Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon kujtimet e panjohura të ish-të burgosurit politik, Gëzim Peshkëpia, me origjinë nga Gjirokastra dhe me banim në Gjermani, ku ai kujton dhe përshkruan me detaje dhe hollësi disa prej ngjarjeve dhe historive të bashkëvuajtësve të tij, në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: profesor Ismail Farka, Shefqet Kau, Eqerem Kavaja, Shaban Reçi, Halil Laze, Seit Bathorja, etj., me të cilët ai kaloi vite të tëra gjatë vuajtjes së dënimit, si dhe hetuesit, oficerët, kapterë dhe policët që shërbenin në ato “reparte riedukimi”.
Kush është Gëzim Peshkëpia?
Gëzim Peshkëpia u lind në vitin 1940 në qytetin e Tiranës, ndërsa origjina e familjes së tij është nga Gjirokastra. Gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, shumë djem nga fisi Peshkëpia u shkolluan dhe diplomuan në universitetet të ndryshme jashtë vendit. Në periudhën e pushtimit të vendit, 1939-‘44, pothuaj i gjithë fisi Peshkëpia u radhit në krahun e forcave nacionaliste, duke aderuar në organizatën e “Ballit Kombëtar” dhe xhaxhai i Gëzimit, Nexhat Peshkëpia, ishte një nga eksponentët kryesorë të asaj organizate dhe një nga hartuesit e Dekalogut të famshëm të Ballit, prej dhjetë pikash. Ndërsa në fundin e vitit 1944, Nexhat Peshkëpia u largua nga Shqipëria prej hakmarrjes së komunistëve, babai i Gëzimit, Manush Peshkëpia, disa vjet më vonë, në 1951-in, u arrestua për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetikë dhe u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm. Nisur nga biografia e familjes, për disa vite Gëzimi mezi mundi që të punonte si arsimtar dhe u dërgua që të shërbente si mësues në fshatrat më të thella të Lushnjes, Kavajës dhe Durrësit, duke qenë gjithmonë nën survejimin e Sigurimit të Shtetit, si djalë i “armikut të popullit”, që ishte pushkatuar nga Partia. Si rezultat i luftës së klasave, Gëzimi u pushua nga arsimi dhe punoi si piktor, saldator e deri si kujdestar pulash, në ekonomitë ndihmëse të ndërmarrjes. Kjo gjë vazhdoi deri në vitin 1975, kur vetë Gëzimi u arrestua dhe u dënua me tetë vite burg politik, duke u akuzuar për agjitacion e propagandë në fushën e Artit dhe të Kulturës, dënim të cilin ai e vuajti kryesisht në burgun e Ballshit. Me hapjen e ambasadave në korrikun e vitit 1990, Gëzimi, së bashku me bashkëshorten e dy fëmijët e tyre, u larguan për në Gjermani, duke u vendosur në qytetin Soest, ku jeton dhe aktualisht me familjen e tij. Gjatë këtyre viteve që ai jeton në Gjermani, ka punuar si mësues dhe si nëpunës në administratën shtetërore të rrethit Kreisarchiv. Po kështu gjatë kësaj periudhe, ai ka krijuar lidhje (binjakëzime) të qytetit Soest me qytete të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në fushën e Mjekësisë dhe atë sociale. Një ndër ato qytete që ai ka ndihmuar më shumë me anë të lidhjeve e njohjeve që ka në Gjermani, është Kavaja, për të cilën ai ka lidhje shpirtërore të veçanta. Gjatë gjithë këtyre viteve, ai ka punuar për sensibilizimin e opinionit gjerman ndaj çështjes shqiptare dhe në qytetin Soest të Gjermanisë, ai organizoi një nga demonstratat më të mëdha që u bënë në Perëndim, në përkrahje të problemit të Kosovës në vitin 1998. Me rastin e 60-vjetorit të lindjes, në vitin 2000, nga ana e këshillit bashkiak të qytetit të Kavajës iu akordua titulli “Krenaria e Qytetit”, ndërsa në Gjermani, bashkia e Soestit dha një pritje në muzeun e qytetit me atë rast jubilar. Gëzim Peshkëpia është i njohur edhe si publicist e poet, duke botuar shkrime të shumta në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, e kryesisht në gazetën “Bota sot”.
Kujtimet e Gëzim Peshkëpisë
30 Mars 1976. Mbas 6 muajsh hetuesie po dilja në gjyq. Prej dy javësh gjendesha në “burgun e vjetër”. Më nxorën nga biruca dhe me duar të zgjidhura më çojnë tek porta që të nxjerr në oborr. Zgjas duart të bashkuara jashtë portës-zgarë, e një polic më lidh hekurat. Porta hapet dhe futem direkt në autoburg pa parë kurrgjë tjetër, as dhe oborrin. Dalim në rrugë dhe drejtohemi për nga gjykata që ndodhet aty pranë. Sapo zbres, më pret Palluqja (një me probleme të shëndetit mendor), i cili me një shenjë dore, shumë autoritativ thotë: ec shpejt! Sapo dal në oborrin e gjykatës shoh njerëz që dyndeshin, ndërsa një gardh policësh me automatikë në duar, bëheshin barrikadë në gjysëm të oborrit. Kujtova se ishin nderë që të më takonin mua dhe s’më pëlqeu, e ndjeva frikë se mos kërcënimet e Kadri Ismailatit, për “gjysmën e lekut rrëzë Dajtit” po bëheshin reale! Farsa që po zhvillohej ndoshta sipas skenarit kërkonte këtë dekor. Regjia kishte eksperiencë me bollëk. S’ishte kurrgjë për fantazinë e sigurimsave të më bënin: “kryetar grupi agjenturor në shërbim të CIA-s”. Pastaj dënim shembullor (kapital) për kryetarin ndërsa për të tjerët “Partia vinte dorën në zemër” dhe u jepte 15-25 vjet izolim për “riedukim”. Me këto mendime arrita tek porta e brendshme e oborrit, ku polici shoqërues më zuri prej krahu dhe më futi në sallën e parë majtas. Kaq shpejt u bënë këto veprime, sa arrita të shoh vetëm dajën tim, ndërsa fytyrat e tjera flu, nuk arrita t’i regjistroj. Përpiqesha të rrokja një fjalë të vetme për të kuptuar këtë situatë jo të zakonshme, por kurrgjë s’më thoshte as heshtja, e as dy policët – roje. Ja më së fundi erdhi një oficer policie, i cili u tha rojeve të më nisin lart. Ata j’u përgjigjën se janë në sallën e duhur, por ai pasi j’u tregoi derën e shqyer u tha: Nuk e shikoni? Këto i kanë bërë katundarët e Seit Bathores, që kishte gjyqin në ora 9 e tani u shty për nesër.
Të burgosurit që njoha tek 313-ta
Ishte hera e parë që dëgjoja të flitej për Seit Bathoren dhe s’di përse m’u krijua përshtypja nga biseda e gjatë prej policëve, se duhet të ishte ndonjë burrë shtatgjatë me një shikim të rreptë, si ai i trimave luftëtarë. Nga policët, s’më interesonte se ç’bisedonin, mësova se Seiti, paska qenë partizan nga të parët me Myslym Pezën. Mbas tri ditësh u zhvillua dhe seanca e dytë e gjyqit tim dhe mbasi u dënova, një ditë të bukur në mëngjes më nxorën nga biruca, më hipën në autoburg dhe më kthyen në burgun e ri. Atje mund të kem kaluar nëpër 4 porta e së fundi, u gjenda në një oborr të rrethuar nga karakollë ku pashë nga njëzet vetë, prej të cilëve ishin formuar 3 dyshe që shëtisnin lart e poshtë ndërsa të tjerët ngroheshin nën rrezet e diellit në “Pajtos”. Njoha profesor Ismail Farkën, me të cilin kishte dhënë provimin e Mekanikës Teorike, një shok im. Pastaj dallova Paulinin, vëllain e shokut tim të fëmijërisë, Aldos. Paulini kishte qenë spiker në Radio-Tirana, për gjuhën ruse. Ndërkohë një polic me fytyrë të kuqe të cilin e quanin Rustem, më kontrolloi dhe një herë trastën dhe veshjet e trupit, e më lejoi të kaloj vizën e bardhë të “paralajmërimit”, duke më thënë: ‘bashkohu tani me tufën e bagëtisë’! Të tjerët vunë buzën në gaz, si duket të gjithë e njihnin humorin e Rustemit, i cili ndonëse ishte fyes, prapë pranohej më mirë se vrazhdësia e Ndues, apo rreptësia e Aliut. Lashë trastën rrëzë murit dhe sapo ngrita sytë, pashë Dragon, një oficer të cilin e kisha kryetar fronti në bllokun e lagjes time. Mezi po adaptohesha. Përshëndetja e tij: ‘E more Gëzim’, më hutoi keqas sepse kujtova në çast se kishte ardhur për ndonjë inspektim. Ato që më prunë në vete, ishin qillotat pa çizme, të cilat përfundonin në një palë çorape të grisura, që zbukuroheshin prej pantoflave të burgut. Vura re se edhe kapelen e kishte pa yll e shirit të kuq. Që të gjithë ishin pothuaj të njohur vetëm se çdo fytyrë kishte nevojë për disa fokusime e retushime, ngaqë ishin transformuar nga izolimi i gjatë. Mbas pak arriti Çeti, (Shefqet Kau) Haxhiu, (Çira) Eqeremi (Kavaja), me një fjalë “barku i Shën- Mërisë”! Tek tuk kishte dhe surpriza. Na vinin njerëz për të cilët nuk e dinim se ishin arrestuar. Nisi një bisedë, humor e deri këngë që vazhdonin deri mbas mesnate, në atë dhomë 6 x 3 m. që quhej “Kaush”. Me dërrasa ishin formuar krevate tre katësh. Arritëm të flemë në këtë sipërfaqe deri 33 vetë, duke arritur rekord në dendësinë e popullsisë për sipërfaqe në gjithë globin!
Kush ishte Seit Bathorja?
Sapo zura vend në katin e sipërm, më afrohet një meso burrë dhe me dialekt tiranas më thotë: “Ti je Gëzimi’? Sa mukajet bënte Refi (Estref Kërçiku) për ty! Gjithë ditën ke ty e mbante mendjen. Kemi qenë në një birucë me të. Po e kemi kalue mirë fort ama. Mos u mërzit o byrazer, se s’asht memqym me na mbajtë të gjithëve kotnasikoti brenda”, shtoi ai me një pafajshmëri Shvejku. Ai njeri që po më fliste, mësova se quhej Seit Bathorja. “Aa jemi miq të vjetër. Unë kam ardhë njëqind herë ke shtëpia juej. Shyqyria, më kishte ardhë ditën e gjyqit me më pa”, tha Seiti, duke kujtuar se daja tim kishte qenë apostafat për të atë ditë në gjykatë. Biografia e Seitit s’ishte fort e zakonshme. Në moshën 15 vjeç kishte mbetur jetim e po në këtë moshë kishte vrarë gjakësin, domethënë vrasësin e të atit. Pastaj ishte larguar për në Pezë, duke u bashkuar me Myslym Pezën, meqë kishte miqësi me shehlerët e atjeshëm. Çeta u zmadhua e mori nam, kur në të penetroi Partia Komuniste. Seiti tregonte thjeshtë pa zbukurime, pa bërë asnjë shtesë siç e kishin zakon shumë vetë. “Or byrazer vetëm në pritë kam vra 16 vetë me urdhrin e Partisë, pa zanë në hesap luftën, se aty s’merret vesh se kush e vret. Njerëzit e tyne më njohin mue e s’duan me ja ditë urdhrit të Partisë. I vrau Seiti thonë. Tashti po më quajnë dhe këto të Partisë armik. Pash Zotin m’kallxo me cilin jam mik tashti”, më thoshte Seiti mua?
Arrestimi i Seitit
Në kaush u bashkuam 16 vetë që ishim arrestuar më datën 18 tetor. Atë ditë ishte arrestuar dhe Seiti në “emër të popullit”. Seiti s’e kishte kuptuar fare se po e arrestonin dhe më tregonte: “A e njeh ti atë shitësen ke pastiçeria e Pazarit të ri? Kisha kohë që i thosha: pa ta vue dupjen e florinit me dorën time mu në gushë, s’ke derman. Ajo qeshte e ma në fund pranoi. Ditën e shtunë gjithë qejf kisha futë dupjen e florinit në xhep të vogël dhe po shkojsha drejt e ke pastiçeria. Sa hipa ke rrumbullaku i “Avni Rustemit”, më vjen një makinë ranzë trotuarit. Hapet dera dhe njani që e mora për të njoftun më tha: hyp o Seit! Duke ba muhabet e duke më pyet, ma në fund më zbritën ke një oborr. Sa zbritëm më kapën prej krahësh, më lidhën duart e më thanë: Në emër të popullit je arrestue! Ju baj be vallahin, se populli s’ka ditë gja. Mbasandej m’i zbrazën të gjithë xhepat, m’i hoqën dhe pantallonat e më lanë në fill të brekëve. Çfarë kërkoni xhanëm se ju kallxoj vetë, ju thosha unë! Vallaji një, or byrazer nuk kam ma. Vallahi një, or byrazer nuk kam! “Pusho armiku poshtër, kujt i thue ti byrazer? T’i thyej turinjtë!” Më tha ai çapaçuli që s’i kishte kalb shpërnganjtë hala”. Kështu e tregonte Seiti arrestimin e tij.
Hetuesia e Seitit
“Cilin pate hetues o Seit?” e pyesja unë? Dhe ai vazhdonte rrëfimin e tij: “Njanin vallahi. Loshka (Aliosha) i thoshin. Ishte store me të. Ai shkruante në makinë të shkrimit, pa folë unë fare. Masandej meqë unë s’dijsha me shkruejtë, thërriste një polic dhe ai firmoste, kurse unë vejsha gishtin. Përherë ai muhabet: tak-tak, ta-ta taktak dhe i jepte flokëve tërma (Seiti e imitonte me dorën e plagosur që s’e mblidhte dot) masandej polici firmën, unë gishtin e prapë në birucë. Ditën e parë më erdhi me qesh se më tha: “Mue më quajnë Loshka. Do punojmë bashkë”. Mirë vallahi, ja prita, veç unë e kam dorën çyryk prej luftës e s’baj dot çdo lloj pune. A edhe në kooperativë arka mbërthejsha. Prej penxheres hetuesisë shikojsha se punojshin ke bahçja burgut disa vetë. Unë kujtojsha se e kishte fjalën me punue atje, kurse ai e kishte për hutusinë. Hej, mor hutus Loshka të vrafshin për derr!
- Dy akuza (akt-akuza) m’bani Loshka. M’i lexoi Refi. (Estref Kërçiku)
- Herën e parë gjoja kisha thanë se 20 aeroplana si ato të inglizit e bajnë Tiranën hi.
- Herën e dytë i bani Loshka 200. Ç’bahet mor Ref, i thashë, pillkan këta aeroplanë kështu apo si?
Ne të burgosurit qeshnim me gjithë shpirt sidomos kur Seiti kallëzonte historinë e Tomit, një shqiptaro-amerikan, me të cilin kishin ndenjur ca muaj bashkë në birucë gjatë hetuesisë.
- “Tomi, or byrazer, kishte ardhë prej Amerike si breshka ke nallbani. Një natë kishte qenë ke lokali i kishës Shën-Prokopit, duke hëngër darkë. Gotë mbas gote ata çunat që ishin kamerierë edhe hafije e kishin pyet gjatë e gjanë Tomin se sa bënte një kostum, a kishin vetura punëtorët, e kësi përrallash të tjera. Tomi i vorfën i kishte kallxue pa rrena, mirëpo pa zbrit mirë prej kodrës kishës, e kishin rruejt… Të gjitha muhabetet i kishin pas çue me radio drejt e në Sigurim. Ditë e natë s’pushojshin tue e pyet për Cien. Cia sot, e Cia nesër, ju ba kaptina lodër të shkretit. “Prapë për Cijën të pyetën o byrazer?” Po more, këto kanë luajtur mendsh. Ku është CIA e ku jam unë! Unë jam një qytetar i thjeshtë mor zotëri, kurse ata më pyesin për agjentura. Vallahi mu dhimbste i shkreti se shtinte merak të madh për atë punë, prandaj një ditë i thashë: Or Tom, pse e fut veten në siklet? Po pate shkue me të, kallxoje more, se fundi-fundit s’kanë për të vra. Vallahi unë kujtojsha se CIA ishte ndonjë kurvë, kurse CIA o vllai dashtë kishte pasë danome e asqerë, hy-hy çfarë ishte ajo s’ja kishte pre mendja kurrkujt”, tregonte Seiti për shokun e tij të qelisë.
Atë ditë i erdhën Seitit në takim të afërmit. Sapo hyni brenda i hapi trastat dhe i ftoi me atë zemërbardhësinë e tij të gjithë ata që kishin në kaush. Kënaqesh e i ndriste fytyra kur shihte që të tjerët hanin me uri. “Hej dreq o punë, po më qitni mallin e partizanllëkut”-qeshte Seiti./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016