Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të dramës “Njolla të murrme” të dramaturgut Minush Jero, e cila u vu fillimisht në skenë nga regjisori njohur Mihallaq Luarasi, në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ku fitoi kupën e festivalit të teatrove dramatike dhe u vlerësua me superlativa nga ana e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, por disa kohë më vonë, kur ajo u shfaq në skenën e Teatrit Popullor në Tiranë, në lozhë ishte vetë Enver Hoxha, ajo u kritikua dhe u godit prej tij, si një dramë ‘ku nuk dilte forca e klasës punëtore dhe aty dominonin ndjenjat mikroborgjeze” etj. Fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ai e ‘kryqëzoi’ atë pjesë dhe autorët e saj, duke i quajtur ‘njerëz me njolla’ si dhe diskutimet e zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, si Miho Gjini etj., dhe aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, si: Spiro Urumi, Nikolin Xhoja, Llazar Ziu, etj., që lëshuan akuza të ashpra, ndaj kolegëve të tyre që kishin interpretuar në atë pjesë, si dhe autokritika e dramaturgut Minush Jero dhe regjisorit, Luarasi, pas ‘rrufeve’ që lëshoi udhëheqësi kryesor i Partisë ndaj veprës së tyre!
Raport-informacioni i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës mbi diskutimet për dramën ‘Njolla të murrme’
I n f o r m a c i o n
MBI DISKUTIMIN RRETH DRAMËS “NJOLLA TE MURRME”
Për të analizuar gabimet ideore të dramës “Njolla të murrme” u bënë mbledhjet e organizatave bazë të partisë në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, redaksinë e “Zëri i Popullit”, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Institutin e Lartë të Arteve dhe Teatrin Popullor. Në disa nga këto mbledhje, si në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës dhe në Institutin e Arteve, ishin ftuar edhe shumë punonjës të tjerë pa parti, që merren me problemet e artit.
Në këto mbledhje diskutuan rreth gabimeve të dramës shumë komunistë. Ata, duke vënë në dukje e dënuar dobësitë e theksuara të veprës, panë me sy autokritik qëndrimet e tyre të gabuara ndaj saj dhe mbajtën para se të sinjalizoheshin nga partia.
Nga ana tjetër nxorën detyra e probleme për një punë më sistematike në të ardhmen, lidhur me edukimin e tyre marksist-leninist si dhe me organizimin e debateve rreth problemeve që preokupojnë revolucionarizimin e letërsisë dhe arteve.
Mbas mbledhjeve të organizatës-bazë të partisë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës së bashku me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, organizuan një diskutim të gjerë, ku përveç shumë shkrimtarëve dhe artistëve të kryeqytetit, ishin ftuar drejtorë e regjisorët e teatrove dramatike, kryetarë të degëve të Lidhjes, etj.
Në këto mbledhje erdhi fryma e diskutimeve që u bënë në organizatat bazë.
Të 13 diskutantët duke përfshirë edhe autorin e veprës dhe regjisorin e shfaqjes, e dënuan dramën “Njolla të murrme”, si një vepër objektiviste, fataliste, që nxin realitetin tonë, që tregon procesin e rënies dhe jo të rritjes, që nuk dënon, por i quan të pashlyeshme njollat e shoqërisë, që diskretiton shkollën, shoqërinë etj.
Duke diskutuar rreth gabimeve të veprës, përveç të tjerave u shfaqën konkretisht edhe këto mendime:
-Në dramë shpërndahen shumë ide revolucionare dhe nuk luftohen ato.
-Del sikur personazhet e veprës janë viktima të socializmit.
-Të krijohet përshtypja sikur idetë e partisë në raport me fenomen janë mikroborgjeze.
-Ajo në vend që t’i shlyej njollat, tregon triumfin e tyre.
-Në vend që të tregojë rrezikun e madh të mikroborgjezisë dhe borgjezisë, të krijon përshtypjen se ato janë të pathyeshme.
-Vepra merret me njerëz që zvarriten në jetë, jo me atë që është esenciale dhe përcaktuese.
-Në vend që të na flasë për gëzimet e njohjes të fenomeneve dhe kënaqësinë e transformimit të jetës, drama të ngjall hidhërim dhe dëshpërim, pse autori pohon negativitetin dhe s’nxjerr pozitiven.
Autori i veprës, Minush Jero, duke pranuar vërejtjet që i bëhen dramës, e dënoi vetë atë si vepër të dështuar ideologjikisht dhe shprehu mendimin se autokritikën më të plotë do ta bëjë duke shkruajtur një vepër që të pasqyrojë të kundërtën e “Njollave të murrme”. Regjisori i shfaqjes, Mihal Luarasi, duke bërë autokritikën e hodhi poshtë spektaklin dhe theksoi se shfaqja nuk mund të shprehte gjë tjetër, veç atyre gabimeve ideologjike që përmban vepra.
Ndërsa Kudret Velça që e përshëndeti veprën me artikullin e tij të botuar në “Zëri i Popullit”, e dënoi dramën, por u step të pranojë se në shkrimin e tij ka shprehur pikëpamje të gabuar kur shtron çështjen, se s’ka rëndësi zgjidhja e problemit, por shtruarja e tij. Gjithashtu në diskutimin e tyre anëtarët e zhurisë, duke dënuar veprën bënë autokritikë dhe nënvizuan se gabimi i tyre qëndron në atë që ata nuk kanë mundur të bëjnë vlerësimin e shfaqjes dhe veprës, në dritën e mësimeve të partisë dhe shokut Enver.
Njëzëri u shpreh mendimi se “Njollat e murrme”, duke qenë në themel e gabuar, nuk mund të mbajë flamurin e Festivalit. Për këtë çështje edhe kolektivi i Teatrit “Andon Zako Çajupi”, duke dënuar veprën, ka shfaqur mendimin ta kthej flamurin, por kjo mendojmë të bëhet pa bujë.
Të gjithë diskutantët vunë në dukje, se vlerësimi i padrejtë që i’u bë veprës “Njolla të murrme”, buron nga fakti; se nuk luftohet me këmbëngulje për zbatimin e tyre për artin, se nuk luftohet me këmbëngulje për zbatimin e tyre në praktikë, se nuk njihen mirë parimet marksiste-leniniste, se nuk janë çliruar plotësisht nga pikëpamjet estetike të huaja dhe se ndikohen prej tyre, se bëhet akoma pak punë për kalitjen ideologjike të shkrimtarëve dhe artistëve, se nuk thellohen për analizën e fenomeneve jetësore, etj.
Megjithëse diskutimet e përshkruara nga fryma e kritikës shoqërore dhe optimizmit, u përqendruan kryesisht për ato çështje që vumë në dukje më lart, dolën disa probleme ideore dhe organizative që duhen parë nga ne dhe organet përkatëse. Kështu u tha:
-Dramaturgjia jonë nuk duhet të merret me vendosjen e personazhit negativ në qendër të veprës. Personazhi kryesor duhet të jetë gjithnjë nën goditje.
-Pa bërë hero figurën e klasës punëtore, nuk mund të ketë art socialist.
-Të organizohet mirë lufta kundër njollave e shijeve të huaja që shfaqen në fushën e artit.
-Në të ardhmen festivalet të mos organizohen vetëm me spektakle e një sezoni, por në to të përfaqësohet krijimtaria më e mirë në periudhën midis dy festivaleve.
-Të organizohet më mirë puna e zhurive, në mënyrë që ato të kenë kohë për të gjykuar veprat dhe për të dëgjuar mendimin masiv.
-Çështjet e revolucionarizimit të letërsisë dhe arteve të bëhen më shumë problem të organizatave bazë të partisë në organet dhe institucionet përkatëse.
-Mbledhja shfaqi mendimin që “Njollat e murrme”, të diskutohen në të gjithë teatrot e vendit, duke u lidhur ky diskutim me problemet që preokupojnë revolucionarizimin e skenës.
-Lidhur me sa shtruam është përgatitur një material që këto ditë do të botohet si artikull redaksional i gazetës “Zëri i Popullit”.
Tiranë, më 15. XI. 1969 SEKTORI I KULTURËS
Raport-informacioni i instruktorit Miho Gjini të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës
SHËNIME PËR DRAMËN E MINUSH JEROS
“Histori e një nate”, shfaqur nga teatri dramatik i Gjirokastrës dhe botuar nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”
Këtu Minush Jero është konsekuent i platformës filozofike të dramës “Njollat e Murrme”, se shoqëria jonë është kurdoherë në denigrim dhe brehet përbrenda nga vetë njerëzit e saj. Drama “Histori e një nate” përshkruhet nga ideja e rrezikut të asgjësimit shpirtëror e fizik të njeriut me “njolla” në shoqërinë e sotme.
Mbasi e gjymton atë shpirtërisht, duke e paraqitur barbar e me një shpirt prej kafshe, autori e hedh karrocierin Myrteza nën rrotat e automobilit. Gjatë zhvillimit të dramës tek ky njeri sheh psikologjinë e kafshës, duke i dhënë tërë veprimit dramaturgjik një ndjenjë të përgjithshme fatalitetin.
Kontradiktat jo antagoniste në gjirin e popullit autori i sheh si kontradikta të karakterit antagonist. Karrocierin Myrteza, autori e nginj me egërsi kundër së bijës, e cila dashuron një djalë, aq sa gradualisht tek ai spikasin trajtat e një njeriu primitiv. Jo rastësisht autori e bën atë karrocier, që mbart plehrat e rrugëve dhe e mat çdo gjë në jetë me hapin dhe shpirtin e kalit që tërheq karrocën. Myrtezai vetëm se nuk ka frerin e kalit, se i tëri është konceptuar si një kafshë kokëfortë.
Ja se si shprehet ai gjatë dramës: “Më parë kafshëve u’a ndanin ushqimin se rriheshin po të hanin bashkë. Tani ua ndajnë edhe njerëzve”. “Sot nuk e shtyva, por e rraha me kamxhik kalin. Kjo do të thotë se jam më i dobët nga ai…”. “Në darkë i thotë të bijës, – e rraha Kuqon, se më plasi, duke u zvarritur në darkë të rraha ty, se brodhe gjer natën vonë”. “Kisha një kalë që punoi dhjetë vjet me mua dhe sonte ….ma vrave ti“. Bile ky njeri i gjymtuar kësisoj, kur i ngordhi kali, merr me vete si shenjë ngushëllimi patkonjtë e tij, që është gati t’ia vërtitë mbi kokë së bijës. Edhe kolektivi ku ai punon thotë se Myrtezai s’ka asnjë dallim nga kafsha, me të cilin punon (“Të gjithë në kolektiv, thonë se Myrtezai e ka karron me dy kuaj, me Kuqon dhe me veten e tij”.
Karakteri i Myrtezait s’ka asgjë të mirë e të bukur. I tëri është i veshur me psikologjinë e egërsisë njerëzore. Duke i kundërvënë atij të bijën dhe djalin që ajo dashuron, autori gjithashtu realizon këtu një kundërvënie kategorike të brezave. Brezi i ri nuk merret dot vesh me brezin e vjetër, i cili është i destinuar të përfundojë nën rrotat e automobilit. Por para se të vijmë gjer këtu, sipas autorit, duhet të hiqen zvarrë në jetë gjer në gulçimën e fundit (“Prapa këtyre asfalteve”- thotë ai:-do të zvarritem dhe bashkë me mua do të zvarriteni edhe ju”).
Protesta e Myrtezait në këtë ngjarje hermetike, ku zëri i shoqërisë dëgjohet fare frymë njeriu dhe kur vazhdimisht jashtë bie shi e bën mot i keq, tingëllon si një vajtim në shkretëtirë. I vetmi që merr pjesë në këtë vajtim është fqinji i tij, një profesor, që për nga botëkuptimi e fizionomia morale s’ka asgjë të përbashkët me mësuesit dhe shkollën tonë. Ai është tipi i intelektualit borgjez të fshehur në radhët tona, që autori e ka psonisur nga dramaturgjia frojdiane e Artur Milerit.
Do të thoja se e tërë drama është një kopje e keqe e dramës së Artur Milerit “Pamje nga ura”. Ka vetëm dallimin se, Edi Karbone është ndarë prej autorit në dy persona: në Myrtezanë që përfaqëson egërsinë dhe kafshërinë e tij dhe në profesorin, i cili mbart teorinë frojdiane në marrëdhëniet dashurore. Kur Shpresa, e bija e Myrtezait ishte 11 vjeç, Bujari e përkëdhelte si fëmijë, kur ajo vjen në moshën 14 vjeçe, e sheh me syrin e mësuesit dhe kur arrin në moshën 16 vjeçare, sheh tek ajo “vetëm femrën” (faqe 75).
Gjithë kontradiktat që inkuadrohen pastaj në dramë, midis të cilave ndodhet edhe Bujari, kanë për bazë këtë shtytje biologjike. Kundërshtimi që i bën atij Shpresa zgjon te Bujari zemërimin më të egër aq sa karakteri i tij fillon të ngjajë me atë të Myrtezait. Pikërisht këto marrëdhënie e këtë spostim të karaktereve dhe të kontradiktave midis tyre, kërkon të arrijë dhe ideologjia borgjeze përmes psikoanalizës së Frojdit.
Nëpërmjet Bujarit, të cilin autori e merr në mbrojtje në fund të dramës, hidhen ide kundër realitetit tonë. Ai e sheh realitetit tonë si një çadër të vogël (“qielli është sa një çadër“) mbi të cilën bie vazhdimisht shi dhe s’ka asgjë të bukur (“Jashtë është kohë e vrenjtur dhe me shi. Ç’gjë të bukur ka nën këtë qiell të përhimët”), po përkundrazi çdo gjë për të shembet si në një varr (“Çdo gjë u shemb së bashku me ato gërmadha që janë kthyer në një varr kujtimesh”).
Mos vallë ai kërkon që të kthehet e kaluara e hidhur, që kaq tepër e brengos kujtimi i saj? Po, ai këtë do. Gjer këtu na shpie filozofia e shtrembër dhe reaksionare e kësaj drame, e cila orvatet të luftojë konservatorizmin e patriarkalizmin e njerëzve që jetojnë në socializëm, me syrin e borgjezisë së sotme dhe të revizionizmit modern./Memorie.al
23.XII.1969 Miho Gjini
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016