Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të organizmit dhe funksionimit të pushtetit lokal në Shqipëri që nga periudha e sundimit osman e deri në periudhën e Monarkisë së Zogut. Si u bë regjistrimi i popullsisë së Shqipërisë në vitet 1839, 1861 dhe 1882, në bazë të një legjislacioni modern nga më të përparuarit e asaj kohe si në shtetet perëndimore, i cili vazhdoi të aplikohej në vendin tonë deri në vitet ’30-të të shekullit të kaluar, dhe pasja e shtetasve shqiptar me pasaporta e leje-kalimi, të cilët duhet të plotësonin këto kushte: “Çdo njeri i lemun në tokën e Shqipnis, kufijtë e së cilës janë caktuar në Konferencën e Londrës e të Firences, quhet shqiptar dhe ka të gjitha të drejtat qi rrjellin nga kjo cilësi. Njerzit origjinë të tokave të Shtetit Shqiptar dhe banues në tokët e Shtetit Shqiptar të sipërpërmëndun, që nga hymja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, do të bahen nënshtetas të Shtetit Shqiptar. Njerzit originër të tokave të Shtetit Shqiptar dhe banues në Tyrqi, në kohën qi hyn në fuqi kjo marrëveshjet mbeten nënshtetas tyrq”.
Në të gjitha fushatat elektorale që janë zhvilluar në Shqipëri në këto 30 vjet të periudhës postkomuniste, si në ato të zgjedhjeve parlamentare, ashtu dhe në ato të pushtetit lokal, dy kampet kundërshtare të politikës, mes shumë akuzave të ndërsjellat, ishin dhe ato për mos bërjen e regjistrit zgjedhor të popullsisë dhe pajisjen e shtetasve me pasaporta e kartat e identitetit. Kjo gjë duket se nuk është krejt pa bazë, pasi po të kemi parasysh se: si regjistri i popullsisë dhe kartat e identitetit, nuk janë të panjohura për vendin tonë. Madje po t’i referohemi historisë, do të shohim se ato janë aplikuar dhe përdorur me sukses në vendin tonë që para gati dy shekujsh, kur Shqipëria ishte nën sundimin osman. Po si u arrit të bëhej regjistrimi i popullsisë së Shqipërisë që në vitin 1839 e në vazhdim, cili ishte legjislacioni që rregullonte atë ndërmarrje jo pak të vështirë për kushtet e asaj kohe, dhe si u bë pajisja e nënshtetasve shqiptarë me pasaporta dhe leje-kalimi? Për të gjitha këto dhe mënyrën e organizimit e funksionimit të pushtetit lokal në Shqipëria që nga periudha e Tanzimatit e deri në Monarkinë e Zogut, bëhet fjalë edhe në disa kapituj të librit “Financat e Shqipnis” të botuar në vitin 1934, nga Haxhi Shkoza, (i cili gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, shërbeu si inspektor i përgjithshëm i Financave pranë Oborrit Mbretëror), të cilat Memorie.al i sjell për herë të parë në këtë shkrim.
Regjistrimi i popullsisë dhe zyrat e gjendjes civile
Sipas të dhënave që gjenden në librin “Financat e Shqipnis” të autorit, Haxhi Shkoza, (ish-inspektor i Përgjithshëm i Financave në Oborrin e Mbretit Zog), të botuar në vitin 1934, në kohen e periudhës së Tanzimatit (viti 1839), kur vendi ynë gjendej nën sundimin osman, për herë të parë u bë regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë së Shqipërisë. Ai regjistrim i përgjithshëm i popullsisë së Shqipërisë së asaj kohe, shënoi edhe vënien e bazave te para të organizmit të zyrave të gjendjes civile, (apo siç njiheshin në atë kohë: Krahinari), si në qendrat e mëdha, prefektura e bashki, ashtu dhe në komuna e fshatra. Regjistrimi i popullsisë së Shqipërisë që u bë në vitin 1839, u përsërit edhe mbas 20 vjetësh, (në vitin 1861), por kësaj radhë ai ishte në baza më të shëndosha ligjore, pasi ishte disiplinuar legjislacioni përkatës në fuqi për veprimet e gjendjes civile. Si rezultat: në regjistrat e vitit 1861, ishin të shënuara me saktësi, lindjet, vdekjet etj, duke pasur edhe sanksione me ndëshkime ligjore të rënda për kundërvajtësit. Disa vjet më vonë,(më 1882-in), u ndërmor një nisiativë tjetër për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, gjë së cilës i parapriu ngritja e një administrate për sigurimin e të gjitha veprimeve që i nevojiteshin zyrave të ‘Gjendjes civile’. Në këtë kohë u hartua një rregullore për zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe një tjetër rregullore për letër-njoftimet, duke i’u bashkangjitur këtyre edhe tarifat përkatëse që u duhej të paguanin shtetasit për shërbimet e kryera nga administrata në regjistrat amzore, etj. Kështu, për çdo letër-njoftim, akt-lindje, vërtetim ç’kurorzimi dhe ndërrim vendi, shtetasi shqiptar duhej te paguante si taksë të detyrueshme: 1 grosh, (kështu emërtohej paraja shqiptare në atë kohë), ndërsa për vërtetim ç’kurorzimi vajzash, 5 grosh, dhe të vejash, 3 grosh. Të gjitha fitimet që vileshin nga taksa e letër-njoftimeve dhe gjysma e taksave të dokumenteve të ndryshme, merrej nga Financa e Shtetit, ndërsa gjysma tjetër nga parija fetare. Marrja e letër-njoftimeve ishte e detyrueshme për të gjithë shtetasit. Mbas disa vjetësh, aty nga 1887-ta, u botuan edhe dy ligje shtojca, ku i pari bënte fjalë mbi gjobitjen me 2 franga ari për pleqësitë që nuk lajmëronin në kohë për ndryshimet amzore, dhe i dyti për gjobitjen me 4 franga ari për ata që fshihnin veprimet, (mos regjistrimet e pjesëtarëve të familjes, nga që nuk donin t’i dërgonin nizamë djemtë e tyre. Shënimi ynë), që duheshin pasqyruar në regjistrat amzore. Ky ligj u modifikua në vitin 1902, dhe në këtë kohë me dispozita të veçanta, u përmirësuan zyrat e ‘Gjendjes civile’, por taksat mbetën po ato që ishin, me përjashtim të atij të letër-njoftimeve që për të vobektit do ishin falas. Këto ligje që u zbatuan në Shqipërinë e asaj kohe, (me përjashtim të disa viseve Arabe), u aplikuan dhe u zbatuan në të gjitha shtetet dhe provincat që asokohe ishin nën Perandorinë Osmane. Ligjet mbi zyrat e ‘Gjendjes civile’, ose siç quhej ndryshe në atë kohë, “Zyrat e Krahinarit”, u aplikuan rregullisht deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë dhe u shkëput nga Perandoria Osmane. Madje organizimi i zyrave të Krahinarit, u aplikua deri në periudhën e pushtimit Austro-hungarez, gjë të cilën e gjeti dhe zbatoi edhe Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes në vitin 1920. Edhe pse për të gjitha regjistrimet e popullsisë që u bënë në Shqipëri nga viti 1839 e në vazhdim (deri më 1889), jepen me hollësira të gjitha ligjet dhe taksat përkatëse për shërbimet e gjendjeve civile, në studimin e bërë nga Haxhi Shkoza, në librin e tij voluminoz “Financat e Shqipnis”), nuk janë dhënë shifrat se sa ka qenë popullsia e Shqipërisë në ato vite.
Rregullimi i nënshtetësisë së shqiptarëve
Sipas studimit të bërë nga Haxhi Shkoza, (ish-inspektor i përgjithshëm i Financave pranë Oborrit të Mbretit Zog në vitet e Monarkisë), i cili është botuar në vitin 1934, në kohën e sundimit Osman, rregullimi i veprimeve mbi nënshtetësinë e shtetasve shqiptarë, rezulton të ketë filluar me anë të një ligji (mungon data e saktë. Shënimi ynë), i cili përbëhej prej nëntë nenesh. Lidhur me këtë, në studimin në fjalë të Haxhi Shkozës, midis të tjerash shkruhet:
“Për me pasë një ide mbi dispozitat e kësaj ligje, këtyre poshtë përshkruhen tre nene të saj:
- Personat që lejn, kur prindërit ose vetëm ati i tyne është me nënshtetësi otomane, quhet nënshtetas otoman.
- Personi i lindun në Turqi prej prindërve të huej, mundet me të drejtë me kërkue nënshtetësinë ottomane brenda tri vjetëve, tue fillue prej ditës së mrritjes së moshës madhore.
- Nji i huej që hyn në moshën madhore, po të qëndroj pesë vjet radhas në Turqi, mundet me marrë nënshtetësinë ottomane tue i paraqitë vet, ose me ndërmjetësi, nji kërkesë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mbas kësaj ligje janë shpallun dhe dy shtojca, e para më datën 26 Xhamazil-Ahar (Kalendari i vjetër osman), dhe e dyta më datë 24 Korrik 1875, mbi ata që fshehin nënshtetësinë dhe mbi pamundësinë e transferimit të pasurive të nënshtetasve ottomanë, qi vdesin, ndër t’afërmit e tyne të huej. Për aplikimin e ligjës në fjalë asht qenë shpallun edhe një rregullore si dhe nji shtojcë, për të cilat mbasi nuk janë të përfshimë në Kodin Ottoman, nuk qe e mundun të tregohen këtu urdhnimet e tyne. Për veprimet e ushtruese mbi nënshtetësi, janë qenë marrë edhe taksa (tarifë) e modifikuese e të cilëvet asht kjo:
- Për ndërrim nënshtetësije grosh 500
- Për regjistrim të lejes ….. 20
- Për marrje të nënshtetësisë otomane (T.GJ.C) 50
- Për vërtetim nënshtetësije (në bazë të akt. të hueja)50
- Për regjistrim të gjithë akteve të mësipërme 10
- Për veprime të dëshmive mbi hetime 20
- Për çertifikata, anëshkrime etj. 50
- Për vërtetim cilësije të nënshtetësis 100
- Për çdo kërkesë drejtueme zyrës kompetente 65
Këto dispozita qëndruen në fuqi deri sa hyni në zbatim Kodi Civil i Mbretnis më 1.IV.1929. Në vjetin 1922, Qeverija ka pasë paraqitë projektligjin e nënshtetësisë e cila, sado qi asht marrë në bisedim prej Parlamentit, ka mbetun pa ndonjë përfundim. Artikulli i parë i këtij projekti ishte:
“Çdo njeri i lemun në tokën e Shqipnis, kufijtë e së cilës janë caktuar në Konferencën e Londrës e të Firencës, quhet shqiptar dhe ka të gjitha të drejtat qi rrjellin nga kjo cilësi”. Mbas gati tri vjetësh, asht lidh traktati i miqsis, konventa e vendosjes dhe e nënshtetësisë midis Shqipnis dhe Tyrqisë, dhe janë dekretue më 3.III.1925. Nga këti rreshtohen vetëm disa dispozita t’asajë mbi nënshtetësin, qi ka lidhje me këtë kapitull qi vijon:
Art. 1. Njerëzit originër të tokave të Shtetit Shqiptar dhe banues në tokët e Shtetit Shqiptar të sipërpërmendur, që nga hymja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, do të bahen nënshtetas të Shtetit Shqiptar.
Art. 2. Njerëzit originër të tokave të Shtetit Shqiptar dhe banues në Tyrqi, në kohën qi hyn në fuqi kjo marrveshtje mbeten nënshtetas tyrq.
Art. 3. Të dy anët kontraktuese janë d’akord, me datën e sotme për me lidhë një konventë mbi banim e mbi marrëveshje nënshtetësie. Arsyet e çfaquna për këtë lidhje janë: Tue marrun parasysh intimitetin e lidhjeve qi pesë shekuj njisie politike kanë lanë në jetën dhe në traditën e dy popujve: Tue u shty nga dishiri reciprok për të forcuem e për të vendosun marrdhanije të nji miqësije të sinqert sa ma parë qi të jetë e mundun. Tue u bindun se njiherë e mirë të vendosun marrëdhanjet në mes dy shteteve kanë për t’i vjevftë përparimit e begatisë”.
Siç shihet edhe nga shpjegimet e bëra nga Haxhi Shkoza në studimin e tij, “Financat e Shqipnis”, i cili është ilustruar edhe me ligjet dhe nenet përkatëse që ishin asokohe në fuqi, organizmi i nënshtetësisë që është aplikuar në Shqipëri edhe shumë vjet më vonë, madje deri në ditët e sotme, e ka zanafillën nga ato ligje të aplikura që në mesin e shekullit të XVIII kur Shqipëria ishte nën sundimin osman.
Pasaportat dhe Leje-kalimet në Shqipëri që në vitin 1867
Gjatë gjithë periudhës së sundimit osman, si në të gjitha shtetet dhe viset e tjera që ishin nën këtë perandori, edhe në Shqipëri u zbatua me rigorozitet të madh paisja e shtetasve shqiptarë me pasaporta dhe lej-kalimi. Madje, po t’i referohemi studimit të bërë nga Haxhi Shkoza (“Financat e Shqipnis”) në vitin 1934, do të shohim se ato ligje të zbatuara nga perandoria osmane në atë kohë, janë aplikuar nga shteti shqiptar deri në mesin e viteve ’30-të. Lidhur me aplikimin e paisjes së shtetasve shqiptarë me pasaporta e leje-kalimi, si dhe ligjet përkatëse që rregullonin atë gjë e gjobat për kundravajtësit, në studimin e bërë nga Haxhi Shkoza, midis të tjerash shkruhet: “Kjo e drejtë asht një farë takse qi merret kundrejt lëshimit të një dokumenti zyrtar qi quhet “Pasaportë”, të cilën duhet ta mbajë çdo nënshtetas ose i huej qi hyn e del në kufinin e Mbretnis. Kjo taksë, në buxhetin e sundimit otoman të kohës së mbas shpalljes së Tanzimatit, asht shti nën titullin ‘Harxhe’ qi formohej prej disa taksash si ato të gjykatave, të gjendjes civile e të tjera, dhe në buxhetin e Shtetit t’onë parashihet në rubrikën “Lejime qeveritare”, qi, dhe kjo përfshin disa taksa si ato konsultore e të tjera, për të cilat do të flitet me rradhë. Sistemi i pasaportës, n’ish Perandorinë otomane, asht qenë zbatue në vitin 1867 në bazë të ligjës së asaj kohe. Sa do që në këtë ligj dispozitat mbi veprimet për lëshim pasaportash e për vizimin e tyne janë theksue gjatë e gjanë, por nuk kanë parapa të drejtat qi duhen nxjerrë për këto. Pse kjo ligjë nuk ishte e plotë e në afrim me relatat qi zhvilloheshin në atë kohë, asht bamë ligja me datë 9.12 1883, qi, tue modifikue disa neje (nene) t’asaj së parës, ka caktue edhe taksën e pasaportave për 50 grosh, dhe të vizave për 20 grosh. Përveç kësaj, janë vu dispozita përjashtimesh për të vobektët tue dhanë gratis pasaporta me kusht paraqitjeje të nji dishmije vobektësije nga autoritetet lokale. Këto pasaporta shtypeshin prej Ministrisë së Punëve të Mbrendshme dhe u jepeshin kërkuesëve në qendër prej Prefekturës së Policisë dhe ndër qarqe prej zyrave të gjendjes civile. Ata qi gjindeshin në Mbretni pa pasaportë do të qiteshin jashtë, veç rastit kur mund të ishin në pozitë me paraqitë nji shkak ligjuar mbas së cilit do të mund të merreshin pasaportë tue pague dyfish taksën relative: kjo rregull aplikohej edhe për ata qi u mungonte viza etj. Ma vonë asht shpallun ligja (më datën 24 nëntor 1894) që zavandësoj dy të parat. Kjo ligjë, sa do qi ban disa ndryshime në rregullat mbi lëshimin e pasaportave, taksën e tyne e len të caktueme si ma parë. Gjithashtu kjo gjobit me gr. 100 të gjithë ata qi hyjnë në Mbretni pa pasaportë e qi nuk mund të çfajsohen (justifikohen). Në kohën e sundimit otoman, veç pasaportave asht përdorun edhe “leja e kalimit”, (murur tezerski). Leje-kalimi asht nji dokument zyrtar qi përdorej për udhëtime brenda Mbretnisë e qi duhej t’a mbante çdo nënshtetas dhe i huej. Çmimi qi paguhej kundrejt lëshimit të kësaj, quhej e “drejtë leje-kalimi”. Leje-kalimet janë krijue me ligjën e vitit 1861. Atyne qi s’kishin letër- njoftime, nuk u jepej leje-kalimi. Simbas ligjës mbi organizimin e provincave me datë 9.1.1870, lëshimi i leje-kalimeve e nxjerrja e të drejtave të tyne, i ishte ngarkue nëpunësavet të ‘Gjendjes civile’ të vendit me përjashtim të nji kohe të shkurtër qi asht qenë ngarkue policisë. Me zbatimin e ligjës me datë 27.VII.1887, i asht dhanë nji randësi e posaçme veprimeve mbi lejet kësodore, kaq sa ata qi kapërcejshin moshën mbi 20 vjeç, u detyruen të marrin nji leje-kalimi. Kjo kishte vleftë vetëm për nji vjet; të vobektëve u jepej gratis. Të drejtat e lejevet dhe të pullave të tyne dorzoheshin n’arkat financjare të vendit në mbarim të çdo mueji. Së fundit, taksa e leje-kalimevet. Me ligjën e buxhetit të vitit 1910, asht suprimue tuj e lanë të lirë udhëtimin brenda Mbretnisë”.
Ligji: Jo pasaporta për personat në kërkim
Gjatë gjithë periudhës së sundimit osman, e deri në vitet ’30 të shekullit të kaluar që Monarkia e Zogut vazhdoi të zbatonte ligjet mbi pajisjen e shtetasve me pasaporta dhe leje-kalimi, dhënia e pasaportave ishte e ndaluar për personat me precedentë penalë apo që ishin në klërkim dhe surveijm të policisë. Lidhur me këtë, në studimin e bërë nga Haxhi Shkoza, midis të tjerash shkruhet: “Ligja ma e plotësueme e ish-sundimit ottoman, asht ajo e datës 6 Xhamezai-Ahar 1329 (simbas kalendarit të vjetër, i cili në rastin konkret, i korrespondon vitit 1911. Shënimi ynë), qi përbahet prej 20 nenesh. Për me bamë nji mendim mbi dispozitat e kësaj ligje, këtu poshtë rreshtohet përkthimi e disa artikujve në mënyrë qi vijon: Ata qi udhtojnë jashtë viseve të Mbretnisë ottomane janë të lirë në marrjen e pasaportës. Por ata qi hynjnë në këtë Mbretni janë të detyruem me paraqitë pasaportën. Pasaporta ka fuqi për nji vjet. Taksa e pasaportës asht 50 grosh, por për punëtorët qi shkojnë në vëndët e hueja fqinjë, asht 10 grosh. Të vobektëve u jepet pasaportë gratis. Vobektësija duhet të vërtetohet me nji dishmi zyrtare. Ata qi japin ose vërtetojnë në rrenë, ndëshkohen me gjobë nji lirë tyrke. Nuk u jepen pasaportë atyne qi ndodhen nën vrejtje t’autoriteteve policore ose udhëtimi u asht ndalue prej gjykatave. Nuk merret taksë vizash për pasaportat e dhanuna gratis. Viza ka fuqi vetëm për nji udhëtim, por afati i saj mund të zgjatet edhe për gjashtë muej. Nënshtetasit e huej ose nënshtetasit ottoman qi gjinden ndër vendet e hueja, kur hyjnë në Mbretni, duhet t’i kenë vistu pasaportat nëpër konsulatat otomane, përndryshe e paguejn dyfish taksën. Këto ishin dispozitat ligjore qi Administrata e Shtetit t’onë trashëgoj prej ish-sundimit ottoman e qi u pranue prej Qeverisë së përkohshme të Vlonës më 1912. Mjerisht nuk qe e mundun me gjet ndonjë tekst qi t’udhëheqi në se u ba ndonjë ndryshim dispozitash për pasaporta në kohën e Qeverive të para kombëtare dhe në cilën mënyrë u veprue në kohën e okupacioneve të hueja 1915-1920. Në mbështetje të disa shënimeve qi këtu poshtë rreshtohen, mundet me u thanë se në përjudhën e parë, shumë të shkurtë, Qeveritë t’ona nuk patën kohë të bajnë asnjë modifikim në legislaturën e gjetun dhe prandaj s’ka dyshim se janë mbajtun në fuqi urdhnimet ligjore ottomane. Por fuqitë okupuese të hueja shifet se kanë bamë pak a shumë ndryshime, simbas nevojës së kohës anormale, tuj shtyp në gjuhën e vet, leje-kalimet e pasaportat qi u nevojiteshin, përshëmbull:
- Administrata e Korçës: nuk lëshoheshin pasaporta por jepeshin leje-kalimi për udhëtime në tokën e okupueme.
- Administrata e Vlonës: rregulla për lëshim të pasaportave, lejeve, certifikatave e dokumenteve të tjera policore.
- Administrata e Shkodrës: për në Shqipni dhe jashtë Shqipnije të jepen pasaporta si ato t’Austris të përkthyem pik për pik.
Më 1920, Shqipnija u lirue nga fuqitë e hueja okupuese dhe Qeverija kombëtare filloj me marrë vendime e me hartue projekte qi këshillonte koha”.
Nga ndarja administrative, tek organikat e nëpunësve: Si ishte organizuar pushteti lokal deri në vitet ’20-të të shekullit të kaluar
Në vitin 1920, Qeverija e përkohshme e Durrësit shtypi dhe nxorri në qarkullim dy rregullore, ku njëra bënte fjalë për administratën vendore, ndërsa tjetra për zgjedhjen e këshillave administrative. Të dyja këto rregullore ishin të nënëshkruara nga Ministri i Punëve të Brendëshme të asaj kohe, Myfit Libohova dhe funksionari përkatës pranë këtij dikasteri, Petro Poga, të cilët kishin nën varësi organet e pushtetit vendor. Në disa prej neneve të këtyre rregulloreve, midis të tjerash shkruhej:
“Shqipnija asht e ndame në 10 Prefektura, këto të ndame në 29 nënprefektura dhe këto në 43 krahina të ndame në 2545 katunde, të ndame këshu: Berat 524, Shkodër 345, Gjinokastër 342, Korçë 331, Elbasan 310, Dibër 206, Durrës 182, Tiranë 110, Kosovë 110, Vlonë 88. Kryetar i administratës civile ndër prefektura asht Prefekti, në nënprefektura asht Nënprefekti, në krahina, Krahinari, në katunde Plaku i katundit. Detyra e nënprefekturave të qëndrës së Prefekturës i janë ngarkuem prefektëve. Ndër prefektura dhe nënprefektura janë nëpunsat administratorë këta: Drejtori i Financës, Kryesekretari i prefekturës, Komandanti i Gjindarmërisë, Drejtori i Arsimit (ose i shkollës), Kryenëpyunësi i punëve botore, ay i bujqësisë, i kadastrës, Komiseri i Policisë, Nëpunësi i gjendjes civile, mjeku qeveritar i karantinës, Kapidani i Portit e të tjerë që mund të krijohen. Në krahinat, posë Krahinarit, asht edhe Post-komandanti i Gjindarmërisë, e, simbas nevojës, Sekretari i krahinës e Komiseri i Policisë. Nënprefekti asht ma i madhi nëpunës i Fuqis Ekzekutive (zbatuese) n’atë rreth dhe asht i detyruem me i rujtun të drejtat e Shtetit e të Popullit, me sigurue zbatimin e ligjeve etj, dhe asht përgjegjës për administratën e përgjithshme të Nënprefekturës. Detyrë e nënprefektëve të qëndrës së Prefekturës i janë ngarkuem prefektëve. Dhe krahinarët kanë detyra të këtilla për pjesën e krahinësd së vet. Në çdo Prefekturë dhe Nënprefekturë ka një Këshill administrativ që ka për detyrë me ba ankande, me pregatitë kondita dhe kontrata, me shitë të dhetat e të tjera veprime qi urdhnojnë ligjet shtetnore. Ndër këto këshilla apelohen brenda 5 ditëve vendimet e kshillavet bashkiake. Vendimet e këshillave administrative të Prefekturës mund t’apelohen, brenda dhjetë ditëve prej komunikimit, pranë Ministrisë së Punëve të Brendëshme; ato të këshillave të nënprefekturave, brenda pesë ditëve të apelohen pranë Prefekturës, dhe këto të gjitha mandej në Këshillin Ministruer”. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016