Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e katërt
Memorie.al/ publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Studimi i Dom Zef Simonit
Faza e tretë mbetet ma e keqja, se punohej për shkatërrimin e Shqipnisë, duke prishë sistematikisht me aq djallëzi e dhunë karakterin e njeriut, rezultat ky i luftës kundër virtyteve njerëzore e kundër Zotit, që shteti e diktatura punonte për ta bë njeriun skllavi i së keqes. Populli kurrë nuk i mbylli kishat. Nuk i kishte mbyllë populli e rinia, por partia e Punës me Enver Hoxhën.
Ky problem i mbylljes së kishave e i të gjitha institucioneve fetare, që asht fetar e sociologjik, kërkon një studim të hollësishëm e kjo mund të arrihet kur shoqnia shqiptare të ketë një qetësi e përparim, një nivel dhe paanësi. Shpejt nisën arrestimet e meshtarëve. Këto bëheshin publikisht, me një lloj gjyqi para popullit për ta demaskue personin e pafaj keqas. Ata do të shpreheshin me fjalët ma të këqija kundër Fesë, Zotit, Papatit, duke i quajtë meshtarët tradhtarët e Atdheut, se këta kishin bashkëpunue me fashizmin e nazizmin e tash duke i quajtë mashtrues, gënjeshtarë e shfrytëzues, të cilët nuk i kanë sjellë shoqërisë të mira e janë kundër kulturës e qytetërimit.
I vunë këmbën, shqelmin figurave të shqueme të letërsisë e të kulturës europiane e shqiptare: Mons. Vinçenc Prenushit, Atë Gjergj Fishtës, Dom Ndre Zadejës, Atë Bernardin Palit, Atë Donat Kurtit e Atë Gjon Shllakut; levdojshin me deformime sa meshtarë katolikë të vdekun nga Buzuku, por me ato masa e dredhi, siç e kërkojshin lojët e tyre. Me datën 7 të prillit, ora 5 mbas dreke, nxorën në Insitutin Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës Dom Mark Hasin, ndihmës famullitar i qytetit të Shkodrës.
Ishte grumbullue para sheshit të Institutit një popull i madh. Gjithçka jepej me altoparlantë prej sallës ku zhvillohej kjo ngjarje e rëndë e që Dom Marku përpiqej të mbronte çështjet për akuza të rënda që i bëheshin. Forcat e sigurimit që e rrethojshin, nuk e lejshin të fliste. E së fundi, porsa u err, në këtë natë shumë të keqe me shi e stuhi që pritej të binte, i vunë hekurat nder duar mes masës së grumbullueme e me makinën “Jeep” të Sigurimit e dërguan në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës.
Njerëzit e kishin rrethue makinën e çojshin krenat për të pa. Mija njerëzve u vinte keq, për çka shifshin e ndjejshin, pa mund të shpreheshin asnjë fjalë. Një terror i madh e përshkonte vendin. Populli e ndiente thellë këtë shtypje e besimtarët e shumtë shifshin se nëpërkëmbej dhe personaliteti i tyre, duke pa herë mbas herët meshtarët e kishës, njerëzit e punës e të dijes në bankat e të akuzuemve. Çka do t’i ngjante një meshtari të shuguruem, i ndodh edhe një besimtari të tij, ndjenjave të tija dhe idealeve të tija, sepse çdo besimtar i pagëzuem, bën pjesë në meshtarinë e vështrimit të gjanë.
Mbas një vjeti do të delte në gjyq Dom Mark Hasi, por jo i vetëm. Do të dilshin së bashku me atë dhe katër meshtarë të tjerë, në gjyqin që do të bëhej në kishën e murgeshave Stigmatine në Shkodër e do të ishin: Dom Frano Illia, Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi e Padër Gegë Luma, prej të cilëve dënohet me pushkatim Dom Zef Bici e Dom Mark Dushi. Të tjerët me burgim. Gjyqi do të përfundonte mbas katër ditësh, me 25 prill 1968.
Me datën 29 prill të vjetit 1967, arrestohet në Institutin Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës Atë Pjetër Meshkalla S.J., pak ditë mbas letrës së famshme që patër Meshkalla i shkroi Mehmet Shehut, duke i kujtue ata çka i kishte folë në vjetin 1945 në Shtëpinë e Jezuitëve në Tiranë (“Shënim: Kjo letër është botue në nr.3 mars 1998 në “Kumbona e së diellës”). Padreja arriti të flasë me guxim në gjyq kundër sulmeve që i bajshin. Padreja mbronte me dinjitet të vërtetat shenjtët e po i jepte një goditje botërisht atij regjimi që e kishte çue popullin e rininë në gjendje shumë të keqe, duke mos mujtë t’i delte zot vetes, pse ishte lidhë keqas për kafshatën e gojës.
Mbas mbledhjes forcat e Sigurimit e hodhën egërsisht në makinë, duke e goditë plakun energjik 67-vjeçar me grushta, shqelma e qytat e pushkëve. Fjalët e Padër Meshkallës ngjallën zemrat e njerëzve në krejt qytetin, fshatin, malësinë e kudo në Shqipni, që kishte një reaksion të madh. Mbas tre muajsh, në muajin e korrikut, si fshehtas në zhegun e ditës i banë gjyqin në gjykatë dhe e dënuen për agjitacion e propagandë me 10 vjet burgim, për të dytën herë, se në të parin burgim qe dënue me 15 vjet që i kaloi në burgun e Burrelit.
Në vjetin 1968 arrestohet Dom Marin Shkurti, që me 17 personat e familjes së tij kishin dalë në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave ia dorëzoi qeverisë shqiptare. Dom Marini qe dënue me vdekje, me pushkatim, kurse katër vëllaznit e tij e dy kunatat me burgim.
Meshtari Dom Shtjefën Kurti, i cili në një moshë të shtyeme, punonte në bujqësi në zonën e Shën Kollit të Bregut të Matës, qe arrestue e pushkatue në vjetin 1971, i akuzuem për shumë krime, se kishte bë sabotim të rëndë ndaj kooperativës, se ishte agjent i të huajve, se kishte helmatisë puset. Të gjitha shpifje. Ishte e vërtetë se kishte bë një pagëzim.
Festivali XI i kangës në Radio-Televizion, me shfaqje liberalizmi, ishte një ngjarje që acaroi idhët fort luftën e klasave. U dënuan shumë nga të vetët. Radiot e huaja e shtypi i huaj e shumë stacione të Europës e të “Zanit të Amerikës” nisën të flasin për tmerret e ndodhuna në ekonomi, në besim e në të gjitha shfaqjet, duke paraqitë edhe pushkatimin e Dom Shtjefen Kurtit, tipik të ngjajtun për një pagëzim.
Me rastin e Krishtlindjeve të vjetit 1972, shumë kardinal që gjendeshin në Romë, shkuan për t’i bë urimet Papës Palit VI në Konçistor. Papa u tha kardinalëve ndër të tjera: “Na kemi bë të pamundunën për t’u marrë vesh me shqiptarët për lirinë e besimit. Por ata qëndrojnë në të veten. U sillemi kardinalëve të vendeve të tjera, të merren me këtë çështje duke gjetë të gjitha mënyrat e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi fort të rëndësishëm”. E Papa Gjon Pali II, kur shkoi në Puglia, e trajtoi këtë problem të gjendjes në Shqipni e i drejtoi përshëndetje të përzemërta popullit e besimtarëve.
Me datën 11 qershor do të zhvillohej Kongresi i Gruas në Shkodër, punimet e të cilit do të baheshin në Kishën Katedrale, kthye në pallat sporti. Në këtë kishë historike ku për ma se 100 vjet, kishte qenë qendra e jetës fetare katolike, ku janë kremtue të gjitha festat e vjetit e të vjetëve, janë bë shërbesa fetare, celebrue meshë, dhanë sakramendet, është dëgjue fjala e Zotit nga gojtaria e meshtarëve, e ipeshkvijve e që populli e ka pasë të veten, duke u rritë e duke marrë edukatën fetare e civile, tashti rrënue gjithçka, në këtë kishë të dhunueme, dëgjohet një za tjetër: ai i dhunës në zemër të katoliçizmit, dëgjohet fjala krenare edhe e tërbueme e udhëheqësve komunistë të Enver Hoxhës, të Mehmet Shehut, e të sa diskutantëve kundër besimit katolik, e shoqnueme me rrahjet e shuplakave të grave që me aq gëzim mbajshin gjallë kongresin e mallkuem të tyre.
E kur do të binte tërmeti i madh, me 15 prill 1979, Enver Hoxha me rastin e ndërtimit të shtëpiave të reja në lagjen e Bahçallekut në Shkodër, dhuratë e partisë dhe e shtetit, erdhi e mbajti fjalim, duke i sha zanit me tanë të keqen kundër Zojës së Papërlyeme, duke dhunue kështu në shpirt ndjenjat ma delikate të katolikëve që aq fort e kishin marrë mbrapa Shejtnoren e Zojës afër Bahçallekut, e bri kështjellës e që populli vazhdonte ta merrte përsëri, por tash fort fshehtas e me lot nder sy.
Diktatura komuniste në esencë, ka dhunue direkt të drejtat njerëzore e dinjitetin e njeriut në të gjitha shfaqjet e veprimtarisë së saj. U bë një luftë e veçantë dhe mizore kundër besimit, kundër të gjitha besimeve, por sidomos kundër religjionit katolik, klerit dhe elementit të tij me qëllim zhdukjeje. Lufta e ashpër drejtohej kundër klerit dhe elementit besimtar të tij, pikërisht se këta janë katolikë, pra një dhunë që ka jo burim djallëzor, por burim djalli dhe se kleri dhe elementi katolik mbante gjallë dhe kultivonte kulturën perëndimore e qytetnimin e vyer europian, atlantik, e qytetnimin kristian kudo në botë. Ishte fjala për zhdukjen e katoliçizmit ndër ne, të entitetit të tij dhe realitetit të tij historik e moral.
Me 10 korrik të vjetit 1968 u inaugurue në qytetin e Shkodrës ekspozita ateiste: “Mbi rolin reaksionar të fesë”. Kjo qëndroi e hapun më tepër se pesë vjet, pse kjo ekspozitë u shndërrue në “Muzeumin Ateist” të Shkodrës që u inagurue me 9 qershor të vjetit 1973 në prag të hapjes së Kongresit VII të gruas. Një kulm do të arrijë në vjetin 1976 në Shqipni kur Shqipnia do të shpallet një vend ateist me Kushtetutë e se ndalohet me ligj çdo veprim feje. Neni 37 i Kushtetutës së vjetit 1976, ka këtë: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë ateiste për te rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”. Neni 55: “Ndalohet krijimi i çfarëdo organizate me karakter… fetar. Ndalohet veprimtaria dhe propaganda … fetare”.
Gjatë kohës që kishat ishin të mbyllura, meshtarët që ishin jashtë burgut, celebrojshin meshë fshehtas dhe kryejshin fshehtas shërbime fetare besimtarëve. Mons. Ernest Çoba banonte në shtëpinë e së motrës, shtëpi që ishte si pronë e Sigurimit. Megjithatë, njerëzve që vijshin për ta takue, u jepte sakramende. Kështu bajshin shërbime sa e sa meshtarë, si: Dom Njac Gjoka, Dom Martin Trushi, Dom Mikel Beltoja, Pater Leon Kabashi, Pater Ferdinand Pali, Imzot Gjon Kovaçi, Padër Mëhill Troshani, Dom Kolec Toni, Dom Zef Simoni e të tjerë.
Ndihmojshin në dhanien e pagëzimit e në shpërndarjen e kungimit nder të sëmurë motrat Servite e ato Stigmatine. Ishin suor Imelda Gurakuqi, motër Jorgjia Bulgareci, arrestue e dënue 5-vjet, motër Kristina Nogaj e Liliana Radovani, suor Mikelina Demiri, Dava që shkonte ndër burgje për të ndihmue meshtarët, motër Jozefina Koliqi takohej me vajzat e u ngjindte nder kunorët e shejta. Shumë kanë ndihmue edhe civilët në qytete e fshatra. Kështu pohohej me fjalë se populli i ka mbyllë kishat e insitucionet fetare, por me të vërtetë ishte ndryshe. Kremtoheshin Krishtlindjet, Pashkët, kremtime që gjente vetë populli format për t’i kujtue.
Elementi katolik në persekutim vuajti shumë. Të rinjve e të rejave të aftë e që trashëgonin një farë qytetërimi nga ambientet e tyre, këtyne nuk do t’u jepeshin bursa për shkolla të nalta e disa që do t’i merrshin, nuk do t’i kishin për degët kryesore. Fëmijëve të të burgosurve e të reaksionarëve në asnjë mënyrë. Edhe ndër punë katolikët do të ishin ndër të fundit, duke pyetë ata që vijshin të kërkojshin punë si i kishin emnat. Pranë zyreve të gjendjes civile, nuk pranojshin në asnjë mënyrë të vejshin emna katolikë. Për çdo njeri kërkohej biografia e hollësishme, kur ishte fjala për të hy në punë.
Me datë 10 shkurt 1974 vdes në Shkodër, në një kolibe, Atë Mark Harapi, profesor i shquem i Aristotelit, i Tomë Akuinatit dhe i dogmatikës në Seminar. Mund të njihet i dyti teolog shqiptar, mbas Imzot Pjetër Bogdanit dhe një përkthyes i aftë, lavrues i gjuhës shqipe. Para se të vdiste, kishte shfaqë dëshirin të vorrosej jo në vorrezat e qytetit, por në ato të Shirokës, prej kah ishte e ku gjendeshin dhe eshtrat e prindërve të tij. Në zyrën e komunales shkuan për të kryer formalitetin e varrimit Atë Gjergj Vata dhe Atë Ferdinand Pali. Mbasi treguen arsyen e vorrimit të tij në Shirokë, morën lejen e çdo gjë ishte gati për ditën e vorrimit.
Mbas dy javësh fillonte një proces gjyqësor kundër dy meshtarëve: Atë Gjergj Vatës e Atë Ferdinand Palit, për arsye se këta gjoja e kishin kërkue me qëllim që te varroset Atë Mark Harapi në Shirokë, e jo në varrezat e përbashkëta në Shkoder. Atë Gjergjin e dënuan me 4 muaj burg, kurse Atë Ferdinandin me 3 muaj dhe me punë dhe nëpunësin katolik Luigj Bushatin i shkjeptë ne ecje që vetëm kishte qenë prezent, por jo nëpunës kryesor për të krye formalitetin, e pushuan nga puna. Kjo ngjarje i dha rastin që të thirreshin pranë këshillave të lagjes të gjithë meshtarët që ishin në qytet veçmas në lagjet e veta, në prani të një komisioni me kryetarin e këshillit, sekretar partie, të organeve të sigurimit, duke i pyet meshtarët se a kishin qenë në varrimin e Mark Harapit, duke u bë gjithfarë presionesh dhe paralajmërime arrestimi.
Kjo punë hynte dhe në lëvizjen e arrestimeve e të pushkatimeve që bëheshin në stil të gjanë kundër kuadrove të veta, meshtarëve e të rinjve që “borgjezoheshin”, duke u mbushë burgjet plot me të burgosun e që do të vazhdonte sidomos deri në 1980, kur do të ngjante vdekja e Kryeministrit Mehmet Shehut.
Me datën 3 prill 1976 arrestohet Mons. Ernest Çoba. Do të dilshin së bashku në gjyq në një grup me Imzotin: Dom Lec Sahatçia, Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni. Mbas një qëndrimi të gjatë në hetuesi, ma tepër se një vjetë, Imzot Çoba qe dënue me 25 vjet burg për lidhjen që kishte pasë me Selinë Shejte, fshehtas, përmes Legatës Italiane në Tiranë, Dom Lec Sahatçia për akuzën shpifëse se kishte marrë pjesë direkt në vrasjen e Bardhok Bibës, sekretar i parë i partisë në rrethin e Rrëshenit, ngja në vjetin 1949, dënue 20 vjetë, Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni për mos denoncim të marrëdhënieve të Imzotit me Legatën Italiane e agjitacion e propagandë e Dom Zefi dhe me shkrime.
I pari dënue 13 vjet dhe tjetri me 15 vjet burgim. Gjithashtu, mbas një muaji arrestohet edhe Dom Gjergj Simoni, pse gjatë kontrollit iu gjetën enët shenjtë, libra nga biblioteka e Argjipeshkvisë dhe shkrimet e tij personale. Gjyqi do të përfundonte me 29 prill 1977. Imzoti do të vdiste në spitalin e burgut të Tiranës me 10 janar 1980, shpejt mbas një injeksioni misterioz që i solli vdekjen.
Dom Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, gjithherë me ketë titull zyreje, në fillim u burgos. Ma vonë qe internue e nga internimi prap u burgos duke bë gjithsej internim e burg 37 vjetë.
Me radhë burgosën disa meshtarë, si: Atë Gjergj Vata, Dom Nikollë Gjini e Dom Pjeter Gruda, që vdiq në burg, Atë Anton Luli, Dom Ndoc Ndoja, Atë Aleks Baqli e kjo gjendje do të vazhdonte deri që të arrinte nata e fundit e të të quajturit poliagjent Mehmet Shehut, e me 11 prill e diktatorit Enver Hoxha. Por deri në muajin e nandorit të datës 4 të vjetit 1990, nuk do të mungojnë format tinzare e të këqija të diktaturës nën Ramiz Alinë, kundër besimeve dhe sidomos kundër katolicizmit.
Kundër katolicizmit lufta asht e vjetër, me pushtimin romak në tre shekujt e parë, i cili u pasue me shumë e shumë martirë të njohun, me pushtimin e atdheut tonë në kohën e turkut, kur kanë ngja rrënime e shndërrime kishësh, mbytje meshtarësh, ngulje në huj të ipeshkvijve, të krishtenët të mbytun me taksa, të urryem me diferencime, skllevër në vendin e vet, ndonëse të krishtenët janë përpjekë me të gjitha energjitë me nxjerrë në dritë, në liri, atdheun e robnuem e të prapambetun.
Data e 4 nandorit 1990 hapi epokën e re të lirisë së religjionit dhe të besimit katolik dhe erdhën një mbas një ngjarje vërtetë të lumnueshme, si: vendosja e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, ardhja e Shejtënisë së Tij Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 në tokën shqiptare, formimi i hierarkisë kishtare, ardhja e misionit të huaj në shërbim të religjionit, ardhja e Nanës Tereze shqiptare dhe e misionit të saj në Shqipni, nderimi e kontributi që i njehet katoliçizmit në atdhe.
Sot shteti shqiptar dhe shoqnia shqiptare i ka sytë e jetën e vet kah Perëndimi.
Kisha Katolike sot në Shqipni ecën në udhën e vet, me përparim e pa asnjë pengesë. Por katoliçizmi nuk ka vetëm klerin, kishët, funksionet, shkollat, shtypin e sa të mira të tjera, që na i kemi sot, por ka popullin, besimtarët, nuk ka një kontingjent, por asht një element i rëndësishëm kombëtar me potencë e me histori.
Duke u thanë e vërteta, edhe sot, e pse jo edhe ma fort sot, pothuaj elementi katolik nuk gëzon ekuilibrin e vërtetë, pothuaj, asht i keqtrajtuem, e pothuaj asht i diskriminuem; pothuajse asnjë katolik nuk ka funksione, nuk u jepen katolikëve detyra me rëndësi shtetërore. Pesëdhjetë vjet nën komunizëm pothuajse u janë mbyllë shkollat e nalta nder materiet kryesore studentëve katolikë, që do të delshin shumë të shquem sikur i ka pasë shumë të shquem para ardhjes së komunizmit. Për gabimet e fajet e rënda të sa shqiptarëve, konsekuencat e vuajtjet e vazhdueshme nuk duhet t’i pësojnë elementi katolik.
Tash gati 10 vjet demokraci asnjë përpjekje serioze nuk asht bë për t’i dhanë ndihmë këtij elementi të rëndësishëm e faktor kombëtar edhe i qytetërimit, as me shkolla, as me punë.
Nuk ka liri pa drejtësi e duke qenë se Shqipnia ka shumë për të arrijtë, na duem fitim tagresh njerëzore dhe respektim të dinjitetit të njeriut, pa të cilat nuk shkohet pozitivisht në Europë. Edhe bashkëvëllai duhet të dëshirojë e të kërkojë që të drejtat të jenë të barabarta. Atdheu i çliruem do t’i japë me të drejtë krishtënimit që asht persekutue me shekuj e që ka kontribue energjikisht në pjesën esenciale për përparim të shtetit shqiptar pozicionin që i takon ose pjesën që i përket.
Tue përfundue: Krishtenimi provoi një salvim shumëshekullor, të përgjakshëm e të mundimshëm. Por Kisha e Krishtenimi e ka ngadhënjimin në falje, në dashuni e në ngjallje. Shembulli ma i miri, i pakrahasueshmi, asht Persona e Jezu Krishtit, që jetoi duke dashtë njerëzimin, vdiq në kryq duke falë e u ngjall së vdekuni duke ngadhënjye.
Krishti ka anulue çdo ashpërsi e dhunë.
Na, përherë, jo vetëm do t’i falim armiqtë tanë, por, për ma tepër, edhe do t’i duem. Kjo mund të na duket e çuditshme dhe e pamundur, por duhet njohtë në esencë Kështenimi, pse në këto mësime qëndron forca morale e përsosun dhe arrihet edhe kulmi i jetës shoqnore të rregullueme, asht ku nisë e përpunohet liria e vërtetë, pse sikur thotë Shën Pali: “Ku asht shpirti i Zotit, aty asht liria”.
Me falë e me dashtë, ashtu si dhanë shembullin edhe martirët e vërtetë të Krishtenimit shqiptar, që së shpejti do të shpallen shejtën martirë mbi lter e sa e sa të tjerë dhe epoka e re e tremijëshit të jetë e mbushun me idealet e vëllaznimit, të dashunisë dhe respektit të dinjitetit njerëzor. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016