Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Studimi i Dom Zef Simonit
Mons. Frano Gjini provoi torturën e urisë e të të ftohtit të madh, i varun jashtë nëpër pemët e oborrit të Sigurimit, veç sa goditjeve të rënda të panumërueshme edhe e lëshojshin në ujrat e zeza 10-15 cm. të WC-së. Dom Simon Jubani e filloi burgun e gjatë, kur po delte i vëllai Dom Lazër Jubani. Nuk e panë njeni-tjetrin me sy. Dom Lazri u detyrue të hynte në punë në Shkodër e në punë e helmuan me domate. Në spital e mbajtën ndonjë ditë, por e lëshuan pa e kurue. Dom Simoni do të bënte shumë vjet burg e aty do të dënohej edhe herë të tjera me dhjetëshe mbas dhjetëshesh në burgun e Burrelit. Gjithsej 26 vjet.
Dom Nikollë Mazrreku e Atë Zef Pllumi do të arrestoheshin e do të dënoheshin mbas një gjyqi publik në Kishën e motrave Stigmatine. Kjo do të ishte për ta e dyta herë e dënimit. Dom Nikolla do të bënte gjithsej 25-vjet burg e 12 vjet internim. Atë Zef Pllumi, 25 vjet.
Dom Mikel Gjergji (Beltoja) mbas torturave të forta të bame në Sigurim, e në sallën e gjyqit, për fjalët e forta që tha, ku e torturoi policia, të zdeshun duke i’a bë trupin e tij krejt gjak me biza, e në fund u pushkatua në janar të vjetit 1975.
Mbas pushkatimit të Atë Giovanni Fausti-t e Atë Daniel Dajanit, u mbyll shtëpia e Jezuitëve dhe misionarët e huaj italianë gjithsej 200 vetë, prej të cilëve 25 meshtarë, nisen në Itali. Para nisjes u bë një kontroll në shtëpinë e Jezuitëve, duke qenë prezent një ushtri prej 800 përsonash. Në vjetin 1946, u mbyllën të gjitha shkollat private në Shqipni, me ato të klerit e të motrave, që kishin mbajtë jetën shpirtnore, shoqnore dhe intelektuale me një nivel të naltë kombëtar dhe të barasvlershëm me ato të Europës Përendimore.
Shtypshkronjat e klerit, si ajo e Jezuitëve dhe e Françeskanëve kaluan dhunshëm në duart e shtetit e nuk lejohej botimi i asnjë libri dhe i asnjë reviste, si: “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Kumbona e së Diellës”, “Zani i Shna Ndout”, “Hylli i Dritës”, “Leka”. Njerëzit që kishin nga këta periodikë në shtëpitë e veta pranë bibliotekave përsonale, shumë ishin të detyruar me i fshehë ose me i djegë, pse kishin frikën e kontrolleve të befasishme e të furishme të organeve të Sigurimit. U morën dhe muzeumet e Jezuitëve e të Fretërve me koleksione e materialet etnografike, arkeologjike dhe numizmatike, me të gjitha bibliotekat e pasuna të tyre, si ajo e Jezuitëve me rreth 40.000 vëllime.
Shoqnitë fetare, kurrë me qëllim politik, siç akuzonte me shpifje regjimi i terbuem, por themelue për ta edukue fetarisht e intelektualisht rininë e për ta mbajtë pranë vetës atë e popullin me zakone të mira e moral, të gjitha u mbyllën, me të preme. Kështu “Veprimi Katolik” pranë Katedrales, me Dom Mikel Koliqin drejtues, në fshat e malësi me famullitarët e tyre, “Rrethi Dom Bosko” pranë Etenve Jezuitë me Atë Jak Gardin-in e në Tiranë “Rrethi i Shën Prosprit”, që drejtonte Atë Pjetër Meshkalla, “Shoqnia Antoniane”, pranë Etenve Françeskanë në qytet, fshate e malësi ku shërbejshin famullitarët françeskanë, duke pasë për drejtues të ndryshem Atë Lekë Lulin, të cilit i’u bë atentat prej komunistëve në rrugën Shkodër-Kukës në vjetin 1944, Atë Agustin Ashikun, Atë Gjon Shllakun, Atë Mëhill Mirajn; “Shoqnia e Bijave të Zojës”, pranë motrave Stigmatine në Shkodër, e sa vende të tjera ku ishin motrat e në Shkodër me drejtues Etnit Françeskanë, si: Atë Vinçenc Prennushin, Atë Marian Prelën, Atë Frano Kirin, Atë Donat Kurtin.
I Treti Urdhën i Shën Françeskut, për burra e gra, me themelues e drejtues Atë Marjan Prelën, shoqnia për burra e gra të Zojës Rruzare dhe të Kongregacionit të Zojës Lurdë, për burra dhe gra, pranë Etenve Jezuitë, me drejtues Atë Zef Saraçin, shoqninë e fëmijëve “Kryqzaten”, pranë Etenve Jezuitë me drejtues Atë Jak Gardin-in, Dom Ernest Çobën, e ndihmësin e tyne, jezuitin Fra Çesk Ljarjen; Uratorium që kishte grumbullue rininë punëtore pranë Etenve Jezuitë dhe Orfanotrofin e Zemrës së Krishtit pranë Etenve Jezuitë.
Të gjitha u shpërndanë në qytet e kudo ra një mjerim. Një lodhje shpirtërore mundonte zemrat e mbarë popullit e të rinjve në përsekutimin e vjetëve të para. Të rij dhe të reja, të guximshëm për “Fé e Atdhé” u arrestuen e u burgosën.
Nuk u lejue asnjë veprimtari prej këtyre shoqnive, as shoqnore, as shfaqje filmash, as teatrale, as aktivitete sportive, ndonëse nder këto shoqni kishte xanë fill sporti, teatri, muzika e shqueme kishtare dhe klasike e sa veprimtari të tjera.
Fillonte tashti një humbje, një regres dhe një shkatërrim shekullor.
Institutet e të gjitha motrave, si: Stigmatine, Servite, Saleziane e Viçenciane kudo që ishin në Shqipni, veç motrave Servite të Vlonës, qenë mbyllë e motrat qenë detyrue të shkojshin ndër familjet e veta, pa mujtë të delshin rrugës me petkun e tyre rregulltar. Shumë qenë futë ndër punë, sidomos ndër spitale duke u bë me dashuni shërbime shenjtë të sëmurëve, duke lanë një shembull të mirë për t’u respektue prej të gjithëve, prej mbarë opinionit. Kishat ishin të paprishuna e të mbushuna me besimtarë, ndoshta edhe ma tepër se përpara, por mungojshin në Shkodër e ndër dioqezat Argjipeshkvitë, ipeshkvijtë e meshtarët.
Argjipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, vdiq mbas një sëmundjeje të rëndë e mbas një survejimi të rreptë, me 26 maj të vjetit 1946. U bë një funeral nëpër qytet e kur po kthente procesioni pranë Katedrales, ngjau një incident. Një kamion kishte xanë udhën në mes, i vumë me qëllim. Atëherë të rij e burra të fortë e shmangen kamionin për t’i lirue vend funeralit.
Në liceun e shtetit, drejtoria ndalonte studentët të merrshin pjesë në funeral, por ishte i pamundun ndalimi. Të rinjtë katolikë ngitshin me dhimbje të madhe kah Katedralja. Për të fundin herë kënduen së bashku dy koret: i Katedrales dhe i Françeskanëve, Meshen funebër dhe “Libera me Domine” të Lorenzo Perosi-t me organist Atë Filip Mazrekun, e dirigjent Prenkë Jakovën.
Mesha qe celebrue prej zëvendës Delegatit Apostolik, Imzot Frano Gjinit dhe predku i rastit u zhvillue nga oratori në zë, Imzot Gjergj Volaj, predk që do t’i shpejtonte arrestimin oratorit.
Shpejt nder kisha, në famulli mungojshin meshtarët. “Njerëzit shifshin meshën e hyjshin e dilshin në një heshti. Ishte frikë. Ishte e frikshme gjendja, rruga, shikimi, muzgu, orët e natës, zgjimi: terr i zi”.
Pallati i argjipeshkvisë u muar nga shteti, për t’u bë banesë e familjeve të oficerëve. Vetëm pak dhoma të katit të ulët i’u lanë Kishës. Shërbejshin në Kishën Katedrale vetëm Dom Ernest Çoba, Atë Florian Berisha e frateli jezuit Çesk Ljarja, kurse në Kishën Françeskane të Gjuhadolit e të Zojës Rruzare, Atë Marjan Prela e Atë Ferdinand Pali, duke pësue edhe këto mundime, i pari ndonjë vjet burg e të dy edhe internimin. Gjindeshin pranë Kishës Françeskane dhe fratelat: fra Ndou, fra Salvatori e fra Nikolla, porsi hije të lehta, të pervuejta pranë atyre kishave dhe lterëve të bekuem.
Te kisha e Etenve Jezuitë, e titullueme ajo e Shën Jozefit, ishte Atë Zef Saraçi e frateli Jezuit, Karlo Markoviçi. Qyteti i Shkodrës që pat afër pesëdhetë meshtarë, një privilegj ky i madh, mbet mbas “termetit të forte” me këto meshtarë: Atë Justin Rrota i paralizuem në shtrat, Atë Marin Sirdani, që provoi burgun.
Atë Zef Saraçi, i verbër dy sysh e Atë Pjetër Tuci i sëmurë në kambë. Një salvim ky me krime. Kjo asht faza e parë. Të tjerat salvime vijshin ma vonë që do të zgjatëshin afer pesëdhetë vjetësh, një pamje dhe qenie reale gjakësore e çdo moment vdekjepruese.
* * *
E dyta fazë ishte ajo e uljes së ashpërsimit kundër klerit e Kishës, pa hjekë kurrë dorë nga lufta kunder fesë: asht një fazë me dredhi të mëdha, që nisë nga vjeti 1950, mbas prishjes së marrëdhanieve me Jugosllavinë e Titos deri në vjetin 1960, kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik.
Shteti kërkoi të rregullohen disi marrëdhëniet me të gjitha institucionet fetare e kryesisht me Kishën Katolike, përmes një statuti. Për këtë nisën disa kontakte nga ana e qeverisë, përmes përfaqësuesit të saj Tuk Jakovës, e françeskanit Atë Marin Sirdanit. Në mbledhjen e klerit që e drejtonte Imzot Bernardin Shllaku, ipeshkvi plak, i vetmi që kishte mbetë gjallë, paraqiti Statutin e rregullt në bazë të Kodit Kishtar, por qeveria komuniste nuk e pranoi.
Në një mbledhje të dytë të klerit që zhvillohej në disa ditë në Pallatin Arqipeshkvnuer të Shkodrës, u përpilue e u paraqit një Statut me një farë ndryshimi me të parin. Por qeveria u egërsue dhe si e terbueme që ishte, nuk e pranoi kurrsesi. Atëherë shteti paraqiti një statut të vetin. Por kleri nuk mund ta pranonte e Imzot Bernardin Shllaku, në takimin që pat në Kryeministri me Mehmet Shehun, i tha: “Na këtë Statut nuk mund ta pranojmë”. Në një bisedë mes Kryeministrit dhe Imzotit, Mehmeti kërkoi të dijë ku ishte vështirësia e madhe.
Përgjigjja e Imzotit ishte: “Le të më vehen prangat nder duer qysh tashti, në qoftë se nuk më garantohet së paku emnimi i ipeshkvijve nga ana e Selisë Shejtë”. Mehmeti pranoi, tue thanë fjalën se emnimet do të bahen nga Selia e Shejtë, por tue u dergue materialet përmes Qeverisë, pa qenë e shkrueme në Statut. Kështu që Statuti paraqitej i tillë, por në realitet nuk kishte skizëm.
Mbledhja e klerit pranoi variantin e fundit në besë të Ipeshkvit Bernardin Shllaku. Atë Zef Saraçi, profesor i shquem i teologjisë dhe i kodit, tha këto fjalë: “Po futemi nën mbrelën e Imzotit”. Mehmeti i tha Imzotit të paraqitej në Kryeministri një propozim për emnimin e katër ipeshkvijve të ri. Por Selia e Shejtë nuk e emnoi asnjënin prej tyne, tue zgjedhë ajo vetë dy të tjerë që ishin Imzot Ernest M. Çoba, për Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe Imzot Pjetër Dema, për arqipeshkvinë e Durrësit.
Ma vonë, gjatë kohës së diktaturës u emnuen nga Selia e Shejtë, me propozimin e Imzot Çobës, dhe dy ipeshkvij të tjerë, Imzot Antonin Fishta, shugurue më 1957 si Ipeshkëv i dioqezës së Pultit, në vendin e Imzot Bernardin Shllakut, vdekë në nanduer të vjetit 1956 dhe Imzot Nikollë Troshanin, shugurue në prill të vjetit 1959, si ipeshkëv i dioqezës së Lezhës dhe i Durrësit, në vend të Imzot Pjetër Demës që vdiq. Por dioqeza e Durrësit i’u mbajt e fshehun Imzot Nikollës, me presion të qeverisë.
Lidhjet e tjera me Selinë Shejte, veç emnimit të ipeshkvijve, kanë qenë shumë të pakta. Vetëm tri e që edhe këto kryheshin rreptësisht përmes Kryministrisë. Ato lidhje ishin: dërgimi i telegramit të ngushëllimit për dekën e Papës Piu XII dhe ai i urimit për emnimin e Papës Gjonit XXIII e ma vonë marrja e disa breviarëve.
Mbas vdekjes së Imzot Bernardin Shllakut, simbas Statutit, quejtë Kryetar i Kishës Katolike në Shqipni, emnohej Imzot Ernest Çoba.
Shteti kishte formue një zyrë të veçantë me një nëpunës të vetin për t’u marrë me përfaqësuesit e klerikëve të të gjitha besimeve.
Imzot Ernest Çoba do të fillonte marrëdhaniet fetare të fshehta me Selinë e Shejtë përmes Legatës Italiane në Tiranë, me anë të së motrës. Problemet ishin fetare. Herë mbas here shkonte e motra në Legatë për të marrë pensionin e të shoqit italian, me banim në Itali. Të shkruem në disa letra cigaresh, materialet e Imzotit, i jepeshin nëpunësit prej së motrës. Kjo punë vazhdoi disa vjetë. Ky do të ishte shkaku kryesuer i arrestimit dhe i dënimit të Imzot Çobës.
Gjatë kësaj faze u liruen nga burgu një numër klerikësh, të cilët u emnuen nëpër famulli të ndryshme, gjithmonë me miratimin e shtetit. Me miratim të shtetit u aprovuen disa që do të merrshin meshtarinë si: Dom Ernest Troshani, Dom Tish Lisna, Dom Simon Jubani, Dom Ndue Soku, Dom Ndoc Volaj, Dom Martin Trushi, Dom Injac Dema, Dom Mikel Beltoja e Dom Marin Shkurti.
Gjithsejt nandë vetë. Gjashtë të tjerë u shuguruen fshehtas, pa leje të qeverisë prej Ernest Çobës e janë: Atë Gjergj Vata e Dom Ndoc Noga, me 19 mars 1954, Atë Zef Pllumi shugurue me 1 maj 1956; Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni me 9 fruer 1961 dhe Dom Luigj Kçira me 24 mars 1963.
Gjatë diktaturës nuk pat shtyp. Botohej vetëm kalendari fetar në Tiranë, në shtypshkronjën shtetnore “Mihal Duri”. Seminari lejohej me Statut, por në të vertetë nuk ekzistonte fare. Të qenit e tij do të ishte i rrezikshëm, pse Sigurimi i shtetit do të fuste hundët aty. Kur u liruen disa meshtarë-profesorë nga burgu, si: Atë Pjetër Meshkalla, Atë Mark Harapi dhe ndonjë tjetër, disa studentë do të merrshin fshehtas studimet në Pallatin e Arqipeshkvisë.
Kisha ishte ndër provë e në pranga. Shteti, me Statut i jepte një ndihmë Kishës, një subvencion. Arqipeshkvia, pothuej as nuk kishte një tavolinë e karrigë, pse të gjitha ishin të sekuestrueme nga Shteti. Mbasi u lirue Pallati i Arqipeshkvisë, i banuem prej familjeve të oficerave, u formuen zyre të ndryshme, me zyrtarë që paguheshin nga subvencioni. Subvencion të vogël merrshin në fillim të gjithë meshtarët, por ma vonë u hoq, gati krejt, pse subvencioni nga viti në vit vinte tue u zvoglue.
Në këtë fazë, gjithmonë me frikë, u pa një farë gjallnie fetare, me rastin kur u ndertue lteri i ri, zbukurimi i Kishës me piktura murale e shugurimi i kishës Katedrale me datën 19 prill 1958, ditë e dielle, me rastin e 100-vjetorit të fillimit të punimeve. Por nuk vonoi shumë e në mojin nanduer të këtij vjeti filloi një gjyq i tejtmerrshëm në salonin e kinemasë “Republika”, kundër meshtarit të mirë e të pafaj Dom Ejell Kovaçit, i akuzuem randë.
Dom Ejell Kovaçi u pushkatue. Në mojin e prillit të vjetit 1959, pushkatohet famullitari i Bregut të Bunës, i zjarrti Dom Dedë Malaj e Atë Konrad Gjolaj, dënohej me 25-vjet burgim. “Zhurmë e poterë në Shqipni. Lufta e klasave ishte në zenit”.
Pranë Kryeministrisë zyrtarët që kishin të bajshin me komunitete fetare, ishin me grada ushtarake. Ishin njerëz të matun e flitshin lehtë e pak fort jepshin përgjigje të qarta për nevojat e kishës.
Me rastin e festave, si: të 1 Majit e të 28-29 Nandorit, shteti u bante thirrje komuniteteve fetare për t’u gjetë në tribunën e Tiranës. Edhe zyrtarët vijshin për të ba urime për festën e Pashkëve. Ma vonë filluen ta rrallojshin ardhjen. Dergojshin telegrame të shkurta: “Për shumë vite Pashkët”! Ma vonë, vetem: “Urime!”
Kur vijshin personalitete të shteteve mike të Shqipnisë, sidomos nga Bashkimi Sovjetik, demokracitë motra dhe Kina popullore, i thirrshin në mbramje për banket në Pallatin e Brigadave edhe komunitetet fetare.
Një kujtim: në vjetin 1959 erdhi në Shqipni Nikita Hrushovi. Në Pallatin e Brigadave, në atë mbramje, ishin ftue edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, që i kishin vendosë në një tavolinë në një kand pak të fshehtë. Para se të mbaronte mbramja, Hrushovit i shkuen sytë te përfaqësuesit fetarë e me kërkesën e tij, së bashku me Enverin e zyrtarë të tjerë u drejtuen për t’u dhanë një përshëndetje atyne.
Një nëpunës shqiptar, me mburrje, e njoftoi zyrtarin e naltë se marrëdhaniet i kemi të mira me komunitetet e për ma tepër e lajmoi se kemi edhe Statut. Hrushovi u çudit shumë e me një shprehje të veçantë të fytyrës, foli: “Statut”! Dha të kuptojë qartë se nuk e pelqente. Rreth vjetit 1960, Shqipnia prishi marrëdhaniet me Bashkimin e Madh Sovjetik e nisën marrëdhaniet me Kinën e Mao Ce Dunit.
Në fillim dukej si një periudhë e qetë, por ishte situatë me tinëzi të hollë. Mbas do kohe, sidomos në fshate, kryetarët e këshillave u imponojshin meshtarëve me urdhna të randë orarët e meshës. Meshët mos të celebroheshin në orët e punës, e cila vazhdonte nga ora 6 e mengjesit deri në orët e vona të ditës. Me shumë vështirësi pergatiteshin fëmijët me katekizëm për Kungimin e parë dhe Krezmim ndër male e fshate. Këte e ankojshin meshtarët e famullive pranë ipeshkvit dhe ipeshkvijve të të tanë dioqezave.
Frynte një erë përgjithësisht e keqe, vinte një egërsi që shtohej dita me ditë, paraqitej një qëndrim i ri ndaj Kishës, një luftë e re me përmbajtje tjetër të rrezikshme kundër religjionit. Partia e Shteti, me anë të organizatave të rinisë, të gruas dhe atë të pionierit, me forcë të Sigurimit, nisi të survejonte fort njerëzit që shkojshin në Kishë.
Kjo kishte fillue pak në vjetin 1959, kur sidomos arsimtarëve u ndalohej shkuemja në kishë, e mbas vjetit 1964 nisi ky ndalim gradualisht me nëpunësit dhe të rijtë e fëmijët e shkollave. Sidomos në shkolla bahej punë e rreptë ateiste. Mësuesit, veçanërisht, ata që ishin anëtarë partie përmes landëve të ndryshme, demaskojshin klerin dhe rolin reaksionar të fesë. Ishin të afishueme në korridoret e shkollave parulla e mbi të gjitha ajo e Marksit: “Feja asht opium për popullin”. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016