Nga Caf Jonuz Çulaj
Memorie.al/Qershor 1947. Kishte kaluar dy vjet e gjysëm, që kur ishte vendosë pushteti komunist. Sigurimi i Shtetit, kishte shtri kthetrat e tij kudo në qytete dhe fshatra. Njerëzit ishin të pasigurt për të nesërmen. Sigurimi arriti të vepronte dhe brenda një familjeje. Vetëm një fshat i vogël i strukur në thellësi të maleve, ngeli i paprekur nga ky organizim shtetëror.
Në atë fshat që quhej Ulnikaj, nuk kishte as bashkëpunëtorë Sigurimi dhe as anëtarë Partie, (si për çudi kjo ?!) Për Sigurimin kjo gjendje ishte e pafalshme. Diçka duhej bë. Në vend të hirit, u vendos pahiri (d.m.th që çështja të zgjidhej me mjete force).
U piketue Gjeto Voci, fshatar i varfër por i ndershëm e i respektuem nga të gjithë. Një ditë ai, u thirr në zyrat e lokalitetit dhe kryetari i tha që të priste jashtë. Ai prit afro 4 orë. “Përse vallë jam këtu” mendonte me vete dhe priste në oborr. Në orën 12 të drekës në zyrë u futën Zv. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, operativi i zonës dhe dy policë.
Fshatarët që kishin punë në atë zyrë dolën jashtë. Thërritet Gjetoja dhe sapo ai hyn brenda në korridor, prangoset dhe çohet në bodrumin e lagësht të zyrave të lokalitetit. Për Gjeton kjo ishte rrufe, në qiell të pastër. Gjithçka filloj ti rrotullohej. “Kush jam unë dhe pse jam këtu”. Mandej pasi e mblodhi veten, iu kujtua jeta e tij plot halle. “Me siguri do jetë ndonjë keqkuptim” tha e u qetësua disi. Priti jo pak, por 10 orë. Gjatë kësaj kohe, atij ju kujtua se në burg, futen fajtorët. Po ai pse ishte këtu, kur nuk i njihte vetes asnjë faj. Iu kujtua se shumë njerëz, ishin pushkatue pa faj e që kishin qenë, njerëz të mirë e nuk kishin bë krime.
Si Dom Luigj Pici, Tom Ded Sina, Gjokë Bajraktari, Idriz Kadria, etj. Iu kujtua se shumë njerëz dergjeshin burgjeve kot. Orët e fundin as ai nuk e diti si i kaloi. Në orën 10 të darkës e nxjerrin nga ai katakomb. Megjithëse kishte pranga në duar e lidhur me një litar në trup, cepin e të cilit e mbante njëri prej policëve. S’mjaftoi kjo po i vunë dhe një thes në kokë. Grupi prej 6 vetash u vu në rrugë. Oficerët e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe Gjetoja vetë i gjashti së bashku me ta.
Polici tërhiq, e Gjetoja ec e pa e ditë se ku. Rruga ishte e keqe dhe ai rrëzohej shpesh. Në një moment bërtiti: “ku po më çoni, s’kam bë gjë”. “Atë e din Partia” iu përgjigjën. Mbas dy orësh u ndalën në një pyll të shkretë, të quajtur Kolatat e Dukës afër Rrjollit. I heqin thesin nga koka dhe I’a lirojnë prangat. Menjëherë i’u komunikue, “akuzohesh për tradhti ndaj atdheut, ky gjyq asht i formës së prerë dhe do të përfundojë menjëherë”.
Mandej iu komunikue dhe trupi gjykues. Kryetar (Zv Kryetari i degës), anëtarë dy policët, Prokuror (Operativi i zonës), si dhe avokat (Kryetari i lokalitetit). Gjetoja, s’po merrte vesh a ishte në ëndërr apo në realitet, paçka se grykët e automatikëve të drejtuara nga ai, e kthjelluen.
Fjalën e mori “Prokurori”. Akuzohesh se kur ke krye Akademinë Ushtarake në Itali, je vu në shërbim të SIM-it. Akuzohesh se ke pasur gradën toger në milicinë shqiptare në 1943, kur ke qenë kryetar komune në Istog të Pejës dhe së fundi, ke bashkëpunue me shërbimin sekret gjerman.
Pas këtyre fjalëve “Prokurori” kërkoi dënimin me vdekje, që u pranua menjëherë nga “Gjykatësi”. “Ekzekutimi do të kryhet menjëherë” tha ai. Iu kërkua fjala e fundit. “Mos më merrni kot në qafë, më ngatërroni me një tjetër, se unë nuk di shkrim e këndim e jo më të vazhdoj shkollën jashtë shtetit. Unë njoh katundin tem, katundet përreth dhe deri diku Shkodrën. Jam fukara e shoh punën time. Këto që po thoni janë vetëm shpifje”. Kaq foli e heshti.
Në këtë moment foli “avokati mbrojtës” kryetari i lokalitetit, që tha: “propozoj që Gjetos ti falet jeta, se me këtë vendim, fshatit do ti vihet njolla e turpit, si dhe familjes vula e mjerimit. Prandaj ai në këmbim të saj të bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”.
Gjetoja kishte mbajt gojën mbyllur. Ç’të thoshte, ç’të bënte. Nuk i lanë kohë të mendohej, por i dhanë udhëzime për punën që do të kryente në fshat. Çdo informatë që do mblidhte, do ja komunikonte një herë në tri ditë, kryetarit të lokalitetit në fshat. Pas këtij “gjyqi” atë e liruan dhe i thanë që të shkonte në fshat. Si në ëndërr, ai u nis për në shtëpi me hapa të ngadaltë. Kishte zbardhë, por ai nuk shikonte fshatarët që i uronin mirëmëngjesi. “Kam dy rrugë mendonte, të bashkëpunoj me Sigurimin (mos e dhëntë Zoti) dhe të marr në qafë fshatarët e mi (e pamundur). Do vras veten atëherë dhe do shkatërroj familjen”.
Duke iu afrue shtëpisë, iu kujtua një zgjidhje, të bëhem si i çmendun. Me këto mendime, hyri në shtëpi. E shoqja po e priste në oborr, sepse ai nuk i foli, duke lanë me gojën hapur. Veshë e ngjeshë si ishte, u shtri në dyshek. Tri ditë e net pa ngrënë. Herë qeshte me të madhe dhe herë qante. Lajmi u përhap menjëherë dhe të gjithëve u vinte keq për sëmundjen që e kishte kapë. I vinin për vizitë, por ai s’hapte dot gojën dhe shikonte si i çuditun. U thirr një mjek por pa dobi. Kaluan 16 muaj. Në nandor të vitit 1948, mbahet Kongresi i I i PKSH-së, ku dënohet Koçi Xoxe. Të gjitha krimet e kryeme deri atëherë, iu veshëm atij. Partia e “pa të arsyeshme” të sqaronte popullin dhe ti kërkonte në një farë mënyre falje. Edhe në Ulnikaj u bë një mbledhje e tillë.
Për çudinë e të gjithëve, kishte dalë nga shtëpia Gjetoja. Ishte dita e “shërimit”. Pas fjalëve të të deleguemit, Gjetoja, u ngrit në këmbë. Ishte ai që kishte qenë gjithmonë. Demaskoi me faktet e jetës së tij të mundimshme metodat çnjerëzore të Sigurimit. Gjithçka fije e për pe. Deklaroi se më mirë ta sillnin fëmijët e fshatit sesa të merrte në qafë njerëz kot. Fliste e qante. Me të qanin dhe fshatarët, që i shtrëngonin dorën për burrërinë e tregueme. Jeta ma vonë tregoi se një Koç ishte mënjanua dhe një Koç tjetër në Tiranë, me krimet që projektoi ia kaloi edhe Neronit dhe Timurlengut të dikurshëm. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016