrat për takim. Në atë kohë Zeneli kryente funksionet e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit dhe kishte mjaft punë. Sa erdhi në shtëpi, ra zilja e telefonit dhe pasi foli me dikë, Zeneli më tha: Më duhet të shkoj pasi më thërret dikush dhe përmendi emrin e një gjenerali që e kërkonte, Mihallaq Ziçishtit. Pas një ore, Zeneli erdhi përsëri në shtëpi, unë e prisja e veshur për të dalë, dhe më tha: ‘Drita, t’i lëmë për sot ato qoka që kemi planifikuar, se i bëjmë të dielën kur të kthehemi nga festa. Para se të dilte nga shtëpia, vajza e vogël qau. Zeneli e mori në krah dhe pasi e puthi fort. Përqafoi edhe dy djemtë dhe doli. Të dielën në ora 16.00 trokiti dera dhe pashë aty: Arif Peqinin, (sekretar i K. P. të Elbasanit), mjekun e njohur, Deliallisin dhe disa kuadro të Sigurimit. I ftova të hynin brenda dhe u thashë: Ku është Zeneli? Ata më thanë: Ulu njëherë. Pasi i çova tre fëmijët në dhomën tjetër apo tek komshinjtë tanë, tek avokat Avni Skrapari (nuk më kujtohet mirë), u ula. Sekretari i Partisë më tha: ‘Ka vrarë veten Zeneli’. Unë brofa në këmbë dhe u thashë: Pse e ka vrarë, çfarë ndodhi?! Sekretari i Partisë, Arif Peqini (që ishte dhe komshi i yni), më tha: “Dritë, Zeneli ka kërcye e ka këndu me çifteli, deri 100 vetë i ka mbajt me muhabet e biseda gjithë natën aty në fshatin Labiniot ku ishim ne. Zeneli u çua në mëngjes, bëri fjalimin e kryetarit të këshillit të fshatit (që do lexohej në ceremoninë e festës), në vend të kafes hëngri një llokume”. Pas kësaj doli tek kroni dhe aty i ka ra vetes shtatë herë me armë. Kur kanë rënë pushkët, kanë gjetë Zenelin, të vramë aty te kroni’. Unë i thashë Arifit: Dakord, po pse e bani këtë, si i la ai fëmijët jetimë. Si i ka ra ai shtatë herë vetes me pistoletë dhe me çfarë pistolete i ka ra?! ‘Me pistoletën e vet’, më thanë. Unë iu përgjigja: Mirë po shkoj të shikoj a e ka pistoletën. Dhe u ngrita e shkova në dhomë për të parë a ishte aty pistoleta, të cilin ai nuk e merrte kurrë me vete. Aty e gjeta pistoletën e Zenelit me dorezë të kuqe, e mbështjellë me rroba siç e linte ai zakonisht. Njëri nga ata të Sigurimit që më shoqëroi nga pas në dhomë, më tha: “Ma jep mua, dhe ma mori”. U kërkova përsëri të më tregonin, se si dhe pse kishte ndodhur kjo gjëmë. Arifi më tha: “Nuk kishte asnjë lloj shqetësimi, ishte krejt në rregull dhe i qetë. Nuk e dimë se si është puna”. Pas pak ata ikën dhe aty në shtëpi qëndruan vetëm dy prej tyre, të cilët më shoqëronin dhe më ndiqnin çdo lëvizje që unë bëja nëpër shtëpi. Aty nga ora 22.00 e asaj darke, pak para se të vinte, Xhaviti (vëllai) nga Shkodra, në shtëpi na erdhi Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike, i cili më tha: “Kam ardhur me porosi direkte të Enver Hoxhës. Jam urdhëruar prej tij të të them: çfarë do nga ne. Fol. Kjo është një fatkeqësi e jona në radhë të parë dhe pastaj e jotja”. Pasi e ngriti shumë Zenelin, Haki Toska vazhdoi: “Enver Hoxha nuk ka qarë për nënën e vet, ndërsa për Zenel Islamin ka qarë”. Hakiu qëndroi aty deri sa erdhi vëllai im nga Shkodra, dhe kur po ikte më tha: “Do t’i plotësojmë të gjitha, e kemi porosi nga Enver Hoxha”. Pasi iku Haki Toska, vëllai, Xhavaiti më tha se ishte mirë që Zenelin ta varrosnim në Shkodër dhe ashtu vendosëm. Pak minuta më vonë, aty nga ora 12 e natës, ma sollën xhenazen në shtëpi. Para se të sillnin kufomën në shtëpi, ata erdhën dhe morën rrobat e Zenelit që ta vishnin. Në atë kohë unë iu thashë: M’i sillni këtu në shtëpi t’i shikoj rrobat që kishte veshur Zeneli. Ata më thanë: po, po, por nuk m’i sollën kurrë. Nga sendet e Zenelit ata më sollën vetëm orën. Asgjë tjetër nuk më dhanë. Dhe bllokun e tij të shënimeve e morën dhe nuk ma kthyen më. Ndonëse arkivolin e zbuluan vetëm për pak sekonda, unë e pashë se Zeneli kishte vetëm një plagë plumbi në anë të majtë të ballit. Por nga brenda rrobave në pjesën e gjoksit vazhdonte t’i rridhte gjak. Dhoma ku ndodhej arkivoli ruhej nga dy njerëz të Sigurimit, por dy kushërinj të Zenelit nga Puka, Smajl Avdia dhe një tjetër që tani s’po ja kujtoj dot emrin, gjetën momentin dhe hynë nga dritarja e pasme e shtëpisë. Ata e hapën dhe erdhën e më thanë: “Nuk e ka vrarë veten Zeneli, ai kishte dhe disa plagë të tjera në gjoks”. Varrimi u krye atë ditë në ora 16.00 të pasdites në qytetin e Shkodrës ku morën pjesë shumë pak vetë. Nga familja, ishte: nëna e Zenelit, motra e tij, dy kushurina dhe dy nipa. Përveç fisit, asnjë tjetër nga partia dhe pushteti nuk mori pjesë në varrim. Vetëm Sadik Rama ishte në varrim dhe ai na rrinte afër që të dëgjonte ndonjë gjë dhe shikonte se kush merrte pjesë aty. Asnjë fjalë nuk u mbajt për Zenelin në varreza. Unë nuk kam qenë në varrim (se kështu i kem i zakonet) por njerëzit e mi dhe të Zenelit m’i treguan këto të gjitha. Edhe ata miq e shokë që erdhën nga Elbasani, si Qamil Çela etj, nuk i lejuan të shkonin në varrim. Ata erdhën vetëm në shtëpi për ngushëllime dhe ikën përsëri për në Elbasan. Për shumë vjet me radhë nuk ma dhanë pensionin e Zenelit, duke më thënë se nuk na takonte pasi ai kishte vrarë veten. Vetëm kur shkoi Enver Hoxha në një vizitë në rrethin e Pukës (ne na thanë njerëz të ndryshëm se kishte folur mirë për Zenelin), na dhanë gjysëm pensioni, duke na thënë se kaq na takonte pasi Zeneli kishte vrarë veten. Gjatë gjithë atyre viteve e deri në fund të atij sistemi, unë kam pasur nga prapa njerëzit e Sigurimit të Shtetit të cilët më ndiqnin dhe më survejonin kudo. I njihja mirë se kush ishin ata. Edhe vëllai im, Xhavit Gjylbegu, pati shumë probleme për shkak të kunatit të tij, Zenelit, e mbyll dëshminë e saj, Drita Islami (Gjylbegu), e cila si pengun më të madh në jetën e saj, ka atë që nuk ka mësuar ende të vërtetën se çfarë ndodhi me bashkëshortin e saj.
Kush ishte Myslym Keta?
Një nga ngjarjet e tjera misterioze të periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe ndoshta më të përfolurat (pas asaj të Mehmet Shehut), është edhe ajo e ndodhur më 24 shkurt të vitit 1966, ku në rrugën nacionale; Pukë-Fush-Arrëz, në rrethana të paqarta, humbi jetën në një aksident automobilistik, kolonel i famshëm Myslym Keta, një nga guerilasit dhe heronjtë e Luftës Antifashiste në Shqipëri, i cili që në vitin 1947, kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, iu akordua titulli i lartë “Hero i Kombeve”, duke qenë dhe njeriu i parë në Shqipëri që merrte atë titull. Pas mbarimit të Luftës, edhe pse ishte në një moshë fare të re, vetëm 20-21 vjeç, për merita të shquara gjatë Lëvizjes Antifashiste dhe luftës partizane, Myslym Keta u emërua dhe shërbeu për disa kohë në detyrën e komandantit të Gardës së Republikës. Më pas ai u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik (Akademia Ushtarake e Moskës), ku u diplomua me në degën e inxhinierisë për tanke. Pas kthimit në atdhe, Myslym Keta shërbeu për vite me radhë në armën e tankeve, fillimisht si komandant i një regjimenti tankist në periferi të kryeqytetit dhe më pas, zv/komandant për Teknikën në Flotën Ushtarake Detare (FUD), ku dhe “mbylli karrierën” dhe jetën e tij më 24 shkurt të vitit 1966 në “aksidentin automobilistik” në rrugën Pukë-Fushë-Arrëz.
Dëshmia e shoferit të Lymit
Ish-shoferi i Lym Ketës, Petrit T. (në atë kohë ushtar), lidhur me aksidentin e ndodhur me shefin e tij, ka dëshmuar: “Komanda e repartit të FUD-it, (Flota Ushtarake Detare), më ngarkoi mua si shofer me Lym Ketën. Lymi kishte një automjet “Gaz-67” të vjetër që nga koha e Luftës dhe e mbaj mënd si tani datën 23 shkurt 1966, kur ai më tha se do të shkonim me shërbim në Fushë-Arrëz. Atë ditë para se të niseshim për rrugë, Lymit iu lut djali i tij, Beni, që ta merrte me vete, pasi ai vinte shpesh me ne, por Lymi nuk e mori, edhe pse ai insistoi dhe ju lut shumë. Lymi mori me vete nga shtëpia një automatik të vogël të cilin nuk e kishte marrë kurrë ndonjëherë tjetër. Kur dilnim për gjah, ai merrte vetëm çiften. U nisëm pasdite dhe atë natë fjetëm në Shkodër të dy, tek baxhanaku i Lymit, kurse makinën e lamë tek një repart ushtarak, apo më saktë tek Korpusi i Shkodrës. Të nesërmen në mëngjes u nisëm për në drejtim të Fushë-Arrëzit dhe kur mbërritëm në Pukë, ndaluam për një pushim të shkurtër, pasi Lymi shkoi dhe u takua me shefin e Degës Ushtarake. Para se të niseshim për në Fushë-Arrëz, blemë diçka për të ngrënë rrugës. Teksa ishim duke udhëtuar, në një moment, Lymi më tha të ndaloja pak, pasi ai do ta merrte vetë makinën. Zbatova urdhrin e tij dhe ai doli vetë në timon, kurse unë në vendin e tij dhe u nisëm përsëri. Lymi ishte një mjeshtër i vërtetë për të ngarë të gjitha llojet e automjeteve. Diku afër një kthese, makina nuk preu dot, dhe si rezultat i atij bllokimi, “Gazi” u ngjit disa metra anash rrugës lart dhe u kthye duke rënë përsëri në rrugë. Nga kjo dalje e makinës nga rruga dhe përplasja e saj gjatë rrokullisjes, Lymi u dëmtua rëndë në kokë, pasi ai u godit nga hekuri që mbante xhamin e derës së shoferit. Unë u mundova që ta ngrija duke i fshirë gjakun që i rridhte rrëke, por ai e kishte mendjen se mos kisha pësuar gjë unë, dhe më thoshte që t’i ngrija rrobat për të më parë në trup se mos isha dëmtuar duke marrë ndonjë goditje apo plagë. Ndërkohë, pas nesh erdhi një automjet tip “Skoda” me targa të Shkodrës dhe Lymi u ngrit vetë e hipi në kabinën e saj. Para se të hipte aty, mori automatikun duke qëlluar disa herë në ajër, për të dhënë alarm, siç ishte rregulli në atë kohë kur ndodhte diçka e kërkohej ndihmë. “Skoda” e Shkodrës na çoi urgjent në spitalin e Fushë-Arrëzit, ku ndodhej si mjek roje një djalë i ri, i quajtur Alfred S., i cili bëri të pamundurën duke e mjekuar Lymin, me të gjitha ato medikamente që i ndodheshin aty. Pasi i bënte injeksionet, shishet e tyre boshe ai m’i jepte mua në dorë duke më thënë që t’i ruaja. Mjeku i ri,u lidh vetë në telefon me Tiranën, duke kërkuar që të vinte një helikopter për ta marrë Lymin, pasi po e shikonte se plaga që ai kishte marrë në kokë, ishte shumë e madhe dhe gjendja e tij po keqësohej nga çasti në çast. Unë fillova të qaja dhe deshën që të më nxirrnin jashtë, por Lymi nuk i la ata duke më thënë: ‘Ti, mos m’u largo nga koka’. Në telefon nga Tirana dolën dy nga titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Lymi foli vetë me ta, duke u thënë që me helikopterin që do nisej, të vinte Dr. Koliqi i spitalit ushtarak. Helikopteri erdhi katër orë pas njoftimit dhe me të nuk ishte Dr. Koliqi, por Dr. Ismail F. dhe një mjek tjetër, bashkë me shefin e Shtabit të FUD-it. Kur mbërritën ata Lymi kishte ndërruar jetë. Pak pas mbërritjes, ata u nisën për t’u kthyer në Tiranë, ndërsa unë dola në rrugën nacionale, ku disa policë më ndihmuan për të gjetur një makinë, me të cilën udhëtova dhe u ktheva deri në Tiranë. Pas dy ditësh, mua më thirri shefi i Sigurimit të FUD-it, Qemal P. dhe më pyeti me detaje për aksidentin që kishte ndodhur. Nga shefi i Sigurimit mësova se ekspertiza e kishte nxjerrë makinën tonë me defekt Pas dhjetë ditësh mua më transferuan nga ai repart për në një repart tjetër dhe makinën time me të cilën na kishte ndodhur aksidenti, nuk e pashë më kurrë. Unë edhe sot e kësaj dite dyshoj dhe nuk e përjashtoj mundësinë që ai aksident na ishte kurdisur nga Sigurimi i Shtetit, duke na e dëmtuar makinën atë natë kur ajo ka qenë e parkuar në Korpusin e Shkodrës. Po kështu, unë nuk e përjashtoj as mundësinë që; para rrëzimit, makina jonë është qëlluar me me armë tek gomat dhe si rezultat ajo humbi kontrollin e doli nga rruga”. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016