Adnan Muka
Pjesa e dhjetë
(103 letra nga burgjet komuniste)
Letra nga burgu i Burrelit 1953 – 1965
Memorie.al/E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësina ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portjeri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fëtyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta vehten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luejtshme dhe e paluejtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, grueja me tre djelm e dy varza.
Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fees islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime…po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos
kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu I Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit, Shkodër
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit) Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
Letra Nr. 61
Me, 01. 12. 1960
Meserretit t’onë të dashtun me vëllazën e motra, dhe me halla Xhevan, Feten t’onë e Symen;
Kur afrohen ditët e takimit, âsht e natyrshme qi zemrat t’ona të rrahin edhe ma tepër për shoqishojnë. U gëzova shum qi ju kishe pasë shndosh e mirë e këtë sihariq, m’a dhanë letrat datë 7 e 21 të Nandorit. Edhe vetë shyqyr, kam qenë faret mirë. Edhe me kambë jam shum mirë, sa çuditem prej vedit. Un qi s’muejshe me ecë pa ndihmën e shkopit, kur isha i ri, sod qi jam motnue eci lirisht e as qi mpihet. Kur të vini për takim, mos më sillni hiç makarona as groshë e millë as edhe mish edhe pulet në qoftë. Tlynë, voj e djathë më bini ma pak se tjera herë; gjithashtu sazerm, por të jetë i undyrshëm. Po pat mundësi, për tash qi po nisë dimni, kishe me dishrue sheqer ma tepër, e nji pakicë ullinj të mirë në rasë se ka edhe qumësh pluhun. Prej akshije asnji send. Viti i Ri âsht heret të ju uroj qysh sod. Urimet do të jau çoj me anë letërs qi kam m’i shkrue Zijas, të cilin po të kishe mundësi, do t’i shkruejshe shpesh, pse i detyrohem shum. Kësaj herë, me këtë letër po e puthi e rroki edhe vetë, po me atë mallë qi më ka puthë e rrokë sa e sa herë. Halla Xheva, un besoj se djelmt të duen njisoj, edhe varzat po ashtu, tue të ba hyzmet si njena si tjetra. Edhe vetë e marr me mend se Adnani ju gerget, por ju mos i veni vesh e duhanit grahi. U gëzova tepër që nipat e ri s’ju pikan duhanin. Mbase Symja ju shoqnon ndo’i herë, tue e ndezë nji të shkreten cingare tinës Fetes. Ju paça përherë mirë të gjithvet! Po të merrni ndonji lajm të mire për Nazimin, më telegrafoni menjiherë. Të gjithvet të fala e të përshndetuna êmën për emën e shpí për shpí dhe kojshivet e atyne qi pvesin për mue.
Baba i juej
Me, 1. XII. 1960
Sheuqet Muka
Kur të vini, pveteni familjen e Hamdi Sinanit, mos kanë ndo’I ilaçe me çue për te. Deri sa të shkoj dimni, as Fetja, as Lirija të mos vijnë me më pa.
Sh. M
Letra Nr. 62
Me, 01. 03. 1961
Fort e dashtuna motër Fete;
Së pari, uroj të ju kemë mirë me shndet e të qetë shpirtnisht. Megjithse dishroj të qindroj larg kujtimesh, ka disa ditë qi pa dashtë raçë në mendime, në mes të cilavet, m’u kujtue bashkëjeta e amël qi kemi kalue ma se gjysmë shekulli pa prishë makare njiherë qejf njeni me tjetrin, tamam ashtû si u ka hije me jetue dy zemrave qi janë vlla e motër e të nji vllaznije në mes të vedit. Prandaj prej kësajë u mallëngjyesh, përnjiheri, disi edhe u krenuesh; por prap s’u vonuesh m’e mposhtë e m’e përpimë mërzín, ka ju kam bri halla Xhevas e Symes, të rrethuem edhe me djelmt e mi e të varzavet qi ju duen e ju hatrojnë baras si mue. Le të shpresojmë të marrim edhe nji lajm të mirë për nipin t’onë Nazim, për të cilin, as mue s’më ndien zemra të keqen ma të vogël. Letrat e Adnanit, deri të datës 20 Fruer i kam marrë rregullisht. Kur mësoj se ju kam mirë të gjithvet, gëzohem pa masë. Kah po mban edhe mot i mirë, edhe un këtu, ramazanin jam tue e kalue për bukuri. Prandaj të jeni fare të qetë për mue, mbasi gëzoj shndet të plotë e s’kam asnji ankesë e mungesë. T’ardhunit t’a shtyni mbas Bajramit, deri kah mbarimi i mojit, po deshtët edhe kah Prilli, si t’a shifni terezin. Me postë mos më çoni gja. Prej Zijas s’kam pasë letrën qi pritshe. Dishrojshe me dijtë se kur martohet Aishja. Të fala shum gjith familjes së tij, asajë të Ragipit, Myhsinit, Vishos e të Domnorvet. Gjithashtu kojshivet, ilakavet e gjith tjervet qi pvesin për mue. Veçanarisht Xhemes, Nebit e Zihnijes me bijt e bijat qi kanë. Së mbramit po ju uroj edhe Bajramin t’a pritni e t’a festoni si ju dashtë zemra. Kur të bani bajram me të shpís e me ata që vijnë me ba bajram me ju, urojuni bajramin edhe prej mejet. Po ju puthi faqet përmallshëm, tue të rrokë e përqafue shum e shum si ty, Xhevan, Symen, Meserretin, Uranin, Adnanin, Lirijen e Tijen. Familja e Hamdi Sinanit, po ju suellë ndonji barrë për me e prue, të i a merrni.
Vëllau i juej:
Sheuqet Muka
Letra Nr. 63
Me, 01.04. 1961
Fort i dashtuni Meserret!
“Dy pëllumbeshave t’urta: Tijes e Lirijes, qi për ne të gjith, janë kënaqësija e madhe shpirtnavet t’onë, përmallshëm po i u uroj ditëlindjet! Si erën e mirë qi lëshojnë manushaqet për s’afri, ashtu un nuhas e shijoj erën e ambël të tyne, sado qi jetoj larg sosh. I paçim mirë si na don zemra. Kur shkrova letrën e Fetes në mojin e kaluem, paç rastin e bukur me shënue në krye të sajë edhe 2 rreshta urimi, rreth puntores së dallueme Tijes s’onë për ditëlindjen qi pat, mirëpo kah ishe përqendrue në Feten, më duel krejt mendsh. Mbrapa m’u kujtue, por qe tepër vonë, pse letra ishte dorëzue për m’u çue e s’kishe si m’e tërhjekë. Sido qi të jetë, këjo letër urimi ka me më çfajsue, mbasi po shkruhet si për të, sa edhe për Lirijen. I pafshim me fat të mirë edhe kështu e këndej, që të dyja. Pres prej jush t’a kremtoni edhe ditëlindjen e Lirijes, po me atë bukuri e hijeshi siç e kaluet atë të Tijes. Sa gëzim i madh do t’ishte për zemrën t’eme, sikur t’i shifshe me sŷt e mi makare njiherë, kah punojnë. Në punën e dorës premje-qepje e qënisja e n’ate të kuzhinës, Lirija – kujtoj – do të jetë ma e zhvillueme. Mafishet e Tijes s’paç si me i kërkue, kurse ato të Lirijes, në rasë se ka me pasë mundësi, do t’i shijoj me rastin e Bajramit të vogël qi ka me m’i çue. Oh, sa u gëzova e u mallëngjyesh edhe për martesën e Gjyles. Më vjen keq qi s’më ndolli nji fletë telegram me përgjigje, qi t’i bajshe urimet dy-tri dit para se të martohej. Kështu paska qenë fati i lig i emi mos me pa as fejesën, as martesën e sajë. Prindvet të sajë, ashtu edhe hallavet, gjyshit e gjyshes e tezevet të sajë, m’u sillni urimet. Veçanarisht Ragipit e të shoqes, i u uroj të kenë fatin e mirë m’i martue vetë edhe tjerat, bashkë me Brahimin në krye. Gjylen, mos harroni me m’a përqafue, kur të vijë në pasi. Dhandrrin m’a livdojnë shum, shokët qi e njofin. T’an e tij e kam pasë mik të ngushtë, e kam hangër bukë në shpí të tij. Pra, tani mue më përket m’e dashtë dy herë, jo vetëm si djalë miku, por edhe si dhandër qi e kemi. U trashigofshin! Hafiz Musaja m’u dhimt shum. Kemi qenë dashtë tepër me shoqishojnë. Kam pasë shoqni me të e të vëllan Zyberin, ma se gjashtëdhet vjet përpara, që prej kohës qi ishim në shkollën Bullaj, e cila aso kohet quhej mejtepi i Molla Medos, rahmet pastë! Së shoqes, djelmvet e nipave të të ndjerit, ngushllimet e mija. Letrat e orrlit Adnan, deri të datës njizet të mojit qi kaloj, i kamë marrë rregullisht. Freskohem pa masë, kur mësoj se ju kam mirë me shndet e punë. Të gëzuem e të kënaqun, qofshin për jetën e jetës, zemrat e jueja qi më falin edhe mue gëzim e më përtrijnë. Uranit të palodhshëm, me të cilin Adnani s’i a del me konkurue, por qi e admiron shum, un po i puthi faqet e po i them, i paçin ba mire mafishet qi ka hanger ma tepër se gjith ju tjerët, me rastin e ditëlindjes së Tijes e kësaj i paçin lumtë duert qi ka dijtë me i punue aq mirë. Fetja, së cilës i uroj të ketë gjithnji shndet të mirë, sigurisht do të jetë gëzue për letrën q’i kam çue. Edhe halla Xhevan e Symen, shpresoj t’i kem mirë, ashtu siç më shkruen Adnani. Prej Zijas kam marrë edhe kartpostalin. M’i bani të fala, ashtu edhe gjith pjestarvet të familjes së tij e Perteves e Hyrijes e fëmijvet të tyne. Hakas, dajavet me nuse, ashtu edhe tezevet e bashkëshortvet të tyne shum të fala. Ilakave, gjith kojshivet, miqvet e shokvet e veçanarisht Hamidit, E. Barbullushit, Tahirit e Sheuqetit përshndetjet e mija. Së mbramit, me ty në krye, po ju rroki përzemërsisht të gjithvet nji nga nji.
Baba i juej:
Me, 1. IV. 1961
Sheuqet Muka
Letra Nr. 64
Me, 01.05. 1961
Adnan!
Gjithnji si përherë, n’armoni të plotë me vllazën e motra, me nanë e halla uroj të m’a pritni gëzueshëm ditlindjen t’uej, o Orrli i dashtun i shpís s’onë. M’u bafshi njiqind vjeç. Sod, plotë dy vjet e në krye të 5 ditve qi kjeç operue, patën ardhë me më pá në Spitalin e Përgjithshëm ku ishe i shtruem, Fetja, Symja e tjerët, që çuditnisht po më dalin edhe tani si nji film para syvet të mí. Atëherë, natyrisht ishe i dobsuem, por tashti gëzoj shndet të plotë, sikur ju ka diftue Meserreti qi më pa në takim. Uroj të ju kemë gjithnji mirë e, ditlindja e juej, të m’i gjejë gjith pjestarët e familjes e t’afërmit t’onë shend e verë pa ma të voglën ankesë e mungesë edhe larg gripit qi ju kish përshkue. Të gjitha letrat, deri të datës 17 Prill, bashkë me telegramet, i kam marrë, ndërsa atë të martesës së Gjylës ende jo. M’u interesue asht detyrë, por për nji punë me randësi, qi mund të dalë ma mirë po të shtyhet, pse pritet pak a vonohet, veç dobis së madhe, s’ka ndonji dam. Prandaj s’duhet m’u ngutë, as m’u disprue e mërzitë e as me qenë i shqetsuem. Përsa i përket tokës së varrezevet, mendimi i juej ka qenë i mirë. Faji âsht i mehallës qi s’ka punue ndër ditët e pushimit. Përsa dij vetë, shpija e mesjaneve e cila sod zotnohet prej Tahirit e Butos, ka pasë qenë e molla Alush Çangës, i cili para se e shet shtëpinë, copën e tokës se vorrezevet e ka pasë të lëshueme që ma parë, e ka qenë pronë e xhamis. Rreth kësaj pike kam me ju fol në takim. Në se kërkesa e mëhallës del në favorin e sajë, ju duhet t’i mbaheni mendimit të çfaqun në letër e, në rast të kundërt, ne na përket me kërkue atë pjesë të tokës te vorrezevet, qi përballon faqada e murit qi ndanë kopshtin t’onë me të Tahirit, pse këjo, para se të leshohej për varreze, ka qenë pjesë e bahçes s’onë, plus kësajë, jemi edhe shefitarë e pra edhe si të tillë, na, Tahiri me Buton e lagja vetë, kemë të drejtë preferimi, në rast se qitet me u shitë ose lëshohet me u punue. Ndiqeni kadal kadalë pa u nxitue, ashtu siç e kërkon urtija e si t’a gjikojë gjyqi. Sa për tapi, njiherë për njiherë keni të Tahirit qi difton kufijtë. Sabrija i halla Baftes m’u dhimbt shum. Kemi pasë qenë dashtë tepër me të. Pvetni halla Xhevan, kur shkojshim me fjetë te halla Demi në Perash. Rahmet paçin. Ngushllimet e mija Rizas e të motravet, bijvet të sajë e të bijavet. Kur të vini, më sillni pak zarzavate prej të githavet, sidomos bishtajë e kumulla. Për oriz mos harroni, po pat mundësi edhe pak nisheste e qumësh pluhun. Voj pak ma tepër për stinën e verës, sazermi të jetë i undyrshëm. Makarona, groshë, ullij e limontoz nuk due. Pak kërtolla në se janë të mira. Edhe për nji xhaketë bixhamash qi harrove m’e porositë Meserretin. Kopjen e vendimit të Gjykatës së Naltë dhe nenin 3, pikën 3, të ligjit për faje të m’i çoni. Ju rroku të gjithvet përmallshëm e të fala gjith tjervet dhe Rexh Metës e Hajros. Sapun kam. Ju uroj dhe Bajramin.
Baba i juej:
Më 1 Maj 1961
Sheuqet Muka
Letra Nr. 65
Me, 01.06.1961
Babushi i dashtun i ynë Meserret!
“Aj q’i thotë Adnanit s’ke fat n’udhëtim, ka këtë përgjigje prej meje: rruga s’ka vade.” Letra 3 Maj, shkrue tri dit para ditëlindjes s’Adnanit, më gëzoj pa masë, ka më përshkruente si e çojnë jetën e tyne dy varzat e mija, të cilat i laçë mâ të vogla se ju tjerët. Pa qenë njeriu prind vetë as penda mâ artistike s’ia del dot m’e përfytyrue dashunin e madhe qi shijon aj apo ajo qi ka fëmit e vet. Sa për vedi, le të shpresoj m’u kënaqë e mu shmallue në t’ardhshmen me fëmijët e juej, për të cilët thotë fjala popullore se duhen, në mos ma fort, së pakut sa ju, po qi po. Inshalla i a mërrijmë m’e shijue e m’e nuhatë edhe erën e amël të tyne. Tash për tash njiherë, ju paça mirë të gjithvet sa jeni! Edhe telegrami qi më çuet me rastin e Bajramit, prej të cilit mësuem edhe këthimin e Adnanit me kohë e rehat e mirë në shpí, më freskoj e më qetësoj ma së miri, ashtu sikur do të jeni shendue e freskue edhe ju kur keni marrë atë qi dërgova un. Vetëm më rá keq për Adnanin q’i kish takue me bâ nji udhëtim aq të gjatë mbrenda ditës por shyqyr ishte pa në Shnjin me Samin. Më kanë rá në dorë edhe letrat me datë 25 Prill dhe ajo me 22 Maj, ashtu edhe kartpostali i Zijas. M’u dhimt mjaft e ndjera Makbule dhe motra e sajë. Ngushllimet e mija Danit e gjith familjes së tij. Zades e të bijavet, dhanduervet e nipavet e mesavet të fala; uroj qi të jetë ba mirë. Kam marrë lekt qi më keni çue, por kam harxhue mjaft, pse gjatë mojit të kaluem, kam ble nga nji gjysë kg. qumësht dhe do të vazhdoj me marrë deri sa të dalin zarzavadet. Pa marrë letrën e Korrikut s’asht nevoja të vini. Më shkrueni rreth trollit të vorrezavet. Si i kam halla Xhevan, Feten, Symen Hakan? Të gjithavet të fala të përmallshme. Gjithashtu Ragipit, Zijas, Myhsinit, Vishos e Domnorvet, Sheuqet Krajën m’a falnderoni e m’a përshndetni, Hamidin e Elez Barbullushin. Edhe kojshivet e ilakave e në mënyrë të posaçme: Haxhi Muhametin e Hafis Abdullah Nezirin. Veçanarisht ju me vllazën e motra po ju puthi e po ju rroki fort e fort me mallë shum.
Baba i juej:
1 Qershuer 1961
Sheuqet Muka
Letra Nr. 66
Me, 01.08. 1961
Meserreti ynë!
“Djalit t’em të dashtun Uranit, qi asht pehlivani i familjes s’onë po i uroj ditëlindjen, t’a presë me haré, bashkë me gjith të tjerët. Na u baftë njiqind vjeç!” Përqafimet e mija mâ të përzemërta, m’u a sillni motrës s’eme shum të dashtun Fetes dhe Adnanit t’onë, qi më gëzuen aq tepër në takimin e fundit qi pata me ta. Qi do të vinte Fetja m’a ndiente zemra, në sa për Adnanin, qi e ka zakon me ardhë n’e premte, s’e pritshe, por ndoshta ka dashtë të plotësojë takimin qi pat mbetë pa bâ herën tjetër. Para dy ditve, kam marrë edhe letrën e fundit, prej së cilës mësova se ishi si a mâ mirë e qi Symja kish qindrue në Shnjin, për me kalue ca dit pranë vllaut të vet Samis. Halla Xhevan si e kam? Po dy pllumeshat e mija: Lirijen e Nexhatijen? Prej anës t’eme, të m’i puthin e të m’i rrokin fort e fort Fetja e Symja. Te Hakja si janë? Të gjithvet êmën për emën m’i u bani të fala; ashtu Ragipit, Zijas qi më kujton shpesh, Myhsinit e Domnorvet dhe familjeve të tyne shum e shum të fala. Vetë vazhdoj me u mbajtë mirë me shndet. Pleqnija ende s’ka nisë me më lodhë. Edhe me kambë shyqyr jam mirë e s’kam kurrfarë ankimi. Për Reufin jam gëzue tepër qi i u falen 4 vjet. Po pate rast, m’i sillni urimet e mija t’et të tij Mustaf Alis, ashtu edhe vllazenvet të Reufit e të kushrijvet të tij dhe me i u bani selam. Sod për sod, përveç pak peni të zi, s’kam asnji nevojë. Uroj të ju kemë përherë mirë e ma mirë. Në drekën qi ka me ju dhanë Urani me rastin e ditëlindjes në fund, do të merrni edhe njiherë prej meje. Oh sa kishe me dishrue me qenë në mes t’uej në këtë ditë gëzimi. Ju paçim me jetë! Po të rroki me mallë si ty ashtu edhe vllaznit, halla Xhevan e Feten, Symen, s’do mend, Lirijen e Tijen edhe njiherë halla e madhe. Të fala kojshive e gjith atyne qi më kujtojnë e pvesin për mue e veçanarisht Zihnijes dhe së bijës.
Baba i juej:
1 Gusht 1961
Sheuqet Muka
Letra Nr. 67
Me, 01.10. 1961
O Meserret!
“Babushit t’onë. Gëzimit që asht ora e shpís, baba po i uron përzemërsisht e me plot gojë ditë-lindëjen t’a presë e t’a festojë gëzueshëm gjithësi I dashtë shpirti!” Loçkave të zemrës s’eme u ka hije, ma tepër se tjerëve, me qenë miq arsimi e pune, mbasi t’ án e kanë pasë arsimtar që prej vitit 1910. Këtë miqësi qi keni dhe e ushqeni ndaj arsimin e punën e provon e vërteton ma së miri vetë fakti qi kemi para syshë, qyshë se ju, pothuejse të gjithë, po ndiqni sod vullnetarisht klasën e dhetë të shkollës së natës e ditën po merreni me punë. Ma tepër që më ban me u gëzue, asht se e ndieni vetë në shpirtë e e çmoni nevojën e madhe që ka njeriu me qenë i pajuem e I stolisun me nji njohuni sa ma të gjanë, pse pa dritën e arsimit s’mund të ketë kurren e kurrës, zhvillim menduer e shoqnuer. Njeriu që prej djepi e deri sa t’i lajë kujtimet e veta kësajë bote, lypset të mësojë e të nxajë e, sado larg qoftë vendi i dijes, duhet shkue atje për t’a marrë e përvehtësue. Shyqyr sod, ju po keni rastin e fatin m’e pasë në derë të shpís, n’atdheun e bukur t’onin që së shpejti ka për t’u ba patjetër si nji perrizë sa mos me i a pasë lakmi asnji vendi tjetër në botë. Mos të harrohet as për nji çast në qoftë se, të gjithë na, jemi bijt e bijat e kombit t’onë sa të lashtë aq fisnik e, sa ma të ngritun e të ndritun që të jemi, aq më të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe, përnjiheri dhe na vetë do të jemi shum ma të lumtun. Maturantit t’onë Adnanit, i cili deri tashti ka epërsin mbi ne, mukejt e Shkodërs, po i sjelli urimet e mija, për suksesin që pat me i u aprovue e drejta me vazhdue me korespondencë, fakultetin e Ekonomis s’ Universitetit të Tiranës. Me kët rast, po i shtërngoj dorën nxehtësisht, për premtimin që m’ep se do t’a përfundojë me sukses, në sa vetë jam i bindun se do të figurojë edhe në mes të studentave të dalluem, mbasi në kursin e vjeçëm duel ma i dalluemi i të gjithvet. Të gjithvet të fala. Lirijes e Tijes u puthi faqet.
Baba i juej:
Burrel, 1 . X. 1961
Sheuqet Muka
Letra Nr. 68
Me, 01.01. 1962
Sokoli i babës e Ora e shpís Meserret!
“Uroj Vitin e Ri, të ju ketë gjetë mire dhe gëzueshëm e e kalofshi me të mira pa ndërpremje, gjith si ju dishroftë shpirti!” Porsa u takuam, zemra më ra fashë dhe shpirti m’u qetësue kah ju pava se jeni mirë me shndet si kokrra e mollës, burrnue me tipare burrë e vesh e njeshë për bukuri. Shqetësimi qi kishe pak përpara takimit, kah drojshe mos më jeni lagë e keni hjekë keq udhës sa çil e mbyll sŷt, m’u shndrrue në gëzim të papërshkrueshëm e m’u ba se s’bisedojshe vetëm me ju, por me të gjith së bashku, thue se ishe në mes t’uej, aq në qejf erdha e u bana! Edhe këtu, për pak dit bâni nji të ftoftë i rrebtë, sa gjatë të tanë dimnave qi gjindem në këtë vend, s’majë mend të ketë ba ndo’i herë ma tepër. Shyqyr edhe un kjeç i zoti m’e përballue! U gëzova edhe për Hakan qi e kishe mirë. Kam qenë mësue m’e pa shpesh, sidomos kur vijshin ramazanat e bajramat, m’e i herë i shkojshe për urime. Në ramazanin qi po na vjen, do të shkoni për mue për yftar, si te daja Vishja, ashtu te Ragipi, Zijaja, Myhsini e nder Domnor, te Shuajbi, të shkoni bashkë me Feten. Adnani më shkruen se jeni tue shkue mirë me mësime dhe më premton se do të më çojë notat qi keni fitue në provime. Përvetsimi i mësimevet vlen ma tepër se notat e mira. Të dyja ve së bashku, s’ke çka me u thanë veç, ma se e shkëlqyeshme. Me pasë fat asht mirë, por në mësime fati s’asht aspak i mirë. Me përvetësue landën qi mësohet, kjo asht marifet: mjeshtri e art. Kam marrë librin Shkodra. Kastratit i lumshin duert. Fotografija e Hasan Rizas e ajo e Ferhatit, kanë pasë rast të përfshiheshin. Me rastin e pesëdhet-vjetorit të pamvarsis, urojmë qi, botimi qi do të nxirret, të dale edhe ma i mirë e ma i ilustruem. Në këtë vjetë, Shkodra ka edhe dyzet-vjetorin e Liceut 29 Nandorit, të cilin sigurisht do t’a festojmë në mënyrë madhshtore. S’po i la me më kalue këto rreshta fjalësh qi m’iken pa i shkrue në vendin përkatës të kësaj letre. Un jam i bindun se Urani ka me u a kalue të gjithvet edhe Adnanit, madje edhe dorëartës Tije, qi po e përsëritë për të dytën herë klasën e dhetë. Un s’i a kam njitë kot epitetin pehlivan e kët, ka m’e provue fundi i vitit mësimuer. Për kë asht fejue Sadija? Xhevati ju çon të fala. Mos të harrojë Zijaja me m’a çue kalendarin e Komunitetit Mysliman. Po muejtet me gjetë te Marubi edhe tri fotografitë e fanfarës së shkollës së Parrucës prej vitit 1931-‘33 dhe atë t’orkestrës së Strehës Vorfnore, viti 1938. Kur të vini më sillni pak nisheste e terhan, kumbulla, qumësht, vetëm sapun petkash edhe pak sheqera e kutija cingaresh për Bajram. Në mos muejshi me gjetë duhan, m’i thoni vllaut të Adem Haxhis e të birvet, se besoj m’a gjejnë. Ju përqafoj me shum mallë, tue përshndet edhe tjerët.
Burrel, 1. I. 1962
Sheuqet Muka
Letra Nr. 69
1 Fruer 1962
Me Meserretin në kryétë gjithvet së bashku!
Gëzimin e madh qi më fali telegrami mbi fitoren e korrun t’Adnanit në provim, erdhën e m’a shtuen fish fish letrat qi mora më pas tue m’a gjallnue e ndezë flake kënaqsinë e shpirtit t’em prind, i cili epiqendrën e lumnis së vet, e ka e e gëzon, kur ju ka mirë, në rrugë të mbarë e në përparim dita ditës e më tepër e, me këtë flakë hareje të ndezun si pisha ju solli me’i herë përshndetjet e përgëzimet e veta. Ju lumtë! Tijes s’onë të dashtun veçanarisht i shtërngoj dorën nxhetësisht për notat shum të mira qi kishte fitue, tue dalë përnjiherë si e para ndër dyzet shoqet e klasës së vet e, për ma tepër, për vullnetin e fortë me të cilin karakterizohet, qysh se ajo, tue e dijtë mirë se s’asht punë e lehtë me vazhdue klasën e dhetë të shkollës së mesme, prap se prap i u përvesh punës pa i u tutë aspak syni, m’e ndjekë e m’e e krye me sukses. Edhe ju me Uranin keni ba mrekulli… Sa për ju, ishe i bindun se do t’a vazhdoshi shkollën për me marrë maturën, pse siç e mbani mend, këtë m’a patët premtue, në sa për Uranin, megjithse asht hesabxhi I fortë, ishe dyshas, por tash qi i ka hi, as ky s’e len punën përgjysë, për pa e qitë në krye. S’mund e kaloj në heshtje as kënaqësinë e madhe shpirtnore t’Atdnanit qi ka e ndien për ju të trevet, kur shef se po i plotsohet dishiri, me ju pasë me maturë në dorë. Edhe ju patjetër, do të jeni gëzue barazi për të për fitoren e madhe qi pati në provimin e dytë. S’i thonë shaka me marrë katërsh në nji fakultet qi ndiqet me korispondencë! Sigurisht edhe halla Xhevja me Hakan, Fetja me Symen edhe Lirija e mirë e e urtë me Zijan i gjith rrethi tjetër i ynë familjar do të jenë gëzue pa masë. Për histori, studentavet të shkollës së mesme u ep dorë shum teksti: Materjalizimi dialektik e historik, punue nga Stalini. Edhe për Adnanin, po ky tekst qi âsht ma i gjanë, ashtu edhe libri: Mbi bazat e filozofis marksiste, botue në v. 1960-61. Sa m’erdhi mirë për pritjen e bukur qi kishi bâ të shoqit t’Aishes, aq më rá keq për të shoqin e Xhijes, Cuf Anamalin qi kish vdekë. M’u dhimt shum, jo vetëm pse ishe në nji moshë jo të kalueme, por sepse ka qenë përnjimend burrë i mirë. Ngushllimet e mija Xhijes me fëmi, si dhe djalit të madh të të ndjerit e vajzës së tij, ashtu edhe vllazenvet: Elezit e Xhemalit. Elez Barbullushi uroj të jetë ba mirë. T’i shkoni për nji vizitë e të m’i sillni përshndetjet e mija, ashtu edhe familjes së tij e dhanduervet. Vesha kombtare e Ferhatit paraqet kostumin e fundit të rinisë së Shkodrës. Të i a diftojë Zijaja fotografinë e tij Kastratit. Gjithashtu H. Lohja ka nji fotografi shum të bukur me sergjeran e krenët e maleve, thuejse paraqet nji tablo të gjallë divásh! Hamidit, Hamdis e Gjylbegut të fala. Ashtu Kuçit e Lacës. Së mbramit, tue ju urue ramazanin, po ju përqafoj me shum mallë.
Sheuqet Muka
Letra Nr. 70
Me, 01.03. 1962
O Meserret djali, O Babush Muka i dytë;
“Uroj Bajramin të ju gjejë mirë e t’a pritni me zêmër të mirë, si ju dishroftë shpirti. Dorëartes Tije, baba po i uron përzemërsisht edhe ditëlindjen.” Uroj të ju kem pasë mirë me shndet të gjithvet e gripi mos të ketë pasë të bâjë me jú faret. Un, siç ju kam shkrue e telegrafue në mojin qi shkoj, kam qenë e vazhdoj gjithnji me qenë mirë si përherë. Pra për mue, mos të keni kurrfarë kasaveti e prandej lutem shum të jeni të qetësuem shpirtnisht. Lekt e katalogun e libravet i kam marrë, ndërsa pakon me ilaçe ende jo. Falnderoj halla Xhevan për reserven e stilolapcit qi më ka çue. Kur të vijë Urani, mos të harrojë me më sjellë edhe stilolapcin, pse me tubetin vetëm, s’ka mundësi m’u shkrue, ma sa mund të shkruej penda pa bishtegyp. Dimni thuejse kaloj. Sivjet qe i rrebtë mjaft. Sa herë qi bante të ftoftë, mendja më shkonte ndër ju të gjith, sidomos te halla Xhevja, Fetja e Symja, të cilat të m’i rrokisht fort e fort prej meje. Le të shpresoj t’a keni kalue pa ju pasë lodhë e mërzitë tepër. Si keni shkue me punë e mësime e Ramazanin si e keni kalue? A keni shkue për yftar ndër ata qi ju paç shkrue? As Adnani as Zijaja s’më kanë shkrue gja deri sod. Alija ju uroj Bajramin e ju bân të fala të gjithvet. Uranin e Adnanin, Lirijen e Tijen si i kam? Që të
pesvet ju puthi e ju rroki përmallshëm. Tija, ma tepër se ju tjerët, do t’a ketë pritë letrën t’eme mâ me qejf. Adnani a muejt m’e dhanë provimin e tretë? Prej Zijas kam marrë tri kartolinat e kallndorit e prej Adnanit letrën deri më 12.II.62. Prej Xhevatit keni të fala e urime, që të tre emën për emën. Te Ragibi, Zijaja, Vishja, Myhsini e Domnorët si janë? Me i u bani të fala e m’u sillni urimet. Gjithashtu Hafis Abdullahit, Danit, Hamidit, Qazimit, Ruzhdis, Sheuqetit e gjith tjervet qi pvesin për mue edhe kojshivet emën për emën, sidomos Tahirit e Xhemës e në mënyrë të posaçme Zihnijes e Nebit e fëmivet të tyne. Dhuratës i uroj mësuesín. Për asgja s’kam nevojë. Tom Laca m’âsht dhimbtë shum.
Baba i juej:
Me 1.III. 1962
Sheuqet Muka
Letra Nr. 71
Me, 01.04. 1962
Babushi i jonë Meserret;
“Lirijes sime të dashtun, erën e së cilës e nuhas orë e ças prej së largu, me rastin e ditëlindjes qi ka, kënaqem m’i sjellë urimet ma të përzemërta’ tue puthë përnjiheri përmallshëm ndër të dyja faqet”. Me njizet e shtatë të këtij moji, më mbushen plot tri vjet qi qeç bâ operacion në Tiranë. Gëzoj shndet të plotë, thuejse jam, po aj i para njizet vjetve e, sikur mos t’ishte pleqnija qi ban efektin e vet mbi trupin e njeriut, do të kishe bâ pallë me mend me kapë qindvjetorin, për të cilin siç e dini, kam pasë vue kandidaturën, qysh në moshën djaloçare. Nga letrat qi mora, me gëzim të madh mësova se ishi skapullue prej gripit e ju kishe mirë me shndet. Tashti na mbetet me dishrue qi t’i kalojmë në hare ma së miri, këto tri stinët e bukra qi mbeten këtij viti. Halla Xhevan, qi më ka rritë e edukue, e rroki përzemërsisht e e përshndes me mallëngjim. Uroj qi kjo letër, të m’a gjejë edhe mâ mirë. U gëzuesh tepër edhe për Feten e Uranin qi ishin ba mirë. Letrat e Adnanit e ajo e Zijas me kartpostalin, më qetësun e më freskuen, nga maraku e kasaveti qi kishe për ta. Megjithqi s’duem të smuhemi, s’mund të pështohet pa u bâ ndo’ i herë i lig, porse kur e liga kapërcehet, harrohet shpejt. Qofshin të kalueme. Symes veç shndet, s’më mbetet tjetër m’i urue, mbasi ajo, shyqyr s’ishte prekë prej gripit. Adnanit i sjelli urimet e mija për fitoren e mirë qi kish korrë në provim. I lumtë. Ja se çe bân nji vullnet i fortë. Të gjithvet ju uroj sukses të matejshëm. Pakon e kam marrë në të dytën ditë të Bajramit. Kokrren e portogalit të paprishun, e hangra për shndetin e jú të gjithvet. Sheuqetin e falnderojmë si un, Dulla e Aliu. M’a përshndetni fort. Edhe Maliqit të fala e falnderime. Meshkallës, mos harroni m’i shkue për Pashkë e të m’i siellni urimet, përshndetjet e falnderimet. I kujtoshim nder raste gëzimi edhe gjith tjerët qi më sjellin nder mend shpesh veçanarisht Frano Kirin për lirimin e të cilit jam gëzue shum. Për Sabrijen m’erdh keq mjaft. Shkoni e shifne e m’i bâni selam. Gjithashtu Elez Barbullushin. Lus qi të jenë mâ mirë. Të fala të gjithvet e ju, me vëllazën e Tijen po ju rroki.
Baba i juej:
Me, 1 Prill 1962
Sheuqet Muka
Letra Nr. 72
Me, 01.05. 1962
Peshqesh urimi Adnan;
“Mos e ngarkoni vedin sa s’ban, as mos e leni m’u asdis.” Për ditëlindjen t’uej, e cila për familjen t’onë âsht ditë kujtimore, bashkë me urimet e përzemërta të rastit, qi t’a gëzoni jetën sa mâ mirë e sa mâ t’amël e siç i ka hije nji studenti universitar studios e të palodhun këtë vit zgjodha me të çue si dhuratë urimi, peshqeshin e sipërm, të cilit i dha shkas me m’a kujtue letra date nandë e mojit të kaluem. N’asnj send teprija s’ka vend. Prandej njeriu, ka detyrë m’i ruejtë energjit e veta. Trupit të njeriut, po t’i mungojë aftësija e prodhimit, vullnetit s’i mbetet mâ shesh pune, pse skarikohet akumulatori, ashtu sikur s’kërkohet ujë, aty ku shterrë burimi e ashtu sikur s’pritet dritë, kur s’ka voj kanili. Mendja e orienton njeriun e në këtë, duhet të pasqyrohen të gjitha veprimet, për me bâ kështu vrapin për mbas hapit, sepse përndryshe, përveçse s’i arrihet qëllimit, ka si rrjedhim mos levërtina t’idhta. Njeriu pse âsht i pajuem me fakultetin e mendes, ka aftësinë e arsyetimit e të gjikimit e, si i tillë qi âsht, logjika e kërkon qi të dijë me qenë I sistemuem e i ekuilibruem në veprimet e përditshme të tijat e, tue planifikue në këtë mënyrë ka me pasë siguri me dalë fitues në luftën e jetës. Në këtë jetën t’onë, kurrgja s’ka absolute por gjithçka âsht relative, kështu qi asnjena s’mund të zgjidhet pa tjetrën. Un u gëzuesh qi jeni shlodhë e e keni zgjidhë vetë këtë problem aq të rëndësishëm. Edhe nji pikë tjetër s’due ta kaloj pa e vue në dukë për ju të gjithvet. Siç e kam pasë theksue edhe në nji letër njeriut i ka hije me ndjekë anët e mira të jetës e jo të dobtat. Ritmin e punës e të studimevet, lypset t’a vazhdoni rregullisht, pamvarësisht se ndokush tjetër, don vetëm të ketë në dorë nji diftesë shkollore, qoftë këjo edhe me nota të dobta. Me mësue âsht marifet e jo nji diftesë dosido. Prandej pres prej jush, qi vitin shkolluer t’a mbyellni, po me atë sukses qi triumfuet në bimestrin e pare Falnderoj halla Xhevan për telegramin qi më çoj. Për Sabrijen u gëzuesh qi ka dalë nga spitali. Nusja e Ragipit, mos të bajë marak, pse me kurat qi bâhen të jetë e sigurtë se ka m’ u shërue shpejt. Që të dyjave të fala. Hakas me përshndetjet e mija, i uroj lindjen e mesës Prendverë. Për Elez Barbullushin m’erdh mjaft keq. S’e kam pasë vetëm mehallali e shoq, por përnjimend nji mik të ngushtë e tejet të dashtun. Ngushllimet e mija familjes të të ndjerit. Përveç ndallavet q’i thaç Uranit, sod për sod s’kam nevojë tjetër. Miell mos më siellni e për Bajram s’asht nevoja qi të vini. Bajramin e pritshi me zemër të mire edhe gëzofshi përherë shndet të plotë. Po këto urime u a sjelli Ragipit, Zijas, Myhsinit, Vishos, Domnorvet e familjevet të tyne e Perteves e Hyrijes me fëmi. Urimet, Nezirit e Hamidit, Ruzhdis e Krajës, ilakavet, kojshivet e atyne qi pvesin për mue.
Burrel, 1 Majë 1962
Sheuqet Muka
Letra Nr. 73
Me, 01.06. 1962
Halla Xheva, Fete e Syme;
Se sa mirë jam me shndet, s’asht nevoja të flas këtu, mbasi ju kanë diftue Meserreti e Tija qi më panë ditën e takimit. Që prej natës së Bajramit qi mora letrën e Adnanit e kartolinën e Zijas dhe n’e nesre telegramin e juej, me të cilin më siellshi urimet, m’u bâ se s’ishe mâ në burg, por pranë jush e në mes t’uej, tue bisedue here me njênen e herë me tjetrën, aq në qejf erdha e u bana. Prej kaq vjetësh, bajram si ky qi shkoj, s’mbaj mend qi të më ketë gëzue ma tepër. Edhe mallëngjimi qi më prodhoj letra datë 14 Majë, s’vonoj m’u shndrrue në haré, kur ndolla ballë për ballë me dy loçkat e zemërs, qi s’i pritshe për takim at ditë. Për nji çast fluturova prej gëzimit e i u thaçë mirë se erdhët. Për ma tepër se të pamit me shoqisho’jnë, era e tyne qi nuhata prej s’afërmi, më përshkoj anë m’anë gjith trupin, tue më hapë kështu rrugën m’u kënaqë e me bisedue me ta amël e amël e sidomos me Tijen, e cila me i u përgjigjej buzqeshun pyetjevet q’i bâjshe si për ju, si për tjerët. U gëzova shum qi ju kishe pasë mirë të gjithvet. Meserretin e pritshe me ardhë mbas nja i jave, të cilit paç harrue m’i shkrue qi të vinte edhe vetëm, bile as për ju Fete, qi më ka marrë malli fort, s’due qi të merrni at rrugë për me ardhë m’u pam. Për asgjâ s’kam nevojë, vetëm me nga pak zarzavade, sidomos me bishtaja të më kujtoni tue m’i çue me të Reufit a të Gjyrezit ose me ndo’i tjetër. Të fala të gjithvet emën për emën. Me m’a puthë në faqe Lirijen t’onë të dashtun, ngarkova Meserretin.
I jueji:
Me, 1 Qershuer 1962
Sheuqet Muka
Letra Nr. 74
Me, 01.07. 1962
Gëzimi i jonë Meserret;
Letrat e kartpostalet e njimbasnjishme qi m’epshin sihariqin e fitores s’uej në provimet, pesë fotografit në grupe e në poza të ndryshme qi paraqitshin gjallnin e gëzimin e pjesmarrësvet, mendimi jo me vend qi çfaqë për mue shendevera Tije, e, për mâ tepër, kah ju kishe edhe për nga shndeti të gjithvet mirë, të gjitha këto së bashkut, i a dolën qellimit për me qetësue e me kënaq zemrën t’eme, e cila gadi për nji të pestë shekulli, s’ka fatin me jetue e me gëzue në mes t’uej. Në se ndër fotografit, sfiguronin hijet e amla e të bukra të motërs Fete e të Lirijes animâ un mërrijta m’I përftyrue vetë, tue i vue që të dyja, në vendin qi u përkitte: mbi Symen e Tijen. Edhe grup’i familjes, në përgjithsi kish dalë mirë. Halla Xhevja, si sokoleshë: ju, si nji petrit mali me fletë; Urani dorëarët, qi don t’ án ma parë e t’amen mâ shum, si pehlivani qi asht; Adnani gjith gaz e plot hov, i dêjë për titullin orrl taman; dorëarta Tije, si peri: bân be e thuejse lulemosprek; ndërsa Symja, s’asht kërpitë me dalë, jo ma siç e kërkon estetika, por të len përshtypjen se âsht fotografue pa pasë dhamët në gojë. Megjithse s’jam nji artist, njeriu, burrë qoftë ose grue në çdo moshë qi të jetë, për natyrë- por pa e teprue – ka prirjen e ndien nevojën m’u kërpitë e m’u zbukurue, kështu qi Symja, sikur të kish pështjellë kryet me ’i kaferxik të zi ose me ’i gjyzë të bardhë e jo të hjedhun dosido mbi flokë, qafen t’a kish ngrehë pakës përpjetë e gojen, mbajtë si n’atë me Adnanin, do t’ishte paraqitë me veçorin q’I përshtatet. Xhaketa mbandej, âsht dashtë me qenë ma e shkurtë e ma e ngushtë; gjithashtu fistani ma I mbledhun e i paluem e, në vend të papuçavet, të kish veshë makare nji palë sandalla, sakt qi do t’ishte dukë ma afër zanafillës së vet për kah hijeshimi natyrél e me të bá nji farë soji m’e kujtue, ashtu siç ka qenë fotografue dikur me rrobat kombtare. Megjithqi janë me vend shenimet qi radhita këtû sipër, prap se prap thjeshtësija, për pa I ra ndesh estetikës, âsht mâ e zgjedhun e mâ e pëlqyeme. Flutërs, në ditën qi të veshet nuse, të më i a uroni martesën. Urimet e rastit, gjithashtu prindvet të sajë. Zijas e familjes së tij. Perteves me djalë e varza, i uroj shndet. Për nusen u shendova shum qi ka bâ mâ mirë. Sabrijes e Sutës me djalë e varza, të fala. Për me ardhë në takim, s’ju caktoj datë; këtë e caktoni vetë. Edhe në javë të parë të Gushtit, bile edhe mâ vonë, s’prishë punë. Dishiri jem asht, kur të jeni ma ngaeshëm. Për Qazimin m’erdh mirë e për Hamidin mjaft keq. Të fala të dyve edhe Danit me familje. Për stilolapcin mos të harrojë Adnani. Të gjithve të fala êmën për emën e këtu po e mbyelli letrën, tue ju rrokë përmallshëm.
Baba i juej:
Burrel, 1 Korrik 1962
Sheuqet Muka
Letra Nr. 75
Me, 01. 08. 1962
Pehlivani i babësUran;
“Po ngarkoj Feten me ju puthë të dyja faqet në ditën e ditëlindjes. Të paçim me jetë!” Mbasditja e ditës 16 gushtit 1932, ka kujtimet e veta sa të gëzueshme aq t’amla për shtëpin t’onë. Sihariqin e lindjes t’uej, e mbajë mirë mend si tashti qi po kënaqem tue ju shkrue këtë letër urimi, kur Butja më pati sjellë lajmin e bardhë, tue më thânë se Meserreti u ba me vëlla e Symja shyqyr, âsht krejt mirë. Me 1 në këtë muej, mbueshni tridhet vjetët që m’i gëzuet. Oh sa kishe dashtë me qenë pranë jush në këtë ditë e me festue së bashkut si atëherë ditëlindjen t’uej të paharrueshme! Anima këtë dishirë t’emin, m’a plotëson prap ma së miri, vetë fakti qi ju kam mirë si me shndet, si me punë e si me arsim. M’u bafshi pra edhe ju njiqind vjeç e gëzofshi jetën t’uej gjithnji e sa ma mirë. U gëzuesh edhe për Zaden e për Zijan qi i u kishte pështue shpija pa u djegë. Shyqyret e mija edhe Xhelës e veçanarisht të shoqes qi kishte pasë rastin me ndollë në shpi e m’e pa zjarmin para se të përhapej. Gjylfirozës e të shoqit, m’u siellni të falat e mija gjithsaherë qi të ju shkruej. Për nusen jam shendue tepër qi âsht bâ mâ mirë e po uroj qi të jetë këthye nga spitali në shpi shndosh e mirë. Të fala shum e urimet e mija prindvet, axhavet, vëllazënvet e bijavet të sajë me Brahimin në krye. Gjithashtu të shoqit e dy motrave të tij Tanushit, Irfanit e djalit të Maxhides qi kanë marrë maturen urimet e mija. Sa do t’u gëzojshe, sikur të kishe edhe fotografit e tyne. Thoni Zijas të më shkruej edhe për Brahimin e Vildanin si shkojnë me shkollë? Nji ditë mbas Adnanit, qe Vehibja me pa të shoqin, të cilin e kishte pvetë për mue e më kish lanë të fala. Hakas, me djelm e varza, me dhanduer e reja e me nipa e mesa të fala shum. Fmit të m’i puthi prej meje. Letra e mojit të kaluem, e dijshe mirë se do të ju epte rastin me folë e me qeshë. Sa do të kishe qeshë edhe vetë, sikur të ju kishe ndi, pa më dijtë se jam aty. Ajo letër, ka qenë ma tepër letër gazmore, për me besue halla Xhevja e motra Fete qi më keni mirë, pse përndryshe s’do të më biente në mend fare me qitë dokrra e kapalla. Adnanit s’ia kishte mbajtë me më shkrue përsa keni kuvendue e prallue. Mue ma tepër se gjith ju tjerët, më njef halla Xhevja qi më ka rritë e edukue. Ju paça përherë të gjithvet mirë. Rrushin e tândës qi më suell Adnani, e bana me shndet. Sikur t’a kishi lagë me arsenato di piombo, do t’a kishi sigurue për mos m’u kalbë. E hangshi me shndet. Lekt i mora. Përveç porosis q’i bâna Adnanit s’due gja tjetër. Ju rroki të gjithvet me mallë. Varzat i puthi ndër faqe. Xhelës, Myhsinit, Zijas, Domnorvet e tjervet dhe atyne qi pvesin për mue, shum të fala./Memorie.al
Me, 1 Gusht 1962
Sheuqet Muka
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016