Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet autobiografia e Shemsi Totozantit, një prej personaliteteve të spikatura të Partisë Komuniste Shqiptare që nga krijimi i saj, dhe gjithashtu gjatë Luftës Antifashiste, i cili nga viti 1945 e deri në 1974-ën, kur u arrestua dhe vuajti dhjetë vjet burg politik në burgun e Burrelit e kampin e Ballshit, do të mbante disa detyra dhe funksione të larta, si: zv /Ministër i Arsimit, Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, ambasador i Shqipërisë në Paris dhe Sofie, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare etj. E gjithë autobiografia e Totozanit e shkruar prej tij në vitin 1951. ku pasqyrohet jo vetëm jeta personale dhe karriera plot ulje e ngritje e tij, por indirekt apo tangent, ai tregon edhe disa nga anët më të errëta të historisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Luftës Antifashiste, siç është p.sh., roli i Dushan Mugoshës gjatë Luftës, apo përpjekjet e Partisë Komuniste Shqiptare për t’u lidhur me Partinë Komuniste Greke që gjatë periudhës së Luftës, gjë të cilën, historiografia dhe propaganda zyrtare e para viteve ’90-të, nuk do ta përmendte kurrë, pasi Enveri e konsideronte Partinë Komuniste Greke dhe udhëheqësit e saj në atë kohë, si trockistë.
Menjëherë pas mbarimit të Luftës, me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, Enver Hoxhës, u lëshua një urdhër për të gjithë qarkorët e Partisë, ku thuhej që të gjithë anëtarët e Partisë dhe ish-partizanët që kishin marrë pjesë në Luftë, duhet që të dorëzonin në celulat apo organizatat e tyre, çdo letër, shënime, raporte, informacione, urdhra, ditarë, dokumente apo dorëshkrim të tjera që i përkisnin periudhës së Luftës (1939-1944) apo kishin lidhje direkt me “Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Në këtë kuadër, në ato vite pjesa më e madhe e atyre komunistëve dhe ish-partizanëve që dispononin “dokumente” të tilla, i dozuan ato, pasi sipas urdhrit të firmosur nga Enver Hoxha, në të kundërt ata do të kishin pasoja të rënda, se “ia kishin fshehur Partisë” ato dokumente, që në radhë të parë “do shërbenin për Historikun e Luftës”, apo “Historikun të Partisë Komunistë të Shqipërisë”, etj., etj.
Po kohë pas kësaj, po me sugjerim të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës, u morr një vendim tjetër, ku thuhej që çdo komunist (anëtar partie), duhej që të bënte me shkrim një autobiografi të tij, ku duhej të shënonte të gjithë historinë e jetës së tij, që nga dita që kishte lindur, origjinën familjare, (të tijën personale dhe të bashkëshortes, kush ishte krijuar familje) shkollimin, studimet, punët që kishte bërë, pjesëmarrjen, aktivitetin dhe detyrat e funksionet që kishte mbajtur si gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut ashtu dhe gjatë Luftës, (1939-1944), pikëpamjet politike që kishte pasur, zonat dhe qytetet e fshatrat ku kishte qëndruar, vërejtjet dhe dënimet që mund t’i ishin dhënë gjatë periudhës së Luftës dhe pas saj, vlerësimet dhe dekorimet, me urdhrat e medaljet që i ishin akorduar, etj., etj.. Të gjitha këto duhet të ishin të precizuara me vite dhe data dhe shënimet në autobiografi duhet të ishin deri në ditën që nënshkruhej ajo, e cila më pas i dorëzohej sekretarit të organizatës bazë, ku bënte jetën e partisë çdo komunist.
Kjo autobiografi, depozitohej në dosjen personale që kishte çdo anëtar partie dhe ajo e shoqëronte atë në çdo detyrë apo funksion kudo që ai transferohej dhe aty duhej shënuar gjithçka “pa i fshehur asgjë Partisë”, dhe ato që shkruheshin duhet të ishim shumë të vërteta, pasi në të kundërt, ai mbante përgjegjësi të rëndë, ku si fillim përjashtohej nga Partia dhe shkarkohej nga detyrat e funksionet që mbante e më pas kishte dhe konsekuenca të tjera. Autobiografia e anëtarit të Partisë, bëhej njëherë në dhjetë vjet, apo dhe më shpesh, sipas orientimeve që jepeshin nga organizata bazë e Partisë, (kur dyshohej se komunisti kishte fshehur diçka), apo nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe ajo praktikë, (pra bërja e autobiografisë) me anëtarët e PPSH-së vazhdoi deri në fundin e viteve ’80-të kur do shembej ai regjim.
E gjitha kjo praktikë, e kishte zanafillën nga “Historia e Partisë Komuniste Bolshevike”, ku nën parullën e Leninit, “çdo komunist është një çekist”, Partia, kontrollonte e survejonte të gjithë anëtarët e saj, pa pasur nevojë që ata t’i kontrollonte KGB-ja, gjë të cilën e zbatoi me përpikëri edhe Enver Hoxha në Partinë Komuniste (më pas PPSH-ja), deri në fund të jetës së tij. Pra, duke i kontrolluar anëtarët e Partisë edhe me anë të autobiografive që ata ishin të detyruar që të shkruanin, së cilës nuk mund t’i shpëtonte asnjë nga funksionarët e lartë partiakë dhe shtetërore, duke filluar nga vetë Enver Hoxha.
Në këtë kuadër, Memorie.al po publikon autobiografinë e Shemsi Totozanit, një prej kuadrove dhe personaliteteve të spikatura të Partisë Komuniste Shqiptare që nga periudha e Luftës dhe më pas, nga viti 1945 e deri në fillimin e viteve ’60-të, kur ai u shkarkua nga shërbimi diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme (ku kishte shërbyer si ambasador në Paris dhe Sofie), për shkak se ishte baxhanak me Bedri Spahiun, që u godit nga Enver Hoxha dhe u burgos e internua për vite me radhë, i akuzuar si “armik i popullit dhe i Partisë”. Pas kësaj, Totozani u dërgua fillimisht si Drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe më pas mësues i gjuhës frënge në shkollat e mesme, ku dhe doli në pension në qytetin e Elbasanit ku e dërguan me dëbim në vitin 1967, pasi ai nuk pranoi të bënte autokritikë në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë, ku i’u kërkua të akuzonte Bedri Spahiun, por ai indirekt akuzoi Enver Hoxhën.
Qëndrimi që mbajti Shemsi Totozani në atë mbledhje, do t’i kushtonte rëndë dhe ai u bë shkak që të survejohej rregullisht nga Sigurimi i Shtetit, deri sa në vitin 1974 ai u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik, të cilat i vuajti kryesisht në Burrel dhe Ballash, nga ku u lirua vetëm në vitin 1982, ku ai do të shkonte përsëri në internim familjarisht në qytezën e Belshit, duke qëndruar aty deri në vitin 1990 që u kthye në qytetin e Elbasanit, ku dhe ndërroi jetë pas dy muajsh, prej sëmundjeve dhe torturave që kishte kaluar gjatë periudhës së burgut dhe internimit.
Autobiografia e Shemsi Totozanit, (një komunisti idealist, ashtu siç ishte një pjesë e mirë e atyre komunistëve dhe ish partizanëve që ishin shkolluar dhe diplomuar në Perëndim), është shkruar prej tij në vitin 1951 dhe aty pasqyrohet jo vetëm jeta dhe karriera plot ulje e ngritje e një anëtari partie, por indirekt apo tangent, ai tregon edhe disa nga anët më të errëta të historisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Luftës Antifashiste, siç është p.sh., roli i Dushan Mugoshës gjatë Luftës, apo përpjekjet e Partisë Komuniste Shqiptare për t’u lidhur me Partinë Komuniste Greke që gjatë periudhës së Luftës, gjë të cilën, historiografia dhe propaganda zyrtare e para viteve ’90-të, nuk do ta përmendte kurrë, pasi Enveri e konsideronte Partinë Komuniste Greke dhe udhëheqësit e saj në atë kohë, si trockistë.
Për më shumë rreth kësaj dhe sa më sipër, na njeh autobiografia e Shemsi Totozanit, e cila është një dokument arkivor i nxjerrë nga dosja e tij që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit (Fondi 14, I ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë.
AUTOBIOGRAFI E ANËTARIT TË PARTISË
SHEMESI TOTOZANI
Jam nga Gjirokastra dhe kam lindur në Delvinë më 30 dhjetor 1910 nga një familje nënpunësisht të mesëm që s’ka pasur ndonjë të ardhur përveç rrogës. Im atë, që ka vdekur në maj të 1924-ës, ka qenë gjykatës, hetues, komisar policie, nënprefekt dhe kur ka mbetur pa punë, është marrë me të dhjeta. Ai ka pasur mendime përparimtare, ka qenë antizogist dhe pro mendimeve të Fan Nolit, kundra përçarjeve fetare. Në familje kam marrë një edukatë të mirë, pse dhe nëna ime ka qenë për natyrë shumë e urtë. Kam mbaruar Liceun e Korçës më 1931-in dhe kam ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë në Strasburg të Francës, po i kam ndërprerë më 1935-ën, dhe më 1937-ën, definitivisht për arsye të një operacioni të vështirë në syrin e djathtë.
Prej marsit të vitit 1932, gjer më shtator të këtij viti, kam shërbyer si mësonjës në Gjirokastër dhe prej nëntorit 1937, gjer në shkurt 1942, kam qenë profesor në Institutin Tregtar të Vlorës, s’andejmi jam transferuar në gjimnazin e Gjirokastrës ku kam qëndruar gjer në korrikun e 1942-it, datë në të cilën jam hedhur definitivisht në ilegalitet. Kudo që kam shërbyer e kam kryer detyrën me ndërgjegje dhe kam propaganduar kundra regjimit të Zogut dhe atij fashist.
Pas çlirimit kam qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit (janar 1945-tetor 1946), Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë (tetor 1946-dhjetor 1946), Drejtor i Shkollës Pedagogjikë “17 nëntori” (janar 1947 – dhjetor 1948), Drejtor i Shkollave në Ministrinë e Arsimit (dhjetor 1948-janar 1949), dhe që prej janarit 1949, ndihmës Ministër i Arsimit.
Di mirë të flas dhe të shkruaj gjuhën frëngjishte se e kam mësuar në shkollë vjet me radhë, në praktikë kam mësuar kam mësuar të flas pak italisht dhe greqisht. Edukata që kam marr në familje dhe në shkollë nga profesorët përparimtarë francezë, vuajtjet e popullit tonë, më bënë të urrej që në moshë të re, regjimin e Ahmet Zogut. Më 1928-ën, bashkë me disa shokë të tjerë kundërshtoj të marr pjesë në Entin Kombëtar në Gjirokastër dhe mundohem ta sabotoj, për këtë rrezikohem të dal para gjyqit.
Më 1931-in, arrestohem tre javë për disa shkrime të Fan Nolit dhe Halim Xhelos, më 1932-in, arrestohem për pak ditë si antizogist, në lidhje me “Organizatën e Vlorës”, më 1935-ën, me “Lëvizjen e Fierit”, marr pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes në Gjirokastër, më 1937-ën, në “Lëvizjen e Et’hem Totos”, marr pjesë në varrimin e Xhelal Shtëpanit (të cilin e dija komunist), kundra urdhrit të autoriteteve lokale. Në Liceun e Korçës, nga pakënaqësitë që kishim në internat, mësuam të organizoheshim dhe të kërkonim me greva të drejtat tona. Në Francë kam qenë i entuziazmuar për krijimin e Frontit Popullor dhe kam qenë vazhdimisht një simpatizonjës i mirë i komunistëve, por vetëm kaq.
Ditët që m’u dha rastësisht mundësia të njihesha me një grup komunistësh të organizuar, m’u desh të kthehesha në Shqipëri. Këtu fillova të interesohesha për çështjet komuniste dhe kontaktin e parë e kam pasur me Aristidh Qëndron, (në 1938-ën), nëpërmjet shokut Shemso Çelo, i cili më premtoi se do të më lidhte me shokë të tjerë në Vlorë. Nga dëshirat për punë, m’u duk sikur një botë e tërë hapej para meje, aq sa nuk u’a vura veshin fjalëve të Qemal Stafës, i cili u përpoq të më tërhiqte në grupin e tij, kjo kuptohet për shkak të konspiracionit të kalbët që ekzistonte. Meqenëse nuk më erdhi asnjë lidhje nga Aristidhi, ja nisa punës vet me dy nxënësit e m’i të Institutit Tregtar, Hysni Kapon dhe Sinan Gjonin, derisa më në fund u lidha në Vlorë me Grupin e të Rinjve, që drejtohej nga Sadik Premtja.
Këtu gjeta një punë më të shëndoshë, më të organizuar dhe entuziazmi m’u shtua. Me kohë, shumë arsye më bënë të mos shkoj mirë në këtë grup, si: autoriteti i tepruar i “Xhepit”, (Sadik Premtes), vendimet arbitrare të Sinanit, pikëpamja e moralit dhe nevoja e vjedhjes. Në pragun e formimit të Partisë, përveç punës politike që kam bërë në shkollë, kam marrë pjesë në demonstratën e 28 nëntorit 1941, bashkë me nxënësit. Qëndrimi im ka qenë mirë gjatë atyre dy orëve që qëndrova i arrestuar. Kam qenë gjithnjë për bashkimin e grupeve, por nuk ma ka vënë njeri veshin nga shokët e Vlorës.
Më formimin e Partisë, u shkëputa me kënaqësi të madhe nga grupi dhe që ditën e organizimit të Partisë në Vlorë, konstatova se po i hynim një punë me të vërtetë serioze. Nuk di përse, atëhere, Dushani dhe shoku Shule, (Kristo Themelko), më lanë përshtypjen se nuk i shihnin me sy të mirë intelektualët në parti. Një gjë të tillë ata ma kanë thënë shprehimisht më vonë në Gjirokastër. U zgjodha në atë kohë anëtar i Komitetit Qendror, i ngarkuar me punë me nacionalistët. Si rrjedhim i demonstratës së 28 nëntorit, me 26 shkurt 1942, më arrestuan dhe më mbajtën dy javë në burgun e Tiranës, ku me Fejzo Gjomemon, Gaqo Naston etj., formuam kolektivën e parë dhe organizuam konferenca. Me iniciativën e tij, drejtori Italian i Institutit Tregtar, Geennaro LIONETTI, (që na është dukur mua dhe shokëve, si element antifashist), është interesuar dhe më ka nxjerrë nga burgu.
Më 9 mars, kur u ktheva në Vlorë, po përgatitesh ‘Greva e Bukës’, Mënyr Xhindi, anëtar i Komitetit Qarkor, më porositi të mos merrja pjesë në këtë grevë, se porsa kisha dalë nga burgu. Të nesërmen bashkë me shokë të tjerë (Hysni Kapo, Naun Hondro, Mënyr Xhindi, etj.), u hodha në ilegalitet në krahinën e Mesaplikut. Nuk më ka pëlqyer shumë ilegalitet i shokëve më të mirë, se ishim në fillim të punës. Dy javë më pas, me interesimin e disa miqve të mi, nacionalistë dhe duke shpresuar se ja vlente të rrija akoma në qytet, më pëlqimin e tija, Hysni Kapos dhe Mënyr Xhindit, (që të tre anëtar të Komitetit Qarkor, shoku Hysni ishte sekretar), unë zbrita në Vlorë, për të vazhduar si ilegal punën me nacionalistët.
Në këtë kohë, Ministri i Arsimit, Xhevat Korça, më thirri në Tiranë dhe unë kërkova më kot tre here rresht mbledhjen e Komitetit Qarkor, për të vendosur nëse duhej të shkoja apo jo. Më në fund, sekretari organizativ, Sinan Gjoni, më njoftoi me një biletë se mund të nisesha për në Tiranë. Këtu kërkova transferimin për Gjirokastër, ose dorëheqjen, pse të qëndroja lirisht në Vlorë, do të thoshte, të bija në duart e fashistëve.
Çështjen ja kam referuar Komitetit Qendror (shokut Shule), i cili m’u përgjigj, se këtë punë duhet ta zgjidhte Vlora. Këtu gjeta vetëm shokun Manush Myftiu, kurse anëtarët e tjerë të Qarkorit, ndodheshin jashtë qytetit. Të dy mbetëm dakord, që unë të shkoja në Gjirokastër. Kujtoja se edhe dy shokë të Komitetit Qarkor, në mungesë të të tjerëve, mund të marrin vendim, pavarësisht nëse ky është i drejtë apo jo.
Në prill 1942, hyra në organizatën e Gjirokastrës si anëtar i thjeshtë dhe pa asnjë lidhje partie. Muaj më pas, më thirrën për sqarim shokët e Vlorës, refuzova të shkoja, jo vetëm se isha i sëmurë nga stomaku, por edhe pse isha i bindur se kisha të drejtë. Kjo ishte gabim nga ana ime. Për këtë, organizata e Vlorës ka kërkuar përjashtimin tim nga Partia për një muaj. Në Gjirokastër, kam bërë punë politike sidomos në shkollë gjer më mbylljen e saj (në maj 1942), jashtë shkollës, kam mbajtur lidhje të rregullta me elementin nacionalist, si Faik Quku, Naço Kuka etj., sipas udhëzimeve të Partisë. Kam punuar me shtresa të ndryshme, kam sabotuar rekrutimin e ushtarëve e të milicëve. Në këtë kohë kam kundërshtuar në organizatën bazë vendimin e Partisë, për një demonstratë që më dukej e pazakonshme, më vonë e anulloi vetë Komiteti Qarkor.
Më 16 korrik 1942, për shkak të një dokumenti të organizatës së Vlorës që kishte rënë në duart e armikut, u hodha në ilegalitet. Në vjeshtë të vitit 1942, u zgjodha anëtar i Komitetit Qarkor, në mënyrë demokratike dhe jo nga lart, siç kish insistuar shoku Shule, (i deleguar i Komitetit Qendror), i cili në këtë rast u luftua nga Komiteti Qarkor i vjetër dhe nga unë. Gjatë nëntë muajve (korrik 1942-prill 1943), ilegalitetin e kam kaluar vazhdimisht në qytetin e Gjirokastrës, edhe në ditët më të vështira të reaksionit, për arsye se kam qenë mjaft i sëmurë nga stomaku dhe se më ishte besuar gjithë puna në mungesë të shokëve të tjerë të Komitetit Qarkor.
Kam punuar dy-tre muaj edhe në teknikën e Partisë. Si ilegal jam strehuar ku kam mundur, që nga shtresat e varfra, gjer në agallarët. Shkoja kudo që ndjehej nevoja e punës, kam organizuar konferenca të gjera ilegale në lagjet e ndryshme, mbledhje xhandarësh dhe policësh. Kam mbajtur gjithnjë qëndrim të drejtë karshi elementit nacionalist dhe më vonë karshi ‘Ballit Kombëtar’ me të cilin s’kam bërë asnjë kompromis.
Në prill 1943, Komiteti Qarkor vendosi që shokët ilegalë më në sy, të linin qytetin. Pas një kohe të shkurtër, në Libohovë dhe në Labovë, shkova në Poliçan, që u bë për një kohë të gjatë qendra e gjithë veprimtarisë sonë. Këtu kam punuar në zonat e Lunxhërisë, Zagorisë, Dropullit, Pogonit dhe Përmetit. Megjithëse i drejtë, jam treguar disa herë i vrazhdë në këto zona, ku nuk ndjehesh dinamizmi që kërkonte lufta. Në këtë kohë kam qenë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut dhe ndihmës Komandant i Qarkut.
Pas kapitullimit të Italisë, më 14 shtator 1943, forcat tona dhe ato të Ballit hynë në Gjirokastër. Kam qenë i ngarkuar nga Komiteti Qarkor që të demaskoj ‘Ballin’, si organizatë tradhtare, përpara popullit të Gjirokastrës dhe forcave të dy palëve. Pikëpamja ime ka qenë që të qëndronim në qytet, o ne, o ‘Balli’ dhe hesapet t’i ndante pushka, por Komiteti Qarkor vendosi të qëndronin të dy palët dhe t’i jepej përgjigje fjalimit të Ali Bej Këlcyrës. Ky kompromis vazhdoi dy javë gjer sa erdhën forcat gjermane.
Ditën që hynë gjermanët, kam qenë në Greqi për t’u lidhur me Partinë Komuniste greke dhe me E.A.M.-in, pranë regjimentit të 15-të. Kur po formohesh Brigada e VI-të, Dushani më caktoi si anëtar të Seksionit Politik, por pas Operacionit të parë ky vendim u anullua dhe unë u caktova si përgjegjës i Agjit-propit, pranë kësaj brigade. Arsyet që m’u dhanë për këtë ulje, nuk ishin aspak me vend. Kuptohet, vetvetiu se nuk isha i kënaqur dhe rendimenti im për ata dy-tre muaj që qëndrova në brigade, nuk ka qenë i mirë. Më 2 maj 1944, me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shkova pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës, si përgjegjës i Agjit-propit.
Vetëm pas Kongresit të Përmetit, kur më sqaroj për çdo gjë shoku Enver, unë ndryshova kryekëput dhe i hyra punës çdo ditë e më mirë. Në Helmës, Odriçan e Berat, ku mora pjesë në Konferencën e kuadrove, kam qenë përgjegjës i organizatës bazë. Pas çlirimit kam qenë sekretar i celulës në Ministrinë e Arsimit dhe në 1945, anëtar i Komitetit të Dikastereve. Në këtë komitet, ku ka qenë sekretar i parë, shoku Teodor Heba dhe sekretar i dytë, shoku Kahreman Ylli, kemi ngritur shpesh ne të tre, në raporte verbale dhe me shkrim, çështje që nuk na dukeshin të drejta dhe që s’ishin të drejta, për këtë, na është bërë kohë pas kohe ndonjë këshillë nga ana e Pandi Kristos dhe më në fund qëllimisht, Koci Xoxe, ka urdhëruar që të ndaheshim nga njeri tjetri: Shoku Teodor u transferua në Durrës si sekretar i Partisë dhe shoku Kahreman, shkoi Ministër në Paris.
Kam ngritur në një aktiv të ngushtë Partie, mungesën e demokracisë në Parti, mungesën e kritikës dhe autokritikës, çështjen e frikës së anëtarëve të Partisë për të shtruar drejt problemin, çështjen e deputetëve Riza Dani, Selaudin Toto, në 1945-ën. Këto ja kam shtruar direkt edhe Koci Xoxes, i cili s’i ka quajtur të drejta. Kuptohet se pas këtyre, kanë ardhur goditjet e njëpasnjëshme për mua. Në tetor 1946, shkoi në Ministrinë e Drejtësisë si Sekretar i Përgjithshëm dhe në dhjetor 1946, më dërgojnë si drejtor i Shkollës Pedagogjike, “17 Nëntori”. Asnjë arsye nuk më jepet për këtë trajtim dhe asnjë arsye të fortë nuk mund atë gjeja në veten time. Kam kujtuar gjer në Plenumin e 8-të, këto, o kishin burimin te Nako Spiro, me të cilin isha grindur njëherë në Ministrinë e Arsimit dhe pse unë nuk kam shkuar si duhej me shokun Fadil Paçrami në Ministrinë e Arsimit.
Para se të filloja nga detyra në Shkollën Pedagogjike, bisedova gjatë me Sekretarin e Përgjithshëm, shokun Enver, por prap nuk u sqarova. S’kisha tre javë në Shkollën Pedagogjike, kur në prani të shokut Xhavit Qesja, (si i deleguar i Komitetit Qendror), Komiteti Qarkor i Tiranë më heq “vërejtje të rënda me paralajmërim me shënim në biografi”, për arsye se “kisha folur kundra kooperativave”, “kisha shkuar në kundërshtim me vendimet e Komitetit Qarkor” dhe “kisha refuzuar pranimin në Parti të shoqes Qibrie Ciu, në Gjirokastër (1943), sipas vendimit të Komitetit Qendror”.
Nuk i pranova në asnjë mënyrë dy akuzat e para, po dënimit ju nënshtrova, sa për të tretën, kjo ishte një çështje e vjetruar. Që prej asaj date, jam shikuar me sy të keq, emri im përmendej në organizatat e ndryshme të Partisë, si element armik dhe antiparti, shokët e vjetër s’guxonin të më flisnin, shpifjet për mua ishin në rendin e ditës dhe në çdo mbledhje të organizatës bazë të shkollës, do të vinte ndonjë i deleguar të Komitetit të Rajonit, apo të qytetit, për të më goditur mua, se isha “element i rrezikshëm”. Edhe Ministria e Arsimit, me anën e saj, mundohej të më godiste. Këto ndjekje kanë vazhduar kundra meje, gjeri në Plenumin e 9-të të Komitetit Central.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, kuptohet se kam qenë i pakënaqur se goditesha më kot, kisha formuar me kohë bindjen se punët nuk ecnin mirë në Parti, po asnjëherë nuk humba besimin tek partia dhe shpresën se gjithçka do të hynte në rrugë të drejtë. Një provë e mirë ka qenë puna ime në drejtimin e Shkollës Pedagogjike. Në pragun e Plenumit të 9-të, ju drejtova me një letër shokut Enver dhe çështja u zgjidh, pas Kongresit të Parë të Partisë. Nuk më ka ardhur aspak mirë që transferimi në Ministrinë e Arsimit, si Drejtor i Shkollave, ma komunikoi shoku Haxhi Kroi, i cili ai, ndihmësministri i Arsimit, nuk më pat shikuar me sy dy vjet me radhë. Prandaj edhe nuk fillova në detyrë, gjeri sa u sqarova me shokun Tuk, mbi gjithë çështjen time.
Për punën time gjatë Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe gjatë Luftës, më janë akorduar: ‘Medalja e Kujtimit’, ‘Medalja e Çlirimit’ dhe ‘Urdhri i Flamurit’.
Tiranë, më 15 shkurt 1951.
Shemsi Totozani
Deri më 1953, Kryetar i Komitetit të Arteve dhe Kulturës
1953 – 1955, Francë
1955 – 1957, Bullgari
1957 – 1962, Ministria e Jashtme
1962 – 1965, Drejtor, Biblioteka Kombëtare
1965 – 1967, mësue si gjuhës frënge në Elbasan
1967 – 1974, pesnisonist në Elbasan
1974 – 1982, i burgosur në Burrel dhe Ballsh
1982 – 1990, i internuar në Belsh të Elbasanit/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016