Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të vitit 1917 kur paria e Shqipërisë dhe disa prej politikanëve të saj të përzgjedhur nga të gjitha prefekturat e vendit shkuan në Vjenë për të marrë pjesë në homazhet te varri i Perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef, (plaku), i cili ndërroi jetë në nëntorin e vitit 1916, i cili në atë kohë, edhe pse në një moshë të thyer, kishte një rol jo të pakët në luftën e përbotshme, ku Austro-Hungaria ishte bërë palë dhe kishte në front me qindra e mijëra ushtarë të saj. Si u pasqyrua vizita e delegacionit shqiptar në Vjenë, nga gazeta e studentëve shqiptarë “Vëllazënija” që botohej në Austri, duke filluar nga emrat e delegatëve dhe parisë së Shqipërisë për çdo prefekturë të vendit, mbrritja në Vjenë dhe pritja në pallatin perandorak, fjalimi i mirseardhjes nga gjenerali Trollomann, kryekomandanti i trupave austro-hungareze në Shqipëri, vajtja në Pallatin Perandorak të Karlit të I-rë n”Apartament të Radetzky-t, ku i priti ministri i Jashtëm, Graf Czernini e Cerimonjeri i Shtëpis perandore Von Nepalez, e Camberlani i madh Graf Berchtoldi, pritja nga kryetari i Bashkisë së Vjenës, Dr. Weiskirchner, audjenca nga Arqiduka Maks n’Augartenpalais, ku Princi perandor Karl i I-rë i shoqëruar nga Graf Csechi dhe Graf Consolati, i përshëndeti miqtë e largët për vizitën e tyre, dhurata e Xhelal bej Toptanin për Arqidukeshën tre vjeçare Adeljade, darka e lamtumirës ku foli Hasan bej Prishtina dhe Imzot Nikoll Kaçorri, si dhe vizita e delegacionit shqiptar te konvikti i studentëve shqiptarë në Vjenë që financohej nga Ministria e Tregtisë së Austrisë.
Plot 105 vjet të shkuara, në nëntorin e vitit 1916, teksa Lufta e Parë Botërore (në vorbullën e së cilës ishte përfshirë dhe Shqipëria) po shënonte kulmin e saj, në mbarë botën u përhap lajmi se ishte ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare, Perandori i Austro-Hungarisë, Franc Jozefi (plaku), i cili në atë kohë, edhe pse në një moshë të thyer, kishte një rol jo të pakët në luftën e përbotshme, ku Austro-Hungaria ishte bërë palë dhe kishte në front me qindra e mijëra ushtarë të saj. Vdekja e Perandorit Franc Jozef pati një jehonë të madhe edhe në Shqipëri, pasi në atë kohë pjesa më e madhe e territorit të saj ishte nën kontrollin e trupave austro-hungareze, që shqiptarët i shihnin si shpëtimtarë të tyre. Nisur nga ky fakt, vdekja e Franc Jozefit u prit me një hidhërim të madh edhe nga ajo që mund të quhet klasa politike shqiptare e asaj kohe, si dhe nga prijësit e fiseve të ndryshme, që përbënin dhe parinë e Shqipërisë në ato vite, të cilët, në shenjë nderimi dhe respekti të thellë, shkuan deri në Vjenë për të bërë homazhe dhe për t‘i shprehur familjes perandorake të Habsburgëve konsideratat dhe falënderimet më të përzemërta për atë burrë shteti, të cilin ata e konsideronin jo vetëm si një mik të madh të tyre, por edhe si mbrojtësin më besnik të Shqipërisë, ku ata kishin varur krejt shpresat. Të gjitha këto, veç të tjerash, në atë kohë u pasqyruan me detaje edhe nga gazeta “Vëllazënija”, që botohej nga kolonia shqiptare e Vjenës, e cila i kushtoi faqe të tëra asaj ngjarjeje, duke e konsideruar Franc Jozefin si një nga shpëtimtarët e Shqipërisë. Nga ajo gazetë, Memorie.al ka përzgjedhur për botim disa pjesë nga shkrimet e saj, të cilat vijojnë nga nëntori i vitit 1916, kur dhe vdiq Perandori Franc Jozef, e deri në prillin e vitit 1917, kur delegacioni shqiptar shkoi për të bërë homazhe në Vjenë. Këto shkrime po i publikojmë në variantin e tyre origjinal, në gjuhën e shkruar të asaj kohe (pa asnjë ndryshim), duke u bërë vetëm ndonjë sqarim nga ana dialektore e gegërishtes. Ndërsa në pjesën e parë të këtij shkrimi, të botuar para disa numrash, u njohëm me jehonën që pati në shtypin shqiptar vdekja e Perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef, si dhe ceremonitë mortore të zhvilluara në Vjenë në dhjetorin e vitit 1916, në numrin e sotëm po publikojmë vizitën që bëri delegacioni shqiptar në kryeqendrën e perandorisë austrohungareze, në prillin e vitit 1917, dhe pritjen madhështore që iu bë atij nga ana e autoriteteve më të larta të atij vendi.
Gazeta “Vëllazënija”: Fjalët e Madhënis së Ti Perandorit e Mbretit Karl deputacjonit shyptar
Si Madhnija e Saj Perandoresha, ashtu edhe Unë i pëlqyem me gëzim të veçantë urimet e sigurimet e falenderjes të popullit shqypëtar. C’prej asaj kohe, qi trupet e Mija tuj luftue krah burrënisht me djelmt trima të Shqypënisë nji administracjon të rregulluem tuj i sajdis plotësisht fenat, fiset, gjuhën, shejet kombjare e të drejtat e moçme të popullit shqypëtar. Po i ndjek me nji interes fort të gjallë këto punë e tuj pa sot para Meje përfaqësonjësit e qyteteve e të fiseve të Shqypnisë, ndën prisi të Komandarit t’ushtrisë s’Ime, qi gjendet në Shqypëni, po gëzohem tuj vështrue në këto rasë nji shenj të kandshëm t’asaj marrëveshtjes së plotë, qi mbretënon në mjes të popullit shqyoëtar. Po ja siguroj rishtaz kombit arbnuer mirësinë t’Ime, ashtu edhe urimet e thjeshta të Mijat për shdrivillimin e lumë të kohës s’ardhëshme, e me ndihmë të Zotit, kur të jet vu paqi në mjes të popujve, kam me u përkujdes edhe mbas sodi pët kombin shqypëtar tuj e mbrojt e tuj j’a dhanë ndihmën t’ime, për me mujt kësodore me e pasë dikur vetëqeverimin kombja. Zoti e bekoftë Shqypninë!
Të folurit e deputacjonit shqypëtar para Madhënisë së Ti
N’emën të deputacjonit shqypëtar mbajti ma parë ma i nalti Komandar në Shqypëni, gjeneral Trollmanni kët të foluna para Madhënis së Ti: “Madhëni! Qëmoti, por sidomos këto pesë vjetët e fundçme, në të cilat vuajti ma shumë se kurr kombi shqypëtar, i ka sjellë Shqypënija sytë e vet nga Monarkija e fuqishme e Austri-Ungarisë, prej së cilës vetëm mujte me e pritë shpëtimin. Në sajë të Dinastisë jetike të Habsburgëve, Monarkija austro-ungare ja çoj popullit shqypëtar gjithë herë në vend deshiret e veta. Mbas mirësisë atnore e mbas simpatisë së së moçme, qi ka pasë Monarkia austro-ungare për Shqyptarë, ja duel zot kurdoherë, qi Shqypnija gjendej në rrezik. Kurrnji tjetër shtet i Evropës nuk u përkujdes aq fort, qi me i mbrojt çeltas me aq fuqi të kjenunit e të drejtat e kombit shqypëtar, ashtu edhe shdrivllimin e tij kombiar, si Monarkija austro-ungare, – e si të gjithë Shqyptarët e dinë – qëllimi e dëshirat e Monarkisë kjenë me e mblëdhë kombin shqypëtar në një atdhe të madh e të përbnashkët. Me këshilla të mira ju ndihmoj gjithmonë Monarkija austro-ungare Shqypëtarëvet, qio u bashkue edhe ma tepër fisi me fis për me mujt dikur me pasë të qetë udhë të përparimit e të qytetërimit me u ba një gjymtyr i vlertë i familjes së popujvet t’Evropës. U pa kjartas se Monarkija austro-ungare ish një mprojtëase e vërtetë e të gjith kombësisë shqypëtare e prandej j’a siguroj vedit atë falenderje të thjeshtë të të gjithë Shqyptarëvet. N’atë kohë kur u ç’pallë lufta ballkanike e kur fuqitë e pabesa u lëshuen me e da Shqypninë si t’ishte plaçka e tyne, vetëm monarkija austro-ungare kje atëhere ajo qi, pa kursye kurrë far fije, e çoj zanin e vet kundër atyne qi doshin me e coptue kombin shqypëtar e nuk la qi emni i Shqypnisë të zhdukej për gjithë herrë prej kartet. Në të tillë rrezik u gjet prap Shqypnia kur u kall kjo luftë qi asht ma e tmerrshmja e të gjithave. Por tash kjenë trupat e Madhnisë s’Ate, të cilat me mundë të madh e pastruen Shqypninë prej anmikut e si kemi shpresë e shpëtuenë për gjithë herë. Ç’prej asaj dite po shkon mirë populli shqypëtar me trupat perandorake e mbretnore qi janë në Shqypëni. Me mija Shqyptarësh po luftoj bashkarisht në kufi të vendit të vet më ushtarët trima të Madhënisë s’Ate e tuj u mundue së bashkut me ja mbrritë ati qëllimit qi kemi. N’emën të kombit shqypëtar, qi u shpëtue dhe po mprohet prej Austri-Ungarisë patmë sot baftin e madh me i dalë përpara Madhënisëë s’Ate, për me j’a paraqitë tributin e falenderjes të paharrueme, qi pat kombi shqypëtar, i cili ka njato ndjesi të vjeshta të prunsisë, qi kan popujt e Madhënisë s’Ate e prandej po marrim lejen me j’a paraqit Madhënsisë s’Ate Apostolike urimet e të gjithë popullit shqypëtar. N’emën të qyteteve dhe fiseve të Shqypënisë, qi kanë dërgue, po e nderojn prunisht Madhëninë tande e me falenderje në zemër po thërrasim: Rroftë Madhënija e Ti Apostolike Perandore e Mbretnore, Perandor i Austrisë e Mbret Apostolik i Ungarisë Karli. Perandori Karli i I! Mbreti Karli i IV.! Kjoftë premtue prej Perëndisë , qi Monarkija e fuqishme e Tija, e të gjithë popujt e Ti t’i korrim shpejt me paq frytet e fitimeve, qi ban trupet e Tija! Zoti e premtoftë qi edhe kombi shqypëtar të marrë pjesë në fryte, e tuj kjenë gjithmonë ndën mbrojtjen të dorës atnore të Madhnisë s’Ate Apostolike, të shoh mbas sodit dit fatbardha”.
Ditë historike për Shqypënin
Pamë ditë historike pamë ditë të mëdha me randësi të pashoqe! Përfaqësonjësit e qyteteve dhe fiseve të Shqypnisë u mblodhnë këto dit në Vjenë për me ja paraqit Madhënisë së Ti Perandorit e Mbretit Karl, nderimin e popullit shqypëtar. Marrëveshtjet e Monarkisë austro-ungare me popullin arbnuer janë fort të moçme e të përzemërta, tuj kjenë qi Dinastija e madhënueshme e Habsburgut tregoi gjithherë nji mirësi amtare për kombin shqypëtar e ju gjet nduihmë e në nevojë të veta qi pat. Me atë ditë që përfaqësonjësit e Shqypnisë u nisnë për Vjenë me i dalë para Madhënisë së Ti, ju shkoj në vend nji deshi i moçëm, qi kishin pas qëmoti babat e tyne; due m.th. Me nderue Perandorin e Mbretin e fuqishëm qi ka në vet’hje shpresën e nji kohës s’ardhshme fatlume. Populli shqypëtar e di fort mirë përse i ka vu gjithë shpresat e veta në Monarki austro-ungare, qi ka për pris të vet Dinastinë e famëshme të Habsburgvet. Me dorë të fuqishme e mbrojti Monarkija gjithmonë Shqypnminë prej thonjëvet t’anmikut, deri sa n’e bram e shpëtoj. Me këshillë të mira u mundue gjitherë Monarkija austro-ungare ne u bashkue Shqyptarët ndër vedi tuj pasë qëllim përparimin e qytetnimin e popullit shqypëtar. Për kët shkak pra kje i madh gëzimi i përfaqësonjësvet të popullit atbnuer kur u nisnë bashkarisht për Vjenë; se ça panë dhe ndjenë këta në kryeqytet të Monarkisë s’kanë me e harrue kurr, e djelmt e nipat e tyne kan me i përmendë dikur ndodhinë historike e javës së kalume. Pjestarët e deputacjonit shqypëtar, panë për të vërtetë këto dit sende të mëdha e të bukura në Vjenë; por mjerisht koha kje tepër e shkurtë për me i pa të gjitha bukurit e kryeqytetit t’Austrisë, ashtu edhe mjeshtëritë dhe pasunitë e vendit. Me gjithë kët mysafirat shqypëtarë mujnë me pa se në ç’far shkalle të lartë të qytetnimit ka mbërritë Austrija, e sa e madhe isht fuqia e saj ushtarake e ekonomike, e prej atyne sendeve qik an pa, kan me e kuptue hollë sa i madh e sa i fuqishëm asht mprojtësi i tyne. Deputacjoni shqyptar kje pritë gjithkund zemërisht, e ka u duknë e kujt i duelnë përpara, si ministrave, si generalëve e si njerëzve të tjerë të mbëdhaj e vështruenë vetë kjartaz, se si u pritnë me dashtni e me gjith zemër si me kjenë dashamirë të moçëm; e jo vetëm e vendit, por edhe populli e ushtarët i përshëndetnë gjithkund Shqypëtarët. Por përshtypjen ma të madhe e patnë përfaqësonjësit e Shqyëpënisë, kur i duelnë përpara Madhënisë së Tynë Perandorit e Perandoreshës. Na ra rasa me folë me shumë pjestarë të deputacjonit përmbi përshtypjet t’audjencës e të gjithë mbetni të habitun; s’kemi me i harrue kurr këto fjalë qi na i tha nji bajraktar i Malëcisë: “Prej Madhënisë së Tyne duel nji dritë, qi na lumnoj e deri në ditë të dekës s’kemi me e harrue kurr atë orë fatbardhë qi Perandori dhe Mbreti Karl u dënjue me na shtërngue dorën”. Në përgjigjie të vet i bani me dit Perandori deputacjonit qëllimet e tija e të qeverisë, se si, tuj e sigurue kombin shqypëtar se kish me e mbrojt e me u kujdes për të. Sa fort ngrefosnë zemrat e Shqypëtarëvet në dëfrim të pashoq kur Perandori e mbaroj të folmen e vet me këto fjalë: “Zoti e bekoftë Shqypëninë!” Atëherë po, e kuptuenë të gjith, se ky sahat kish nji randësi të madhe për kohën e ardhshme të kombit shqypëtar. Të kremtet e Vjenës mbaruenë e ndën prisi të General Trollmannit, këthyenë përfaqësonjësit e Shqypnisë në shpija të veta tuj marrë me vedi përshtypje të mëdha fort. Tash këthej prap gjithsecili në punë të vete për Shqypëni duhet për sot puna ma e fort se kurr. Fjalët e paharrueme të Perandorit e Mbretit Karl, janë shkrue këthellë në zemra të Shqyptarëvet, sepse ata ja diftojnë udhën, qi do të marrë mbas sodit kombi shqyptar e vetëm bashkimi mundet me i ba popullin të lumë. Delegatët e popullit arbnuer e dëgjuen vetë prej gojës së Madhnisë së Ti, se Aj ka me i mrojt gjithmonë. Zoti e premtoftë qi mundi i Monarkisë austro-ungare e të Perandorit të saj bashkë me punë të qenshme të popullit shqypëtar, t’a bajn Arbnin nji vend të lumë!
Pjestarët e deputacjonit
Ndën prisi të Shkëlqesisë së Ti General Trollmannit, ma i nalti Komandar në Shqypni, muernë pjesë në deputacjon të nderit këta Shqyptarë:
“Deputacjoni ishte i përbamë prej këtyne pjestarëve; Qyteti i Shkodrës kish dërgue përfaqësonjës këta zotni: Musa Jukën, kryetar i përlimtares, Kol Ujkën e Hasan Efendi Bekteshin.
Për Malci: Vat Marashin, bajraktar i Shkrelit, Gjelosh Gjokën, vojvodë e Kastratit e Abdi Kolën, bajraktar i Shalës.
Për Postribje: Hasan Ahmetin, vojvodë.
Për Lesh: Mano Bej Mehmet, B. e Dedë Cokun.
Për Zadrimë: Llesh Milotin.
Për Pukë e Mirditë: Kapidan Ndue Gjonin prej Oroshit, Zef Ndoci vojvodë e Spaçit e Zejnel Agën vojvodë e Iballjes.
Për Krue: Muharrem Pengili, naib-mufti.
Për Mat: Ahmet bej Zogollin.
Për Tiranë: Musa Maçin e Xhelal bej Topëtanin.
Për Durrës: Izedin Beshirin, kryetar i përlimores e Emzot Nikoll
Kaçorri si veqil i Arqipeshkvit të Durrësit.
Për Kavajë: Qazim Bej, kryetar i përlimtares e Shazivar Bej.
Për Elbasan: Irfan Bej e Lef Nosin.
Për Berat e Skrapar: Sami Bej Vrionin, Mehmed Esadin e Demitër Lavdën.
Për Lushnje: Ahmet Bej Resuli e Emin Vokopolën.
Për Fieri: Kahreman Bej Vrioni.
Për Xhuri e Peshkopij: Elez Jusufin, kryetar fisi, e Salih Spahinë, nënprefekt i Lumës.
Për Krasiniqe: Hysni Bej Curri, nënprefekt i Bunjës e Salih Mani për Bunje.
Për Kosovë: Hasan Bej Prishtina.
Deputacjoni shqypëtar kje përcjellë prej këtyne oficerave: Prej Oberstleutnantit generalstabit Myrdacz, prej Kapidanit generalstabit Stojakovic, prej kapedan Ëimmer, ashtu edhe prej Oberleutnant Holzpach, ndihmëtar vehtjetuer e prej Leumant Micie.
Audjenca te Perandori e Perandoresha
Perandori dhe Perandoresha e pritnë mbas dreke me madhni të madhe n’audjencë deputacjonin shqypëtar e kjo ditë kje ma e bukura e të gjithë tjerave. Në 3 sahatin mbërrti deputacjoni me 15 automobila para pallatit të Perandorit. Ku u duknë Shqypëtarët, i përshëndeti populli me gjith zemër. Deputacjoni u mblodh n”Apartament të Radetzky-t, ku i priti ministri i përjashtëm, Graf Czernini e Cerimonjeri i Shpis perandore Von Nepalez. Gjeneral Trollmanni i kish pri deputacjonit e me të bashkë ishin dhe oficjerat përcjellës, Profesor Dr. Pekmezi dhe Profesor Rotta. Prej andej duel deputacjoni shqypëtar n’odë të pritjes; në rrugina të pallatit ishte rreshtue në të dy anët xhandarmërija perendore e roja e Madhnis së Ti vesh me uniforma për bukuri. N’adujencë muernë pjesë edhe ministri i përjashtëm, Graf Czernini e Camberlani i madh Graf Berchtoldi. Audjenca ngjati tre çerek sajati. Perandori dhe perandoresha ju dhanë dorën të gjithë delegatëve shqypëtar e folna edhe me ta tuj i pvetë edhe mbi nevojat e vendit. Mënyra e perzemërt me të cilën Perandori e Perandoresha e pritnë deputacjonin shqypëtar kanë ba nji përshtypje të madhe fort, sa s’asht goje me e diftue. Pjestërt s’gjejn fjalë me e levdue mirosin e Madhnis së Tyne e ket sahat të lumë, në të cilën patnë baftin me e pa bamirësin e Mprojtësin e Shqypënisë, s’kanë me e harrue kurr. Të pritunit në përlimtare të Vjenës Mbas të ftuesit që bani kryetari i përlimtares së Vjenës, Dr. Ëeiskirchner, delegatëve shqypëtar, shkuen prej ministrit të përjashtëm në përlimtare. Atje e përshendeti Ekselencë Dr. Ëeiskkirchner General Trollamannin si ftuesin e përmëndun të Lovcen e u gëzue fort tuj pa afër vedi përfaqësonjësit e popullit shqypëtar. Në të folun të vet përmendi kryetari i përlimtares Skanderbegun e kangët e bukura, që këndon populli shqypatër përmbi trimni e në fund dishroj Shqypnisë përparim në qytetni e ekonomi. General Trollomanni ju fal nderit kryetarit të përlimtares për të pritun të dashtun, qi i bani Vjena deputacjonit shqypëtar, i cili ka ardh me nderu Perandorin e në fund tha se Shqyptarët janë të lumë për baft qi patnmë me e pa Vjenën dhe mbaroj së folurit e vet tyj dishrye kryeqytetit të bukur t’Austris zhvillimin e mbarë. Deputacjoni duel mandej me e pa odën e të pritunit, bukurije e së cilës bani nji përshtypje të madhe. Në nji odë tjetër u prit deputacjoni me kafe të zezë dhe me duhan e si për kujtim të Vjenës muer gjithsecili nji Album të bukur fort me të pame të Vjenës.
Audienca te Arqiduka Maks
Në 3 e 1/3 mbas dreke kje pritë deputacjoni n’audjencë te Arqiduka Maks n’Augartenpalais. Princi peranduer i percjellë prej Graf Csechi e prej Graf Consolati i përshëndeti me gjith zemër miqtë e largët për vizitën e tyre. Pas fjalëve të General Trollmannit, Arqidukës Maks iu drejtua delegacionit shqypëtar me këto fjalë: “Shkëlqesi! Fort të nderçëëm zotni! Po u falem nderit prej zemre për këto pershëndetje kaq të dashtuna, qi më batë nëpër gojë të të Shkëlqesisë së Ti, Kryekomaandantit Tuej. Asht nji gëzim i veçantë për mue me Ju pritë këtu në Vjenë pas një udhëti i të bukur qi bana nëpër Shqypni, n’atë vendin Tuej qi asht shumë i bukur. Nuk kam me i harrue kurr përshtypjet e bukura e të priturat e nxehta e të përzemërta qi atje i përmblodha. Duhet të jeni të saktë se gjithmonë kam me pasë ma të nxehtë përkujdesje për dëshirat dhe nevojat e Shqypnis e të Shqyptarëvet të dashtun. Po u siguroj ma së fundi se, gjithmonë kam me klenë i palodhur tuj tregue edhe mbas sodi interesë për zhdrivillim e përparim t’atdheut T’uej të dashtun, të cilin po Ju lutem me e përshëndetë prej anës s’ime. Pastaj foli Arqiduka me shumë pjestarë të deputacjonit qi i njifte që prej Shqypnije e i pveti përmbi përëparime qi ban tash Shqypnia. Mbasi u llafos Arqiduka gjanë e gjatë me deputacjon, duel dy herë në fotografi me Shqyptarët, të cilët mbetni fort të kënaqun për të pritunit e përzemërt, qi bani Arqiduka. Prej Arqidukës shkoj deputacjoni te Camberlani i madh i Perandorit, te Graf Berchtoldi. Edhe aty ky mik i Shqypnisë patnë Shqyptarët nji pritje fort të mirë. Në mbrame vojti deputacjoni Shqypatar n’Oper perendore, ku u dha “Fidelio” prej Bethoven, e cila ju pëlqye të gjithëvet. E me darkë qi u hangër bashkarisht në hotel “Erzherzog”, muer fund kjo ditë.
Të prenden mbrama më 20 prill u mblodh deputacjoni shqyptar për të mbrumen herë në nji nder të parat hotele të Vjenës, në hotel “Meissl & Schadn” për me hangër darkën bashkarisht. Oda e bukës e sofra ishin zbukurue me lule gjithfarësh e në fytyrë të gjithsecilit shifej kjartas gëzimi dhe kënaqësia, Mbasi u mbarue darka, General Trollmanni u çue në kamb dhe mbajti këtë fjalim: “Me ditë të sodit po merr fund pjesa zyrtarisht e udhëtimit t’onë qi ka pas për qëllim të parin nderimin e Madhënisë së Ti të Perandorit e Mbretit. Kam shpresë se të gjithë pjestarët kjenë të kënaqun me atë të pritun qi ju ba këtu në Vjenë”. General Trollmannni ju fal nderës pastaj delegatëve për të prujtun të mirë e për kujdes qi patën tuj dhanë nji mbarim të mirë këti udhëtimi pa ndonji rasë të keqe. Në fund ai tha se detyra e ti ish me e pa Shqypnin të shkueme, të lume e të kënaqun; prandaj ëpo i lutet të gjithë vendasvet, qi ta përkrahin me ba këtë detyrë të randë e ju fal nderit Shqyptarëvet për dashtni qi treguen ndaj vetja dhe i siguroi, se tash Shqyptarët i kishin hi dhe ma fort në zemër e tuj e çu zanin më të lart tha: “Rroftë koha e ardhshme e popullit shyptar; rroftë Shqypënija”. Mandej Hasan Bej Prishtina e mbylli me ket të folun: “Ekselencë; po ju lutem me e pëlqye këtë peshqeshnë shenj t’asaj dashtnije qi kemi për Ju. Në Shkëlqesinë Tuej po shoh jo vetëm mikun e vërtetë të Shqypënisë, presidentin t’onë, por edhe luftarin e fatosin qi tuj i pri ushtrisë perandore e mbrendhitë si fitues në Shqypëni tuj e shpëtue popullin t’onë prej thonjëvet të anmikut. Të jini të sigurtë Ekselencë se populli shqypëtar ka me Ju ditë gjith herë për nderë e se emni Juej asht shkruem me fjalë t’arta në histori të Shqypnisë”. Emzot Kaçorri tha pastaj në të folme të vet: “Madhnija e Ti Perandori e Arqiduka Maks, ministra, diplomat, kryetari i përlimtares së Vjenës, e sa e sa njerz të mëdhaj me të pritun të përzemërt na i kanë zbukurue ditët t’ona në ket qytet të bukur dhe General Trollmanni u përkujdes në këto ditë për ne si nji mik e si nji babë e na po i apim fjalën se kemi me i ndihmue me gjithë fuqitë letë punë të çmueshme qi po ban për të mirë të Shqyëpnisë. Po ju falemi nderës të gjithëve, qi na treguen gjithë këtë mirësi, por sidomos Madhënis së Ti Prandorit, Mbretit Karl, e po premtojm se sod e mbrapa kemi me punue bashkarisht. Falemnderit edhe të nderçmit komnadarit t’onë për gjithë atë dashtni qi tregoj për popullin shqypëtar e për gjithë ato të mira, qi ka i ka ba deri sot Shqypnisë. Rroftë General Trollmanni!” Të gjithë së bashku britnë me za të naltë; Rroftë General Trollmanni! Ish afrue gadi mjesnata kur u da shoqnia, nji pjesë e delegatëve shqyptarë ju hypi automobilave e duel në stacion, aty i hypnë vagonit të vet për me kthye ndot shpija të veta e kurse treni u vu në t’ecun, britnë edhe njehrë të gjithë nji zani; Rroftë Shqypnija, Rroftë Austrija. E dyta parti e deputacjonit shqyptar u nis prej Vjenet me gjeneral Trollmannin të diel mbrama më 22 prill. Shumë miq kishin dalë në stacion me u pjekë edhe njiherë me shqyptarët e me ju dëshrue nji udhë të mbarë. Ditët e bukura qi kaloi deputacjoni shqyptar në Vjenë kanë me kjenë të paharrueshme jo vetëm për Shqyptarët, por edhe për miqtë e tyne.
Një dhuratë për Perandoreshën nga Xhelal bej Toptani
Një dhunti e Shqiptarëve për Arqidukeshën Adeljade.
N’audjencë të deputacjonit shqyptar para Perandorit e Perandoreshës, ju lut Xhelal Bej Toptani Perandorit, qi me pasë mirësinë me ja dhanë lejen me i paraqitë Perandoreshës nji petk shqyptar të punuem me dorë për Arqidukeshën tri vjetshe Adelajden. Petku i vogël i bamë me pëlhurë të Shqynisë, i kje paraqitë Perandoreshës prej nji vetëdashësit shqyptar. Si Perandori, ashtu dhe Perandoresha. Mbetni shumë të kënaqun për dhuntinë e bukur e ju pëlqye sidomos puna e bukur dhe mjeshtrija, me të cilën ish qepë aj petk.
Vizita e fundit te konvikti i studentëve shqiptar
Në ditën e fundit të vizitës së tij në Vjenë, delegacioni shqiptar shkoi për të parë nga afër dhe për të biseduar me studentët shqiptarë në konviktin e tyre i cili financohej nga ministria e Tregtisë e Austrisë. Gjatë asaj vizite, në emër të ministrit, delegacioni shqiptar u përshëndet nga Hofrat Dr. Karl Simeon dhe drejtori i konviktit, Dr. Robert Von Kler. Pas kësaj, pjestarët e delegacionit biseduan disa minuta me nxënësit shqiptarë, të cilët si fillim mësonin aty gjuhen gjermane, dhe më pas vazhdonin studimet e larta në degë të ndryshme. Në fund të atij takimi nxënësit shqiptarë shprehen gëzimin e thyre që panë nga afër aq shumë bashkatdhetarë të tyre nga Shqipëria e dashur. Ky takim shënoi edhe fundin e vizitave të delegacionit shqiptar në Vjenë. Në orët e vona të asaj nate, teksa delegacioni shqiptar po darkonte në hotelin “Erzherzog Karl”, disa nxënës shqiptarë që studionin në Vjën, shkuan aty dhe takuan gjeneral Trollmannit duke biseduar me të problemet e shkollimit të tyre. Në fund të asaj bisede, ai ju sugjeroi nxënësve shqiptarë që të ndiqnin shkollat bujqësore, pasi në të ardhmen bujqësia do të kishte një rëndësi të madhe për Shqipërinë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016