Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet fjala e Sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxhës, e mbajtur më 30 maj të vitit 1962 para zgjedhësve të tij të zonës elektorale nr. 179 në Tiranë ku ai kandidonte për deputet në Kuvendin Popullor, ku ai pasi foli për arritjet e Republikës Popullor të Shqipërisë nën udhëheqjen e PPSH-së, u ndal dhe bëri një ekspoze të rendit shoqëror dhe proçesit të zgjedhjeve në vendet kapitaliste, duke thënë se: “Atje ekzistojnë kufizime të shumta, si rezultat i të cilave miliona zgjedhës, në një mënyrë ose në një tjetër, përjashtohen nga pjesëmarrja në votime. Mbi zgjedhësit ushtrohet presion i gjithanshëm, zgjedhjet zhvillohen në kushtet e terrorit, mashtrimit, korruptimit, falsifikimit e të makinacioneve të shumëllojshme”, etj. E gjithë fjala e Enverit para zgjedhësve ku ai premtoi rritje rrogash për punëtorët, ndërtime rrugësh dhe investime në infrastrukturë, rritjen e mirqënies së popullit, etj.
“Kudo po ndërtohet me ritme te shpejta. Me dhjetëra mijëra shtëpi krejt të reja kanë ndërtuar kooperativistët, ata kanë meremetuar dhe kanë zbukuruar të vjetrat, e kudo me shumicë po ndërtojnë te reja, ndërtojnë shkolla, shtëpi kulture, klube, çerdhe e kopshte, po ndërtojnë jetën e kulturuar ne fshatin tonë socialist. S’ka qendër pune ku te mos ndërtohen shtëpi banimi, s’ka qytet te madh ose te vogël, ku te mos ndërtohen shkolla, klube, spitale, çerdhe, kinema, teatro, stadiume. Ky ritëm ndërtimi çdo vit po shtohet. Qëllimi i Partisë dhe i Qeverisë është që qendrat e rretheve të bëhen qytete të socializmit ku punonjësit të kenë apartamentet e tyre, të kenë vendet e dëfrimit e të çlodhjes, të kenë shkollat, konviktet, kinematë e teatrot, t’i kenë rrugët të asfaltuara, parqet e sistemuara, që të pushojnë në mënyrë të kulturuar. Kush shikon tani Durrësin, Fierin, Lushnjën, Korçën, Shkodrën, Vlorën, Gjirokastrën, Elbasanin, Peshkopinë, për të mos i përmendur te gjitha, çdo gjë te ato ka ndryshuar aq sa nuk i njeh, janë zbukuruar”
Kështu u shpreh mes të tjerash Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, në fjalën e tij të mbajtur para zgjedhësve të zonës elektorale 179 në Tiranë, ku ai kandidonte për deputet në Kuvendin Popullor, ku pasi bëri një ekspoze të arritjeve të mëdha në fusha të ndryshme të ekonomisë që kishte bërë deri në atë kohë Republika Popullore e Shqipërisë nën udhëheqjen e PPSH-së, u ndal dhe bëri premtime të shumta, për rritje rrogash për punëtorët, ndërtime rrugësh dhe investime në infrastrukturë, rritjen e mirëqënies së popullit, etj., etj. Për më shumë rreth fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur para zgjedhësve të tij të zonës elektorale 179 në Tiranë më 30 maj të vitit 1962, na njeh ky dokument arkivor që Memorie.al e publikon për herë të parë, (me disa shkurtime), duke filluar nga numri i sotëm.
Fjala e Enver Hoxhës para zgjedhësve të zonës elektorale nr.179 në Tiranë, më 30 maj 1962
Të dashur shokë dhe shoqe, Populli ynë shkon në zgjedhjet e 3 qershorit me suksese të mëdha në të gjitha fushat e jetës, i mobilizuar si kurrë ndonjëherë për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të 4-të të Partisë dhe detyrat e planit të tretë pesëvjeçar plot besim dhe optimizëm për të ardhshmen e tij. Periudha e legjislacionit të katërt të Kuvendit Popullor, që është duke përfunduar, mund të quhet një periudhë me të vërtetë historike, gjatë së cilës janë zhvilluar e janë kryer proçese të rëndësishme të transformimit e të ndërtimit socialist të vendit tonë. Rezultati kryesor që kemi arritur, është ndërtimi me sukses i bazës ekonomike të socializmit, vendosja kudo, si në fshat ashtu edhe në qytet, e marrëdhënieve të reja socialiste në prodhim. Tani në vendin tonë është krijuar sistemi i vetëm i ekonomisë socialiste.
Një fitore e madhe ka qenë kolektivizimi i bujqësisë para afatit të caktuar nga Kongresi i 3-të i Partisë. Gjatë kësaj etape të parë të ndërtimit tonë socialist është bërë shumë për zhvillimin e forcave prodhuese të vendit, për ndërtimin e bazës materialo-teknike të socializmit. Rezultati kryesor në këtë drejtim është ngritja e një industrie krejt të re, e cila jep tani gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të vendit dhe siguron një pjesë të konsiderueshme të nevojave të zhvillimit të ekonomisë dhe të popullsisë. Në më pak se 15 ditë ajo prodhon aq sa prodhohej gjatë tërë vitit me 1938. Në qoftë se në planin e parë pesëvjeçar u ngritën 150 vepra të rëndësishme kryesisht industriale, në planin dytë pesëvjeçar u ngritën 250 të tilla. Dy vitet e fundit, dhe sidomos vitin që kaloi, vendit tonë iu krijuan vështirësi e pengesa të mëdha në realizimin e planeve të zhvillimit të ekonomisë dhe te kulturës kombëtare.
Ju të gjithë i njihni mirë këto vështirësi e pengesa, i dini sa serioze e të mëdha ishin, i njihni sa të padrejta dhe antisocialiste ishin. Por ju dini fort mirë se të gjitha ato u kapërcyen e po kapërcehen me sukses, se ekonomia jonë nuk ngeci në vend, siç ëndërronin dhe shpresonin ata që na i krijuan këto vështirësi, por përkundrazi, plani i vitit 1961 realizua më mirë se çdo vit tjetër, ne vazhduam të ecim përpara në rrugën e ndërtimit socialist, nuk i shtrimë dorën asnjeriu, aq më pak imperialistëve. Partia dhe populli ynë nuk janë përkulur kurrë, ata kurrë nuk u kanë kërkuar dhe nuk do t’u kërkojnë lëmoshë imperialistëve, as nuk do të përkulen përpara vështirësive e pengesave, ata janë kalitur me to dhe kanë dalë gjithnjë fitimtarë. Kjo do të ndodhë edhe në të ardhshmen.
Të frymëzuar nga qëndrimi i vendosur, i drejtë e parimor i Partisë sonë, klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste dhe inteligjenca popullore, i gjithë populli ynë trim e i talentuar, iu përgjigj me heroizëm thirrjes së Partisë, u mobilizua si kurrë ndonjëherë tjetër, tregoi vendosmëri e patriotizëm të flaktë dhe çau përpara nën flamurin e Partisë. Në valën e këtij mobilizimi e entuziazmi lindën shumë iniciativa të mrekullueshme të inxhinierëve, teknikëve e punëtorëve tanë për të prodhuar në vend makineri e pajisje, vegla këmbimi dhe shumë materiale të tjera të rëndësishme importi, bile edhe reparte e fabrika të tëra industriale, siç janë fabrika e pllakave të zdrukthit në Elbasan, reparti për prodhimin e karbitit në Maliq dhe i gazit sulfurik në Durrës, projektimi dhe ndërtimi në vend i një fabrike çimentoje, studimi dhe projektimi i impiantit të parë për prodhimin e sodës kaustike dhe hipokloritit të kalciumit, ndërtimi i motorit të parë diezel “Shqiponja”, prodhimi në vend i makinave shirëse, projektimi i fabrikës së pasurimit të bakrit në Kukës etj.
Partia dhe Qeveria e përkrahën me të gjitha forcat këtë lëvizje të madhe patriotike. Për këtë qëllim u organizua një konsultim i gjerë popullor, ku u bënë rreth 10.500 propozime të ndryshme, nga të cilat 7.000 janë aprovuar në mënyrë paraprake nga ana e dikastereve qëndrore dhe arrijnë një vleftë prej rreth 500 milion lekësh. Vetëm për ngritjen e fabrikave, reparteve e punishteve të reja janë bërë mbi 150 propozime, ndërsa me tepër se gjysma e të gjitha propozimeve janë për prodhimin në vend të shumë makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit. Mbi 1.000 propozime janë bërë për prodhimin e mallrave të reja të konsumit të gjerë. Kjo është me te vërtetë diçka që na gëzon, që gëzon të gjithë popullin, dhe na mbush me besim se njerëzit tanë, me duart e tyre të arta dhe mendjet e ndritura, mund të bëjnë me të vërtetë çudira. Për çfarë dëshmojnë të gjitha këto propozime, shumë prej të cilave kanë filluar të vihen qysh tani në jetë? Ato dëshmojnë jo vetëm për mobilizimin dhe entuziazmin e punonjësve tanë, jo vetëm për patriotizmin e tyre të flaktë socialist, për vendosmërinë e tyre për ta çuar përpara çështjen e ndërtimit tonë socialist, por edhe për diçka tjetër, gjithashtu shumë të rëndësishme: ato dëshmojnë se ne kemi sot një ekonomi të fortë, një bazë të fuqishme industriale, që është në gjendje të zgjidhë me sukses mjaft detyra të mëdha e të ndërlikuara për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë popullore.
Vendi ynë ka sot një industri të zhvilluar dhe të pajisur me një teknikë moderne. Dhe ajo që e karakterizon sot industrinë tonë, ashtu si edhe shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, është kalimi nga realizimi i planit kryesisht në sasi, në realizimin e tij edhe ne treguesit cilësore e tekniko-ekonomike. Krahas me zhvillimin në gjerësi të industrisë, me ndërtimin e veprave të reja industriale tani ka filluar dhe po ecën përpara puna për një shfrytëzim intensiv e në thellësi të industrisë, të kapaciteteve të saj prodhuese, për të zbuluar dhe për të përdorur të gjitha rezervat e saj, që rriten bashkë me rritjen dhe zhvillimin e industrisë e të ekonomisë përgjithësisht. Kjo lëvizje, që ka marrë me të vërtetë një karakter masiv, dëshmon, gjithashtu, se në vendin tonë janë pregatitur me mijra punëtorë e kuadro teknikë shumë të kualifikuar, të aftë të zgjidhin probleme të vështira të prodhimit dhe të drejtojnë vepra të mëdha. Mjafton të përmendim këtu projektimet dhe drejtimin e punimeve kryesore nga inxhinierët tanë të hidrocentraleve të Shkopetit e të Bistricës, zbulimin e vendburimit dhe projektimin e uzinës së bakrit në Gjegjan të Kukësit, studimet e rëndësishme dhe drejtimin e punimeve në industrinë e naftës e shumë të tjera.
Në sektorët kryesore të ekonomisë sonë punojnë tani 1.840 kuadro të lartë dhe 5.270 kuadro të mesëm. Kjo është një forcë e madhe që i ka dhënë dhe po i jep shumë të mira ekonomisë sonë, i jep siguri në zhvillimin me vrull përpara në vitet e ardhshme. Jeta ka vërtetuar plotësisht e po vërteton çdo ditë drejtësinë e vijës së Partisë sonë për zhvillimin e ekonomisë, për industrializimin socialist të vendit, si dhe të rrugëve e të metodave që ka ndjekur ajo për zhvillimin e industrisë. Partia dhe Qeveria do t’i kushtojnë edhe në të ardhshmen një kujdes të veçantë zhvillimit të industrisë. Industria është hallka kryesore për ndërtimin e bazës materialo-teknike të socializmit që është detyra jonë themelore për ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste. Investimet e mëdha në industrinë dhe në minierat tona janë bërë të studiuara mirë nga çdo pikëpamje, ashtu siç bën një nikoqire e mirë. Asgjë s’është ndërtuar kot dhe pa leverdi të madhe ekonomike, s’është ndërtuar ku nuk duhej, larg lëndës së parë dhe pa e siguruar atë kryesisht në vend. Është evituar në maksimum grumbullimi i industrisë vetëm në disa pika, kështu që s’ka mbetur gati asnjë rreth i vendit tonë pa pasur fabrika dhe industri në territorin e tij.
Të gjitha rrethet janë gjallëruar dhe gjallërohen çdo ditë e më shumë, po shfrytëzohen nga çdo anë pasuritë e vendit, kudo shumëzohet klasa punëtore, po shumëzohen në çdo rreth e me kritere të drejta e të pandërprera inxhinierët, teknikët, specialistët, çdo fabrikë, çdo kombinat, çdo minierë e vendit tonë është e lidhur me transport të rregullt, po modernizohet dhe bëhet rentabël çdo ditë e më shumë. Industria jonë punon me leverdi çdo ditë e me të madhe, rendimenti në punë çdo ditë e me shumë po shtohet, po zhduken çdo ditë gabimet e rritjes, po forcohet drejtimi, organizimi, kursimi. Kujdesi i vazhdueshëm i Partisë e i Qeverisë, bën që industria jonë të mos njohë kriza, qoftë edhe të përkohshme, të mos njohë anomali të theksuara në prodhim dhe paralelizma të dëmshme. Kjo u detyrohet në radhë të parë punëtorëve, specialistëve dhe inxhinierëve tanë të zote, të zgjuar, të talentuar dhe patriotë. Në vitin 1965, në krahasim me vitin 1960, prodhimi industrial do të rritet 52 për qind me shumë. Pesha specifike e prodhimit industrial në prodhimin e përgjithshëm të vendit tone të arrije 54 për qind. Gjysmën e prodhimit industrial do ta zërë ndërtimi i mjeteve të prodhimit.
Një zhvillim të madh në pesëvjeçarin e trete do të marrë sidomos industria e minierave dhe ajo e përpunimit, me qëllim që të shfrytëzohen me mirë pasuritë minerale të vendit tone. Do të ngrihen degë te reja të industrisë. Do te ndërtohen 400 vepra të reja, si uzina e metalurgjisë së bakrit në Kukës dhe uzinat e plehrave azotike dhe fosfatike, kombinati i tekstileve të pambukta në Berat, 2 fabrika çimentoje, 3 fabrika letre, do të fillojë puna për ngritjen e metalurgjisë së zezë, si dhe shumë vepra të tjera të mëdha. Të gjitha këto ne i jetojmë, i ndërtojmë, i gëzojmë. Ju të gjithë e keni kurdoherë parasysh planin pesëvjeçarit të trete që vendosi Kongresi i 4-t i Partisë. Një program i tërë madhështor që do të realizohet patjetër me sukses. Te ne do të shtohen burimet e naftës, zhvillimi i hekur-nikelit do të marrë një hov të madh, zona e Kukësit, ku tani se fundi ne vendosëm të ndërtojmë qytetin e ri, është e pasur në bakër, hekur, nikel, krom dhe ndoshta në minerale të tjera të çmueshme. Kjo do të jetë në një të ardhshme të afërt një bazë e rëndësishme minerale e vendit tone, që e zbuluan dhe do ta ndërtojnë e do ta shfrytëzojnë bijtë popullit tonë që i rriti e i mësoi Partia.
Minierat e kromit e të qymyrit po shtohen e po modernizohen. Një numër i madh gjeologësh, të dalë nga universiteti ynë, u janë qepur maleve dhe gërxheve, për të zbuluar thesare të tjera për popullin, thesare qe nuk mungojnë. Siç ndodh me zbulimet e para të boksiteve, alumineve në shkrepat e malësive të Veriut, atje ku kërciste në shekuj pushka e malësorëve heroikë, ku gjëmonin krismat e Luanit të Dragobisë, që luftoi për lirinë shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, tani rreh çekiçi i gjeologut. Dhe kështu në shumë vende të tjera gjeologët tanë zbulojnë, kimistët tanë manipulojnë, kombinojnë prodhimet, shtojnë asortimentet. Një e ardhme e madhe e pret ekonominë tonë edhe në këtë drejtim, për zhvillimin e së cilës po pregatiten në shkollat profesionale e në universitet me mijëra kuadro të rinj. Siç e keni konstatuar edhe vetë, industrisë ushqimore i është vënë gjithashtu një rëndësi e madhe dhe ky kujdes do të shtohet edhe me shumë. Populli ynë jo vetëm që në kohën e sezonit furnizohet me çfarëdolloj zarzavatesh, frutash si dhe me mish, qumësht, vezë etj. (prodhime këto që nuk i kanë munguar kurrë, as në verë, as në dimër), por, me shumimin e fabrikave tona të ndryshme ushqimore, populli do të ketë edhe më me bollëk nga çdo gjë, do t’i ketë të freskëta, të pastra, të ushqyeshme, të shijshme në çdo stinë të vitit.
Klima e mrekullueshme e vendit tonë dhe puna e mirë e kooperativistëve na lejojnë dhe na ndihmojnë të furnizojmë me bollëk tregun tonë me zarzavate dhe fruta t’ hershme, edhe të eksportojmë në vende të tjera. Krahas me zhvillimin e industrisë, suksese të mëdha janë arritur edhe në sektorin tjetër shumë të rëndësishem të ekonomisë sonë, në zhvillimin e bujqësisë. Partia dhe Qeveria kanë bërë një punë të madhe për ta nxjerrë bujqësinë nga prapambetja dhe për ta futur atë në rrugën e përparimit. Një kthesë historike në zhvillimin e bujqësisë dhe në gjithë jetën e fshatit tonë ishte kolektivizimi. Prodhimi i përgjithshëm bujqësor në pesëvjeçarin e dyte ishte 25.5 për qind me i larte se në pesëvjeçarin e parë. Gjatë pesëvjeçarit të dytë u hapën mbi 71 mijë hektarë toka të reja, u mbollën me miliona rrënjë pemë frutore dhe mijëra hektarë vreshta. Sot në fushat tona punojnë me mijëra traktorë e makina të tjera bujqësore. Janë bërë punime të mëdha, sidomos në fushën e bonifikimeve, duke filluar nga Vurgu i Delvinës, Roskoveci e Tërbufi e deri në Thumanë e në Zadrimë. Kolektivizimi i bujqësisë dhe sukseset e arritura në shtimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale, dëshmojnë qarte për drejtësinë e rrugës së përcaktuar nga Partia për zhvillimin e bujqësisë. Tani për fshatin tonë janë krijuar kushte të favorshme për një zhvillim të mëtejshëm të prodhimit bujqësor.
Kolektivizimi, veprat e mëdha të bonifikimit, mekanizimi i bujqësisë, ndihmat e shumta të shtetit në kredi, farëra të zgjedhura, plehra kimike e kuadro të kualifikuar, kanë krijuar kushte për të kaluar, në një të ardhme të afërt, nga një bujqësi ekstensive në një bujqësi intensive, ku rritja e rendimenteve të kulturave bujqësore do të bëhet me ritme më të shpejta se rritja e sipërfaqeve të mbjella. Ky do të jetë një hap i madh revolucionar në zhvillimin e bujqësisë, për të cilin duhet bërë një punë e madhe dhe e gjithanshme nga Partia dhe shteti ynë. Çështja është që të likuidohet disproporcioni që ekziston sot ndërmjet zhvillimit të industrisë dhe të bujqësisë dhe që ekonomia jonë të ecë duke u mbështetur mirë në të dyja këmbët, si mbi industrinë ashtu edhe mbi bujqësinë, pa çaluar asnjëra prej tyre. Për këtë qëllim është parashikuar që në planin e tretë pesëvjeçar bujqësia të zhvillohet me një ritëm më të shpejtë. Prodhimi bujqësor i pesëvjeçarit të tretë do të jetë 48 për qind më i madh sesa ai i të gjitha viteve të pesëvjeçarit të dytë të marra se bashku. Në vitin 1965, vëllimi i përgjithshëm i prodhimit bujqësor do të jetë 72 për qind më i madh se në vitin 1960.
Detyra kryesore edhe në pesëvjeçarin e tretë për bujqësinë do të jetë shtimi i prodhimit të drithërave për të siguruar bukën në vend. Krahas me këtë, do të rriten edhe prodhimet e tjera bujqësore e blegtorale. Një zhvillim të madh do të marrë frutikultura. Për realizimin e detyrave të mëdha e të vështira që kanë përpara punonjësit e bujqësisë, kërkohet që ata vetë, si edhe organizatat e Partisë dhe organet e shtetit, të luftojnë për të shfrytëzuar dhe administruar drejt, në mënyrë sa më racionale, fondin e tokës, që është mjeti kryesor i prodhimit bujqësor, të përqëndrojnë vëmendjen e tyre në prodhimin e drithërave të bukës, të duhanit dhe të kulturave të tjera industriale, si dhe të frutikulturës, e në mënyrë të veçantë të ullirit, të zbatojnë me përpikëri kodin agroteknik, si kusht vendimtar për rritjen e rendimenteve të kulturave bujqësore, dhe të tregojnë kujdes të veçante për zhvillimin e blegtorisë, duke ngritur, duke zgjeruar dhe duke forcuar fermat blegtorale në kooperativat bujqësore, duke përmirësuar masat zooveterinare dhe duke forcuar bazën ushqimore për bagëtitë.
Politika e drejt leniniste e Partisë në bujqësi ka korrur suksese të mëdha. Tok me kolektivizimin u përfunduan një numër i madh veprash të bonifikimit dhe të ujitjes dhe janë në përfundim edhe një sërë veprash të tjera të mëdha me karakter kombëtar. Vepra të shumta ujitjeje me karakter rajonal dhe kooperativist janë kryer dhe vazhdojnë e do të vazhdojnë te kryhen edhe në të ardhshmen. Kështu që shpejt do të vijë dita që çdo gjë në këtë drejtim në vendin tonë do të ketë marrë fund. Që tani fushat tona, kodrinat e vendit, lulëzojnë për bukuri, lulëzon bujqësia. Atë e bënë të lulëzojë vija e drejtë e Partisë, krahu dhe mendja e kooperativistëve, e zbukuroi puna e mekanizuar, asaj do t’i japin dorën e fundit fabrikat e plehrave kimike që do të ndërtohen. Qëllimi i Partisë është që bujqësia jonë të kthehet në një bujqësi moderne, që t’i japë, dhe do t’i japë me siguri çdo vit e më me bollëk ushqime popullit që nga buka, mishi dhe yndyrnat, deri te domatet dhe frutat e shumëllojshme, që t’i japë dhe do t’i japë me siguri jo vetëm industrisë sonë materialet e para, por edhe të eksportojmë dhe t’i sigurojmë vendit të ardhura nga shitja e tyre jashtë.
Njerëzit e bujqësisë, pa përjashtim, duhet t’i qepen bujqësisë, me mish e me shpirt, me dashuri të madhe të mësojnë, të mësojnë agroteknikën moderne dhe ta zbatojnë këtë në kushtet kaq të favorshme që kanë krijuar Partia dhe Qeveria në këtë sektor. Shkolla bujqësore janë hapur në të katër anët e vendit, institute bujqësore, kurse të ndryshme; agronome, veterinere, zooteknikë, teknikë të çdo lloji kanë shkuar me shumicë dhe çdo vit do të shtohen nëpër fushat tona. Gjithë ky kolektiv i madh, që punon në këtë “industri të madhe pa çati”, të bëjë që këtu të punohet dhe të prodhohet me ritmet, me frymëzimin, me pjekurinë e klasës punëtore. Bujqësia me drithërat e saj dhe bimët industriale, blegtoria, perimet dhe frutikultura të zhvillohen në një bashkësi të harmonishme, të orientohet zhvillimi dhe prodhimi i tyre sipas konditave të çdo rrethi dhe sipas nevojave e leverdisë rajonale dhe nacionale, në mënyrë të tillë që populli të ketë nga çdo anë e vendit për çdo gjë që ka nevojë dhe në sasi të mjaftueshme. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016