Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të korespondencës së Mbretit Zog me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Mehdi bej Frashëri, në janarin e vitit 1960 kur Zogu ndodhej në Canë të Francës dhe kishte vendosur të shkruante kujtimet e tij, ku ai donte të pasqyronte disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, siç ishin: Protokolli i Korfuzit në 1914, veprimet e Komisionit Ndërkombëtar të Lidhjes së Kombeve në Shqipërinë e Jugut, veprimet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Kufijve, vrasja e Gjeneral Telinit, etj. Pasi i përshkruante të gjashtë pikat kryesore për të cilat brenda mundësive kërkonte sqarime të hollësishme, Mbreti Zog, e mbyll letrën e tij, duke i kujtuar ish-kryeministrit Frashëri, shërbimet e mëdha që ai i kishte bërë Shqipërisë. Ndërsa Mehdi beu, pasi i shprehte gatishmërinë e tij Mbretit Zog, për t’a ndihmuar për të gjitha çështjet që ai kishte dijeni, në fund të letrës së tij, i shkruante: “Jam akoma i mendimit se Shqipnija, e izolueme nga Rusija, nuk ka se si mos gjej herët a vonë një konjukturë politike ndërkombëtare të favorshme, që t’i lejoj shqiptarëve me hedh këtë zgjedhë, që, nga të gjitha çka parë, asht sigurisht ajo ma e tmershmja”.
“Kam fillue pregaditjen e memoarve, natyrisht kam shënime, por dot’ më pëlqente: një Autoritet qi ka ndodhë në ç’ashtjet mbrenda, të më japë sa shpjegime ma të gjona. Pra’ në asht se do të keni mundësi të më jepni së hollësina mbi këto pika që po ju rendoj ma poshtë…Këto në ka posibilitetin t’mi shkrueni gjanësishtë se, dot dishroshe qi nji personalitet qi i ka dhanë Shqipnis shërbime të shkëlqyeshme”.
Kështu shkruhet në mes të tjerash në një nga letrat e panjohura të Mbretit Zog, që mban datën 20 janar të vitit 1960, kur ai kalonte muajt e fundit të jetës së tij në qytetin Canë të Francës, e cila i drejtohet Mehdi bej Frashërit, ish-kryeministrit të Shqipërisë të disa kabineteve qeveritare në vitet e Monarkisë së Zogut, që asokohe jetonte si azilant politik në kryeqytetin italian, Romë. Po çfarë shkruhet më tej në atë letër të Mbretit Zog dhe çfarë i kërkon ai ish-kryeministrit të Shqipërisë? Për të gjitha këto bëhet fjalë në një sërë letrash e dokumentesh origjinale që janë pjesë e korespondencës së plotë në mes tyre, të cilat janë ruajtur me fanatizëm dhe kujdes të madh në arkivin familjar të Mehdi bej Frashërit në Romë.
Duke u nisur nga rëndësia që paraqesin ato dokumente (të cilat nuk ndodhen në arkivat e shtetit shqiptar), ku flitet për disa nga ngjarjet më të diskutuara dhe të përfolura të historisë së Shqipërisë, si: Protokolli i Korfuzit në 1914, Veprimet e Komisjonit Ndërkombëtar të Lidhjes së Kombëve në Shqipërinë e Jugut, veprimet e Komisjonit Ndërkombëtar për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë, vrasja e Gjeneral Telinit, grindjet për Shën-Naumin e Vermoshin etj., falë dashamirësisë së nipit të Mehdi beut, z. Tefik Çelo, (djali i vajzës, ka ndërruar jetë para pak vitesh në Tiranë), i cili na i vuri ato në dispozicion, një pjesë të tyre Memorie.al po i publikon të plota në këtë shkrim, duke mos i bërë asnjë ndryshim nga ana gjuhësore.
Zogu i shkruan Mehdi beut
I dashtuni Mehdi Bej, Shpresoj se Juve, Nyre Hanmi, dhe e gjith Familja të jeni me shëndet të mirë, po edhe na të gjith mirë jemi. Kam fillue pregaditjen e memoarve, natyrishtë, kam shenime, por dot’më pëlqente; nji Autoritet qi ka ndodhë në ç’ashtjet mbrenda, të më japë sa shpjegime ma të gjona. Pra’ n’ asht se do të keni mundësie të më jepni sa hollësina mbi këto pika qi po ju rendoj poshtë:
1-Veprimet e Komsionit Enternacional në Kerfuse në 1914.
2- Mbi Dhenamet të Himarës.
3- Veprimet e Komisionit të Lidhjes së Kombeve në Shqipnin e Jugut.
4- Veprimet e Komisionit Delimitationit të Kufive.
5- Vrasja e General Telinit.
6- Grindjet, dhe përfudnimi i Shën-Naumit, dhe Vermoshit.
Këto në ka posibilitetin t’mi shkrueni gjanësisht se, dot dishroshe që nji personalitet qi i ka dhanë Shqipnis shërbime të shkylqishme.
Tue ju urue shëndet, Juve, Nyre Hanmit, e gjith Familjen ju marrë grykë.
Canne-20 Janar 1960
Përgjigjia e Mehdi bej Frashërit për Mbretin Zog
Madhni, Gëzohem që M.J. e familja jeni mirë nga shëndeti, ne për fat të keq akoma Nejren e kemi të sëmund, me gjithë që ka bae disa përmirësime. Medihaja e djemt bajnë çmos për t’i lehtësue jetën asaj e për me i gjetë udhën e shërimit. Kjo asht ngushullimi i madh i pleqëris t’ime në mërgim, i vetmi. Mësoj me kënaqsi të madhe që M.J. keni fillue shkrimin e kujtimeve. Jam i bindun se këto janë të domosdoshme për historinë e Shqipnis; do të drejtojnë shumë gabime të ktyne 40 vjetëve të fundit. Këtu do të gjeni gjegjet e pyetjeve që M. J. më drejtuet. Shpresoj që ju jeni të nji utiliteti. Sido qoftë un jam këtu, çdo herë që do të paraqitet nevoja, me dhanë çka dije, në këtë vepër eksepsionalisht me randësi që M. J. keni fillu. Në numrin pesë, vramjen e Gjeneral Tellinit e kam përmbledh në veprimet e Komisionit të Delimitacjoneve, kësisoj gjegjet e mija përbajnë vetëm 5 numra. Tue Ju drejtue M.J, ndigjoj nevojën ti hedh nji sy të shkurtën situatës. Jam akoma i mendimit se Shqipnija, e izolueme nga Rusija nuk ka se si mos gjej herët a vonë nji konjukturë politike ndërkombëtare të favorshme, që ti lejoj shqiptarëve me hedh këtë zgjedhë, që, nga të gjitha çka parë, asht sigurisht ajo ma e tmershmja. Mbetem me nderimt e mija ma të thella për M. e J. dhe gjithë familjen mbretnore, në të cilat shoqnohet e gjithë familja jeme.
Mehdi Frashëri
31 Janar 1960, Romë
Interesimi i Mbretit Zog për ‘Protokollin e Korfuzit’
Një ndër çështjet që Mbreti Zog i kërkonte ish-kryeministrit Mehdi bej Frashëri për t’i sqaruar, ishte ajo ku bëhej fjalë për “Veprimet e Komisionit Internacional në Korfuz, në 1914”, apo siç njihet ndryshe në historinë e Shqipërisë, si “Protokolli i Korfuzit”. Lidhur me këtë pikë, ndërmjet të tjerash në letrën e tij, Mehdi Frashëri i sqaron: “Në Konferencën e Londrës më 1913, me qenë se ishte vendosur që Korça e Gjirokastra t’i mbeteshin Shqipërisë, Greqia nuk mund t’i sulmonte hapur këto dy prefektura, të cilat i quante Epiri i Veriut. Prandaj ajo kërkonte që indirekt të gjente një shkak që këto vende, fillimisht t’i bënte autonome, dhe më vonë në një fazë të dytë t’i aneksonte ato.
Për këtë qëllim guvernori grek i Janinës, mendonte që deri sa ishin trupat greke atje, të shtynte të krishterët orthodoks të asaj krahine në formën e një xhandarmërie kryengritëse, që kur të tërhiqeshin trupat greke, vendin e saj t’a zinte xhandarmëria e cila do të luftonte me xhandarmërinë shqiptare po të shkonte ajo atje. Kjo fuqi kryengritëse me shpirt grek kish nevojë për nji qeveri që ta quante veten epirote. Kështu një person i quajtur, Gjergj Zografi, i biri Kristaq efendiut, nga Lunxhëria e Gjirokastrës, me të kunatin e tij Karapanon, dhe nji oficer grek me origjinë shqiptare i quajtur Dhulis, formoji nji qeveri autonome të Epirit të Veriut.
Në këtë kohë poullsia myslimane e këtyre dy prefekturave shqiptare, i hapi luftë xhandarmërisë epiriote. Nisur nga fakti se fuqia e xhandarmëris shqiptare ishte e pamjaftueshme dhe popullsia myslimane nuk ishte e organizuar, xhandarmëria epirote filloj të digjte katundet myslimane, për të detyruar atë popullsi që të linte vendin dhe aty të mbeteshin vetëm orthodoksët. Për këtë ngjarje qeveria e Princ Widit me kryetar Turhan Pashën, u detyrua t’i drejtohej Komisjonit Ndërkombëtar që përbëhej prej delegatëve e gjasht fuqive të mëdha ku bënin pjesë: Britania Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Austria dhe Rusia. Për të bashkëpunuar me këtë komisjon, nga ana e Shqipërisë ishte caktuar si delegat, Mehdi Frashëri.
Në këtë kohë, në Shqipërinë e mesme, pjesa fanatike myslimane, filloj nji lëvizje në favor të Turqisë, duke thënë: “Duam Baba Dovletin”. Nisur nga kjo gjë, Qeveria e Princ Widit mbeti në nji pozitë shumë të vështirë, pasi fanatikët mysliman kërkonin në vendin e Princ Widit, nji princ nga Turqia. Pas kësaj Komisjoni i Kontrollit Ndërkombëtar lajmëroj Zografon se do të vinte në Korfuz dhe do të bisedonte me qeverinë epirote. Në mbledhjen e Korfuzit delegatin shqiptar nuk e mbështeti asnjë nga fuqitë e mëdha në mënyrë që ai ta detyronte Komisjonin e Kontrollit për të marrë vendime në interes të Shqipërisë.
Si rezultat i kësaj, Komisjoni Ndërkombëtar vendosi që prefekturat e Korçës e Gjirokastrës të formonin një qeveri autonome nën juridiksionin e qeverisë shqiptare, ku oficerët e xhandarmëris të Epirit Autonom, do të përbëheshin prej oficerësh grekë me qenë se orthodoksët shqiptarë të vëndit, në kohën e Turqisë, nuk kishinpasur oficera. Kisha orthodokse e vëndit do të drejtohej prej klerit grek të emëruar prej Patriakanës së Stambollit. Gjuha e mësimit nëpër shkolla të veçanta të orthodoksve do të ishte greqishtja. Siç shihet të gjitha këto masa parashikonin greqizimin e nji pjese të madhe të Shqipërisë së Jugut. Pas kësaj vendimet e Konferencës së Korfuzit, ju paraqitën Konferencës së Ambasadorëve në Paris për t’u aprovuar.
Në këtë kohë qeveria epirote e Zografos kishte bërë një pakt me myslimanët fanatikë të Shqipërisë së Mesme, gjë e cila e detyroi Princ Widin të largohej nga Shqipëria. Në këtë kohë Epiriotët e thyen armë-pushimin që ishte lidhur midis fuqisë shqiptare dhe tyre, dhe vëndin e qeveris epirote të Zografos, siç edhe parashikohesh e zuri Greqia. Këto ngjarje përkuan me fillimin Luftës së Parë Botërore. Në këtë kohë, Italia, me qenë se kishte rivendikime (pretendime) territoriale kundrejt Austrisë, me qëllim që më vonë të hynte në luftë, pushtoi Vlorën dhe me forcat aleate firmosi një traktat të fshehtë ku thuhej: Vlora me një pjesë të krahinave rreth saj do të ishte drejt për së drejti në administrimin e Italisë dhe Shqipërija e Mesme (myslimane) nën protektoratin e sajë.
Ndërsa për Shkodrën në Veri dhe Korçën e Gjirokastrën në Jugë, nuk do të bënte asnjë kundërshtim, në qoftë se Konferenca, Shkodrën do të ja jepte Serbisë dhe Korçën e Gjirokastrën Greqisë. Mbasi Lufta e Parë Botërore zgjati disa vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynë në luftë kundra Austro-Gjermanëve e në favor të aleatëve, Presidenti Wilson deklaroji se traktatet e fshehta nuk i njihte. Në këtë kuadër, traktatin e fshehtë të Italisë me aleatët, në Konferencën e Paqes ai e quajti të pa vlerë, por me gjithë këtë, në tratativat e Konferencës në fjalë, ai propozoj që Vlora t’i mbetej Italisë dhe ana në jugë të lumit Vjosë t’i jepej Greqisë. Sa për pjesën që mbetej, nji zonë midis Vjosës e Liqenit të Maliqit, do të bëhej një referendum dhe përfundimi i tij do të ishte nji provë se kujt do t’i mbetej ajo zonë, Shqipërisë apo Greqisë.
Me qënë se në këtë zonë shumicën e përbënin myslimanët dhe midis orthodoksëve kishte edhe nacionalistë shqiptarë, shpresa ishte e madhe që ajo të mbetej në Shqipëri. Sa për Shkodrën nuk u bë fjalë sepse ajo ishte thjesht shqiptare. Në vijim të luftës aleatët panë nevojën që në Selanik të zbarkonin nji ushtri për të atakuar forcat Austro-Gjermane, duke përdorur dhe mbeturinat e ushtrisë serbe që përbëhej prej 150.000 ushtarësh, të cilat në Korfuz, aleatët i kishin riorganizuar dhe armatosur më së miri. Aleatët i propozuan dhe Greqisë që ajo të hynte në luftë në favorin e tyre, mirëpo, Mbreti Kostandin, ishte dhëndri i Kaiserit, (Mbretit të Gjermanisë) dhe përveç Venizellozit, një parti e madhe greke nuk dëshironte të hynte në luftë, vetëm në qoftëse i jepnin Stambollin. Kjo ishte nji punë që nuk bëhej, pasi ajo përkonte me qëllimet e Rusisë.
Në këtë kohë, francezët filluan të dyshojnë se mos Greqia ishte në favor të Austro-Gjermanëve, dhe për të ndaluar kontaktin midis Greqisë dhe Austro-Gjermanëve, me ndërmjetësinë e naconalistit patriot, Themistokli Gërmenji, Gjenerali Sarail, komandant i ushtrive aleate në Selanik, dërgoj edhe një battalion ushtarësh në Korçë. Kjo forcë përzuri ushtrinë greke dhe formoj qeverinë e Korçës, Autonome Shqiptare, me Themistokli Gërmenjin. Pas kësaj ajo organizoj dhe dy batalione xhandarmërije shqiptare. Në këtë kohë fuqitë franceze ishin vendosur deri në katundin Selenicë të Kolonjës. Ndërsa territorin nga Selenica e deri në Sarandë e pushtoi ushtria italiane. Kështu në Korçë e Gjirokastër nuk mbeti as ushtri dhe as qeveri greke. Nga zhvillimi i këtyre ngjarjeve u bë e mundur që në Konferencën e Paqes, francezët të kundërshtonin rreptësisht për Korçën e Gjirokastrën dhe vendimet e Korfuzit nuk ju morën parasysh, pasi vetë Greqia e kishte prishur armëpushimin”.
Zogu kërkon sqarime për Çështjen e Himarës
Dy nga pikat e tjera që Mbreti Zog i kërkonte sqarime Mehdi Frashërit, ishin: “Dhenomet (Privilegjet) e Himarës” dhe “Veprimet e Komisionit të Lidhjes Kombeve në Shqipërinë e Jugut”, çështje të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të krijojnë probleme. Lidhur me këto, ish-kryeministri Frashëri në përgjigjen e tij për Zogun, shkruan: “Privilegjet e Himarës janë po ato të Korçës e Gjirokastrës, me ndryshimin se në atë kohë, një person i quajtur, Spiro Milo, nga Himara, kishte vënë nji kryq të madh në krahor dhe kishte shoqëruar Zografon. Spiro Milo kërkoi një flamur të Himarës, gjë që nuk kishte ndonji rëndësi, prandaj iu pranua nga Komisjoni Ndërkombëtar i Kontrollit të Kufijve.
Po kështu në atë kohë, nisur nga fakti se grekët gjithmonë ankoheshin që në Shqipëri shkeleshin të drejtat e pakicave greke, Lidhja e Kombeve vendosi të dërgonte në Shqipëri një komisjon të posaçëm të përbërë prej: profesorit Siderholm (finlandez), Comte de Pourtales (francez), dhe nji oficeri norvegjez. Ky komision lëvizi në të gjithë Shqipërinë, si në Veri ashtu dhe në Jugë dhe në fund, konstatoj se pakica greke kishte vetëm në krahinën e Dropullit në Gjirokastër dhe në Vurgun e Delvinës, të cilat nuk përbënin ndonjë rëndësi. Ndërsa për prefekturën e Korçës, ata konstatuan se nuk kish as edhe nji grek të vetëm. Si përfundim, komisioni konstatoj se grekërit quanin grekë edhe shqiptarët orthodoks. Pra siç shihet, ky komisjon në raportin e vet tregoj të vërtetën siç ndodhesh”. Kështu e përfundon Mehdi Frashëri sqarimin e tij në lidhje me pretendimet e grekëve për pakicat e tyre në Shqipërinë e Jugut.
Mehdi beu: “Gjeneral Telinin e vranë grekët”
Një ndër pikat e fundit që Mbreti Zog i kërkon Mehdi Frashërit t’ia sqarojë, është ajo e vrasjes së gjeneralit italian, Telini, i cili kryesonte Komisjonin Ndërkombëtar të Kontrollit të Kufijve. Lidhur me këtë ngjarje, në përgjigjen e tij, Mehdi Frashëri ka shkruar: “Komisjoni i Kontrollit të Kufijve kishte filluar punën e tij që përpara Luftës së Parë Botërore, por me fillimin e asaj lufte ajo punë u ndërpre dhe u la për më vonë. Pas mbarimit të luftës, u formua përsëri një komisjon t’ketër i përbërë prej: gjeneralit italian, Telini, kolonelit britanik, Jails, dhe kolonelit francez, Ordillion. Ndërsa nga ana qeverisë shqiptare fillimisht u caktua Hil Mosi, por me qenë se ky dha dorëheqjen, në vendin e tij u emëru Dhimitër Berati.
Pas kësaj, gjeneral Telini dhe Dhimitër Berati shkuan në Janinë për me marrë kontakt me autoritetet ushtarake greke, me qëllim që të plotësonin komisjonin me delegatin grek. Si delegat grek ishte caktuar kolonel Boçari, i cili ishte ishte nji grek ekstremist dhe stërnip i suljotit të famshëm, Marko Boçarit. Me qënë se kolonel Boçari e konsideronte gjeneral Telinin si nji mbështetës të Shqipërisë, vendosi që të vriste atë. Për të vrarë Telinin, ai bashkëpunoi me një kriminel grek të arratisur që quhej Rexhei. Pas kësaj, banda që kryesohej nga Rexhei, i zuri pritë dhe e vrau gjeneral Telenin, ndërsa ai po kthehej për në Shqipëri bashkë me përkthyesin e tij orthodhoks që kishte me vete.
Për të larguar përgjegjësinë politike, Qeveria greke, këtë vrasje ja u ngarkoj shqiptarëve, dhe si mbas versionit tyre, ajo gjë kishte ndodhur për faktin se gjenerali italian kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Por ky version i tyre nuk ishte gjë tjetër veçse një gënjeshtër e shpifje e madhe. Pas kësaj Qeverija italiane nga raporti që kish marrë nga Telini, kishte kuptuar se autoritetet greke në çdo mënyrë ishin shfaq kundra xheneralit, prandj Mussolini dërgoj nji flotë në Korfuz dhe qeveris greke i dha nji ultimatum, me këtë kuptim: “Qeveria Greke in corpore do të shkonte në flotën italiane në Pire dhe do të kërkonte ndjesë për ndodhjen e vrasjes të xheneral Tellinit, gjithashtu kërkoj dhe 50 miljon franga si damshpërblim për njerzit e vrame”. Mbas ksaj ngjarje si delegat italian në vend të xheneral Tellinit u emnue gjeneral Gazzera për Italinë, dhe nga ana Shqipëris Mehdi Frashëri si Komiser i Delimitacjonit.
Letra e panjohur e ministrit të Oborrit, Hysen Selmani për familjen Frashëri: “Kam besim se do e shkruani mirë historinë”
Ndërmjet shumë e shumë letrave që përbëjnë korespodencën e ish-kryemnistri Mehdi bej Frashëri dhe familjarëve të tij me familjen e Mbretit Zog, ndodhet edhe një letër e vitit 1971, ku ministri të Oborrit Mbretëror, kolonel Hysen Selmani, nga Franca i’a dërgon atë Ragip bej Frashërit, djalit të madh të Mehdi beut, që jetonte në Romë. Në atë letër, ai shkruan:
Shumë i dashtuni Ragip Bej,
Sot po sa u ktheva nga Parisi, ku ishim me Mbretin Leka, në Ceremonin e 10 Vjetorit të Vdekjes së Ndierit Mbretit Zog, pat shumë shqiptarë nga Amerika Englletera, Belgjika, Germanija, Suedija, Franca, po thuejë ma tepër se 1000 vetë ku kaloj shumë mirë, dhe koha ishte nji verë, e sot kur u kthyemë gjeta letrën tane dat 2 Prill 1971, e u gëzuemë s’tepërmi qi jeni të gjith mirë, dhe na mirë jemi. Ku më kërkoni kopjen e përshkrimit të Ndierit Mehdi Bej, e fotokopjuva dhe komplet po va dërgoj, e po na vijen shumë mirë qi po botoni nji libër historiane, natyrisht keni mjaftë dekumenta qi ka pas i Ndieri Mehdi Beje, e dhe ju vetë jeni nje shkrimtare i mirë, e kjo vepër pa dyshim ka me dalë e përsosun.
Madhnit e Tyne, Mehdihase, Vehbiut, dhe tye, ju urojnë shëndete të plotë e ju dërgojnë të falat ma të përzemërta. Nuk më bashi fjalë mbi të emigrimit për në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, si keni vendosun, kan marrë veshtë se Ndue Gjon Markaj me gjith Fëmie qenka emigrue në Amerikë. Me kaqë po ndalohem, Mehdihase, Vehbiut, Tye, ju uroj shëndete të plotë e gjitha sa zemra ju dishron, e ju marrë grykë me shumë mallë, na mori molli se nuk shifena shpeshë, Zoti na e pruft marë./Memorie.al
Gjithmonë i jueje, Husein Selmani
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016