Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri i panjohur me kujtime me titull “Denkeschrift uber Albanian” (Memorandumi mbi Shqipërinë), i shkruar nga Princi Wilhelm Wied dhe i botuar në Gjermani menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, ku princi gjerman që mbretëroi vetëm gjashtë muaj në vëndin e vogël ballkanik, në një kapitull të veçantë ka shkruar një program politiko-ekonomik për Shqipërinë, ku ka parashtruar idetë e tij që mendonte t’i zbatonte gjatë mbretërimit të tij. Të gjitha idetë e princit gjerman të shkruara në programin e tij politiko-ekonomik, me anë të cilave ai mendonte se do të zhvillohej dhe të përparonte Shqipëria, të publikuara për herë të parë në atë libër që u përkthye edhe nga Instituti i Historisë në Tiranë në vitin 1956,( por që s’e pa kurrë dritën e botimit), ku Wilhelm Wied, mes të tjerash është marrë gjatë edhe me historinë e Kosovës, duke paraqitur fakte dhe dokumente, madje duke kërkuar që ajo t’i kthehej trungut mëmë, Shqipërisë, pasi ishte një padrejtësi ndaj vëndit të vogël ballkanik buzë Adriatikut, që Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Londrës, për konjuktura politike i shkëputën gati gjysmën e territorit të tij.
Në librin e tij me kujtime të titulluar “Denkeschrift uber Albanian” (Memorandumi mbi Shqipërinë), i cili fillimisht u botua në Gjermani menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, Princi gjerman, Wilhelm Wied, (1876-1945) ka publikuar edhe një kapitull të gjatë, ku ka parashtruar një program ekonomiko-politik, që ai e kishte bërë gati për ta zbatuar në Shqipëri, në vendin e vogël ballkanik ku ai mbretëroi vetëm për gjashtë muaj. Një vend të veçantë në atë program zë edhe Kosova e viset e tjera shqiptare të lëna padrejtësisht jashtë kufive të saj natyror nga Konferenca e Londrës në vitin 1913-të, për të cilat Wied kërkonte që t’i ktheheshin menjëherë Shqipërisë. Atë kërkesë, Princi Wilhelm Wied, nuk e parashtronte atë gjë thjesht si një dëshirë të tij, por ai e argumentonte me fakte dhe dokumente, duke e shkruar se ajo ishte një e drejtë legjitime e vendit të vogël ballkanik buzë Adriatikut, të cilin, Fuqitë e Mëdha, për koniuktura politike të çastit dhe për të kënaqur ‘orekset’ e fqinjëve, i shkëputën padrejtësisht gati gjysmën e territoreve të trungut të saj. Lidhur me këtë, nga kujtimet e Wied-it të botuara fillimisht në librin e tij “Denkeschrift uber Albanian” (Memorandumi mbi Shqipërinë), libër i cili në vitin 1956 u përkthye edhe nga Instituti i Historisë në Tiranë, (po që nuk e pa kurrë dritën e botimit), Memorie.al ka përzgjedhur vetëm disa pjesë të tij, aty ku ai bën fjalë për programin politiko-ekonomik, ku princi gjerman, Wilhelm Wied, ka parashtruar idetë e tij, se si do të përparonte dhe do të zhvillohej Shqipëria.
Programi politiko-ekonomik i Princ Widit për Shqipërinë
Industria e Shqipërisë me përjashtim të disa mullinjve, të cilët teknikisht ndodhen në një shkallë shumë të ulët, nuk ka. Por perspektivat për zhvillimin e një jete industriale të pasur, janë krejt të favorshme dhe shumë premtuese po të kihen parasysh pasuritë e mëdha tokësore dhe inteligjenca natyrale e banorëve të saj. Megjithse një gërmim serioz i pasurive toksore të Shqipërisë deri më sot s’ka gjetur vend, prap se prap qysh sot asht e kjartë, jo vetëm prej tregimeve të romakëve të vjetër mbi minerat romake të arit dhe argjendit, por edhe prej zbulimit që u zbulua në kohët e fundit të kromit, zhivës, bakrit dhe metaleve të hekurit, vajgurit, serës etj., se Shqipëria në një ekzaminim të afërt special, është një vend i pasur me burime minerale toksore.
Vërtetohen raportet mbi gjetjen e pasur të hekurit dhe të shtresave të qymyrit, atëhere perspektivat për një zhvillim industrial të fuqishëm shtohen edhe ma. Si komunikacioni, ashtu dhe zhvillimi industrial i vendit, do të përkrahet jashtë mase edhe prej fuqive elektrike, që do të prodhohet në masë të gjerë prej fuqive të ujit. Në lidhje me tregtinë dhe industrinë, janë për t’u përmendur edhe pyjet madhështore dhe të mbëdhenj prej lisi, dushku, ahu dhe bredhi, që mbulojnë malet në brendësinë. Ç’frytëzimi i këtyre pyjeve të gjerë në brendësinë e vendit do të japë mbasi të jenë krijuar lidhje rrugore të përshtatëshme, t’ardhura të mira. Druja e vendit që gjindet në Shqipërinë e jugut në shumicë, formon që tash një artikull eksportues për t’u shënuar. Njera prej detyrimeve kryesore të s’ardhmes do të jetë me thirrë në jetë shkolla të mira.
Për të evituar grindje të brendshme religjioze nuk duhet të tolerohet, që shkollat të bëhen vatër agjitacioni politiko ose konfensional, siç ka qenë shpesh në një kohë në të kaluarën. Përkundrazi ato duhet t’edukojnë rininë Shqiptare në punë pozitive dhe sidomos në ndjenja nacionale. Vetëm ndjenjat nacionale bën një popull të njëhësishëm të fortë. Gjuha e mësimit duhet të jetë shqipja. Në klasat e nalta mund të mësoheshin gjuha gjermanisht dhe turqishte; gjermanisht për arsye të mbështetjes së domosdoshme kulturore dhe politike ndaj Gjermanisë dhe Austro-Ungarisë; turqisht, për shkak të marrëdhënieve aq të vjetra tradicionale, por edhe për arsye të lidhjeve ekonomike me orientin, të cilat në përgjithësi shkojnë nëpër tokën turke.
“Problemi i religjioneve, i zgjidhur”
Për sa i përket çështjeve religjioze, Shqipëria do të jetë një vend ku do të respektohen gjithë religjionet. Tentativa të huaja, për të futur influencën në çështjet konvencionale, në të arthmen nuk do të durohen në asnjë mënyrë. Të tre religjionet, besimi katolik, muhamedan dhe ay greko-orthodhoks, të cilat simbas opinionit të shumë vetave, do të shkaktojnë gjoja trazira të përtejshme në vend, në të vërtetë bëjnë këtu shumë më pak vështirësi se sa në vënde të tjera, me që Shqiptari (edhe muhamedani), është prej natyre tolerant dhe aspak fanatik. Bash muhamedanët kanë këtu prirje për tolerancë besimi.
Këtu e tutje në Gjermani dhe Austro-Ungari janë të mendimit, se princi i Shqipërisë duhesh t’i përkiste njerit prej tre besimeve të përmendura. Krejt e kundërta dëshirohet! Princa katolikë, muhamedanë, greko-orthodhoksë, janë gjithnjë në rrezik t’akuzohen për pjesëmarrje në favorin e antarëvë po t’atij besimi. Mbasi princi i Shqipërisë nuk duhesh të ishte as muhamedan dhe as katolikes orthodhoks, kështu lindi ideja tek kryetarët shqiptar me mëndje preftësi, princi duhet t’i përkiste konfesionit protestant dhe kështu t’ish neutral përkundrejt gjithë konfesioneve të tjera. Po të barazohen posibilitetet e sotme të zhvillimit të Shqipërisë me ato që ekzistonin para luftës, atëhere shifet kjartë, se vitet e luftës kanë sjellë me vehte një ngutje të papërfytyrueshme të zhvillimit dhe shfrytëzimit të vendit.
Në dy vjet janë bërë përparime, për të cilat, për shkak të rrethanave që ekzistonin para luftës nënë kapërximin e shumë pengesave të brendshme dhe të jashtme, do të qenë nevojitur 10 vjet. Çka Turqit, me gjithë përpjekjet e tyre të përgjakshme, nuk ua dualë në krye, mundet t’a zbatojnë trupat austro-ungare si masë lufte të domosdoshme për hir të mirëkuptimit të Shqiptarëvet. Çarmatimin e popullsisë! Armëmbajtja pa leje qe tij; ajo qe një vetëmbrojtje në një vend, ku mungonte rregulli dhe siguria e garantuese e shtetit. Që gjithashtu shkaku i ekzistencës së gjakmarrjes dhe të grindjeve të pa prera të brendshme, grindje këto që e dobësonin vendin. Në shtetin e ardhshëm shqiptar, mbrojtjen e secilit dhe të pasurisë së tij, e merr shteti. Austro-Ungaria ka fituar nëpërmjet këtij çarmatimi të popullsisë pa kundërshtimisht një meritë të madhe.
Të gjithë Shqiptarët me gjykim e pranojnë këtë pa rezerva
Falenderje meriton Austro-Ungaria edhe për goditjen e rrugëve dhe për punimet për tharje tokash, të cilat i kreu popullsia shqiptare nënë udhëheqjen e saj. Më një anë ju kursye kështu vendit një borxh, se mbas luftës duhesh që patjetër të filloheshin këto punime, dhe n’anën tjetër çmojnë kështu shqiptarët vleftën e rrugëve ndërlidhëse. Por edhe sa shtrenjtë që të çmohet vlefta e punës së kryer prej Austro-Ungarisë, me gjithë këtë nuk duhet të mos njihet, se duhet akoma punë dhe lodhje kolosale deri sa Shqipëria t’ja ketë arritur gjendjes të një shteti të rregullt dhe modern. Sikundër pa të holla nuk mund të bëhet luftë, kështu pa të holla nuk mund të kulturohet një vend.
Zgjidhja e çështjes financiare është për Shqipërinë një çështje e domosdoshme jetike. Për ta zbatuar programin e skicuar shkurtimisht dhe kështu të sigurohet zhvillimi i shëndoshë i Shqipërisë, vendi im ka nevojë për një hua prej gadi 100 milion Marka. Po të qe bërë Shqipëria një provincë Austro-Ungare, atëhere Austria edhe kështu duhesh të shpenzonte një shumë të madhe për ç’frytëzimin e saj. Shqipërisë së pavarur Gjermania dhe Austro-Ungaria kanë nevojë t’i garantojnë vetëm një hua. Kjo garanti mjafton, siç më siguruan autoritete të shkëlqyera financiare, plotësisht, për të marrë një hua me kushte të favorshme. Gjermania dhe Austro-Ungaria me këtë do ta lidhnin për vehte Shqipërinë sa të jetë jeta.
Shqipëria është pajisur prej natyre aq mirë, sa që paraja e investuar do të lëshonte kamata shumë të pasura! Për sigurimin e kamatave të huasë do të shërbenin t’ardhurnat doganore, të cilat lëshuan që para luftës ballkanike një të ardhur prej 5 milion Marka dhe mbas luftës mund të çmohen në dyfishin. Mbikqyrja e të ardhurave doganore do të kryhesh prej specialistash gjermanë dhe austro-ungarë. Gjith po kështu do të nevojiten specialistë të praktikuar, të cilët do të merreshin prej nënpunsave të fuqive qendrore, për rregullimin e taksave shtetërore dhe njëkohësisht për edukimin e nënpunsave besnikë shqiptarë.
“Mbledhja e taksave”
Taksat që ekzistojnë tash, me të cilat populli në pjesën më të madhe është mësuar, duhet të mbahen, kështu dhjetëshi, taksë shtëpije, taksë kafshe, duhani, vaji, si edhe taksa e t’ardhurave dhe e rrugës. Duke evituar sa më shumë një ngritje përqindjesh, duhet me gjithë atë të kihet parasysh një ngritje e të ardhurave të taksave. Krijimi i monopoleve shtetërore do të sillte përfitime. Në pyetje vinë si monopole frytëdhënëse; monopoli i alkoolit, sheqerit, i kripës, i shkrepseve, i vajgurit dhe i barutit. Duke dhënë koncesione, të drejtën e kërkimit për materialet e tij, do të derdheshin edhe në t’ardhura të pandërprera kasës së shtetit. Së bashku me të ardhurat e pasurive shtetërore të punuara modern buxheti i shtetit mund të mbështetesh kështu në baza të shëndosha. Në këtë luftë Shqipëria dha prova, se ajo është e zonja për ekzistencë. Gjyqtarë, nënpunsa dhe oficerë shqiptarë në numër të madh, i treguan armatës austro-ungare të okupimit, se ata, nën udhëheqje dhe mësim të mirë, posedojnë gjithë atributet që kërkohen prej një qytetari të një shteti indipendent. Shqipëria ka nevojë vetëm për mbrojtjen dhe ndihmën e fuqive qendrore për të qenë në disa vjet një vend i rregulluar dhe i lulëzuar. Unë dhe populli im presim dhe shpresojmë prej Gjermanisë dhe Austro-Ungarisë, para së gjithash si vijon:
- Sigurimin, me respektu pa tjetër edhe në t’ardhmen detyrimet e garantuara për një shtet të pavarur, sovran dhe trashëgimtar.
- Njoftjen e të drejtave dhe aspiratave të mija si princ i Shqipërisë, i zgjedhur prej popullit dhe konfirmuar prej fuqive të mbëdha.
- Korigjimin e kufive të ngushtuara artificialisht, ku në jug do të garantohet e pakta kufij e caktuar në Konferencën e Londrës, kurse në Lindje dhe Veri tokat kufitare thjesht ose në shumicë nacionaliteti shqiptar, të cilat për fat të keq që para luftës botërore j’u dhanë Serbisë dhe Malit të Zi, duhet të bashkohen prapë me Shqipërinë.
- Bashkëpunimin, e çelikosur me anë traktatesh, të Shqipërisë me fuqitë qendrore…!
- Ndihmën e dy imperatorive në krijimin e një ushtrije dhe gjendarmërije.
- Vumjen në dispozicion specialistësh për të mësuar nënpunsat shqiptarë.
- Ndihmën e dy imperatorive në ç’frytëzimin ekonomik të vendit.
- Garantimin e një huaje prej anës gjermane dhe austro-ungare.
Në bashkëpunimin besnik të fuqive qendrore, Shqipëria atëherë do të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në gadishullin Ballkanik. Me këtë nuk do të sigurohet vetëm pozita e Austro-Ungare, por do të përkrahen edhe detyrat dhe qëllimet e Gjermanisë në Orient. Në Shqipëri ofrohen, në vështrim goditje trenash dhe çdo zhvillim tjetër ekonomik, perspektiva, të cilat tregtia dhe industria gjermane nuk duhet t’i lënë pa përfillje. Fuqitë qendrore, si mbrojtësit e të drejtave dhe lirive të popujve të vegjël, si azil kundra pabesisë dhe nënshtrimit, kanë në Shqipëri fushën më të mirë dhe më mirënjoftëse për të zhvilluar këtë aktivitet kaq bujar.
“Aveniri i Shqipërisë”
Për të ardhmen e Shqipërisë janë t’interesuar në shkallë të gjerë Austri-Ungaria dhe Gjermania, interesat e Monarkisë Danubiane s’kanë nevojë për diskutim; ajo nuk munt të tolerojë, që Shqipëria, vendi lindor n’anë të Adriatikut, të behet posedim italian, ose dhe vetëm nënë vartësinë e saj, pse atëhere Italia do të zotëronte rrugën e Otrantit dhe me këtë daljen e Austrisë në detin përbotshëm. Por edhe Gjermania në të vërtetë është e interesuar direkt n’avenirin e Shqipërisë, pse gadishulli ballkanik formon urën toksore për n’orient, çfrytëzimi i të cilit formon për dhjetëvjeçarët e ardhshëm detyrën kryesore natyrale të Gjermanisë; dhe kjo urë toksore është e siguruar vetëm atëhere për një kohë të gjatë, po të mbretëronjë paqja në gadishullin ballkanik, për të cilin ndoshta kushti më i rëndësishëm është ekzistenca e një shteti shqiptar të pavarur.
Por kur se në Gjermani bindja për rëndësinë politike të madhe dhe gjithnjë në zgjerim e sipër, të Shqipqrisë për interesat legjitime të Gjermanisë, fatkeqësisht ende nuk është përhapur, në shtetin fqinj, t’onin habsburgian mirë-kuptimi dhe interesi për rëndësinë e madhe të Shqipërisë është zhvilluar fuqishëm. Me gjith se prej Austro-Ungarisë nuk është bërë asnjë deklaratë zyrtare mbi qëndrimin e saj karshi Shqipërisë, prap se prap në rrethet politike austro-ungare, diskutohet sot se gjoja zellshëm si ide:
- Bashkimi i pjesave të Serbisë, malit të Zi dhe Shqipërisë së veriut nënë princin Marko të Malit të Zi, Shqipërisë së jugut, simbas këtyre ideve, do t’i jepeshin Greqisë, Shqipëria e Mesme do të bëhesh principatë indipendente.
- Aneksimi i Malit të Zi, Shqipërisë dhe disa pjesëve të Serbisë prej Austro-Ungarisë.
- Rikrijimi i pavarësisë shqiptare nënë pushtimin tim, princit të tij legjitim ose nën një arkiduk austriake, por se në të dy rastet nënë patronazhin austro-ungarez.
Projekti i parë, bashkimi i Shqiptarëve me armikun trashëgimore shekullor, Serbët dhe Malazezët, në një principatë (dhe mbi këtë nën sundimin e një princi t’ë armiqve të tyre trashëgimorë), është pikpamja politike aq ngjethëse, sa nuk ka nevojë të diskutohet seriozisht. Kjo do të qe një shfarosje e popullit shqiptar, lufta të brendshme të paprera dhe kryengritje të këtij populli të uritur për liri do të qe pasojat. E provuan dhe Serbët dhe Malazezët të çfarosnin sistematikisht me anën e zjarrit dhe të shpatës ose me anën e shtypjes barbare banorët e tokave të banuara gati prej thjesht shqiptarësh, që u qenë dhënë mbas luftës ballkanike, ose t’i detyrojnë për të emigruar.
Çfarë tortura të hapta dhe të fshehta dhe shtypje do të duronin shqiptarët nënë sundimin e një princi malazez, mbasi ata, n’anën e fuqive qendrore kishin luftuar serbët, malazezët dhe italianët! Një simpati më të madhe ndoshta pati plani, me ja aneksue Shqipërinë me Malin e Zi dhe pjesë të tokës serbe, Austro-Ungarisë. E pakta Shqipëria do të vihesh në një shkallë dhe do të trajtohesh si Serbia, e cila që para luftës kërkonte tinëzisht dhe hapët të varrosë rrënjët e Austro-Ungarisë, që mpronte vrasësit e trashëgimtarit austriak, që qe shkaku direkt i shpërthyerjes së së luftës botërore dhe që luftonte me armë në dorë egërsisht fuqitë qendrore.
Çdo shqiptar do ta ndjente këtë si poshtërimin më të madh Dhe këtë ca më tepër pse atij do t’i mungonte natyrisht çdo mirë-kuptim për një trajtim kaq mosmirënjohës. Me përjashtimin e disa qëndrave shqiptare, të cilat kanë lejuar të korruptohen prej parasë së të huajve dhe nëpërmjet gënjeshtrash kanë humbur çdo gjykim, gjithë populli shqiptar, gadi 2 milion në numër, simpatizonte qysh në fillim të luftës fuqitë qendrore. Me fuqitë e saj të dobta ajo kërkonte të mpronte zaptimin e vendit të vet prej anës së Serbisë dhe malazezëve anmiq shekullorë. Serbëve t’ikur nëpër Shqipëri ata u suallë dëme të mëdha. Trupat austro-ungare u brohoritën si çliruese.
N’anën e tyre shqiptarët vazhduan edhe kundra Italisë luftën. Edhe sot ata luftojnë pa pushim për fitoren e fuqive qendrore, shpesh herë pa përmendur dallueshëm me komunikat ushtarake austro-ungare. Dhe ky popull, besnikërija e të cilit u konfirmua edhe në luftën më t’ë ashpër, duhet të pësonte po atë fat si populli i vrasësve, si armiq të betuar të fuqive qendrore. Duhesh që ky të humbasë lirinë e praktikuar kaq shekuj, pamvarësinë shtetërore të re, të trajtohet krejt si armik? Ky do të qe një akt padrejtësie dhe mos falenderje, siç nuk është konstatuar deri më sot më i math në jetën e popujve dhe në të drejtën e popujve! Kundra mendimeve të një trajtimi të tillë më duhet, si princi legjitim i Shqipërisë dhe përfaqësues i popullit, të protestoj qysh më parë në mënyrën më kategorike. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016