Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të misionit britanik të kryesuar nga togeri Andy Handaz, i cili në verën e vitit 1943, me urdhër të Haxhi Lleshit, u strehua në shtëpinë e Bajram Zenelit në fshatin Tërnovë të Dibrës. Sipas kujtimeve të njeriut që shoqëroi për disa muaj me rradhë dhe u shërbeu ushtarakëve britanikë, kryetari i atij misioni, togeri Handz, dispononte një hartë ku ishin shënuar të gjitha toponimet e asaj treve…!
“Gjatë gjithë asaj periudhe që shërbeva pranë atij misioni të kryesuar nga togeri Handz, unë pata rastin të udhëtoj së bashku me të nëpër malet e Dibrës, Martaneshit, Shëngjergjit, kudo ata shkonin për të përmbushur detyrat e tyre. Po kështu gjatë asaj periudhe kohe, kur lëviznim në qarkun e Dibrës, Tiranë, Krujë etj., unë pata rastin të takohesha dhe të bisedoja (me përkthyes) edhe me shumë ushtarakë të tjerë britanike të misioneve të tjera, si: Maklin, Smajl, Dafi etj. Ndër këto takime dua t’ë përmend udhëtimin tonë në itinerarin: Tërnovë-Kodra e Liqeneve mbi Gollobic-Katundës-Kalore (rrugë e vjetër)-Vrame-Kazaik-Valikardhë-Qafë-Buell-Dragu-Shilgjetë-Teqe e Madhe (te Sheh Aliu)-Komavec-Gjuras (te Kroi i Bukës)-Bllacë (te Jashar Zeneli)-Kandër-Muhërr-Katër Grykët-Selishtë-Lurë-Reç-Dardhë-Sllovë-Vlesh dhe Kala e Dodës. Gjatë këtij udhëtimi, diku ndaluam dhe togeri Handz nxori një hartë nga çanta tij ushtarake që e mbante gjithnjë me vete dhe tha: “Ky vend quhet, Pellazg-mal”. Kështu shkruhet në mes të tjerash në kujtimet e Bajram Zenelit me origjinë nga fshati Tërnovë i Komunës së Zerqanit të Dibrës, i cili në vitin 1943-’44, u caktua nga Haxhi Lleshi për të shoqëruar një mision ushtarak britanik që ishte “akredituar” pranë Shtabit partizan të kryesuar prej Haxhi Lleshit në rrethin e Dibrës, e për disa muaj i mbajti ata në shtëpinë e tij. Përveçse u caktua për disa muaj për të shërbyer pranë misionit aleat anglez, Bajrami mori pjesë me armë në dorë në disa aksione e luftime të zhvilluara nën komandën e Haxhi Lleshit. Bajram Zeneli u nda nga jeta në vitin 1989, (në moshën 113 vjeçare), duke lënë si trashëgimi familjes, qindra faqe me kujtime nga jeta e tij, ku një vend të veçantë zënë edhe ato me misionin britanik, të kryesuar nga togeri Andy Handz, të cilët ai i strehoi në shtëpinë e tij në vitin 1943. Një pjesë të këtyre kujtimeve që Memorie.al po i publikon në këtë shkrim, na janë dhënë për t’i botuar, nga biri i tij, Enver Zeneli (mësues i lëndës së historisë), disa kohë para se ai të ndërronte jetë.
Misioni britanik në shtëpinë tonë
Aty nga gushti i vitit 1943, një misioni ushtarak aleat anglez i kryesuar nga togeri Andy Hanz, hyri në rrethin e Dibrës dhe u vendos në katundin Tërnovë të Komunës së Zerqanit. Në atë kohë që erdhi lajmi se ai mision britanik kishte arritur në malet e Epra të Tërnovës, (në Fushën e Zogut) forcat partizane të asaj krahine, të komanduara nga Haxhi Lleshi, operonin në rrugën e tromobilit Dibër-Strugë. Ata që e prunë këtë njoftim për Haxhi Lleshin, ishin partizani Sali Osmanlliu (njeri i njohur i shtëpisë sonë) dhe R. Tafa e K. Biba. Kur kishte dhe tre sahat ditë, Haxhi Lleshi me disa partizanë mbërriti në shtëpinë tonë dhe u takua me vëllanë tim, Asllanin të cilit i tha që të rregullonte e pastronte mirë odën e burrave, pasi aty do fuste disa anglezë që ishin duke ardhur. Edhe pse gratë nuk u ndodhën në shtëpi, me ndihmën time, në pak minuta oda u bë gati dhe gjithçka shkëlqente. Anglezët erdhën aty të shoqëruar nga Qazim Prishtina, i cili pasi mori disa misra në kopsht, i poqi mirë dhe ua shpërndau në fillim miqve të largët dhe më pas Haxhiut e ne të tjerëve. Pasi anglezët u rehatuan mirë në odën e sapo rregulluar, ne u dhamë nga një bardak me tambël të nxehtë dhe kafe. Më pas u bë dhe sistemimi i tyre nëpër oda. Tre oficerët britanikë me togerin Handz në krye dhe përkthyesin e tyre Qazim Prishtina, në odën e miqve, kurse Lik bej Toptani, përkthyesi i partizanëve në odën e vëllait tim, Asllanit. Por Lika shkonte edhe tek kryeplaku, Tet Cami, ku ishte vendosur shtabi i partizanëve. Odën e qoshit nën kullë, ne e lamë për gatim, kurse në odën e kullës, rrinin e flinin partizanët. Ne të shtëpisë u detyruam dhe dolëm jashtë, duke fjetur në kasolle mbi barin e thatë. Jo vetëm jashtë kullës, por edhe në korridor edhe në ballkon, kishte vazhdimisht roje partizane të armatosura.
Haxhi Lleshi më caktoi me anglezët
Si përgjegjës kryesor dhe kujdestar për çdo gjë, më caktuan mua me detyrë pranë këtij Misioni Ushtarak, i cili vinte tek ne në Shqipëri si element i luftës së përbotshme kundër nazifashizmit. Sipas komandës së Luftës Nacionalçlirimtare të Dibrës, dhe kryesisht, Haxhi Lleshit, detyra ime pranë këtij misioni ishte: strehimi i tyre në shtëpinë time, përkujdesja për ta sipas mënyrës tradicionale të Dibrës, ndërtimi i disa barakave, plotësimi i nevojave jetësore për ta në këtë zonë të vështirë por shumë bujare, korrektesa tepër e lartë, si dhe shmangia e çdo lloj shqetësimi që mund t’u vinte atyre nga ai ambient i huaj ku do të kalonin disa kohë. Të gjitha këto, jo vetëm unë që u caktova me atë detyrë, por siç janë shprehur vetë anëtarët e atij misioni, Komanda e Luftës Nacionalçlirimtare e Dibrës dhe të gjithë miqtë e dashamirësit e tjerë që patën rastin të takoheshin e të punonin për ta, e përmbushëm më së miri atë detyrë. Me kërkesën e togerit Handz, dhe unë ndërtova një barakë të maskuar për ta në pyll, ashtu siç kisha ndërtuar atë për partizanët ngjitur me shtëpinë tonë. Një ditë Handz-y më tha: “Të shoh shumë të mërzitur, çfarë ke”?! Unë i’u përgjigja duke i thënë se, ai lëvizte dhe largohej shpesh herë pa dijeninë e shokëve, përkthyesve, partizanëve dhe timen që isha i ngarkuar për sigurimin e jetës së tyre! Kur i thashë: ‘pa lejen time’, ai vuri buzën në gaz, por më pas më premtoi se do të ndërronte sjellje, dhe se atë gjë e bënte jo për partizanët, por vetëm për mua. Gjatë asaj bisede, Handz-y më tha: “Zoti Bajram, më lejo të jap një këshillë si luftëtar lirie që thua se je. Kur komunistët të fillojnë të vrasin njëri tjetrin, të ruhesh, bile shumë, se nga shpenzimet e tepërta për rritjen e ndërgjegjes, ekonomia do u ketë rënë zero. Kurse kapitalistët do të shpenzojnë për ekonominë, se nuk ka ndërgjegje me barkun bosh. Dhe diçka tjetër: Të mëdhenjtë e Koalicionit Antifashist, kanë firmosur një ndarje të tillë: Lindja do të luftojë për komunizëm, pra për ndërgjegjen, ndërsa Perëndimi, do të luftojë për kapitalizëm, pra për ekonominë. Komunizmi do të shembet, lutu të shembet pa luftë, unë lutem të shembet pa luftë. Me sa mundësi që të kesh, meqë je luftëra lirie, lufto që Shqipëria dhe shqiptarët të anojnë dhe të bashkohen me Perëndimin (ekonominë) që t’ja kaloni Zvicrës. Po mbetët me Lindjen (me komunizmin) ju ka marrë lumi…”
Andy Handz, kryetar i misionit
Përveç dy përkthyesve, nga ana e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ishin ngarkuar edhe disa persona të tjerë që shërbenin pranë atij misioni. Gjatë gjithë asaj periudhe që shërbeva pranë atij misioni të kryesuar nga togeri Handz, unë pata rastin të udhëtoj së bashku me të nëpër malet e Dibrës, Martaneshit, Shëngjergjit, kudo ata shkonin për të përmbushur detyrat e tyre. Po kështu gjatë asaj periudhe kohe, kur lëviznim në qarkun e Dibrës, Tiranë, Krujë etj., unë pata rastin të takohesha dhe të bisedoja (me përkthyes) edhe me shumë ushtarakë të tjerë britanike të misioneve të tjera, si: Maklin, Smajl, Dafi etj. Ndër këto takime dua t’ë përmend udhëtimin tonë në itinerarin: Tërnovë-Kodra e Liqeneve mbi Gollobic-Katundës-Kalore (rrugë e vjetër)-Vrame-Kazaik-Valikardhë-Qafë-Buell-Dragu-Shilgjetë-Teqe e Madhe (te Sheh Aliu)-Komavec-Gjuras (te Kroi i Bukës)-Bllacë (te Jashar Zeneli)-Kandër-Muhërr-Katër Grykët-Selishtë-Lurë-Reç-Dardhë-Sllovë-Vlesh dhe Kala e Dodës. Gjatë këtij udhëtimi, diku ndaluam dhe togeri Handz nxori një hartë nga çanta tij ushtarake që e mbante gjithnjë me vete dhe tha: “Ky vënd quhet, Pellazg-mal”.
Handz, interesohet për toponimet e Dibrës etj.
Ndërsa vazhduam rrugën në fshatin Gramë, na u afrua dhe na përshëndeti një miku im, që quhej Jonuz Shehu i Vleshës. Sapo u takuam me të, togeri Handz e hapi përsëri hartën dhe duke i’u drejtuar Jonuzit, i tha: “Grama, Radomira, si gjithë Albania, janë Pellazag. Ky vend ka qenë i përmendur që në kohët e lashta për minierat e argjendit”. Jonuz Shehu na luti që atë natë ta kalonim në stanet e tij, por togeri Handz, pasi e falënderoi për mikpritjen, i tha se nuk mundej, pasi e kishte kohën të planifikuar dhe u duhej të udhëtonin për gjithë natën. Edhe pse Jonuzi e dinte që unë e njihja mirë rrugën, për t’i udhëhequr miqtë e largët, ai çoi fjalë tek një shoq, i cili erdh dhe bashkë me Jonuzin, vazhduan rrugën me ne. Pasi kaluam në Skërtec, ndaluam diku në anë të Cerianit, ku Handzi e hapi përsëri hartën dhe duke treguar me gisht, tha: “Ferru, (hekur) ka këtu”. Vazhduam udhëtimin tonë, duke u ngjitur në majë të kalasë së Xhitetit (Qytezës), dolëm në Bellovë, kodrës së Krapës dhe mbërritëm te Llixhat. Edhe aty tek Uji i Bardhë, Handz-y hapi hartën dhe vendosi disa shenja me laps në të. Pasi qëndruam pak aty, shkuam tek Faik Shehu dhe Jashar Bunguri, i cili e dinte mjaft mirë anglishten, pasi kishte shërbyer për disa kohë si përkthyes pranë disa misioneve të tjera aleate britanike. Rruga jonë vazhdoi më tej nga Peshkopia në Grazhdan dhe Maqellarë, ku shkuam tek shtëpia e Fiqiri Dine begut. Fiqiriu e dinte mirë anglishten dhe biseda e tij me togerin Handz vazhdoi gjatë. Nga Maqellara shkuam në Homesh tek Demallarët, e më pas në Zerqan te Qamil Shehu, e te Përvizët. Jonuz Shehu u ndal në Zerqan, ndërsa unë me të tjerët vazhduam rrugën.
Handz-y uli në bisedime komunistët me nacionalistët!
Dolëm te Kodra e Thatë dhe aty takuam Haxhi Lleshin e Baba Fajën (Mustafa Xhani), me të cilët u bisedua dhe u caktua vendi se ku do të ndërtoheshin barakat e tjera për misionin aleat anglez. Të gjithë së bashku dolëm te Vorret e Vrame dhe prej aty tek shtëpia ime në Tërnovë. Ndërsa unë qëndrova me miqtë e largët, duke biseduar për probleme të ndryshme, partizanët e tjerë të kryesuar nga Muntaz Kodra, shkuan tek sharrat e mija, për të përgatitur lëndën e nevojshme drusore që do të na duhej për ngritjen barakave të tjera. Gjatë atyre ditëve të qëndrimit në Tërnovë, togeri Handz arriti që të ulte në bisedime, Haxhi Lleshin e Baba Fajën, me krerët e parisë së Dibrës, si: Dan Kaloshin, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Halil Keta, Mahmut Përvizi etj. Në atë takim, edhe pse i kishin dhënë fjalën Handz-it, nuk i erdhën as ata të Lurës me Halil Halinë dhe as ata të Muhurrit. Që në fillim të takimit, biseda nisi me romuze, e njohur si alegoria e hollë karakteristike dibrane. Por nacionalistët nuk i rezistuan, pasi Haxhi Lleshi e njihte mirë të folurën me romuze dhe qëndroi tepër i qetë gjatë bisedimeve. “Që të mos merremi me gjëra të vogla, po dalim tek ato të mëdhatë që na interesojnë. Duam armë”, i’u drejtuan ata të parisë së Dibrës, misionit aleat anglez. “Nuk jeni pa armë, kur hytë, vura re se i’a dorëzuat të zotit të shtëpisë. Bashkohuni në luftë me njëri tjetrin dhe me Aleatët, e kur t’ju mbarohen e t’ju mungojnë armët, i kërkoni Haxhi Lleshit”, u tha misionari britanik, togeri Handz. Në këtë kohë ndërhyra unë dhe thashë: Çlirimi i Zerqanit, lufta te Shkëmbi i Sofraçanit, e të tjera si këto, nuk janë gjëra të vogla. Për nga madhësia ato nuk i lënë gjë mangët Korabit’. Por kacavjerjet e individëve të ndryshëm në preferencat e tyre, shmangiet e parisë nga çështjet kryesore, thënia togerit britanik, Handz, se: Koalicioni antifashist i ka ndarë zonat e influencës edhe në Ballkan, ngjallën mjaft diskutime e debate të gjata. Ndërsa biseda zhvillohej me tone të larta, dikush nga paria tha: “Armët o i zoti i shtëpisë…, se ndoshta na vret kush…”!? Unë ndërhyra menjëherë dhe thashë se edhe pse ishim në luftë, çdo ndodhi e mundshme brenda kufirit të katundit tim, të keqen u’a ka i zoti i shtëpisë, te ai ta kërkoni. Unë i kisha marrë të gjitha masat, në mënyrë që mos t’u ndodhte asgjë, as njërit prej atyre burrave që kuvendonin me njëri tjetrin për problemet e luftës. Pranë vetes kisha të tjerë si: Sali e Rakip Tafa (Zeneli), Halil Hasa, Bajram Gjika, me anë të cilëve dhe njerëzve të tjerë të afërm nga Zerqani e Okshtuni, të shoqëruar nga disa partizanë, kisha zënë të gjitha shtigjet që të futnin në Tërnovë.
Ndarja me ushtarakët e misionit britanikë
Misionari aleat, togeri Handz, ishte mjaft i zhdërvjellët, por kali i tij i madh dhe i bardhë, nuk i bënte se ishte bajmak. Radisti i misionit komunikonte vazhdimisht me radion e tij dhe antenën e kishte vënë me kujdes në majë të arrës së madhe, që ishte në oborrin shtëpisë sonë. Radisti fliste vetëm me togerin Handz dhe në mungesë të tij, me dy përkthyesit, asnjëherë vetëm me njërin prej tyre. Radisti nuk e hante kurrë ushqimin pa e provuar më parë Miltiazi, as dhe kur e gatuante vetë apo Miltiazi. Gjatë gjithë atyre ditëve që unë qëndrova me detyrë pranë atij misioni aleat, përshtypje të veçantë më ka lanë interesi i madh i togerit Handz, për toponiminë e atyre vendeve ku udhëtonim, e në veçanti i qarkut të Dibrës, si dhe shënimet që ai bënte në hartën e tij herë pas here. Po kështu një nga ngjarjet e tjera të veçanta që më kujtohet, ka qenë ai kur radisti njoftoi kapitullimin e Italisë fashiste. Togeri Handz, Miltiazi, radisti e të tjerët, gëzimin e tyre të madh e bashkuan me gëzimin tonë aty në Tërnovë. Pas disa ditëve, togeri Handz dhe pjesëtarët e tjerë të misionit, të shoqëruar nga Qazim Prishtina, Muntaz Kodra, Asllan Zeneli, etj, së bashku me Çetën e Grykës së Madhe, shkuan në Shehër (Qyteti i Dibrës së Madhe). Kurse unë me radistin e Miltiazin, përkthyesit, e disa partizanë të tjerë, qëndruam aty, duke pritur Haxhi Lleshin të vinte nga Labinoti. I shoqëruar nga përkthyesi Qazim Prishtina dhe disa partizanë të tjerë, togeri Handz u kthye në Tërnovë. Me anë të përkthyesit Lik bej Toptani, ai paraqiti një ankesë për Muntaz Kodrën dhe Luan Zelkën. Unë i’a zgjidha ankesën (bëhej fjalë për katër arka me peksimadhe që dy partizanë i kishin marrë pa dijeni nga racioni i tyre), në prezencë të dy përkthyesve dhe më pas sipas urdhrit të komandantit të forcave partizanë të asaj zone, Haxhi Lleshit, e shoqërova grupin e misionarëve anglezë tek ai. Kur arritëm në Shehërr, bisedova me Haxhi Lleshin edhe për ankesën e paraqitur nga togeri Handz, si dhe zgjidhjen që i kisha bërë unë. Pasi i’a dorëzova shëndoshë e mirë misionin aleat, u përshëndeta me ta dhe u ktheva i vetëm drejt Tërnovës. Të nesërmen vazhdova rrugën për t’u takuar me forcat partizane drejt Krujës.
Biseda me akademikët, Buda, Çabej dhe Domi, për toponimet e Dibrës!
Periudha e gjatë e qëndrimit me misionin aleat britanik, e në veçanti me togerin Handz, i cili ishte mjaft i dhënë për toponiminë e atyre anëve, duket se i la mbresa të thella dibranit Bajram Zeneli, edhe për shumë vjet pas mbarimit të Luftës. Kjo gjë shihet edhe në kujtimet e tija, ku midis të tjerave ai shkruan: “Koha e qëndrimit tim me misionin anglez dhe në veçanti me togerin Handz, vazhdoi të më guduliste edhe shumë kohë pas mbarimit të Luftës. Nisur nga kjo gjë, aty nga fundi i viteve ’50-të e fillimi i viteve ’60-të, shkova disa herë në Tiranë për të biseduar me disa nga miqtë e mi të vjetër me shkollë e dije shkencore, si: Aleks Buda, Eqerem Çabej, Mahir Domi etj. Takimet me ta në fillim i bëra veç e veç, e më pas i bashkova të gjithë në shtëpinë e mikut tim të vjetër, Xhemal Vorbsit. Aty thërrita edhe mikun tim të vjetër, mësuesin e njohur, Jorgji Pano. Pasi u tregova me hollësi për udhëtimin e gjatë që kisha bërë gjatë viteve të Luftës me misionin britanik, dhe togerin Handz që dinte mjaft gjëra për vendet e toponimet ku kalonim, i’u kërkova atyre që të më jepnin mendimet e tyre shkencore, për disa nga emrat e atyre vendeve që më kishte thënë dikur togeri Handz. Edhe pse unë isha njeri pa shkollë, ata më vlerësonin e më respektonin si një njeri i rrahur nga jeta. Ata i miratuan të gjitha ato gjëra që më kishte thënë dikur togeri Handz, duke i plotësuar me të tjera të dhëna shkencore për toponiminë e Dibrës. Sipas atyre akademikëve të shquar, emri i vjetër i Tërnovës, ka qenë: Drena, dhe më pas Tra(h)na. Të dy emra autokton. Më vonë ajo u quajt Trenova, ndërsa në defterët osman të vitit 1467, figuron si Drenova. Kurse Tornova dhe Trenova, janë dy emra të administratës serbo-sllave, po gjithsesi të shqiptuara nga vendasit (shqiptarët). Ndërsa fshati Katunes (Katundës) është emri i një vendbanimi të hershëm Pellazgo-Ilir-Shqiptar. Mbi këtë vendbanim të hershëm, (sot rrënojë) kalon Kalorja, (rrugë shumë e vjetër) Dibër-Tiranë-Krujë etj., dhe anasjelltas. Po kështu, Martanesh, Valikardh, Zerqan, Sopot, Dragua, (Dragoi), Shilgjet, Gjuras, (Guras), Kroi i Bukës në Gjuras, Dardhë, janë emra vendesh autoktonet (iliro-shqiptare). Qafa e Buallit gjithashtu është emër iliro-shqiptar, si emri Vajakal. Ka qenë Qafë bollë (qafa, vendi, ku kalojnë bollat (nga Klosi e Bulqiza) d.m.th., zvarranikët (gjarpërinj jo helmues), si Vitoria, Breva etj. Bolla, ku o-ja ka dhënë u-në (o:u), bollë, bullë, Qafë e Bullit (emri i sotëm); Kur unë u thashë atyre akademikëve të nderuar, se togeri Handz, duke treguar në hartën e tij, shqiptonte herë pas herë fjalën Pellazag, ata shikuan njëri tjetrin me habi dhe me ngazëllim. U ngritën dhe më përqafuan duke më shpjeguar se “Pellazg”, është emri ynë i vjetër. Nga pellazgët, vijnë ilirët dhe nga ilirët ne shqiptarët. Së pari, emri “Pellazg”-mal i atij vendi në Kala të Dodës, (Radomirë) të Dibrës, është dëshmi e pa kundërshtueshme për origjinën tonë nga Pellazgët, dhe së dyti, edhe në atë mal me emrin “Pellazg”-mal, kanë banuar, jetuar e punuar të parët tanë, pellazgët, të cilët kanë nxjerrë e përpunuar nga ajo pjesë e tokës metalin e argjendit. Pra aty është vendndodhja e një miniere argjendi shumë e lashtë, ndoshta që nga koha e pellazgëve. Po kështu ata më shpjeguan edhe për prejardhjen e emrit Krap(e), i cili është një vend mbi Llixhat e Peshkopisë dhe rruga Krape që të nxjerr në Bellovë drejt e ke Xhiteza (Qyteza) kala e vjetër. Krape është emërtim ilir. Krape që rrënoi Orteku (kjo fjalë vjen nga gojëdhëna që sapo tregove o Bajram, por edhe nga etimologjia, prejardhja, dhe historia e fjalës ka të bëjë me një qytet të Ilirisë. Pa dyshim edhe emri “Ujë i Bardhë” është me origjinë të lashtë dhe autokton. Biseda e diskutimet tona lidhur me toponimet e disa vendeve të Dibrës, do të zgjaste shumë, sikur njerëzit e shtëpisë bujare të Xhemal Vorpsit, të mos na detyronin të uleshim në tryezën që ata e kishin mbushur me të gjitha të mirat”.
Historia e familjes Zeneli, nga ushtarakë të Monarkisë, me Haxhi Lleshin në radhët partizane!
Sipas kujtimeve dhe dëshmive të Enver Zenelit, (ish-mësues i lëndës së Historisë), babai i tij, Bajram Hysen Zeneli, u lind në vitin 1886 në fshatin Tërnovë të komunës së Zerqanit në rrethin e Dibrës, në një familje mjaft të njohur të asaj treve. Në vitin 1916, Bajrami ishte komandant i çetës së Tërnovës, e cila luftonte kundër forcave serbe që mësynin tokat shqiptare të asaj treve. Para Bajramit, ajo çetë ishte drejtuar nga xhaxhai i tij, Osman Zeneli. Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, vëllai i Bajramit, Beqiri, u shkollua në një nga akademitë ushtarake të Italisë. Pas kthimit nga Italia, ai shërbeu për disa vjet me radhë deri në prillin e ‘39-ës, pranë Oborrit Mbretëror të Zogut në Tiranë, duke qenë një nga njerëzit besnik të tij. Ndërsa vëllai tjetër i Bajramit, Asllani, i cili kishte mbaruar shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, për disa vjet me radhë shërbeu si oficer në Rojen Mbretërore të Kufirit në postën e Tre Urave në rrethin e Përmetit. Pas një incidenti, ai u arrestua dhe u dënua me varje nga ana e Mbretit Zog, por më pas me ndërhyrjen e deputetit Sali Vuçiterni, u bë i mundur lirimi i tij. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të vendit (1939-‘44) e gjithë familja e Bajram Hysen Zenelit, u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe shtëpia tyre në fshatin Tërnovë të Zerqanit, u bë një nga bazat kryesore të partizanëve të asaj krahine, ku strehohej Haxhi Lleshit dhe kuadro të tjera të njohura të Luftës. Nisur nga ajo gjë, si edhe prej gjendjes së mirë ekonomike të saj (ajo shtëpi kishte në pronë të saj dy gatra-sharra,- që punonin me forcën e ujit për prerjen e lëndës drusore), aty u strehua për disa muaj, edhe një mision ushtarak aleat britanik i kryesuar nga togeri Andy Handz. Asllani u rreshtua në Çetën e Gollobordës, etj., formacione partizane, ndërsa Bajrami, përveçse u caktua për disa muaj për të shërbyer pranë misionit aleat anglez, mori pjesë me armë në dorë në disa aksione e luftime të zhvilluara nën komandën e Haxhi Lleshit. Edhe pse pati një kontribut jo të pakët gjatë Luftës, pas vitit 1944, Bajrami i’u përkushtua zanatit të tij si mjeshtër e teknik i përpunimit të drurit, duke ngritur nga e para disa linja zdrukthëtarie në Dibër, Krujë, Laç dhe Tiranë. Bajram Zeneli u nda nga jeta në vitin 1989, (në moshën 113 vjeçare), duke lënë si trashëgimi familjes, qindra faqe me kujtime nga jeta e tij. Ku një vend të veçantë zënë edhe ato me misionin britanik, të kryesuar nga togeri Andy Handz, të cilët ai i strehoi në shtëpinë e tij në vitin 1943./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016