Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor me raportin “Tepër sekret” të vitit 1980, ku Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, informon Enver Hoxhën, “mbi disa shfaqje negative” në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ndodhura në Shkodër, Durrës dhe Burrel, ku midis të tjerash i bën me dije mbi ngjarjen me oficerin e Sigurimit në rrethin e Shkodrës që ndihmoi një vajzë të internuar si dhe atë të punëtorit operativ, Gj. Gjoni, në qytetin e Burrelit, që inskenoi dy dëshmitarë të rremë për të dënuar një të arrestuar…
Edhe pse organet dhe efektivët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishin ngarkuar dhe punonin për “parandalimin dhe zbulimin e veprimeve e ngjarjeve të kundra ligjshme”, herë pas here edhe në vetë radhët e tyre kishte abuzime nga më të ndryshmet, (pa përfshirë këtu ato ngjarje të karakterit “politik”, ku abuzimi me detyrën ndaj personave që survejoheshin, ndiqeshin, procedoheshin, arrestoheshin, hetoheshin dhe dënoheshin, pothuaj ishte ngritur në sistem). Lidhur me këtë, pra me abuzimet në radhët vetë efektivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bën fjalë dhe një raport-informacion që i përket ngjarjeve të ndodhura në periudhën korrik-gusht 1980, ku Ministri i Punëve të Brendshëm, Feçor Shehu, informon sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxhën, duke i bërë me dije për “disa shfaqje negative” që kanë ndodhur në vetë radhët e efektivave që ai drejtonte, konkretisht në degët e Punëve të Brendshme të Shkodrës, Durrësit dhe Burrelit. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë që po e publikojmë në këtë shkrim, “më problematike” paraqitej ngjarja e ndodhur në Degën e Brendshme të Shkodrës, ku oficeri i Sigurimit Xh. R. me detyrë punëtor Operativ, është arrestuar për arsye se “ka falsifikuar dokumentet për të ndihmuar një vajzë të internuar për qëllime të ulta”. Nuk dihet me saktësi, nëse qëndron ajo akuzë që është bërë ndaj atij oficeri të Sigurimit, për të cilën edhe është arrestuar, apo ai e ka ndihmuar atë vajzë thjesht për qëllime humane, (ka pasur edhe raste të tilla, ndonëse të rralla), pa asnjë lloj përftimi tjetër?! Gjë e cila si duket i “ka tërbuar” eprorët e tij, që i kanë vënë hekurat menjëherë. Si për ironi të fatit, si akuza në fjalë që i bëhej punëtorit operativ të Shkodrës, vetëm afro dy vjet më pas, do të kishte “me shumicë” ndaj vetë Ministrit Feçor Shehu në gjyqin ndaj tij, gjëra të cilat tashmë janë të njohur dhe të bëra publike edhe nga një numër i madh dokumentesh arkivore të publikuara pas viteve ’90-të. (Dokumenti në fjalë publikohet i plotë, por me iniciale të emrit të punëtorit operativ të Shkodrës që është arrestuar).
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E PARE
Nr. 3436 Tiranë, më 29.8.1980
L E N D A: Mbi disa çështje të veprimtarisë armiqësore e keqbërëse gjatë muajve korrik-gusht dhe ngjarjet negative në radhët e vetë efektivit të MPB
SEKRETARIT TE PARE TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
SHOKUT ENVER HOXHA
T I R A N E
MBI DISA SHFAQJE NEGATIVE NE RADHËT E EFEKTIVIT TE MINISTRISË SE PUNËVE TE BRENDSHME
Në kuadrin e masave që kemi marrë për kuptimin dhe zbatimin e mësimeve të Partisë dhe shokut Enver, ne punuam në mënyrë të organizuar në të gjithë sistemin e Ministrisë së Punëve të Brendshme fjalimet e shokut Enver të muajit prill në Byronë Politike e Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Sekretariatit të K.Q. mbi forcimin e disiplinës në forcat e armatosura, të cilat po çojnë në forcimin e mëtejshëm të disiplinës e të ligjshmërisë dhe përsosjen e figurës morale-politike të kuadrit e gjithë efektivit.
Kjo duket veç të tjerave, edhe në uljen e ngjarjeve negative e të masave ndëshkimore, të cilat në 6-mujorin e parë të këtij viti, në krahasim me periudhën korresponduese të vitit 1979, kanë qenë 30% më pak.
Sidoqoftë, kundër shfaqjeve të huaja na duhet të bëjmë një luftë të vazhdueshme e sa më konkrete, për t’i bërë ballë presionit të madh që ushtrohet ndaj kuadrit e efektivit tonë për prishjen e figurës morale-politike të tyre.
Gjatë muajve korrik-gusht si ngjarje shqetësuese në efektivin kuadër kanë qenë:
- Arrestimi për shpërdorim të detyrës i oficerit Xh.R. (ish punëtor operativ në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër) pse ka krijuar dokumente fallco për të ndihmuar një vajzë të internuar për qëllime të ulta. Çështja i kaloi gjyqit dhe ngjarja do të përgjithësohet në të gjithë kuadrin.
- Procedimi në gjendje të lirë për shpërdorim të detyrës I katër kuadrove të Degës së Punëve të Brendshme Durrës, (zëvendës-shef i Policisë, dy punëtorë operativë të ndjekjes së krimeve, e një punëtor policie sektori), sepse kanë rrahur një shtetas në postën e Policisë së Plazhit.
Megjithëse çështja u pushua, sepse gjatë hetimit nuk u grumbulluan prova të mjaftueshme për t’i kaluar gjyqit, kemi bindjen se një veprim i tillë (rrahja) duhet të ketë ndodhur. Për këtë kemi shtruar detyrën që çështja të analizohet thellë në kolektivat e organizatat përkatëse dhe, në varësi me qëndrimin autokritik të secilit, do të gjykohet për masat që do të merren në rrugë administrative.
Nisur nga kjo ngjarje, por edhe pse e kishim në plan, këtë muaj dërguam në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit një ekip në shkallë ministrie, i cili gjatë ndihmës e kontrollit e vuri theksin, veç të tjerave, tek metoda e punës së kuadrove drejtues dhe lufta që bëhet kundër shfaqjeve të huaja e negative për forcimin e figurës moralo-politike e të unitetit brenda efektivit të degës.
- Nxjerrja në lirim e tre punëtorëve operativ ilegalë të degës së II të Drejtorisë së parë të Sigurimit për ulje të vigjilencës e cënim të figurës së punonjësit të Punëve të Brendshme.
- Veprimet e kundërligjshmesh të punëtorit Operativ të degës së Punëve të Brendshme Burrel, Gj. Gjoni, i cili nisur nga sedra e sëmurë e karrierizmi, në kundërshtim me Platformën dhe ligjet, nxit dhe përgatit dy persona për të dalë dëshmitarë në hetuesi kundër një personi që ndiqej prej tij për veprimtari armiqësore, me pikësynim që ky të goditej dhe përpunimi të konsiderohej i realizuar.
Megjithëse këto shkelje janë zbuluar nga vetë dega e Punëve të Brendshme, ne kemi dërguar atje dy shokë për të analizuar më thellë problemin dhe për të nxjerrë përgjegjësinë e këtij punëtori operativ si dhe vetë Degës.
Këto shkelje e të tjera të vërtetuara në kuadrin e efektivin tonë po I përgjithësojmë në një material, i cili do të shqyrtohet në një mbledhje të posaçme të Kolegjiumit të Ministrisë, ku do të thirren edhe disa kryetarë të degëve të punëve të Brendshme që kanë patur më shumë shkelje të disiplinës dhe e cënimit të figurës morale-politike të kuadrove dhe efektivit. Në përfundim mendojmë që me një letër qarkore t’u tërheqim edhe njëherë vëmendjen gjithë organeve e reparteve të Punëve të Brendshme për një punë e luftë më të organizuar e komplekse në drejtim të shfaqjeve e qëndrimeve të huaja./ Memorie.al
MINISTRI I PUNËVE TE BRENDSHME
FEÇOR SHEHU
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016