Nga Bedri Çoku
Pjesa e dymbëdhjet
Memorie.al publikon dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.
Kryengritja që tronditi diktaturën
(Bazuar mbi një histori të vërtetë)
“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”
Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramendëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerëzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirëkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerëzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahasueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).
Autori
Gjyqi ndaj pjesëmarrësve të revoltës, në qytetin e Rrëshenit
– Amin!
– Në Fier, ku jam rritur, është një “urë me shkallë”, kështu i thonë qytetarët asaj ure…dhe unë po shkoja drejt saj për të dalë në anën tjetër të lumit, Gjanicë. Ama, në krahë sikur mbaja një bebe. U shqetësova shumë kur pashë se nga shkallët e urës, po zbriste ish vajza ime gjimnaziste. Nga turpi që ajo do të më shihte me fëmijën tim në krah, u shqetësova shumë. Futa kokën në gushën e fëmijës, me gjasë që ajo të mos më njihte, por, për çudinë time, ajo kaloi aq pranë pa u shqetësuar fare…! Sapo ngjita shkallët dhe isha mbi urë, ktheva kokën prapa për ta parë atë. Në çast fëmija në krahët e mi, më shtrëngoi fort për mesi dhe unë e ai, u shkëputëm nga toka, për fluturim…!
Nuk kisha fluturuar kurrë në jetën time me avion, mbi kokat e njerëzve dhe çatitë e shtëpive apo të pallateve, nga një lartësi e tillë. I vetëdijshëm se poshtë meje ndodhej ish e dashura ime, mospërfillëse dhe e trishtuar, bërtita fort, fort. Hej….heej! Dhe jehona e zërit tim oshtiu tej e tej qytetit…! Kur zbritëm në tokë, ishim në mes të një moçali, ku kishte pellgje me ujë dhe kashtë, ku dëgjoheshin vetëm kua kuaket e bretkosave. U tmerrova kur e pashë njeriun që më kishte sjellë aty, të shkurtër, kurrizdalë, me sytë të mëdhenj si të një kau të therur…!
– Po tani? – e pyeta – Pse më solle këtu?
Ai nuk fliste, vetëm mblidhte dhe ç’mblidhte supet pa m’i shqitur sytë e mëdhenj e të frikshëm.
– Aman, i thashë, më ço ku të duash vetëm këtu mos më Lerë…! S’di ku jam e s’ di ku të shkoj…?!
Ata çast një pllakë betoni, nga ato që përdoren në galeri, anës trupave të avancimit, për të mbajtur mbushjet e vendosura, që trupat e armaturës të shtrëngohen fort e të mos rrëzohen nga plasja e dinamitit, u ngrit nga toka vetvetiu dhe u vendos në prapanicën time. Ndërkohë që njeriu me sytë e mëdhenj më ofroi kurrizin e tij, pasi pllaka më kishte ngritur nga toka. Ai filloi të lëvizte këmbët, sikur vraponte mbi sipërfaqen e tokës dhe unë, u çudita që toka poshtë dukej tashmë e punuar dhe e selitur, plot me pemët me lule të çelura. Hej…hej! Po fluturonim drejt perëndimit, sipas meje, ndërkohë që vura re një diell të madh e të shndritshëm që po ngrihej në horizont…! Nga prapa kurrizit të tij, vija re buzët që ai i lëvizte me nervozizëm. Ai fliste me dikë që as e dëgjoja, as e shikoja…! Në një fragment dëgjova të thoshte se nuk donte të më linte kurrë atje, ku më kishte zbritur herën e parë. U gëzova. Por ai gëzim m’u shua përnjëherë, se ai me lëshoi në bregun e një deti, ku dallgët po më lagnin këmbët…!
– Po tani? – i thashë.
Ai lëvizte mimikën gjasme se s’kishte mundësi të më çonte në ndonjë vend tjetër…! Para kisha detin, pas meje tuma rëre të pafundme…! Në det vija re anije të vendosura në radë, larg, shumë larg nga unë…! Kur, papritur, nga shkuma e detit doli një plak me flokë të gjata, borë të bardha, si vetë shkuma, me mjekër, asisoj, deri në brez dhe i tha atij që më kishte sjellë aty:
– Merre, merre Bedriun, mos e lërë këtu ! – dhe drejtoi krahun për nga deti…!
U zgjova duke mbajtur zemrën me dorë, aq fort po më rrihte.
“Prifti”, që më kishte dëgjuar deri tani, si i përpirë nga rrëfimi i ëndrrës, u mbush thellë me frymë dhe u ngritë në
gjunjë me krahët e shtrirë përpara. Më përqafoi…! Fshiu lotët që i kishin lagur faqet e më tha:
– Ti nuk do të vdesësh…! Ti do të jetosh edhe pse do të vuash ende në burg…! Jeta jote, mbasandaj, do të jetë e gëzuar…!
– Pse ma thua këtë? Ku bazohesh?!
– Ty ta ka thënë vetë Perëndia…! Fëmija që të ngriti në qiell ishte engjëlli që do të shpëtojë nga kthetrat e këtyre që duan të të eliminojnë. Por, përkohësisht, do të vuash ankthin e “moçalit” në një burg të rëndë…! (Moçali mund të jetë burgu i Burrelit). Ti i’u lute Zotit që të të largonte nga “moçali” dhe ai ta dëgjoi lutjen. Me siguri që do të shpëtosh edhe nga burgu, përfundimisht…! Dielli i ndritur që lindi në perëndim, është vetë Fati yt i Madh, të cilin nuk ta ndryshon dot njeriu…! Bregu i detit dhe anijet që ke parë në radë, janë shpëtimi yt nga vuajtjet që ke kaluar deri aty…! Plaku me flokë e mjekër të bardhë, që drejtoi krahun nga deti, është vetë shëmbëlltyra e Zotit, që të jep liri dhe lumturi, deri sa të jesh gjallë…!
– Hahaha..!
Qesha hëm i gëzuar, por edhe me pak ironi. E mbyllëm këtë temë sepse erdhi mëngjesi dhe,sipas policit, mbasi të përfundonim vaktin e mëngjesit, duhet të bëheshim gati për seancën e ditës…!
Nga seanca e gjykimit të datës 20.06.1973, mund të shënoj vetëm dy gjëra që ia vlen të mbeten të shkruara në këtë liber…! Rastin e Ndrec Çokut, nga Mirëdita, i cili ishte i pandehuri i radhës, i njohur gati nga të gjithë policët dhe pjesëtarët e trupit gjykues, me përjashtim të kryetarit, që jetonte në Durrës. Ai pranoi me krenari që kishte qenë i angazhuar në ruajtjen e flamurit, pa yllin komunist dhe i shpëtuan lotët kur deshi të pranonte uljen e tij, tinëzisht…!
– E pranoj me gjithë shpirt që jam pjesëmarrës në revoltë dhe ndjehem krenar që e kam prekur me duart e buzët e mia, para se të betohesha se do ta ruaja me jetën time, flamurin e Mirditës, të mirditorëve të mi, të cilët nuk e kanë larguar nga zemra asnjëherë flamurin kombëtar të Skënderbeut.
Prokurori i seancës, i tërbuar, iu vërsul pa marrë leje fare nga Kryetari i seancës.
– Ta gëzosh flamurin tënd, o armik i popullit…!Mos ki dert se do ta hedhim përsipër atë flamur, në gropën që do të të mbulojë me dhe, për t’u bashkuar me ata që morën plumbin në Spaç, edhe me të tjerë që do t’a meritojnë…!
– Unë ditët të numëruara i kam, o Zef Deda, ku ta gjej të varrosem me flamurin kombëtar të Skënderbeut e të Ismail Qemalit…! Por ty, çfarë do të të hedhin në varrë, kur të marrësh dënimin me vdekje, për këto që po bën ti, me shokët e tu?
Prokurori u bë meit, por nuk e zgjati më. Rasti i dytë, sipas radhës në listë, i fundit për atë seancë, ishte me të pandehurin Zef Ashta, alias “Prifti” i birucës time i cili akuzohej se kishte qenë pjesëmarrës në revoltë. Madje pati dëshmitarë, dy të burgosur që e vërtetonin pjesëmarrjen e tij. Për këtë akuzë, ai u përgjigj se:
– Do të më vinte turp, zoti kryetar i seancës, që të pranoj se kam marrë pjesë në revoltë. Jo prej jush, as prej të tjerëve në këtë sallë, por prej bashkëvuajtësve të mi, trima dhe guximtarë që bënë atë, që sot duhet ta bëj çdo shqiptar i ndershëm e patriot. Prej këtyre të lidhurve me hekura, që i keni rreshtuar në listë për t’i rri dënuar apo pushkatuar, ngaqë patën guximin për të shprehur revoltën për të drejtat e tyre mëse njerëzore. Prandaj thashë, më vjen turp vetëm pse nuk pata takat t’u bashkohesha në atë revoltë historike, si luftëtar i lirisë e i demokracisë…!?
Sapo u kthyem në birucë, ia ktheva “reston” Zef Ashtës për atë përgjigje aq të bukur e diplomatike që i dha kryetarit të seancës. Ndërsa për Ndrec Çokun, dërguam përgëzime nëpërmjet policit të turnit, mbi përplasjen “monumentale” me krahinarin komunist, kundërshtarin e tij politik, prokurorin antishqiptar, Zef Dedën…!
Ishte një pritje e gjatë dhe e ankthshme, për të shkuar në seancën e radhës, e për të dëgjuar pretencën e prokurorit.
Kishin kaluar plot tri ditë. Çfarë misteri po ruante kjo kohë relativisht e zgjatur? Pati tej mase shumë hamendësime dhe pikëpyetje pa përgjigje. As policët e shërbimit të brendshëm, që ishin të interesuar për dënimet tona, sidomos për ato dënime që mund të ishin me vdekje-pushkatim, nuk dinin asgjë. “Prifti” i nderuar, vinte buzën në gaz për shqetësimin tim e të tjerëve, por nuk pranonte të jepte ndonjë mendim për këtë vonesë të pretencës, nga ana e prokurorit të çështjes sonë. Unë e kuptoja, pak a shumë, pse ai nuk donte të fliste për këtë shqetësim. Ia thashë, njëfarësoj, arsyen e heshtjes së tij…! I thashë që ai vuante edhe vetë nga një dilemë lidhur me vonesën e pretencës, prandaj edhe nuk mund të fliste.
M’u duk se ishin këto fjalë që e detyruan të flasë:
– Po. Ke të drejtë, – më tha. – Kam dilemë, por gjithsesi, arsyeja që mendoj unë, do të jetë pozitive. E kam këtë bindje, sidomos, nga ëndrra jote. Mendoj se ata janë duke diskutuar seriozisht për dënimet tona. Me siguri që do të kenë probleme nga presioni i brendshëm dhe nga ai jashtë vendit, për ndalimin e mëtejshëm të pushkatimeve. Ndaj Zoti të paralajmëroi ty me engjëllin e vet, si njeri i problemit të kësaj çështjeje. Pra, jam optimist.
Ditën e nesërme, më 27.06. 1973, ora 10.00, ne shkuam në sallën e gjyqit, për të dëgjuar pretencën e prokurorit të seancës, Zef Deda.
Duke u mbështetur në ligjet që ne akuzoheshim dhe zhvillimit të seancave, me pyetjet dhe përgjigjet e secilit, shto dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë, ai dha pretencën me dënime të larta për të gjithë, duke filluar me emrin tim, sipas listës. Dënim, i cili shkaktoi një pasthirrmë të gëzuar nga të gjithë ne, që prisnim të dënoheshim. Ai kërkoi për mua 25 vjet me burg të mbyllur, që nënkuptonte vuajtjen time në burgun e Burrelit dhe 5 vjet pa të drejtë vote.
“Prifti” im as i dëgjoi më fare dënimet e tjera. Meqë ishim të lidhur të dy përdore, në një prangë, ai ngriti dorën e lidhur lart, me këtë rast edhe timen, tek e cila, si ç’ma tha në vesh, pak sekonda më vonë, kishte kaluar një rrymë drithëruese, e vetvetishme, ardhur natyrshëm nga thellësia e qenies time.
Atë ditë, në birucat e degës së punëve të brendshme të Rrëshenit kishte “festë”, Të dënuarit politikë, pse të mos e them edhe për një pjesë të administratës së degës, kryesisht ishin policët e shërbimit të brendshëm që komunikonin shqiptarisht me ne, erdhën e më uruan sinqerisht “për krye shëndosh”. Bashkëvuajtësit e mi, atyre që prindërit u kishin ardhur për takim, por takim nuk kishin bërë, ama ushqimet ua kishin lejuar, më sollën për të ngrënë, aq sa unë e “Prifti” plasëm nga të ngrënët…!
Më datën 30.06.1973, kryetari i seancës, në sallën e gjyqit, me dyert e mbyllura, pasi respektoi të gjitha dënimet e caktuara nga prokurori, zbriti minus dy vjet për të gjitha dënimet e dhëna dhe, me kaq, seanca u mbyll…! Ndërsa mua më hodhën hekurat që në sallë, për në burgun e Burrelit, së bashku me Tomor Allajbeun, që nguli këmbë para trupit gjykues se nuk do të punonte kurrë më për shtetin komunist, në kushtet e një skllavi, dhe Haxhi Benën, me origjinë çame, banues në Durrës, i cili deklaroi burrërisht se do të luftonte sa të kishte jetën për t’u rikthyer në vatanin e tij, në Çamëri, ku kishte varret e të parëve dhe pasurinë e tyre të grabitur nga andartët grekë…!
Të tjerët i rikthyen në kampin e Spaçit.
Emrat e të ri dënuarve në të gjitha grupet:
- Mbështetur në dokumentin e Gjykatës Popullore, rrethit Rrëshen, Vendimi nr. 29. datë 30/6/ 1973, marrë nga Arkiva M.P.B. Tiranë, “Grupi i Flamurit”, për kryengritjen e Spaçit i formësuar nga Hetuesia Kombëtare, Tiranë, përbëhet me këta persona: Bedri Çoku, Mersin Vlashi, Murat Mata, Neim Pashaj, Feti Kumanaku, Ndrec Çoku, Elez Hoxha, Naim Uka, Zef Ashta, Jonuz Norja, Tomor Allajbeu, Pal Marku, Haxhi Bena, Qemal Demiraj, Shuaip Ibrahimi, Muho Curri, Mërkur Babameto, Gramoz Spahiu dhe Dervish Sulo. Fajësia për “Grupin e Flamurit” në kryengritjen e Spaçit, u provua edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve: Agostin Preçi (i burgosur), Muhamed Kosovrasti (i burgosur), Thanas Theodhoraqi (i burgosur), Ilia Dhimo (i burgosur), Zenel Balliu (I burgosur), Pandeli Pjetri (i burgosur), Miltiadh Papa (i burgosur), Hilmi Freskina (i burgosur), Ndue Prenga (polic), Preng Rrapi (polic), Frrok Deda (polic), Pashk Lleshi (polic), Gjet Çupi (polic), Ndue Llesh Ndoi (polic) dhe Fejzi Liço, (operativi i komandës).
- “Mbështetur në dokumentin e Gjykatës Popullore, rrethit Rrëshen, Vendimi nr. 37. datë 13/7/ 1973, marrë nga Arkiva M.P.B., Tiranë, grupi i formësuar nga Hetuesia Kombëtare, Tiranë, për kryengritjen e të burgosurve politikë të Spaçit, përbëhet nga këta persona: Kostandin Papaj, Bebi Konomi, Rexhep Lazëri, Gëzim Çela, Sali Çuni, Shefqet Gjana, Hulsi Pashollari, Fatmir Llagami, Nuri Stepa, Bashkim Fishta, Agron Xhelili, Njazi Bylykbashi, Sherif Allamani, Mirash Gjoka, Refik Beqo. Fajësia e të pandehurve në kryengritjen e Spaçit, u provua gjithashtu edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve Agostin Preçi (i burgosur), Muhamed Kosovrasti (i burgosur), Thanas Theodhoraqi (i burgosur), Ilia Dhimo (i burgosur), Zenel Balliu (i burgosur), Pandeli Pjetri (i burgosur), Miltiadh Papa (i burgosur), Hilmi Freskina (i burgosur), Xhevahir Kurti (i burgosur), Zef Mërdhoqi (polic), Nahmut Peposhi (i burgosur), Ndue Prenga (polic), Preng Rrapi(polic), Frrok Deda (polic), Pashk Lleshi (polic), Gjet Çupi (polic),Ndue Llesh Ndoi (polic) dhe Fejzi Liço, (operativi i komandës)”
- ”Mbështetur në dokumentin e Gjykatës Popullore, rrethit Rrëshen, Vendimi nr. 38. datë 21/7/ 1973, marrë nga Arkiva M.P.B., Tiranë, grupi i formësuar nga Hetuesia Kombëtare, Tiranë, për kryengritjen e të burgosurve politikë të Spaçit, përbëhet nga këta persona: Pavllo Popaj, Fadil Dushku, Demir Pojani, Gëzim Medolli, Sulo Veshi, Çaush Çoku, Muharrem Dyli, Stefan Kola,Vladimir Prifti, Spiro Nasho, Muharrem Isufi, Irakli Simo, Fajësia për të pandehurit në kryengritjen e Spaçit, u provua edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve: Hilmi Freskina (i burgosur), Xhevahir Kurti ( i burgosur), Zef Mërdhoqi (polic), Nahmut Peposhi ( i burgosur), Ndue Prenga (polic),Preng Rrapi(polic), Frrok Deda (polic), Pashk Lleshi (polic), Gjet Çupi (polic), Ndue Llesh Ndoi (polic) dhe Fejzi Liço, (operativi i komandës).
- Mbështetur në dokomuntin e Gjykatës Popullore, rrethit Rrëshen, Vendimi nr. 38. datë 25/7/ 1973, marrë nga Arkiva M.P.B., Tiranë, grupi i formësuar nga Hetuesia Kombëtare, Tiranë, për kryengritjen e të burgosurve politikë të Spaçit, përbëhet nga këta persona: Gjet Kadeli, Napolon Koleci, Xhemal Bali, Ferit Avdullai, Bardhyl Fezullai, Sotiraq Simaku, Hysen Xhani.
Fajësia e të pandehurve u provua edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve: Preng Volaj, Hilmi Freskina, Zenel Balliu, Muhamed Kosovrasti, Naim Pashaj. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016