Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Shahin Toçit me origjinë nga fshati Urxallë i rrethit të Matit, i cili pasi mbaroi me rezultate të larta Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë në vitin 1935, fitoi një bursë shtetërore nga qeveria e Monarkisë së Zogut për të ndjekur studimet e larta pranë Akademisë Ushtarake Mbretërore të Romës në Itali, ku ai u diplomua në vitin 1938, në armën e Kavalerisë, dega Financë. Refuzimi i Toçit për të bërë betimin ushtarak para flamurit Italian në majin e vitit 1939, teksa ai ndodhej për specializim në Akademinë Ushtarake të Romës, duke qenë organizatori kryesor i studentëve ushtarakë shqiptarë që s’pranuan bërjen e betimit, si: Reshit Çollaku, Shaban Strazimiri, Hamit Keçi, Veledin Musaraj, Asim Zeneli, Elez Braha, Skënder Çaçi, Spiro Shalësi, Qazim Kapisyzi, Hajrulla Ishmi dhe Ilia Naska. Misteri i eliminimit fizik të Toçit nga ana e shërbimeve sekrete italiane pas përgjigjes që ai i kishte dhënë gjeneral Parianit në provat gjenerale të ceremonisë së betimit ushtarak dhe kalvari i gjatë i kthimit të eshtrave të tij në Shqipëri, vetëm në vitin 2011, në sajë të përkushtimit të dy nipave të tij, Osman dhe Shahin Toçi, të cilët e bënë atë gjë privatisht, edhe pse shteti shqiptar që në vitin 1970, e kishte shpallur atë “Dëshmor i Atdheut”!
Ka qenë mëngjesi i 28 majit 1939, afro dy muaj pasi Italia fashiste kreu agresionin ushtarak, kundër Shqipërisë, kur në një nga dhomat e konviktit të Akademisë Ushtarake Mbretërore të Romës, u gjet i vrarë njëri nga ushtarakët shqiptar që studionte aty prej katër vitesh e ishte diplomuar. Lajmin e vrasjes së ushtarakut shqiptar që në orët e para të asaj dite, përveç Radio Romës, e trasmetuan edhe disa nga radiot e shteteve të Evropës Perëndimore, si Parisi, Londra, etj. Po kush ishte ai ushtarak shqiptar që u gjet i vdekur në dhomën e tij, cilat ishin rrethanat e vrasjes dhe pse trupi i tij nuk i’u dha për varrim bashkë studentëve të tij nga Shqipëria, që studionin në atë Akademi?
Kush ishte Shahin Toçi?
Më 7 nëntor të vitit 1917, familjes së Osman Toçit në fshatin Urxallë të rrethit Matit, i lindi fëmija e parë, që u pagëzua me emrin e gjyshit të tij, Shahin. Ndonëse në një gjendje të keqe ekonomike, Osman Toçi, u kujdes për shkollimin e djalit të tij Shahinit, i cili mori mësimet e para në fshatin Derjan. Mësuesi i atij fshati, Rapush Stringa nga Elbasani, duke parë aftësitë e Shahinit që në vegjëli, filloi të kujdesej e ta mbante atë gjithnjë e më afër, duke bërë një punë të diferencuar me të, pasi ai dallonte nga bashkëmoshatarët e tjerë. Pas mbarimit të mësimeve në fshatin Derjan, me ndihmën e disa miqve të tij, Osman Toçi, mundi t’a rregullonte Shahinin për të vazhduar studimet e mëtejshme, në Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë. Duke parë ecurinë e Shahinit në atë shkollë ku ai mbaroi me rezultate të larta, drejtoria e rekomandoi atë pranë Ministrisë së Arsimit, që të merrte një bursë shtetërore, për të vazhduar studimet e larta jashtë vendit. Dëshira e Shahinit si djalosh i ri, ishte që ai të bëhej ushtarak, prandaj dhe zgjodhi për të vazhduar një nga akademitë ushtarake në Itali. Pas mbarimit të shkollës ushtarake, si rezultat i ardhjes me vonesë të përgjigjes së të drejtës së studimit nga Qeveria italiane, Shahini, e humbi një vit shkollor. Atë vit ai nuk u kthye në fshatin e tij të lindjes në Urxallë të Matit, por qëndroi në Tiranë, duke punuar në punë të ndryshme, për të siguruar jetesën e në pritje për t’u nisur drejt Italisë, ku do të bëhej realitet ëndrra e tij për t’u bërë ushtarak.
Në Akademinë Ushtarake të Romës
Në shtatorin e vitit 1935, i hipur në një vapor të vjetër italian, Shahin Toçi, së bashku me shumë shokë të tjerë nga gjimnazi i Tiranës, por edhe nga rrethe të tjera të vendit, linte Durrësin e nisej drejt Italisë, ku do të studionte për katër vite në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Romës. Në atë akademi, ku u regjistruan edhe disa studentë të tjerë shqiptarë, Shahin Toçi, u caktua në armën e Kavalerisë, dega Financë. Në të katër vitet e studimit pranë asaj akademie, Shahini, u shqua si një nga studentët më të rregullt dhe në mbarim të saj, mori diplomën me rezultate shumë të larta. Pas diplomimit të tij në vitin 1938, ai kthehet në Shqipëri dhe Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, me në krye gjeneral Xhemal Aranitasi, duke parë rezultatet e larta të tij, e cakton të punojë pranë asaj Komande, në degën e Financës. Në detyrën e sapo marrë, Shahini nuk arriti të punojë më shumë se dy javë, për arsye se nga ana e titullarëve të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Shqiptare, u mendua që ai të shkonte përsëri në Romë, për të vazhduar një specializim në nivelet e shtatmadhorisë. Pak ditë përpara nisjes për në Itali, babai i Shahinit, Osmani, mblodhi në një drekë të madhe në shtëpinë e tij në Urxallë, të gjithë miqtë e të afërmit me rastin e përcjelljes së djalit për në Itali. Gjatë katër viteve që Shahini studioi në Itali, fitoi një përgatitje të lartë si nga ana ushtarake, ashtu dhe në formimin e përgjithshëm. Ai studionte me kujdes të gjithë politikën e shtetit Italian, karshi Shqipërisë dhe qëndrimin e shteteve të mëdha rreth saj. Nisur nga informacioni që ai kishte nga ndjekja e vazhdueshme e shtypit dhe lajmeve për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve (Shqipërisë e Italisë), ai i’u tha bashkëfshatarëve e miqve që kishin shkuar për ta përcjellë: “Në bazë të informacioneve që unë kam, Italia do ta pushtojë Shqipërinë. Kjo gjë mund të ndodhi shpejt, ndoshta pa u kthyer unë nga Italia. Detyra jonë si patriotë, është që t’i dalim zot vendit”.
Incidenti i parë në Romë
Pas pushtimit që Italia i bëri Shqipërisë, më 7 prill 1939, diplomacia dhe propaganda zyrtare italiane me të gjitha mënyrat e mjetet që dispononte, mundohej dhe punonte që ta paraqiste atë, jo si pushtim, por sikur ajo gjë ishte kërkuar prej shqiptarëve, si ndihmë nga prapambetja e madhe. Nisur nga kjo, Qeveria italiane dhe Ministria e Luftës, në përfundim të vitit shkollor 1938 – ‘39, kishte futur në programet mësimore të Akademive dhe Kolegjeve Ushtarake të Romës, Modenas, Torinos, dhe Napolit, ceremoninë e betimit ushtarak. Kjo gjë ishte bërë për arsyen se në këto akademi e kolegje, studionin një numër i madh studentësh shqiptar, ku numri i tyre arrinte në afro 365 kadetë, e të gjithë ata do të mblidheshin në Romë, ku duhet të betoheshin në praninë e autoriteteve më të larta fashiste të vendit, trupit diplomatik, e një numri të madh gazetarësh vendas e të huaj që ndiqnin ato evenimente. Duke u bërë ky betim, nga studentët ushtarak shqiptar përpara flamurit italian, në një farë mënyre, automatikisht miratohej prej tyre pushtimi i Shqipërisë, gjë e cila bënte efektin e saj të plotë, ashtu siç thuhej nga propaganda italiane. Nisur nga kjo, nga Ministria italiane e Luftës filluan përgatitjet e para për ceremoninë e betimit, në prani të shumë autoriteteve të larta italiane dhe atyre të huaja, që ndodheshin në Itali. Në sheshin e madh “Viktoria” të Romës, ku do të bëhej ceremonia e betimit ushtarak në praninë e autoriteteve të larta ushtarake dhe nën drejtimin e nënsekretarit të Shtetit për problemet e Luftës, gjeneral Alberto Periani, kuadratet me ushtarakë midis tyre dhe ai i shqiptarëve, do t’i afroheshin tribunës ku ishte vendosur flamuri i madh Italian dhe aty do të fillonte leximi i formulës së betimit. Në këtë provë gjenerale, ishin ftuar dhe një numër i madh gazetarësh e diplomatësh nga trupi diplomatik që ishte akredituar asokohe në Itali. Duke vështruar kuadratet e ushtarakëve, gjeneral Parianit, nuk mund të mos i binte në sy uniforma e Shahin Toçit, i cili ishte veshur me atë të ushtarakut shqiptar. Sapo kuadrati ku bënte pjesë dhe Shahin Toçi u afrua afër tribunës, sipas urdhrave ata i ndaluan dhe gjeneral Pariani menjëherë i’u afrua kuadratit të shqiptarëve dhe i’u drejtua djaloshit 22-vjeçar nga Shqipëria, duke i thënë: “Ç’farë është kjo uniform, dhe kush të ka urdhëruar ta veshësh?” Me krenarinë tipike të shqiptarit, Shahin Toçi I’u përgjigj menjëherë gjeneralit që drejtonte provat e ceremonisë së betimit, duke i thënë: “Unë jam shqiptar dhe kjo është uniforma jonë”. Kjo gjë e nervozoi pa masë gjeneralin fashist, por si ushtarak i vjetër, ai e ruajti qetësinë për të mos shkaktuar ndonjë incident të rëndë që do të merrte ngjyra politike dhe e kaloi në heshtje atë. Pas kësaj, duke parë situatën jo të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të provave të ceremonisë, autoritetet italiane urdhëruan për shpërndarjen e kuadrateve të ushtarakëve, të cilët u futën nëpër kazermat e tyre. Që nga ai moment Shahini u fut në “rreth” nga shërbimet sekrete dhe nga agjentët e SIM-it.
26 maj 1939, dështimi i betimit!
Duke parë situatën në të cilën ndodheshin, për të realizuar planet e tyre me studentët ushtarak shqiptarë, nga ana e autoriteteve të Ministrisë Italiane të Luftës, u pa e arsyeshme që ceremonia e betimit të shtyhej për më datën 26 maj. Për të eliminuar çdo të papritur e çdo incident të mundshme, siç ishte rasti i Shahin Toçit me gjeneral Parianin, nga ana e Ministrisë së Luftës, u vendos që me çdo mënyrë e mjet të punohej që, 26 maji të dilte me sukses. Kështu u vunë në përdorim shërbimet sekrete italiane dhe ato të ushtrisë (SIMI), që me premtime e me presione, të bëhej i pamundur çdo incident i ngjashëm. Nga ana e tyre u gjetën e u përdorën dhe element shqiptar brenda vetë studentëve ushtarakë, të cilët raportonin për çdo gjë që bëhej ndërmjet tyre dhe kush ishin organizatorët kryesor që propagandonin bojkotimin e betimit ushtarak përpara flamurit italian. Për studentët shqiptar më të pabindurit që kishte të dhëna të plota se ata nuk do të betoheshin, u ndoq një rrugë tjetër, duke lajmëruar organet kompetente shqiptaro-italiane në Shqipëri, të cilët dërgonin njerëz pranë familjeve të tyre, duke i’u bërë presion, që djemtë e tyre të mos kundërshtonin bërjen e betimit ushtarak para flamurit italian. Babai i Shahinit, Osman Toçi, i’u përgjigj atyre: “Unë i kam treguar njëherë djalit tim se ku bien kufijtë e Shqipërisë dhe kush është flamuri shqiptar”. Ndonëse situata për bërjen e betimit në datën e caktuar, 26 maj nuk ishte optimale për autoritetet italiane, ata e vendosën atë, duke e ditur mire, se nga rreth 300 e ca shqiptarët që do të bënin betimin, 13 prej tyre kishin bërë deklaratë publike me shkrim, që refuzonin betimin. Njëri nga organizatorët kryesor të kësaj deklarate, ishte Shahin Toçi, e pas tij dy oficerët e tjerë, Reshit Çollaku e Shaban Strazimiri. Pas tyre, vinin studentët: Hamit Keçi, Veledin Musaraj, Asim Zeneli, Elez Braha, Skënder Çaçi, Spiro Shalësi, Qazim Kapizyzi, Hajrulla Ishmi, Ilia Naska. Kështu më 26 maj, ditën e paracaktuar të betimit, përpara dhjetëra kuadrateve me ushtarakë aty në sheshin “Viktoria” të Romës, qëndronin autoritetet e larta ushtarake fashiste italiane dhe të ftuari të tjerë. Pasi gjenerali italian dhe komandën, për t’u afruar pranë tribunës ku qëndronte flamuri italian dhe përsëriti formulën e betimit, Shahin Toçi, doli nga rreshti dhe i’u afrua tribunës. Ai i’u drejtua gjeneralit, duke i thënë: “Unë këtu në Itali kam ardhur për të studiuar dhe jo për të bërë betimin përpara flamurit tuaj”. Pas kësaj, autoritetet italiane dhanë urdhër për shpërndarjen e kuadratit të ushtarakëve studentë shqiptar, ku për ta, më pas do të gjendeshin metoda të tjera “bindjeje”.
Vrasja misterioze e Shahin Toçit në dhomën e tij!
Duke e parë Shahin Toçin si një ndër pengesat kryesore serioze, pasi ai ishte organizatori i studentëve shqiptarë për të mos bërë betimin ushtarak, shërbimet sekrete italiane (OVRA) dhe ai ushtarak (SIM), organizuan eliminimin fizik të tij, të nesërmen e ceremonisë së dështuar të betimit. Kështu në mëngjesin e 28 majit të vitit 1939, në Rrugën ‘Trastevere’ Nr. 45, u gjet i vrarë në dhomën e tij, studenti ushtarak 22 vjeçar nga Mati, Shahin Toçi, të cilit i kishin mbetur dhe dy muaj për të mbaruar specializimin pas universitar në Akademinë Ushtarake të kryeqytetit italian. Menjëherë pas asaj ngjarje që në mëngjesin e asaj dite, autoritetet italiane, deklaruan se kishin të bënin me një vetëvrasje me paramendim, ose thjesht aksidentale. Gjithashtu policia italiane theksoi, se: sido që të shkonte proçesi hetimor, kjo ngjarje do të zbardhej në fund. Por sipas dëshmive të ish shokëve të Shahinit, që asokohe studionin bashkë me të në Romë, lajmin e vrasjes së tij e morën vesh nga agjensitë e lajmeve të Londrës, Parisit dhe Varshavës. Në ato lajme, theksohej se Shahin Toçi, ishte vrarë nga policia sekrete italiane dhe se vrasja e tij kishte karakter politik. Pas kësaj ngjarjeje, shumë studentë ushtarakë shqiptarë, u grumbulluan dhe filluan të protestonin, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe versionin e vërtetë të saj. Ata kërkuan që trupin e tij ta varrosnin me nderime dhe ceremoni ushtarake, por kërkesa e tyre, nuk u mor parasysh nga Komanda e Akademisë dhe trupi i Shahinit, u varros fshehurazi dhe pa dijeninë e kolegëve të tij. Pas protestave të shumta, një prej miqve më të ngushtë të tij, Mark Arapi (student ushtarak), në mënyrë shumë të fshehtë, pagoi me një shumë parash një nga shërbyeset e konviktit dhe i kërkoi asaj që të interesohej e të tregonte të vërtetën rreth asaj ngjarjeje. Disa ditë më vonë, ajo i tregoi Markut dhe shokëve të tjerë të Shahinit, se ata vetë (pra italianët), e kishin vrarë, por vrasësit ishin të panjohur prej saj. Njëkohësisht, kolegët e Shahin Toçit, zbuluan dhe emrin e një tjetër studenti shqiptar që kishte bashkëpunuar për eliminimin e tij. Ndonëse miqtë e tij e zbuluan të vërtetën e vrasjes së tij (me disa plumba në kokë dhe trup) ata përveç protestave, nuk mundën të bënin ndonjë gjë tjetër. Dy muaj pas vrasjes së Shahin Toçit, autoritetet italiane sollën në portin e Durrësit, nëpërmjet tre oficerëve italianë, sendet personale të tij, si dhe rrobat të cilat ishin të paketuara gjithsej në 8 valixhe. Ato ju dorëzuan me një protokoll të rregullt, babait të tij Osmanit, që kishte dalë për t’i pritur. Në atë moment, njëri nga tre oficerët (që ishte me origjinë kalabreze), i afrohet Osmanit dhe në kofidencë i deklaron “E di që ke dhimbje, por të jesh krenar, se yt bir nuk u përkul por dha jetën, m’u në zemrën e fashizmit”. Pak më pas, babait të Shahinit, i afrohet oficeri i dytë, i cili i kërkoi që të plotësojë dhe firmosi disa dokumenta, duke i shpjeguar, se më pas do dërgoheshin në Romë dhe nëpërmjet tyre, qeveria italiane do t’i lidhte familjes së tij, një pension të konsiderueshëm. Por Osmani, tepër i prerë, i’u tha oficerëve italianë: “Ju falenderoj, por unë nuk mund ta pranoj atë pension, pasi duk dua të ha gjakun e tim biri. E vetmja gjë që po ju kërkoj, është që të më tregoni të vërtetën e vrasjes së tij”. Të tre ushtarakët italianë ngelën të habitur dhe i deklaruan atij, se ata nuk kishin dijeni për vrasjen e tij dhe misioni i tyre ishte vetëm sjellja e atyre gjërave në Shqipëri.
Përse eshtrat e Shahinit nuk erdhën në Shqipëri?
Gjatë periudhës së regjimit komunist, familjarët dhe të afërmit e Shahin Toçit, bënë disa kërkesa që qeveria shqiptare të bënte diçka për sjelljen e eshtrave të djalit të tyre nga Italia. Ndonëse Shahini, ishte i dyti ‘Dëshmor i Atdheut’, që regjimi komunist njohu dhe shpalli zyrtarisht pas Mujo Ulqinakut, nuk bëri asgjë për sjelljen e eshtrave të tij nga toka italiane. Edhe pas vitit 1990, familja e Shahin Toçit përsëriti kërkesën e saj, për dërgimin e eshtrave të tij drejt Shqipërisë, por nga qeveria shqiptare nuk u arrit asgjë. Në vitin 1993, nipi i Shahinit (që mbante emrin e tij), shkoi në Itali privatisht dhe pas shumë muajsh kërkime, më në fund, lokalizoi vendndodhjen e eshtrave të xhaxhait të tij të vrarë para pesë dekadash e gjysëm. Ato, ndodheshin në varrezat e ‘Verona’-s, ‘Kampi i përgjithshëm nr. 1, reparti mysliman, varri nr. 16’. Konfirmimi i identitetit të tij, u bë me ndihmën e drejtorit të përgjithshëm të varrezave ushtarake, Placido Cappodiferra. Pas një pune të madhe që u bë asokohe nga konsulli shqiptar, Jozef Zamputi, i cili u lidh me Drejtorinë Kombëtare të Varrezave në Itali, u arrit që të bëhej një preventiv për sjelljen e eshtrave të tij në Shqipëri, ku në vitin 1994 Shahin Toçit I’u akordua “Urdhri i Flamurit” i klasit të parë. Por fatkeqësisht për arsye burokracie kjo punë nuk u zgjidh. Edhe pas kësaj tentative të dështuar, familjarët e Shahinit dhe nipi i tij, nuk hoqën dorë nga përpjekjet për sjelljen e eshtrave. Ato arritën që të komunikonim me Drejtorinë Ndërkombëtare të Përmotshme, e cila me anë të një shkrese zyrtare, njoftonte ambasadën shqiptare në Romë: “Duke mbetur në pritje të një njoftimi e rishikimi të targës së autofunebrës që do të vijë në varrezën ‘Verona’ të Romës, për të kryer transportin, ju japim përshëndetjet më të mira”. Romë, 4 maj 1994. Edhe pas këtij njoftimi, makina e autofunebrës nuk u duk në varrezën ‘Verona’ të Romës. Kështu edhe për disa vjet, eshtrat e dëshmorit Shahin Toçi të ekzekutuar fshehurazi nga shërbimi sekret fashist (i Italisë) në vitin e largët 1939, mbetën përsëri në atë parcelë, si për t’u treguar vizitorëve se ai ‘ishte njeriu i cili, në kulmin e lulëzimit të regjimit fashist të Mussolinit, m’u në zemrën e tij në Romë, do të ngrinte lart dinjitetin e vendit të vet, Shqipërisë’.
Ardhja e eshtrave në Shqipëri, në 26 mars 2011
Dy vëllezërit Shahin dhe Osman Toçi, u përkushtuan në maksimum derisa realizuan qëllimin e tyre për kthimin në atdhe të eshtrave te xhaxhait te tyre. Shahin Toçi, që mban emrin e xhaxhait, “Dëshmor i Atdheut”, u përkushtua dhe i vuri synim vetes që te gjente me çdo çmim dhe t’i sillte në atdhe, eshtrat e xhaxhait te tij. Dhe ai i’a arriti atij synimi. Kështu, më datën 26 mars 2011, mbërritën në Shqipëri eshtrat e Shahin Toçit, ku u organizua një ceremoni madhështore në rrethin e Matit, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta shtetërore nga Ministria e Mbrojtjes, etj., ku familjarëve të tij, nga organet përkatëse , i’u dorëzua “Medalja e Artë të Shqiponjës”, të cilën i’a kishte akorduar Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016