Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa shkrime të karakterit ekonomik të përzgjedhura nga shtypi i Monarkisë së Zogut, ku bëhet fjalë mbi zhvillimet ekonomike të Shqipërisë së asaj kohe, si rezultat i përsosjes së legjislacionit të sistemit bankar dhe konsolidimit e përhapjes së sektorit bankar, si nga ana e Bankës Kombëtare të Shqipërisë e drejtuar nga bashkë drejtori italian, Gradudenzi, Banka Bujqësore e sapokrijuar, e deri te ‘Banco di Napoli a Albania’ dhe Banka e Eksporteve të Beogradit. Të gjitha këto bëhen të ditura nga ana e gazetës “Drita” e periudhës maj – qershor të vitit 1937, ku janë pasqyruar një sërë shkrimesh që i referohen edhe statistikave të nxjerra dhe të publikuara nga ana e Bankës Kombëtare të Shqipërisë së asaj kohe, ku jepen të detajuara bilancet e shkëmbimeve të mallrave me vendet fqinje, shtimi i eksporteve, balancimi i pagesave, etj.
Ngjarjet dhe zhvillimet ekonomike që ndodhën gjatë vitit 1937 në Shqipërinë e Monarkisë së Zogut, në përgjithësi, u konsideruan si mjaft të favorshme nga ana e Bankës Kombëtare të asaj kohe. Kjo gjë theksohej me të madhe edhe në disa prej shkrimeve të botuara në gazetat kryesore të Tiranës në fillimin e vitit 1938. Por me gjithë sukseset e arritura, gjatë vitit 1937, u vunë re edhe disa mangësi në drejtim të rritjes së prodhimit të disa produkteve bujqësore. Si p.sh, prodhimi i drithërave të bukës, i cili nuk arriti të plotësonte dot nevojat e konsumit të vendit dhe si rezultat, si qeveria ashtu dhe tregtarë të ndryshëm, u detyruan që të importonin sasi të mëdha drithërash, në mënyrë që populli të mos e ndjente mungesën e bukës. Mungesa e drithërave në vend, që siç thamë pak më lart, u kompensua me rritjen e importeve në tregtinë e jashtme, nuk u bë shkak që të ulej vëmendja ndaj prodhimit vendas, por përkundrazi i ndërgjegjësoi buqit privatë që të rrisnin akoma e më shumë sipërfaqet e mbjella dhe vëmendjen ndaj kësaj nevoje jetike. Si rezultat, në vitin 1937, jo vetëm që u rrit prodhimi vendas në drithërat e bukës, por u kompensuan edhe disa defiçite të disa viteve të shkuara. Për më shumë rreth kësaj, na njeh shkrimi që po publikojmë më poshtë, të cilin e kemi përzgjedhur nga shtypi i Monarkisë së Zogut, si “Drita”, etj.
Shtimi i ndjeshëm i eksporteve
Sipas bilancit zyrtar të paraqitur nga Banka Kombëtare e Shqipërisë më 31 dhjetor të vitit 1937, shtimi i eksporteve në disa lloje mallrash nga ana e tregtarëve dhe prodhuesve shqiptarë, (ndryshe siç parashikohej që të kufizohej në pak kategori mallrash), u shtri pothuaj në të gjitha prodhimet më me rëndësi të ekonomisë shqiptare. Si p.sh.: leshi prej 1.833 mijë franga ari (në vitin 1936 ishte 886 mijë), lëkurat prej 1.484 mijë franga ari (në vitin 1936 ishte 935 mijë), vajguri prej 1.185 mijë franga ari (në vitin 1936 ishte 925 mijë), bagëtitë prej 891 mijë franga ari (në vitin 1936 ishte 507 mijë) lënda drusore prej 683 mijë franga ari (në vitin 1936 ishte 141 mijë), bitumi prej 510 mijë franga ari (në vitin 1936 ishte 369 mijë), vaji i ullirit prej 473 mijë franga ari (në vitin 1936 ishte 319 mijë) etj. Kësaj prirje në rritjen e eksporteve, duhet t’i shtohet edhe ai i djathërave i cili në vitin 1937 i kalonte kufijtë e 1.121 mijë frangash ari, dhe ai i vezëve në 792 mijë franga ari. Të gjitha këto bënë që asokohe të shtohej eksporti i përgjithshëm i mallrave edhe me 11.932 ton, në krahasim me 12.559 ton që ishte në vitin 1936. Kjo rritje e përgjithshme e mjaft produkteve bujqësore dhe industriale të vendit tonë, erdhi si pasojë edhe e influencës së madhe që patën mallrat shqiptare në Itali, të cilat ishin mjaft të kërkuara. Eksportet shqiptare në Italinë fqinjë në atë periudhë kohe u rritën ndjeshëm, duke bërë që raporti i tyre në krahasim me vitet paraardhëse të ishte mjaft i dukshëm. Kjo gjë shihet qartë edhe në bilancin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë të vitit 1937, ku janë të evidentuara të gjitha eksportet me vendin fqinjë përtej Adriatikut. Kështu, në rast se në vitin 1936 eksportet me Italinë patën një rritje prej 4.954 mijë franga ari, në vitin 1937 ato shënuan 7.7998 mijë franga. Ndryshe ndodhi me vendet e tjera fqinje, ku eksportet e mallrave shqiptare pësuan një ulje. Kjo gjë shihet edhe nga shifrat e bilancit të ofruara nga Banka, të cilat zbritën nga 2.481 mijë franga ari në vitin 1936, në 2.177 mijë në vitin 1937.
Bilanci i eksport-importeve
Rritja e përgjithshme e eksporteve shqiptare dhe si rezultat edhe ajo e pagesave për gjatë vitit 1937, shihet qartë edhe duke bërë një bilanc kalimtar të eksport-importeve në këtë periudhë kohe. Kështu bilanci i pagesave në vitin 1937 shkoi në 20.342 mijë franga ari, nga 16.778 që ishte në vitin 1936. Gjë e cila bëri të mundur që deficiti i bilancit tregtar të paraqitej me një shtesë prej 10.167 mijë franga ari, në krahasim me 9.343 mijë që ishte në vitin 1936. Por duhet thënë se në rritjen e përgjithshme të importeve të vitit 1937, luajtën një rol të madh dhe me shumë rëndësi, edhe ato të monedhave të arit e argjendit. Lidhur me këtë, në gazetën “Drita” të datës 3 maj 1938, në një shkrim që bën fjalë mbi bilancin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë për vitin 1937, midis të tjerash shkruhet:
“Këto importe përbëhen pjesërisht (për Fr. A. 406 në 1936) prej monedhave të konjimit të rij të përgatitur prej Bankës për nevojat e zakonshme të qarkullimit dhe për me përkujtue të 25-in Vjetor të Pavarësisë që u përmend ma nalt. Një pjesë tjetër (Fr. A. 1.091 mijë) përbëhet prej monedhash ari (napolona) të vendeve të ndryshme, t’importueme lirisht prej privatëve për me fuqizue ma tepër disponibilitetet e tyne t’arit. Tue lanë në njanën anë këto vlefte monedhash, balanca tregtare e vendit rezulton e përmirësueme gjatë vjetit 1937 si mbas shuma që vijon: Importime (përveç arit dhe argjendit) 16.372 mijë franga ari në vitin 1936 në 18.894 mijë në vitin 1937. Eksportime (përveç arit dhe argjendit) 7.303 mijë franga ari në vitin 1936, në 10.154 mijë në vitin 1937. Mbetje: 9.069 në vitin 1936 dhe 8.740 në vitin 1937”.
Zvogëlimi i deficiteve të pagesave
Sipas Bankës Kombëtare të Shqipërisë, deficiti i lëvizjes së mallrave që ishte vënë re edhe në vitet e kaluara, në vitin 1937 nuk rezultoi të ishte aq i madh sa të rrezikonte balancat e përgjithshme në pagesa, ku përfshiheshin dërgesat e parave të shqiptarëve që jetonin e punonin jashtë Shqipërisë dhe çdo e ardhur tjetër nga jashtë vendit. Por me gjithë atë, balancimi i pagesave në atë vit u vlerësua si një gjë mjaft e rëndësishme për interesat e larta të vendit, i cili arriti të ekuilibronte shkëmbimet tregtare me vendet e tjera, sidomos me ato vende që vazhdonin të eksportonin në Shqipëri sasira mallrash të konsiderueshme. Gjë e cila, sillte automatikisht zvogëlimin e importeve tona në këto vende. Në këtë drejtim, një rol të madh luajti përmirësimi i ndjeshëm i legjislacionit në fuqi me masat ligjore të posaçme të marra nga qeveria shqiptare që në shtatorin e vitit 1937, e të konkretizuara në shkurtin e vitit pasardhës (1938). Ku në bazë të të cilave, u caktua që për disa mallra, importi të mbetej i lirë vetëm prej disa vendeve ku eksportet shqiptare të mos ishin më të ulta se 30 % të importeve përkatëse.
Ndihma e madhe e Bankës Bujqësore
Sipas relacionit të bilancit të dhënë nga Banka Kombëtare e Shqipërisë për vitin 1937, një nga gjërat që favorizoi së tepërmi rritjen ekonomike gjatë atij viti, ishte edhe fillimi i punës nga ana e Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar dhe krijimi i bankës së re: “Banco di Napoli-Albania”. Lidhur me këtë, në relacionin e Bankës Kombëtare, të botuar edhe në gazetën “Drita” më datën 3 maj 1938, midis të tjerash thuhet:
“Qysh në relacionin e vjetit të kaluem kemi pas përshëndetë me simpathi krijimin e Bankës Bujqësore, e cila në një kohë relativisht të shkurtër, ka kapërcye periudhën jo të lehtë të organizmit të vet, t’ue fillue veprimet më 1 Gusht 1937 me qendrën e vet të Tiranës. Kemi shpresë se Banka Bujqësore ka me mujtë me i ndihmue zhvillimit bujqësor që shpresohet dhe që asht gjithmonë burimi kryesor i lulëzimit të vendit. Gjithashtu kemi shpresë se Instituti i rij që ‘Banco di Napoli’ krijoj posaçërisht për Shqipnin, ka me vlejte dhe me plotësue si duhet paisjen e tregut bankar të vendit. Për këtë na siguron tradita e ‘Banco di Napoli’, e cila me të drejtë mund të mburret që asht banka ma e vjetër e botës, edhe njëkohësisht, njena nga ma modernet e bankave italiane. Nevojat bankare përmbushen edhe prej shërbimeve të bankës Eksportimit të Beogradit që vijon tash katër vjet aktivitetin e saj në Tiranë”.
Po kështu sipas atij relacionit të Bankës për vitin 1937, një nga anët pozitive të bilancit të ekonomisë kombëtare për atë vit, ka qenë edhe puna e vetë kësaj banke. Lidhur me këtë, në atë relacion midis të tjerash thuhet:
“Aktiviteti i zhvilluem prej bankës s’onë nuk përmban komentime me rëndësi të veçantë. Kemi vijue gjithnjë në punën t’onë tuj ndjekë besnikërisht parimet tradicionale që kemi përshkrue edhe herët e tjera. Si gjithmonë, përpara çdo tjetër konsideracioni, kemi pasë parimin me sigurue qëndrimin ma të shëndoshë të barazimit me ar të frangut Shqiptar, aq sa gjatë vjetit, bileta e bankës ka mbërrit me pasë vleftë diçka ma shumë se metali. Kësaj rrethane duhet t’i lidhen edhe importimet e monedhave të arit që janë përmendë; monedhat me gjithë shpenzimet e zakonshme të dërgimit etj”.
Shërbimet e Bankës
Gjatë vitit 1937, Banka Kombëtare e Shqipërisë, përveçse siguroi barazimin e vleftës në ar të frangut shqiptar, vazhdoi të përhapte shërbimet e saja në degë të ndryshme të aktivitetit që ajo mbulonte. Duke u munduar që ato shërbime të bëheshin gjithnjë e më të lehta për të gjitha shtresat shoqërore të klientelës së saj. Në këtë kontekst, gjatë vitit 1937 ajo vijoi të zbriste shumat në të holla që paguanin klientët e saj për komisionet e shërbimeve të ndryshme dhe interesat e kreditit. Si rezultat i këtyre masave të marra nga ana e bankës, në vitin 1937, numri i klientëve të saj ishte 1.434, ndaj 1.225 që ishte në vitin 1936. Shuma e përgjithshme e kredive të akorduara nga Banka Kombëtare e Shqipërisë për atë periudhë kohe, ka qenë gjithnjë e vëzhguar me një vëmendje e kontroll të veçantë, për të mbajtur në ekuilibrat e duhur qarkullimin e parasë. Shifra më e madhe e kredive të kësaj banke arriti në tetorin e vitit 1937 me 4.945 mijë franga ari, e cila vetëm disa muaj më parë, ishte vetëm 3.811 mijë franga ari. Ky ndryshim me 30 %, tregon më së miri masat e marra nga banka në atë kohë, të cilat përmirësuan ndjeshëm marrëdhëniet e saj me klientët dhe bilancin e pagesave brenda e jashtë Shqipërisë. Nisur edhe nga rritja e madhe e ritmit të punës që kishte në atë kohë Banka Kombëtare, ajo u detyrua që të hapte edhe një agjensi të sajë në qytetin e Beratit, e cila do të varej nga Dega e Bankës së Vlorës. Kjo gjë pasoi më tej edhe me hapjen e një agjencie të tillë në qytetin e Elbasanit, e cila do të varej nga dega e Durrësit. Në përfundim të relacionit për bilancin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në vitin 1937, theksohet se një punë të mirë në këtë drejtim ka bërë edhe gjithë personeli i kësaj banke, me në krye, bashkë drejtorin e saj, shtetasin italian, Rag. Gradudenzi. Nisur nga ky fakt, pra ai i përmirësimit të ndjeshëm të punës në këtë bankë, drejtori italian, në fundin e vitit 1937, dha dorëheqjen dhe iku në Itali për të marrë një detyrë tjetër. Mbas atij viti, Banka Kombëtare e Shqipërisë u drejtua vetëm nga një drejtor shqiptar, dhe pothuaj i gjithë stafi i saj ishin shqiptarë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016