Nga Bedri Çoku
Pjesa e dytë
Memorie.al/publikon dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.
Kryengritja që tronditi diktaturën
(Bazuar mbi një histori të vërtetë)
“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”
Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramendëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerëzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirëkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerëzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahasueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).
Autori
Kryengritja
Ishim të gjithë në një mendje që dinamitin e pashpërthyer gjatë plasjeve nga zjarrmëtarët e shtetit, nëpër frontet e punës, do ta grumbullonim së bashku me kapsollat e padëmtuara. Ky do të ishte dhe fillimi i grumbullimit të bazës materiale për veprimet luftarake, nëse në situatat e krijuara do të kërkohej përdorimi i dinamitit. Ndërsa, për sa ju përket sëpatave, sqeparëve dhe levave, ishim të sigurt se ato, si armatim i ftohtë, do t’i mblidhnim pa vështirësi. Ato ishin veglat tona të punës së përditshme. Arsyen për t’i futur në kamp e kishim, pasi i merrnim veglat e punës edhe në kamp, në rast se ishte e pamundur për t’i siguruar, përkohësisht, në ndonjë magazinë pranë galerisë ku punonim.
Për shkak të njohjes time me të burgosurin politik, inxhinierin mekanik, Kostandin Papa, lindur e rritur në Durrës, m’u la detyrë që të zhvilloja me të një bisedë të fshehtë, për ta bindur të bashkohej me qëllimin tonë të fshehtë. Kishim shpresë se ai mund të na siguronte prodhimin e tubave me gjatësinë e një llokumi dinamiti, në ofiçinën ku Kostandini drejtonte shumicën e punëtorëve, që ishin bashkëvuajtësit tanë. Koçi, siç e thërrisnim shkurt, pranoi pa asnjë mëdyshje. Jo vetëm pse ai ishte vetë i djegur e i përvëluar për të arritur diçka lidhur me gjendjen tonë, në kushtet e detyrimit të punës me dhunë, veshur e ushqyer keq e mos më keq, me shfrytëzimin e punës në minierë, pa shpërblim, ne, të dënuarit e ndërgjegjes. Por, sidomos, pas lajmit ogurzi për mospjesëmarrjen e vendit tonë në “Bashkimin dhe Sigurimin Europian”, jehona negative e të cilit kishte shkaktuar edhe në shpirtin e Koçit shumë trishtim.
Ana tjetër, ishte se unë e ai njiheshim qysh nga koha e hetuesisë, në birucat e Tiranës, ndërmjet komunikimit me trokitjet në mur, siç ndodh vazhdimisht me njerëzit e izoluar nëpër birucat e paraburgimit, që merren vesh duke përdorur “alfabetin”. Më vonë, po prej rastësisë, u njohëm edhe fizikisht në Kaushin e Tiranës, (ku grumbulloheshim tashmë të dënuar me vendim të formës së prerë), duke pritur transferimin për në kampin e punës, ose në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Unë isha i dënuar për agjitacion e propagandë në bashkëpunim, me vëllain tim, Çaushin, kundra regjimit, ndërsa Koçi, i dënuar për “Tradhti të lartë ndaj Atdheut”, në formë të organizuar.
Ai ishte dënuar vetë i tretë me pushkatim, akuzuar për spiunazh në një grup të madh prej dhjetë vetash, për dhënie informacioni të huajve, lidhur me numrin e avionëve e tankeve që dispononte Shqipëria, akuzë kjo e sajuar nga Sigurimi i Shtetit, për tetë shqiptarë dhe dy gra polake, të martuara me dy nga të akuzuarit, inxhinierin Vasillaq Orgocka nga Korça dhe tjetra, me Lefter Tikën, drejtorin e spitalit të Korçës. Për polaken, Barbara dhe të shoqin e saj Vasillaqin, si dhe Kostandin Papën, pretenca e prokurorit të seancës ishte me vdekje-pushkatim, të cilën trupi gjykues e la në fuqi. Por Presidiumi i Kuvendit Popullor, ua fali jetën. Shkak u bë polakja trime, Barbara Orgocka, e cila e refuzoi në mënyrë kategorike akuzën për spiunazh, në bashkëpunim, në favor të shtetit polak, duke heshtur tërë kohën e seancës gjyqësore, pa e hapur gojën në asnjë rast për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe trupit gjykues.
Ajo përplaste këmbët fuqishëm në dysheme pa ndërprerë, në mënyrë demonstrative, për t’u treguar gjyqtarëve partiakë të shtetit të diktaturës në Shqipëri se, ç’thuhej për të e të shoqin, si bashkëpunëtorë në aktin e tradhtisë ndaj Shqipërisë, ishte sajesë e fëlliqur për qëllime politike dhe kundra Republikës Popullore të Polonisë. Padyshim që jehona e qëndrimit të saj në sallën e gjyqit, duke refuzuar trimërisht akuzën, shkaktoi ndërhyrjen e shtetit polak në vendimin e Presidiumi të Kuvendit Popullor, i cili u fali jetën të dënuarve me vdekje.
Prandaj isha i sigurt se nuk do të dilja i zhgënjyer me afrimin e Koçi Papës, i cili, brenda pak muajsh, i siguroi tubat për dinamitin, të përdorshëm, si granata dore, në rast se do të ishte i nevojshëm përdorimi i tyre.
Çuditërisht, në atë kohë, në kampin tonë, hynë disa informacione që i shumëfishuan shpresat tona. Lajmet u futën nga familjarët e bashkëvuajtësve tanë, në takimet speciale që komanda i organizonte për disa të burgosur për punë të lavdërueshme, ose për raste fatkeqësish familjare. Bëhej fjalë për njerëzit me pozita shtetërore që kishin filluar të shprehnin dëshpërim të thellë për situatën e krijuar në Shqipëri, pas kundërshtimit të Byrosë Politike, për të marrë pjesë në traktatin për “Sigurimin dhe Bashkimin Europian”, i cili do të firmosej së shpejti në Helsinki. Madje flitej fshehurazi, sikur një grup oficerësh përgatiteshin për të sulmuar burgjet, për të çliruar kundërshtarët e regjimit që, së bashku me ta, të përmbysnin klikën komuniste të Tiranës…
“Zëri i Popullit” dha një lajm pak më të çuditshëm për kohën, menjëherë pas deklaratës së Papës kundra shtetit dhe qeverisë shqiptare, me rastin e pushkatimit me të padrejtë të priftit katolik, dom Shtjefën Kurtit, pse ai kishte pagëzuar një fëmijë të porsalindur, si dhe burgosjen e dhjetëra shqiptarëve të besimit katolikë, që kishin shprehur indinjatë për këtë vrasje të njeriut të devotshëm të besimit Hyjnor. Me këtë rast, shqiptarët e arratisur, për arsye politike nga Shqipëria, po grumbulloheshin në Puglje të Italisë, nga të gjitha vendet ku ata jetonin, për të nisur një sulm ndaj regjimit antikombëtar në Shqipëri. Lajmi i “Zërit…” qe shpresëdhënës për klerikët e tjerë, besimtarët e të gjitha feve, por kryesisht, për qindra e mijëra të pafajshëm që dergjeshin nëpër burgjet dhe kampet e internimeve…!
Ne punonim fshehtas, pothuajse çdo orë e çdo ditë me bashkëvuajtësit tanë, për të shtuar numrin e pjesëmarrësve në revoltën që po përgatisnim, fatkeqësisht, nuk po arrinim të siguronim një oficer ushtrie, të burgosur, për ta pasur si prijësin tonë në veprimet luftarake, nëse do të ishte kjo gjë e domosdoshme. Në kampin tonë kishte të tillë, por asnjëri nuk jepte siguri për bashkëpunim të sinqertë. Ishin ushtarakë që kishin milituar në ushtrinë e diktaturës së proletariatit, por të brumosur me ideologji komuniste. Edhe pse ata vuanin si ne, të dënuar pa bërë asgjë, siç e pranonin edhe vetë, me familjet e tyre të internuara nëpër fshatra të thella, ku mezi ushqeheshin, në kushtet e kooperativës bujqësore, apo blegtorale, gjithsesi, pushtetin popullor ata e quanin krijesën e tyre të fituar me sakrifica, si një gjë të pazëvendësueshme. Nuk e pranonin kurrë se idealet dhe gjaku i dëshmorëve të luftës së Dytë Botërore ishin tradhtuar nga klika në pushtet.
Madje e quanin tradhti po të pranonin të njëjtin gjykim me ballistët e zogistët, realitetin e hidhur komunist në Shqipëri, qoftë edhe në këto kushte, bashkëpunimin me nacionalistët dhe bijtë e tyre. E pranonin që nuk kishin luftuar për këtë Shqipëri të mbushur me burgje e kampe internimi, të izoluar nga bota e përparuar, të përgjakur nga zhvillimet e luftës klasore, me këtë sistem social antikombëtar, megjithatë, s’ua thoshte goja se sistemi i egër, antinjerëzor, për të gjithë shqiptarët, duhej përmbysur. E mbronin këtë me alibinë se, ç’kishte ndodhur e po ndodhte në Shqipëri, ishte pasojë e gabimeve të udhëheqësve, ngaqë ata luftonin vetëm për interesat e tyre personale, qysh se Shqipëria ishte shkëputur nga Kampi i madh i Socializmit, me në krye Bashkimin Sovjetik. Aspak si rrjedhojë e vetë sistemit të mbështetur në marrjen e pushtetit me dhunë, zhdukjen e pronës private, të ekonomisë së tregut dhe nxitjes së terrorizmit me anë të luftës së klasave…!
Ndërsa ushtarakët e burgosur, si nacionalistë, të lauruar nëpër vendet perëndimore, një pjesë e tyre ose kishin vdekur në burg, ose qenë të rrallë, por të rrëgjuar nga vuajtjet dhe trajtimit të gjatë çnjerëzor. Të vinte keq t’u kërkoje diçka jashtë mundësive të tyre. Gjithsesi, ne e kishim marrë vendimin tonë pa prijësin ushtarak, për veprimet që do të bënim, nëse do të ishin të nevojshëm veprimet luftarake. Motivi ynë skalitej përditë në zemrat tona, me moton: “Më mirë të vdekur se sa skllevër në diktaturën komuniste!
Rrethi me të rinjtë e kampit ishte zgjeruar kënaqshëm, me djemtë më të mirë e të sprovuar për besnikëri. Ndaj e prisnim me pa durim çastin për t’u hedhur në veprime. Disa të moshuar e me përvojë ishin afruar si mirëkuptues të qëllimit tonë, por pa dhënë asnjë ndihmesë konkrete, me përjashtim të ndonjë intelektuali që na këshillonte për maturi dhe fshehtësi të rreptë (deri sa të vinte çasti, i cili do të vendoste fatin e jetës tonë): “Gjallë apo vdekur! Me nder, apo të turpëruar përjetësisht!”
Besimtarët thonë: “Nëse diçka është caktuar për të ndodhur, ajo do të ndodhë edhe sikur të punohet natë e ditë për ta penguar”. Me të drejtë them se Engjëlli Ynë, e mësoi komandën e burgut, të urdhëronte tellallin e kampit të njoftonte të burgosurit se, qysh nga e diela e ardhshme, do të ishim të detyruar të dilnim në punë, për një afat të pacaktuar, për të vetmen arsye se: “Kemi mbetur prapa me planin”! Me domosdo donin të na i rrëmbenin edhe një ditë të javës, që e kishim për t’u çlodhur e pastruar…! Në mëngjesin e së dielës, sipas urdhrit, brigada e turnit të parë duhet të dilte e tëra në punë (!)… Nga ç’kishim arritur të bisedonim më parë me bashkëvuajtësit, u rreshtua vetëm gjysma. Komanda u alarmua goxha. Gjithsesi, ajo nuk e anuloi urdhrin. I nxori në punë ata që u paraqitën. Me të tjerët u bë një sy qorr e një vesh shurdh.
U mjaftua një mbledhje e shkurtër në oborr me komisarin e repartit, që e cilësoi kundërshtimin e të burgosurve për të zbatuar urdhrin, sjellje e njerëzve të pandërgjegjshëm, që ende nuk e ndjenin veten të penduar për krimet politike ndaj shtetit dhe partisë së punës të Shqipërisë…! Me turnin e dytë ndodhi ndryshe. Pjesa më e madhe e të burgosurve që ishin aty, u grindën dhe u goditën me policët e shumëfishuar në oborrin e kampit. Njerëzit e komandës u tërhoqën nga rezistenca e ashpër e të burgosurve, sipas një logjike të stisur, aty për aty, se gjithçka që po ndodhte me ta, ishte veç një provë për të vërtetuar se cilët ishin pikërisht të burgosurit që mbeteshin armiq të betuar të partisë e shtetit shqiptar… një provë për të vërtetuar se cilët ishin pikërisht të burgosurit që mbeteshin armiq të betuar të partisë e shtetit shqiptar…!
Të dielën tjetër ndodhi ajo që thonë: “…Është dora e Perëndisë”! Që e prisnim dita-ditës…Para se të hynin policët e burgut në kamp, për të nxjerrë të burgosurit në punë, Pal Zefi, një nga djemtë e rrallë në kamp, që vuante prej muajsh në birucat çnjerëzore, ngaqë kishte deklaruar hapur dhe trimërisht se, nuk donte të punonte më si skllav, për interes të qeverisë komuniste, përfitoi nga pakujdesia e policit në shërbim dhe u largua papritur nga biruca, ku vuante prej katër muajsh, për t’u bashkuar me të vëllain dhe bashkëvuajtësit e tjerë…! Pali ishte katolik, me origjinë nga Dukagjini, i dënuar për agjitacion e propagandë dhe tentativë për arratisje, së bashku me vëllain e tij, Gjokën. Disa muaj më parë kishte mbështetur vendimin e Tomor Allajbeut, nga Lapardhaja e Beratit, djalit të motrës së nacionalistit të njohur, Abaz Ermenjit, për të mos punuar më “xhaba” për interesin e familjeve komuniste.
Të dy këta, jashtë çdo ligji dhe rregulloreje në burgjet politike të Shqipërisë, vuanin prej disa muajsh në birucat e jashtëligjshme dhe antinjerëzore të burgut të Spaçit, pa dalë asnjë sekondë prej andej, ndryshe nga ç’shkruhej në ligj dhe në rregulloren e burgjeve, ku përcaktohej qartë se, asnjë i burgosur nuk mund të vuante në biruca më tepër se një muaj, pavarësisht fajit të kryer në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e burgut, ku ai vuante dënimin…Pikërisht, të dy këta djem ishin bërë frymëzim për të gjithë ne, të rinjtë me qëndrimin e tyre të drejtë e të pamposhtur. Edhe pse ata të dy nuk mund ta shihnin e ta takonin njëri-tjetrin, ngaqë policia i mbante të ndarë, duke i lënë të vuanin vetmitarë në birucat e ftohta, zërin ata ia dëgjonin shoku – shokut, sa herë shanin e mallkonin policët me zë të lartë, kur ia rrihnin e torturonin pamëshirë, bashkëvuajtësin qëndresëtar, në birucën tjetër.
Ishte 21 maj i vitit 1973, kur policia e burgut, e alarmuar, u derdh e tëra në kamp, për të kapur e rikthyer në birucë, Pal Zefin, e “arratisur”, por hasi në rezistencën e murit njerëzor të të burgosurve, tashmë të organizuar. Ky ishte fillimi i kryengritjes sonë. Kjo është përleshja e parë, e përgjakshme me policët dhe rojet e burgut, që u zhvillua sipas një programi të detajuar e të shumëpritur. Ndoshta, hera e parë në historinë e burgjeve të diktaturës komuniste në Shqipëri, që rojet e burgut u rrahën nga të burgosurit politikë dhe u nxorën jashtë, duke u bërë ata me pushtet, brenda kampit…! Vërtet që ata ikën të fyer e të poshtëruar, por padyshim që do të ktheheshin me përforcime të tjera, më të shumtë në numër e më të vendosur, për t’u hakmarrë egërsisht kundra nesh…!
Deri në orët e pasdites u bëmë zotërues të plotë të kampit. Ardhja me urgjencë e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve të Republikës, i shoqëruar me përforcime nga efektivi i degës së punëve të brendshme të Rrëshenit dhe kërkesa e tij për mirëkuptimin nga ana jonë, që të lejohej të hynte në kamp, shkaktoi një debat të ashpër midis të burgosurve, sidomos me të rinjtë e organizuar për qëllimin e tyre dhe të burgosurve më të vjetër, pikërisht lidhur me vendimin për të lejuar ose jo drejtorin e përgjithshëm, Sulejman Manokun, për bisedime në kamp. Këmbëngulja e pa ndërprerë e shumicës për të lejuar Drejtorin e Përgjithshëm të hynte në kamp, u bë e tillë që mund të shkaktonte një përçarje të madhe brenda të burgosurve. Fal kompromisit që u arrit, duke pranuar kushtin që Drejtori i Përgjithshëm të hynte në kamp, i shoqëruar vetëm me katër – pesë policë të burgut dhe asnjë polic nga të Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit, e shpëtoi kampin nga përçarja e pashmangshme. U dëgjuan propozimet e drejtorit të burgjeve për të braktisur revoltën, për t’u kthyer në punën e për të vazhduar jetën normale në kamp. Ai dëgjoi me vëmendje ankesat e burgosurve, për trajtimin çnjerëzor që u bëhej, sidomos për të realizuar normën e tyre të jashtëzakonshme, për ushqimin gatuar me ujin i përzier me acid sulfurik, që u shkatërronte shëndetin dita-ditës, për takimet e vështira me familjarët dhe torturat çnjerëzore për cilindo të burgosur që nuk realizonte normën e detyruar, etj…etj. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016