Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), i cili i përket vitit 1970, ku zv/ ministri i Punëve të Brendëshme, Rexhep Kolli informon sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën, lidhur me një korrespodencë postare të shkrimtarit kosovar nga Mitrovica, Jakup Çerraja, me dajën e tij që jetonte në qytetin e Fierit, ku ishte vendosur familjarisht që nga periudha e Monarkisë së Zogut. Në mes të tjerash në atë letër, zv/ ministri Kolli theksonte: “Për sa shkruan në letrën e tij, i përmenduri e ka fjalën për disa autorë të këtyre botimeve që janë shkruar në “Nëntori” të cilët në fakt njihen në popullin e Kosovës si njerëz jo të mirë. Kështu p.sh. Murat Isaku dhe Nuhi Vinca”.
Ashtu siç kemi parë dhe në të gjithë dokumentat e tjera të publikuara në faqet e këtij libri, regjimi komunist i Tiranës ushtron një çensurë dhe kontroll mjaft të rreptë jo vetëm ndaj jetës, punës dhe gjithë veprimtarisë së shkrimtarëve dhe artistëve që jetonin e punonin këtu në Shqipëri, por edhe ndaj atyre që ishin në anën tjetër të kufirit, në viset shqiptare nën Jugosllavi, si Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi etj. Për të arritur një kontroll total ndaj tyre, sipas platformës së Byrosë Politike, ajo gjë i ishte ngarkuar me ligj Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe Sigurimit të Shtetit, i cili arrinte deri aty sa që i hapte dhe kontrollonte rregullisht edhe korrespodencën që shkrimtarët e artistët mbanin me letra me të afërmit, miqtë dhe shokët e tyre në dy anët e kufirit. Faktikisht hapja dhe kontrolli i korrespodencës postare bëhej edhe për qytetarë të thjeshtë, kryesisht për ata që ishin në ndjekje apo të dyshimtë, por ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ajo gjë ishte lineare dhe jo vetëm shikohej ‘me lupë’, por përmbajtja e tyre analizohej hollësisht me detaje. Hapja dhe kontrolli i letrave bëhej kryesisht te “Shtëpia me gjethe” që ishte dhe ngjitur me Postën Shqiptare, si dhe në pesë a gjashtë baza të tjera në Tiranë, (vila sekrete) të cilat ishin nën vartësinë e sektorit “Evidenca operative dhe kontrolli postar”, që asokohe drejtohej nga Dhimitër Bonata. Dhe pasi bëhej një kontroll i imët i kësaj korrespodence, Sigurimi i Shtetit përpilonte një raport, duke nxjerrë ekstraktin e letrës, gjë e cila më pas i përcillej zyrtarisht sekretarit të Komitetit Qëndror që mbulonte propagandën, artin dhe kulturën. Funksion të cilin nga fillimi i viteve ’60-të e deri në vitin 1982, (kur mori edhe postin e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor), e ka mbajtur dhe ushtruar Ramiz Alia. Kjo gjë, pra kjo “praktikë pune”, veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga ky dokument zyrtar i vitit 1970, ku zv / ministri i Punëve të Brendëshme, Rexhep Kolli, i ka dërguar një raport sekret, Ramiz Alisë, ku analizon një letër të shkrimtarit kosovar, Jakup Çerraja, dërguar dajës së tij në rrethin e Fierit, ku ai ishte vendosur me familjen e tij që nga periudha e Monarkisë së Zogut. Edhe pse në atë raport-informacion flitet mirë për shkrimtarin Çerraja, zv/ministri Kolli i bën një koment edhe disa shkrimtarëve të tjerë kosovarë, emra dhe personazhe të njohura të letrave shqipe, si në atë kohë dhe më pas, si; Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Murat Isaku, Nuhi Vinca etj., ku për këta dy të fundit, ka theksuar se “në Kosovë ata të dy njihen si njerëz jo të mirë”. Ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.
Letra e zv / ministrit të Punëve të Brendëshme, për Ramiz Alinë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E BRENDESHME Ekzemplar Nr 1
Nr. 323 Tiranë, MË 20 6.1970
LENDA: Mbi një letër të Jakup Çerraj
SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(SHOKUT RAMIZ ALIA)
TIRANE
Me qëllim për të marrë dijeni, po Ju informojmë mbi përmbajtjen e një letre që Jakup Çerraja nga Mitrovica e Kosovës i’a dërgon dajës së tij në Fier.
….Kurrëfarë librash kohët e fundit (ka tre muaj) nuk kam marrë nga ti. Kuptohet se i kam prit me padurim, mirpo me që nuk po vijnë, atëhere mos u shpenzo kot. Tani kam mjaft nga këto që botohen këtu në Prishtinë. Pra qetësohu dhe më kujto me ndonjë letër kohë pasa kohe.
Para më se një muaji, t’i postova tre libra, por se m’u kthyen?! Kjo nuk më habit aq shumë….
Në gazetën e sotme “Rilindja” është botuar një lajm për revistën “Nëntori”, nr. 5 të këtij viti, e cila paska botuar poezi dhe tregime të nëntë poetëve (prozatorëve) kosovarë, disa nga emrat e të cilëve më habisin dhe më vënë në dilemë…. Tani shumë gjëra më janë bërë më të qarta se kurrë ndonjëherë më parë. Urdhëroni dhe lexoni poezitë e Ali Podrimës, Murat Isakut, Nuhi Vincës, Azem Shkrelit, Din Mehmetit, besa befasi, apo jo….?
Po të ra të lexosh shkrime të poetëve kosovarë, të lutem m’i trego emrat e tyre në letra dhe revista ku janë botuar shkrimet e tyre. Kështu më bën një ndihmë dhe nder….
Shënim
Jakup Çerraja, është arsimtar në Mitrovicë me arsim të mesëm. Ka shkruar vazhdimisht poezi me përmbajtje dhe frymë patriotike, për të cilat edhe është keqtrajtuar duke e lënë pa punë. Njifet si studjues i letërsisë shqipe. Në Fier ka dajën e vet, ardhur para çlirimit dhe me qëndrim të mirë, i cili vazhdimisht i ka dërguar, romane, tregime dhe poezi të botuara në vëndin tonë. Me sa merret vesht, këto kohët e fundi i janë ndaluar.
Korrespodenca e Jakupit me dajën ka qenë me përmbajte dhe frymë luftarake. Rrethi i tij shoqëror është me qëndrim të mirë. Ka botuar një libër me poezi, “Djersë dhe gjak”, që është pritur mirë nga populli i Kosovës.
Për sa shkruan në letrën e tij, i përmënduri e ka fjalën për disa autorë të këtyre botimeve që janë shkruar në “Nëndori” të cilët në fakt njihen në popullin e Kosovës si njerëz jo të mirë. Kështu p.sh. Murat Isaku dhe Nuhi Vinca.
Mendoj se ka vënd për të ndërhyrë për botime të tjera të shkrimtarëve dhe poetëve kosovarë, veprat e të cilëve mund të botohen në të ardhmen në organet tona periodike letrare dhe artistike./Memorie.al
ZV / MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME
(REXHEP KOLLI)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016
Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist” të gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti.