Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një listë prej 100 emrash të personaliteteve të njohur, si themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë që në vitin 1941, drejtues të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare si komandantë e komisarë dhe më pas kuadro e funksionarë të lartë, të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat u eliminuan ndër vite, duke u akuzuar si “armiq të popullit dhe kriminelë” e u dënuan me vdekje, vdiqën në qelitë e hetuesive dhe burgjeve, apo vuajtën me vite të gjata dënimet politike në burgjet dhe kampet e internimit të atij regjimi…
Përgjatë 50 viteve të ekzistencës së saj, Partia Komuniste e Shqiptare, e cila më pas u quajt Partia e Punës së Shqipërisë, eliminoi në mënyrë tragjike nga radhët e saj pothuajse të gjithë eksponentët më të lartë dhe më në zë që e kishin themeluar, ose që kishin kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e pushtetit të saj. Të gjithë këta personazhe të cilët u goditën ose u eliminuan fizikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i kishin shërbyer me devotshmëri deri në momentin e fundit, pikërisht kësaj partie dhe kreut të saj, Enver Hoxhës, i cili me një të rënë të lapsit, vendoste se cilët nga ata duhet të vazhdonin të jetonin, dhe cilët jo! Kontributi i këtyre personaliteteve të komunizmit shqiptar, fillon që me themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor të 1941-it dhe vijon më pas me Luftën Anti-Fashiste Nacional-Çlirimtare, për të përfunduar me periudhën e cila, rëndom në historiografinë e asaj kohe, do të etiketohej edhe si “ndërtimi socialist i vendit” në vitet 1944-1991. Në mënyrë ironike të 100 personazhet e kësaj liste, mund të quhen edhe si elita drejtuese e regjimit komunist shqiptar (së paku, një pjesë e mirë prej tyre), të cilët ishin të mirë-arsimuar në shkollat dhe akademitë më të njohura të Lindjes apo dhe të Perëndimit që në viteve ‘30-’40-të, deri në vitin 1961, në vendet e Lindjes Komuniste. Disa prej këtyre personazheve e kishin ndihmuar Enver Hoxhën, në betejat për ardhjen në pushtet të Partisë që ai drejtonte në Shqipërinë që nga lufta në vitet 1943-1944, ndërsa një pjesë tjetër e kishin ndihmuar atë të çimentonte rrënjët e pushtetit të tij absolut, në hierarkinë e Partisë së Punës së Shqipërisë. Ndërsa pjesa e tretë dhe e fundit do të ishte ajo më tragjikja e cila e shoqëroi në mënyrë të zellshme diktatorin Hoxha, në vazhdën e sundimit të tij të ashpër 45 vjeçar në vend. Dhe pikërisht në fund, kjo pjesë, pa pritur ra pre e vetë krimeve monstruoze të tij! Akuzat për ta do të kurdiseshin në korridoret e errëta të ndërtesës më hije-rëndë që kishte asokohe, jo vetëm Tirana por i gjithë vendi, atë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërsa zbatimi i tyre i ngarkohej Ministrisë së Punëve të Brendshme me anë të degëve dhe drejtorive të shumta të saj, ku më kryesorja ishte ajo Sigurimit të Shtetit, që vetë Enveri e kishte konsideruar si “maja e mprehtë e shpatës së Diktaturës së Proletariatit”?!. Natyra paranojake e regjimit komunist shqiptar, do t’i etiketonte këta fatkeq si “armiq të popullit”, “tradhtarë të atdheut”,“agjentë dhe poli agjentë të UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, CIA-s amerikane” e lloj lloj epitetesh të tjera nga më të ndryshmet. Por i vetmi “faj” i tyre, që ata do ta kuptonin vetëm atëherë kur do ta shihnin vetën në qelitë e errëta të Hetuesive apo Sigurimit, kampeve dhe burgjeve politike, apo fshatrave të largët në internime, ishte ajo që ata e kishin përkrahur dhe i shërbyen deri në atë moment, pushtetit të Enver Hoxhës?! Shumë prej tyre i qëndruan luajal deri në atë pikë, saqë në momentet kur do të dënoheshin me vdekje dhe do të ekzekutoheshin, ata merrnin guximin dhe kurajën, që t’i kërkonin falje atij, madje t’i shkruanin edhe letra nga burgu apo internimi, ku do t’i deklaronin besnikërinë e përjetshme! Fatkeqësisht nuk do të ndodhte kështu. Sepse, modeli i fushatës së spastrimeve dhe eliminimeve që Enver Hoxha do të kryente mbi shokët, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij, ishte kopjuar në mënyrë identike nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe personalisht kreu i saj,Joseph Vissarionovich Stalin. Kjo metodë i ishte importuar Tiranës zyrtare, me mijëra kilometra larg saj, pikërisht nga Moska, ku brenda mureve të Kremlinit udhëheqësit e saj “hanin” njëri tjetrin dhe ata që mbeteshin në krye të saj, “hanin” prenë e radhës. Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë është tragjikisht e ngjashme me homologen e saj sovjetike, një histori vuajtjesh dhe spastrimesh, një histori eliminimesh dhe vrasjesh misterioze të vetë themeluesve dhe pjesëtarëve kryesor të saj. Në mënyrë të frikshme, kjo metodë sundimi pas vitit 1945, u përhap në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes, ku sigurisht edhe Shqipëria e vogël, do ta përshtaste atë, me modelin e saj. Dhe kjo do të ndodhte pasi vetë personi që do ta eksportonte në botën komuniste këtë model, Joseph Vissarionovich Stalin, njëkohësisht do të shërbente si udhë-rrëfyes dhe si idhull për diktatorin komunist shqiptar, Enver Hoxhën, ku lista spastrimeve të bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, është me qindra. Në këtë shkrim, Memorie.al sjell 25 personazhet e parë të kësaj liste prej 100 emrash.
Lista e emrave dhe funksionet përkatëse e 100 personazheve dhe personaliteteve bashkëpunëtorë të ngushtë Enver Hoxhës, të eliminuar prej tij në vitet 1943-1985
76. Arif Hasko, komunist dhe Komisar Batalioni në Brigadën e Parë. Pas lufte Hasko, shërben si komisar i Divizionit të Gjirokastrës dhe më pas në atë të Dibrës. Në vitet 50, kryen Akademinë “Voroshillov” në Moskë. Pas kthimit në atdhe emërohet komandant i Korpusit të II-të në Krujë, dhe më pas Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Gjeneral-kolonel, në 1958 ai, është komandant i Mbrojtjes Kundër Ajrore. Deri në vitin 1976, është zv-Ministër i Mbrojtjes Popullore. Gjithashtu Arif Hasko ka qenë deputet në Kuvendin Popullor në vitet 50-60. Në vitin 1976 del në pension, dhe në 1982 arrestohet dhe dënohet, si përkrahës i grupit të puçistëve në ushtri. Del nga burgu i Burrelit në vitin 1991.
77. Abdyl Këllezi, komunist dhe zv-Komandant i Brigadës së II-të Sulmuese. Ndërpret studimet ushtarake në Itali dhe vjen në Shqipëri për t’u lidhur me lëvizjen antifashiste. Deputet në Kuvendin Popullor që në zgjedhjet e para të 1945-ës, dhe Guvernator i bankës Kombëtare. Anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ministër i Financave dhe zv-Kryeministër i Shqipërisë deri në vitin 1975 kur u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore duke u akuzuar si kreu i grupit sabotator në Ekonomi. Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në Maj të vitit 1977 së bashku me Koço Theodhosin. Varri i tij ende nuk është gjetur.
78. Koço Theodhosi, komunist me poste drejtuese pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Diplomohet për inxhinier kimike në Francë dhe Belgjikë, deputet në Kuvendin Popullor. Anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit në vitet 60 dhe më pas zv-Kryeministër. Ministër i Industrisë dhe Minierave, deri në vitin 1975 kur shkarkohet nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore duke u akuzuar kreu i Grupit sabotator në Ekonomi. Dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet në Maj të vitit 1977 së bashku me Abdyl Këllezin. Varri i tij nuk është gjendur ende.
79. Kiço Ngjela, partizan dhe zv-Komisar i Brigadës së II-të Sulmuese, anëtar i Komitetit Qendror, deputet në Kuvendin Popullor. Më pas, Ministër i Tregtisë së Jashtme. Arrestohet në vitin 1975 duke u akuzuar si pjesëtar i Grupit puçist në Ekonomi dhe dënohet me 25 vjet burg. Lirohet nga burgu i Burrelit së bashku me dy djemtë e tij Lincin dhe Spartakun, vetëm në vitin 1991.
80. Vasil Kati, komunist dhe partizan me funksione drejtuese në qarkun e Gjirokastrës. Anëtar i Komitetit Qendror, deputet në Kuvendin Popullor, zv-ministër dhe ministër i Tregtisë deri në vitin 1975 kur u shkarkua nga të gjitha funksionet shtetërore dhe partiake. U dënua së bashku me Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, dhe Kiço Ngjelën si pjesëtar i Grupit armiqësor në Ekonomi. Dënohet me 25 vjet burg, ndërsa familja i internohet në fshatrat e Beratit. Lirohet pas vitit 1990.
81. Ndue Marashi, drejtues i njohur i disa ekonomive bujqësore, anëtar i komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës deri në vitin 1975 kur fillon të survejohet nga Sigurimi i Shtetit me akuzën absurd se kishte gisht në helmimin e 100 lopëve në fshatin Baldushk. Gjendet i vdekur në shtëpinë e tij në Dhjetor të 1975, me një plumb pistoletë në trup. Version zyrtar, vetëvrasje. Pas viteve 90-të,familjarët e tij kanë deklaruar publikisht në shtyp të kundërtën e atij version.
82. Filip (Lipe) Nashi, në vitin 1942 u lidh me Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Ishte pjesë e Brigadës XII sulmuese. Në përfundim të luftës arrin gradën e Z/ Komisar batalioni. Në vitin 1951 gradën e kapitenit të parë. Lirohet nga ushtria dhe emërohet në aparatin e Komitetit Qendror Tiranë. Në vitin 1952 drejton partinë në sektorin e naftës Kuçovë (Qytet Stalin). Në vitet 1965-1975 drejton Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës. Me 25.02.1975 me vendim të Byrosë Politike pezullohet nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Naftës dhe Gazit. Në 25 mars 1975 arrestohet në Plenumin e Patosit. Nga dt. 11 deri ne 17.06.1976 zhvillohet gjyqi në Gjykatën e Lartë me dyer të mbyllura e grupit të naftës me kryetar grupi Filip (Lipe) Apostol Nashi. Anëtarë të grupit armiqësor të naftës janë. Beqir Alia, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, të cilët u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e sabotimit, agjitacion propagandës dhe shpërdorimit të detyrës. Lipe Nashi u dënua me 25 vite për sabotim, 10 vite për agjitacion propagandë dhe 7 vite për shpërdorim detyre, përfundimisht, 25 vjet heqje lirie. Në vitin 1986 arrestohet në Burgun e Burrelit ku vuante dënimin dhe sillet në qelitë e Fierit. Ishte koha kur ishte zbuluar grupi tjetër i naftës me në krye Petraq Xhaçkën, Enriko Veizin etj. Në vitin 1991 lirohet nga burgu.
83. Pirro Gusho, komunist dhe partizan në rrethin e Fierit. Deputet në Kuvendin Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-se. Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Fierit deri në vitin 1975 kur u godit i ashtuquajturi Grupi Armiqësor në Naftë. Pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së plenumit të Partisë në Fier ku diskutohej “puna armiqësore në Naftë”, ndërsa priste të arrestohej, vrau veten me një plumb pistolete në shtëpinë e tij në lagjen “15 Tetori”.
84. Thoma Deliana, ndoqi studimet në shkollën Normale deri më 1943. Në nëntor 1943 anëtar i Partisë Komuniste. Në nëntor-dhjetor 1944 ishte përgjegjës rinie në divizionin e VII-të në Korçë. Nga Dhjetori i 1944 e deri në prill 1945 ishte përgjegjës i seksionit politik të divizionit të VIII-të në Peshkopi. Në maj të 1945 u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë për Elbasanin deri në Janar të 1946 dhe nga Janari i 1946 e deri në shtator 1947 sekretar i Komitetit Qarkor të PK-së në Elbasan. Në shtator 1947 e deri në dhjetor të 1948 ka qenë kryetar dege në Komisionin e Planit të Shtetit. Më 1948 – 1951; 1953 – 1955 shef seksioni dhe më 1951 – 1953 zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Kuadrit në Komitetin Qendror të Partisë. Më 1955 – 1958 ndoqi studimet në Shkollën e Lartë të Partisë në Moskë. Gjatë viteve 1952 – 1976 anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe nga 1954 e deri më 1976 deputet. Më 1958 – 1961 sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Punë në rrethin e Elbasanit. Më 1961 – 1965 shërbeu si zëvendësministër i parë i Arsimit. Më 1965 – 1966 punoi Ministër i Arsimit dhe nga 1966 Ministër i Arsimit dhe i Kulturës për dhjetë vitet e ardhshme. Më 1975 u dënua si pjesë e grupit armiqësor të arsim-kulturës me në krye Abdyl Këllezin, gjë për të cilën u shkarkua nga posti ministror. Më 1976 – 1977 i dënuar me internim qe drejtor i shkollës së mesme në Dhëmblan të Tepelenës, pas 1977 u shkarkua dhe punoi si çoban e bujk.Prej ku u kthye më 1985 si i internuar në vendlindje.
85. Pirro Dodbiba, më 1943 pranohet në Partinë Komuniste dhe në tetor dërgohet në çetën e Dajtit si përgjegjës rinie e më vonë si zëvendës komisar. Më 1944 caktohet zëvendës komisar batalioni në Brigadën e III. Deri në tetor 1945 mbajti funksione në parti dhe në ushtri. Më 1945 – 1950 ndoqi studimet e larta në Akademinë Bujqësore “Timirjazev” në Moskë. Më 1950 – 1951 shërbeu si zëvendësministër i Bujqësisë, më 1951 – 1956 u emërua drejtori i parë i Institutit të Lartë Bujqësor në Kamëz. Më 1956 – 1962 shërbeu si drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në Komitetin Qendror të PP-së dhe më 1961 anëtar. Më 1962 ishte zëvendës kryetar i Kuvendit Popullor, ku ngeli anëtar nga legjislatura e pestë deri tek e teta. Më 1962 – 1965 ishte sekretar i parë i Komitetit të PP-së në Fier. Në vitet 1965 – 1976 ministrit i Bujqësisë në qeveritë Shehu deri kur u shkarkua më 24 prill 1976. Në nëntor humbi edhe vendin e tij në Kuvendin Popullor dhe pas vitit 1976 punoi ekonomist agrar në fermën Llakatund, ku ishte internuar me familjen e tij. Lirohet pas 1990.
86. Mantho Bala, partizan dhe eksponent i UNÇSH në zonën e Bregdetit. Ish-zv/ministër i Arsimit dhe Kulturës për 8 vjet gjatë regjimit komunist dhe sekretar i organizatës bazë të partisë për dikasterin e tij. Pas qëndresës ndaj ndërhyrjeve të Sekretarit të Parë të Partisë së Tiranës, Manush Myftiu, në vitin 1976 sulmohet dhe dënohet duke u përjashtuar nga Partia, duke u shkarkuar nga funksionet dhe duke u internuar në Dumre të Elbasanit. Si akuzë u përdorën dy letra anonime që e denonconin për mbështetjen që i kish dhënë sipas tyre, aktorit Robert Ndrenika, i cili kishte një vëlla të arratisur, për rolin në filmin “Fije që priten”.Rol i cili më pas iu hoq atij.
87. Edip Ohri, në 1942 përfundon studimet e shkollës së mesme në Elbasan. Në të njëjtin vit përfshihet në lëvizjen e rezistencës drejtuar kundër pushtimit italian. Arrestohet nga autoritetet pushtuese, por në vitin 1943 arratiset nga burgu. Gjatë luftës ishte zëvendës komandant kompanie pranë Brigadës II-të Sulmuese, në kuadër të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Në nëntor 1944 merr pjesë në çlirimin e zonës Korçë- Pogradec si oficer zbulues i Brigadës II Sulmuese. Në të njëjtin vit bëhet anëtar i Partisë Komuniste. Në vitin 1945 regjistrohet në shkollën e fluturimit Panczewie pranë Beogradit dhe disa muaj më vonë shkon transferohet në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1948 diplomohet pilot për avionët bombardues. Vazhdon studimet në vitet 1949-1952 në Akademinë e Forcave Ajrore Sovjetike. Në vitet 1954-1955 studion në shkollën për drejtues të njësive ajrore në Grozni. Pas kthimit në atdhe, Edip Ohri gradohet “kolonel” dhe emërohet komandant i aviacionit ushtarak shqiptar. Si anëtar i delegacionit shqiptar në mënyrë të rregullt ka marrë pjesë në takimet e Traktatit të Varshavës. Në vitin 1969 kryen kursin për oficer të Shtabit të Përgjithshëm. Në vitet 1971-1972 studion në Kinë në fushën e komandimit të njësive të aviacionit të transportit. Në vitin 1975, në mënyrë të papritur, nxirret në lirim nga ushtria. Në vitet 1974-1978 ishte deputet në parlament. Arrestohet më 16 tetor 1980 dhe akuzohet për përgatitjen e një grushti shteti ushtarak dhe propagandë anti-shtetërore. Pas disa muaj hetimi Edip Ohri, së bashku me gjashtë oficerë të tjerë del në gjyq. Në janar të vitit 1981, dënohet me 14 vjet burg, dënim i kryer fillimisht në Ballsh në Zejmen. Në vitin 1985, dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit ku qëndron deri sa lirohet si rezultat i amnistisë së 29 nëntorit 1989.
88. Sabri Pilkati, komunist dhe partizan ne zonën e Kolonjës ku shërbeu edhe si Prokuror Ushtarak. Më pas kryen funksionin e Punonjësit të Zbulimit Politik në disa vende të Botës. Për disa vjet me radhë ushtroi funksionin e Kryetarit te Komitetit Ekzekutiv te Tiranes deri sa u arrestua ne vitin 1981 duke u akuzuar si pjesëtar i një grupi armiqësor prej 6 personash, të gjithë emra të njohur me funksione të larta. Kryen 10 vjet burg në Burrel dhe lirohet në 1990.
89. Mehmet Shehu, ish-luftëtar i brigadave internacionaliste në luftën civile në Spanjë, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese dhe i Divizionit të Parë. Diplomohet në Akademinë Ushtarake “Frunze” të Moskës, gjeneral-kolonel, Shef i Shtatmadhorisë Shqiptare, Ministër i Komunikacioneve, Ministër i Brendshëm, Ministër i Mbrojtjes dhe Kryeministër i Shqipërisë për gati tre dekada me radhë. Hero i Popullit dhe anëtar i Byrosë Politike. Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në mesnatën e 17 Dhjetorit të vitit 1981, gjendet i vetë-vrarë në dhomën e tij të gjumit. Versioni zyrtar, vetë-vrasje edhe pse, pas vitit 1990, shumë të afërm dhe ish kolegë të tij aludojnë me fakte dhe argument një version të kundërt. Atë të eliminimit. Disa orë më pas ai u akuzua nga Enver Hoxha në një mbledhje Plenumi të KQ të PPSH-së, si një ndër poli-agjentët më të rrezikshëm që Shqipëria kishte parë ndonjëherë. Disa muaj pas vdekjes së tij, djali i tij Vladimiri, do të vetë-vritej me korent, në rrethana të dyshimta në Gramsh.
90. Fiqrete (Sanxhaktari) Shehu, komuniste e orëve të para dhe partizane me funksione drejtuese politike në Brigadën dhe Divizionin e Parë Sulmues. Deputete në Kuvendin Popullor, Sekretare e Komitetit të Partisë të Tiranës, anëtare e komitetit Qendror të PPSH-së dhe Drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë deri në vitin 1981, kur pas goditjes së bashkëshortit të saj, kryeministrit Mehmet Shehu, ajo u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore e përfundoi në burg së bashku me dy djemtë e saj. Vdiq e sëmurë rëndë, në burgun e Shënkollit në Lezhë në vitin 1988.
91.Bato Karafili , eksponent i LANÇ në qarkun e Gjirokastrës, për rrethin e Përmetit në Brigadën e VI. Pas çlirimit, merr detyra të rëndësishme në Divizionin e mbrojtjes së Popullit, ndërsa më pas emërohet ambasador në disa shtete të Europës Lindore. Karriera e tij vijon si Sekretar i Parë i Përmetit dhe më pas Sekretar i KQ të PPSH-së për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Vetë-vritet në mënyrë misterioze në vitin 1982, me anë të disa ilaçeve që ndikonin në hiper-tension. Ndërsa familja e tij internohet në fshatrat e izoluara të Përmetit.
92. Kadri Hazbiu, komunist dhe partizan i orëve te para në Brigadën e V me funksione komanduese. Shef i Sigurimit te Ushtrisë, Drejtor i Sigurimit të Shtetit, dhe Ministër i Brendshëm, anëtar i Byrosë Politike te Komitetit Qendror të PPSH-së, Hero i Popullit, deputet ne Kuvendin Popullor dhe Ministër i Mbrojtjes deri Tetorin e vitit 1982 kur u arrestua duke u akuzuar si bashkëpunëtori me i ngushte i Mehmet Shehut. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në mesnatën e 10 Shtatorit të vitit 1983.
93. Feçor Shehu, komunist dhe partizan, pas mbarimit të Luftës kreu detyra të rëndësishmesh në Ministrinë e Brendshmesh dhe Sigurimin e Shtetit. Kryetar i Degës së Brendshme të Shkodrës, zv / Ministër i Brendshëm, Deputet në Kuvendin Popullor, kandidat i Komitetit Qendror të PPSh-së dhe Ministër I Brendshëm ne vitet 1980-1982 kur dhe u arrestua si bashkëpunëtori me i ngushtë i Kadri Kazbiut. Pasi u torturua gjatë hetuesisë u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me pushkatim në kodrat e Linzës me 10 shtator 1983.
94. Llambi Peçini, komunist dhe partizan me funksione drejtuese. Pas mbarimit të Luftës shërben në radhët e Ministrisë së Brendshmesh, duke punuar në Zbulim, pranë ambasadës shqiptare në Paris. Në vitet 60-të u emërua në detyrën e Shefit të Sigurimit të Udhëheqjes pranë Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Brendshme dhe më pas si kryetar i Degës së Brendshme të Vlorës. Në vitin 1982, u arrestua duke u akuzuar si pjesëtar i grupit armiqësore me në krye Kadri Hazbiun dhe u dënua me vdekje duke u ekzekutuar me pushkatim.
95. Llambi Ziçishti, komunist dhe partizan, pas Luftës u diplomua për Mjekësi dhe deri ne vitin 1981 shërbeu si Ministër i Shëndetësisë dhe deputet në Kuvendin Popullor. U arrestua në vitin 1982 dhe u dënua me vdekje, duke u akuzuar si bashkëpunëtor i ngushtë i Mehmet Shehut, dhe me porosi të tij, kishte dashur të helmonte Enver Hoxhën në vilën e Vlorës. U ekzekutua po natën e 10 Shtatorit të vitit 1983 së bashku me Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin dhe Feçor Shehun. Pas viteve ’90-të, vëllai i tij, Mihallaq Ziçishti ka pohuar publikisht se shkaku i pushkatimit të Llambit, ishte fakti se nga pozitat e mjekut, ai kishte hedhur dyshime mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut.
96. Mihallaq Ziçishti, komunist dhe partizan i orëve të para me funksione drejtuese, gjeneral-major, zv / Ministër i Punëve të Brendshme dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit , deputet në Kuvendin Popullor, në fundin e viteve ’60-të, emërohet Sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës dhe më pas të Durrësit. Arrestohet në vitin 1982, si pjesëtar i grupit armiqësor të Kadri Hazbiut dhe dënohet me 25 vjet burg. Lirohet nga Burgu i Burrelit në vitin 1991.
97. Gani Kodra, një ndër eksponentët më në zë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kryen Akademinë e “Xherxhinskit” në Moskë në profilin Sigurim. Për 20 vjet me radhë shërben në poste të rëndësishme në Sigurimin e Shtetit, konkretisht në Drejtorinë e Dytë. Kodra është gjithashtu Shef i Sigurimit të Byrosë Politike. Gradohet Kolonel.Në vitin 1982 arrestohet së bashku me Kadri Hazbiun, dhe Feçor Shehun, në grupin e ashtuquajtur puçist të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pas gjyqit, dënohet me 10 vjet burg, nga të cilat kryen 8 në burgun e Burrelit. Lirohet në vitin 1991.
98. Elham Gjika, një nga eksponentët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në vitet 50-60 kryen detyrën e Oficerit të Sigurimit (Hetuesit) në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës. Më pas gradohet Major dhe shërben në Drejtorinë e Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit. Elham Gjika ka hetuar mjaft prej eksponentëve të Byrosë Politike të cilët u dënuan në vitet 1973-1975. Në mesin e viteve 70 deri kur u arrestua në 1982, shërben si Drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në MPB. Arrestohet dhe dënohet si përkrahës i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Gjithashtu ai u akuzua për përfshirjen në çështjen e famshme të incidentit me makinat e ambasadave në vitet 1980-1981. Kryen 8 vjet burg dhe lirohet në 1991.
99. Kristofor Martiro, në moshën 16 vjeçare mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një vit më vonë, ai do të pranohet anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Pas çlirimit ka marrë pjesë në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Mbaroi shkollën dy vjeçare të PPSH, e pas kësaj u emërua pedagog në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shërbeu deri në vitin 1967. Nga viti 1967 deri në vitin 1982 punoi në organet e Sigurimit të Shtetit në detyra të ndryshme, si nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshmen Korçë, kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë viteve 1975-1978, u komandua në përbërje të grupit hetimor të “puçistëve në ushtri”, ku do të hetonte Beqir Ballukun dhe “sabotatorët në ekonomi e organizimin shtetëror”, ku hetoi Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin. Në vitin 1978 emërohet kryetar i Degës së Veçantë të Sigurimit të Shtetit. Në 13 prill 1982 arrestohet e dënohet me 15 vjet heqje lirie, dhe deri në vitin 1989 e vuajti dënimin në burgun e Sarandës.
100. Nesti Nase, komunist dhe partizan i orëve të para me funksione drejtuese. Pas mbarimit të Luftës shërbeu në radhët e diplomacisë duke kryer detyra të ndryshme. Deputet në Kuvendin Popullor, zv / ministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme nga viti 1963 deri në 1982-in, kur u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg si pjesëtar i grupit armiqësor me në krye Kadri Hazbiun. U lirua nga burgu i Burrelit, në vitin 1991./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016