Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Ministrisë së Mbrojtjes të cilat i përkasin vitit 1974 dhe bëjnë fjalë për disa mbledhje të zhvilluara në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore të asaj kohe, ku u diskutuan dhe u morr në analizë “Veprimtaria armiqësore e grupit puçist të Beqir Ballukut”, ku kryeministri Mehmet Shehu do t’u komunikonte vendimet e Byrosë Politike për drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një numër ushtarakësh të tjerë të lartë të Ushtrisë Shqiptare. Për herë të parë publikohet fjala e Mehmet Shehut në mbledhjen e 3 dhjetorit 1974 me komandantët dhe drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe rezoluta e aktivit të Partisë të asaj ministrie, ku Shehu hodhi akuza mbi Ballukun dhe dy zëvendësuat e tij, Petrit Dume e Hito Çako, si dhe disa prej ushtarakëve të lartë të Ushtrisë Shqiptare.
“Mbi punën sabotuese të grupit armiqësor të kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çako e Rahman Parllaku në drejtim të përgatitjes luftarake të Ushtrisë sonë Popullore”
“Beqir Balluku fshehu tezat e Enverit të 1970”.
Nga analizat e mëdha që bëri partia për zbulimin e veprimtarisë armiqësore të grupit komplotist në Ushtri, si dhe nga dokumentet e faktet e shumta që dolën gjatë analizave të bëra në repartet e njësitë e ushtrisë, kanë nxjerrë në shesh se puna e këtyre armiqve ka qenë jashtëzakonisht e rrezikshme, thellësisht mirënjohëse e diversioniste për mbrojtjen e Atdheut. Faktet e shumta tregojnë se ata me paramendim dhe me një plan të studiuar prej kohësh, kanë sabotuar përgatitjen luftarake të ushtrisë duke i vënë qëllim vetes që forcat tona të armatosura të mbeteshin të pastërvitura me metodat e Luftës Popullore, pra që ato të mbeteshin të paafta për të përballuar një agresion të mundshëm nga ana e armiqve të jashtëm imperialisto-revizioniste.
Faktet që vërtetojnë veprimtarinë tradhtare të grupit puçist të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Parllakut, janë aq të shumta, saqë ne e kemi të vështirë t’i përmendim në këtë informacion. Këtu do të radhitim disa prej tyre:
- Një nga drejtimet e punës sabotuese të grupit komplotist ka qenë futja në ushtri për vite me radhë e literaturës ideologjike e ushtarake revizioniste sovjetike e borgjeze. Veçanërisht kjo literaturë është futur në ushtri pas vitit 1967, d.m.th., menjëherë pas daljes së Tezave të Këshillit të Mbrojtjes.
Qëllimi i tyre ishte që të errësonin Tezat mbi Artin Ushtarak Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të vijës ushtarake të Partisë së Punës së Shqipërisë, duke i zëvendësuar këto me literaturën e huaj revizioniste e borgjeze. Pra, ata e ndërtuan edukimin ideopolitik dhe përgatitjen luftarake të ushtrisë jo mbi bazat e Artit Ushtarak Popullor.
“Sabotimi i stërvitjes”
Drejtimi i dytë i punës sabotuese të komplotistëve në drejtim të përgatitjes luftarake të Ushtrisë ka qenë edhe organizimi e zhvillimi i stërvitjes luftarake të ushtrisë. Stërvitja luftarake e Ushtrisë sabotohej nga grupi i thadërtarëve edhe në këto drejtime:
- Shtrirja e përgatitjes luftarake të trupave aktive (shërbim i detyrueshëm) ishte e reduktuar në një të tretën e kohës së shërbimit të detyrueshëm, e shumta në gjysmën e kohës së shërbimit. Ishte bërë rregull në Ushtri, dhe ky rregull organizativ ishte vendosur nga Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çako e Rahman Parllaku, nëpërmjet programeve të përgatitjes politiko-ushtarake dhe praktikisht veprohej kështu: Ushtari rekrut, pasi mbaronte vitin e parë të programit të stërvitjes luftarake, kur kalonte në vitin e dytë të shërbimit ushtarak, në vend që të zbatonte një program të stërvitjes të një shkalle më të lartë sesa në vitin e parë, ai bashkohej me ushtarët e rinj të porsa thirrur nën armë dhe fillonte përsëri edhe në vitin e dytë të shërbimit të zbatonte programin e vitit të parë.
Një praktikë e tillë në stërvitje zbatohet edhe me ushtarët e vitit të tretë të shërbimit. Pra, ushtarët e shërbimit të detyrueshëm aktiv nuk përgatiteshin në bazë të ligjit mbi detyrimin ushtarak për dy e tri vjet, sa zgjat shërbimi i detyrueshëm, por për një vit. Duke zbatuar një program të tillë me përsëritje të vitit stërvitor, ushtari gjatë dy ose tri vjetëve të shërbimit ushtarak nuk e kalonte asnjëherë “klasën”, por mbetet në “klasën e parë”.
- Stërvitja luftarake nuk u sabotua vetëm nëpërmjet kufizimit të saj nga tre e dy vjet, në një vit, por edhe në një drejtim tjetër: Me ushtarët e vitit të dytë dhe të tretë kryheshin punime të ndryshme në bujqësi, në ndërtimin e banesave për strehimin e oficerëve, me punime xheniere jashtë kohës së planifikuar, nga tri muaj në 6 muaj e më shumë etj. Puçistët, një veprim të tillë e justifikonin se gjoja ushtarët e vitit të fundit të shërbimit ishin “të përgatitur dhe së shpejti do të liroheshin”.
- Grupi puçist, vlerësimin e përgatitjes politiko-ushtarake e kërkonte nëpërmjet formave dhe metodave që nuk paraqisnin të vërtetën e gjendjes së ushtrisë, format e inspektimeve për bujë e lustër, ku kontrolloheshin p.sh. në një korpus 2-3 kompani në qitje, po kështu edhe në taktikë, ose 1-2 grupe artilerie në qitje luftarake etj., vërteton më së miri se këta tradhtar mundoheshin të gënjenin udhëheqjen kryesore të Partisë duke i paraqitur asaj jo gjendjen reale të ushtrisë. Pra, vlerësimin e punës vjetore të një korpusi e bënin vetëm mbi bazën e kontrollit (inspektimit) të 1-2 batalioneve e grupeve të artilerisë. Në këtë mënyrë, ata fshihnin qëllimisht gjendjen reale të përgatitjes së ushtrisë, në një kohë kur ushtria paraqitej me mungesa e dobësi serioze.
“Moszbatimi i Tezave të Mbrojtjes”
Drejtimi tjetër i punës sabotuese të puçistëve në përgatitjen luftarake ishte moszbatimi i Tezave të Këshillit të Mbrojtjes në stërvitjen luftarake. Siç dihet, Tezat e Këshillit të Mbrojtjes janë baza e Artit tonë Ushtarak Popullor dhe si të tilla këto Teza duhet me kohë të kishin gjetur zbatim në procesin e stërvitjes luftarake. Tezat e Këshillit të Mbrojtjes nuk njiheshin nga kuadrot e mesme e të ulta, pa bërë fjalë këtu për ushtarin. Këta armiq nuk donin që Tezat të njiheshin nga masa e oficerëve dhe ushtarëve, sepse po të njiheshin nga masa, do të punohej për t’i vënë ato në zbatim nëpërmjet stërvitjes luftarake ashtu si po zbatohen tani gjatë këtij viti stërvitor.
Që nga viti 1967 (viti që dolën Tezat e Këshillit të Mbrojtjes) e deri sa u shporrën nga Partia e ushtria tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çakua e të tjerë, nuk u hartua asnjë rregullore e re luftimi mbi bazat e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Edhe pas daljes së Tezave ushtria u stërvit me rregulloret e luftimit të ushtrisë revizioniste sovjetike të sotme. Stërvitjet e mëdha me trupa që organizonte Petrit Dumja, u zhvilluan të gjitha në kundërshtim me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Në këto stërvitje bëheshin vetëm lëvizje të mëdha trupash e mjetesh teknike, të ashtuquajturat manovra nga një drejtim, që të futnin komandimin unik për të likuiduar rolin udhëheqës të Partisë në ushtri;
- Duke zhvilluar kultin e komandimit unik dhe të privilegjeve për krijimin e një kaste ushtarake, veçanërisht të ish gjeneralëve, të bënin ligjin në ushtri dhe në shtet, jashtë kontrollit të Partisë dhe mbi Partinë, duke e kalbur ushtrinë nga brenda me materiale të panumërta me karakter ideologjik, politik e ushtarak të revizionistëve sovjetikë dhe të vendeve të tjera kapitaliste.
“Fshehja e tezave të Enverit”
Krijimi dhe funksionimi i shkollës së lirë ushtarake në bazë të mësimeve të Leninit dhe të Tezave të shokut Enver të vitit 1970, ju hiqte plotësisht mundësitë puçistëve për ta kthyer ushtrinë në një vegël qorre për të plotësuar qëllimet e tyre komplotiste për përmbysjen e pushtetit, likuidimin e Partisë dhe rivendosjen e kapitalizmit në Shqipëri. Për këto arsye, që tani janë shumë të njohura, Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çako e Rrahman Parllaku, i fshehën Tezat e shokut Enver të vitit 1970 mbi Shkollën e Lirë, dhe qysh nga viti 1970 e deri në ditën që këta tradhtarë u hoqën nga ushtria i’u dhanë organeve të drejtësisë për ndjekje penale, nuk kanë dhënë asnjë udhëzim mbi krijimin e shkollave të lira ushtarake.
Dokumentet që ka Arkivi i Ushtrisë flasin qartë se si e kanë mohuar këta tradhtarë krijimin e Shkollës së Lirë Ushtarake. Shkresa e 29 marsit 1971 firmosur nga Petrit Dumja, që bën fjalë për “Rajonizimin e njësive e reparteve të ushtrisë”, nuk thotë asnjë fjalë për rajonizimin e Shkollës së Lirë Ushtarake. Këtë çështje Petrit Dumja nuk e zë fare në gojë dhe nuk e përdor absolutisht gjëkundi termin “Shkollë e Lirë Ushtarake”. Në këtë shkresë nuk bëhet asnjë iluzion për Tezat e shokut Enver dhe nuk ka asnjë shprehje ideologjike. Në asnjë vend të kësaj shkrese prej 3 faqesh që i drejtohet gjithë ushtrisë nga Petrit Dumja, nuk përmendet fare vija e Partisë.
Në shkresën tjetër prej 3 faqesh të shkruar më 6 maj 1972, diçka përmendet nëpër të termi Shkollë e Lirë, por nuk thuhet asgjë se si duhet të organizohet e se si duhet të funksionojë Shkolla e Lirë Ushtarake. Kjo shkresë e dytë e Petrit Dumes është bërë me qëllim sa për të qenë “brenda”, e për të krijuar përshtypjen se në këtë drejtim “është vepruar”. Faktet tregojnë se gjatë katër vjetëve 1970-1974, as Beqir Balluku as Petrit Dumja as Hito Çakua e as Rahman Parllaku, jo vetëm që nuk morën asnjë masë për organizimin e Shkollës së Lirë Ushtarake, por punuan me ndërgjegje të plotë si armiq e tradhtarë për ta sabotuar plotësisht përgatitjen luftarake të strukturave të forcave të armatosura që duhej të organizohej në kuadrin e Shkollës së Lirë Ushtarake.
Përfundimisht arrijmë në konkluzion se: Grupi tradhtar me në krye Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun, nuk zbatuan asnjë udhëzim të Këshillit të Mbrojtjes dhe të Komitetit Qendror të Partisë për përgatitjen luftarake të Ushtrisë mbi bazat e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Ata së bashku me kastën ushtarake që kishin mundur të krijonin në kohën e ushtrisë (në MMP), iu përveshën punës për sabotimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe të porosive të shokut Enver.
E gjithë stërvitja luftarake e Ushtrisë sonë ka qenë ndërtuar jo në bazë të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, jo në bazë të rregulloreve ushtarake që duhesh të hartoheshin e të mbështeteshin në këto Teza dhe të ishin zbërthim konkret i tyre, siç porosit Partia, por në bazë të rregulloreve revizioniste sovjetike, që janë antiteza e Artit Ushtarak të Luftës Popullore të Ushtrisë sonë. Asnjë zbërthim të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes nuk bënë këta armiq. Asnjeri nga këta ose nga pjesëtarët e tjerë të kastës ushtarake nuk bëri asnjë leksion apo referat mbi Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Që nga dalja e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes e deri në ditët e fundit që këta armiq ishin në krye të ushtrisë, nën drejtimin e tyre u botuan qindra e mijëra libra, broshura e tekste të ndryshme me përmbajtje ideologjike dhe ushtarake të ushtrisë revizioniste sovjetike, me të cilat kanë ushqyer ideologjikisht dhe ushtarakisht ushtrinë tonë.
“Puçistët futën literaturën e huaj në ushtri dhe 90 % e materialeve ishin ruse”!
Një nga akuzat e titullarëve të Ministrisë së Mbrojtjes për të ashtuquajturin ‘Grupi puçist i Beqir Ballukut’, ishin dhe ato për futjen e literaturës së huaj në Ushtrinë Shqiptare. Lidhur me këtë, në informacionin për Ministrinë e Brendshme, midis të tjerash shkruhet: “Gjatë kontrollit që j’u bë literaturës ushtarake në përdorim të ushtrisë rezultoi: Nga 304 lloje rregulloresh, tekstesh, leksione e manuale që janë botuar e deri te programet e Akademisë Ushtarake, Shkollës së Bashkuar, si dhe programet e përgatitjes luftarake të Ushtrisë kanë qenë krejtësisht origjinale ruse e të përkthyera, duke i’u ndërruar vetëm kryetitujt, kurse në përmbajtje janë të njëjta me origjinalin rus.
Mbi 90 % e këtyre materialeve u përkasin botimeve sovjetike të viteve 1960 e këtej. Literatura ushtarake revizioniste sovjetike, si dhe literatura e vendeve kapitaliste ishte futur në sistemin e edukimit të përgatitjes së ushtrisë me urdhër të Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Andon Shetit. Në faqen e parë të çdo rregulloreje ushtarake ishte shkruar urdhri i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, me nënshkrimin e Beqir Ballukut, kurse literatura e huaj e vendeve kapitaliste që i ishte shpërndarë ushtrisë në më tepër se 39.000 ekzemplarë, përgatitur nga Drejtoria e Zbulimit të Ushtrisë, nën drejtimin e Andon Shetit është shpërndarë në ushtri me urdhër të Petrit Dumes.
Nga analizat që u bënë në Ushtri për likuidimin e veprimtarisë armiqësore të komplotistëve doli se qëllimi i tyre ishte që ushtria të përgatitej nga ana ideologjike, ashtu dhe nga ana ushtarake sipas koncepteve të artit ushtarak revizionist sovjetik dhe të vendeve kapitaliste. Është fakt se nga 146.000 ekzemplarë të rregulloreve, manualeve, teksteve e instruksioneve ushtarake që u asgjësuan kohët e fundit, nuk gjen asnjë copë rregullore ose tekst, apo leksion të përgatitur mbi bazën e Artit tonë Ushtarak Popullor. Rregulloret ushtarake, si dhe të gjitha tekstet e ndryshme të edukimit ideologjik e ushtarak të efektivit të ushtrisë kanë qenë ndërtuar me ndërgjegje të plotë nga puçistët, me qëllim që ushtria jonë të bëhej një ushtri puçiste në shërbim të kastës ushtarake të përfaqësuar nga Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çakua etj. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016