Islam Dizdari
Pjesa e tretë
Memorie.al/ “Njeriu që prej djepit e deri sa t’i lejë në hije kujtimet e veta kësaj bote, lypset të mësojë e të nxajë e sado larg qoftë vendi i dijes, duhet shkue atje për ta marrë e përvetësue…Sa ma të ngritur e të ditun që të jemi, aq ma të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe, përnjëherë edhe vetë do të jemi ma të lumtur.”
(Nga letrat e burgut)
Jeta dhe veprimtaria e Sheuqet Mukës është një shembull i ndritur, që na provon qartë se çfarë mund të arrijë njeriu kur është i përkushtuar ndaj detyrës që t’i shërbejë atdheut dhe idealeve të larta të zhvillimit dhe të përparimit të popullit të vet. E personaliteti i këtij idealisti bëhet më i plotë, kur njihesh me jetën e tij plot ndërlikime e privime politike, plot trazime e përndjekje, burgime e internime, që nuk i’u ndanë deri në çastet e fundit.
Kushdo mund të mendojë si nuk u thye, si nuk u përkul, si nuk u mposht! Jo, përkundrazi, edhe në çastet më të vështira, ai gjeti forca dhe u bë më i ndërgjegjshëm, më i bindur, më i fuqishëm në luftë për idealet e veta kombëtare, për aspiratat demokratike, për thirrmëni në fushë të arsimit kombëtar. Shpirti i tij liridashës, vullneti i tij i hekurt, karakteri i fortë, interesat intelektuale, orientimi i qartë në momentet më të vështira që kalonte vendi dhe arsimi ynë, qenë shtysat që nxitën Sheuqet Mukën në luftën e tij të pandërprerë në dobi të shkollës, të mësimit dhe të edukimit të breznive të reja. Ai është shembulli tipik i “MËSUESIT TË POPULLIT”.
Duke rrokur me një sy veprimtarinë arsimore të Sheuqet Mukës mund të përvijohet ndihmesa e këtij burri të nderuar në disa fusha të arsimit kombëtar.
- Mësues dhe drejtor shkolle në Shkodër dhe Tiranë.
- Drejtor dhe edukator i fëmijëve jetimë në Strehën Vorfënore të Tiranës.
- Njohës i mendimit më të përparuar pedagogjik botëror dhe reformator i arsimit në Shqipëri, autor tekstesh mësimore.
- Nismëtar i organizimit të veprimtarisë së mësuesve, promotor i protestave në mbrojtje të interesave të tyre.
- Njeri aktiv, kërkues ndaj vetes deri në fund, për të kapërcyer vështirësitë e kohës dhe për të ndihmuar të tjerët.
Veprimtarinë arsimore e fillon në vitin 1910 në Mejtepin “Molla Medos”, ku organizoi një klasë me nxënësit e këtij mejtepi, për të dhënë njohuritë e para mësimore. Këtë klasë pastaj do ta kalonte të plotë, sapo u hap shkolla e Parrucës nën drejtimin e Haxhi Hafiz Abaz Golemit. Në shkollën e Parrucës, fillon karriera e tij arsimore në kuptimin e plotë të fjalës. Këtu, së bashku me mësuesit e vjetër: Rrustem Lopçi, Musa Tabaku, Jonuz Çajku, Jusuf Puka, Ragip Hoxha, Ismail Anamali etj., do të udhëhiqet tërë jetën: përkushtimi ndaj atdheut e popullit, përkushtimi ndaj detyrës së mësuesit. Gjurmët e kësaj veprimtarie duken qartë në mjaft dokumente të ruajtura me shumë kujdes nga familja dhe arkivat. Shkolla e Parrucës u hap në vitin 1913, nga Këshilli Arsimor i ngritur pranë Bashkisë së qytetit së bashku me dy shkolla të tjera: ‘Shkolla Popullore’ dhe ‘Shkolla e Rusit’. ‘Shkolla e Parrucës’ në fillimet e veprimtarisë së vet, ishte gjysëm e mesme. Dokumentacioni mbahej në gjuhën turke, por mësimet jepeshin në gjuhën shqipe, me mësues të gjithë shqiptarë dhe me nxënës po shqiptarë.
Për këtë problem, kemi folur edhe herë të tjera, por po theksojmë se Sheuqet Muka, duke i’u përgjigjur kritikave të një specialisti shkruante: “…Asht për t’ju falë nderës mësuesve tonë fort e fort, pse e bëjnë mësimin shqim faret në gjuhën tonë, por për mos me u harrue shpjegimin, ju shkruajnë turçe, n’mënyrë të notës (alfabetit, shënimi ynë). E them edhe këtë, që kam pa me sytë e mi në sprovime që i bëjnë krye tre muajsh, nuk qyrshin lidhjet e shkrimit, por qyrshin mendimet, çka ka dashtë me gjegjë. E pra nuk a mirë me thanë për pa e pa me sy se mejtepet (shkollat), i kemë si të Asiakës, pse në shkolla t’Asiakës nuk flitet shqip. Shqipja e sotme që shkruajnë e që mësojnë sot në Dar-ur-irfane (shtëpia e kulturës, emri i parë i shkollës së Parrucës. Shënimi ynë), ditë për ditë atje nuk kndohet. Nuk asht e drejtë pra me thanë një i dijshëm se “fëmijët tonë janë t’ui sue me t’holla tona në meqtebe Asiake.”
Kjo ide vërtetohet më së miri nga shënimet që ka lënë për mësimin e biologjisë në këtë shkollë, të emërtuara “Botanikë-Mësime fillestare e gjenerale”. Këto shënime janë shkruar në formë leksioni të përmbledhur, në gjuhën shqipe. Për shumë koncepte shkencore, deri atëherë të papërdorura në gjuhën shqipe si terminologji shkencore apo shkollore, Sheuqet Muka vë terminologjinë turke apo arabe. Kuptimplotë në këtë drejtim është edhe një “ABETARE PËR TË VEGJLIT” që mban datën 1916-1934 (dorëshkrim), që ka një shënim interesant, është shkruar për të tretën herë. Abetarja ka 28 faqe të formatit të madh (A4) me 30 mësime në gjuhën shqipe, shkruar me alfabetin e njësuar të Kongresit të Manastirit, me të gjitha karakteret e shkronjave të dorës dhe të shtypit, të vogla dhe të mëdha. Në ‘Shkollën e Parrucës’, do të punojë plot 20 vjet, që nga data 23 prill 1913 e deri kur do të emërohet drejtor i shkollës Modelore “Hoxha Tahsin” në Tiranë, në vitin 1933. Që në fillimet e punës në këtë shkollë do të jetë krahu i djathtë i drejtorit, Haxhi Hafiz Abaz Golemit, e do të dallohet jo thjesht si mësues, por edhe si organizator i shumë veprimtarive edukative kulturore me nxënësit. Në të gjitha raportet ai do të meritojë lavdërimet dhe përgëzimet më të mira të drejtorit dhe të inspektorëve që vizituan shkollën.
Çdo mik, çdo autoritet civil e ushtarak që vizitonte shkollën, do të hynte e do të takohej me klasën e me mësuesin e shquar Sheuqet Muka. Nuk është aspak rastësi që në klasën e tij bën vizitë në vitin 1918, Gjeneral – konsulli, Kral, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi, e shumë personalitete të tjera më vonë. Kështu vit pas viti, deri në 1925-ën, kur ai do të emërohet Drejtor i kësaj shkolle të nderuar jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Kjo shkollë dallohej për rregull e cilësi në formimin e nxënësve, për nivel të lartë pedagogjik, për bazë materiale didaktike, shkollë fillore e pajisur me mjete moderne për mësimin e diturisë së natyrës, të historisë, të gjeografisë, të matematikës e të gjeometrisë, etj. Mjafton të themi se në këtë shkollë me iniciativën e Sheuqet Mukës, u themelua biblioteka për nxënësit që në vitin 1922. Gjithashtu, me një përkushtim për t’u admiruar, Sheuqet Muka, duke pasur ndihmën e mësuesve: Ragip Gjylbegaj, Mehmet Gjyli dhe Shuajb Domnori, themeloi orkestrën e veglave frymore me nxënësit e shkollës (fanfarën muzikore).
Veglat u porositën dhe u blenë në Çekosllovaki, secili nxënës kishte tre kostume, dy zyrtare dhe një kombëtar. Kjo orkestër dha shfaqje në ditët e festive kombëtare dhe fetare në Shkodër, Tiranë, Ulqin dhe Podgoricë. Në relacionin që shkruan Sheuqet Muka për vizitën në Ulqin, mes tjerash thotë: “Të gjithë kishin dalë për me na përcjellë, e nuk i mbanin lotët e gëzimit.” Ndërsa një gazetë e Podgoricës, duke komentuar koncertin e dhënë nga nxënësit në këtë qytet, shkruante “…se ai bëri efektin e një bombe”. E mos të harrojmë se ishin nxënës të shkollës fillore, në vitet ’30.
Ndërmarrje të tilla ishin tepër të guximshme e sot na duken disi utopike. Kjo do të mjaftonte për të dhënë sadopak përkushtimin e vullnetin në punë të Sheuqet Mukës. Mësuesit e kësaj shkolle do të përdorin metodat më të përparuara mësimore për kohën. Një arkiv i pasur në muzeun e shkollës e provon fare qartë këtë. Po sjellim vetëm dy shembuj nga “Methodë e re e mësimit e mësime hartimit” dhe një testim nxënësish. Hartimet dhe të tjera shkrime do të mbështeten në vrojtimet e përditshme nga jeta, e pasi të jetë kryer kjo, do të mendohet e planifikohet mënyra e paraqitjes së zhvillimit të temës. Për këtë Sheuqet Muka shkruan: “Gjithë librat, artikujt, letrat, ndollinat, kontratat janë të përbame prej fjalëve. Kur duem të ndërtojmë një ndërtesë të re sikur kem nevojë për gur, gëlqere, dërrasa, gozhda e tjera, gjithashtu kem nevojë për fjalë, kurdoherë që kem nevojë me shkrue libër, letër e ndollina. A mund mëkëmbet një ndërtesë tuj hedhë në një vend shoq me shoq gurin, ranën, gëlqeren e dërrasën? Natyrisht s’bahet. Ndërtesës që do të bahet e re, ma parë do t’i bahet plani…dhe kurdoherë që të duem të shkruajmë një letër a ndolli, ma parë do të gatojmë planin e tij, duhet të mendojmë sendet para se t’i shkruejmë e mandej mendimet marrim e i rreshtojmë në një mënyrë të lidhur”.
Pasi bëhet ky parashtrim i mënyrës së parapërgatitjes për hartim vazhdojnë disa shemblla që kanë këto ecuri metodike: Përcaktohet tema e hartimit “Puna asht një thesar”, jepet një tregim i shkurtër, plani i tij në tri pika, porosi e pyetje e pastaj, në bazë të tyre zhvillohet hartimi i plotë. Në një fletore që mban datën 15.6.1923 (tema e fundit) janë dhënë dhjetë tema të zhvilluara, të cilat janë në formë tregimi, përshkrimi, letre, prozë e poezi. Ndërsa testimi i nxënësve për provim është tepër interesant. Njohuritë nga historia kontrollohen duke kërkuar nga nxënësit t’I paraqesin në formë letrare, sipas disa kërkesave të parashtruara më parë. Këto kërkesa nuk janë riprodhim i thjeshtë i fakteve historike, por nxënësi do t’i parashtrojë ato, i analizon, jep shkaqet e parashtron pikëpamjet e veta. Pastaj kërkohet të hartohet një lutje e më poshtë jepet një telegram, të cilin nxënësi duhet ta shkurtojë duke hequr fjalët që nuk e prishin kuptimin e tij.E mendoni se jemi në fillimet e arsimit kombëtar. Edhe sot kërkesa të tilla do të cilësoheshin si të përparuara dhe realizimi i tyre do të ishte risi pedagogjike.Në fillimet e vitit shkollor 1933, Sheuqet Muka emërohet Drejtor i shkollës Modelore “Hoxha Tahsini” të Tiranës në të cilën punon fare pak, nga 14.09.1933 deri më 4.10. 1933, sepse emërohet Drejtor i “Strehës Vorfnore” të Tiranës.
Me këtë rast zv/Prefekti i Shkodrës, Etem Toto, i lëshon Sheuqet Mukës një certifikatë mirësjellje, ku mes tjerash shkruhet: “…Kjo prefekturë e quen për detyrë t’i shfaqi Zotnis së tij lavdin dhe kënaqësinë ma të thellë për zell e energji që ka tregue gjatë periudhës së shërbimit n’arsimin kombëtar dhe për sjelljen e mirë të tijën për sa kohë qi u gjet mes shërbimit këtu në Shkodër”. Tashti fillon një punë intensive për Sheuqet Mukën, i cili edhe në kushte e rrethana krejt tjera gjen forca e krijon mundësi që këtë jetimore ta shndërrojë në një institucion modern edukativ. Ai duke nisur nga parime të shëndosha pedagogjike shkrin në një dashurinë e kujdesin e thellë për fëmijët jetimë, me kërkesat e larta për rregull e disiplinë, për pastërti e punë sistematike me nxënësit, kombinon drejt mësimin me jetën e përditshme në shkollën e jetimores, interesohet për të hapur reparte pune si për djemtë ashtu edhe për vajzat, organizon orkestrën me vegla të ndryshme muzikore, zhvillon veprimtari sportive e kulturore të larmishme. Jeta në Strehën Vorfnore bëhet e këndshme dhe e dobishme.
Repartet e zdrukthëtarisë, të rrobaqepësisë, të thurjes në tezgjah, endjes, qindisisë, këpucëtarisë etj., parcelat e tokës në rrethinat e Tiranës bëjnë që fëmijët të jenë përherë në një aktivitet të vazhdueshëm, jetojnë, mësojnë, punojnë, nxjerrin shumicën e shpenzimeve të veta, ushqehen e vishen nga puna e djersa e tyre. Këtë punë të nisur me aq qartësi pedagogjike do ta ndërpresë mbas gjashtë vitesh pushtimi fashist, kur ai do të pushohet e do të internohet në Zvërnec të Nartës e më vonë në Elbasan. Këtu mbaron karriera e tij arsimore për ta vazhduar pastaj në rrethana krejt tjera, në shkollën e burgjeve komuniste, problem të cilin do ta trajtojë me ndjenja të thella prekëse Z. Sheuqet Kraja, bashkëvuajtës dhe nxënës i Sheuqet Mukës.
Pikëpamjet pedagogjike
Sheuqet Muka e filloi veprimtarinë arsimore pa një përgatitje të mirëfilltë pedagogjike. Ai kishte ndjekur vetëm një gjimnaz turk, madje pa e përfunduar atë plotësisht, por megjithëkëtë kishte marrë bazat themelore të formimit kulturor e shkencor, kishte marrë shtysën për të studiuar e për t’u formuar në mënyrë sistematike, pa e lëshuar kurrë librin nga dora. Ai me një vullnet të jashtëzakonshëm do të vijë duke u rritur e do të bëhet një personalitet i kulturës e i arsimit kombëtar. Ndjek kurse, që herët në karrierën e vet krijon një bibliotekë të pasur me libra në gjuhë të ndryshme, me revista e gazeta, studion pareshtur, shkruan e boton artikuj, studime e libra shkollorë, ai kurrë nuk është i kënaqur me dijet që ka fituar, gjithnjë është në kërkim e në punë. Për këtë inspektori Gaspër Mikeli në një Letër mirë shërbimi do të shkruante më 11.9.1924 “…sado që ky s’ka një kurs apo studime normale, me praktikën e gjallë e vijimin e katërmbëdhjetë vjetëve që ka si mësues e me studime e kndime që bën dita me ditë e ka pajisë vetin me dituri e me ato cilësi që i lypen medoemos me i pasë një mësues i vërtetë, kështu që zelli i pashoq që tregon në të kryemt e detyrës e aftësia që kallëzon sidomos për zhvillimin e mësimit, ia dëshmojnë se ky nuk ka fare ndryshim prej mësuesve të aftë normalistë të Shkodrës, prandaj u pa e udhës që mësuesit në fjalë t’i jepet kjo letër mirë shërbimi si një shpërblim i mundit në veprimtarinë e tij që e bëni me energji e përherë me fuqi të plotë për të plotësue qëllimin e shenjtë të detyrës së tij si mësues, tue u përpjekë për herë të parë për t ‘i dhanë zhvillimin e duhur arsimit botuer”.
Sheuqet Muka duke folur për rolin e shkollës normale përcakton edhe rolin dhe detyrat e mësuesit. “Prej shkollës normale, -shkruan ai, – do të kemi nesër mësues të mirë, me zotësinë e duhun, me ndërgjegjen e pastër, me idealin thjeshtë kombëtar, po, vetëm prej saj do të kemi mësues me mjeshtri të kryeme që kanë me dijtun ma së mirit me kryem detyrën e shenjtë të tyne, që kanë me ushqyem brezninë e re shqiptare me ndjenjat ma të bukurat e ma fisnike, që kanë me naltësue karrierën e mësuesisë që sot s‘i pëlqen pak kuej.” Këto cilësi jo vetëm i përvetësoi, por edhe I zbatoi me përpikëri në veprimtarinë e tij mësimore e aq më tepër diti të organizojë punën në atë mënyrë, që mësueset e shkollës së Parrucës të ishin në ballë të kërkesave që shtronte zhvillimi i arsimit kombëtar. Ai në punën e vet arriti që të kishte kërkesa të larta ndaj vetes dhe ndaj kolegëve gjë, që krijoi unitet mendimi e nxitje për veprimtari krijuese të përditshme me nxënësit. Në raportet e përvitshme vihet re një koncept i qartë pedagogjik në trajtimin e mësuesve, ata janë bashkëpunëtorë në realizimin e qëllimeve dhe të detyrave që shtroheshin para shkollës, prandaj ai synonte të shihte te secili anët e mira të punës dhe këto t’i zhvillonte përcaktimi I cilësive të mësuesve të shkollës, vlerësimi i punës së tyre priret vetëm nga anët e mira.
Është interesante të vërehet se në fillim vlerëson punën e më të mirëve deri tek mësuesi i fundit për të cilin gjen çfarë të vërë në dukje për të mirë, edhe tek e fundit ka diçka të arrirë, të cilën synon ta zhvillojë. Në asnjë rast nuk raporton të metat. Me sa shihet, ato i ka luftuar në konsultimet individuale, ndërsa para trupit mësimor nuk flet asnjë fjalë të keqe për asnjërin. Vlerësimet vijnë duke u shkallëzuar. Kjo është dukuri interesante e këtij drejtori shumë ekzigjent. Ruan e zhvillon personalitetin e dinjitetin e secilit mësues. Puna e mësuesve ishte e lidhur me atë të nxënësve. Ai kërkonte që nxënësit të ishin shembull në mësim dhe edukatë. Këto ide ai do t’i shprehte fare qartë në të gjithë karrierën e tij të ndritur arsimore, i prirur nga një kujdes atëror, nga një dashuri e thellë për bijtë e popullit, nga rigoroziteti në kërkesat. Me punën e tij bëri që Shkolla e Parrucës të thellonte traditat e krijuara nga pararendësi Haxhi Hafiz Abaz Golemi.
Shkolla duke ndikuar tek nxënësit, ndikonte edhe në familjet, të cilat gradualisht bëheshin më të ndërgjegjshme për dobinë dhe rolin e saj. E kjo bëri që rrethi i familjeve, nga të cilat tërhiqte shkolla nxënësit, të ishin më të interesuara për punën e saj e të kishin kërkesa gjithnjë e më të larta ndaj mësuesve. Kjo traditë ruhet edhe sot në këtë shkollë që është nga më të mirat e Shkodrës. Pikëpamjet pedagogjike për rolin e nxënësve i shpreh fare qartë që në vitin 1920 në një “doracak” të titulluar “Pasqyra e nxansit”. Përmes tij autori mendon se nxënësi “…ka me mbajtur gjithmonë kah përparimi, ka m’u bë shembull qytetnimi e kështu ka me mujtun me dalë ngadhënjyes në luftën e jetës…jeta e njeriut asht një përshkrim lufte që prej ditës së lemit e deri sa të vdesim. I porosit nxënësit që të mësojnë gjuhën shqipe, e cila asht arma ma teknike e sotme, përmes saj do t’i bëjnë ballë e pritë çdo pengese që ka për të guxuar të duket në luftë e kush nuk e do të keqen e vetes përdor e shtje në punë që me kohë gjithë fuqinë e vet kështu pa dyshim ngadhënjimi ka me qenë i tij. Jeta është një lëmi pune, një arë prodhimi e burim fitimi”. Në këtë “Pasqyrë të nxënësit” kapitulli më me rëndësi është “Disiplina është kryet e të gjitha punëve”. Këtu Sheuqet Muka ka parashtruar shumë pikëpamje interesante pedagogjike dhe edukative. Po përmendim disa syresh:
– Duhet të ndreqim gjithnjë të metat tona.
– Çdo vit që kalon lë në ndërgjegjen tonë një depozitë pronash që duhet të na bëjnë gjithnjë më të urtë.
– Mjerë ai që nuk nxjerr fitime prej provës së jetës së vet!
– Një nxënës i padisiplinuar është një element mbrapshtim.
-Vetëm një popull që nderon ligjet e veta është një popull i fortë.
-Njeriu ka detyra ndaj vetes, familjes, atdheut, njerëzisë dhe ndaj besës.
Një paragraf interesant është ai që flet për ndryshimet mes ndërgjegjes morale dhe ligjeve, duke arritur në përfundimin që ndërgjegjja e ligji nuk duhet të jenë në kundërshtim, prandaj njeriu në rini të vaditet për të kryer detyrat që ndërgjegjja e ligji na urdhërojnë. Më poshtë jep një seri këshillash morale për t’u sjellë në shoqëri ndaj të mëdhenjve me pozitë e me moshë, ndaj shokëve, etj. Lidhur me këtë jep sentencën: “Kujto në çdo rast se jeta kishte m’u bë e bukur, po qe se njerëzit kishin me qenë ma të mirë, ma të urtë, ma bujarë, ma pak ngopqarë kënaqësirash, ma pak të unshëm për epërsi…”
Këto parime për marrëdhëniet me nxënësit e këto kërkesa ndaj disiplinës e sjelljes së tyre Sheuqet Muka i zbatoi me përpikëri në Shkollën e Parrucës e më vonë në Strehën Vorfnore. Ai krijoi lidhje e marrëdhënie të tilla me nxënësit, sa ata e kujtuan mësuesin e tyre edhe në ditët e vështira e mbetën miq për gjithë jetën. Kur ishte i internuar në Itali, ai mori shumë letra nga nxënësit: Ragip Bekteshi, Hysen Lohja, Ragip Gjylbegu, etj. Edhe kur nxënësit rriteshin e përparonin në jetë, ata mbanin lidhje me mësuesin e tyre të dashur. Në arkivin e familjes ka shumë letra të tilla prej Tahir Shkrelit, Adem Bazhdarit, e të tjerë studentë në universitetet e Italisë. Ka shumë fotografi me nxënës të veçantë, që tregojnë lidhje të ngushta mes mësuesit e nxënësit. Sheuqet Muka nisej nga një parim me rëndësi pedagogjike në fushë të edukatës: “Nuk mjaftojnë teoritë, nuk mjaftojnë fjalët, ato duhen vënë në jetë, ato duhen zbatuar me përpikëri.” Për këtë ai shkruan “Një teori e pa punueme, a ma mirë me thanë e pa shtime në punë, gjithherë ka me na habitë e me na pengue. Jeta shoqërore e kohës së sotme ma tepër se tjetër asht praktikë, asht të tanë punë e gjallë.”
Duke nisur nga kushtet e vendit tonë e nga gjendja e mjeruar e shkollave dhe e arsimimit të fëmijëve të popullit, ku mbizotëronte analfabetizmi e padituria, lufton për një arsim masiv për të gjithë fëmijët, për barazi në arsim për të gjitha shtresat e popullsisë, për barazinë mes djemve dhe vajzave e sidomos lufton për edukimin, përparimin e arsimimin e vajzave e të grave në vendin tonë. Ai niset nga ideja “me i pajisë bijtë e shqipes me flatrat e diturisë që janë stolitë ma të çmueshme të kësaj jete.” Përpiqet që në shkollë të regjistrohen të gjithë fëmijët e lagjes, kërkon me këmbëngulje të zbatohet detyrimi shkollor e për këtë ndërhyn deri në Ministri të Arsimit. Pas vitit 1925-26 në shkollën e Parrucës u arrit të zbatohej detyrimi shkollor. Në vitin 1918 Sheuqet Muka e filloi mësimin në klasën e parë me 7 nxënës, por me punën e tij arriti që numri i tyre të shtohej e klasa të kishte 32 vetë. Kjo ishte një arritje me rëndësi për kohën. Për masivizimin e arsimit Sheuqet Muka shtron disa probleme:
– Ndërgjegjja në punë e mësuesve, zelli i tyre dhe ideja që ushqenin për kombin shqiptar i nxit që pa u lodhur kurrë një fije, pa iu mërzitur aspak mundit, të arrijnë të kryejnë si lypset programin shkollor.
– Shumë prindër nuk dinë të çmojnë mësimet e shkollën, sepse ata nuk i njohin dhe janë krejt të huaj me programet shkollore “…mësimet që jepen në mësimore i këqyrin me sy të keq e madje lëndët e shumta të mësimeve të ndryshme janë si të përbuzura prej tyre.
Dobësinë e madhe të mësimit të shikimit e njehin si n’asgja e si veç me kalue kohen. Historinë dhe shkronjën si përralla të thata, Fizikën si një dije që përzihet në punë të thella të të Lumit…”. Prandaj Sheuqet Muka kërkon nga mësuesit të afrohen me prindërit e t’u shpjegojnë atyre me durim dobinë e shkollës e vlerën e mësimeve që zhvillohen aty. Ai e dha vetë i pari shembullin në këtë fushë. Ai ishte kundërshtar i rreptë i koncepteve të gabuara për shkollën e për mësimin, luftoi me këmbëngulje çdo mendim prapanik që ushqehej ndaj saj prej mendjesh të paditura. Ai e arsyeton kështu gjendjen: “… i pafaj asht i shkreti (populli). Nuk sheh si lypet, ai ka nevojë që ta marrë dikush për dore për me e çue aty ku natyra s’ka gatue dritë për te. Po e paçin në qafë ata që e kanë fatin e të mirës së tyne në dorë e s’e këshillojnë në udhë të mbarë përparimit, por duen me bë me shkue jetën e tyre në terr si bagëtitë, apo mos ma keq se ata.
Sheuqet Muka këto probleme i ngre edhe para Bashkisë, Prefekturës, Deputetëve të Parlamentit dhe Ministrisë së Arsimit. Përgatit një letër për z. Halit Rrojin, deputet i Shkodrës, për t’ja dërguar Prefektit të asaj kohe, i cili duhej të ndërhynte pranë Ministrisë së Arsimit, që të mos mbylleshin tri shkolla në Shkodër, mësuesit e të cilave duhet të ndiqnin Normalen Provizore. Është për të vazhduar luftën për arsimin e detyrueshëm fillor: “Sot erdhi dita të realizohet ideali i shenjtë që ushqejshim tash sa mot. S’marrim vesh pse dredhohet nga udha që duhet të ndiqet.” Kritikon vendimin e mbylljes së disa shkollave shtetërore në qytet, për arsye se me këtë rast: “…shkollave private, që deri tash i kemi pasë ferra nëpër këmbë, ka me u mbetun shtegu çilë me qëndrue gjallë.” Është për arsimimin dhe edukimin e vajzave përmes shkollës e diturisë. Idetë për këtë problem kaq delikat për kohën i ka shprehur në shumë dokumente. Në fjalën përshëndetëse për hapjen e shkollës së vajzave në Shkodër, në vitin 1917 Sheuqet Muka mes tjerash shkruan: “…kjo shkollë kemi uzdajë se ka për t’i rritë vajzat e vogla në një mënyrë që të jenë të zojat me vjeftë nesër ndër shtëpia të veta, e kur ato kanë me u bë zoja shpijash e kënaqesh, me rritë fëmitë e vet tue rujtë shëndetin e tyre, tue i mësua të urtë e me kenë të dëgjueshëm, me një fjalë që të jenë të përvueshëm, me i përkundë në djep tue u këndue asi këngësh që na binë ndër mend “…u rritsh bir për t’zezë t’anmikut, u bash bir, për ta rrëfe e breshën, u bafsh bir, o loçka eme, dëshmitar për atdhe tënd”!
Që në fillim autori shtron si ide themelore edukimin mendor e patriotik të vajzave të shkollës, edukimin moral sipas traditave më të mira të popullit tonë, duke ruajtur nderin e tyre e të familjes, të stërviten në punëdore, në disa zeje të ndryshme. Ai i mëshon idesë se “ne shqiptarët duhet të marrim prej Evropës, prej popujve të qytetnuem vetëm rrezet e qytetnimit që kanë në mjeshtri, në zeje e në zanate e jo veset e tyre, pse për ta s’kemi nevojë.” Duke polimizuar me revistën “Agimi” thekson me forcë se përparimi i gruas nuk arrihet vetëm me veprime formale “…me zbulim nuk arrihet qëllimi, s’i epet gruas kama që meriton e s’mund të kryej detyrën ndaj fmisë si mësuese e parë. Çështja e grues asht një çështje randsi plote, e vetëm me të dalunit përjashta, kujtojmë, se s’mund të pritet përparim e qytetnim ma sa mund të pritet prej grues së Mbishkodrës që e kemi zbluet.” Sipas Sheuqet Mukës në kushtet e vendit, duke marrë parasysh psikologjinë e popullit dhe kohën, gruaja është në fazën fillestare të zhvillimit e “…ka nevojë sikurse edhe burri për një kulturë të shëndoshtë, së cilës mund t’i arrihet me shkollë. “Ky do të ishte mjeti për ta pamun shqiptaren në shkallë të qytetnisë e të përparimit, në kambë që i përket, e gjithmonë besnike, fisnike, bujare, punëtore me mjeshtri, mësuese të vërtetë e të qytetnueme përnjëmend, e për t’ja arritur këtyre sendeve s’e pengon mbulimi, pse ajo mund të dalë përjashta sidomos në kohë të fëminisë”.
Nevojën e shkollimit të vajzave Sheuqet Muka e shpreh edhe më qartë në një letër në formë artikulli, dërguar Ministrit të Arsimit, Kristo Floqi, i cili pa pyetur aspak autoritetet vendore kishte dërguar jashtë për studime një numër studentësh të gjithë të besimit katolik, duke përjashtuar pa asnjë arsye ata të besimit islam. E Sheuqet Muka, i indinjuem i thotë mikut të vet, Ministrit: “Po e lame se varza myslimane nuk u gjindkan për t’i dërgue ndër shkolla të hueja, por as djem nuk u gjindkan? Po na bahet me kujtue se Ministri i Arsimit nuk asht ai Kristo Floqi qi njofim na këtu në Shkodër me idhe të lira, por nji tjetër”! Sheuqet Muka haptas e me vendosmëri mbron idenë, por edhe të drejtën e nevojën e shkollimit të djemve e vajzave të komunitetit mysliman në Shkodër për arsimin brenda e jashtë vendit. Në këtë fushë ai ka qenë një ndër nismëtarët e hapjes, të funksionimit e të masivizimit të shkollave në lagjet myslimane të Shkodrës, por edhe më gjerë në fshatra. Ai lufton si kundër paditurisë dhe mosinteresimit të familjes kundër paragjykimeve e ideve prapanike, por edhe kundër veprimeve të padrejta e neglizhencave të organeve kompetente shtetërore.
Ai nxit e mobilizon mësuesit për punë të mirë, ndikon opinionin qytetar, propagandon për një arsim masiv të djemve e të vajzave të Shkodrës. Madje, në terrenin praktik ai ka shumë arritje, e kjo duket më së miri në përparimin e shkollës së Parrucës. Me shumë interes është edhe puna për të luftuar plagën e rëndë të analfabetizmit apo, siç shkruan ai “lëngatën e vjetër të analfabetizmit, qi prej kaq moteve ka vorfnue mija djelmoça”. Synon “me shti në zemër të popullit dashurinë për gjuhën amtare të shqipes e në fillim të vitit që kemi pasë deret ka me u pa dobija tue u mbushë e tue ngufue me zogjt e shqipes shkollat e shtetit.”63 E rezultatet u duken menjëherë. Nga 40 nxënës në vitin e parë, numri i tyre arriti në 100 e më tepër, duke u krijuar dy klasa të para me analfabetë dhe një klasë e dytë me djem më të përparuar. Mësimi zhvillohej katër ditë në javë në lëndët kryesore: këndim, shkrim, hartim, njehsim. Ai nuk kënaqet me caqet e arsimit fillor, por synon më lart, drejt shkollës së mesme e të lartë. E për t’ia arritur kësaj ai është nismëtar i hapjes së Gjimnazit të Shtetit në Shkodër. Lufton për një gjimnaz kombëtar, në gjuhën shqipe, kundërshton idenë e Gurakuqit, që për mungesë mësuesish e tekstesh, gjimnazi të hapet në gjuhën gjermane e me mësues austriakë.
Në këtë kohë është një ndër kundërshtarët më të rreptë të hapjes së Normales Provizore në Shkodër, e cila jo vetëm që do ta dobësonte Normalen e plotë të Elbasanit, por intrigonte edhe vetë hapjen e gjimnazit. Në këtë kohë ai shkruan një varg letrash e peticionesh drejtuar Rexhep Mitrovicës, Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Lumo Skëndos, Halit Rrojit etj., personaliteteve të kohës. Ai nisej nga ideja e një shkolle laike, jashtë ndikimit të klerit, ku të mos përzihen as priftërinjtë, as hoxhallarët. Në shumë dokumenta, të arkivave dhe të familjes, Sheuqet Muka theksonte se: “Shkodra ka mbetun prapa, ka nevojë për një shkollë të mesme, d.m.th. për një gjimnaz zyrtar kombëtar me profesorë krejt të mirë…, që fëmija të kenë ku të ndjekin mësimet e mesme që kështu të mos bjerret shpresa e re e atdheut tue lanë pa e paisur me një kulturë për të cilën ka nevojë”. Ai thekson gjithashtu: “Me folë të drejtën, gjimnazi privat i fretërve nuk i përgjigjet nevojës së përbashkët të vendit, pse populli kah nuk do që fëmijëve t’u jepet një edukatë prej duerve të klerit, preferon, të lajë bijt e vet pa mësim. Kleri mbetet kler. Në shkollën e fretënve në klasat ka figura e sende fetare, të cilat nuk hiqen e nxënësit e besimit mysliman nuk e ndjejnë veten të lirë e të qetë në ato ambjente. Pra prej vetiu del nevoja e të hapunit të një gjimnazi zyrtar kombëtar përse ndryshe veçse kanë me u çue myslimanët që të kërkojnë gjimnaz në vedi, prandaj s’ka me u realizue ideali i shenjtë i nji arsimi të përbashkët”.
Sheuqet Muka, organizator i arsimit kombëtar
Më datën 7.5.1922, Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica, i dërgon njoftimin me “programin e Kongresit Arsimor, që ka për t’u mbajtun nga fillimi i korrikut. Qi t’ju lehtësojmë punën, ma mirë po ju dërgojmë edhe një kopje të programës analitike e ligje e rregullore ku mund të merrni një mendim për mungesat e reformat qi duhen bamun”. Së bashku me ftesën, dërgohet edhe qarkorja e Kongresit me programin për çështjet që do të bisedohen. Sheuqet Muka është një veprimtar i shquar i punimeve të Kongresit e jo vetëm kaq, por ai të gjitha mendimet e vendimet e tij do t’i marrë me shumë seriozitet e do t’i zbatojë në klasë e shkollë. Ai do të jetë një nga mësuesit më aktivë për zbatimin e mendimit më të përparuar pedagogjik botëror. Lufton për një të mësuar intuitiv, konkret e praktik. Zbaton metodat e Dekrolit dhe të shkollës së punës së Xhon Djuit. Për edukatën e metodat e saj është ithtar i Pestalocit, babait të të varfërve. E këtë do ta bënte me një përkushtim të veçantë gjatë gjithë viteve të punës së tij në Strehën Vorfnore. Ai synoi të rriste besimin e fëmijëve jetimë në njerëzit e sidomos në edukatorët e mësuesit e Strehës Vorfnore, ai punoi duke qenë gjithmonë pranë tyre, që ata të shihnin në personin e tij një edukator që u rrinte pranë, që jetonte me ta, që i ndihmonte dhe i nxiste për t’u futur në jetë si qytetarë të lirë e të aftë për të përballuar vështirësitë e jetës me punë të ndershme e me djersën e ballit.
Fëmijët e Strehës Vorfnore ishin edhe nxënës të zellshëm, pajiseshin edhe me dije e kulturë, por edhe me aftësi jete e profesioni duke punuar e duke mësuar. Kjo qe një përvojë e pasur, por që për fat të keq është mohuar dhe harruar me qëllime të caktuara propogande. Mendimet e veta pedagogjike Sheuqet Muka do t’i parashtrojë më së miri në një varg tekstesh mësimore, materialesh didaktike, që për fat të keq kanë mbetur në dorëshkrim, në shumë studime e artikuj, letra e dokumente të shumtë që për fat të mirë ruhen e në të ardhmen do të mund të botohen. Sheuqet Muka, gjithnjë e në çdo rrethanë problemet e shkollës e të mësimit i ka lidhur ngushtë me edukatën, me fatet e popullit dhe të atdheut, ai qe gjithnjë në përpjekje e kërkim, ai nuk iu nda studimit e mësimit deri në çastet e fundit të jetës së vet, por teorinë ai nuk e shikoi si diçka të vdekur, si relike zbukuruese, por synoi e propogandoi që të futet në veprim, në punën e përditshme, në jetë, në shkollë, në mësim. Ai për ne mbetet mësues model./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016