Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të kolonel Bajram Pustinës, ish ushtarakut të lartë të Monarkisë së Zogut, i cili gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të vendit, shërbeu si anëtari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, duke shpëtuar nga ekzekutimi më shumë se 36 komunistë të rrezikshëm që mbaheshin të arrestuar, si Gani Strazimirin, Manol Milo, Sul Baholli, Qibrie Ciu, Tasim Shehu, Emin Koçin, Bedri Çelikun, Harrilla Bakallin etj. Rrëfimi i së bijës, Vera Pustina (Nepravishta), mbi mosmirënjohjen e komunistëve ndaj babait të saj që vuajti 17 vjet në burgun e Burrelit….
Kush ishte Bajram Pustina?
Bajram Pustina u lind në vitin 1897 në Shehër të Dibrës së Madhe, në një prej familjeve më të njohura të asaj krahine, ku babai i tij Aliu dhe gjyshi, Nurçe Pustina, ishin dy nga njerëzit që kishin një famë të madhe jo vetëm në atë zonë, por edhe në të gjithë Veriun e Shqipërisë, për luftërat që kishin bërë kundër turqve dhe serbo-malazezëve. Për t’i shpëtuar përndjekjeve të herë pas hershme të serbëve, aty nga fillimi i vitit 1915 familja e Ali Pustinës u shpërngul nga trojet e tyre dhe erdhi e u vendos në qytetin e Tiranës tek familja e Qazim Keçit. Lidhur me këtë dhe karrierën e mëpasshme ushtarake të Bajram Pustinës, e bija e tij, Vera Pustina (Nepravishta) tregonte: “Në kuadrin e kujdesjes që tregoi qeveria shqiptare e asaj kohe për sistemimin e të shpërngulurve nga trojet e tyre prej gjenocidit serb, edhe babai ynë Bajram Pustina përfitoi të drejtën për të vazhduar Shkollën e Plotësimit të Oficerëve që ishte hapur asokohe në Tiranë. Që nga viti 1915 kur ai veshi për herë të parë uniformën ushtarake dhe gjatë gjithë karrierës së tij, duke përfshirë periudhën e Monarkisë së Zogut ku ai shërbeu në Gardën Mbretërore e deri në fundin e vitit 1944 kur ai ishte efektiv i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, nuk u përzije asnjëherë në punët e politikës, por zbatoi vetëm detyrën e tij, konform ligjeve në fuqi. Gradën e nënkolonelit babai e përfitoi aty nga viti 1938 dhe në 7 prill 1939 kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj vendit tonë, babanë e dërguan për të ruajtur rendin në Burgun e Tiranës. Atë ditë pasi babai u lidh me eprorët e tij të cilët i thanë se çdo gjë kishte marrë fund, ai dha urdhër që të hapej burgu në mënyrë që të dënuarit të mos bini në duart e italianëve. Në ditët që pasuan shtatë prillin, babai shkoi për disa kohë dhe qëndroi i fshehur në Dibër të Madhe dhe kur u bë thirrja që të gjithë ushtarakët të ktheheshin në detyrat që kishin pasur, ai u kthye në Tiranë dhe Komanda e Përgjithshme e emëroi në qytetin e Vlorës ku ne qëndruam familjarisht për dy muaj. Pas dy muajve, babait i erdhi transferimi për të shkuar në Romë si përfaqësues i qeverisë së Tiranës për studentët shqiptarë që ndiqnin akademitë ushtarake në Itali. Në atë detyrë babai qëndroi deri aty nga qershori i vitit 1943 dhe duke e parë se Italia po kapitullonte, ai bëri kërkesë për t’u kthyer në Shqipëri. Ajo kërkesë iu miratua dhe brenda atij muaji, babai me nënën, Hyrije Shehu dhe ne katër fëmijët (Fisniku, Ylberi, Bukuria e Vera) u kthyem familjarisht në Tiranë”, kujtonte Vera Pustina lidhur me të kaluarën e karrierën e babait të saj, Bajram Pustinës, si gjatë kohës së Monarkisë dhe periudhës së Luftës.
Arrestimi nga komunistët
Pas kapitullimit të Italisë, Bajram Pustina shërbeu përsëri në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare dhe aty nga viti 1944 me kërkesën e mikut të tij, kryeministrit Fiqiri Dine, ai pranoi detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë. Lidhur me këtë periudhë, e bija e tij Vera, tregonte: “Ndonëse në atë detyrë tepër delikate babai qëndroi vetëm për pak kohë, ai mundi që të shpëtonte rreth 36 persona, duke i liruar ata nga salla e gjyqit, shumica e të cilëve ishin komunistë. Po kështu natën e 4 shkurtit 1944, kur gjermanët kishin filluar bastisjet dhe pushkatimet në masë, babai im shkoi në shtëpinë e Gani Strazimirit që ishte bazë e rëndësishme e komunistëve dhe aty mundi të shpëtonte nga gjermanët, Ganiun bashkë e dy vëllezërit e tij Rushitin e Siriun, si dhe disa kushërinj të tjerë të tyre që atë natë ndodheshin në atë shtëpi. Por nga personat më të njohur që babai pati shpëtuar gjatë Luftës, kanë qenë Sul Baholli, Manol Milo dhe Qibrie Ciu. Sulën babai e futi poshtë krevatit në shtëpinë e Tasim Shehut ku ai kishte shkuar për t’u fshehur dhe iu tha gjermanëve se aty nuk kishte njeri tjetër përveçse plakës së shtëpisë. Por të gjitha këto që kishte bërë babai ynë, nuk iu morën fare parasysh nga komunistët të cilët e arrestuan atë që në fillimin e dhjetorit të vitit 1944 dhe pasi e dënuan në fillim me vdekje me gjyqin special, ku e cilësuan “kriminel lufte” e kalbën në burgun e Burrelit për 17 vjet me radhë. Nga ai burg i tmerrshëm, babai u lirua vetëm në vitin 1962, pasi kishte një sëmundje të pashërueshme dhe vdiq dy muaj më pas”, kujtonte Vera Pustina për babanë e saj Bajramin, kolonelin e famshëm, i cili në kohën e pushtimit shpëtoi dhjetëra komunistë nga burgjet.
Sul Baholli nuk e ndihmoi
Po ç’ngjau me familjen e Bajram Pustinës pas arrestimit të tij dhe si u trajtua ajo nga regjimi komunist i Enver Hoxhës? Lidhur me këtë, e bija, Vera, dëshmonte: “Pas arrestimit të babait dhe dënimit të tij me Gjyqin Special, ne na konfiskuan shtëpinë, por nuk na larguan nga Tirana si shumë familje të tjera. Ne mundëm të qëndronim aty në Rrugën “Qemal Stafa” duke ndërtuar një strehë në oborrin e shtëpisë ekzistuese. Më pas ne katër fëmijët u rritëm dhe mezi na lanë për të mbaruar shkollat e mesme, pasi na ndiqte kudo hija e keqe e luftës së klasave. Më keq nga ne, ishte motra jonë, Bukuria, e cila banonte në bodrumet e Shallvareve ku të gjitha ujërat e zeza i derdheshin në dhomën ku jetonte. Duke mos e duruar dot atë gjendje të skandaloze ku ndodhej, aty nga viti 1974 ajo shkoi tek Komiteti Ekzekutiv dhe i doli përpara e i kërkoi ndihmë Sul Bahollit, të cilit iu prezantua si vajza e Bajram Pustinës. Sula, i cili kishte shpëtuar pa u arrestuar nga gjermanët vetëm në sajë të babait tonë, i tha Bukuries: “Nuk kam ç’të bëj, sepse nuk asgjë në dorë” dhe u largua menjëherë pa i thënë asnjë fjalë tjetër. Bukuria vazhdoi të banonte në atë bodrum ku prej kushteve tepër të këqija dhe egrasisë, mori reumatizëm në zemër dhe vdiq”, tregonte Vera Pustina, vajza e kolonel Bajram Pustinës, i cili ndonëse kishte shpëtuar shumë komunistë nga plumbi gjatë Luftës, kaloi plot 17 vjet në Burgun e Burrelit.
Gjyqi Special
Me gjithë mbrojtjen brilante të avokatit të njohur, Dr. Spiro Stringa, Kolonel Pustina përfundoi në Burrel
Kolonel Bajram Pustina ishte një nga ish-funksionarët e lartë të qeverive shqiptare të periudhës së Luftës, i cili u arrestua dhe u nxor në Gjyqin Special që u zhvillua në muajt shkurt-mars të vitit 1945. Në atë gjyq, kolonel Pustina u mbrojt nga avokati i famshëm, Dr. Spiro Stringa, i cili në mbrojtjen e klientit të tij, midis të tjerash u shpreh: “Bajram Pustina akuzohet se ka shërbye n’ushtrinë e armikut dhe se ka qenë Anëtar i Gjyqit Politik. Akuzohet me anë tjetër se gjatë shërbimit të tij, gjoja, ka përvetësue një sasi materiali. Në fakt, aktiviteti i të pandehurit Bajram Pustina asht negativ, për arsye se nuk ka zhvillue ndonjë veprimtari në dobi t’armikut. Mbas ardhjes s’Italis, Bajram Pustina ndoqi fatin e gjithë nënpunsave të Shqipëris. Dërgohet në nji Kompani krejt italiane të Regjimenti Arezzo, në të cilën nuk ka ndonjë vleftë, për arsye se të tjerët urdhëronin dhe komandonin. Ma vonë, dërgohet në Gardën Mbretnore në Romë, si oficer i Matrikullit, në të cilën detyrë duhesh t’u dërgonte nji Nënoficer, por caktohet ai, si e si me e largue nga çdo përgjegjësi. Duke mos dashur me qëndrue në Romë, kërkojë të transferohet në Shqipni dhe vjen në dispozicion të Distrettos Ushtarake, dhe gjatë këtij qëndrimi nuk bahet asnjë thirrje për nën armë. Ja, ky asht aktiviteti i Bajram Pustinës gjatë okupacionit italian. Asnjë fakt dhe asnjë indice, nuk doli në shesh, që të rëndonte pozitën e të pandehurit, për që ky të ketë damtuem interesat e Atdheut, kështu që nuk justifikohet kërkimi i akuzës, me që as ndonjë vepër bashkëpunimi, në kuptimin e vërtetë dhe të plotë të fjalës, rezultojë të ketë bë Bajram Pustina, në favor të okupatorit, mbasi ligja speciale për bashkëpunim me okupatorin, nuk ka atë kuptim të cekët që kërkon t’i napi akuza, por se ka për qëllim shkrirjen e të gjitha fuqive në dobi t’okupatorit, dhe sidomos iniciativë veprimi, çka mungon krejtësisht tek Bajram Pustina. Përsa i përket veprimtarisë së të pandehurit si Anëtar Gjyqi, kjo veprimtari jo vetëm që nuk e ngarkon me ndonjë përgjegjësi, por përkundrazi asht në favorin e tij, mbasi ai gjithmonë asht mundue si e si me e lehtësua pozitën e çdo të pandehuni. Në këtë drejtim flasin vetë faktet: Gjatë qëndrimit të tij si Anëtar Gjyqi, kanë qenë dërgue për gjykim afro 70 të pandehun, nga të cilët 40 kanë marr pafajësinë, ndërsa 20 janë dënue me kohën e para-burgimit dhe 10 me ndëshkime të ndryshme. Midis këtyre të pandehurve, përmendim Emin Koçin, i akuzuem për vrasjen e dy spiunëve në rrugën e Shëngjergjit, për të cilin Prokurori kishte kërkue dënim me vdekje, kurse atij iu dha pafajësia; përmendim Harrilla Bakallin, nji nga të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Durrësit, për të cilin Prokurori kishte kërkue dënimin, kurse iu dha pafajësia; përmendim Bedri Çelikun i akuzuar si pjesëtar i Lëvizjes, dhe si pjesë-marrës në mbledhje të ndryshme klandestine, për të cilin Prokurori kishte kërkue dënim, kurse atij iu dha pafajësia. Këto fakte Zotërinj Gjyqtarë, keni mundësin me i kontrollue në arkivin e ish-Gjyqit Ushtarak të mëparshëm. Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, ashtu dhe Ministria e P. të Mbrëndëshme, duke pamun nji veprimtari të tillë në favor të të pandehurve, ka qenë e shtrëngueme me ndërhy shpesh herë dhe me i tërheq vërejtjen Trupit Gjykues, ashtu siç e theksojë edhe vetë i pandehuni tjetër Ded Jakova. Faktin ma të mirë, e gjejmë që asnjë denoncim ose ankim asht bamun prej popullit kundra të pandehurit, përkundrazi, në dosjen e tij, figurojnë shumë deklarata të favorshme. Duhet theksue se dëshmitarët mbrojtës, dhe sidomos dëshmitari z. Avokat Dhimitër Goda, forcojnë ç’ka u parashtrua ma nalt, me që dëshmojë që i pandehuni Bajram Pustina, së bashku me kolegët e tij janë sjellë shumë mirë dhe shumë butë ndaj të pandehurve. Përsa i përket procesit të të ndierit Kol Lakos, i dënuem me vdekjen për vrasjen e Idhomeno Kosturit, dhe që akuza e ka paraqitun si provë kundra Bajram Pustinës, nuk më duket që ky proçes të mund të rëndojë pozitën e të pandehurit. Ky fakt del n’evidencë po të studiohet proçesi në fjalë, për arsye se sa do që i ndieri Kol Lako ka pasë mohue fajin para Trupit Gjykues, por se gjatë rrjedhimit të gjykimit, kanë rezultue mjaft prova dhe indicje rreth fajësisë së tij si vrasës. Deklarata e Bajram Pustinës, e bame përpara z. s’uej për që i ndieri Kol Lako kishte pohue vrasjen e të ndierit Idhomene Kosturit, nuk duhet të çmohet në disfavorin e tij, për arsye se asht e pamundur që nji Gjyqtar, ose çdo nëpunës tjetër, të mundi me mbajt mend në mënyrë precize çdo veprimtari të tij zyrtare që ka zhvillue. Nuk duhet të harrohet, përveç këtij fakti, se kurë nji të pandehurit i vërtetit ndonjë akuzë, ky e humbet gjak-ftohtësinë dhe gjykimin, dhe i shtytun nga instinkti i vetëmbrojtjes, përdorë për këtë qëllim çdo mjet, kështu që duhet në substancë të shqyrtohet e gjithë çështja. Nën këto kushte shpirtërore, lehtazi shpjegohet edhe deklarata e nalt-përmendun e Bajram Pustinës e bame përpara Z s’uej. Përsa i përket, ma së fundi, një raporti me të cilin disa oficerë e akuzonin të pandehurin për përvetësim materiali, themi se ky raport përgënjeshtrohet në vet-vete me faktin sempel se i pandehuni Bajram Pustina nuk kishte të bënte aspak me përdorim materialesh. Prandaj, për arsyenat e lartpërmendura, kërkoj që Bajram Pustina të deklarohet i pa-fajshëm, dhe në rast të kundërt çdo ndëshkim eventual që mund t’i epet, të jetë proporcional me fajin që mund të ketë krye, por përfundimisht edhe ky ndëshkim t’amnistohet, në bazë t’amnistis datë 28 Nandor 1944.
Avokat Dr. Spiro Stringa Mars 1945
Si u hakmorën komunistët ndaj atyre që i ndihmuan në Luftë
Kolonel Bajram Pustina, ish-ushtaraku i lartë i Gradës Mbretërore të Zogut, i cili gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të vendit shërbeu për pak kohë si anëtar i Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, madje duke shpëtuar nga plumbi mbi 36 komunistë tepër të rrezikshëm që mbaheshin të arrestuar, nuk ka qenë i vetmi funksionarë i lartë i kohës së pushtimit që provoi mbi supet e tij mosmirënjohjen e komunistëve për atë që ai kishte bërë për ta gjatë viteve të Luftës. Lista e atyre ish-funksionarëve të lartë, të cilët gjatë viteve të pushtimit të vendit (1939-1944), shfrytëzuan postet e tyre për të ndihmuar komunistët, është mjaft e gjatë, por ndër më të njohurit në “bamirësirat” e tyre kanë qenë: Ish-Kryetari i Bashkisë dhe Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, ish-Shefi i Policisë së Tiranës, Sulejman Kukaleshi, ish-Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, Hysni Peja, ish-drejtori i Burgut të Tiranës, Rrok Berisha, etj. Por një nga më “xhymertët” në këtë drejtim ka qenë Qazim Mulleti, ish-kryetari i Bashkisë dhe më pas Prefekti i Tiranës në vitet 1940-1943, i cili me ndërhyrjen e miqve të tij të shumtë (sidomos të tiranasve të vjetër), gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës së tij si prefekt i Tiranës, ka nxjerrë nga burgjet apo ka shpëtuar edhe nga pushkatimi, me dhjetëra komunistë të rrezikshëm, deri dhe atentatorë. Nga ata persona që përfituan prej zemërgjerësisë së Qazim bej Mulletit, ka qenë: Ramiz Alia, Nako Spiro, Abdyl Këllezi, gruaja e Ramadan Çitakut, e deri tek Besim Levonja, (autori i komedisë së famshme “Prefekti”) të cilin Qazim Mulleti e liroi nga qelitë e burgut politik të Tiranës si një njeri të vobekët. Për lirimin e Ramiz Alisë nga burgu i Tiranës, tek Qazim Mulleti ndërhyri i vëllai i tij, Hakiu, pasi bashkëshortja e tij, (nga fisi Muka i Shkodrës), ishte kushërirë e afërt me Ramiz Alinë. Lidhur me këtë ngjarje, ish-Presidenti Alia, shumë vjet më vonë ka falenderuar nipin e Qazim Mulletit, duke i shprehur mirënjohjen e tij. Pas Qazim Mulletit, edhe shefi i Policisë së Tiranës, i famshmi Man Kukaleshi, ka bërë shumë ndere duke liruar nga burgu mjaft komunistë të rrezikshëm. Një prej tyre ka qenë edhe e motra e Agron Çoratit, (një prej komunistëve më të njohura të Tiranës), e cila mori pjesë në rrëmbimin e vajzës së Man Kukaleshit, Ikbales. Në atë rast, Man Kukaleshi, jo vetëm që nuk morri hak për atë ngjarje, por sa herë që Agron Çorati dhe dy motrat e tij arrestoheshin prej italianëve, Mani ndërhynte dhe i lironte ato nga burgu. Këtë gjë e kanë pohuar publikisht në shtyp pas viteve ’90-të, të dy motrat e Agron Çoratit, Mila dhe Vanda. Pas Mulletit dhe Kukaleshit, edhe Hysni Peja ka qenë i njohur për “bamirësitë” e tij ndaj komunistëve, aq sa, ai konsiderohej si “kolona e pestë” e tyre në radhët e Xhandarmërisë Shqiptare. Veç këtyre, tepër i njohur në këtë drejtim ka qenë edhe ish-drejtori i burgut të Tiranës, Rrok Berisha (me origjinë nga Kosova), i cili në vitin 1944, hapi burgun e Tiranës, duke liruar të gjithë të burgosurit që mbaheshin të arrestuar aty dhe shkoi në mal bashkë me ta duke dalë partizan. Por të gjitha këto ndere u harruan prej komunistëve, dhe pjesa më e madhe e ish-funksionarëve të lartë që i patën ndihmuar ata gjatë Luftës, u ekzekutuan apo përfunduan burgjeve dhe internimeve./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016