Ejëll Çoba
Pjesa e pestë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vjet me radhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1940), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar I Përgjithshëm I Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj. Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesëmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit. Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.
B U R G I M E T
Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977
Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme
Konti Rober dë Monteskje
- A e ke njohur Pater Anton Harapin? – më pyeti kryetari.
- Po
- Ç’të lidhte me të?
- Pater Anton Harapi ishte njeri me kulturë e unë e kisha për nder të kisha njohje me të.
- Çfarë njeriu ishte?
- Njeri i mirë.
- Po patriot, a ishte edhe patriot?
- Po, ishte edhe patriot – u përgjigja me një ndjenjë kënaqësie se po dëshmoja botnisht nderimin tim për Pater Antonin, që kishte ra fli i idealit të tij nacional e fetar.
- A e pe ç’i bani populli?
- Nuk e di.
- Po Hasan Dostin, a e ke njohë?
- Po
- Ku e ke njohë?
- E kam pasë kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë, në Korçë, ku unë isha antar gjyqi.
- Ç’njeri ishte?
- Njeri i mirë.
- Mos ishte edhe ai patriot?
- Po, ishte patriot.
- Mos je edhe ti patriot?
- Nuk e di.
Në atë çast u ngrit në kambë prokurori Petrit Hakani, i cili me dorë të ngritun, me za kumbues e me frazologjinë e një prokurori të revolucionit francez, tha:
- Zoti kryetar, i pandehuri është njeri me shkollë; të na thotë a ka në tërë historinë e njerëzimit një shembull, një shembull të vetëm të një patrioti që të ketë bashkëpunuar me pushtuesin.
- Nuk kam ardhë këtu për të shfaqë ditunitë e mia historike.
- Jo, jo, zoti kryetar, të na e thotë shkoqur, a ka shënuar historia një shembull të tillë patriotizmi? – e me grushta i binte tavolinës me sa fuqi kishte, me sy të zgurdulluem, i skuqun në fytyrë. Unë heshta.
- Ta thotë i pandehuri, ta thotë! – vazhdoi edhe ma me hov, tue e ndie veten fitimtar.
- Peteni – i’u përgjigja shkurt.
Petriti ra si plandës mbi karrike, pa frymë. Si e mori veten, ndenjun e me za normal, shtoi:
- Po ç’i bani populli francez, a e ke marrë vesh?
- Nuk e di.
Gjatë kësaj kohe, kryetari dhe dy antarët (dy ushtarak, oficera të rinj, që nuk hapën gojë asnjëherë gjatë gjyqit), qëndruan spektator të heshtun. Mandej kryetari e mori fjalën e tue u sjellë nga sekretari, i tha:
- Merre shënim sjelljen e tij.
Dhe tue u drejtue nga unë, tha:
- Administrata e Zogut dhe ajo e pushtimit, kanë qenë të korruptuara, të gjithë kanë vjedhur, kush më shumë e kush më pak.
- Dikush ka vjedh shumë, dikush pak e dikush aspak – iu përgjigja me njëfarë largësie e mosangazhimi, i sigurt se s’kisha ç’ka të shtonte; e në fakt edhe këtë argument e la me ra por, si duket, kryetari kërkonte të dilte nga një impasse, ku e kishte futë ndërhymja pa sukses e prokurorit.
Kryetari: – kë ke avokat?
Unë: – S’kam avokat.
Prokurori: – Ku i ke miqtë?
Unë: – S’kam miq.
Kryetari i’u drejtua avokat A. Totozanit, i cili tha:
- E marr unë mbrojtjen e tij.
Me kaq mbaroi gjyqi atë ditë. Kryetari dhe anëtarët dolën, e ndërsa rojet po baheshin gati për të na përcjellë, prokurori erdhi të bajë muhabet me ne, si pa të keq, sidomos me Hamdinë. Hamdia i tha:
- A mund ta çojmë atë plakën, kushërinën time, të na blejë cigare, se s’po na dalin ato që na vijnë?
- Jo, por jepni paret këtij rojes – i’u përgjigj prokurori.
E me të vërtetë, i dhamë paret rojes e ai na solli cigarete.
Kur u kthyem në qeli, roja i qelisë më solli bashkë me sofratasat edhe 50 kutitë e cigareve, e mi hodhi në dyshek. E kuptova se im vëlla që kishte asistue në gjyq dhe kishte ndigjue se i kërkojshim Prokurorit të dërgojshin dikë për cigare, m’i kishte sjellë tue mendue se në atë gjendje shpirtnore, tymosja ishte një lehtësim.
Të nesërmen u mor në pyetje Hamdiu. Kundër akuzave që i baheshin atij si Qark-komandant në qytete të ndryshme, ai u mundue të kundërvinte fakte pozitive lehtësuese. Për këtë përmendi disa lehtësira dhe favorizime që u kishte ba aktivistëve të Lëvizjes. Por sa herë që përmendte emnat e tyre, gjykatësi dhe prokurori i hidhshin një vështrim njani-tjetrit dhe një person që rrinte përbri nesh, tërhiqte vështrimin e kryetarit, tue godit me forcë shuplakën e dorës së djathtë mbi grushtin e së majtës.
Ma vonë morëm vesh, se ata ishin arrestue në 15 maj të 1947. Gjatë kohës së burgut sa herë që binte fjala për Hamdinë, për gafat që bante në gjyq, qeshnim sepse edhe nëse ata emna që përmendte, nuk do të vinin me dëshmue pro tij, e dinim që në këto gjyqe vetëm dëshmitë kundër kishin peshë.
Të nesërmen në gjyq u lexuen vetëm dy deklarata kundër meje. Njena u lëshue prej aktivistit të Kryeministrisë, Ndreko Zhupa, dhe tjetra prej sekretarit të Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme. I pari thoshte se në zyrën time hyjshin e dilshin vetëm katolikë dhe se kisha marrë shumë nënpunës katolikë. E kuptova menjiherë se Ndrekon, e kishin detyrue me lëshue një deklaratë të tillë. Atë e kisha pasë kryetar gjyqi, kur shërbejsha si gjyqtar pajtues në Vlorë në 1934-‘35. E kisha ç’mue si nëpunës e si njeri. Kur më shkroi prej Delvine, e më kërkonte me i gjetë punë në Tiranë, kur unë po zgjerojsha kuadrin e Kryeministrisë, e mora si kryearkivist. Mbasi puna gjatë qeverisë Kruja, ishte voluminoze e lypej që në krye të arkivit të ishte një njeri që dinte me i mbajtë dokumentat.
Funksionarët e tjerë që mora atje ishin, Jakov Milaj, Sulë Demiri e Njac Naraçi. Jakovin ma sygjeroi vetë Kryeministri që e kishte mik. Sul Demirin ma këshilloi Jani Shuteriqi, që e kisha koleg gjyqtar dhe e dijsha që ai ishte me ide komuniste. Por kurrë nuk ia kisha përmendë dhe ai u largue, për studime në Firence dhe ma lavdëroi Sulën. E pyeta nëse dhe ai kishte të njajtat bindje si ju? Jani hapi sytë e u çudit që unë e dijsha për të, e mu përgjigj prerë, jo. Atëherë po baj hetime.
Të gjithë më folën mirë për Sulën, e prandaj e mora si shef seksioni e mandej e gradova kryedrejtor. Njac Naraçi ishte drejtor i arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit. Një ditë më thirri kryeministri, e në sy të Ministrit të Arsimit, Xhevat Korçës, më tha:
- A ke një vend kryedrejtori vakant?
- Po – i’u përgjigja.
- Atëherë të këshilloj të marrësh Njac Naraçin, se ashtë shumë i mirë.
Përpara se të përgjigjesha unë, Xhevat Korça, me za lutes, tha:
- Jo, zoti kryeministër, mos ma merrni se më duhet në Ministrinë e Arsimit.
- Pse t’ia marrim zoti kryeministër – i thashë dhe unë. Gjejmë një tjetër.
- Jo, jo, mere, – më tha ai.
Kur i paraqita Kryeministrit propozimin për Njac Naraçin, ai më shpjegoi:
- Xhevati don ta zëvëndësojë Njacin, por që mos ti vijë keq Ernest Koliqit, që e ka emnue dhe e ka mik.
- Kjo kuptohej lehtësisht, por nuk kuptoj pse e luejti komedinë.
Mustafa Kruja qeshi. Xhevatin e kishte mik dhe e njihte mirë. Ai kishte plotësisht të drejtë për zëvëndësimin e Njac Naraçit, pasi duhej njeri me shkollë. Xhevati vuri Henrik Lacën. Njaci ma diti për nder mue, se nga drejtor në Ministrinë e Arsimit, e vura kryedrejtor në Kryeministri, ku prestigji ishte ma i madh. Njaci, ende sot, nuk e di të vërtetën.
Veç ktyne kam marrë dhe një daktilografiste italiane, për kopjet e shkresave të përkthyeme që i dërgojshim Mëkëmbësisë. Një herë na kishte ndodhë një keqkuptim atje për një përkthim të gabuem në italisht, prandaj përkthejsha dhe vetë në atë gjuhë.
Jup Kazazi, m’u lut që të merrsha një daktilografiste italiane, se që do të pushohej për shkurtim kuadri. Dhe unë e mora. Sa e kush ishin nëpunësat që ishin marrë në Kryeministri, Ndreko Zhupa, i dinte dhe më vuri një akuzë të pabazë, sikur kisha marrë vetëm katolikë.
Deklarata e dytë, kishte po atë akuzë dhe shtonte, se kur isha paraqitë tek ministri, Deva, si zv/ministër i Punëve të Brendshme, më kishte përcjellë, Padër Anton Arapi, gja që s’ishte e vërtetë. Xhafer Devën, se kisha pa ndonjiherë dhe Padër Antoni insistonte që unë ta pranojsha atë vënd.
Këto deklarata nuk meritojshin përgjigje dhe as kryetari i gjyqit nuk më kërkoi shpjegime. Ishin gjana pa randsi.
Ndërsa kundër meje u lexuen vetëm këto dy deklarata, kundër Hamdisë, doli një dëshmitar që kishte qenë i burgosur në kampin e Prishtinës. Ky dëshmitar pretendonte se kur kishte ardhë në Burgun e Tiranës, e shoqja e tij për t’u interesue për të, Hamdiu si Qark-komandant i Tiranës e kishte dëbue duke i thane: “Ik, moj lavire!”. Hamdiu u përgjigj duke i thanë se: nuk e njoh as këtë dhe as të shoqen e tij.
Kryetari nuk tregoi ndonjë interes, që në fund të fundit kjo dëshmi nuk do ta çonte Hamdinë në pushkatim. Atëherë dëshmitari duke dashtë me i dhanë rëndësi paraqitjes së tij në gjyq i tha kryetarit:
- Zoti Kryetar, përse e bëni me dyer të mbyllura gjyqin e Hamdi Isufit dhe Ejëll Çobës?! Lajmëroni popullin të vijë.
- Kryetari i’u përgjigj – kush të tha ty që po e bëjmë gjyqin me dyer të mbyllura?! Kushdo mund të vijë dhe tregoi me gisht personat që ishin në sallë, familjarët e mi e të Hamdisë.
Atë mbarmje më erdhi në qeli një oficer e më pyeti:
- Ku ka mbetë gjyqi?
- Për të folë Prokurori – i thashë.
- Ke lidhje me Hamdi Isufin?
- Jo – iu përgjigja.
- Atëherë i tha rojes që të shkojë nalt edhe ky.
Si duket, kishin me lirue vendet e birucave për arrestimet që po baheshin në Tiranë. Mblodha teshat e u përshneta me shokët. Në shkallë gjeta Hamdi Isufin, dhe ai i ngarkuem. Në burg kishte ra ora e pushimit dhe heshtjes. Nëpër koridore ishin duke pastrue. U përshëndeta pa za. Na çuen të dyve në të njajtën qeli. Shtrova rrobat. Gjumi nuk më merrte.
Personi që pashë ma me gëzim ishte Shuk Gurakuqi. Kisha ndjekë gjyqin e tij nëpërjet shtypit e isha gëzue pa masë që i kishte shpëtue dënimit me vdekje. Megjithse e dijsha mirë që nuk mund t’i ngarkojshin akuza personale veç ideologjisë së tij nacionaliste, fakti që kishte pasë zyrën ma të naltë (Ministër i Financave) ndër katolikët e pandehur të gjyqit politik më shtinte frikën.
Që s’kisha qenë i gabuem ma konfirmoi ma vonë në burg Suad Toptani, që kishte qanë avokat në atë gjyq. Ai më tha që pas vendimit, Koci Xoxe që ishte kryetar gjyqi kishte mbledhë avokatët dhe tue bisedue rreth atij vendimi, u kishte thane: “Na shpëtoi njëri, bëmë një gabim”. Sipas hetimeve të bame prej Suadit, rezultoi se i shpëtumi kishte qenë Shuk Gurakuqi. E kishin kujtue vëlla të Luigji Gurakuqit. Në fakt nuk kishin asnji lidhje gjinie me të. Mesa kujtoj unë, mbiemri i Shukut, ishte Rranxi e nuk dijshim pse kishte marrë mbiemrin e Luigjit. Shuku për Luigj Gurakuqin kishte një adhurim të vërtetë.
Edhe Luigji e kishte dashtë dhe e çmonte. Më tregonte vetë Shuku, që kur Françeskanët kishin dashtë me e zëvëndësue në listën e asamblistave në vitin 1923, Luigji kishte vue veton dhe u kishte thanë që nëse hiqni atë, më hiqni dhe mue.
Opinioni publik arriti deri tek gjyqtarët komunista që nuk guxuen me e cënue siç bënë me 17 të tjerët. Shuku kishte bashkpunue me Luigjin, në Bashkinë e Shkodrës, gjatë pushtimit austriak. Mandej kishte dalë deputet në vitin 1921 dhe asamblist në 1924-ën. Gjatë Revolucionit të Qershorit ishte shtrue në spital në Romë, ku e kishte pa për herë të fundit Luigjin. I kishte thanë që donte me u tërheq nga politika, e me shkue në Napoli, ku me studiue në kuvend murgeshash. E mandej me u kthye në Bari dhe me pajtu Hasan Prishtinën me Qazim Koculin.
Imzot Mjeda e Padër Fishta, që Zogu i kishte detyrue me ik në mërgim, e ngarkuen Shukun që t’i përfaqësonte në mbledhjen e antizogistave që u bë në Vjenë në fillim të vitit 1925. Ai kur e pa që mbledhja po anonte nga Bashkimi Sovjetik, e braktisi e u kthye në Romë, për t’i njoftue ata të dy. Në vend të tij këta emëruen Angjelin Sumën, i cili nuk aderoi në KONARE, por në Bashkimin Kombëtar, që u formue fill ma vonë.
Shuku nuk u kthye ma në Shqipëri, por gjeti punë në Trieste ku qëndroi deri në vitin 1938. Kur mbas vdekjes së Luigj Gurakuqit, Faik Konica shkroi në Gazetën “Dielli” pa respekt për të, Shuku e mbrojti Luigjin, me nji artikull brilant në shtyp, ku ndër të tjera shkruante “Faikut po i krruhet shpina për shkopin e Gurakuqit”, duke ba aluzion për goditjen që Luigji i bëri Faikut në Durrës.
Kur Padër Gjergji, tue dashtë me çdo kusht me rujt miqësinë me Faik Konicën, i kishte thënë Shukut, për artikullin: “A e ke matë vedin?”, Shuku i ishte përgjigjë: “Po e ndesha Faikun kam me borxh me i ranë me shkop!”.
Shuku nuk mori pjesë jo vetëm në KONARE, por as në Bashkimin Kombëtar, që ishte me tendencë franko-jugosllave. Ky kishte miqësi me Mustafa Krujën. Gjatë kohës së mërgimit nuk kishte zhvillue pothuajse asnji aktivitet politik. Në vitin 1938, kishte kërkue pashaportën prej legatës shqiptare në Romë, për t’u kthye në Shqipëri e për të hap në Shkodër filialin e shtëpisë tregtare “Prendushi”. Para se t’i dilte leja, Mustafa Kruja i shkruante që mos të vinte në ato momente, pasi në vend ishte duke u ndërrue gjëndja politike. Por pasi i doli leja, ai erdhi.
Lajmet e para për një zbarkim të Italisë në Shqipëri, i kishte marrë në Vlorë. Kishte shkue atje pas një udhëtimi me qëllime tregtare në Korçë dhe Gjirokastër. Më pas ishte kthye direkt në Shkodër.
Zbarkimi i ushtrisë italiane në vend e kishte tronditur Shukun. Ai ishte anti-zogist dhe e dëshironte ndryshimin e pushtetit. Nuk kishte aderue në Lëvizjen e Dukagjinit në vitin 1926 edhe pse kishte miqësi me krerët e tij. Po kështu, nuk pranoi që të shkonte si përfaqësues i Shkodrës në Asamblenë e Prillit të vitit 1939, për t’i dorëzue kurorën Viktor Emanuelit.
Ai mendonte se ndihma e Italisë kundër Zogut ishte e nevojshme por pushtimi ishte i papranueshëm. Për këtë arsye, Gjon Marka Gjoni kishte thirrë një pjesë së parisë së Shkodrës, për listën e asamblistave. Shuku nuk pranoi, e fill pas tij edhe Hafiz Ali Kraja.
Nush Topalli, me lot në sy kishte shpjegue pse Shkodra nuk e përkrahte bashkimin e dy kurorave.
Një nga të pranishmit i kishte thanë:
- Këto fjalë mos na i thuaj ne, por thueja Melonit, konsullit italian në Shkodër. Do i’a them edhe atij i ishte përgjigjur Nushi.
Në atë çast, sekretari i Gjon Marka Gjonit i kishte thënë që po vinte Meloni për të marrë listën e asamblistave. Gjoni e kishte çue Melonin tek mbledhja e Nush Topalli dhe në italisht i’a kishte thënë të gjitha.
Meloni i ishte përgjigjë që këto kërkesa kalonin kompetencat e tij, por ai i kishte vënë në dispozicion një avion për të shkue në Tiranë e për të takue Çianon, Ministrin e Jashtëm. Gjon Marka Gjoni, Anton Harapi, Ndoc Pistulli kishin shkue atje. Nushi e Hafiz Kraja, nuk kishin ikë. Këto m’i ka tregue Shuku në burg. Si u zhvillue ai takim, më ka tregue Anton Harapi. Në krah të Çianos, ishin disa funksionarë italianë midis të cilëve dhe Xhovani Xhiro. Ky i fundit kishte qenë organizator i rinisë qysh në kohën e Zogut.
Ai kishte bërë komplot për të rrëzue Zogun dhe u kishte marrë deklaratat për Italinë, disa personave. Nga pala shqiptare ishin Gjon Marka Gjoni, Padër Anton Harapi, Ndoc Pistulli, Zenel Broja, etj. Arsyetimet e Çianos ishin se ngjarjet në Shqipëri, ishin hallkë e politikave të boshtit dhe se Italia duke pasë një kambë në Shqipëri, ishte e sigurt në Ballkan, etj.
Dhe se populli shqiptar, do të kishte përfitime kolosale nga kjo gjë, etj. Por Gjon Marka Gjoni, i tha që nuk i kemi pasë fjalën kështu. Neve na duhej ndihma e Italisë kundër Zogut, por jo pushtimi dhe bashkimi i kurorave. Padër Antoni, përkthente argumentat e Gjonit dhe i shtonte me ato të vetat prej intelektuali. Por Çiano ngulmonte edhe më shumë për natyrën e rendit të ri që do sillte fashizmi dhe se njerëzit nën të, do shpëtonin nga mjerimi komunist dhe nga demokracitë plutokratike. Gjoni mbahej në faktin që nuk i kemi pasur fjalët kështu, por Anton Harapi argumentonte se dëshira e popullit shqiptar, ishte pavarësia dhe sovraniteti territorial dhe se kombi ynë nuk do pranonte asnji rend pushtues, sado i mirë të ishte ky.
Garancinë e fjalëve për pavarësi që sipas Çianos nuk e vinte në rrezik bashkimi i dy kurorave, Gjoni e Patër Antoni i’u kundërpërgjigjën, por mbas këmbënguljes së Çianos, Gjon Marka Gjoni i’u drejtue Pater Antonit, me këto fjalë:
- Ç’ka të bajmë, Pater Anton?
Xhovani Xhiro, që ishte në kambë mbas Çianos, i tha nën za një shokut italian që kishte përbri:
- I Kërkohet një këshillë një prifti katolik, e ai nuk i’a jep.
Pater Antoni i ndigjoi këto fjalë, rrahi dorën mbi tryezë, u ngrit në kambë e tha:
- Këtu s’ka ma vend për mue! – dhe u nis me dalë. Tue kalue para Zenel Brojës, që ishte mbas karriges së Pater Antonit, ai i tha:
- Tash ruej kryet, Patër Anton!
Para se të mbrrinte te dera e sallës, Jakomoni e kapi për krahu Patër Antonin e tue i vue përpara një figurë të Shën Mërisë, që kishte me vete, i tha:
- Të lutem, At, për dashurinë e Zojës, kthehu nëse ai kërkon falje për veprën.
Xhovani Xhiro i kërkoi të falun e biseda u rifillue në një ton tjetër. Përfaqsuesat e Shkodrës pranuen të marrin pjesë në asamble, por deklaruen se atje do të bajshin një deklaratë rezervë. Kështu ndodhi.
Ndoc Pistulli, në emën të asamblistave shkodranë, lexoi deklaratën e përpilueme prej Pater Anton Harapit. Nuk e di nëse Xhafer Ypi, që kryesonte asamblenë, e ka vu në proçes-verbalin e mbledhjes këtë deklaratë apo jo? Vetëm asamblistat shkodranë patën rezerva mbi bashkimin e kunorave.
Pater Antoni më ka pasë thanë se e ruante origjinalin e deklaratës. Por nuk e di se ku ka përfundue. Nush Topalli nuk shkoi fare në asamble.
Nuk kam pasë mundësi të lexoj “Ditarin” e Çianos. Kam lexue në revistën “Në shërbim të popullit”, të 2 shkurtit 1972, këto fjalë:” … Baj diskutime të gjalla me shumë krenë të vendit. Ata të Shkodrës, të nxitun e të përpunuem nga Kleri Katolik, janë ma kreyneçët…”!
Besoj se kjo asht përgjigja ma e mirë për ata që thonë se klerikët katolik janë pa atdhe. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016