Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet raporti i Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhës, i mbajtur në Plenumin e IV-të më 17 tetor të vitit 1945, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit ’45 për deputetë në Kuvendin Popullor. E gjithë fjala e Enver Hoxhës në atë mbledhje ku ai u ndal dhe bëri një rezyme të hollësishme që nga periudha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke vënë në “ballancë” raportet e Partisë Komuniste të Shqipërisë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr prej saj me aleatët anglo-amerikanë dhe Bashkimin Sovjetik, luftën e këtyre aleatëve me Gjermaninë naziste, marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me shtetet e Ballkanit dhe më gjerë, si: Jugosllavia, Greqia, Bullgaria, Rumani, Polonia, Hungaria etj., arratisjen nga Shqipëria të eksponentëve të lartë nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit e strehimin e tyre nga ana e anglo-amerikanëve, rezistencën e armatosur të “krerëve të reaksionit” në Veriun e Shqipërisë, si: Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Gjon Marka Gjoni, etj., arrestimet dhe dënimet e tyre nga gjykatat, ndihmat e Bashkimit Sovjetik ndaj Shqipërisë në disa tonelata grurë dhe pranimi i kontigjentit të parë të studentëve shqiptarë në shkollat, universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik, etj.
“Ndjekjet nga ana e forcave tona s’ju lënë asnjë mundësi krerëve bajraktarë si: Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dines, Gjon Markut etj., të organizohen dhe të armatosen. Është e vërtetë se ata i kanë shpëtuar forcave tona dhe kjo duhet të na preokupojë fort, por është fakt që ata po lëvizin me zor të madh. Këta elementë, natyrisht, na shkaktojnë kokëçarje, pse në mjaft krahina të Veriut, puna jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë e dobët. Disa herë atje parullat e tyre zënë vend dhe ka akoma njerëz që vazhdojnë të qëndrojnë në pritje të evenimenteve. Këta do t’i lidhë fort me këtë pushtet, vetëm një punë intensive politike nga ana jonë dhe interesimi drejtpërdrejt i pushtetit në zgjidhjen e problemeve të tyre në mënyrë konkrete. Forca e reaksionit s’qëndron vetëm në bandat e armatosura; atë do ta shohim të manifestohet edhe në elementë të tjerë dhe në forma të ndryshme, të cilët, të përkrahur nga reaksioni i jashtëm, po pregatitin rezistencën kundër pushtetit tonë demokratik. Ky proces i grumbullimit të reaksionit s’është një zhvillim i thjeshtë. Për ne, që drejtojmë politikën e Frontit dhe të pushtetit, do të jetë një gabim i madh po t’i bëjmë hesapet kaluar dhe po të idealizojmë gjendjen tonë të brendshme dhe të pushtetit tone”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash në fjalën e tij Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha, në mbledhjen e Plenumit të IV-të të mbajtur më 17 tetor të vitit 1945, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45. Për më shumë rreth kësaj, do njihemi në këtë shkrim, të cilin Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë.
Fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në Plenumin e IV-të të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare, më 17 tetor 1945
Në rast se ne nuk do të përmirësojmë sektorin ekonomik, detyrimet që kemi kundrejt popullit dhe kundrejt shteteve, me të cilët kemi marrëdhënje tregëtare, do të jenë një shkak që të na bëjnë të jemi të varur dhe politikisht. Këtë gjë mos ta harrojmë kurrë; e shkuara ka qenë e hidhur. Me përjashtim të Sovjetëve, kundrejt të cilëve ne duhet të jemi shumë korrekt në çdo pikëpamje, aleatët anglo-amerikanë nuk na ndihmojnë për sytë tanë të bukur. Qëllimet e tyre dihen. Shteti ynë, me atë zhvillim të prapambetur që kishte para luftës dhe me gjithë masat që ushtronte regjimi i Zogut, prapëseprapë eksportonte diçka jashtë. Natyrisht, eksportimi ka lidhje me zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të prodhimit: si bujqësia, blegtoria, industria këtë drejtim, por ne me një organizim të mirë dhe me aktivizimin e të gjithë kapitalit të vendit, mund të arrijmë në rezultate të kënaqshme. Sektorët e mëdhenj të shtetit i kemi vënë në veprim, por zhvillimi i tyre është rudimentar. Të ardhurat kryesore të vendit tonë sigurohen nga prodhimi i minierave, të cilat do të na ndihmojnë për forcimin e sektorëve të tjerë. Vajguri është burimi ynë kryesor dhe që u intereson të gjithëve. Natyrisht, në këtë sektor vital, ne do të mbështetemi në ndihmat Bashkimit Sovjetik, por duke shikuar në radhë të parë interesin e vendit tonë.
Janë bërë bisedimet e para në këtë drejtim dhe sovjetikët kanë pranuar të na dërgojnë disa specialistë që të studiojnë çështjen në vend, të shohin çfarë ndihme mund të na japin dhe ç’maqineri duhet për t’i vënë në shfrytëzim maksimal puset e Kuçovës dhe të Patosit. Problemi i bujqësisë paraqitet dhe ai shumë me rëndësi dhe shumë i vështirë. Bujqësia jonë është shumë prapambetur, bujku ynë është shumë i varfër, metodat dhe mjetet e punës janë të vjetra. Me ndërrimin e konditave të bujkut, si rezultat i reformës agrare, duhet të ndryshojë dhe natyra e punës dhe e prodhimit. Ne duhet të prodhojmë sa më tepër, ne duhet të mos lëmë asnjë pëllëmbë tokë pa mbjellë, ne duhet të inkurajojmë dhe të futim në prodhim kultura të tjera të nevojshme, që ose nga mos ditja ose nga konditat e vështira në të cilat rronte bujku, nuk i mbillte. Kjo do të jetë politika jonë në këtë fushë. Patjetër këtu ne duhet të punojmë me sistem. Çështjen e bujqësisë, reformën agrare dhe problemet që rrjedhin duhet t’i shikojmë në përgjithësi. Bujqësia duhet ndihmuar konkretisht dhe në të gjithë sektorët: në çështjen e farës, të veglave e të kafshëve, në lëmin e blegtorisë dhe të ngritjes së punishteve të vogla për përpunimin e prodhimeve blegtorale si dhe në çështjen e pyjeve dhe të industrisë së drurit. Për këtë punë paraqitet e domosdoshme krijimi i një banke edhe kapitalet private dhe sidomos në çështjen e blegtorisë dhe të prodhimeve industriale që nxirren nga ajo.
Reforma agrare ishte një nga reformat tona më të mëdha, e cila do t’i japë pa dyshim një hov bujqësisë sonë. Por në radhë të parë ne duhet të punojmë në zbatimin e mirë dhe të shpejtë të reformës. Në lidhje me reformën agrare është çështja e popullimit dhe e bonifikimeve. A do të mund t’i bëjmë dot ne këto, në këto momente? Është zor t’i kryejmë si duhet, por kjo s’do të thotë që ne s’duhet të fillojmë. Sipas statistikave që na paraqiten dhe sipas rezultateve të para që kanë rezultuar nga ndarja e disa çifligjeve, tani për tani nuk parashikojmë të kemi shumë tokë për të populluar dhe popullimi do të jetë i kufizuar derisa të fillojnë bonifikimet në shkallë të gjerë. Për ato familje bujqish, që ne do të shpërngulim, duhet t’u sigurojmë të paktën minimumin e mjeteve të punimit. Duhet të kemi kujdes që në tokat e shpronësuara të vendosen në radhë të parë familjet e dëshmorëve, të ushtarëve dhe bujq të varfër. Ndërsa bonifikimet për arsye buxheti dhe teknikësh s’mund të fillohen dot që tani në shkallë të gjerë. Por konstatohet se masat e popullit me vullnet të madh kanë filluar dhe po hapin kanale dhe vija për kullimin e ujërave dhe për vaditjen e tokave. Këtë gjë ne duhet ta inkurajojmë dhe ta ndihmojmë më shumë. Problemi financiar dhe ky është një problem i madh që duhet të na preokupojë.
Shpenzimet, të gjithë duhet ta dinë, janë shumë më të mëdha nga të ardhurat e zakonshme. Po t’u shtojmë këtyre edhe tatimet e jashtzakonshme arrijmë të kemi një buxhet të balancuar, por megjithatë ai do të realizohet me zor të madh. Sikundër që e dini, buxheti ynë është i mbështetur në më shumë se gjysma, në tatimet e jashtzakonshme. Të ardhurat e tjera janë taksat e ndryshme. Kuptohet vetëvetiu që, me një tregëti të paralizuar, me një industri të shkatërruar, me një bujqësi të dobët, me varfërimin e popullit dhe me zhdukjen e gati të gjitha taksave direkte, të ardhurat nga taksat janë të pakta. Kjo gjendje natyrisht pengon realizimin e programit të punimeve të ndryshme. Shumë qarqe ankohen pse s’u dërgohen kreditë që u janë caktuar në buxhet, por s’mendojnë se nga mund të dalin aq kollaj këto kredi. Shumë qarqe kanë lënë krejt pas dore vjeljen e taksave dhe mbahen vetëm me buxhetin që u ka caktuar qendra. Disa qarqe, pa menduar aspak mirë se ku po shkojmë me problemin financiar, shkelin edhe ligjin, duke kërkuar të mos i mbledhin fare taksat, pse gjoja kështu do të bëjnë përshtypje të mirë. Të gjithë e dimë se bën përshtypje të mirë po të mos marrësh asgjë nga populli, por kur të mos paguaj askush, qoftë dhe aq sa është caktuar, si bëhet puna? Si do ta përballojmë këtë vit financiar?
Në radhë të parë me kursime dhe kur ne themi kursime, s’duhet të kuptojmë që të paguajmë me mijëra nëpunës që nuk punojnë dhe të lëmë mënjanë punimet. Kursime bëhen si duke spastruar parazitët, që mund të kenë mbushur zyrat, ashtu edhe duke aktivizuar popullin në punë vullnetare për të mirën e tij dhe atë të përgjithshme. Atij i duhet dhënë të kuptojë se konditat janë të vështira. Pastaj mbi të gjitha duhet të na dhimbset leku i shtetit, ta përdorim me vend, ta kontrollojmë si duhet. Në këtë drejtim jemi shumë pas dhe lypset patjetër një kthesë, pse përndryshe mund të gjendemi përpara një falimentimi. Mallrat që sjellim nga jashtë, bujqësore, që t’i vijë në ndihmë bujqësisë dhe jo ta rjepë sikundër bëhej më parë. Krijimi i kësaj banke është duke u realizuar, por këtu duhet të kemi kujdesin që kreditë që u jepen bujqve të shkojnë realisht në ngritjen e bujqësisë. Për këtë duhet bërë një punë e gjerë edukuese me bujqit që këto kredi të përdoren drejt. Një politikë e mirë në këtë drejtim, do të jetë një nga faktorët kryesorë të ngritjes ekonomike të vendit. Po të arrijmë të përmirësojmë prodhimin e grurit e të misrit, si dhe të kulturave të tjera, ne do të shpëtojmë nga një pjesë e madhe e importit të bukës nga jashtë, gjë që na lejon të importojmë gjëra të tjera që do të ndihmojnë për ngritjen e sektorëve të tjerë dhe shtimin e prodhimeve të tyre.
Përveç kësaj, përmirësimi i blegtorisë do të na lejojë eksportimin e leshit dhe ngritjen e një industrie në vendin tonë. Lëkurët në këtë kohë kërkohen kudo pa dallim. Industria e drurit te ne ka qenë shumë pas. Ne importonim mjaft dërrasa nga jashtë, kurse ne mund të ngremë në vend një industri të drurit e të letrës që të përballojmë të paktën nevojat e vendit. Në këtë drejtim përveç barrës së madhe që i bie shtetit, mund të aktivizojmë fare lehtë dhe që i shesim janë një mjet që na lejon të përballojmë nevojat tona që shkaktohen nga vonesa e vjeljes së taksave e të tatimeve, por mos të harrojmë se këto shuma mbeten kurdoherë në pasivin e buxhetit të shtetit. Me vënjen në qarkullim të kartmonedhës së re vihet në diskutim edhe çështja e një deflacioni të ri. Meqenëse jemi në çështje paraje, këtu dua të theksoj se shokët e Partisë që punojnë në pushtet dhe veçanërisht që gjenden në zyrat e shpërndarjes së mallrave, si në qendër dhe në qarqe, duhet të jenë rigorozë në çështjet financiare dhe në mbajtjen e pasqyrave në rregull. Kjo s’është një gjë e vogël, atje janë miliona dhe këtë e them sepse po bëhen abuzime në sektorë të ndryshëm deri edhe në ushtri, bile edhe nga ndonjë që e quan veten anëtar i Partisë. Gjëra të tilla do të shtypen pa mëshirë, qoftë kur bëhen me dashje, qoftë pa dashje. Anëtari i Partisë në radhë të parë duhet të ketë kokën në vend dhe ndërgjegjen të pastër.
Të shohim pak problemin e rindërtimit dhe ç’mund të bëjmë në këtë sektor. E dimë të gjithë si paraqitej gjendja. Plani i qeverisë ishte që në radhë të parë dhe urgjentisht të rregulloheshin komunikacionet, rrugët, urat, transportet. Në ngritjen e urave ne patëm një sukses të madh. Pse e patëm këtë sukses? Sipas mendimit tonë kjo u arrit sepse atje u punua më me ndërgjegje dhe udhëheqësit e atij sektori i qëndruan vetë mbi kokë punës. Gjithashtu shumë material u gjend prej njerëzve tanë dhe u ble prej pushtetit. Këto ishin faktorët e suksesit në këtë sektor. Gati të gjitha centralet elektrike janë vënë në rregull siç ishin më parë, por këto janë mjaft të vjetëruara. Më preokupante tani, pas ndreqjes së urave, dhe meremetimit pak a shumë të mirë të rrugëve, është problemi i strehimit të popullsisë që ka mbetur pa strehë. A mund të bëjmë shumë gjëra në këtë drejtim dhe gjëra me themel? Tani për tani është vështirë. S’jemi në gjendje të bëjmë shtëpi të reja dhe në seri në fshatra të ndryshme që janë djegur dhe shkatërruar. Por ne duhet të përpiqemi që këta njerëz të popullit të futin diku kokën. Prandaj duhet të bëjmë çmos për të ndihmuar iniciativat private ose kolektive për ngritjen e kasolleve ose të shtëpive provizorë për këtë dimër.
Nga ana tjetër në këtë sektor duhet të punojmë për projektimin e planeve të fshatrave të djegura ose të qyteteve, që në raste të volitshme të fillojmë punimet. Por, si kjo, si çështja e elektrifikimit të vendit, gjë me shumë rëndësi, lypin kondita më të favorshme se këto që jetojmë. Në çështjen e transportit jemi shumë dobët. Ngjet një fenomen në çështjen e automjeteve. Të gjithë e dimë që jemi keq dhe që mund të mbetemi për hall. Asnjeri s’të jep automjete, sepse kudo ndjehet nevoja. Të gjithë themi që duhet të bëjmë kursime dhe t’i ruajmë, por asnjeri s’bën gjë. Ata që kanë automjete për punët e shtetit, fare pak kujdesen, ata që s’kanë fare, kritikojnë nga të katër anët, por kur ju bie në dorë një automjet, “pëlcasin” sa ta prishin. Kjo s’është për të qeshur. Ato automjete që kemi trashëguar kanë qenë të vjetra, por fakti është që ne kemi abuzuar dhe vazhdojmë të abuzojmë në këtë drejtim. Si në çdo fushë aktiviteti e sidomos për çështjen e transportit, njerëzit e Partisë duhet të vënë patjetër rregull. Nga ato pesë makina që kemi, varet buka e popullit, varet transporti i kripës e i gazit, varen ndërmarrjet industriale, punët botore, shfrytëzimi i minierave tona. Po të kemi parasysh rëndësinë e këtij problemi të madh do të vëmë gishtin në kokë. S’ka tjetër zgjidhje në këtë drejtim. Perspektivat s’janë të ndritura. Ky është realiteti.
Problemi i arsimit duhet të bëhet një problem i gjithë Partisë. Cila duhet të jetë politika arsimore e Partisë dhe e shtetit tonë? Të gjithë duhet të pajisen me arsim. Duhet luftuar analfabetizmi, shkolla fillore të bëhet e detyrueshme për të gjithë, të përpiqemi të pajisim brezin e ri me një kulturë të përgjithshme të shëndoshë, të orientojmë pjesën më të madhe dhe më të shëndoshë të rinisë në degën e bujqësisë dhe të industrisë, të formojmë kuadro arsimtarësh të shëndoshë dhe t’i shtojmë këta kuadro. Të zhdukim mentalitetin se “edhe pa arsim e pa kulturë mund të bëjmë çdo gjë”. Boll e ndjejmë tani ç’do të thotë të mos kesh njerëz të kulturuar, që të drejtojnë punët, të mos kesh inxhinierë, teknikë, agronomë e të tjerë. Ç’do të ndodhë më vonë në rast se ne nuk marrim që tani masat dhe nuk bëjmë një politikë arsimore të shëndoshë dhe të gjerë? Do të fillojmë me këta që kemi. Rëndësi të veçantë duhet t’i vëmë arsimtarëve të shkollave fillore, pse ata kanë në dorë gjithë brezin e njomë. Me një politikë të drejtë kundrejt tyre, ne mund të kemi shumë sukses me ta, pse këta, mos harrojmë, shumica janë djem e vajza të popullit, të vobektë, më afër nesh, më afër popullit dhe që rrojnë me popullin. Mësuesi është çdo gjë në fshat. Kjo s’përjashton që edhe me profesorët duhet të kemi një qëndrim të drejtë, sido që mjaft prej tyre janë indiferentë ose qëndrojnë akoma larg pushtetit tonë.
Kërkesat për hapje shkollash janë shumë të mëdha dhe kapërcejnë mundësitë tona. Çdo fshat kërkon të ketë një shkollë. As buxheti s’na e lejon këtë, por as edhe teknikisht s’jemi në gjendje. Megjithatë ne duhet të çelim një numër shkollash, duke u përpjekur të pregatitim mësues të rinj të dalë nga kurse pedagogjike që duhet të krijojmë. Këta mësues të rinj me kohë do të perfeksionohen dhe do të plotësojnë dituritë e tyre. Programi i shkollave do të jetë një gjë e vështirë që të hartohet për këtë vit shkollor. Jemi duke studiuar programet e shkollave të mesme sovjetike, por kjo do të dojë një kohë mjaft të gjatë sa t’i përkthejmë, t’i studjojmë dhe të vendosim një program të përshtatshëm për shkollat tona. Tani jemi të detyruar të ecim me programet e vjetra duke pasur shumë kujdes në zhvillimin e mësimeve të historisë, të pedagogjisë, të psikologjisë e të moralit, sepse në këto lëndë fare lehtë, mësues o profesorë me frymë të vjetër mund të çorientojnë të rinjtë dhe t’i drejtojnë jo atje ku duam t’i çojmë ne, po në rrugën e kundërt. Hapja e konvikteve, gjë që është e domosdoshme, paraqit gjithashtu vështirësi të mëdha për konditat ekonomike dhe sidomos për mungesë të bazës materiale. Kemi vendosur të hapim katër konvikte ku duhet të shkojnë kryesisht bij fshatarësh, punëtorësh, bij të dëshmorëve dhe të luftëtarëve, fëmijë të varfër të popullit.
Gjithashtu po përpiqemi që të dërgojmë të studjojnë jashtë në universitete një numër studentësh. Këtu na pengon çështja financiare dhe marrëdhënjet financiare me vendet e tjera. Kemi kërkuar nga vendet miq të na pranojnë studentë me bursë. Problemi i ushtrisë është natyrisht i rëndësishëm dhe duhet që ta diskutojmë. Në situata të tilla ndërkombëtare, ku çdo gjë është e paqëndrueshme, ushtrinë duhet ta mbajmë në këmbë dhe ta kemi të fortë. Ushtria jonë operative arrin deri më Sikundërqë e shihni kjo ushtri është mjaft e madhe për vendin tonë dhe është e pamundur që ne të mbajmë për shumë kohë një efektiv kaq të madh në numër. Mbajtja për një kohë të gjatë e këtij efektivi jo vetëm që mund të na dëmtojë ekonomikisht, por mund të pengojë dhe forcimin e modernizimin e ushtrisë, pse ndjejmë mungesë të madhe në kuadro oficerësh për t’i edukuar këto masa. Prandaj na vihet përpara çështja e riorganizimit të ushtrisë në pikëpamje efektivi dhe kuadrosh dhe në lidhje me këtë, pregatitja e bazave të mobilizimit dhe ajo e organikave të paqes. Tani ne sapo kemi filluar të rregullojmë çështjen e mobilizimit, pa të cilën në asnjë mënyrë nuk mund të procedojmë në çmobilizimin dhe mobilizimin e ri.
Derisa ne të kemi organizuar çështjen e mobilizimit dhe të kemi pregatitur organikën e paqes dhe efektivat e kuadrot rezervë me armatimin e nevojshëm, ne mendojmë që divizionet që kemi, t’i përmbledhim në më pak divizione. Nga ata që ngelin, një pjesë ta çmobilizojmë, duke e inkuadruar në kuadrot rezervë, një pjesë tjetër me ja dhënë Mbrojtjes, për të kompletuar efektivin e vet. Ushtarët e Mbrojtjes dhe ata të policisë do të jenë efektivë me rrogë. Situata më vonë do të na mësojë se a duhet ta pakësojmë ushtrinë a jo. Prapavijat e ushtrisë janë mjaft të dobëta dhe organet tona megjithëse hasin mjaft pengesa, prapë nuk e kanë fituar eksperiencën e organizimit dhe të përgjegjësisë. Kjo shkakton që të gjendemi përpara situatave shumë të vështira, si për shembull kazermimi i ushtrisë dhe veshja e saj. Këtu jemi keq, për mos me thënë shumë keq. Ushtarët tanë akoma flenë jashtë ose detyrohemi të marrim masa jo të përshtatshme për kohën e sotme. Çështja e veshmbathjes së ushtrisë është një problem që duhet të zgjidhet në vend dhe ushtarit t’i sigurohen kurdoherë rrobat dhe këpucët. Mos kujtojmë se entuziazmi mund të vazhdojë për jetë, po s’ditëm ta ushqejmë dhe ta mbajmë lart. Prandaj në këtë drejtim shokët e Partisë duhet të vënë të gjitha forcat dhe kujdesin pse këtej varen shumë gjëra.
Një punë të madhe duhet të zhvillojmë në ngritjen e kuadrove të rinj dhe në edukimin e tyre. Këtu jemi mjaft prapa. Pa kuadro oficerësh të mësuar ne nuk mund të kemi një ushtri të rregullt dhe moderne. Nga partizanët e vjetër, një pjesë janë graduar, një pjesë kanë shkuar në pushtet, një pjesë do të çmobilizohen, pse s’mund të mbahen tërë jetën nën armë. Ata do të kalojnë në ushtrinë rezervë. Dhe kështu, ushtria jonë, do të përtërihet me datëlindje të reja me të cilat ne duhet të bëjmë një punë edukative të re, t’u futim në shpirt dashurinë për ushtrinë, t’i edukojmë si duhet. Kjo do të bëhet kur ne të arrijmë të kemi kuadrot e oficerëve të mirë dhe të mësuar se përndryshe ushtria jonë do të marrë formën e ushtrisë së Zogut, ku mbretëronte xhahil llëku. Konstatohet me kënaqësi se oficerët tanë të dalë nga lufta, që kemi dërguar për studime në Bashkimin Sovjetik, kanë një etje të madhe për mësim dhe shkojnë mirë në mësime. Kemi pra të bëjmë me një gjeneratë oficerësh që i hapin ushtrisë një perspektivë shumë të mirë. Në këtë drejtim duhet të punojmë dhe në vendin tonë duke përmirësuar shkollat që kemi, kurset e ndryshme dhe të gjithë edukimin në ushtri. Kjo edukatë të mos jetë e përciptë, por serioze.
Në këtë situatë të jashtme dhe të brendshme, me këtë pushtet dhe me këtë program pune, Partia vihet përpara një prove të madhe që është ajo e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, për caktimin e formës së regjimit dhe të Statutit Themeltar të Shtetit. Zgjedhjet nuk janë një operacion i thjeshtë, këtu do të njihet forca e Partisë, forca e saj udhëheqëse, këtu do të njihet zotësia e çdo anëtari të Partisë. Në fushatën elektorale do të shoshiten vlerat e Partisë dhe kjo provë e madhe do të shërbejë për ndarjen e teserave l. Të punojmë për zgjedhjet s’duhet të kuptojmë vetëm të bëjmë disa konferenca. Suksesi në zgjedhjet do të sigurohet me zbatimin e programit të punimeve, me ndërtimin e rrugëve dhe të shtëpive, me ndarjen mirë të misrit, të grurit, të kripës, të vajgurit, do të sigurohet me zbatimin si duhet të ligjit elektoral, me forcimin e pushtetit, me pjesëmarrjen e gjithë popullit në votime. Populli duhet të shohë konkretisht se njerëzit që çliruan atdheun nga okupatorët dhe tradhëtarët janë në gjendje të qeverisin, janë në gjendje të rindërtojnë vendin dhe të përmirësojnë jetën ekonomike dhe sociale të vendit. Nga fushata elektorale, shokët duhet të dalin me një eksperiencë të madhe, është fjala për teserat e anëtarësisë në Parti, të cilat filluan të ndahen në vitin 1946 pas një revizionimi të përgjithshëm, që u bë në Parti. kjo të jetë një shkollë për ta dhe t’i armatosë për zgjidhjen e problemeve të tjera të mëdha që do të hasim përpara. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016